ATV

Category: SPORT

  • Prishtina – Dukagjini, dueli që mbyll javën e tetë në Superligën e Kosovës

    Prishtina – Dukagjini, dueli që mbyll javën e tetë në Superligën e Kosovës

    Java e tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës do të mbyllet sonte me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Kampioni Nacional”, me fillim nga ora 18:00.

    Kjo është ndeshja e fundit e kësaj xhiroje, e cila deri më tani është karakterizuar nga rezultate të ngushta dhe befasi në disa prej përballjeve.

    Vushtrria shënoi fitore minimale ndaj Gjilanit, duke triumfuar me rezultat 1-0. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Malisheva në udhëtim ndaj Dritës, ndërsa Ballkani mori tri pikë të plota në Podujevë, duke e mposhtur Llapin po ashtu me rezultat 1-0.

    Ndërkohë, dueli ndërmjet Drenicës dhe Feronikelit ishte i vetmi që përfundoi pa fitues, me rezultatin 2-2.

    Tashmë, vëmendja është te përballja Prishtina – Dukagjini, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë rezultat pozitiv për ta mbyllur xhiron e tetë në mënyrën më të mirë të mundshme.

     

  • Vushtrria befason Gjilanin, regjistron fitoren e parë të sezonit

    Vushtrria befason Gjilanin, regjistron fitoren e parë të sezonit

    Vushtrria ka regjistruar fitoren e parë në këtë sezon të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e zhvilluar të shtunën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

    Takimi i vlefshëm për xhiron e tetë të kampionatit u vendos nga një gol i sulmuesit Urim Statovci, i cili shënoi në minutën e 60-të, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të rëndësishme.

    Kjo fitore i jep Vushtrrisë një shtysë në garën për mbijetesë, ndonëse skuadra vazhdon të renditet në vendin e fundit në tabelë, me tri pikë të grumbulluara. Me këtë bilanc, ajo barazohet me Llapin, që mban pozitën e parafundit.

    Në anën tjetër, Gjilani humbi mundësinë për të marrë pikë në këtë përballje dhe mbetet me 11 pikë, në mesin e tabelës së klasifikimit.

  • Baton Zabërgja vendimtar në Ukrainë, shënon golin e gjashtë në pesë ndeshje radhazi

    Baton Zabërgja vendimtar në Ukrainë, shënon golin e gjashtë në pesë ndeshje radhazi

    Baton Zabërgja po kalon një formë të shkëlqyer në kampionatin ukrainas. Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e gjashtë në pesë ndeshjet e fundit me Kharkivin, duke konfirmuar momentin pozitiv që po kalon në Premier Ligën e Ukrainës.

    Zabërgja ishte vendimtar edhe të shtunën pasdite, kur me golin e shënuar në minutën e 57-të i siguroi skuadrës së tij fitoren dhe tri pikët e plota. Megjithatë, epërsia nuk zgjati shumë, pasi Kharkivi pësoi gol vetëm tri minuta më vonë, për rezultatin 2:1, i cili mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit.

    Serinë e golave, Zabërgja e nisi më 31 gusht, ndërsa krahas gjashtë golave në pesë ndeshjet e fundit, ai ka regjistruar edhe një asistim në kampionatin ukrainas.

    Futbollisti qëndroi në fushë deri në minutën e 63-të, ndërsa bashkëkombësi i tij, Ermir Rashica, u aktivizua në minutën e 84-të.

    Zabërgja së fundmi ishte pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës, me të cilën luajti në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës, si dhe në dy përballjet kundër Austrisë.

    Takimi i së shtunës i takoi xhiros së tetë të kampionatit elitar ukrainas. Kharkivi ka grumbulluar 15 pikë, ndonëse ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

  • Shai Gilgeous-Alexander investon te Atlético Madridi-Ylli i NBA-së bëhet pjesë e aksionarëve të klubit spanjoll

    Shai Gilgeous-Alexander investon te Atlético Madridi-Ylli i NBA-së bëhet pjesë e aksionarëve të klubit spanjoll

    Atlético Madridi ka siguruar një emër të njohur nga bota e basketbollit. Shai Gilgeous-Alexander, një nga yjet më të mëdhenj të NBA-së, i është bashkuar grupit të aksionarëve të klubit madrilen, duke zgjeruar kështu lidhjet mes futbollit dhe basketbollit në nivelin më të lartë sportiv.

    Basketbollisti kanadez, i cili luan për Oklahoma City Thunder, ka përjetuar një periudhë të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Ai është shpallur lojtari më i vlefshëm i NBA-së (MVP) në dy sezonet e fundit, ndërsa sezonin e kaluar arriti të fitojë edhe titullin kampion me skuadrën e tij. Përveç këtyre sukseseve, ai ka qenë katër herë pjesë e ndeshjes prestigjioze “NBA All-Star”.

    Interesi i Gilgeous-Alexander për klubin spanjoll vjen në një moment kur emri i tij është ndër më të spikaturit në basketbollin botëror. I rritur në Toronto, ai e nisi rrugëtimin drejt NBA-së pas një sezoni në Universitetin e Kentucky-t, përpara se të përzgjidhej nga Los Angeles Clippers në draftin e vitit 2018. Një vit më vonë, ai kaloi te Oklahoma City Thunder, ku ndërtoi profilin e një prej lojtarëve më vendimtarë të ligës.

    Në mars të vitit 2026, kanadezi shkroi historinë e NBA-së, duke shënuar të paktën 20 pikë në 127 ndeshje radhazi. Me këtë arritje, ai la pas legjendën Wilt Chamberlain, i cili mbante rekordin e mëparshëm me 126 ndeshje të tilla.

    Pas konfirmimit të investimit të tij te Atlético Madridi, basketbollisti shprehu kënaqësinë për këtë hap të ri.

    “Jam shumë i lumtur që zyrtarisht i jam bashkuar grupit të aksionarëve të Atlético Madridit. Ky është një klub me një histori të pasur në majat e futbollit evropian dhe jam mirënjohës për mundësinë që të kontribuoj në të ardhmen e tij”, u shpreh Gilgeous-Alexander.

    Ndërkohë, në fushën e lojës, Atlético Madridi vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në La Liga. Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone do të përballet të shtunën në transfertë me Deportivo Alavés, me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive në kampionat.

    Madrilenët kanë grumbulluar 16 pikë në shtatë ndeshjet e para, duke e nisur sezonin me objektiva ambicioze për të qenë protagonistë në garën për titull

  • Dani Carvajal vendos një kusht të pazakontë për të firmosur me Getafen

    Dani Carvajal vendos një kusht të pazakontë për të firmosur me Getafen

    Një raportim i mediave spanjolle të enjten pretendoi se ish-mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, ka vendosur një kusht të pazakontë për të nënshkruar me Getafen.

    Carvajal mund të bashkohet me çdo klub pa qenë i kufizuar nga afatet e merkatos, pasi është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Real Madridin në fund të sezonit të kaluar.

    Sipas radios Marca, futbollisti është i gatshëm të pranojë një ulje të pagës për të veshur fanellën e Getafes, por vetëm nëse kontrata përfshin një klauzolë të panegociueshme.

    Kjo klauzolë lidhet me të ardhmen e tij dhe parashikon që, nëse gjatë merkatos së dimrit merr një ofertë nga një klub tjetër dhe dëshiron ta pranojë atë, të ketë të drejtën të largohet nga Getafe.

    Me fjalë të tjera, Carvajal do të ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje që do ta lidhte me Getafen vetëm për tre muaj, deri në hapjen e afatit kalimtar të dimrit, kur do të mund të shqyrtonte mundësi të tjera për të ardhmen e tij.

    Megjithatë, Getafe nuk duket e interesuar për një marrëveshje të tillë.

    I njëjti burim raporton se kjo kërkesë po e thellon edhe më shumë hendekun mes dy palëve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

  • Max Verstappen triumfon në garën sprint në Singapor-George Russell përplaset që në xhiron e parë

    Max Verstappen triumfon në garën sprint në Singapor-George Russell përplaset që në xhiron e parë

    Max Verstappen me Red Bull fitoi sot garën sprint të zhvilluar në pistën qytetase të Singaporit.

    Gara nisi me 30 minuta vonesë për shkak të shiut dhe pistës së lagur, por në fund piloti holandez ia doli të triumfojë, duke regjistruar suksesin e parë në këtë pistë.

    Verstappen përfitoi nga gabimi i George Russell me Mercedesin, i cili u përplas në fund të xhiros së parë, kur ishte në krye të garës. Kjo tërheqje, së bashku me vendin e katërt të Kimi Antonellit me makinën tjetër Mercedes, e afron edhe më shumë pilotin italian me titullin kampion për pilotë.

    Pas këtij rezultati, Antonelli krijon një epërsi prej 89 pikësh në renditjen e përgjithshme.

    Në vendin e dytë u rendit Lewis Hamilton me Ferrari, ndërsa në shkallën e tretë të podiumit u ngjit shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc.

    Ndërkohë, dy makinat McLaren u përplasën mes tyre në xhiron e fundit, teksa pilotët po përpiqeshin të parakalonin Leclerc, i cili po përballej me probleme me gomat.

  • Manchester City mund të luajë në Ligën e Kampionëve edhe nëse dënohet me rënie nga kategoria

    Manchester City mund të luajë në Ligën e Kampionëve edhe nëse dënohet me rënie nga kategoria

    Manchester City mund të ruajë në mënyrë befasuese të drejtën për të luajtur në Ligën e Kampionëve edhe sezonin e ardhshëm, madje edhe nëse Premierleage e ndëshkon rëndë klubin, deri në pikën e rënies nga kategoria.

    Figura të rëndësishme të futbollit janë gjithnjë e më të shqetësuara se klubi anglez mund të shfrytëzojë një boshllëk në rregulloren e licencimit të UEFA-së për të vazhduar pjesëmarrjen në garat evropiane.

    Pavarësisht rrezikut të një ndëshkimi të rëndë në futbollin vendas, drejtues të lartë të këtij sporti besojnë se City mund të luajë sërish në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Sipas BBC Sport, skuadra mund të sigurojë kualifikimin duke fituar këtë sezon kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

    Aktualisht, nuk ekziston asnjë mekanizëm automatik që përjashton një klub nga garat evropiane nëse ai kualifikohet falë rezultateve sportive. Kjo mundësi ka shkaktuar shqetësim te drejtuesit e futbollit, të cilët e konsiderojnë të papranueshme që City të përfitojë të ardhura të mëdha nga pjesëmarrja në elitën e futbollit evropian, nëse ndaj tij shqiptohet një ndëshkim i rëndë.

    Çështja kryesore lidhet me licencën e UEFA-së, e cila është e domosdoshme për pjesëmarrjen në garat evropiane. Sipas raportimit të GiveMeSport, licenca e Manchester Cityt është ngritur si një çështje serioze shqetësimi. Burimi thekson se zgjidhja e situatës do të kërkonte një koordinim mes palëve, i cili deri më tani ka munguar.

    Federata Angleze e Futbollit (FA) është përgjegjëse për dhënien e licencave evropiane, por këtë detyrë ia ka deleguar Ligës Premier. Megjithatë, organi drejtues nuk mund t’ia refuzojë licencën një klubi nëse ai përmbush të gjitha kriteret minimale të përcaktuara.

    Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të trajtohej pjesëmarrja e Manchester Cityt në garat evropiane në rast të një ndëshkimi të rëndë në futbollin anglez.

     

  • Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje të xhiros së tetë

    Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje të xhiros së tetë

    Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot (e shtunë) me dy përballje në kuadër të xhiros së tetë, ku Vushtrria pret Gjilanin, ndërsa Drenica përballet me Feronikeli ’74.

    Pas dy ndeshjeve të së premtes, ku u përballën Llapi me Ballkanin dhe Drita me Malishevën, kampionati kosovar vazhdon sot me dy duele të tjera.

    Ndeshja e parë zhvillohet nga ora 14:00, ku Vushtrria do të jetë nikoqire e Gjilanit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Të dyja skuadrat synojnë të marrin pikë të rëndësishme për të përmirësuar pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit.

    Ndërkohë, vëmendja do të zhvendoset në Skenderaj, ku nga ora 18:00 Drenica përballet me Feronikeli ’74 në stadiumin “Bajram Aliu”. Kjo përballje pritet të jetë e rëndësishme për të dyja ekipet, të cilat synojnë të shfrytëzojnë këtë xhiro për të avancuar në kampionat.

    Xhiroja e tetë e Albi Mall Superligës do të përmbyllet të dielën me ndeshjen mes Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila do të zhvillohet nga ora 18:00 në Kampin Nacional në Hajvali.

  • Marc Marquez triumfon në garën sprint në Indonezi dhe merr kreun e renditjes botërore në MotoGP

    Marc Marquez triumfon në garën sprint në Indonezi dhe merr kreun e renditjes botërore në MotoGP

    Piloti spanjoll i Ducati, Marc Marquez, triumfoi të shtunën paradite në garën sprint të zhvilluar në Indonezi, duke marrë edhe kreun e renditjes botërore në MotoGP, me 3 pikë më shumë se ndjekësi i tij më i afërt.

    Një fitore që nuk ishte aspak e lehtë për spanjollin, i cili fillimisht përfitoi nga një problem me gomat në motorin e bashkatdhetarit të tij, Jorge Martin, që garon me Aprilia. Më pas, ky i fundit bëri edhe një gabim gjatë duelit me Marquez, duke e mbyllur garën në vendin e katërt.

    Nga gabimi i Jorge Martin, aktualisht i dyti në renditjen botërore, përfituan edhe japonezi Ai Ogura, me Trackhouse, dhe italiani Fabio Di Giannantonio, me VR46, të cilët u renditën përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.

    Një garë për t’u harruar kjo për italianin Marco Bezzecchi, me Aprilia, i cili u rrëzua që në kthesën e parë pas një kontakti me Raul Fernandez.

    Të dielën në mëngjes do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Indonezisë në MotoGP.

  • Ballkani triumfon në Podujevë, Albin Berisha vendos fatin e ndeshjes ndaj Llapit

    Ballkani triumfon në Podujevë, Albin Berisha vendos fatin e ndeshjes ndaj Llapit

    Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Llapit, duke triumfuar me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Skuadra e drejtuar nga Sami Sermaxhaj arkëtoi tri pikë të rëndësishme në stadiumin “Zahir Pajaziti”, duke mposhtur ekipin e Tahir Batatinës në ndeshjen e parë pas pushimit trejavor për shkak të angazhimeve të kombëtareve.

    Pjesa e parë u karakterizua me lojë të baraspeshuar nga të dyja skuadrat, por pa raste të shumta shënimi, me ç’rast ekipet shkuan në pushim me rezultat të bardhë, 0-0.

    Në pjesën e dytë, ritmi i lojës u rrit dhe të dyja skuadrat krijuan më shumë mundësi për të shënuar. Megjithatë, ishin mysafirët nga Suhareka ata që arritën ta gjenin rrjetën.

    Goli vendimtar erdhi në minutën e 60-të, kur Albin Berisha shënoi për rezultatin 0-1, duke i dhënë epërsinë Ballkanit. Pavarësisht përpjekjeve të Llapit për të reaguar deri në fund të takimit, rezultati nuk ndryshoi dhe Ballkani u largua nga Podujeva me pikët e plota.

    Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në pozitën e tretë në tabelë me 13 pikë, ndërsa Llapi mbetet në vendin e nëntë, me vetëm tri pikë të grumbulluara.

    Në xhiron e ardhshme, Ballkani do të përballet me Dritën në shtëpi, kurse Llapi do të luajë në udhëtim ndaj Feronikelit ’74.