ATV

Category: Lajme

  • AAK thërret konferencë për media të mërkurën

    AAK thërret konferencë për media të mërkurën

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njofton se nesër në ora 10:30, Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri do të mbajë konferencë për media.

    Në njoftim thuhet se konferenca do të mbahet në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Ju ftojmë ta ndiqni këtë ngjarje”, i thuhet mediave në njoftim.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi, dyshohet për mashtrim në bashkëkryerje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi, dyshohet për mashtrim në bashkëkryerje

    Policia e Kosovës, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi që kërkohet për ‘’mashtrim në bashkëkryerje’’.

    Postimi:

    Kërkesë për bashkëpunim

    Prishtinë, më 17 mars 2026

    Hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, me autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë, publikojnë foton e të dyshuarit, duke kërkuar ndihmën (bashkëpunimin) me qytetarët në identifikimin e personit në foto.

    Personi në foto dyshohet për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrim në bashkëkryerje’.

  • Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër Ligjit për të huajt në Kosovë

    Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër Ligjit për të huajt në Kosovë

    Me sloganin “Për Kosovën dhe Metohinë serbe” në Beograd më 17 mars u mbajt një protestë e organizuar nga 13 parti dhe lëvizje të së djathtës, përfshirë edhe grupin ultradjathtist, Obraz.

    Shkak për tubimin ishte Ligji për të huajt dhe Ligji për automjetet, të cilët hyrën në fuqi në Kosovë më 15 mars. Protestuesit thanë se këto ligje do të ndikojnë negativisht tek anëtarët e minoritetit serb në Kosovë, por edhe te sektori i shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat e banuara me serb në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas gazetarëve në terren të Radios Evropa e Lirë, qindra persona u mblodhën pranë Presidencës së Serbisë në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, nga ku, pas fjalimeve, nisën një marsh drejt Ambasadës së Federatës Ruse, për ta falënderuar Kremlinin, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Rreth 200 të pranishëm valëvitën flamuj të Serbisë, por edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Nga altoparlantët u dëgjuan këngë nacionaliste, ndërsa të tubuarit brohoritën “Kosovën nuk e dorëzojmë” dhe “Tradhti”.

    Midis të pranishmëve ishte edhe deputeti i Parlamentit të Serbisë, Branimir Nestoroviq, nga partia opozitare parlamentare “Ne, zëri i popullit”.

    Cilat ishin mesazhet e protestës?

    Gjatë protestës, foli edhe Slobodan Samarxhiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se autoritetet në Serbi “kanë lënë pas dore” shëndetësinë dhe arsimin, që siç tha ai, janë nën kontroll në veri të Kosovë.

    “Atje [në Kosovë] dhuna është e përditshme, njerëzit vuajnë, nuk kanë paratë e tyre. Atje është larguar çdo gjë serbe që mund të hiqej. Dhe tani po përfundojmë me institucionet e arsimit dhe shëndetësisë”, pretendoi Samarxhiq.

    Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe atij për automjete nisi më 15 mars në Kosovë.

    Qeveria e Kosovës ka vendosur të krijojë lehtësira, duke lëshuar leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’ua njohë letërnjoftimet që atyre u lëshohen nga organet serbe, duke lehtësuar kështu ndikimin e zbatimit të Ligjit për të huaj.

    Këto lehtësira u mirëpritën nga Serbia, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Ligji për të huajt do të prekë anëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë. Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut – i cili funksionon sipas sistemit të Serbinë – punojnë ose studiojnë qytetarë të Serbisë, do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.

    Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.

    Në tubimin në Beograd foli edhe Lluka Arsenijeviq, student i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se të rinjtë e mbajnë Kosovën “në zemër, mendje dhe lutje”.

    “Vazhdojmë të shohim se si do të zgjidhet problemi që kanë krijuar ata që ishin para nesh. Kur ne të marrim pushtetin, një këngë tjetër do të këndohet këtu dhe në Kosovë”, tha ai.

    Në profilin zyrtar në Instagram të “Studentëve protestues” nuk është bërë thirrje për protestën e organizuar nga partitë dhe organizatat e të djathtës ekstreme.

    Në tubim foli edhe udhëheqësi i grupit ultradjathtist serb, Obraz, Mlladen Obradoviq.

    Obradoviq, i cili ka drejtuar organizatën e ndaluar Obraz, tha se njerëzit u mblodhën për të “shpërfaqur gënjeshtrat” e presidentit të Serbisë “se ai ka fituar [ndaj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti] duke detyruar serbët të marrin dokumente separatiste nga Kosova dhe Metohia”.

    “Çfarë fitore është kjo, të detyrosh popullin të marrë dokumente të një shteti tjetër? Ne nuk pranojmë këtë”, tha Obradoviq.

    Pas fjalimeve, protestuesit marshuan drejt Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd, për të falënderuar, sipas Obradoviq, “vëllezërit rusë”.

    Obradoviq ka udhëhequr lëvizjen Obraz, e cila nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në vitin 2005 u klasifikua si organizatë fashiste.

    Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi funksionimin e kësaj organizate në vitin 2012. Në Serbi, kjo organizatë veproi fillimisht joformalisht me emër paska të ndryshuar, ndërsa nga viti 2019 është regjistruar zyrtarisht.

    Obradoviq ka qenë një nga organizatorët e disa demonstratave kundër komunitetit LGBT, protestave kundër ekspozitave të artistëve nga Kosova, si dhe tubimeve në mbështetje të të dënuarve nga Gjykata e Hagës, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.

  • Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në Parlamentin Evropian është konfirmuar heqja e masave ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

    Osmani ka thënë se Kosova mirëpret një vendim të tillë dhe ka falendëruar vendet aleate për përkrahjen në heqjen e sanksioneve.

    Presidentja Osmani ka thënë se këto masa kanë qenë të padrejta dhe kanë pasur ndikim negativ në jetën e kosovaarëve

    “Bazuar në vendimin e shpallur në dhjetor nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Leyen, për të hequr të gjitha masat e BE-së kundër Kosovës, pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ne mirëpresim konfirmimin e sotëm nga Komisioni se ky vendim tani është zbatuar plotësisht.Falënderoj Komisionin dhe të gjithë partnerët tanë nga shtetet anëtare për mbështetjen e tyre në mbylljen e kësaj çështjeje, e cila rezultoi në heqjen e masave të padrejta që ndikuan negativisht në jetën e popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    “Kosova mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt statusit të kandidatit të BE-së.”, ka përfunduar ajo.

  • E refuzuan shumica e vendeve të NATO-s, vjen reagimi i ashpër i Trumpit

    E refuzuan shumica e vendeve të NATO-s, vjen reagimi i ashpër i Trumpit

    Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka folur mbi refuzimin e shteteve të NATO’s për përfshirje në çlirimin e Ngushticës të Hormuzit.

    Trump ka thënë se nuk e çudit kjo sjellje e vendeve anëtare të NATO-s.

    “Shumica e ‘aleatëve’ tanë të NATO-s i kanë njoftuar Shtetet e Bashkuara se nuk duan të përfshihen në operacionin tonë ushtarak kundër regjimit terrorist të Iranit në Lindjen e Mesme, pavarësisht faktit që pothuajse çdo vend pajtohet fuqimisht me atë që bëjmë dhe se Iranit nuk i lejohet aspak të ketë armë bërthamore. Megjithatë, nuk më çudit veprimi i tyre, sepse gjithmonë kam menduar se NATO, ku shpenzojmë qindra miliarda dollarë në vit për të mbrojtur këto të njëjta vende, është një rrugë me një sens – ne do t’i mbrojmë, por ata nuk do të bëjnë asgjë për ne, veçanërisht në kohë nevoje”, ka shkruar Trump.

    Ai ka thënë se ShBA’së, nuk i nevojitet ndihma e askujt.

    “Fatmirësisht, ne i kemi dëmtuar shumë forcat ushtarake iraniane – marina e tyre ka zhdukur, forcat ajrore kanë zhdukur, mbrojtja e tyre ajrore dhe radarët janë zhdukur, dhe ndoshta, më e rëndësishmja, liderët e tyre, në pothuajse të gjitha nivelet, janë zhdukur dhe kurrë më nuk do të na kërcënojnë ne, aleatët tanë në Lindjen e Mesme ose botën! Për faktin që kemi pasur një sukses kaq të madh ushtarak, nuk na nevojitet dhe as nuk duam ndihma nga vendet e NATO-s – kurrë nuk e kemi dashur! Po ashtu, Japoni, Australi ose Koreja e Jugut. Në të vërtetë, duke folur si president i Shteteve të Bashkuara, vendit më të fuqishëm në botë, nuk na nevojitet ndihma e askujt”, përfundoi presidenti amerikan.

    Ndryshe, shtetet kryesore të aleancës ushtarake kanë refuzuar ta ndihmojnë SHBA-në duke justifikuar se NATO nuk duhet të hyjë në luftë.

  • OKB kërkon akses për të hetuar sulmin vdekjeprurës ndaj shkollës në Iran

    OKB kërkon akses për të hetuar sulmin vdekjeprurës ndaj shkollës në Iran

    Një anëtar i misionit të OKB-së për hetimin e ngjarjeve në Iran thotë se hetuesit po kërkojnë akses në vendin ku ndodhi një sulm vdekjeprurës ndaj një shkolle, që u krye në fillim të konfliktit.

    Max du Plessis deklaroi se OKB-ja ka raportime të besueshme sipas të cilave të paktën 168 persona humbën jetën në sulmin në Minab, në jug të Iranit, shumica prej tyre vajza nxënëse, disa prej të cilave vetëm shtatë vjeç.

    Du Plessis shton se OKB-ja po përpiqet të zbulojë kush është përgjegjës, cili ishte motivi i sulmit dhe cilat mund të jenë pasojat ligjore, “nëse ka ndonjë”.

    “Jemi në fazën fillestare të hetimit”, tha ai.

    Shtetet e Bashkuara po kryejnë hetimin e tyre mbi sulmin, dhe du Plessis shprehet se, edhe pse ekipi i OKB-së nuk ka biseduar ende me përfaqësues amerikanë, do të mirëpresin çdo informacion të dhënë, duke theksuar megjithatë detyrimin “të pavarur” të OKB-së për të përcaktuar faktet.

    “Ne kemi kërkuar akses në Iran dhe do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”, përfundoi ai.

  • Macron: Franca s’do të marrë kurrë pjesë në operacionet për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit

    Macron: Franca s’do të marrë kurrë pjesë në operacionet për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit

    Presidenti francez, Emmanuel Macron thotë se Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacionet për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit dhe se Franca po vazhdon punën për të përgatitur një koalicion që mund të sigurojë lirinë e lundrimit pasi të përfundojnë armiqësitë.

    “Ne nuk jemi palë në konflikt dhe për këtë arsye Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për të hapur ose çliruar Ngushticën e Hormuzit në kontekstin aktual”, tha Macron në fillim të një takimi të kabinetit për të diskutuar konfliktet në Lindjen e Mesme.

  • Igor Mitiq emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë

    Igor Mitiq emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Igor Mitiqin në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    “Kryeministri Kurti e uroi z. Mitiq për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

    Gjatë ditës së sotme, në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është emëruar edhe Lulzim Hetemi.

    Kurti e emëron Lulzim Hetemin zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim

     

  • Kërkohet paraburgim prej 30 ditësh ndaj Nexhdet Zymberajt për vrasjen e djeshme në Gjakovë

    Kërkohet paraburgim prej 30 ditësh ndaj Nexhdet Zymberajt për vrasjen e djeshme në Gjakovë

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Nexhdet Zymberaj, i cili dyshohet se dje vrau një person në qendër të qytetit.

    Ndaj tash të pandehurit, Prokuroria ka bërë të ditur se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe njëkohësisht ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Gjakovë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas njoftimit, i dyshuari pasi u arratis, dje pasdite u vetdorëzua në Polici.

    “Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, Rr.“Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M.P.” i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E.M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62×25 mm, shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R.B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet në komunikatë të Prokurorisë.

    Prokuroria ka njoftuar se si pasojë e të shtënave me armë, i pandehuri ka rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë, ku i dëmtuari E.M, ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes.

    “Me këto veprime i pandehuri N.Z., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 të KPRK-së. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së. I pandehuri që nga data 16 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekur”, ka njoftuar Prokuroria.

  • Arrestohet një i dyshuar për shpëlarje parash

    Arrestohet një i dyshuar për shpëlarje parash

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka arrestuar të martën një person të dyshuar me incialet A.B. për kryerjen e veprës penale “shpëlarje e parave”.

    Sipas njoftimi i njëjti dyshohet se paratë e përfituara përmes mashtrimeve të qytetarëve të ndryshëm në Republikën e Gjermanisë dhe në Republikën e Kosovës, i kishte deponuar në formë të parasë së gatshme në llogaritë bankare të subjekteve në pronësi të tij.

    Bëhet e ditur se A.B. është ndaluar për 48 orë.

    “Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special”, thuhet në komunikatë.