ATV

Category: Sport

  • E kryer! Lindon Emërllahu transferohet te Polissya Zhytomyr

    E kryer! Lindon Emërllahu transferohet te Polissya Zhytomyr

    Klubi ukrainas FC Polissya Zhytomyr ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit kosovar Lindon Emërllahu nga CFR Cluj.

    Pritjes i erdhi fundi, pasi Emërllahu është prezantuar tashmë si lojtar i ri i skuadrës dhe lajmin e ka konfirmuar vetë faqja zyrtare e klubit ukrainas, e cila ka zbuluar edhe detajet e marrëveshjes.

    “Klubi i futbollit Polissya ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me mesfushorin kosovar Lindon Emërllahu. Kontrata me lojtarin është nënshkruar për një periudhë trevjeçare. Ai do të mbajë fanellën me numrin 14. Mirë se vini në familjen tonë, Lindon!”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Ndryshe, gjatë këtij sezoni, mesfushori nga Theranda ka zhvilluar 24 ndeshje me CFR Cluj në Rumuni, duke shënuar 4 gola dhe duke kontribuar me 2 asistime.

    Ndërkohë, Polissya Zhytomyr e ka përfunduar pjesën e parë të sezonit në pozitën e tretë në tabelë me 30 pikë, pesë më pak se liderët LNZ Cherkasy dhe Shakhtar, që renditen në vendin e parë dhe të dytë. /ATVLIVE.TV

  • Presidenti i Fenerbahçes, Steven Sadettin Saran, shoqërohet në paraburgim në kuadër të një hetimi për drogë

    Presidenti i Fenerbahçes, Steven Sadettin Saran, shoqërohet në paraburgim në kuadër të një hetimi për drogë

    Biznesmeni i njohur turk dhe presidenti i Klubit Sportiv Fenerbahçe, Steven Sadettin Saran, është shoqëruar në paraburgim mbrëmjen e sotme në kuadër të një hetimi që lidhet me lëndë narkotike, kanë bërë të ditur autoritetet turke.

    Në një deklaratë zyrtare, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit njoftoi se Saran po hetohet nën dyshimet për përdorim dhe lehtësim të përdorimit të substancave narkotike. Sipas prokurorisë, rezultatet e testeve të kryera më herët gjatë ditës kanë rezultuar pozitive pas një kontrolli të realizuar gjatë fundjavës.

    Raportimet mediatike bëjnë të ditur se në një mostër floku të marrë nga Saran është konstatuar prania e kokainës, ndërsa në analizat e gjakut, urinës dhe thonjve nuk është gjetur asnjë substancë narkotike.

    Pas publikimit të rezultateve, Saran reagoi me një deklaratë me shkrim, ku mohoi kategorikisht përdorimin e drogës. Ai u shpreh se nuk e ka përdorur dhe as nuk ka qenë ndonjëherë në kontakt me substancën në fjalë, duke kërkuar që testet të përsëriten në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Po ashtu, Saran deklaroi se është i gatshëm t’u nënshtrohet analizave shtesë edhe në institucione ndërkombëtare të pavarura, rezultatet e të cilave, sipas tij, do t’i bëjë publike. Ai ngriti shqetësime serioze edhe për rrjedhjen e informacionit nga dosja hetimore, pavarësisht urdhrit për konfidencialitet.

    Sipas Saranit, publikimi i detajeve nga një dosje e supozuar sekrete në disa media njëkohësisht dhe në mënyrë të koordinuar përbën një shkelje serioze. “Jam i bindur se e vërteta do të dalë në pah dhe se procesi do të përfundojë në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me parimet e shtetit ligjor”, u shpreh ai.

    Shtëpia e Steven Sadettin Saran është kontrolluar më 19 dhjetor, në kuadër të një hetimi më të gjerë për drogë, që përfshin disa persona publikë, përfshirë gazetarë, figura të njohura të rrjeteve sociale dhe biznesmenë.

  • KF Llapi dhe Kushtrim Shabani ndajnë rrugët me mirëkuptim pas një bashkëpunimi të gjatë

    KF Llapi dhe Kushtrim Shabani ndajnë rrugët me mirëkuptim pas një bashkëpunimi të gjatë

    KF Llapi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje të përbashkët me mesfushorin Kushtrim Shabani për ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve.

    Vendimi është marrë në frymë mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë, edhe pse klubi kishte paraparë ta llogariste Shabanin si pjesë të rëndësishme të projektit për vazhdimësinë. Megjithatë, drejtuesit e Llapit kanë respektuar dëshirën e futbollistit për të ndryshuar ambient dhe për të hapur një kapitull të ri në karrierën e tij.

    Kushtrim Shabani ka qenë një figurë e rëndësishme e skuadrës ndër vite, duke kontribuar vazhdimisht me paraqitjet e tij dhe profesionalizmin në fushë. Kohët e fundit, ai shënoi edhe një moment të veçantë në karrierë, duke regjistruar 200 paraqitje zyrtare me fanellën e KF Llapit, një dëshmi e përkushtimit dhe lidhjes së fortë me klubin.

    Në njoftimin e tij, KF Llapi e falënderon Shabanin për kontributin e çmuar dhe i uron shumë suksese në rrugëtimin e radhës profesional.

  • Albian Hajdari shijon pushimet në Dubai, me të dashurën?

    Albian Hajdari shijon pushimet në Dubai, me të dashurën?

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, ka publikuar një fotografi në rrjetin social ‘Insta Story’, ku në prapavijë shihet një vajzë, megjithëse ai ka zgjedhur të mos ia zbulojë fytyrën.

    22-vjeçari ka bërë të ditur se ndodhet në Dubai, duke shfrytëzuar pushimet pas përfundimit të sezonit dimëror në Gjermani.

    Kujtojmë se qendërmbrojtësi ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares së Kosovës, duke dhënë kontribut të rëndësishëm dhe shpeshherë vendimtar në disa ndeshje.

    Hajdari aktualisht luan për ekipin Hoffenheim në Bundesligën gjermane dhe këtë edicion, ai ka zhvilluar 15 ndeshje ku ka shënuar një gol. /ATVLIVE.TV

  • Real Madridi ndez rrjetet për Krishtlindje me fotografinë ikonike të trofeve

    Real Madridi ndez rrjetet për Krishtlindje me fotografinë ikonike të trofeve

    Real Madridi ka zgjedhur një mënyrë tejet simbolike dhe madhështore për të uruar Krishtlindjet, duke publikuar një fotografi që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe është cilësuar nga tifozët si një nga imazhet më “të nxehta” të vitit.

    Në foto shihen presidenti Florentino Pérez dhe trajneri Xabi Alonso, të pozicionuar përpara një galerie mbresëlënëse trofesh që përfaqësojnë historinë e lavdishme të klubit mbretëror. Pas tyre dallohen qartë trofetë më prestigjiozë të fituar ndër vite, përfshirë Ligën e Kampionëve, titujt kampionë të Spanjës dhe trofe të tjerë madhorë që e kanë bërë Real Madridin klubin më të suksesshëm në historinë e futbollit.

    Imazhi përcjell një mesazh të qartë force, tradite dhe dominimi, duke kujtuar botës se Real Madridi nuk feston vetëm festat, por edhe historinë dhe ambicien e përhershme për fitore. Prania e Pérez dhe Alonsos në të njëjtën kornizë simbolizon vazhdimësinë mes së kaluarës së lavdishme dhe projektit për të ardhmen.

    Postimi i klubit u shoqërua me urime festive, por mbi të gjitha me një kujtesë të heshtur për rivalët: trofetë flasin vetë. Për tifozët madrilenë, kjo foto ishte më shumë se një urim Krishtlindjesh – ishte një deklaratë krenarie dhe madhështie.

  • Anduena Rifati jep dorëheqje nga pozita e vëzhgueses në FBK

    Anduena Rifati jep dorëheqje nga pozita e vëzhgueses në FBK

    Ish-basketbollistja Anduena Rifati ka dhënë dorëheqje nga pozita e vëzhgueses në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), vendim të cilin e ka bërë të ditur përmes një letre zyrtare drejtuar institucionit, e cila njëkohësisht është dërguar edhe në redaksinë tonë.

    Në letrën e saj, Rifati thekson se dorëheqja vjen pas një reflektimi të gjatë dhe të qetë, duke renditur disa arsye që, sipas saj, e kanë shtyrë drejt këtij vendimi. Ajo shprehet se gjatë edicionit 2025/26 është ndier e injoruar dhe e neglizhuar nga Komisioni i Nominimeve, pa asnjë sqarim apo vlerësim të drejtë për kontributin e saj.

    Mes tjerash, Rifati ngre shqetësime edhe për mungesën e mbështetjes institucionale për përfshirjen gjinore në strukturat e FBK-së, duke theksuar se si femër, integrimi dhe avancimi profesional i saj ka qenë i kufizuar. Ajo kritikon gjithashtu zbehjen e parimit të meritokracisë, duke vënë në dyshim kriteret mbi të cilat bëhen delegimet dhe vlerësimet.

    Në letrën e dorëheqjes, Anduena Rifati nënvizon përvojën e saj të pasur në basketboll, duke përfshirë rolin si basketbolliste aktive, reprezentuese e Kosovës, gjyqtare dhe së fundmi si vëzhguese. Ajo thekson se vjen nga një familje basketbolliste dhe se njohuritë për lojën i ka ndërtuar që herët, të përforcuara ndër vite me përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm.

    Sipas saj, pavarësisht këtij bagazhi profesional dhe njerëzor, kontributi i saj nuk ka qenë i mjaftueshëm për t’u vlerësuar në mënyrë të drejtë apo për të qenë pjesë e proceseve të avancimit profesional. Rifati shpreh zhgënjim edhe ndaj, siç e quan ajo, një klime të “antivlerave”, selektimeve të preferuara dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje.

    Si kulm të gjithë situatës, ajo përmend edhe mungesën e ftesës nga FBK-ja për ceremoninë e shpalljes së laureatëve të fundvitit, duke e cilësuar këtë si një tjetër shenjë mospërfilljeje institucionale.

    Deri më tani, Federata e Basketbollit të Kosovës nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me dorëheqjen dhe pretendimet e ngritura nga Anduena Rifati.

  • FIFA ndan shuma rekord për Kupën e Botës 2026 – mbi 700 milionë dollarë për federatat

    FIFA ndan shuma rekord për Kupën e Botës 2026 – mbi 700 milionë dollarë për federatat

    FIFA ka zyrtarizuar shpërndarjen e premiove financiare për Kupën e Botës 2026, duke vendosur një rekord historik sa i përket fondit total që do t’u ndahet federatave pjesëmarrëse. Ky edicion pritet të jetë më i madhi ndonjëherë, si në numrin e ekipeve ashtu edhe në aspektin financiar.

    Sipas strukturës së publikuar nga FIFA, fituesi i Kupës së Botës do të arkëtojë 50 milionë dollarë, ndërsa nënkampioni do të përfitojë 33 milionë dollarë. Kombëtarja që do të përfundojë në vendin e tretë do të shpërblehet me 29 milionë dollarë, ndërsa vendi i katërt me 27 milionë dollarë.

    Edhe ekipet që nuk arrijnë fazat finale do të përfitojnë shuma të konsiderueshme. Çerekfinalistët do të marrin nga 19 milionë dollarë, ndërsa skuadrat që ndalen në raundin e 16-të do të shpërblehen me 15 milionë dollarë. Për ekipet që përfundojnë fazën e grupeve, vendi i tretë sjell 11 milionë dollarë, ndërsa vendi i katërt 9 milionë dollarë.

    Në total, rreth 727 milionë dollarë do t’u shpërndahen federatave të futbollit, shuma më e lartë e ndarë ndonjëherë në historinë e Kupës së Botës. Ky investim synon jo vetëm shpërblimin e performancës sportive, por edhe mbështetjen e zhvillimit afatgjatë të futbollit në mbarë botën.

    Kupa e Botës 2026 do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, me format të zgjeruar prej 48 kombëtaresh, çka rrit ndjeshëm edhe ndikimin financiar dhe global të turneut. /ATVLIVE.TV

  • Drita mposht Prishtinën, Ballkani kampion vjeshtor i Superligës Kosovës në futboll

    Drita mposht Prishtinën, Ballkani kampion vjeshtor i Superligës Kosovës në futboll

    Ekipi i Dritës ka triumfuar ndaj Prishtinës në ndeshjen e mbetur të xhiros së 13-të në Albi Mall Superligë, duke fituar me rezultat 2-0 dhe duke përmbyllur stinorin vjeshtor me një notë pozitive.

    Kampioni në fuqi i Kosovës vendosi gjithçka në pjesën e parë, me dy gola të shpejtë në minutat e 26-të dhe 28-të. Besnik Krasniqi harkoi bukur për Jorgo Pëllumbin, i cili shënoi për 1-0.

    Vetëm tre minuta më vonë, Krasniqi dha një tjetër asist të shkëlqyer për Raddy Ovouka-n, që shënoi për 2-0.

    Në pjesën e mbetur të ndeshjes, Drita menaxhoi mirë rezultatin dhe riktheu fitoren pas katër ndeshjeve pa fitore në Superligë.

    Me këtë sukses, Drita mbyll vjeshtën në vendin e katërt me 29 pikë, mirëpo lider vjeshtor është ekipi i Ballkanit që mbyll pjesën e parë të sezonit si lider, me 33 pikë, duke lënë pas Prishtinën, e cila ka 30 pikë.

    Dukagjini renditet në vendin e tretë me 29 pikë, po aq sa ka edhe Drita në vendin e katërt.

    Malisheva zë vendin e pestë me 27 pikë, një më shumë se Gjilani në të gjashtin.

    Llapi renditen në vendin e shtatë më 21 pikë, Drenica me 20, një më pak ka Ferizaji në vendin e nëntë dhe Prishtina e Re e përfundon vjeshtën në fund të tabelës, me vetëm 15 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Portieri Januz Miftari nuk është më pjesë e Llapit

    Portieri Januz Miftari nuk është më pjesë e Llapit

    KF Llapi njoftoi se ka arritur marrëveshje të dyanshme me portierin Januz Miftari për përfundimin e kontratës, e cila ishte valide edhe për dy vite e gjysmë.

    Duke marrë parasysh konkurrencën dhe mungesën e minutave, Miftari ka kërkuar mirëkuptimin e klubit për t’u larguar, në kërkim të sfidave të reja në karrierën e tij.

    Miftari iu bashkua KF Llapit gjatë kësaj vere nga KF Trepçca dhe gjatë gjithë kësaj periudhe tregoi përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, duke u angazhuar maksimalisht në çdo moment.

    KF Llapi e falënderoi “Nuzin” për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës. /ATVLIVE.TV

  • Kupa Ndërkombëtare e Miqësisë’, e sponsorizuar nga Rusia, pjesëmarrës edhe një ekip i Mitrovicës së Veriut

    Kupa Ndërkombëtare e Miqësisë’, e sponsorizuar nga Rusia, pjesëmarrës edhe një ekip i Mitrovicës së Veriut

    Në Qendrën Sportive Kovilovo në Serbi, të hënën u hap edicioni i katërt i “Kupës Ndërkombëtare të Miqësisë në Futsall”, një turne i mbështetur nga institucionet ruse, ku marrin pjesë tetë ekipe të reja nga Rusia, Serbia dhe Republika Srpska e Bosnjë dhe Hercegovinës.

    Turneu synon promovimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes të rinjve përmes sportit. Në këtë edicion marrin pjesë ekipet Vojvodina, Guça, Mladost Apatin, Zajeçar, një ekip nga Mitrovica e Veriut dhe një ekip nga Republika Serbe. Skuadra Shahtjor nga Donjecku merr pjesë për herë të parë në një aktivitet sportiv në Serbi.

    Në ceremoninë e hapjes, Aleksandar Vološin, anëtar i Këshillit të Federatës Ruse, theksoi se e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet shteteve varet nga brezat e rinj, duke i ftuar pjesëmarrësit të shfrytëzojnë turneun si platformë për ndërtimin e miqësive dhe forcimin e bashkëpunimit.

    Këshilltari i Ambasadës së Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Konanihin, theksoi lidhjet historike mes Serbisë dhe rajonit të Donbasit, duke vënë theksin tek ruajtja e traditave dhe vlerave të përbashkëta.

    Turneu organizohet nga fondi bamirës “Shenjtorët Apostuj të Lartë Pjetri dhe Pali” në bashkëpunim me Drejtorinë e Festivalit Botëror të Rinisë, me mbështetjen e Agjencisë Federale për Çështjet e Rinisë “Rosmolodezh” dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Drejtori i fondit, Miloš Tanaskoviq, nënvizoi se qëllimi kryesor mbetet krijimi i miqësive mes të rinjve nga vende të ndryshme, “Këtu po luftojmë për shoqëri – le të fitojë miqësia”.