ATV

Category: Lajme

  • 49 të dyshuar për manipulim votash, priten 31 kallëzime ndaj rreth 200 personave në Pejë

    49 të dyshuar për manipulim votash, priten 31 kallëzime ndaj rreth 200 personave në Pejë

    Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave për manipulim të votave në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, ndërsa pritet që numri i kallëzimeve të arrijë në 31 ndaj rreth 200 personave, kryesisht kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve në komunën e Pejës.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim dhe po realizohen në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.

    “Në kuadër të hetimeve që jemi duke ndërmarrë për procesin zgjedhor të manipulimit të votave përkatësisht të numërimit të kandidatëve të subjekteve politike. Prokuroria Themelore në Pejë, për komunën e Pejës deri më tani ka pranuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave. Ndërkaq për këtë komunë priten të pranohen gjithsej 31 kallëzime penale ndaj 200 personave, kryesisht kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve. Ndërkaq më pas Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se deri tani janë intervistuar 49 persona si të dyshuar për manipulim të votave në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025, ndërsa pritet që të intervistohen mbi 200 persona të tjerë vetëm për komunën e Pejës.

    “Deri më tani janë intervistuar 49 persona dhe kemi pranuar nëntë kallëzime penale. Priten të intervistohen vetëm për komunën e Pejës mbi 200 persona dhe të pranohen mbi 31 kallëzime penale ndaj tyre. Pasi të pranohen këto, besoj që Prokurori i Shtetit do t’i analizojë dhe njëkohësisht në shumicën e rasteve kemi ndërmarrë edhe veprime të tjera ligjore që kjo fazë është konfidenciale, mirëpo pasi që të përfundojë i gjithë procesi do të njoftohet opinioni publik”, tha ai.

  • Dushan Maksimoviq rrëfen momentet e tensionuara të arrestimit në Banjskë

    Dushan Maksimoviq rrëfen momentet e tensionuara të arrestimit në Banjskë

    Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Dushan Maksimoviq ka vazhduar dëshminë e tij lidhur me aktakuzën për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

    Gjatë dëshmisë, ai ka folur edhe për ditën e arrestimit.

    “E pashë që policia e Kosovës ndodhej tek komshikja Suzana. U afrova dhe pyeta nëse mund të shkoja në Zveçan. Një nga policët më pyeti se kush isha dhe ku ndodheshim. Ai më tha se mund të vazhdoja rrugën. Rreth 40 metra larg shtëpisë, policia më ndaloi dhe kërkoi letërnjoftimin. Një tjetër polici më pyeti nëse kisha telefonin me vete; i thashë se po dhe ia dhashë. Kur panë incizimin ku dëgjoheshin krismat, unë thashë se ai ishte tek ndërtesa pas nesh dhe më thanë të mos e përdorja.

    Pas kësaj hyra në veturë; nuk isha i lidhur dhe nuk kisha pranga. Mendova se po më dërgonin drejt Banjskës. Pyeta çfarë po ndodhte dhe më thanë se po shkonim deri në Mitrovicë të Jugut. Kur arritëm, më pyetën përsëri për telefonin dhe më thanë të prisja veturën. Nuk kisha pranga. Pas një kohe hyra në ndërtesën e policisë, ku prisja disa orë, më dhanë të drejtën të lexoja një letër dhe më thanë se po vinte avokati. Asnjëherë nuk më sqaruan pse.”

    Dëshmia e tij vijon, ndërsa trupi gjykues shqyrton rrethanat e arrestimit dhe akuzat lidhur me incidentin në Banjska.

  • 5-vjeçari nga Lipjani që dyshohet  se u keqtrajtua nga prindërit i nënshtrohet operimit në shputa, gjendja stabile

    5-vjeçari nga Lipjani që dyshohet se u keqtrajtua nga prindërit i nënshtrohet operimit në shputa, gjendja stabile

    Klinika e Pediatrisë ka njoftuar se 5 vjeçari nga Lipjani që dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij, i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.

    Përmes këtij njoftimi, ata kanë thënë se intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore.

    “Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile. Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore”, ka njoftuar Klinika e Pediatrisë.

    Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, aktualisht nuk mund të ofrohen më shumë detaje. Çdo informacion i mëtejmë për gjendjen e pacientit do të bëhet publik vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së.

  • Komuna e Graçanicës i njofton serbët: Është thjeshtuar procedura për marrjen e dokumenteve të Kosovës, afati deri më 16 qershor

    Komuna e Graçanicës i njofton serbët: Është thjeshtuar procedura për marrjen e dokumenteve të Kosovës, afati deri më 16 qershor

    Me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës është thjeshtuar procedura për marrjen e dokumenteve kosovare, njoftoi Shërbimi i Gjendjes Civile i Komunës së Graçanicës.

    Siç thuhet, qytetarëve nga Kosova që posedojnë dokumente të lëshuara nga Serbia u mundësohet paraqitja e kërkesës për regjistrim, përkatësisht regjistrimin në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës, shkruan mediumi lokal serb, Radio Kontakt Plus.

    Kjo mundësi u referohet të gjithë qytetarëve në territorin e Kosovës, të cilëve strukturat ilegale të Serbisë u kanë lëshuar dokumente në bazë të vendbanimit në Kosovë në periudhën nga 10 qershori 1999 deri më 15 mars 2026.

    Qytetarët që i plotësojnë këto kushte mund të paraqesin kërkesa për transkriptim, përkatësisht regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës, për të marrë dokumente – ekstrakte nga librat amë të lindjeve, martesave dhe vdekjeve, njoftoi Komuna e Graçanicës.

    Afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës është deri më 16 qershor 2026.

  • I akuzuari për sulmin në Banjskë thotë se fotografia ku ai shihet me uniformë u realizua më 2022: U bë si për argëtim

    I akuzuari për sulmin në Banjskë thotë se fotografia ku ai shihet me uniformë u realizua më 2022: U bë si për argëtim

    I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë, Dushan Maksimoviq gjatë dhënies së mbrojtjes tha se fotografia ku shihet ai me uniformë ishte realizuar në vitin 2022.

    Maksimoviq tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 25 prill 2024, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Por, i akuzuari tha se në procesverbal mungon një pjesë e përgjigjes së tij kur ishte pyetur nga Prokuroria lidhur me një fotografi në aktakuzë rreth asaj se si e kishte siguruar uniformën dhe në çfarë detyre ka qenë i angazhuar.

    “Unë nuk kam qenë i angazhuar nga askush dhe për asgjë. Fotografia është bërë në shtëpinë ttime, jam fotografuar si për argëtim dhe ka qenë hera e parë që kam pasur uniformë të tillë, dhe po ta kisha më herët, nuk do të ishte interesant për mua të bëj foto”, tha Maksimoviq, duke shtuar se fotografia është realizuar më 2022.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca e radhës ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq,.

    Në këtë seancë pritet të japë mbrojtjen i akuzuari Maksimoviq, ndërkaq dy të akuzuarit tjerë Toliq dhe Spasojeviq ishin mbrojtur në heshtje seancën e kaluar. /BetimipërDrejtësi/

  • Jashari takon Strasser, flasin për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Ajovës

    Jashari takon Strasser, flasin për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Ajovës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, priti sot në takim Rreshter Majorin Komandues të Gardës Nacionale të Ajovës, Mattheë T. Strasser.

    Sipas njoftimit zyrtar, në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Gardës Nacionale të Ajovës, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe avancimin e trupës së nënoficerëve.

    Jashari vlerësoi kontributin e partnerëve amerikanë, e posaçërisht të Gardës Nacionale të Ajovës, në ndërtimin e një strukture të fortë dhe profesionale të nënoficerëve brenda FSK-së.

    Nga ana tjetër, Strasser vlerësoi lart lidershipin e Jasharit në mbështetje të zhvillimit të karrierës ushtarake për të gjithë personelin e FSK-së, e në veçanti për mbështetjen e dhënë korit të nënoficerëve të FSK-së, duke theksuar rëndësinë dhe përkushtimin për zhvillimin e nënoficerëve si shtylla kryesore e FSK-së.

    “Në fund të takimit, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e dekoroi Rreshter Majorin e Komandës Strasser me medaljen ‘Shërbim Vetëmohues’ për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Izraeli thotë se e ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, kush është Esmail Khatib?

    Izraeli thotë se e ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, kush është Esmail Khatib?

    Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se ministri i Inteligjencës i Iranit, Esmail Khatib, u vra në një sulm gjatë natës.

    “Në këtë ditë, priten befasi të rëndësishme në të gjitha fushat që do të përshkallëzojnë luftën që po zhvillojmë kundër Iranit dhe Hezbollahut në Liban”, tha Katz gjatë një takimi me zyrtarët ushtarakë, sipas mediave izraelite.

    “Intensiteti i sulmeve në Iran po rritet. Ministri iranian i inteligjencës Khatib u eliminua gjithashtu gjatë natës”.

    Ai shtoi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte autorizuar ushtrinë “të vriste çdo zyrtar të lartë iranian… pa pasur nevojë për miratim shtesë”.

    Kjo vjen një ditë pasi Irani konfirmoi vdekjen e shefit të sigurisë, Ali Larijani, si dhe komandantit të forcës Basij, Gholamreza Soleimani, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

    Nuk pati asnjë koment deri më tani nga Irani mbi vrasjen e raportuar të Khatib.

    Kush ishte Khatib?

    Esmail Khatib u emërua ministër i inteligjencës së Iranit nga ish-presidenti i ndjerë, Ebrahim Raisi, në vitin 2021.

    Ai studioi jurisprudencë islame nën drejtimin e shumë klerikëve të lartë, përfshirë udhëheqësin e ndjerë suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

    Ai ka mbajtur poste të larta në ministrinë e inteligjencës dhe në Zyrën e Udhëheqësit Suprem.

    Ai u sanksionua nga Thesari Amerikan për rolin e tij si kreu i Ministrisë së Inteligjencës së Iranit “për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj” në vitin 2022.

    Raportohet se Khatib iu bashkua Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 1980, menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

  • Qalaj e konfirmon se është propozuar nga PDK për anëtar në KQZ

    Qalaj e konfirmon se është propozuar nga PDK për anëtar në KQZ

    Ish-deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj është propozuar për anëtar në Komisionin Qendror Zgjedhor nga radhët e kësaj partie.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Qalaj.

    “Po jam propozuar”, ka thënë shkurt Qalaj.

    Përveç Qalajt, edhe emri i Ilir Gashit është dërguar në presidencë për anëtar të PDK-së në KQZ.

    Sipas raportimeve, LDK e ka propozuar Sami Hamtin, kurse AAK Muharrem Nitajn.

    Lëvizja Vetëvendosje besohet se do të vazhdoj me Alban Krasniqin dhe do të propozoj dy emra tjerë të rinj./eo

  • Rasti i rëndë i fëmijës 5-vjeçar, KOMF: Rast i njohur për institucionet, dështim në mbrojtjen e fëmijëve

    Rasti i rëndë i fëmijës 5-vjeçar, KOMF: Rast i njohur për institucionet, dështim në mbrojtjen e fëmijëve

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5 vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është dërguar në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit.

    KOMF thekson se sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh.

    “Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre.

    Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave të menjëhershme në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në reagim.

    KOMF thekson tutje se ky rast ri konfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale.

    “KOMF kërkon fuqizimin e kapaciteteve përmes rritjes së numrit të punonjësve socialë dhe profileve të tjera profesionale në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur.

    Është jetike që institucionet të zhvillojnë programe të mirëfillta për fuqizimin e familjeve në krizë dhe të ofrojnë shërbime sociale e familjare që parandalojnë eskalimin e rasteve të tilla përpara se të jetë tepër vonë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

    KOMF u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, pasi mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi kolektive.

    “Çdo dyshim për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim sipas legjislacionit në fuqi duhet të raportohet menjëherë tek Policia e Kosovës apo Qendra për Punë Sociale. Raportimi në kohë, mund të jetë kufiri i vetëm që ndan jetën nga vdekja për një fëmijë në rrezik”, thuhet në reagim.

  • Tahiri i AAK-së: Qeveri e stërmbushur me të emëruar politikë, ministri fiktive dhe pa program

    Tahiri i AAK-së: Qeveri e stërmbushur me të emëruar politikë, ministri fiktive dhe pa program

    Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kritikoi sot Qeverinë Kurti, duke thënë se është stërmbushur me të emëruar politikë, ministri fiktive dhe pa program.

    Tahiri theksoi se në vend të një qeverie funksionale dhe të orientuar drejt rezultateve, po shohim një sistem të ndërtuar për rehati politike, pa vizion të qartë dhe pa program konkret.

    Postimin e tij i plotë:

    Sot, prezantova analizën e Kabinetit me 21 anëtarë dhe 453 staf politik, një strukturë që në vend të efikasitetit reflekton një zgjerim të tepruar të emërimeve politike. Rregullorja e re synonte rregull dhe qartësi, por në praktikë kemi mbi 200 këshilltarë politikë dhe dhjetëra këshilltarë të jashtëm, ndërsa administrata profesionale mbetet në rol dytësor.

    Kryeministri me buxhet të shtetit/pare të popullit, me deri në 24 këshilltarë, zëvendëskryeministrat deri në 11 secili, ministrat deri në 7, dhe së paku 2 zëvendësministra për çdo ministri pa ndarje të qartë përgjegjësish – një model që prodhon më shumë poste sesa rezultate.

    Në krahasim me rajonin dhe vendet e Bashkimit Evropian, kjo strukturë është dukshëm më e madhe dhe më e kushtueshme, me rreth 26 staf për ministër, shumë mbi mesataren evropiane. Në vend të një qeverie funksionale dhe të orientuar drejt rezultateve, po shohim një sistem të ndërtuar për rehati politike, pa vizion të qartë dhe pa program konkret.