ATV

Category: Lajme

  • Kurti i çon ftesë edhe PDK-së për takim rreth çështjes së presidentit

    Kurti i çon ftesë edhe PDK-së për takim rreth çështjes së presidentit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur takim me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

    Ndërkohë, Tëvë1 mëson se ftesë për takim KM i ka dërguar edhe PDK-së, por sipas informacioneve nga kjo parti presin të mbajnë Këshillin Drejtues para çfarëdo vendimi në këtë drejtim.

    Vetëm deri më 28 prill, partitë politike kanë kohë për të zgjedhur presidentin e ri. Ky afat është caktuar nga Gjykata Kushtetuese, në një veprim të kundërt, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.

    Pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit tashmë e ka Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

  • Nis protesta e studentëve në Shkup, kërkohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip

    Nis protesta e studentëve në Shkup, kërkohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip

    Në Shkup ka nisur protesta e studentëve, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

    Sipas mediave shqiptare, protesta ka nisur në hyrje të Urës së Gurit dhe do të vazhdojë deri para Ministrisë së Drejtësisë.

    Studentët kanë vendosur pankarta në qendër të Shkupit, me mbishkrime për të drejtat e tyre.

    “Ligji në letër, diskriminim në praktikë”, shkruhet në një njërën prej pankartave, teksa një numër i madh kanë marrë pjesë.

    Ky provim i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse shqipja ka ligjërisht status zyrtar.

    Argumenti i studentëve është se kjo situatë krijon një pengesë për ta dhe shumë pabarazi, pasi kufizon mundësitë e tyre profesionale dhe ndikon drejtpërdrejtë në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit fqinj.

    Kërkesat e tyre janë që provimi të zhvillohet plotësisht në shqip, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët dhe zbatim real të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj.

  • Arrestohet dhe ndalohet polici në Pejë, dyshohet se rrahu gruan e tij

    Arrestohet dhe ndalohet polici në Pejë, dyshohet se rrahu gruan e tij

    Inspektorati Policor i Kosovës, ka arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.

    Sipas njoftimit zyrtar, IPK-ja ka pranuar mbrëmjen e kaluar informacione se një zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij në Pejë.

    “Menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë reaguar duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke intervistuar viktimën. Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, rasti është konsultuar me prokurorin kompetent, i cili ka vendosur masën e ndalimit për 48 orë ndaj zyrtarit policor të dyshuar. Në kuadër të procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga detyra”, shkruan në njoftim.

    IPK ka bërë të ditur se hetuesit, në koordinim të plotë me Prokurorinë, do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast.

  • Teherani thotë se plani amerikan me 15 pika është i pazakontë dhe paarsyeshëm

    Teherani thotë se plani amerikan me 15 pika është i pazakontë dhe paarsyeshëm

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se Teherani i ka finalizuar kërkesat e tij mes propozimeve të fundit për t’i dhënë fund luftës – por do t’i bëjë publike vetëm kur të jetë e përshtatshme.

    Zëdhënësi Esmail Baghaei theksoi se Irani nuk do t’i nënshtrohet presionit, raportoi agjencia e lajmeve IRNA.

    “Disa ditë më parë, ata paraqitën propozime përmes ndërmjetësve, dhe plani amerikan me 15 pika u përcoll përmes Pakistanit dhe disa vendeve të tjera mike,” tha ai.

    Ai shtoi se “propozime të tilla janë njëkohësisht jashtëzakonisht ambicioze, të pazakonta dhe të paarsyeshme.”

    Baghaei theksoi se Irani ka kuadrin e vet. “Bazuar në interesat tona dhe në vlerësimet tona, ne kemi hartuar një grup kërkesash që i kemi pasur dhe i kemi ende,” shtoi ai.

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme hodhi poshtë idenë se angazhimi me ndërmjetësit është shenjë dobësie.

    “Fakti që Republika Islamike e Iranit i paraqet pikëpamjet e saj shumë shpejt dhe me guxim në përgjigje të një plani nuk duhet të konsiderohet si shenjë dorëzimi ndaj armikut.”

    “Që nga momenti kur kjo çështje u ngrit, ne kemi formuluar përgjigjet tona. Kurdo që të jetë e nevojshme, do t’ju informojmë qartë.”

  • Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, kryediplomati shqiptar: Kërkesa është e drejtë, të adresohet me seriozitet institucional

    Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, kryediplomati shqiptar: Kërkesa është e drejtë, të adresohet me seriozitet institucional

    Studentët shqiptarë do të protestojnë sot në Shkup. Ata ankohen se përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar për ta me Kushtetutë dhe ligj në Maqedoninë e Veriut.

    Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se protesta dhe kërkesa e studentëve është “e drejtë dhe legjitime”.

    “E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në #gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës #amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga #Kushtetuta e #Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e #Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme”, shkroi ai në X.

    Hoxha tha se “kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për #politizim”. Kjo çështje, ai tha se “duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore”.

    “#Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. #Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard #përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, shkroi ai.

  • Ish-këshilltari i Obamës: Do të shihet nëse ushtria amerikane është e gatshme t’i thotë “jo” Trumpit

    Ish-këshilltari i Obamës: Do të shihet nëse ushtria amerikane është e gatshme t’i thotë “jo” Trumpit

    Ish-zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së gjatë presidencës së Barack Obama, Ben Rhodes, ka kritikuar ashpër qasjen e Donald Trump ndaj luftës me Iranin, duke paralajmëruar për rreziqe serioze në vendimmarrje.

    Në një intervistë për BBC, Rhodes deklaroi se mënyra si po vepron Trump “ngjan gjithnjë e më shumë me një njeri që merr vendime i vetëm në një dhomë”, pa u mbështetur te këshilltarët politikë dhe ushtarakë apo te procedurat standarde.

    Ai shkoi më tej duke akuzuar presidentin amerikan se po kërcënon me veprime që mund të përbëjnë krime lufte, pas paralajmërimeve të fundit për goditje ndaj infrastrukturës civile të Iranit.

    “Do të shohim nëse ushtria amerikane është e gatshme t’i thotë ‘jo’ Trump-it”, u shpreh Rhodes.

    Sipas tij, presidenti amerikan duhet të pranojë se ky konflikt mund të marrë fund vetëm përmes negociatave.

    Rhodes theksoi gjithashtu se, megjithëse Irani është dobësuar nga sulmet e fundit, në një farë mënyre ai ka fituar avantazh strategjik, duke demonstruar përmes kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, ndikimin e madh që mund të ushtrojë mbi ekonominë globale.

  • Haradinaj përkujton 27-vjetorin e rënies së Sadri Zenelit dhe bashkëluftëtarëve në Jabllanicë

    Haradinaj përkujton 27-vjetorin e rënies së Sadri Zenelit dhe bashkëluftëtarëve në Jabllanicë

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies së Sadri Zenelit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

    Në postimin e tij në Facebook, ai theksoi se Jabllanica e Gjakovës i dha luftës luftëtarë të zotë dhe me ideale të mëdha, të cilët ndikuan në rrjedhën e shumë betejave për liri.

    “Jabllanica e Gjakovës i dha luftës çlirimtare luftëtarë të zotë, burra me ideale të mëdha, që i dhanë kahje fatit të shumë betejave për liri. Njëri ndër ta ishte bashkëluftëtari Sadri Zeneli, të cilin sot e përkujtojmë në 27-vjetorin e përjetësimit të tij. Sadriu ishte më shumë se një luftëtar. Ishte mësues, prijës popullor dhe nismëtar i hershëm i rezistencës kundër armikut.

    “Në këtë përvjetor kujtojmë gjithashtu bashkëluftëtarët: Ali Rama, Ramë Mehmeti, Islam Ademaj, Lan Rexhaj, Bajrush Mehmeti, Arben Mehmeti dhe Fitim Rexha, të cilët me heroizmin e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë!”, shkroi i pari i AAK-së.

  • E rëndë: Burri 47-vjeçar dyshohet se vrau ish-gruan në Austri

    E rëndë: Burri 47-vjeçar dyshohet se vrau ish-gruan në Austri

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në Austri.

    Një grua 38-vjeçare dyshohet se u vra me dhunë të dielën në mbrëmje nga ish-bashkëshorti i saj në Sooß, Austri e Poshtme.

    Burri i saj 47-vjeçar, nga i cili ishte e ndarë, dyshohet për krimin dhe është në paraburgim. Trupi i gruas u gjet në kopsht të shtëpisë me plagë nga thika dhe armë zjarri, ndërsa një pistoletë 9 mm është gjetur si mundësi armë vrasjeje.

    Sipas mediave austriake, motivi i vrasjes mbetet ende i paqartë. Autopsia është urdhëruar për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

  • Shtatë raste të dhunës në familje brenda një dite

    Shtatë raste të dhunës në familje brenda një dite

    Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje gjatë 24- orëve të fundit në Obiliq, Prishtinë, Pejë, e Gjakovë ku në disa prej tyre ka pasur të lënduar.

    · Obiliq 05.04.2026-08:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, ai pas një mosmarveshjeje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimënf/k. Palët janë shoqëruar në stacionin policor. Ata kanë pranuar trajtim mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

    · Prishtinë 05.04.2026-02:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje viktima f/k është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari m/k. Palët janë shoqëruar në stacionin policor dhe ata kanë pranuar trajtim mjekësor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

    · Prishtinë 05.04.2026-23:15. Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ankuesje f/k është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj i dyshuari m/k. Pala ankuese është intervistuar. Rasti nën hetime.

    · Prishtinë 05.04.2026-23:10. Raportohet se pas një aksidenti në garazhin e banesës çifti bashkëshortor të dyshuarit kosovar kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin. Të dyshuarit kanë pranuar trajtim mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Pejë 05.04.2026-08:20. Dyshohet se i dyshuari m/k i kishte shkaktuar dhunë psikike dhe e kishte kanosur babanë e tij m/k. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

    DHUNË NË FAMILJE&LËNDIM I LEHTË TRUPOR

    Pejë 05.04.2026-12:50. Është raportuar se pas një mosmarrëveshjeje janë përleshur në mes vete dy të dyshuar një femër dhe një mashkull kosovar/e, burrë e grua. E dyshuara ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa ata janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Gjakovë 05.04.2026-22:00. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi ai kishte pasur diskutim me tone të larta me motrën e tij viktimën femër. Me urdhër të prokurorit është inicuar rasti i larcekur, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

  • Abdixhiku arrin në Kuvend: Të shohim tash, pas takimit deklarohemi

    Abdixhiku arrin në Kuvend: Të shohim tash, pas takimit deklarohemi

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka arritu në Kuvend për t’u takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

    Ky takim vjen pas paralajmërimeve të kryeministrit Kurti, për t’u takuar me lider të opozitës për çështjen e presidentit.Abdixhiku është pyetur se a pret të arrihet ndonjë konsensus, por ka shtuar se vetëm pas takimit do të deklarohet.“Të shohim tash, po shkojmë në takim. Pas takimit deklarohemi”, ka thënë shkurt Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

    Të shtunën ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani ia dorëzoi detyrën, Albulena Haxhiut.

    Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

    Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave.

    22 ditë afat për Presidentin, Kurti mbërrin në Kuvend për takimin me Abdixhikun