ATV

Category: Lajme

  • OKB thotë se deri në 3.2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Iranit për shkak të konfliktit

    OKB thotë se deri në 3.2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Iranit për shkak të konfliktit

    Agjencia e OKB-së për refugjatët tha të enjten se deri në 3.2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Iranit që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.

    “Kjo shifër ka të ngjarë të vazhdojë të rritet ndërsa armiqësitë vazhdojnë, duke shënuar një përshkallëzim shqetësues të nevojave humanitare”, tha UNHCR në një deklaratë, duke cituar vlerësime paraprake bazuar në numrin e familjeve të zhvendosura.

  • Rama: Nëse rrezikohet Kosova atëherë rrezikohet edhe Shqipëria, makthi i Vuçiqit është shteti kosovar

    Rama: Nëse rrezikohet Kosova atëherë rrezikohet edhe Shqipëria, makthi i Vuçiqit është shteti kosovar

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka folur për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se nëse kjo e fundit është nën kërcënim atëherë edhe shteti shqiptar është nën kërcënim.

    Në intervistën e tij për Türkiye Today, Rama kujtoi se Kosova tashmë është republikë, proces i cili, theksoi ai, është i pakthyeshëm.

    “Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse preket Kosova, preket Shqipëria. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial,” deklaroi Rama.

    Megjithatë, duke folur për dialogun e bllokuar të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana natyrisht ndryshon nga ajo e kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqjes në Prishtinë.

    “Unë jam në Tiranë, jo në Prishtinë. Kam qenë dëshmitar i luftës së përgjakshme që shpërbëri ish-Jugosllavinë dhe që solli në Kosovë furinë e makinerisë nacional-socialiste të vdekjes dhe shkatërrimit. Kujtimet e atij momenti, plagët dhe makthet janë ende shumë të pranishme atje dhe jo aq shumë këtu. Ky është dallimi që gjithmonë duhet ta kem parasysh kur i shoh gjërat ndryshe nga këtu,” shtoi kryeministri shqiptar.

    Kryeministri shqiptar nuk i kurseu fjalët për akuzat e fundit të Vucicit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po formonin një “aleancë ushtarake” që synon të rrezikojë Serbinë. Rama i karakterizoi këto pretendime si frikë që buron nga paaftësia e Serbisë për ta pranuar realitetin.

    “Presidenti Vucic është një njeri me njohuri të mëdha, me intuitë të fortë, që sheh shumë gjëra përpara, por ai ka makthin e tij: është Kosova. Kaq. Pikë,” tha Rama.

    “Kur makthi pushton emocionet e tij, ai arrin të thotë edhe gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim,” shtoi ai.

    Duke folur për “aleancën” e supozuar, Rama e hodhi poshtë pretendimin: “Ky është një tjetër britmë në makth… Merreni me mend, Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë sesa kjo.”

    Këshilla e tij për Beogradin ishte e drejtpërdrejtë: “Prandaj unë gjithmonë them: prite litarin, lëre të shkojë. Duke e lënë të shkojë, makthi do të marrë fund… Të mos e lësh diçka që tashmë ka ikur, bëhet makth.”

    Megjatë, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Beogradin, Rama tha se presidenti serb Vucic mbetet një lider “me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet së bashku”.

    “Mendoj se është dikush me të cilin mund të flitet dhe të ndërtohet mbi bazën e objektivave të përbashkëta,” tha ai për Vucicin.

    Rama ka folur edhe për marrëdhënien e tij personale me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

    “Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Erdogan, të cilin e konsideroj një person të lehtë për t’u marrë vesh,” tha ai.

    “Ai është shumë i drejtpërdrejtë; po është po, jo është jo,” shtoi Rama.

    Biseda preku gjithashtu rendin global në ndryshim, 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe përpjekjen rekord të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

    “Nuk mjafton”: Mesazh i drejtpërdrejtë për Ankaranë

    Ndërsa Rama personalisht e vlerësoi presidentin Erdogan si një “mik të madh” dhe lider “të drejtpërdrejtë”, ai theksoi se Turqia duhet të bëjë më shumë për të forcuar partneritetin rajonal. Kur u pyet për shtyllat strukturore të partneritetit Turqi-Shqipëri dhe nëse tregtia po avanconte, Rama ishte i qartë.

    Në një koment që synonte të ilustronte hendekun mes marrëdhënieve politike dhe atyre ekonomike, Rama bëri një krahasim me klubet më të mëdha të futbollit të Turqisë.

    “Nuk kam bërë llogaritjen e vlerës së Galatasaray dhe Fenerbahçe, por kam frikë se, të marra së bashku, vlera e tyre është më e madhe se vlera e tregtisë mes Turqisë dhe Shqipërisë, dhe kjo nuk mjafton,” tha Rama.

    “Duhet të paktën të tejkalojmë ligën turke,” shtoi ai.

    Ai shtoi se aktualisht nuk ekziston një projekt ekonomik kryesor që ta mbështesë marrëdhënien dypalëshe.

    “Produkti më i madh, pa diskutim, që Turqia ka eksportuar në rajon është presidenti Erdogan dhe popullariteti i tij,” tha Rama. “Nuk e di nëse i pëlqen ajo që po them, por them se nuk mjafton. Duhet të ketë diçka përtej tij.”

    “Do të doja që Turqia të bënte më shumë,” tha Rama, duke reflektuar mbi praninë e Ankarasë në rajon.

    “Ka shumë paragjykime, stereotipe dhe marrëzi për përfshirjen e Turqisë në rajon, por për mua nuk mjafton. Është shumë larg të qenit e mjaftueshme.”

    “Çfarë neo-osmanizmi?”

    Duke iu përgjigjur akuzave të shpeshta nga vendet fqinje për ambicie “neo-osmane” të Turqisë, Rama reagoi me ironi, duke përmendur një projekt të vonuar restaurimi të një xhamie të vogël të dëmtuar nga përmbytjet në Shqipëri nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

    “Kemi një nga xhamitë më të bukura të ndërtuara në këtë rajon, një gjë të vogël, dhe prej, nuk e di, tre vitesh tani presim që TIKA të bëjë punën e saj për ta riparuar,” tha ai.

    “Pra, nëse do të ishin vërtet neo-osmanë, të paktën ajo xhami do të ishte ngritur dhe do të shkëlqente pas përmbytjes së madhe që shkaktoi kaq shumë dëme,” shtoi Rama.

    Rama vuri në dukje gjithashtu ironinë që Serbia bën këto akuza, duke theksuar realitetin se ku rrjedh në të vërtetë kapitali turk në rajon.

    “Çfarë neo-osmanizmi?” pyeti Rama. “Jam i sigurt se, duke qenë një person i fiksuar pas numrave dhe shifrave, presidenti i Serbisë mund ta shohë shumë mirë që Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku.”

    Tetorin e kaluar, presidenti serb Aleksandar Vucic akuzoi Turqinë se “po ëndërron për Perandorinë Osmane” pas dorëzimit të dronëve Skydagger në Prishtinë. Më vonë ai akuzoi gjithashtu Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara se po armatosin shqiptarët në Kosovë, duke e paraqitur këtë si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe integritetin e saj territorial”.

    Raporti i UNFPA: Mbi 39% e grave në Kosovë të pakënaqura me përvojën e lindjes
    Read more

  • Raporti i UNFPA: Mbi 39% e grave në Kosovë të pakënaqura me përvojën e lindjes

    Raporti i UNFPA: Mbi 39% e grave në Kosovë të pakënaqura me përvojën e lindjes

    Keqtrajtimi gjatë lindjes, mungesa e informacionit dhe vonesa në kujdesin shëndetësor janë disa nga problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit më të ri të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, UNFPA.

    Kjo situatë, sipas komunikatës së Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, pasqyron trendet e gjetura në të gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

    Sipas komunikatës raporti thekson dallime të rëndësishme rajonale dhe konstaton se gratë nga Ballkani Perëndimor raportuan disa nga nivelet më të larta të pakënaqësisë me përvojën e tyre të lindjes.

    Sipas raportit nga gratë e anketuara, 42.7 për qind në Shqipëri dhe 39.2 për qind në Kosovë deklaruan se ishin të pakënaqura me përvojën e tyre të lindjes. Kjo thuhet se është ndër përqindjet më të larta të regjistruara në mesin e vendeve të përfshira në studim.

    Raporti me titull “Kujdesi Respektues gjatë Lindjes: Përvojat dhe Perspektivat e Grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, thuhet se nxjerr në pah një krizë të përhapur, por shpesh të padukshme, të dhunës obstetrike që shkel të drejtat themelore të njeriut dhe dinjitetin e grave.

    Sipas raportit, gjetjet e të cilit bazohen në një anketë online me më shumë se 2,600 gra që kanë lindur së fundmi, e realizuar në 16 vende dhe territore të rajonit, gati 70 për qind e grave të anketuara në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore thonë se kanë përjetuar një formë keqtrajtimi gjatë lindjes.

    “Anketa përfshiu gjithashtu të anketuara nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku përvojat e grave tregojnë se ende ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme në sigurimin e kujdesit respektues gjatë lindjes” thuhet në komunikatë.

    Sipas anketës, dy në tre gra raportuan se kanë përjetuar të paktën një formë keqtrajtimi gjatë procesit të lindjes. “Këto përfshijnë procedura mjekësore pa pëlqim të informuar, abuzim verbal dhe fizik, si dhe shkelje serioze të privatësisë”, thuhet në komunikatë.

    “Këto gjetje janë një sinjal i fortë alarmi. Çdo grua ka të drejtë për standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit, i cili duhet të përfshijë kujdes dinjitoz dhe respektues gjatë lindjes”, citohet të ketë thënë Florence Bauer, drejtoreshë rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

    Sipas saj dhuna obstetrike nuk është vetëm një çështje klinike, por është shkelje e të drejtave të njeriut që i bën gratë të ndihen të pafuqishme dhe të lënduara, me pasoja afatgjata për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

    Ndër gjetjet kryesore të raportit është keqtrajtim i përhapur. Sipas raportit 67 për qind e grave të anketuara përjetuan të paktën një formë keqtrajtimi gjatë lindjes.

    Tjetër gjetje është “procedura pa pëlqim”. Sipas raportit pothuajse gjysma (48.1 për qind) e grave iu nënshtruan procedurave obstetrike – si epiziotomia, prerja cezariane apo administrimi i oksitocinës – pa pëlqimin e tyre të informuar.

    Raporti ka konstatuar gjithashtu se abuzimi është i zakonshëm. Sipas gjetjeve rreth 24 për qind e grave të anketuara raportuan se kanë përjetuar abuzim verbal, përfshirë bërtitje dhe poshtërim, ndërsa 1 në 10 gra raportuan abuzim fizik ose seksual gjatë lindjes ose gjatë ekzaminimeve gjinekologjike.

    Një tjetër gjetje e raportit është se ka vetëdije dhe raportim të ulët. Sipas raportit më shumë se gjysma (53.7 për qind) e grave të anketuara nuk ishin të njohura me termin “dhunë obstetrike”, dhe vetëm 2 për qind e atyre që përjetuan keqtrajtim e raportuan zyrtarisht përvojën e tyre, siç thuhet shpesh për shkak të mungesës së besimit në mekanizmat e llogaridhënies ose frikës nga pasojat.

    Gjithashtu është konstatuar se ka pabarazi në cenueshmëri. Sipas raportit gratë më të reja 18–24 vjeç, dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike ose me nivel më të ulët arsimor kishin dukshëm më shumë gjasa të raportojnë përjetime të keqtrajtimit.

    Në kuadër të publikimit të raportit, UNFPA dhe Bordi dhe Kolegji Evropian i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (EBCOG) kanë publikuar edhe një Thirrje të përbashkët për veprim, duke u bërë thirrje institucioneve dhe komunitetit mjekësor në të gjithë rajonin të ndërmarrin hapa konkretë për eliminimin e dhunës obstetrike.

    “Thirrja për Veprim përfshin disa masa kyçe: Miratimin e legjislacionit, forcimin e trajnimit profesional, fuqizimin e grave dhe familjeve, sigurimin e llogaridhënies dhe angazhimin e shoqërisë për këtë çështje.

  • Çfarë pajisjesh po përdorin forcat amerikane dhe izraelite për sulmet në Iran?

    Çfarë pajisjesh po përdorin forcat amerikane dhe izraelite për sulmet në Iran?

    Ushtria e SHBA-së dhe ajo e Izraelit kanë publikuar dhjetëra video që tregojnë sulme ndaj pajisjeve dhe objekteve iraniane gjatë kësaj lufte.

    Shumë nga armët e përdorura përfshijnë GBU-31 JDAM, bomba depërtuese, të njohura më shumë si “shkatërruese bunkerësh”.

    Shpesh këto bomba drejtohen me anë të satelitit, por të mërkurën në mbrëmje u pa edhe se ushtria amerikane përdor shënjestrim me lazer për të vendosur bombat saktësisht mbi objektiv.

    Këtë mëngjes, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara publikoi një video të sulmeve ndaj avionëve iranianë në një bazë ajrore.

    Në video shihet qartë lazeri që godet pjesën e sipërme të objektivave. Lazerin e lëshon një pajisje e vendosur në avionin sulmues dhe ai drejtohet drejt objektivit nga piloti.

  • Seanca në GJKKO ndaj Metës dhe Kryemadhit, ish-presidenti: S’kam bërë jetë luksi

    Seanca në GJKKO ndaj Metës dhe Kryemadhit, ish-presidenti: S’kam bërë jetë luksi

    Në seancën paraprake ndaj Ilir Metës dhe katër të tjerëve, ish-presidenti nën akuzë nga SPAK, ka folur për shpenzimet e tij duke këmbëngulur se nuk ka fshehur pasuri.

    Top Channel raporton se Meta ka deklaruar se “kam bërë jetë thjeshtë dhe jo jetë luksi, nuk kam pirë verën as 33 mijë euro dhe as kam lëvizur me Çarter”.

    Seanca paraprake vazhdon ndërsa më herët para mediave ish-deputetja Monika Kryemadhi u shpreh se sot ka zhvillime.

  • Autorizohet pagesa e subvencioneve të mbetura bujqësore për vitin 2025

    Autorizohet pagesa e subvencioneve të mbetura bujqësore për vitin 2025

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka nënshkruar vendimin për autorizimin e pagesës së detyrimeve të mbetura nga Programi i Pagesave Direkte për vitin 2025.

    Me këtë vendim, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) obligohet të procedojë menjëherë me ekzekutimin e pagesave për të gjithë përfituesit e verifikuar të subvencioneve bujqësore sipas listave përfundimtare të miratuara në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2025.

    “Pagesat do të realizohen nga buxheti i miratuar i Republikës së Kosovës, në përputhje me alokimet buxhetore për sektorin e bujqësisë dhe procedurat e zbatueshme të Thesarit të Republikës së Kosovës. Me hyrjen në fuqi të buxhetit dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme financiare dhe procedurale, është krijuar mundësia për procedimin e pagesave të mbetura për përfituesit e programit. Departamenti për Buxhet dhe Financa në AZHB, në bashkëpunim me Thesarin e Republikës së Kosovës, është obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e pagesave në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e financave publike. Sipas vendimit, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë duhet të raportojë tek Ministri brenda pesë (5) ditëve për progresin e realizimit të pagesave”, thuhet në njoftimin për media.

  • AUV tërheq nga tregu Aptamil 1 dhe Aptamil 2

    AUV tërheq nga tregu Aptamil 1 dhe Aptamil 2

    Tërheqje parandaluese nga tregu e produkteve APTAMIL 1 (830 g) dhe APTAMIL 2 (830 g)

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se, përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), është pranuar një njoftim me nr. 2026.1018 kategorisë “Alert notification” lidhur me praninë e toksinës cereulide në formulë (qumësht) për foshnje të prodhuar nga kompania Nutricia Cuijk B.V., Holandë.

    Njoftimi, siç ka bërë të ditur AUV, është shpërndarë nga autoritetet kompetente të Bashkimit Evropian përmes sistemit RASFF për të gjitha vendet në të cilat produkti është distribuuar, përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente në Bashkimin Evropian, është konstatuar se disa lote të formulës për foshnje të markës APTAMIL tejkalojnë kufijtë e lejuar të toksinës cereulide për këtë kategori ushqimore.

    Për këtë arsye është ndërmarrë masa e tërheqjes parandaluese nga tregu për produktet përkatëse.

    “Në kuadër të kontrollit zyrtar të importit dhe verifikimit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka identifikuar se në tregun e Republikës së Kosovës janë importuar sasi shumë të kufizuara të produkteve të përfshira në këtë njoftim. Produktet janë importuar më datë 19.01.2026 nga një operator ekonomik i autorizuar dhe janë evidentuar përmes dokumentacionit përkatës dhe kontrolleve zyrtare në pikën kufitare”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

    Produktet e identifikuara janë si në vijim:

    APTAMIL 1 – 830 g

    Lot: 111488577 – Data e skadimit: 01.09.2026

    Lot: 111516238 – Data e skadimit: 17.11.2026

    Sasia e identifikuar: rreth 5 paketime (3.94 kg bruto)

    APTAMIL 2 – 830 g

    Lot: 111463178 – Data e skadimit: 04.07.2026

    Lot: 111475576 – Data e skadimit: 30.07.2026

    Sasia e identifikuar: rreth 9–10 paketime (7.89 kg bruto)

    “Menjëherë pas pranimit të njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka ndërmarrë kontrolle zyrtare në terren. Inspektimi është realizuar më datë 09.03.2026, me ç’rast është urdhëruar tërheqja nga tregu e produkteve në fjalë. Nga kontrollet e kryera nga inspektorët është konstatuar se produktet nuk ndodhen në shitje në treg, por janë të bllokuara në depo. Produktet aktualisht janë në procedurë të asgjësimit, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore.

    “Bazuar në verifikimet e kryera deri më tani, nuk është konstatuar që këto produkte të kenë qenë në qarkullim në treg apo të jenë shitur tek konsumatorët. Si rezultat, rreziku për konsumatorët në Republikën e Kosovës konsiderohet shumë i ulët, ndërkohë që autoritetet kompetente vazhdojnë monitorimin e situatës në përputhje me procedurat e sigurisë ushqimore. Deri më tani nuk është pranuar asnjë raportim apo ankesë nga konsumatorët lidhur me këtë produkt.

    “Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbeten të përkushtuara në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

  • Pamje nga sulmi amerikan ndaj aeroplanëve ushtarakë të Iranit

    Pamje nga sulmi amerikan ndaj aeroplanëve ushtarakë të Iranit

    Videoja e publikuar së fundmi nga Komanda Qendrore e SHBA-së tregon sulmet amerikane ndaj tre aeroplanëve ushtarakë iranianë në një aeroport në Kerman, Iranin juglindor.

    Në pamjet filmike, çdo aeroplan goditet të paktën një herë përpara se videoja të zvogëlohet për të treguar të tre duke u djegur.

    Në një postim në X, CENTCOM deklaroi: “Regjimi iranian po humbet kapacitetin ajror dita-ditës. Forcat amerikane nuk po mbrohen vetëm kundër kërcënimeve iraniane, por po i çmontojnë ato në mënyrë metodike”.

    Ndryshe, lufta e vazhdueshme e Iranit ka parë shumë armë të reja të vendosura, nga aeroplanë luftarakë të teknologjisë së fundit deri te dronët me kosto të ulët.

    Një nga armët më të fundit që debutoi në fushën e betejës është raketa PrSM, e cila sapo pa veprimin e saj të parë kur SHBA-të e vendosën atë për të goditur objektivat ushtarake iraniane.

    Shefi i Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), admirali Brad Cooper, tha pas debutimit të saj se PrSM i ofron ushtrisë amerikane “një aftësi të pakrahasueshme goditjeje të thellë”.

    PrSM është një sistem armësh tokë-sipërfaqe i aftë të godasë objektiva nga 60 deri në 500 kilometra larg, shumë përtej rrezes së çdo artilerie ose sistemi konvencional raketor.

  • Rashit Qalaj: PDK do të shkojë e vetme në zgjedhje

    Rashit Qalaj: PDK do të shkojë e vetme në zgjedhje

    Rashit Qalaj nga PDK-ja, deklaroi se vendi detyrimisht do të shkojë në zgjedhje.

    “Jemi të bindur që do të shkojmë në zgjedhje dhe përgatitjet do të fillojnë”, tha Qalaj.

    Lidhur me një bashkim të mundshëm të opozitës, Qalaj tha se nuk ka ndonjë vendim për këtë. “Dëshirat janë një gjë, realiteti është diçka tjetër. PDK do të shkojë vet në zgjedhje”, shtoi ai.

    Për deklaratat e VV-së se ende ka hapësirë për procesin e votimit të presidentit, Qalaj tha se: “Ajo është dëshira e VV-së.”

    Qalaj gjithashtu tha se, PDK do ta repskoj cdo vendim të Gjykatës./RTV21

  • AAK në mbrojtje të dekretit të Osmanit, kërkon nga LVV-ja mos t’i bëjë presion Kushtetueses

    AAK në mbrojtje të dekretit të Osmanit, kërkon nga LVV-ja mos t’i bëjë presion Kushtetueses

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit të zgjedhjes së presidentit është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tyre, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ndalë sulmet dhe presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese. Nga partia e Ramush Haradinajt kërkojnë që e gjithë opozita të bashkohet pa shikuar ideologjinë politike djathtas apo majtas por të ndërtojnë një platformë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të enjten tha se i kanë dërguar komentet e tyre në Kushtetuese në mbrojtje të dekretit të presidentes Vjosa Osmani.

    Ai kritikoi eksponentë të LVV-së që sipas tij po bëjnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, një ditë pasi deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, kërkoi nga ambasadorët që mos t’u shkojnë në takim institucionit më të lartë juridik në vend.

    “Për ne është bërë krejt e qartë, e thjeshtë, në qoftë se ka drejtësi dhe trajtohet aspekti meritor, atëherë neni 86, pika 2, është i qartë, i qartë sikur loti, i pastër si loti. Thotë, 30 ditë para se t’i përfundojë presidentes afati i saj në zyrë, duhet të ketë zgjedhje. Çfarëdo trajtimi tjetër është rrethanor. Një çështje tjetër shumë problematike për ne lidhet drejtpërdrejt me mendësinë e Lëvizjes Vetëvendosje për të sulmuar institucionet e pavarura. Qysh mund të dalë një përfaqësues i popullit, një parti që ka 50% dhe ta sulmojë institucionin e pavarur, Gjykatën Kushtetuese, të tentojë të ndikojë politikisht, duke shkuar aq lart duke thënë se disa ambasadorë po duan me e shkatërruar Gjykatën Kushtetuese. Jo bre burrë, ata që e kanë ndërtuar e ata që e kanë ndihmuar nuk e shkatërrojnë. E shkatërroni ju që doni të keni ndikim politik”, tha ai.

    Tahiri e ka konsideruar të nevojshëm bashkimin opozitar në zgjedhjet e mundshme parlamentare.

    “Ajo që kisha thënë për një bashkim të opozitës në fillim, është si bukur shumë, është vonuar opozita për të qenë e bashkuar në platformat e veta politike. Dhe unë mendoj që çfarëdo bashkimi që duhet të ndodhë karshi këtij pushteti, duhet mos të ketë vetëm profil politik, e djathtë e majtë, po duhet të ketë vizion shtetëror, se si me i dalë në një situate, një katrahure e cila ka kapluar këtë shtet. Diskutimi për garën zgjedhore është tjetër. Ne as atëherë nuk kemi qenë kundër, as tash nuk jemi kundër. Ne mendojmë që para petkut tonë partiak, para petkut tonë ideologjik, është ky shtet, është ky institucion. Unë mendoj përderisa nuk ka këtij mendimi, opozita është e dobët. Opozita nuk duhet me u frikësu me u bashku krejt. Me u bashku me një platformë, jo me një ideologji politike, po me një platformë çka don t’i prodhojë këtij shteti në katër vjet të ardhshme. A kuptoni që derisa po flasim, bllokada e shtetit është ka prodhon varfëri të skajshme, pasiguri serioze dhe mbi të gjitha, rrezikim të shtetit të Kosovës. Andaj, ne jemi vonë me këtë. Diskutimi duhet me shku përtej profilit djatht-majt”, shtoi Tahiri.

    Shefi i deputetëve të AAK-së akuzoi LVV-në që e ka sjellë Kosovën buzë kolapsit, pasi sipas tij e njëjta nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional.“Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, vendi, shteti ynë, Republika e Kosovës, është në situatën më të rëndë në post-pavarësi, në një ndër krizat më të thella, me shumë të panjohura, duke e sjellë shtetin në një rrethanë ku për mbi një vit, tani kemi hyrë në vitin e dytë, vazhdon një eksperimentim i betejave në letër ligjore dhe kushtetuese dhe mosfunksionimit të shtetit dhe të qeverisë për funksionet që duhet t’i ushtrojë para qytetarëve të Kosovës. Kosova sot është në bllokadë, ndërsa qeveria është jofunksionale, shteti është jofunksional. Ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit, në mungesë të investimeve, edhe të sektorit publik, po edhe të huaja dhe në një bllokadë janë ndërmarrjet dhe korporatat të cilat kanë probleme serioze deri tek falimentimi i tyre dhe përjashtimi i punëtorëve nga puna dhe mosdhënies së pagave. Paramendoni, që dy palë zgjedhje i fiton Lëvizja Vetëvendosje me 51% dhe nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional për shkak se është e pangopshme dhe dëshiron që ta merr edhe institucionin e presidentes”, theksoi Tahiri.

    Pjesë e konferencës për media ishte edhe deputeti tjetër i AAK-së, Bekë Berisha, i cili kritikoi ekzekutivin, siç tha ai, për kushtet e mjerueshme të Policisë së Kosovës.

    “Pamjet e fundit që i kemi parë në kampet e policisë së Kosovës, sidomos ato në Mitrovicë, por edhe gjithkund, janë të mjerueshme, janë të tmerrshme. Jemi në një situatë më të rëndë që kemi qenë ndonjëherë, sidomos në aspektin e sigurisë, duke parë se çka po ndodh edhe përreth nesh. I kisha lutur këtë lloj qeverie që nuk po don me qeverisë, që i ka krejt numrat e i ka buxhetin e të gjitha, mos të bëjnë lojëra sidomos me këtë sektor. Policinë, ushtrinë edhe inteligjencën. Ju e keni parë që ndahet buxhet, mirëpo nuk kryhen punët kurrë. Gjendja është e keqe. Do të rrimë kujdestarë edhe do të shikojmë se çka po ndodh me atë sektor. Edhe i kisha lutur që mos të bëjnë lojëra. Ka marrë fund më populizmi, ka marrë fund më rren e dallaveret. Policia e Kosovës është në gjendje të keqe, për mos me thënë që s’kanë as uniforma e as veshmbathje”, përfundoi Berisha.