ATV

Category: Lajme

  • Skandali me njehsorë – parregullsitë e gjetura nga Agjencia e Metrologjisë, deklarata e Kusarit dhe reagimi i KEDS-it e KESCO-s

    Skandali me njehsorë – parregullsitë e gjetura nga Agjencia e Metrologjisë, deklarata e Kusarit dhe reagimi i KEDS-it e KESCO-s

    Skandali me njehsorët elektrikë në Kosovë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën e faturimit të energjisë elektrike.

    Në dy ditët e fundit janë paraqitur 206 kërkesa për verifikimin e njehsorëve elektrikë, duke treguar rritje të interesimit të qytetarëve për të ditur rreth mënyrës së faturimit.

    E në këtë drejtim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar masat për mbrojtjen e konsumatorëve në lidhje me verifikimin e njehsorëve elektrikë.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë parashtruar ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ju njofton se procesi i verifikimit është duke vazhduar me intensitet të lartë.

    Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:

    • Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;

    • Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;

    • Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;

    • Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;

    • Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.

    “Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.

    Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin”, thuhet në njoftim.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të parashtrojnë ankesat e tyre në adresën elektronike [email protected], duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.

    Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e së enjtes në Kuvend njoftoi se në dy ditët e fundit janë paraqitur 206 kërkesa për verifikimin e njehsorëve elektrikë, duke treguar rritje të interesimit dhe vetëdijes së qytetarëve për këtë çështje.

    Ajo theksoi se Ministria, përmes Agjencisë për Metrologji, ka themeluar një grup punues ad-hoc në bashkëpunim me Inspektoriatin Qendror të Tregut, i cili po merret me kontrollin dhe verifikimin e njësive matëse.

    “Procesi ka nisur dhe do të vazhdojë me transparencë të plotë, ndërsa çdo rezultat do të publikohet dhe çdo rast do të trajtohet sipas ligjit”, tha ajo.

    E lidhur me këtë skandal kanë reaguar edhe KEDS-si dhe KESCO.

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompania për Furnizim me Energji (KESCO) kanë deklaruar se njehsorët elektrikë në Kosovë matin saktë konsumin e energjisë, ndërsa devijimet e raportuara së fundmi lidhen me karakteristika teknike dhe jo me manipulim.

    Në një konferencë për media, përfaqësuesit e dy kompanive thanë se shqetësimet e konsumatorëve janë trajtuar me seriozitet dhe se çdo rast i konstatuar si anomali është korrigjuar në përputhje me rregullat në fuqi.

    Sipas tyre, të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet evropiane dhe kalojnë nëpër procese të rrepta certifikimi para se të vendosen te konsumatorët.

    Devijimet në kohë, që janë përmendur në raportimet e fundit, cilësohen si toleranca teknike të njohura, të përcaktuara edhe nga standardi ndërkombëtar IEC 62054-21.

    “Kohëzgjatja e tarifave mbetet gjithmonë e njëjtë. Nëse fillon më vonë, përfundon më vonë, dhe nëse nis më herët, përfundon më herët”, u tha në konferencë, duke theksuar se periudha totale e tarifimit nuk ndryshon.

  • Shkatërrohet laboratori i drogës në Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurit

    Shkatërrohet laboratori i drogës në Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurit

    Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve të zhvilluara, më 02.04.2026 kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa, dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë asgjësuar rreth 300 bimë kanabis sativa të kultivuara në laborator.

    Lidhur me këtë çështje penale, i pandehuri M.M., në bashkëkryerje me I.M., pa autorizim, kanë kultivuar bimët me qëllim prodhimin e sasisë së madhe të narkotikëve dhe përgatitjen e tyre për shitje.

    “Gjatë kontrollit, janë sekuestruar mbi 700 vazo për kultivimin e bimëve narkotike, pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim të bimëve (motora, trafo, klimë, lidhëse dhe termostat); thasë me dhe, bidona me preparate për rritjen e bimëve, dhe libra/udhëzues për kultivimin e kanabis sativa, gjethe dhe bimë të dyshuara narkotike me peshë mbi 90 gram; substanca narkotike 1.19 gram marihuanë dhe 0.41 gram kokainë, pajisje shtesë laboratorike, përfshirë pompë spërkatjeje, matës të lagështisë dhe temperaturës, dhe mbushës radiolidhjeje, një pistoletë, 29 fishekë, një veturë ‘Hundai pa targa, dhe një furgon që kanë shërbyer për transportin e narkotikëve dhe të pajisjeve për kultivimin e tyre, si dhe prova të tjera materiale”, thuhet në njoftim.

    Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Të pandehurit, gjendet në ndalim 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. /Telegrafi/

  • Raporti i ‘Gallup’: Kosova, përkrahësja më e madhe e ShBA-së – kundërshtarja më e ashpër e Kinës

    Raporti i ‘Gallup’: Kosova, përkrahësja më e madhe e ShBA-së – kundërshtarja më e ashpër e Kinës

    Kosova është mbështetësja më e madhe e udhëheqjes së ShBA-së, sipas matjeve të fundit nga “Gallup”.

    Në të njëjtën kohë, matjet tregojnë se vendi ynë është edhe kundërshtari më i madh i politikës së Kinës.

    “Krahasimi i miratimit neto në nivel shtetëror tregon se cilat vende anojnë drejt njërës fuqi apo tjetrës në aspektin e opinionit publik. Vendet dhe territoret më të rreshtuara me Shtetet e Bashkuara – ato që kanë një miratim të fortë neto për ShBA-në, që përafërsisht pasqyron mosmiratimin e tyre neto ndaj Kinës – shtrihen në disa rajone dhe përfshijnë Kosovën, Shqipërinë, Izraelin, Poloninë dhe Filipinet”, thuhet mes tjerash në publikimin e “Gallup”, raporton Klankosova.

    Sipas të dhënave, Kosova është në vend të parë për sa i përket miratimit të politikave amerikane, me 64 pikë, kurse në të njëjtën kohë, është edhe kundërshtarja më e fortë e politikave të Republikës Popullore të Kinës, me -68 pikë.

    Pas Kosovës, si mbështetësja e dytë ndaj ShBA-së del të jetë Izraeli me 57 pikë, Polonia me 47, Shqipëria me 40 dhe Filipinet me 36.

    Edhe për sa i përket mos-miratimit të politikave të Kinës, renditja është pothuajse e njëjtë, me Poloninë që renditet pak më poshtë se Kosova, me -63 pikë, Izraeli me -59 pikë, Shqipëria -44 dhe Filipinet me -42.

    Ndërkaq, vendet që miratojnë më së shumti politikat e shtetit të Kinës janë Rusia, Pakistani, Tunizia, Singapori dhe Hong Kongu, shifra që tregojnë po ashtu se të njëjtat kanë edhe negativitet të thellë ndaj ShBA-së.

    Sipas “Gallup”, ndonëse asnjëri vend nuk gëzon mbështetje të gjerë, Kina i tejkaloi Shtetet e Bashkuara në vlerësimet globale të miratimit në vitin 2025, me një mesatare prej 36% që miratojnë udhëheqjen e Kinës, krahasuar me 31% për ShBA-në.

    Gati gjysma e të gjitha vendeve kanë një qëndrim negativ ndaj të dy fuqive

    Gati gjysma e të gjitha vendeve të anketuara vitin e kaluar (45%) dhanë vlerësime negative të miratimit neto për të dyja fuqitë, që do të thotë se më shumë njerëz i kundërshtuan sesa i mbështetën secilën prej tyre.

    Më pak se një në tre vende (29%) dhanë vlerësime pozitive të miratimit neto për të dyja. Përveç vitit 2020, kur u anketuan më pak vende për shkak të pandemisë, kjo është periudha kur bota ka pasur qëndrimin më negativ ndaj të dy fuqive në dy dekadat e fundit.

    Rezultatet më të fundit bazohen në sondazhet e “Gallup” të zhvilluara në vitin 2025 në më shumë se 130 vende; ato në mënyrë të veçantë i paraprijnë disa zhvillimeve të mëdha në fillim të vitit 2026, përfshirë tërheqjen e ShBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare në janar dhe shpërthimin e luftës me Iranin në fund të shkurtit

  • “Do të përfundojmë me një vend të rrënuar”, iranianët reagojnë ndaj goditjes së urës

    “Do të përfundojmë me një vend të rrënuar”, iranianët reagojnë ndaj goditjes së urës

    Në një kohë kur Irani ndodhet nën breshërinë e sulmeve izraelito-amerikane, komunikimi me botën jashtë është pothuajse i pamundur. Mes ndërprerjes totale të internetit dhe kërcënimit me burg, banorët po përdorin rrugë ilegale për të treguar dëshpërimin e tyre.

    Dëshmitë e mbledhura së fundmi nga mediat ndërkombëtare vizatojnë një tablo të zymtë të një popullsie që ndjehet e bllokuar mes dy zjarreve, një establishmenti që nuk e duan dhe bombave që po shkatërrojnë infrastrukturën e vendit të tyre.

    Shkatërrimi i urës në Karaj ka qenë pika e kthesës për shumë banorë, duke ngjallur frikë se lufta nuk po synon vetëm objektivat ushtarake. Një vajzë rreth të 20-ave nga Teherani, përmes një mesazhi zanor ku dëgjoheshin lotët, shprehu pafuqinë e saj:

    “Ndjehem e pafuqishme. [Trump] publikon pa asnjë turp për sulmin ndaj urës sonë. Nuk e di deri ku do të shkojë kjo situatë. Pse askush nuk po i kundërvihet? Ai po na kthejnë vërtet në Epokën e Gurit,” u shpreh ajo, duke reflektuar frikën e një brezi që po sheh të ardhmen t’i shkatërrohet para syve.

    Pavarësisht qëndrimit kritik ndaj regjimit aktual, banorët po përjetojnë një dhimbje të thellë për shkatërrimin fizik të atdheut të tyre. Një tjetër i ri nga kryeqyteti tregon ndjesinë e pashpresës:

    “Ndihem i zhgënjyer dhe i trishtuar që jam në mes të një situate ku shoh Iranin të shkatërrohet dhe nuk mund të bëj asgjë. Do të përfundojmë me një vend të shkatërruar.”

    Interesant është fakti se edhe ata që parimisht kanë mbështetur ndërhyrjen e huaj si mjet për ndryshim, kanë filluar të lëkunden pas goditjeve në infrastrukturën civile.

  • Ia dëmtuan veturën dhe e sulmuan fizikisht, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Ia dëmtuan veturën dhe e sulmuan fizikisht, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur një rast të sulmit në Prishtinë, ku një person ka raportuar se përveç që i është dëmtuar vetura, është sulmuar edhe fizikisht.

    Rasti ka ndodhur të enjten, në ora 09:00.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se i ka dëmtuar edhe veturën”, thuhet në raport.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

  • Mbyllet afati, 140 zyrtarë nuk e deklarojnë pasurinë – APK paralajmëron 30% gjobë nga paga

    Mbyllet afati, 140 zyrtarë nuk e deklarojnë pasurinë – APK paralajmëron 30% gjobë nga paga

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se mbi 10 mijë e 200 zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda afatit ligjor për vitin kalendarik 2025, ndërsa rreth 140 të tjerë nuk e kanë përmbushur këtë obligim.

    Në një përgjigje për Telegrafin, Agjencia theksoi se procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 është zhvilluar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore, duke filluar më 1 mars 2026 dhe përmbyllur më 31 mars 2026.

    Megjithatë, jo të gjithë e kanë respektuar afatin. Sipas Agjencisë, “bazuar në të dhënat më të fundit të njësive përkatëse të nxjerra nga sistemi më 1 prill, rezultojnë rreth 140 zyrtarë që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarim të pasurisë deri në përmbylljen e afatit më 31 mars 2026”.

    APK shton se këto të dhëna janë ende preliminare dhe mund të ndryshojnë pas përfundimit të verifikimit.

    Agjencia tutje ka bërë të ditur se nuk parashihet shtyrje e afatit për deklarim.

    “Korniza ligjore që rregullon procesin e deklarimit të pasurisë nuk parasheh afat shtesë për përmbushjen e këtij obligimi pa pasoja juridike, ndërsa afati përfundimtar ka qenë 31 marsi”, thuhet në përgjigje.

    Sa i përket masave ndëshkuese, APK theksoi se në përputhje me kompetencat e saj ligjore, tashmë ka filluar ndërmarrjen e veprimeve përkatëse ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin në afat, duke përfshirë inicimin e procedurave për shqiptimin e gjobave.

    “Gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore aplikohet për të gjithë zyrtarët që nuk kanë respektuar afatin ligjor”, ka njoftuar APK.

    Në rast se obligimi nuk përmbushet as pas masave administrative, paralajmërohen edhe pasoja më të rënda.

    “Në rastet kur obligimi nuk përmbushet edhe pas 15 ditësh dhe pas shqiptimit të masave administrative siç është gjoba, Agjencia procedon me hapat e mëtejmë ligjorë, përfshirë përgatitjen e kallëzimeve penale për organet kompetente, ndërsa kjo mund të rezultojë me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin” thuhet në përgjigje.

    Agjencia shtoi se çdo rast trajtohet në përputhje me dispozitat ligjore dhe, nëse ka bazë të mjaftueshme, procedohet me kallëzime penale, si dhe njoftohen institucionet relevante si Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

  • Nis lëshimi i vërtetimeve për xhamat e errësuar në automjete: Ja sa kushton procedura

    Nis lëshimi i vërtetimeve për xhamat e errësuar në automjete: Ja sa kushton procedura

    Në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK) tashmë ka nisur të lëshohen vërtetimet për modifikimet në xhamat e veturave, sipas procedurës së A-TEST-it.

    Procedura, e cila rregullon me dokumentacion errësimin e xhamave të pasëm në automjete, hyri në fuqi dy ditë më parë më 1 prill.

    Para se të hynte në fuqi kjo rregullore, vendosja e xhamave të zinj në automjete të cilat nuk kishin xhama të errësuar fabrikisht nga prodhuesi, sanksionohej me gjobë bazuar në Ligjin për Kundërvajtje.

    Vërtetimi i përputhshmërisë së xhamave me standardet e lejuara, i cili ka nisur të zhvillohet në QAK, kushton 80 euro.

    Një shofer ka publikuar të enjten një vërtetim të modifikimit të xhamave në automjetin e tij.

    Para vitit 2024, vendosja e folieve të zeza në vetura, të cilat humbin dukshmërinë brenda automjeteve, nuk ishte e lejuar me ligj.

    Ndalimi bazohej në një akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Në këtë akt nënligjor thuhej se vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim në xhamat e automjetit është e ndaluar, përveç në mjetet institucioneve shtetërore, të cilat përcaktohen me vendim të Ministrisë së Brendshme.

    Me Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor që hyri në fuqi më 2024, errësimi i xhamave në automjet cilësohej si “vendosje e pjesëve shtesë në automjet” dhe sanksionohej për kundërvajtje me gjobë prej 40 euro.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, ZRRE dhe Vetëvendosje nuk ishin prezent

    Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, ZRRE dhe Vetëvendosje nuk ishin prezent

    Komisioni për Ekonomi nuk ka mbajtur mbledhjen e paralajmëruar për sot në të cilën është parapararë të raportojë Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja.

    Kjo pasi që as përfaqësues të ZRRE-së, e po ashtu as anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishin prezentë.

  • Tri raste të kalimit ilegal të kufirit brenda një dite në Kosovë

    Tri raste të kalimit ilegal të kufirit brenda një dite në Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të ndryshme të kalimit ilegal të kufirit vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

    Sipas raportit 24-orësh, rasti i parë ka ndodhur me një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i dyti me një shtetas të Turqisë, ndërsa i treti me një shtetas kosovar.

    Në të tri rastet, të dyshuarit janë shoqëruar në polici dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Hani i Elezit/ 02.04.2026 – 13:25. Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë Veri, nën dyshimin se ka kaluar ilegalisht kufirin R. Maqedoni Veri për në R. Kosovë. Me vendim të prokurorit i dyshuari, është liruar në procedurë të rregullt.

    Hani i Elezit / 02.04.2026 – 13:40.Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Turqisë nën dyshimin se ka kaluar ilegalisht kufirin R. Maqedoni Veri për në R. Kosovë. Me vendim të prokurorit i dyshuari, është liruar në procedurë të rregullt.

    Fsh. Bube, Zubin Potok / 02.04.2026 – 20:45.Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që me veturë dyshohet se kishte kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia për në R. Kosovës. Në veturën e të dyshuarit janë gjetur edhe mallra të ndryshme pa dokumente përkatëse. Me vendim të prokurorit, vetura me mallra është dërguar në terminal doganor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Çmime rekord të karburantit në Gjermani, një litër naftë në disa pompa arrin deri në tri euro

    Çmime rekord të karburantit në Gjermani, një litër naftë në disa pompa arrin deri në tri euro

    Pavarësisht masave të qeverisë gjermane për të parandaluar rritjen e çmimeve të karburantit , disa derivate të tilla si nafta arritën çmime rekord historik të enjten përpara festave të Pashkëve.

    Çmimi mesatar i një litri naftë në stacionet e benzinës në Gjermani u rrit në një rekord prej 2.32 eurosh të enjten, dhe në disa vende madje edhe 3 euro, njoftoi Klubi Gjerman i Automobilave (ADAC). I gjithë super çmimi është gjithashtu më i larti ndonjëherë me 2.19 euro.

    Kjo tejkaloi rekordin e vendosur në mars të vitit 2022, kur çmimet u rritën për shkak të luftës në Ukrainë.

    Rritja rekord e çmimeve ndodhi vetëm një ditë pasi hynë në fuqi masat kundër rritjes së pakontrolluar të çmimeve të produkteve të naftës. Që nga 1 prilli, stacionet e benzinës lejohen të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, në mesditë.

    ADAC kritikoi rritjen e çmimeve, duke pasur parasysh se çmimet e naftës bruto ranë në gjysmën e parë të javës. “Frika se kompanitë e naftës, të cilave tani u lejohet të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, do ta bënin këtë në mënyrë drastike për të mbrojtur veten, ka rezultuar e justifikuar”, tha ADAC. Rritja e fundit e çmimeve ka rritur presionin mbi qeverinë gjermane, e cila është kritikuar për reagimin e saj të dobët ndaj shokut të naftës.

    Aktualisht, po diskutohet mundësia e futjes së lehtësirave shtesë tatimore për udhëtimet me makinë, si dhe ulja e taksave mbi produktet energjetike, siç është rasti me disa vende të tjera të BE-së.

    Pak ditë më parë, Polonia njoftoi se do të “monitoronte” dhe nëse do të ishte e nevojshme të reagonte ndaj fenomenit në stacionet e benzinës në zonën kufitare me Gjermaninë, ku ka pasur mungesa ditët e fundit për shkak të mbërritjes masive të shoferëve gjermanë në Poloni, ku karburanti është shumë më i lirë.

    Ministri gjerman i Financave dhe zëvendëskancelari Lars Klingbeil (Partia Socialdemokrate e Gjermanisë SPD) u dërgoi një letër disa ministrive të enjten duke kërkuar masa urgjente për të parandaluar rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin.