ATV

Category: Lajme

  • Reagon PDK: Kjo është situata që po ndodhë në Kuvend

    Reagon PDK: Kjo është situata që po ndodhë në Kuvend

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me një komunikatë për situatën aktuale në Kuvend. DK ka treguar tre pika kryesore me anë të së cilës tregon anën juridike të punës së Kuvendit.

    “Për ta sqaruar thjesht për qytetarët se çfarë po ndodh me Kuvendin:

    Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.
    Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet.
    Rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
    Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh.
    Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin.
    Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës.
    PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet” thuhet në reagimin e PDK-së.

  • Inspektorati në Ferizaj shqipton gjoba për hedhjen e mbeturinave në vende të paautorizuara

    Inspektorati në Ferizaj shqipton gjoba për hedhjen e mbeturinave në vende të paautorizuara

    Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka vazhduar aksionet ndaj personave që hedhin mbeturina në vende të papërcaktuara, duke shqiptuar gjoba të tjera për ndotjen e hapësirave publike.

    Sipas kryeinspektorit, Feriz Hyseni, masat janë ndërmarrë pas evidentimit të rasteve të hedhjes së mbeturinave në rrugët “12 Qershori”, “Bilall Shala” dhe “Imri Halili”.

    “Gjobat janë shqiptuar në rrugët ‘12 Qershori’, ‘Bilall Shala’ dhe ‘Imri Halili’. Persona të ndryshëm kanë hedhur mbeturina në vende që nuk janë të përcaktuara për hedhjen e tyre. Pas marrjes së informacionit, Inspektorati Komunal ka ndërmarrë masat përkatëse dhe ka shqiptuar gjoba ndaj personave përgjegjës”, ka deklaruar Hyseni.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Inspektoratin Komunal dhe të raportojnë rastet e hedhjes së mbeturinave në vende të papërcaktuara.

    Hyseni ka theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e ambientit në qytetin e Ferizajt.

  • “Kjo është diplomaci”, Kearns shpërndan reagimin e Ramës për Vuçiqin

    “Kjo është diplomaci”, Kearns shpërndan reagimin e Ramës për Vuçiqin

    Një reagim i kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër ka marrë vëmendjen e deputetes britanike Alicia Kearns.

    Kearns e ka shpërndarë në platformën X postimin e Ramës, duke e shoqëruar me një koment të shkurtër: “This is diplomacy” në shqip “Kjo është diplomaci”.

    Reagimi i deputetes britanike vjen në një kohë kur deklaratat e Vuçiqit për lumin Ibër kanë rikthyer në vëmendje çështjen e furnizimit me ujë të Kosovës dhe ndikimin që mund të ketë një ndërhyrje në rrjedhën e lumit.

    Presidenti serb ka deklaruar se Beogradi po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, një ide që është diskutuar edhe më herët në Serbi. Një ndërhyrje e tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sistemin ujor të Kosovës, përfshirë zonën e liqenit të Ujmanit.

    Në këtë kontekst, Kearns ka vlerësuar publikisht qasjen e Ramës, duke e cilësuar atë si shembull të diplomacisë.

    Deputetja britanike ka qenë prej vitesh një zë i angazhuar për zhvillimet në Kosovë dhe për politikën e Serbisë në rajon. Ajo ka kritikuar në vazhdimësi qasjen e Beogradit ndaj Kosovës dhe ka kërkuar një angazhim më të madh të vendeve perëndimore në Ballkan.

    Ndërkohë, debati për të ardhmen e Ibrit mbetet i ndjeshëm, pasi lumi dhe infrastruktura ujore e lidhur me të kanë rëndësi strategjike për furnizimin me ujë dhe funksionimin e disa prej sistemeve kryesore në Kosovë. Ekspertët kanë paralajmëruar më herët se ndryshimi i rrjedhës së lumit do të ngrinte edhe çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe konventave për ujërat ndërkufitare.

  • Supremja refuzon kërkesën e VV-së për pezullimin e çmimit të ri të biletave në Prishtinë

    Supremja refuzon kërkesën e VV-së për pezullimin e çmimit të ri të biletave në Prishtinë

    Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vendosjen e masës së përkohshme ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për çmimoren e re të biletave të trafikut urban.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në Facebook, ku ka reaguar ashpër ndaj anëtarëve të VV-së në Prishtinë, duke i quajtur ata “të padijshëm e dashakëqij”.

    “Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar Rama.

    Në aktvendim ndër të tjera thuhet se, gjykata ka vlerësuar se pretendimet e paditësve-propozuesve për vendimin e kontestuar nuk përmbajnë argumente ligjore për shqyrtim gjatë fazës së masës së sigurimit, ndërsa ka konstatuar se vendosja lidhur me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nuk përbën vendosje përfundimtare mbi konfliktin administrativ.

    Ndryshe, Vetëvendosje në Prishtinë kishte parashtruar padi në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik në kryeqytet.

    Sipas pretendimeve të kësaj partie, kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për të përcaktuar çmimin e biletave të transportit publik.

    Për këtë arsye, asambleistët e Vetëvendosjes kishin kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme ndaj vendimit.

  • Administrata Trump anulon më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj

    Administrata Trump anulon më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se administrata e Presidentit Donald Trump ka revokuar më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj, si pjesë e një shtrëngimi të politikës së imigracionit dhe kontrolleve të hyrjes në Shtetet e Bashkuara.

    Departamenti i Shtetit deklaroi se vizat u revokuan nga persona që, sipas vlerësimit të autoriteteve amerikane, shkelën kushtet e vizave të tyre, kryen krime, nxitën dhunë kundër qytetarëve amerikanë, kryen mashtrime, abuzuan me sistemin amerikan të imigracionit ose përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare, shkruan BBC.

    Shumica e vizave, siç u njoftua, u revokuan pasi mbajtësit e tyre kontaktuan zbatimin e ligjit, dhe ndër arsyet më të zakonshme ishin sulmi fizik, drejtimi i makinës në gjendje të dehur, vjedhja dhe krimet e lidhura me drogën.

    Departamenti i Shtetit përmendi si shembuj njerëz të akuzuar për përdhunim dhe sulm seksual, rrëmbim dhe trafikim njerëzor, si dhe një person që përballet me më shumë se një duzinë akuzash për posedim të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.

    Një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut ka revokuar gjithashtu më shumë se 100 viza për prindërit që dyshohet se erdhën në SHBA kryesisht për të lindur atje dhe në këtë mënyrë për t’u mundësuar atyre të fitojnë shtetësinë amerikane, një praktikë që autoritetet amerikane e quajnë turizëm lindjeje.

    Departamenti i Shtetit gjithashtu revokoi vizat për një numër të huajsh që kishin lavdëruar ose festuar vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në mediat sociale, sipas Departamentit të Shtetit.

    Departamenti i Shtetit tha në janar se më shumë se 100,000 viza ishin revokue që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, një numër rekord në atë kohë. Të dhënat e reja tregojnë se politika ka vazhduar me një ritëm të përshpejtuar.

  • Ngërçi politik, Sadiku: Kjo është kapja më e madhe e shtetit, Kurti ka me u përgjigj për këtë

    Ngërçi politik, Sadiku: Kjo është kapja më e madhe e shtetit, Kurti ka me u përgjigj për këtë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me situatën politike, duke e cilësuar të njëjtën si ‘’kapja më e madhe e shtetit që ka ndodhur në historinë e Kosovës së pasluftës’’.

    Sadiku, ka deklaruar edhe se, si deputetë ‘’nuk po lejohen’’ të punojnë, dhe se për këtë do të ‘’përgjigjet’’ Kurti.

    Postimi:

    Certifikimi i zgjedhjeve është kryer më 8 korrik. Ne që jemi zgjedhur deputetë me votën e popullit, nuk po lejohemi të punojmë. Nuk po lejohemi të merremi me ligje, komisione, zhvillim dhe problemet reale të qytetarëve.

    Ndërkohë, Kurti vazhdon të jetë kryeministër, por pa Kuvend funksional, pa kontroll parlamentar dhe pa llogaridhënie.

    Kjo është kapja më e madhe e shtetit që ka ndodhur në historinë e Kosovës së pasluftës.

    Kurti ka me u përgjigj për këtë.

  • Bashar al-Assad dënohet me vdekje, gjykata e shpall fajtor për krime të rënda

    Bashar al-Assad dënohet me vdekje, gjykata e shpall fajtor për krime të rënda

    Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, është dënuar me vdekje në mungesë nga një gjykatë siriane, nën akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

    Assad u largua nga Damasku dhe u arratis drejt Moskës në dhjetor të vitit 2024, pasi regjimi i tij u rrëzua pas një ofensive të shpejtë nga forcat kundër regjimit, raporton Sky News.

    Vendimi i gjykatës, i dhënë të martën, përfshin edhe vëllain e tij, Maher al-Assad, ndërsa në të njëjtin proces me vdekje është dënuar edhe kushëriri i tyre, Atef Najib, i cili ndodhet i arrestuar në Siri.

    Najib u akuzua për drejtimin e shtypjes së protestave në provincën jugore të Daraas në vitin 2011, ku adoleshentë u arrestuan dhe u torturuan pasi kishin shkruar grafite kundër regjimit.

    Ngjarja në Daraa u shndërrua në një kryengritje masive kundër regjimit të Assadit dhe më pas në luftën civile siriane, e cila vazhdoi deri në rrëzimin e qeverisë së tij.

  • IKShPK apelon për kujdes nga malaria: Mbrohuni nga pickimet e mushkonjave  11.08.2026 11:09

    IKShPK apelon për kujdes nga malaria: Mbrohuni nga pickimet e mushkonjave 11.08.2026 11:09

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes ndaj malaries, veçanërisht për qytetarët që udhëtojnë në zona ku ekziston rreziku nga kjo sëmundje.

    IKShPK-ja iu ka bërë apel qytetarëve që të informohen paraprakisht për rrezikun para udhëtimit dhe të marrin masa për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave.

    Instituti këshillon që personat që kanë qëndruar në zona me rrezik për malarie të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse pas kthimit shfaqin simptoma si temperaturë, dhimbje koke, lodhje dhe dobësi, të përziera apo vjellje.

    IKShPK thekson rëndësinë e informimit, parandalimit dhe reagimit me kohë për një shëndet më të sigurt.

  • Gjuriq vazhdon debatin me Ramën e Hoxhën: Ibri s’kalon nëpër Shqipëri, shqetësimet të trajtohen nga palët e drejtpërdrejta

    Gjuriq vazhdon debatin me Ramën e Hoxhën: Ibri s’kalon nëpër Shqipëri, shqetësimet të trajtohen nga palët e drejtpërdrejta

    Ministër i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka vazhduar debatin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe, kryediplomatin shqiptar, Ferit Hoxhën, lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

    Gjuriq, në postimin e tij, drejtuar Ramës, ka shkruar se, Ibri, buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë e Kosovës, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi, dhe se, ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.

    Ministri i Jashtëm serb, ka thënë edhe se, shqetësimet mbi këtë çështje duhet të trajtohen nga palët drejtpërdrejt përmes mekanizmave të përcaktuar, dhe, siç ka shtuar ai, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë pjesë e shteteve breglumore.

    Postimi:

    Një përpjekje e stërholluar verore për ta ndryshuar temën.

    Në fakt, po diskutojmë për lumin Ibër për një arsye të vetme: qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për të shembur shtëpi të serbëve, pa respektuar procedurat e duhura ligjore, përgjatë brigjeve të liqenit të Gazivodës dhe Ibrit, duke i privuar njerëzit nga prona, qasja dhe mjetet e tyre të jetesës përmes veprimeve që janë qartazi diskriminuese mbi baza etnike.

    Ky është realiteti konkret. Gjithçka tjetër është dytësore.

    Kryeministri @ediramaal ka shkruar një tekst të gjatë dhe elegant për gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane. Ajo që ai ka zgjedhur të mos trajtojë është shkatërrimi sistematik i pronës së serbëve që po ndodh pikërisht tani.

    Meqë është përmendur gjeografia: Ibri buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë, përfshirë Kosovën, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi. Ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.

    Ibri është një rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është shtet breglumor i tij. E drejta ndërkombëtare e ujërave nuk u jep të drejtë shteteve breglumore për të ndërhyrë mbi bazën e afërsisë etnike. Çdo shqetësim legjitim duhet të trajtohet nga palët drejtpërdrejt të interesuara, përmes mekanizmave të përcaktuar dhe mbi bazën e fakteve, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë pjesë e shteteve breglumore.

    Qëndrimi i Serbisë për Kosovën nuk është folklor. Ai bazohet në Kushtetutën tonë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria mund të mos pajtohet, por nuk mund ta shpallë në mënyrë të njëanshme çështjen të zgjidhur.

    E mirëpres njohjen nga Kryeministri Rama se të drejtat dhe siguria e komunitetit serb kanë rëndësi. Tani presim që kjo njohje të shoqërohet me mbështetje praktike – duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund shembjes së shtëpive të serbëve dhe veprimeve të ngjashme nga qeveria e Kurtit, si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një detyrim që ende nuk është përmbushur.

    Më lejoni t’i sugjeroj me respekt Kryeministrit Rama dhe Ministres @HoxhaFer që, ndonëse interesante, ta lëmë pas diplomacinë përmes altoparlantëve. Dyert dhe linjat tona telefonike mbeten të hapura. Njerëzit tanë meritojnë seriozisht më pak shkëmbime deklaratash dhe më shumë shembuj konkretë se çfarë mund të arrijnë së bashku serbët dhe shqiptarët.

    P.S. Ky i gjithë shkëmbim deklaratash nuk është aspak befasues. Le t’i befasojmë të gjithë në mënyrë pozitive duke gjetur më shumë mënyra për të punuar përtej dallimeve tona.

  • Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për dhjetëra aksidente

    Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për dhjetëra aksidente

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj ka njoftuar se gjatë ditës së fundit, janë shqiptuar 2403 gjoba trafiku.

    Në njoftim shtohet edhe se, gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 70 aksidente me dëme materiale, dhe, 35 të lënduar.

    Po ashtu, PK shton se janë arrestuar 19 persona, ku, 15 janë dërguar në mbajtje.