ATV

Category: Sport

  • Premier League feston Boxing Day me ndeshjen Manchester United – Newcastle

    Premier League feston Boxing Day me ndeshjen Manchester United – Newcastle

    Premier League nuk ndalet as gjatë festave dhe si traditë rikthehet me “Boxing Day”. Edhe pse këtë vit me një ndeshje të vetme më 26 dhjetor, ajo mes Manchester United dhe Newcastle në Old Trafford mbetet shumë e rëndësishme.

    Djajtë e Kuq do të përballen me mungesa të ndjeshme për shkak dëmtimesh, ku veçohet Bruno Fernandes. Trajneri Ruben Amorim theksoi rëndësinë e mesfushorit portugez dhe ndikimin e tij në lojën e ekipit.

    “Bruno Fernandes është një lojtar që nuk mund të zëvendësohet, por i thashë ekipit të shohim anën pozitive. Tani disa lojtarë duhet të përmirësohen – jo vetëm në krijimin e lojës, por edhe në çdo goditje standarde. Ai organizon gjithçka, dhe kjo është një mundësi për të tjerët që të kuptojnë se nuk mund të mbështetemi vetëm te një lojtar. Humbja e tij do të ndikojë gjithçka, sepse ai kupton çdo detaj në fushë dhe tregon pozicionimin e duhur për të tjerët.” tha Amorim.

    Nga ana tjetër, Newcastle vjen në Old Trafford me një formë të qëndrueshme këtë sezon, duke kërkuar pikët për të qëndruar lart në tabelë. Edhe trajneri Eddie Howe nuk mund të llogarisë në mbrojtësit Botman, Burn, Livramento dhe Trippier.

    Ndeshja mes tyre zhvillohet nesër nga ora 21:00, në një nga stadiumet më ikonike siç është ‘Teatri i ëndrrave’.

    Pas 17 xhirosh në Ligën Angleze Skuadra e Ruben Amorim është në vendin e shtatë me 26 pikë, ndërsa skuadra e Eddie Howe mban vendin e njëmbëdhjetë me 23 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Talenti i Barcelonës hap shtëpinë e tij për publikun – Ja pse nuk mund të kem të dashur

    Talenti i Barcelonës hap shtëpinë e tij për publikun – Ja pse nuk mund të kem të dashur

    Futbollisti, Lamine Yamal, diamanti i Barcelonës dhe i Spanjës, po tërheq vëmendje edhe jashtë fushës. Gjatë pushimeve të Krishtlindjes, ai hapi kanalin e tij në YouTube, ku videoja e parë është një tur në shtëpinë që së shpejti do ta lërë.

    Në më pak se 10 minuta, shfaqen dhoma të mbushura me rroba, kapele, aksesorë, kujtime dhe trofe që dëshmojnë karrierën e tij të jashtëzakonshme. Në rafte duken trofe individuale nga FIFA dhe UEFA, si dhe trofe me Barcelonën dhe Spanjën.

    Objekti më i çmuar për Yamal është topi i golit të tij ndaj Francës: “Është gjëja më e çmuar që kam në shtëpi,” thotë ai duke buzëqeshur.

    Momenti më i komentuar i videos është kur rrëfen me humor: “Kam një problem, zgjohem natën për të ngrënë biskota. Më pëlqejnë shumë. Ja pse nuk kam të dashur – ngaqë zgjohem natën për të ngrënë biskota.”

    Lidhja e fundit ishte me këngëtaren argjentinase Nicki Nicole, por ajo zgjati pak. Lamine tregon se do të besojë sërish në dashuri vetëm nëse partnerja e ardhshme ndan pasionin e tij për biskotat. /ATVLIVE.TV

  • Pas një dekade te Gjilani, Aridon Bllaca gati të hap një kapitull të ri

    Pas një dekade te Gjilani, Aridon Bllaca gati të hap një kapitull të ri

    Portieri Aridon Bllaca ka konfirmuar largimin nga FC Gjilani, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë në karrierën e tij që zgjati pothuajse një dekadë.

    Gardiani bëri të ditur vendimin përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, duke theksuar se ky hap është pjesë e një procesi të rëndësishëm për vazhdimin e karrierës së tij.

    Bllaca iu bashkua Gjilanit që në moshë të re dhe u largua si një nga figurat më të qëndrueshme të klubit. Në mesazhin e tij, ai falënderoi drejtuesit, trajnerët, bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët e “Skifterave”, të cilët i konsideroi si mbështetje të palëkundur që nga dita e parë.

    Portieri gjithashtu shtoi se do të mbajë me vete momentet më të bukura me fanellën kuqebardhë dhe nuk përjashtoi mundësinë që rrugët me Gjilanin të kryqëzohen sërish në të ardhmen. /ATVLIVE.TV

  • Emërllahu kaloi në Ukrainë, Ballkani përfiton financiarisht nga transferimi

    Emërllahu kaloi në Ukrainë, Ballkani përfiton financiarisht nga transferimi

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Lindon Emërllahu, ka gjetur skuadrën e re para fillimit të afatit të dimrit, duke u transferuar te ekipi ukrainas, FC Polissya Zhytomyr nga Cluji.

    Skuadra ukrainase do të paguajë 2 milionë euro te CFR Cluj për transferimin e lojtarit. Nga kjo marrëveshje do të përfitojë edhe klubi kosovar, Ballkani, që ka 15% të kartonit të Emërllahut, duke siguruar rreth 300 mijë euro nga shitja e tij. /ATVLIVE.TV

  • Kombëtarja U18 e femrave zhvillon ndeshje ndaj Dinamos së Tiranës

    Kombëtarja U18 e femrave zhvillon ndeshje ndaj Dinamos së Tiranës

    Kombëtarja U18 e femrave zhvilloi ndeshje miqësore me Dinamon e Tiranës, me qëllim testimin e lojtarëve dhe përbërjen e skuadrës në kushte reale gare.

    Këto përballje janë pjesë e programit të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK) për zhvillimin dhe seleksionimin e volejbollisteve të grupmoshës U18. Ndeshjet shërbyen për të vlerësuar skemat e lojës, bashkëpunimin në ekip dhe potencialin individual të lojtareve.

    FVK vazhdon të investojë në ndërtimin afatgjatë të gjeneratave të reja, duke i dhënë përparësi përvojës ndërkombëtare dhe përgatitjes cilësore të kombëtareve të reja. /ATVLIVE.TV

  • “Heroi me një sy” – Georgi Minoungou, shënojnë dy gola dramatikë dhe fitojnë ndeshjen

    “Heroi me një sy” – Georgi Minoungou, shënojnë dy gola dramatikë dhe fitojnë ndeshjen

    Kombëtarja e Burkina Fasos arriti një fitore dramatike ndaj Guinesë Ekuatoriale, duke triumfuar 2-1 në ndeshjen e parë të Grupit E në Kupën e Kombeve Afrikane.

    Guinea Ekuatoriale udhëhiqte 1-0 deri në minutat shtesë, por Burkina Faso arriti një kthesë spektakolare me golat në minutat e 95-të dhe të 98-të, duke sjellë një festë të madhe për tifozët.

    Marvin Anieboh shënoi për Guinenë, ndërsa Georgi Minoungou barazoi rezultatin dhe Edmond Tapsoba shënoi golin e fitores për Burkina Fason.

    Pikërisht golit të barazimit i jep peshë të veçantë historia e Georgi Minoungou, 23-vjeçarit që luan me njërin sy. Në vitin 2022, ai u transferua nga liga e dytë çeke te ekipi rezervë i Seattle Sounders në SHBA, por një infeksion i shkaktoi humbjen e shikimit në syrin e majtë, duke e ndaluar përkohësisht nga futbolli profesional.

    Megjithatë, Minoungou nuk u dorëzua. Ai kërkoi të vazhdonte stërvitjen dhe arriti të rikuperonte aftësitë e tij, duke zhvilluar një perceptim të jashtëzakonshëm të lojës.

    “U stërvita më shumë se kurrë. Nuk mund të shihja gjithçka, por ndieja lojën dhe reagova instiktivisht,” tha ai në një intervistë.

    Sot, talenti dhe vendosmëria e tij janë të dukshme, Minoungou është golashënuesi më i mirë i Burkina Fasos në Kupën e Kombeve Afrikane dhe një figurë kyçe e ekipit kombëtar, duke treguar se asnjë pengesë nuk mund ta ndalë një luftëtar të vërtetë. /ATVLIVE.TV

  • Lajm i trishtë nga Maqedonia e Veriut, ndahet nga jeta sportisti shqiptar

    Lajm i trishtë nga Maqedonia e Veriut, ndahet nga jeta sportisti shqiptar

    Ka ndërruar jetë në moshë të re mundësi i njohur shqiptar, Ramazan Memedi, duke lënë një humbje të madhe për sportin dhe mundjen shqiptare.

    Miqtë, sportistët dhe dashamirët e sportit janë të tronditur nga ky lajm i hidhur.

    “Komuna e Studeniçanit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Memedi! Ramazani ishte një sportist i përkushtuar dhe kontribuoi shumë në profesionin e tij si mundës. Ngushëllimet tona shkojnë edhe për gjithë banorët e fshatit Batincë. Zoti i’u dhashë durim dhe forcë për këtë humbje,” tha Ejup Abazi, kryetar i Komunës së Studeniçanit. /ATVLIVE.TV

  • Fury – Joshua vetëm për miliona! Zbulohet kushti vendimtar

    Fury – Joshua vetëm për miliona! Zbulohet kushti vendimtar

    Tyson Fury është i gatshëm të rikthehet në ring për t’u përballur me Anthony Joshuan vitin e ardhshëm, por superndeshja që tifozët e boksit e kanë pritur për gati një dekadë do të realizohet vetëm me një kusht vendimtar – ofertën financiare.

    Këtë e ka konfirmuar promotori i tij, Frank Warren, duke theksuar se gjithçka varet nga shuma e parave që do të vihet në tavolinë për këtë duel të madh të peshave të rënda.

    Përballja Fury–Joshua është diskutuar prej vitesh, sidomos në periudhën kur të dy mbanin tituj botërorë. Fury u shpall kampion i unifikuar pas fitores ndaj Wladimir Klitschko, përpara se të tërhiqej për disa vite nga boksi. Ai u rikthye më pas në mënyrë spektakolare, duke ia marrë titullin WBC Deontay Wilderit dhe duke e mbrojtur atë në disa duele epike, derisa e humbi përfundimisht ndaj Oleksandr Usyk.

    Ndërkohë, ishte po Usyk ai që e rrëzoi Anthony Joshuan nga froni në vitin 2021 dhe as Joshua e as Fury nuk arritën ta mposhtnin boksierin ukrainas në ndeshjet e tyre revansh.

    Fury është pensionuar zyrtarisht që nga janari i vitit 2025, ndërsa Joshua kishte qenë larg ringut pas humbjes me nokaut ndaj Daniel Dubois në shtator të vitit 2024, deri fundjavën e kaluar, kur ai e mposhti Jake Paulin në një duel të pabarabartë.

    Duke folur për Sky Sports, Frank Warren pranoi se “Mbreti Cigan” është i interesuar për meçin me Joshuan, por vetëm nëse plotësohen kushtet financiare.

    “Ajo që do ta motivojë Tysonin është aspekti financiar. Ne besojmë se ai mund ta mposhtë AJ. Gjithçka varet nga vlera e ndeshjes. Është një duel gjigant dhe vlen shumë para. Tyson ka çmimin e tij”
    , u shpreh Warren.

    Ai shtoi se ka gjasa të mëdha që ndeshja të zhvillohet në Arabinë Saudite, në kuadër të Sezonit të Riadit.

    “Paratë do ta diktojnë vendin ku do të zhvillohet ndeshja. Është kaq e thjeshtë. Ata janë luftëtarë profesionistë dhe shkojnë aty ku janë paratë”, përfundoi promotori i Furyt. /ATVLIVE.TV

  • Asllani “i shtrenjtë” në merkato

    Asllani “i shtrenjtë” në merkato

    Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, po vazhdon të tërheqë vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane, ndërsa çdo skuadër që synon transferimin e tij duhet të jetë e gatshme të paguajë një shifër të lartë.

    Sipas raportimeve të gazetarit Ekrem Konur për “Arma Sports TV” dhe “CaughtOffside”, Hoffenheim ka vendosur një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh për sulmuesin 23-vjeçar.

    Asllani përmendet si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar Robert Lewandowskin te Barcelona, duke pasur parasysh se veterani polak pritet të largohet nga klubi katalanas gjatë verës.

    Më herët ishte raportuar se sulmuesi kosovar kishte një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh, por pas rinovimit të kontratës së tij, kjo klauzolë është hequr, çka ka bërë që Hoffenheim ta rrisë ndjeshëm çmimin e kartonit të tij.

    Përveç Barcelonës, interesim për Asllanin kanë shfaqur edhe Bayern Munich, si dhe dy klube nga Liga Premier, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë publik.

    Këtë sezon 23 vjeçari në 17 ndeshje ka shënuar 7 gola dhe ka kontribuar në tre të tjerë. /ATVLIVE.TV

  • Korenica në prag transferimi, oferta milionëshe nga Qipro

    Korenica në prag transferimi, oferta milionëshe nga Qipro

    Sulmuesi anësor i Kosovës, Meriton Korenica, mund të ndryshojë skuadër gjatë afatit kalimtar të janarit. Sipas raportimeve të fundit nga Rumania, klubi i Cluj – it ka pranuar një ofertë konkrete prej 2 milionë eurosh për shërbimet e futbollistit kosovar.

    Korenica është në radarin e Apollon Limassol, skuadër që garon në elitën e futbollit qipriot. Bëhet e ditur se klubi qipriot e ka përgatitur tashmë kontratën për 29-vjeçarin, ndërsa në rast të realizimit të transferimit, ai do të përfitonte një pagë vjetore prej 500 mijë eurosh, një ofertë mjaft tërheqëse për lojtarin.

    29 vjeçari është një nga futbollistët më të rëndësishëm të ekipit transilvanian në këtë sezon. Ai ka zhvilluar 20 ndeshje, në të cilat ka shënuar 4 gola dhe ka regjistruar 2 asistime, duke qenë një element kyç në fazën ofensive të Clujit.

    Sipas të dhënave të ‘Transfermarkt’, vlera aktuale e kartonit të djalit nga Rahoveci është 2.4 milionë euro. Në total, ai ka zhvilluar 79 paraqitje me fanellën e ekipit rumun, duke realizuar 18 gola dhe 14 asistime. /ATVLIVE.TV