ATV

Category: Lajme

  • Komuna e Mitrovicës njofton për pastrimin e disa rrugëve, kërkohet largimi i automjeteve gjatë natës

    Komuna e Mitrovicës njofton për pastrimin e disa rrugëve, kërkohet largimi i automjeteve gjatë natës

    Komuna e Mitrovicës ka njoftuar qytetarët se gjatë ditëve në vijim do të realizohet pastrimi dhe larja e disa rrugëve të qytetit, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për largimin e automjeteve të parkuara në këto zona gjatë kohës së zhvillimit të punimeve.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike, pastrimi dhe larja e rrugëve do të zhvillohet gjatë orëve të natës, duke filluar nga ora 23:00 deri në përfundim të punimeve.

    Më 15 mars 2026, nga ora 23:00, pastrimi do të realizohet në rrugët “Mbretëresha Teutë”, “Ali Zeneli”, “Lah Nimani” dhe “Afrim Zhitia”.

    Ndërkaq më 16 mars 2026, në të njëjtin orar, do të pastrohen Bulevardi “Shemsi Ahmeti”, rruga “Brigada 141” dhe rruga “Hasan Prishtina”.

    Sipas komunës, më 17 mars 2026 pastrimi do të vazhdojë në rrugët “Agim Ramadani – Katana”, “Fan Noli” dhe “Bislim Bajgora”.

    Ndërsa më 18 mars 2026, nga ora 23:00, punimet do të zhvillohen në rrugët “Ahmet Selaci”, “Martirë të Kombit”, “Xhafer Deva” dhe “Pajazit Boletini”.

    Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin e tyre për largimin e automjeteve nga këto rrugë gjatë orarit të paraparë, në mënyrë që procesi i pastrimit dhe larjes së rrugëve të realizohet pa pengesa.

  • Dubai më nuk është i sigurt – Mbetjet e raketës iraniane godasin Qendrën Financiare

    Dubai më nuk është i sigurt – Mbetjet e raketës iraniane godasin Qendrën Financiare

    Një ndërtesë në Qendrën Financiare Ndërkombëtare të Dubait u dëmtua nga copëza mbetjesh pas një interceptimi të suksesshëm të një sulmi të raportuar iranian, sipas konfirmimeve nga zyra e medias e emiratit.

    Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e rajonit dhe ka shkaktuar pasiguri tek investitorët dhe kompanitë që operojnë në këtë qendër të njohur biznesi.

    Situata e përkeqësuar e sigurisë ka tronditur reputacionin e Dubait si një destinacion i sigurt për bizneset dhe investimet në Lindjen e Mesme. Qendra Financiare Ndërkombëtare e Dubait, e cila është një prej qendrave më të rëndësishme ekonomike dhe financiare në rajon, është zakonisht e njohur për stabilitetin dhe infrastrukturën e avancuar, por incidenti i fundit ka ngjallur frikë për sigurinë e ndërtesave dhe stafit.

    Për shkak të këtyre shqetësimeve, disa nga bankat më të mëdha ndërkombëtare që operojnë në shtetet e Gjirit vendosën të mbyllin degët e tyre përkohësisht dhe të evakuojnë stafin nga ndërtesat e tyre. Ky hap tregon seriozitetin e situatës dhe ndikimin që ngjarjet e sigurisë mund të kenë mbi aktivitetin ekonomik dhe financiar në rajon.

    Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit kishte paralajmëruar më parë për sulme ndaj bankave në rajon, pas një raporti për një goditje ndaj një ndërtese të lidhur me një nga bankat publike më të mëdha të vendit. Kjo situatë ka shtuar tensionet ndërmjet aktorëve rajonalë dhe ka ngritur pyetje mbi stabilitetin e investimeve dhe sigurinë e institucioneve financiare në Lindjen e Mesme.

    Ekspertët e sigurisë dhe ekonomisë paralajmërojnë se ngjarje të tilla mund të kenë pasoja afatgjata mbi besimin e investitorëve dhe operimin normal të bankave dhe kompanive ndërkombëtare në rajon, duke shtuar presion mbi qeveritë për të forcuar masat e sigurisë dhe për të ruajtur reputacionin e qyteteve si Dubai si qendra të sigurta të biznesit.

  • Mbi 1800 gjoba në një javë në rajonin e Gjilanit, policia shton kontrollet në trafik

    Mbi 1800 gjoba në një javë në rajonin e Gjilanit, policia shton kontrollet në trafik

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një jave në rajonin e Gjilanit janë shqiptuar 1 mijë e 827 gjoba për shkelje të rregullave në trafik.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore gjatë periudhës 6 deri më 12 mars 2026 kanë realizuar aktivitete të shumta në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.

    Gjatë kësaj periudhe janë hetuar edhe 13 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 18 aksidente me persona të lënduar.

    Po ashtu, policia ka shqiptuar 72 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë, 32 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, si dhe 31 gjoba për modifikim të automjeteve, përkatësisht vendosje të folieve të errëta.

    Sipas policisë, ndaj 36 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.

    Autoritetet policore bëjnë të ditur se në kuadër të planifikimeve operative të ROADPOL janë duke u zhvilluar kontrolle të shtuara në rrugë, me fokus të veçantë në përdorimin e rripit të sigurisë.

    Policia rikujton se në automjetet për udhëtarë dhe mjetet transportuese, shoferi dhe të gjithë personat që ndodhen në automjet janë të obliguar të përdorin rripin e sigurisë.

    Sipas legjislacionit në fuqi, për mos vendosjen e rripit të sigurisë gjatë lëvizjes parashihet gjobë prej 150 euro.

  • Arrestohet kosovari në Morinë, tentoi të trafikonte armë në Shqipëri

    Arrestohet kosovari në Morinë, tentoi të trafikonte armë në Shqipëri

    Një 38-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare në Morinë, nën dyshimin se tentoi të trafikonte në Shqipëri një armë zjarri.

    Sipas Policisë së Shqipërisë, i dyshuari tentoi të trafikonte edhe një veturë të tipit “BMW” të vjedhur në Gjermani.

    Gjatë operacionit u arrestua edhe një 34-vjeçar, po ashtu banues në Prishtinë.

    Në ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.

  • Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, partitë politike me qëndrime të ndryshme

    Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, partitë politike me qëndrime të ndryshme

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

    Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

    Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka deklaruar se aktualisht po pritet vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të sqaruar situatën e krijuar rreth dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.

    ‘’Jemi në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese për të sqaruar situatën rreth dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit’’, tha Haliti

    Sipas Halitit, Lëvizja Vetëvendosje është angazhuar maksimalisht për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe pret që Gjykata Kushtetuese t’i japë të drejtë në këtë çështje n mënyrë që të procedohet me zgjedhjen e presidentit të vendit.

    ‘’Lëvizja Vetëvendosje është angazhuar maksimalisht për të shmangur zgjedhjet, presim që gjykata kushtetuese të na japë të drejtë që të vazhdojmë me procedurat për zgjedhjen e presidentit ose presidentes’’, tha Haliti.

    Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për Front Online ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar se situata aktuale është krijuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

    ‘’ Tani gjithë këtë situatë e kanë krijuar Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, ne dorë tani e ka gjykata Kushtetuese ‘’, tha Haliti.

    Sipas Halitit tashmë vendimi për zhvillimet e mëtejme është në dorën e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndërsa të gjitha palët janë të obliguara ta respektojnë vendimin që do të marrë kjo gjykatë lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Haliti ka thënë se, nëse Kushtetuesja vendos ta miratojë dekretin e presidentes, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

    ‘’Në dorë tani e ka vendimin Gjykata Kushtetuese .Ne te gjithë jemi të obliguar të zbatojmë vendimin e saj sepse varësisht nga vendimi nëse ajo vendos t’ia miratojë dekretin Osmanit do të shkojmë në zgjedhje’’, tha deputeti Haliti

    Haliti ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se presidentja, sipas tij, ka marrë vendim për t’ua marrë mandatin 120 deputetëve të zgjedhur nga populli, ndonëse, sipas Halitit , një vendim i tillë mund të merret vetëm nga parlamenti me votat e deputetëve.

    ‘’Ajo që për mua është shqetësuese është se presidentja ka mandat edhe një muaj dhe ka marrë vendim t’ua marrë mandatin e të zgjedhurve të popullit 120 deputetëve, atë që mundet vetëm parlamenti ta bëjë me votat e deputetëve’’, tha Haliti

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, në një prononcim për Front Online ka deklaruar se për partinë e saj parësore mbetet respektimi i Kushtetutës në situatën aktuale politike në Kosovë.

    Sipas saj, duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese e Kosovës lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani dhe afatin e 31 marsit që lidhet me masën mbrojtëse, pasi sipas saj nuk mund të ketë hapa të mëtejmë pa qartësi ligjore.

    ‘’Për LDK-në, parësore është respektimi i Kushtetutës. Duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes dhe afatin e 31 marsit (për masën mbrojtëse), sepse nuk mund të ecet përpara pa qartësi ligjore’’, tha Ymeri për FrontOnline.

    Ymeri ka thënë gjithashtu se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme edhe për zgjedhje, nëse vendoset që vendi të shkojë sërish në proces zgjedhor dhe se partia mbetet e mobilizuar sa herë që kërkohet një gjë e tillë.

    ‘’LDK është e gatshme. Nëse vendoset që duhet të shkohet sërish në kutitë e votimit, ne jemi këtu dhe të mobilizuar sa herë që kërkohet’’, tha Ymeri.

    Deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke thënë se situata aktuale u bë publike në momentin kur, sipas saj, kryeministri Albin Kurti nuk kishte interes që të zgjidhej një president që konsiderohej si kandidat konsensual.

    ‘’U bë publike ngjarjet në momentin që Kurti nuk kishte interes të zgjidhte një president që mendohej se kishte konsensual’’, tha Kadrijaj

    Kadrijaj tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme për zgjedhje dhe se fillimisht partia kishte qenë duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme partiake, por ato janë pezulluar për shkak të situatës së krijuar politike në vend.

    ‘’Dihet se nëse nuk zgjidhet presidenti ne shkojmë në zgjedhje. Ne si AAK jemi të gatshëm për zgjedhje në fakt ishim duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme nga partia mirëpo i kemi pezulluar për shkak të kësaj situate’’, tha Kadrijaj.

  • SHBA-ja heq përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse

    SHBA-ja heq përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të heqin përkohësisht sanksionet mbi naftën ruse që ndodhet e bllokuar në det, ndërkohë që zyrtarët e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump përpiqen të frenojnë rritjen e çmimeve, e cila po ngre shqetësime për furnizimet globale.

    Scott Bessent, sekretari i Thesarit amerikan, njoftoi të enjten vonë një “autorizim të përkohshëm” që lejon vendet të blejnë naftën ruse të bllokuar për një periudhë 30-ditore. Ai theksoi se Trump “po punon për të mbajtur çmimet e ulëta”.

    Bessent shtoi se kjo masë afatshkurtër zbatohet vetëm për naftën që është tashmë në tranzit dhe nuk do të sjellë përfitime të mëdha financiare për Rusinë, pasi qeveria ruse merr shumicën e të ardhurave të saj nga energjia përmes taksave në pikën e nxjerrjes.

    Konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar në pothuajse mbylljen e ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e cisternave të naftës dhe gazit në botë, shkruan bbc.

    Edhe pse administrata Trump ka premtuar mbrojtjen e anijeve që kalojnë në këtë ngushticë, aktiviteti ende nuk është rikuperuar plotësisht. Regjimi iranian ka paralajmëruar se nuk do të lejojë eksportin e asnjë litri nafte nga rajoni, ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit vazhdojnë.

    Ditët e fundit, Trump ka përpjekur të qetësojë shqetësimet mbi çmimet e larta të naftës, duke shkruar se Shtetet e Bashkuara janë aktualisht prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe për pasojë, rritja e çmimeve sjell përfitime financiare për vendin.

    Ndërkohë, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të heqë të gjitha sanksionet mbi karburantet fosile ruse për të lehtësuar rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme. Ai i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për këtë çështje.

  • Tentim vrasje në Fushë Kosovë, dy persona përfundojnë në spital

    Tentim vrasje në Fushë Kosovë, dy persona përfundojnë në spital

    Pasditen e së enjtes ka ndodhur një vrasje në tentativë në Fushë Kosovë.

    Siç raporton policia, një burrë është arrestuar pasi që i njëjti si pasojë e një mosmarrëveshjeje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi.

    Bëhet e ditur se gjatë përleshjes fizike dy personat kanë marrë lëndime, ku i dyshuari pas tretmanit mjekësor është liruar, kurse viktima mbetet për tretman të mëtutjeshëm.

    Në vendin e ngjarjes janë konfiskuar, arma e zjarrit (pistoleta me gaz), një karikator, 10 fishekë me gaz dhe tri gëzhoja me gaz.

    Po ashtu dhe nga çanta e të dyshuarit janë konfiskuar edhe 10 fishekë të tjerë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Një aeroplan ushtarak amerikan rrëzohet në Irak

    Një aeroplan ushtarak amerikan rrëzohet në Irak

    Një aeroplan ushtarak amerikan është rrëzuar në Irak, ka njoftuar Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom).

    Ushtria amerikane ka konfirmuar se një aeroplan ushtarak KC-135 për furnizim me karburant u rrëzua pas një incidenti ku u përfshinë dy aeroplanë. Rrëzimi nuk erdhi nga “zjarri armiqësor apo miqësor”.

    Komanda Qendrore e SHBA-së tha se po bëhen përpjekjet e shpëtimit në perëndim të Irakut.

    Aeroplani i dytë i përfshirë në këtë incident, u ul në mënyrë të sigurt, u tha në deklaratë.

    “Incidenti ndodhi në një hapësirë ajrore miqësore gjatë operacionit ‘Epic Fury’, dhe përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë. Dy aeroplanë u përfshinë në incident. Një nga aeroplanët u rrëzua në perëndim të Irakut, dhe i dyti u ul sigurt. Nuk ndodhi shkaku i zjarrit armiqësor apo miqësor”, tha Centcom.

    Centcom s’ka treguar se kur ka ndodhur incidenti dhe se persona ishin në aeroplanin që u rrëzua dhe se si ndodhi incidenti.

  • Mbledhja e jashtëzakonshme, Arian Gashi e Milot Krasniqi synojnë postin e kryesuesit të KPK-së

    Mbledhja e jashtëzakonshme, Arian Gashi e Milot Krasniqi synojnë postin e kryesuesit të KPK-së

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën pritet që të zgjidhet kryesuesi i ri i tij.

    Kandidaturat për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial i kanë paraqitur prokurori i Prokurorisë së

    Apelit, Arian Gashi dhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi.

    Zgjedhja e tyre pritet që të bëhet nëpërmjet votimit të fshehtë.

    Të dy anëtarët e kanë marrë mandatin para se të hynin në fuqi ndryshimet në Ligjin për KPK-në.
    Prokurori Krasniqi është doktor i shkencave juridike në fushën e ndërmjetësimit në çështje penale dhe ka qenë student i dalluar gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës (UP). Ai ka qenë zyrtar në Ministrinë e Kulturës, në Anti-Korrupsion, e ka ushtruar pozitën e prokurorit në Prokurorinë e Prizrenit, ndërsa si prokuror special ka marrë pjesë në ekipe të përbashkëta hetimore me Shtetet e Bashkuara (SHBA), përderisa vazhdon që ta përfaqësojë Prokurorinë e Shtetit ndërkombëtarisht, në organizime si programet e “EuroJustit”.

    Krasniqi, bashkë me zëvendëskryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, janë autorë të aktakuzës në rastin për rezervat shtetërore.

    Për nga rreshtimi në konfliktet e fundit përbrenda KPK-së, të cilat janë shpërfaqur gjatë vitit të shkuar si dhe në fillim të këtij viti, Milot Krasniqi ka qenë pro shkarkimit të Besim Kelmendit nga detyra e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe kundër certifikimit të Elza Bajrami-Kastratit si anëtare në KPK, deri kur Gjykata Supreme vendosi ta certifikonte atë.

    Krejt të kundërt e ka pasur orientimin prokurori Arian Gashi, i cili më shumë sesa për aktakuzat e ngritura në cilësinë e prokurorit, njihet për fjalinë: “Pesë minus pesë bëjnë zero”, të cilën e ka thënë kur e ka kundërshtuar refuzimin e kundërligjshëm të raportit për certifikimin e Elza Bajrami-Kastratit, e cila në fund e ka fituar betejën në gjyq.

    Edhe Gashi ka ngritur disa aktakuza kundër rasteve të korrupsionit, në cilësinë e prokurorit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Ai është kryetar i Komisionit për Çështje Normative, kryesues i Komisionit të KPK-së për Mbikëqyrjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, si dhe anëtar i Komisionit për Transferim dhe Avancim. Ka qenë edhe anëtar i grupeve punuese për ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale.

    Gashi po ashtu u ka mbajtur trajnime prokurorëve për përpilim të aktakuzave, ndërkaq ligjëron edhe për tema të ndryshme, si “Uzurpimi i paligjshëm i pronës dhe kthimi i sendeve” në Akademinë e Drejtësisë. /Koha

  • Arrestohet një person nën dyshimin se përdhosi flamurin e Turqisë në Mitrovicë

    Arrestohet një person nën dyshimin se përdhosi flamurin e Turqisë në Mitrovicë

    Një person është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Përmes një njoftimi thuhet se sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari D.Z. pretendohet se para disa ditësh, në një hapësirë publike në Mitrovicën e Jugut, ka përdhosur flamurin e Turqisë

    “Një person është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale nga Policia e Kosovës – Departamenti Kundër Terrorizmit, në orët e vona të së enjtes,nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mos durimit. Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari D.Z. pretendohet se para disa ditësh, në një hapësirë publike në Mitrovicën e Jugut, ka përdhosur flamurin e Turqisë”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq siç thuhet në njoftim i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim në koordinim me Policinë e Kosovës.