ATV

Category: Lajme

  • Parandalohet kontrabandimi i rreth 150 kilogramëve duhan nga Serbia

    Parandalohet kontrabandimi i rreth 150 kilogramëve duhan nga Serbia

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka organizuar në shpejtësi një aksion për të parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave të cilat po hynin ilegalisht nga Serbia në Kosovë, konkretisht përmes fshatit Novosellë të Komunës së Kamenicës.

    Policia në njoftim ka thënë se dyshohet që shtetasi serb, kishte depërtuar ilegalisht në territorin e Kosovës, me ç’rast atij iu zunë 155 kilogramë duhan.

    Ai u vëzhgua intensivisht nga policia dhe pastaj është ndaluar. I dyshuari i cili sipas policisë është 59 vjeç me vendbanim në Serbi, po voziste një veturë me ngjyrë të zezë dhe me targa VR.

    “Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, zyrtarët policorë kanë zbuluar dhe kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të duhanit të dyshuar të kontrabanduar, të markave të ndryshme, konkretisht: 310 pako duhan nga 500 gramë secila, me peshë totale rreth 155 kilogramë; 41 paketime të zbrazëta, të gatshme për tregtim ilegal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Sasia e duhanit, dyshohet se ishe e destinuar për tregun illegal me qëllim shmangien e procedurave dogane dhe përfitimi i kundërligjshëm financiar.

  • Radoniqi pas takimit me Haxhiun: 7 qershori, data më e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

    Radoniqi pas takimit me Haxhiun: 7 qershori, data më e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe procesi nuk është i lehtë, ndërsa data më e mundshme për mbajtjen e tyre, sipas tij, është 7 qershori.

    Ai theksoi se çështja e buxhetit për zgjedhjet ende nuk është shqyrtuar në KQZ.

    “Sa më vonë. Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë…Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, tha ai pas takimit që ka zhvilluar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

  • Vdekja e punëtorit në Pejë, Prokuroria nis hetimet

    Vdekja e punëtorit në Pejë, Prokuroria nis hetimet

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Gllaviçicë të Pejës, ku një person e ka humbur jetën në vendin e punës.

    Për këtë rast tashmë ka nisur hetimet edhe Prokuroria e Pejës.

    Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

    “Dy prokurorë të shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka humbur jetën një person. Bëhet fjalë për një punëtor i cili, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën. Në vendin e ngjarjes janë edhe shefi i drejtorisë rajonale të Pejës dhe hetuesit policorë, së bashku me Inspektoratin e Punës, duke i kryer ekzaminimet e nevojshme. Viktima është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës”, deklaroi Nikçi.

    “Trupi i pajetë i viktimës pritet t’i nënshtrohet procedurave të mjekësisë ligjore, ndërkohë që autoritetet po punojnë për të zbardhur nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë”, u shpreh ai.

  • Theret me thikë një i ri në Sarandë

    Theret me thikë një i ri në Sarandë

    Një person raportohet të jetë plagosur me thikë në qytetin e Sarandës.

    Sipas informacioneve të policisë, plagosja ka ardhur si shkak i një konflikti për motive të dobëta midis një 37-vjeçari dhe një 26-vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, transmeton Klankosova.tv.

    “Specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. A., 37 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka goditur me thikë, shtetasin E. D., 26 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta. 26-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Punohet për kapjen e 37-vjeçarit dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

  • PSRK mirëpret dënimin e Sllobodan Radenkoviq: Vendimi forcon sundimin e ligjit

    PSRK mirëpret dënimin e Sllobodan Radenkoviq: Vendimi forcon sundimin e ligjit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin dënues dhe aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë në rastin ndaj të pandehurit S.R., i akuzuar për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

    Sllobodan Radenkoviq u dënua me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmin e 2023-ës ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan.

    Sipas njoftimit zyrtar të PSRK-së, vendimi i gjykatës përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të vendosjes së drejtësisë dhe adresimit të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

    Prokuroria theksoi se aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë dëshmon funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë, duke kontribuar në trajtimin më të shpejtë dhe më efektiv të rasteve penale.

    Në reagim, institucioni vlerësoi se ky aktgjykim njëkohësisht përforcon sundimin e ligjit dhe dërgon një mesazh të qartë se veprat penale ndaj personave zyrtarë dhe rendit publik nuk do të tolerohen.

  • Zgjedhjet e parakohshme, Haxhiu pret në takim kryetarin e KQZ-së

    Zgjedhjet e parakohshme, Haxhiu pret në takim kryetarin e KQZ-së

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqin, ku po diskutohet për zgjedhjet e parakohshme raporton Ekonomia Online.

    Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

    Ndryshe, Kosova dështoi ta zgjedhë presidentin e ri, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e që ishte data e djeshme, 28 prilli.

    Partia e Albin Kurtit nuk arriti të bëjë marrëveshje me opozitën për këtë çështje dhe si rezultat i kësaj vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

  • OKB: 21 persona janë ekzekutuar dhe 4 mijë janë arrestuar në Iran që nga fillimi i luftës

    OKB: 21 persona janë ekzekutuar dhe 4 mijë janë arrestuar në Iran që nga fillimi i luftës

    Të paktën 21 persona janë ekzekutuar në Iran dhe 4,000 të tjerë janë arrestuar që nga fillimi i luftës së tij me SHBA-në dhe Izraelin, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, UNHCR.

    Ekzekutimet u kryen në mes të shtypjes së Iranit ndaj disidentëve, veçanërisht përmes “akuzave që lidhen me sigurinë kombëtare”, tha sot Shefi i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Volker Turk.

    Të paktën nëntë persona u ekzekutuan në lidhje me protestat e janarit 2026, dhjetë për anëtarësim të dyshuar në grupe opozitare dhe dy për akuza spiunazhi, tha agjencia.

    Ai vazhdoi duke thënë se, që nga 28 shkurti, “vlerësohet se më shumë se 4.000 individë janë arrestuar për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare në Iran”.

    Shumë prej të arrestuarve janë zhdukur me forcë, janë torturuar ose i janë nënshtruar “trajtimit mizor, çnjerëzor dhe degradues”, thuhet në deklaratë, shkruan Euronews.al.

    “Jam i tmerruar që, përveç ndikimeve tashmë të rënda të konfliktit, të drejtat e popullit iranian vazhdojnë t’i privohen nga autoritetet, në mënyra të ashpra dhe brutale”, tha Turk.

  • U.d i Kryeprokurorit të Mitrovicës: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore

    U.d i Kryeprokurorit të Mitrovicës: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, ka deklaruar se mungesa e prokurorëve po ndikon drejtpërdrejt në përfaqësimin e lëndëve në gjykatë.

    Rexha ka theksuar se gjatë vitit 2025 Prokuroria nuk ka qenë në situatë të favorshme në raport me gjykatën, për shkak të dallimit në numër mes gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    “Vitin 2025 nuk kemi qenë në situatë mirë në raport me gjykatën se numri i gjyqtarëve është më i madh në krahasim me numrin e prokurorëve. Kështu që në këtë aspekt edhe ne nganjëherë ju kemi bë pengesë për me mund me i zhvillu seancat gjyqësore”, ka thënë Rexha.

    Ai ka bërë të ditur se në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatë funksionojnë katër deri në pesë gjyqtarë, ndërsa në Prokurori janë vetëm tre prokurorë.

    “Në Departamentin e Krimeve të Rënda i kemi veç tre prokurorë. Mirëpo ,është për t’u theksu se para disa ditësh kam pranuar një e-mail nga kryetari i Gjykatës, me të cilën më informon se nga data 1 për 2026 do t’i ketë tre gjyqtarë në Deepartamentin e Krimeve të Rënda, që nënkupton se numri i përgjithshëm i tyre duhet me qenë shtatë apo tetë në raport me numrin e tre prokurorëve”, ka deklaruar ai.

    Sipas Rexhës, me këtë numër aktual të prokurorëve është e pamundur të përballohet përfaqësimi i lëndëve brenda një kohe të arsyeshme.

    “Tash me këtë numër sa ne e kemi në Departament të Krimeve të Rënda është e pamundur që të mund t’ju dalim në kohë të arsyeshme në përfaqësim të tyre në seancat gjyqësore. Mirëpo ne do të bëjmë përpjekje për aq sa kemi mundësi. Po kjo është e pamundur që me tre prokurorë t’i përmbyllin shqyrtimet gjyqësore për aq sa paraqitet nevoja prej gjykatës”, ka theksuar ai.

    Rexha ka pranuar gjithashtu se shpesh ndodh që një prokuror të ftohet në disa seanca në të njëjtën kohë.

    “Është e vërtetë ajo. Ne kemi këtu raste të shpeshta, mirëpo unë ashtu ju kam thënë prokurorëve të mi se mjafton që të marrim procesverbalin, të kemi një arsye dhe të arsyetohemi para gjyqtarit, sepse nuk mundem me u paraqit në një seancë gjyqësore për faktin se jemi zënë në një tjetër”, ka thënë ai./“Betimi për Drejtësi”.

  • SHBA do të lëshojë pasaporta me imazhin e Trumpit për 250-vjetorin e Pavarësisë

    SHBA do të lëshojë pasaporta me imazhin e Trumpit për 250-vjetorin e Pavarësisë

    SHBA do të fillojë së shpejti të lëshojë pasaporta që përmbajnë imazh të Presidentit Donald Trump brenda, tha të martën një zyrtar i Departamentit të Shtetit, raporton CNN.

    Zyrtari tha se kjo pasaportë “do të jetë pasaporta standarde që lëshohet nga Agjencia e Pasaportave në Washington kur të jetë e disponueshme” për ata që rinovojnë pasaportat e tyre personalisht në atë vend.

    “Opsionet online ose vendndodhjet e tjera do të vazhdojnë të përdorin dizajnin ekzistues të pasaportës” shtoi zyrtari.

    Prania e imazhit të Trump në pasaportat e SHBA-së është rasti më i fundit – dhe më i rëndësishmi – i përdorimit të figurës së tij për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së. Ndryshe nga një monedhë përkujtimore apo një leje për park kombëtar, një pasaportë amerikane është një formë identifikimi e njohur ndërkombëtarisht dhe zakonisht është e vlefshme për 10 vjet.

    Sipas një modeli demonstrues të pasaportës, fytyra e Trump dhe nënshkrimi i tij me ngjyrë ari do të shfaqen në pjesën e brendshme të kopertinës.

    “Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e Amerikës në korrik, Departamenti i Shtetit po përgatitet të nxjerrë një numër të kufizuar pasaportash amerikane të dizajnuara posaçërisht për të përkujtuar këtë rast historik” tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

    “Këto pasaporta do të përfshijnë vepra arti të personalizuara dhe imazhe të përmirësuara, duke ruajtur njëkohësisht të njëjtat veçori sigurie që e bëjnë pasaportën amerikane një nga dokumentet më të sigurta në botë” shtoi ai.

    Departamenti i Shtetit do të fillojë të lëshojë këto pasaporta këtë verë. Nuk është e qartë se sa prej tyre do të lëshohen.

    Sipas modelit demonstrues të pasaportës, kopertina e pasme do të shfaqë një imazh nga piktura “Deklarata e Pavarësisë” nga John Trumbull.

  • “Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet e politikanëve”, Pacolli shkruan pas zhvillimeve të fundit

    “Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet e politikanëve”, Pacolli shkruan pas zhvillimeve të fundit

    Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit, dhe shkuarjes me automatizëm në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dështimit për të zgjedhur shefin e shtetit.

    Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka ndarë një mendim të një mendimtari të pjekur nga Kosova, i cili thotë se vendit dëmin më të madh, sipas tij, po ia bën vetë politika vendore.

    “Sikur në qendrat më armiqësore ndaj Republikës së Kosovës të hartohej një strategji për ta dëmtuar vendin, vështirë se do të dilte diçka më e dëmshme sesa ajo që po prodhon sot vetë politika vendore”, ka shkruar Pacolli.

    Pos tjerash, Pacolli shtoi se mendimtari tha po ashtu se në disa raste, sipas tij, duket sikur Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet dhe qasja e politikanëve të saj.

    “Këtë mendim ma shprehu një mendimtar i pjekur nga Kosova, dhe besoj se në thelb qëndron i vërtetë”.