ATV

Category: Lajme

  • Këshilli Prokurorial thërret takim të jashtëzakonshëm për nesër, pritet zgjedhja e kryesuesit dhe zëvendëkryesuesit

    Këshilli Prokurorial thërret takim të jashtëzakonshëm për nesër, pritet zgjedhja e kryesuesit dhe zëvendëkryesuesit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka thirrur takim të jashtëzakonshëm për nesër (e premte).

    Në rend dite në mbledhjen e nesërme të Këshillit Prokurorial, janë katër pika.

    Ndër të tjera bëhet e ditur se nesër pritet zgjedhja e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial.

    Mbledhja pritet të nisë në ora 09:30.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i rendit të ditës;
    2. Zgjedhja e Kryesuesit dhe Zëvendës Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
    3. Trajtimi i ankesës së pranuar me datë 4 mars 2026;
    4. Të ndryshme.

  • Nis seanca për imunitetin e Ballukut, opozita me pankarta në sallë – jashtë protestë

    Nis seanca për imunitetin e Ballukut, opozita me pankarta në sallë – jashtë protestë

    Ka nisur seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ku do të votohet për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, kërkesë që mazhoranca pritet që ta rrëzojë.

    Deputetët e PD në sallë kanë shkuar me pankarta, ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit po mbahet protestë e thirrur nga opozita, raporton Tch.

    Në sallë deri në këto momente nuk ndodhet Belinda Balluku, e cila po ashtu nuk ka paraqitur kërkesë për të mbajtur fjalë.

  • Ambasada e Kosovës në Zagreb: Fluturimi Riad–Prishtinë mundësoi riatdhesimin e shtetasve të Bosnjës

    Ambasada e Kosovës në Zagreb: Fluturimi Riad–Prishtinë mundësoi riatdhesimin e shtetasve të Bosnjës

    Ambasada e Kosovës në Kroaci ka bërë të ditur se pas një kërkese të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës u bë i mundshëm fluturimi i mbrëmshëm Riad-Prishtinë për riatdhesimi e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës nga Arabia Saudite.

    Ambasada, mes tjerash, bën të ditur se kërkesa ishte drejtuar përmes kanaleve diplomatike, ndërsa operacioni u organizua dhe u realizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me institucione të tjera të vendit.

    “Republika e Kosovës edhe një herë dëshmoi se bashkëpunimi ndërmjet shteteve në rajon është thelbësor në tejkalimin e vështirësive që mund të kenë qytetarët e vendeve në rajonin tonë. Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb, falënderon institucionet e përfshira dhe të gjithë ata që kontribuan, për përgjigjen e shpejtë dhe efikasitetin e treguar”, thuhet në njoftim.

  • Tahiri: Kosova gjendet në situatën më të rëndë që nga pavarësia

    Tahiri: Kosova gjendet në situatën më të rëndë që nga pavarësia

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka deklaruar se Kosova është në situatën më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë.

    Tahiri ka renditur një varg çështjesh të cilat sipas tij e kanë çuar vendin buzë kolapsit dhe për këtë thotë se faji është te Qeveria e Kosovës, të cilën e ka quajtur jofunksionale.

    “Për AAK-në vendi ynë, Republika e Kosovës është në situatën më të rëndë në post pavarësi. Kosova sot është në bllokadë ndërsa qeveria është jonfunksionale, shteti është jonfunksional. Ekonomia është buzë kolapsit. Çmimet e konsumit për qytetarë dhe për familjet kanë ardhur në atë stad që janë të papërballueshme për jetesë”, ka thënë Tahiri.

  • Presidenti i Iranit publikon kushtet për t’i dhënë fund luftës

    Presidenti i Iranit publikon kushtet për t’i dhënë fund luftës

    Presidenti iranian, Masoud Pesekian, përcaktoi mbrëmë kushtet për një përfundim të mundshëm të luftës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë “garanci të forta ndërkombëtare” që do të siguronin një ndërprerje të përhershme të të gjitha sulmeve.

    “Në një bisedë me udhëheqësit e Rusisë dhe Pakistanit, riafirmova angazhimin e Iranit për paqen në rajon. E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte, e cila u nis nga regjimi sionist dhe Shtetet e Bashkuara, është të njihen të drejtat legjitime të Iranit, të paguhen dëmshpërblimet dhe të ofrohen garanci të forta ndërkombëtare kundër agresionit të ardhshëm”, njoftoi presidenti iranian në X.

    Ai nuk specifikoi se për cilat të drejta po i referohej. Vëzhguesit e politikës së brendshme iraniane thonë se Pezeshkian mund të ketë pasur parasysh emërimin e një udhëheqësi të ri suprem dhe nevojën për njohje ndërkombëtare.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha më parë këtë javë se nuk ishte “i kënaqur” me emërimin e Mojtaba Khameneit si udhëheqësi i ri fetar dhe kreu i shtetit të Iranit, duke thënë se djali i të vrarit Ali Khamenei duhet të presë vështirësi të konsiderueshme.

    “Nuk besoj se ai mund të jetojë në paqe,” tha Trump.

  • Jahjaga, gruaja e vetme nga rajoni që po merr pjesë në Komisionin e OKB-së për statusin e grave

    Jahjaga, gruaja e vetme nga rajoni që po merr pjesë në Komisionin e OKB-së për statusin e grave

    Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po merr pjesë në ngjarjet e OKB-së, në Komisionin për statusin e grave, në Nju-Jork.

    Në këtë ngjarje, Jahjaga po merr pjesë me ftesë të OKB-së dhe si anëtarja e vetme nga rajoni e Rrjetit të Grave Lidere të Kombeve të Bashkuara, transmeton IndeksOnline.

    Përgjatë këtij organizimi, Jahjaga ishte pjesë e paneleve diskutuese mbi rolin e grave në pozita të larta udhëheqëse.

    “Në fjalën time theksova se kur gratë janë në pozita vendimmarrëse, ato mund të nxisin politika më gjithëpërfshirëse, institucione më të ndjeshme ndaj nevojave të shoqërisë dhe procese më të drejta.

    Duke reflektuar edhe mbi përvojën time shumëvjeçare në avokimin për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rikujtova rëndësinë e dëgjimit dhe besimit të të mbijetuarve, krijimit të hapësirave të sigurta ku mund të flasim e kërkojnë drejtësi, si dhe forcimin e mekanizmave institucional”, shkroi Jahjaga, në njoftimin e saj.

  • Vidhen trafo dhe kabllot elektrike në Fushë Kosovë, hajnat në arrati

    Vidhen trafo dhe kabllot elektrike në Fushë Kosovë, hajnat në arrati

    Disa persona, ende të paidentifikuar, raportohet se kanë vjedhur një trafo elektrike, kabllo elektrike dhe gypa inox në Fushë Kosovë.

    Përmes raportit zyrtar, policia ka bërë të ditur se vlera e dëmit është e konsiderueshme.

    “Fushë Kosovë / 10.03.2026 – NN. Është raportuar se persona të panjohur kanë vjedhur një trafo elektrike, kabllo elektrike dhe gypa inox, me një vlerë të konsiderueshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Si ndihmoi inteligjenca artificiale ushtrinë amerikane për të goditur 5500 objektiva në Iran?

    Si ndihmoi inteligjenca artificiale ushtrinë amerikane për të goditur 5500 objektiva në Iran?

    Admirali Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), deklaroi se si rezultat i sulmeve amerikan , përfshirë një goditje ndaj një “objekti të madh për prodhimin e raketave balistike”, sulmet balistike dhe me dron të Iranit janë ulur ndjeshëm.

    Ai tha se ndër objektivat e goditur kanë qenë edhe më shumë se 60 anije. Deklarata u bë në një video të publikuar të mërkurën në rrjetet sociale.

    Cooper konfirmoi gjithashtu se ushtria po përdor “mjete të avancuara të inteligjencës artificiale” për të analizuar sasi shumë të mëdha të dhënash brenda pak sekondash.

    Sipas tij, këto mjete po u mundësojnë drejtuesve ushtarakë të marrin vendime më të zgjuara dhe më të shpejta, por ai theksoi se vendimet përfundimtare për atë se çfarë të goditet, çfarë jo dhe kur të goditet do të merren gjithmonë nga njerëzit.

  • Kryesia e GUXO në Deçan largohet nga subjekti pas moskandidimit të Osmanit për presidente

    Kryesia e GUXO në Deçan largohet nga subjekti pas moskandidimit të Osmanit për presidente

    Kryesia dhe kryetarja e degës së GUXO në Deçan kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt.

    Lajmin e ka bërë të ditur Rabije Haklaj, kryetare e degës së Guxo në Deçan.

    Ajo ka thënë se refuzimi ndaj presidentes Osmani për kandidate sërish, është arsyeja kryesore.

    “Me vullnet të palëkundur e me përkushtim dhe me kontribut të madh si degë e Partisë Guxo në Deçan punuam me sinqeritet dhe ndershmëri për arritjen e fitoreve tona të përbashkëta si koalicion, por edhe për bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka shkruar kryetarja e kësaj dege.

  • Policia në Gjilan organizon aktivitet sensibilizues për sigurinë e fëmijëve në trafik

    Policia në Gjilan organizon aktivitet sensibilizues për sigurinë e fëmijëve në trafik

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Gjilan, ka zhvilluar një aktivitet edukativ me fëmijët e kopshtit Kopshti Fjolla me qëllim rritjen e vetëdijes për sigurinë në trafikun rrugor.

    Sipas njoftimit të policisë, ligjërata me temën “Siguria në komunikacion” është organizuar nga Njësiti Sektorial dhe në Komunitet i Stacionit Policor në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë në rrugë.

    Gjatë pjesës teorike të aktivitetit, fëmijët janë njoftuar me rregullat bazë të trafikut rrugor dhe rëndësinë e respektimit të tyre për sigurinë personale dhe të të tjerëve.

    Pas ligjëratës, aktiviteti ka vazhduar edhe në terren, ku fëmijët së bashku me edukatoret dhe zyrtarët policorë kanë zhvilluar ushtrime praktike në rrugë.

    “Nën shoqërimin e edukatoreve të kopshtit dhe zyrtarëve policorë, fëmijët janë njoftuar nga afër me vendkalimin për këmbësorë, shenjat e komunikacionit, mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës dhe rëndësinë e sjelljes së sigurt gjatë qëndrimit në automjet”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Sipas Policia e Kosovës, qëllimi i këtij aktiviteti është edukimi dhe vetëdijesimi i fëmijëve që në moshë të hershme për rregullat e trafikut, me synim rritjen e sigurisë së tyre në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.