ATV

Category: Sport

  • Marcus Rashford ende nuk ka vendosur se a do të qëndrojë tek Barcelona apo jo-Rafael Leao i Milanit opsion nëse anglezi largohet

    Marcus Rashford ende nuk ka vendosur se a do të qëndrojë tek Barcelona apo jo-Rafael Leao i Milanit opsion nëse anglezi largohet

    FC Barcelona pritet të jetë aktive gjatë afatit kalimtar të verës, me synimin kryesor për të përforcuar krahun e majtë të sulmit. Megjithatë, klubi katalanas ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi profilin e lojtarit që do të transferojë.

    Në fillim të vitit 2026, dukej pothuajse e sigurt se marrëveshja e huazimit të Marcus Rashford do të bëhej e përhershme. Barcelona ka mundësinë të aktivizojë opsionin e blerjes për rreth 30 milionë euro, por së fundmi janë shtuar dyshimet mbi këtë vendim. Drejtuesit e klubit pritet të zhvillojnë një takim me agjentin dhe vëllain e lojtarit për të sqaruar situatën.

    Paralelisht, Barcelona po shqyrton edhe alternativa të tjera më të reja dhe më ekonomike, si Andreas Schjelderup, Ez Abde dhe Jan Virgili, duke reflektuar një strategji më të kujdesshme financiare dhe afatgjatë.

    Sipas raportimeve nga mediat italiane, të cituara nga shtypi katalanas, Rafael Leão i është ofruar Barcelonës si një opsion për këtë verë. Sulmuesi i AC Milan nuk e ka më të garantuar vendin si titullar dhe klubi italian është i hapur për ta shitur, pavarësisht kontratës që zgjat deri në vitin 2028.

    Vlera e tij mund të zbresë deri në 50 milionë euro, një shumë që konsiderohet më e përballueshme krahasuar me të kaluarën, kur çmimi i tij arrinte deri në 100 milionë euro. Megjithatë, drejtori sportiv Deco ka shprehur rezerva për angazhimin defensiv të lojtarit, ndërsa presidenti Joan Laporta besohet se e vlerëson profilin e tij.

    Këtë sezon, Leão ka regjistruar 10 gola dhe 2 asistime në 25 paraqitje, por vetëm në 20 prej tyre ka qenë titullar, një tregues i rënies së rolit të tij në skuadër.

    Barcelona mbetet në fazë vlerësimi për opsionet në dispozicion, ndërsa vendimi përfundimtar për repartin ofensiv pritet të merret në muajt në vijim.

  • Dukagjini dominon Ballkanin, Ferizaj fiton në Podujevë, një hap larg finales së Kupës

    Dukagjini dominon Ballkanin, Ferizaj fiton në Podujevë, një hap larg finales së Kupës

    Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës kanë sjellë emocione të mëdha dhe rezultate të rëndësishme në ndeshjet e para, ku Dukagjini dhe Ferizaj kanë hedhur hapa të mëdhenj drejt finales.

    Dukagjini ishte i jashtëzakonshëm në udhëtim, duke mposhtur Ballkanin me rezultat bindës 3-0. Skuadra nga Klina e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaloi në epërsi që në minutën e 8-të me një supergol nga Hekuran Berisha. Para përfundimit të pjesës së parë, mysafirët fituan penallti, të cilën e shndërroi në gol Mërgim Pefqeli për 0-2. Në pjesën e dytë, Ballkani tentoi të reagojë, por pa sukses, ndërsa në fund Meris Maliqi vulosi fitoren me golin për 0-3, duke e afruar shumë Dukagjinin me finalen. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Klinë, ku vendasit kanë një avantazh të madh.

    Në përballjen tjetër, Ferizaj arriti një fitore të vlefshme si mysafir ndaj Llapit me rezultat 2-1 në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Goli i parë erdhi pas një goditjeje nga këndi të Qlirim Avdullit, ku topi u devijua nga mbrojtja vendase dhe përfundoi në rrjetë për 0-1. Në pjesën e dytë, Llapi kërkoi barazimin, por ishte Ferizaj që goditi sërish në minutën e 87-të me Kushtrim Shabanin për 0-2. Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe në kohën shtesë Besar Musolli ngushtoi rezultatin në 1-2, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.

    Pas këtyre rezultateve, Dukagjini dhe Ferizaj janë më pranë finales, por gjithçka pritet të vendoset në ndeshjet kthyese që premtojnë tjetër dramë.

  • 6.5 milionë euro për federatat sportive, Ministri Gashani synon zhvillim dhe rezultate ndërkombëtare

    6.5 milionë euro për federatat sportive, Ministri Gashani synon zhvillim dhe rezultate ndërkombëtare

    Ministri i Sportit dhe Rinisë i Kosovës, Blerim Gashani, njoftoi ndarjen e 6.5 milionë eurove për federatat sportive për vitin 2026, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit në vend.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gashani bëri të ditur se ka nënshkruar Memorandumet e Bashkëpunimit me 39 federata, duke theksuar se kjo mbështetje financiare ka për qëllim ngritjen e cilësisë së aktiviteteve sportive, përmirësimin e performancës së sportistëve dhe arritjen e rezultateve më të larta në arenën ndërkombëtare.

    “Federatat mbeten partnerë kyç në këtë proces. Presim angazhim profesional që ky investim të shndërrohet në suksese konkrete,” shkruan ministri, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit për t’i kthyer fondet në rezultate të prekshme për sportin kosovar.

    Ky hap tregon angazhimin e Qeverisë për të ofruar mbështetje të qëndrueshme dhe strategjike federatave sportive, duke investuar në të ardhmen e sportistëve dhe përfaqësimin e vendit në garat ndërkombëtare.

  • Mungesa e James dhe e Doncic i solli humbje Lakers nga Thunder

    Mungesa e James dhe e Doncic i solli humbje Lakers nga Thunder

    Kampioni në fuqi si dhe lideri i Konferencës së Perëndimit, Oklahoma City Thunder, ka shënuar fitoren e gjashtë radhazi, pasi mposhti kësaj radhe Los Angeles Lakers me rezultat 123-87.

    Sahi Gilgeous-Alexander udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 25 pikë e tetë assitime, derisa Chet Holmgren shtojë 15 sosh.

    Nga ana tjetër u vrejt ndjeshëm mungesa e Lebron James dhe Luka Doncic, të cilët nuk ishin prezent për shkak të lëndimeve.

    Dončić do të jetë jashtë për pjesën e mbetur të sezonit të rregullt për shkak të një dëmtimi të shkallës së dytë në muskujt e kofshës së majtë, ndërsa James nuk luajti për shkak të një problemi në këmbën e majtë.

    Kujtojmë që Lakers renditën në poziten e katërt në Tabelën e Perëndimit, ku kjo ishte humbja e tretë rrësht për ta.

     

    Boston Celtics kan realizuar fitoren e katërt në seri pas triumfit ndaj Charlotte Hornets me rezultat 113-102.

    Jaylen Brown ishte ylli i mbrëmjes, duke shënuar plot 35 pikë e nëntë kërcime, derisa Jayson Tatum shtojë 23 pikë për në fitore.

    Përkunder paraqitjes së mirë të LaMelo Ball me 36 pikë, Hornets nuk arriten ta evdientonin humbjen.

    Kujtojmë që Celtics renditen në poziten e dytë në Konfërencën e Lindjes, derisa Hornets në vendin e nëntë.

     

    Los Angeles Clippers ka shënuar fitoren e dytë rresht pasi mundën Dallas Mavericks me shifrat 116-103.

    Kwahi Leonard shkëlqeu në këtë ndeshje me 34 pikë, derisa Darius Garland shtojë 22 sosh.

    Te skuadra humbëse më efikaset ishin Cooper Flagg me 25 pikë e nëntë kërcime dhe Marvin Bagley III me 21 pikë e nëntë kercime.

    Clippers renditen në poziten e tetë në tabelën e Perëndimit derisa Mavericks në vendin e 13-të.

  • Dramë deri në fund në Superligën e Basketbollit, java e fundit vendos për “Play-off”-in dhe mbijetesën

    Dramë deri në fund në Superligën e Basketbollit, java e fundit vendos për “Play-off”-in dhe mbijetesën

    Mesjava sjell kulmin e dramës në basketbollin kosovar, teksa përfundon faza e rregullt e Superligës dhe gjithçka mbetet e hapur deri në sekondat e fundit. Gara është më e zjarrtë se kurrë, me pozitat vendimtare që do të përcaktohen vetëm pas ndeshjeve të fundit.

    Java e 28-të ofron përballje tejet interesante: Trepça përballet me Sigal Prishtinën, Vëllaznimi ndeshet me Pejën, ndërsa Golden Eagle Ylli sfidon Rahovecin 029 – duele që pritet të vendosin fatin e shumë skuadrave.

    Vëmendja kryesore është te gara për vendin e katërt, ku Peja dhe Ylli luftojnë kokë më kokë për një pozicion më të favorshëm në “Play-off”.

    Ndërkohë, beteja në fund të tabelës është po aq dramatic, Sigal Prishtina ka 37 pikë, vetëm një më shumë se Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi, duke e bërë çdo posedim vendimtar në luftën për mbijetesë.

    Dy vendet e para tashmë kanë siguruar kalimin direkt në gjysmëfinale, ndërsa në çerekfinale do të përballen vendi i tretë me të gjashtin dhe i katërti me të pestin, një formulë që premton emocione të mëdha në fazën eliminatore.

    Të gjitha ndeshjet zhvillohen sot, më 8 prill, nga ora 18:45, në një mbrëmje që pritet të vendosë përfundimisht fatin e sezonit të rregullt.

  • Muslija nuk dorëzohet mes krizës te Fortuna,  fokusi te mbijetesa dhe përgjegjësia në ekip

    Muslija nuk dorëzohet mes krizës te Fortuna, fokusi te mbijetesa dhe përgjegjësia në ekip

    Mes krizës, presionit dhe rrezikut për rënie nga kategoria, një emër vazhdon të qëndrojë i palëkundur: Florent Muslija. Mesfushori 27-vjeçar po përballet me një nga periudhat më sfiduese të karrierës së tij, por refuzon të dorëzohet.

    Javët e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta për të. Me Kombëtaren e Kosovës, ëndrra për kualifikim në Botëror u shua në momentet vendimtare, pas humbjes minimale 1-0 ndaj Turqisë. Në nivel klubi, situata te Fortuna Düsseldorf mbetet po aq e vështirë, me tri humbje radhazi që e kanë futur skuadrën në një betejë të ashpër për mbijetesë në Bundesliga 2.

    Megjithatë, Muslija vazhdon të tregojë karakter. Ai ishte protagonist në fitoren dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë dhe më pas përballoi 90 minuta të plota në sfidën ndaj Turqisë, duke dëshmuar përkushtimin e tij maksimal.

    “Ishte një javë e vështirë, duhet ta pranoj,” shprehet ai, por pa kërkuar justifikime. Përkundrazi, ai e sheh këtë si pjesë të përgjegjësisë që vjen me fanellën e kombëtares dhe menjëherë fokusin e kthen te klubi.

    “E dimë që nuk do të jetë e lehtë. Ndeshjet që na presin janë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë dhe duhet të mbledhim sa më shumë pikë të jetë e mundur,” thekson Muslija, duke paralajmëruar sfidat vendimtare që e presin Fortunën.

    Testi i radhës vjen të premten ndaj Holstein Kiel, një përballje që mund të ketë peshë të madhe në luftën për mbijetesë. Një tjetër hap fals do të rriste presionin, sidomos pas humbjes 3-0 ndaj Kaiserslautern, që ka shtuar pakënaqësitë te tifozët dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Markus Anfang.

    Edhe pse i përballur me lëndime, Muslija nuk zgjedh të ndalet. Ai vazhdon të luftojë për të qenë në fushë dhe për të ndihmuar skuadrën në çdo mënyrë.

    “Tashmë ndihem më mirë. Nuk më pëlqen të qëndroj jashtë për shkak të lëndimeve të lehta. Dua të jap kontributin tim sa herë që është e mundur,” shprehet ai me vendosmëri.

    Mesazhi i tij për ekipin është i qartë dhe i fortë: mbi gjithçka qëndron fryma kolektive. Sipas tij, çdo lojtar duhet të marrë përgjegjësi dhe të japë maksimumin, ndërsa edhe ata që vijnë nga stoli duhet të jenë faktorë vendimtarë, jo të dorëzuar nga frustrimi.

    Në një moment kur gjithçka duket e vështirë, Muslija mbetet simbol i qëndrueshmërisë dhe besimit se edhe situatat më të errëta mund të përmbysen me karakter dhe përkushtim.

  • Spektakël në Champions League, dy superpërballje vendimtare ndezin mbrëmjen evropiane

    Spektakël në Champions League, dy superpërballje vendimtare ndezin mbrëmjen evropiane

    Mbrëmja e kësaj të mërkure premton spektakël të vërtetë futbolli, teksa skena evropiane ndizet me dy përballje të mëdha në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, ndeshje që mund të vulosin fatin e këtij sezoni.

    Pas emocioneve të së martës, ku Bayern Munich triumfoi 2-1 në transfertë ndaj Real Madridit dhe Arsenali siguroi një fitore të rëndësishme 0-1 kundër Sporting Lisbonës, sonte vëmendja zhvendoset te dy duele të tjera elektrizuese.

    Në “Camp Nou”, Barcelona dhe Atletico Madridi përplasen në një klasike të futbollit spanjoll, ku rivaliteti, tensioni dhe intensiteti pritet të shpërthejnë që nga minuta e parë. Katalanasit hyjnë në këtë sfidë me moral të lartë dhe formë mbresëlënëse, por përballë kanë një Atletico tipik të Diego Simeones, të disiplinuar, luftarak dhe gjithmonë të rrezikshëm në momentet vendimtare.

    Ndërkohë, në Paris, “Parc des Princes” bëhet arenë e një tjetër supersfide, ku Paris Saint-Germain pret Liverpoolin në një duel që premton ritëm të lartë, cilësi të jashtëzakonshme dhe yje të futbollit botëror. Francezët synojnë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës, ndërsa anglezët vijnë me mentalitetin e tyre të pathyeshëm në garat evropiane.

    Të dyja përballjet nisin nga ora 21:00, ndërsa aktet vendimtare — ndeshjet e kthimit, do të zhvillohen javën e ardhshme.

  • Tashmë zyrtare, kaq ekipe të Premier Ligës do të jenë në Champions vitin e ardhshëm

    Tashmë zyrtare, kaq ekipe të Premier Ligës do të jenë në Champions vitin e ardhshëm

    Pas fitores minimale të Arsenalit ndaj Sportingut të martën mbrëma, Premier Liga do të ketë pesë vende automatike për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

    Kjo do të thotë se kushdo që përfundon në pesë vendet e para, do të kualifikohet për Ligën e Kampionëve.

    Ky është viti i dytë me radhë që Premier Liga siguron pesë vende, për shkak se liga angleze kryeson në ranglistën e ligave me performancën më të mirë në Evropë.

    Aktualisht, Liverpooli është në pozitën e pestë, mirëpo ekipi i Arne Slot është vetëm një pikë përpara Chelseat në pozitën e gjashtë.

    Sidoqoftë, mund të ketë edhe përfaqësues të tjerë të Anglisë në Ligën e Kampionëve.

    Nëse Aston Villa, që gjendet në pozitën e katërt, siguron Evropa Ligën dhe përfundon jashtë top-katërshes, atëherë Anglia do të ketë gjashtë ekipe në garën evropiane.

    I njëjti skenar aplikohet për Liverpoolin në Ligën e Kampionëve.

    Gjithashtu Nottingham Forest mund të luajë në Ligën e Kampionëve nëse fiton Evropa Ligën.

  • Sot zhvillohen dy gjysmëfinalet e para të Kupës së Kosovës

    Sot zhvillohen dy gjysmëfinalet e para të Kupës së Kosovës

    Sot luhen dy gjysmëfinalet e para të Kupës së Kosovës në futboll ku do të jenë përball njëra-tjetrës skuadra që synojnë këtë trofe.

    Ballkani e pret sot në Suharekë, Dukagjinin, me fillim nga ora 15:00 ku kërkon të bëjë një hap të rëndësishëm drejt finales.

    Dueli tjetër do të jetë ai ndërmjet Llapit dhe Ferizajt, sfidë e cila zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

    Ndeshjet kthyese zhvillohen pas dy javës.

  • Amir Saipi drejt largimit nga Lugano, Bodø/Glimt shfaq interes konkret

    Amir Saipi drejt largimit nga Lugano, Bodø/Glimt shfaq interes konkret

    Portieri i Kombëtarja e Kosovës, Amir Saipi, duket se është pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij, pasi pritet të largohet nga FC Lugano pas pesë vitesh të rëndësishme në futbollin zviceran.

    Sipas raportimeve nga Blick, për shërbimet e gardianit kosovar ka shfaqur interes konkret Bodø/Glimt, kampioni i njohur i Norvegjisë, i cili po vazhdon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sfidat evropiane.

    Gjatë qëndrimit te Lugano, Saipi është shndërruar në një nga pikat më të forta të ekipit, duke treguar siguri dhe qëndrueshmëri në portë. Performancat e tij të mira i kanë siguruar gjithashtu një vend të rëndësishëm në përfaqësuesen e Kosovës.

    Kalimi i mundshëm te Bodø/Glimt do të ishte një hap i rëndësishëm për të, duke i hapur rrugën për të provuar veten në një ambient të ri dhe për t’u ekspozuar edhe më shumë në arenën ndërkombëtare me një klub ambicioz.