ATV

Category: Lajme

  • Deputetja e VV-së: Manxhuka dhe Azemi u dënuan vetëm pse reaguan për ngjarjet në veri

    Deputetja e VV-së: Manxhuka dhe Azemi u dënuan vetëm pse reaguan për ngjarjet në veri

    Deputetja e Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar një ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi dy zyrtarë të lartë të kësaj partie për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Në një status në Facebook, ajo e cilësoi vendimin si “cenim brutal të lirisë së shprehjes”, duke e lidhur atë me zhvillimet e mëhershme në veri të vendit pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja.

    Sipas Kryeziu-Hysenit, situata në veri ishte tensionuar që nga momenti kur përfaqësues të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishin shkuar për të vlerësuar kushtet në komisionet komunale zgjedhore. Ajo rikujtoi se gjatë kësaj vizite objekti i KKZ-së ishte sulmuar me armë dhe mjete shpërthyese, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të pranishëm.

    Deputetja përmendi edhe arrestimin e Dejan Pantiq për këtë rast dhe vendimin e mëvonshëm për masë të arrestit shtëpiak.

    “Për këto reagime, sot po dënohen aktivistët me arsyetimin se kanë nxitur përçarje dhe mosdurim. Kjo përbën cenim të rëndë të lirisë së shprehjes”, ka deklaruar ajo.

    Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë deputetin Egzon Azemi dhe zëdhënësin e Qeverisë Arlind Manxhuka, duke i dënuar secilin me nga një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Në të njëjtin rast, fajtorë janë shpallur edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj për veprën penale të kanosjes, të cilët janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Kushtrim Shyti, dënimet do të ekzekutohen brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Vendimi nuk është i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

  • I riu nga Kosova në listën e ‘Forbes’ për kërkime shkencore

    I riu nga Kosova në listën e ‘Forbes’ për kërkime shkencore

    Shkencëtari dhe sipërmarrësi shqiptar, Merkur Smajlaj, është përfshirë në listën prestigjioze “30 Under 30 Europe 2026” të publikuar nga Forbes, duke u renditur ndër të rinjtë më me ndikim në Evropë në fushën e industrisë dhe inovacionit.

    Smajlaj, i cili zhvillon aktivitetin e tij akademik në Leibniz University Hannover, është i fokusuar në kërkime shkencore mbi materialet për ruajtjen e hidrogjenit – një teknologji që konsiderohet thelbësore për tranzicionin drejt energjisë së pastër.

    Ai është gjithashtu bashkëthemelues i startup-it HydroSolid, që synon të ofrojë zgjidhje inovative për ruajtjen e hidrogjenit pa përdorimin e materialeve të rralla, duke hapur rrugë për aplikime në industri dhe transport.

    Përfshirja e tij në listën e Forbes vjen pas një sërë arritjesh në projekte kërkimore evropiane dhe publikimeve shkencore ndërkombëtare, duke e konsoliduar atë si një nga emrat më premtues në fushën e teknologjisë së gjelbër.

  • Ministri shqiptar i Mbrojtjes takon zyrtarin e NATO’s në Bruksel – Flasin për Kosovën dhe rolin e KFOR’it

    Ministri shqiptar i Mbrojtjes takon zyrtarin e NATO’s në Bruksel – Flasin për Kosovën dhe rolin e KFOR’it

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, është takuar me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO’s, Giuseppe Cavo Dragone. Ky takim, siç njofton kjo ministri, ka qenë në funksion të forcimit të dialogut strategjik dhe thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me NATO’s në çdo nivel.

    Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë takimit, i është dhënë vëmendje e veçantë ndaj Kosovës dhe rolit të KFOR në garantimin e stabilitetit dhe paqes.

    ‘’ Roli strategjik të Korridori VIII dhe zhvillimii i Porto Romanos me mbështetjen e mëtejshme nga Aleanca, i rendësishëm për avancimin e projekteve me rëndësi kombëtare dhe rajonale’’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Postimi:

    Bruksel- Takim i rëndësishëm me Giuseppe Cavo Dragone, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO, në funksion të forcimit të dialogut strategjik dhe thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me Aleancën në çdo nivel. 🤝🇦🇱

    Vëmendje e veçantë ndaj Kosovës dhe rolit të KFOR në garantimin e stabilitetit dhe paqes.

    Roli strategjik të Korridori VIII dhe zhvillimii i Porto Romanos me mbështetjen e mëtejshme nga Aleanca, i rendësishëm për avancimin e projekteve me rëndësi kombëtare dhe rajonale.

    Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej rolin e saj në NATO, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

  • Ndalohen katër persona për zjarrin në Tiranë – ndërtuesi shpallet në kërkim

    Ndalohen katër persona për zjarrin në Tiranë – ndërtuesi shpallet në kërkim

    Katër persona janë ndaluar nga Policia e Tiranës në lidhje me incidentin e ndodhur të martën ku një pallat 12-katësh në kryeqytetin e Shqipërisë mori flakë.

    Nga zjarri shtatë persona u dërguan në spital, mes tyre edhe zjarrfikës që punuan për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve, raporton A2CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Policia ka ndaluar administratorin e pallatit dhe menaxheren e marketit në afërsi të të cilit dyshohet se ndodhi zjarri.

    Ndërkohë, ndërtuesi i pallatit është shpallur në kërkim policor, pasi do të merret në pyetje.

  • Disa zona të Prishtinës do të mbesin nesër pa ujë

    Disa zona të Prishtinës do të mbesin nesër pa ujë

    Disa zona të kryeqytetit, do të mbesin pa ujë të enjten (16.04.2026), nga ora 09:00 deri në orën 16:00.

    Vendet ku do të ketë ndërprerje të përkohshme të ujit janë: Hajvalia (pjesërisht), Veterniku, lagjja ‘Nic’, lagjja ‘Qershia’, lagjja ‘Qëndresa’, lagjja ‘Priam’ dhe fshati Miradi e Epërme.

    “Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ njofton se ndërprerja e furnizimit vjen si pasojë e punimeve në rrjetin e ujësjellësit në rrugën ‘Ulëza’, të cilat do të realizohen nga Komuna e Prishtinës. Ju falënderojmë për mirëkuptim dhe ju njoftojmë se për çdo zhvillim lidhur me këtë rast do t’ju mbajmë të informuar”- thuhet në njoftim.

  • Konjufca: Rrugët tona me Osmanin prapë do të takohen, opozita po kalkulon se me të do t’ia ulë përqindjen VV’së

    Konjufca: Rrugët tona me Osmanin prapë do të takohen, opozita po kalkulon se me të do t’ia ulë përqindjen VV’së

    Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, deklaroi se në momentin që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka propozuar Vjosa Osmanin për Presidente edhe për një mandat, opozita ka “kalkuluar” se ajo mund t’u ndihmojë për t’ia ulë përqindjen në vota partisë në pushtet.

    “Në momentin që Vjosa Osmani nuk ka qenë propozim nga ana e LVV-së, ka ndryshuar kalkulimi i opozitës. Opozita do me e përfshi si element të ri në skenën tonë politike, përfshirjen e presidentes Osmani. Ata mendojnë që kjo do ta zbriste përqindjen e LVV-së. Prej kur ka qenë ky element në garë, nuk ka pasur propozime të sinqerta, kjo është më shumë kalkulim i opozitës për zgjedhje”- tha Konjufca për media.

    Osmani, sipas tij, nuk e ka shfaqur orientimin e saj politik që është kundër Lëvizjes Vetëvendosjes.

    “Unë mendoj që rrugët tona prapë do të takohen. Gjithmonë të hapur për bashkëpunim me zonjën Osmani”- shtoi ai.

  • Komuna e Prishtinës hap thirrjen për përkrahjen e fermerëve në ndërtimin e serave

    Komuna e Prishtinës hap thirrjen për përkrahjen e fermerëve në ndërtimin e serave

    Komuna e Prishtinës, ka njoftuar se është hapur thirrja për përkrahjen e fermerëve në ndërtimin e serave.

    Nga komuna është bërë e ditur se, në kuadër të kësaj thirrjeje, do të përkrahet ndërtimi i: Serrës së tipit “Tunel”, me sipërfaqe prej 200 m².

    Postimi:

    NJOFTIM PËR FERMERËT E KRYEQYTETIT

    Kryeqyteti ju njofton se është hapur thirrja për aplikim për përkrahje në ndërtimin e serave.

    Në kuadër të kësaj thirrjeje, do të përkrahet ndërtimi i:

    • Serrës së tipit “Tunel”, me sipërfaqe prej 200 m².

    🗓️ Afati i aplikimit: 15.04.2026 – 05.05.2026

    📍 Aplikimi bëhet në objektet e Bashkësive Lokale në: Besi dhe Muhaxherëve.

    Thirrjen për aplikim mund ta gjeni në këtë link: https://prishtinaonline.com/…/thirrja_per_aplikim_per…

  • FSK organizon garën “Ushtari më i mirë 2026” – Po marrin pjesë ekipe nga NATO dhe shtetet partnere

    FSK organizon garën “Ushtari më i mirë 2026” – Po marrin pjesë ekipe nga NATO dhe shtetet partnere

    Forca e Sigurisë së Kosovës po realizon garën ndërkombëtare “Gara e ushtarit më të mirë 2026”, ku po marrin pjesë ekipe ushtarake nga vende të NATO-s dhe shtete partnere, në një aktivitet që po zhvillohet në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

    Në këtë garë janë përfshirë pjesëtarë nga NATO dhe forca ushtarake nga Shtetet e Bashkuara (Ajova dhe Corps V), Italia, Kosova, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria, të cilët po sfidohen në disiplina të ndryshme fizike dhe ushtarake.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës po realizon “Garën e ushtarit më të mirë 2026” ku ekipet Ushtarake nga vendet e NATO-s dhe shteteve partnere: Ajova-ShBA, Corps V- ShBA, Italia, Kosova, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, janë bërë bashkë në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, ku po realizohet gara ndërkombëtare duke sfiduar pjesëmarrësit në shkathtësitë fizike e Ushtarake.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Komisioni për Ekonomi miraton në parim Projektligjin për Energjinë Elektrike

    Komisioni për Ekonomi miraton në parim Projektligjin për Energjinë Elektrike

    Me shtatë vota për, Komisioni për Ekonomi ka miratuar në parim Projektligjin për Energjinë Elektrike. Mbledhja u shoqërua me debate mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantoi projektligjin dhe dobitë e tij.

    “Projektligji për energjinë elektrike që po prezantojmë sot para jush e avancon kornizën ligjore të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës, duke i përcaktuar në mënyrë më të qartë dhe më të drejtë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë pjesëmarrësve në treg, si dhe duke forcuar bazën për një sistem të qëndrueshëm, konkurrues dhe të orientuar drejt tregut. Projektligji e ruan strukturën bazë të ligjit ekzistues, mirëpo zgjerohet më tej në adresimin e zhvillimeve të fundit në tregun e energjisë, integrimin e tij, digjitalizimin dhe tranzicionin energjetik. Së bashku me projektligjin për energjinë që prezantuam dje dhe me projektligjin për rregullatorin që do ta sjellim në Kuvend gjatë këtij viti, përafrohet legjislacioni ynë me kërkesat e pakos së energjisë së pastër të Bashkimit Evropian, duke kaluar nga modeli aktual drejt një kuadri modern, të harmonizuar me Direktivën 2019/944, Rregulloren 2019/943, si dhe Rregulloret 2019/941 dhe 2019/942. Qëllimi kryesor është që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm, cilësor dhe çmime të përballueshme për konsumatorët”, tha Rizvanolli.

    Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se sistemi energjetik i vendit, që nga prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja, po shkon kah centralizimi absolut.

    “Unë e dëgjova prezantimin e ministres që na e solli ligjin e dytë brenda dy ditësh, një ligj jashtëzakonisht voluminoz, i përshkruar me qindra nene, por që me këtë dinamikë e vetmja arsye që u mundua ministrja të na thotë është që janë nëntë milionë euro donacione që mund t’i përfitojnë. Konsideroj, ministre, që për nëntë milionë euro Republika e Kosovës nuk duhet të prekë substancën e bazës energjetike dhe të legjislacionit në këtë fushë pa ndonjë analizë të mirëfilltë dhe pa ndonjë debat më afatgjatë kohor. Ne këtë nuk e kemi parë dje as sot dhe, mbi të gjitha, sot po e shohim që definitivisht ky ligj po e vërteton atë që thashë dje, që sistemi energjetik i vendit, që nga prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja, po shkon kah centralizimi absolut dhe, mbi të gjitha, është shqetësues sistemi i kontrollit. Edhe dje e sot, në asnjërin nga ligjet nuk shohim sistem të mirë të kontrollit të pavarur, por shohim centralizim ekstrem të ekzekutivit mbi sektorin energjetik. Tendencë që e kemi parë moti, por tani po i jepet një vulë edhe me legjislacion”, tha ai.

    Ai gjithashtu përmendi ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe shtoi se KOSTT-i po shkatërrohet nga pushteti.

    “Pse ju po ia shkruani ligjin Dimal Bashës? Pse nuk ka kosto financiare ligji? Pse nuk ka analizë? Pse duhet të kalojë KOSTT-i sot? Dëgjoni, po e shkatërroni KOSTT-in. Nëse është interes biznesor i ngushtë me i kap edhe bateritë, në rregull. Nëse është interes i ngushtë…”, tha Shala.

    Derisa Shala pati akuza, pati ndërhyrje nga kryetarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Rozeta Hajdari.

    “Zotëri Shala, të lutem kontribuo për ligjin, sepse sot është në shqyrtim. Je duke bërë sulme politike pa nevojë. Të lutem, kontribuo për ligjin”, tha ajo.

    Ministrja Rizvanolli, duke i reaguar deputetit Shala, ia përmendi mënyrën e qeverisjes në kohën e PDK-së.

    “I nderuar deputet, zgjidhja që e keni bërë kur e keni vendosur KOSTT-in të raportojë në Kuvend është zgjidhje sui generis, që në asnjë vend tjetër në BE e as në botë nuk e kam parë. Ka përfunduar Kuvendi duke votuar 61 deputetë, duke e ngritur dorën për çështje operacionale të një ndërmarrjeje. Kjo nuk është në asnjë vend tjetër; është bërë në Kosovë si rezultat i nevojës për zbatimin e direktivave të BE-së, duke mos ditur, prej mungesës së njohurive dhe mungesës së angazhimit për të gjetur zgjidhje të duhur, që të mbetet brenda mbikëqyrjes së qeverisë, ka përfunduar në Kuvend”, tha Rizvanolli.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, i reagoi deputetit Shala.

    Ai tha se e drejta e qeverisë është që të bëjë politikat dhe ligjet në shërbim të qytetarëve.

    “Mendoj që kolegu Shala nga opozita fillimisht duhet të fillojë me një qasje të këndvështrimit të tij politik për sektorin dhe mbi çështjet që parasheh ligji, mirëpo më pas tejkaloi edhe gjuhën parlamentare dhe gjuhën kolegjiale dhe filloi me akuza. Unë nuk mendoj që ka nevojë për akuza, sepse mendoj se sillet një ligj nga një ministri e qeverisë që është votuar nga qytetarët me 51.1 për qind në zgjedhje dhe është e drejtë e kësaj qeverie që të bëjë politikat dhe ligjet siç ajo mendon që mund t’u shërbejë qytetarëve të vendit”, tha Hyseni.

  • Muja priti në takim Ambasadorin e Francës: Diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë

    Muja priti në takim Ambasadorin e Francës: Diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin diskutoi për avancimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë.

    Në këtë takim u diskutua për krijimin e marrëveshjeve të reja me kompani franceze, veçanërisht në zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes në Kosovë.

    Ministri Muja theksoi rëndësinë e rritjes së sigurisë ushqimore, për çka mori mbështetje nga ambasadori francez.Po ashtu, u diskutua edhe për pjesëmarrjen në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë në Paris, si mundësi për thellimin e bashkëpunimit.

    “Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin diskutoi për avancimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë.

    Në takim u diskutua për mundësitë e krijimit të marrëveshjeve të ardhshme me kompani franceze, me fokus në zhvillimin e bujqësisë dhe avancimin e sistemit të ujitjes në Kosovë”.