ATV

Category: LAJME

  • Haradinaj kujton heroin Agim Ramadani: Ishte ndër komandantët të shquar të UÇK-së

    Haradinaj kujton heroin Agim Ramadani: Ishte ndër komandantët të shquar të UÇK-së

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin Agim Ramadani, në 24-vjetorin e rënies, duke thënë se ai ishte njëri prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se rënia heroike e heoit Agim Ramadani dhe e luftëtarëve të tjerë ishte humbje e madhe për UÇK-në, porse po aq e madhe ishte vendosmëria për ta vazhduar rrugën drejt lirisë.

    “Sot, 24 vjet pas rënies heroike, me respekt të thellë e kujtojmë Agim Ramadanin – Komandant ‘Katana’, njërin prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Poashtu, Haradinaj ka kujtuar edhe trimat e tjerë të UÇK-së që ishin të udhëhequr nga komandanti i tyre Agim Ramadani.

    “Kujtojmë sot trimat e UÇK-së, heronjtë e thyerjes së kufirit mes shqiptarëve, Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi, Rifat Çelaj, Arben Jusufi, Driton Veliu, Emri Curri, Harun Beka, Rifat Salihaj, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala, të udhëhequr nga Agim Ramadani, luftëtari, strategu e artisti që kishte kuptuar konceptin e lirisë në thellësinë e tij. Rënia e tyre heroike 24 vjet më parë ishte humbje e madhe për UÇK-në, por po aq e madhe ishte vendosmëria për ta vazhduar rrugën drejt lirisë. Lavdi e përjetshme Agim Ramadanit dhe gjithë dëshmorëve që u flijuan për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

  • “Ky popull të çmon veç nëse ke para dhe dashnore” – Milaim Zeka godet me deklaratën e tij

    “Ky popull të çmon veç nëse ke para dhe dashnore” – Milaim Zeka godet me deklaratën e tij

    Gazetari Milaim Zeka së bashku me gruan e tij Edlirën ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV. Në këtë emision, Zeka ka thënë se populli këtu e çmon njeriun vetëm nëse ka para ose dashnore dhe sipas tij, nuk të çmon në bazë të vlerave që i ke.

    “Ky popull të çmon veç a ke para dhe dashnore. As nuk ia ndienë a ke qenë në burg, a ta kanë vra familjen, a ke ba diçka për këtë vend, a ke ba diçka për fëmijët e këtij vendi, dmth një popull që nuk të çmon në bazë të vlerave që i ke, por veç sa ke para, çfarë kerri po vozitë, a ke ndonjë dashnore, se këtu është marrë me i thanë ndokujt ‘nuk kam dashnore’”, tha Zeka.

    Ai ka thënë se është e vështirë me qenë i drejtë dhe i sinqertë.

    “Muhamedi dhe Jezu Krishti, janë njerëzit që turmat i kanë sharë më së shumti. Baba im i ndjerë me ka thënë ‘ke lind në vend të gabueshëm, por Zoti të ka çun ë një vend të drejtë, në Suediu. Vështirë është brenda familjes këtu me qenë, i drejtë, i sinqertë. Në jetën time që njihemi edhe privatisht, as nuk ke dëgju, asnjë njëri nuk më ka ulë përpara me thanë, pse bre ke folë për mua, diçka. Ua them njerëzve atë që e mendoj, të mirën ose të keqen. Jo që nuk i bëj keq dikuj, por unë nuk di as me mëndu keq”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • ​Rukiqi: Thellimi i deficitit tregtar në vlera rekord, një tjetër dështim i kësaj qeverie

    ​Rukiqi: Thellimi i deficitit tregtar në vlera rekord, një tjetër dështim i kësaj qeverie

    Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) po konsiderohet problematik thellimi i deficitit tregtar përgjatë dy viteve nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga kjo parti thonë se tashmë edhe Serbia është shndërruar në partnerin kryesor tregtar të Kosovës, ndryshe nga sa ishte thënë nga Albin Kurti para se të vinte në pushtet kur kishte premtuar të kundërtën.

    Berat Rukiqi nga LDK shprehet se përkundër se kjo qeveri kishte premtuar rritje të prodhimeve vendore për t’i zëvendësuar produktet e importuara, ai thekson se në këto dy vite të kësaj udhëheqje nuk janë parë politika apo vendime në këtë drejtim.

    Sipas Rukiqit, gjatë kësaj kohe, deficiti tregtar është rritur për 2 miliardë euro.

    “Ne e shohim si problematike këtë thellimin e deficitit tregtar, Kosova ka pasur deficit tregtar por asnjëherë në nivelin që e kemi tani sidomos duke e ditur se kemi një qeveria që ka ardhur me premtime që do të fokusohet në rritje të prodhimit vendor në zëvendësim të importeve dhe politikave të cilët në funksion të zvogëlimit të deficit tregtar. Çka po shohim këto dy vite, po i shohim 2 miliardë më shumë deficit tregtar në një kohë kur sidomos ka në segmente të caktuara të qeverisë tendencë për të interpretuar shifra të rritjes së eksportit apo rritjes ekonomike që ne po i shohim se nuk kanë prodhuar ndonjë efekt në atë pasqyrën e gjerë ekonomike të vendit dhe për neve është shqetësuese, sidomos nëse vazhdimisht shohim mosveprime apo realisht shohim neglizhencë, pak vendime, pak politika ose më mirë me thënë hiç politika e mos të flasin për ndonjë reformë qoftë përmbajtjesore ekonomike”, tha ai.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi u shpreh se përkundër pritshmërive edhe në qeverisjen Kurti, Serbia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar më i madh në vend.

    Ai deklaroi se trendi i tremujorit të parë të importeve nga Serbia të lë të kuptosh se deri në fund të këtij vitit importet nga fqinji verior do të kalojnë shifrën e 400 milionë eurove.

    “Kemi pas premtime në raport në Serbinë në raport me politikat e trajtimit të raporteve me Serbinë jo vetëm ekonomike, por në përgjithësi këto dy vite shohim rritje të importeve, mbi 370 milionë euro importe nga Serbia në vitin 2022, trend qe ka vazhduar me rritje më të shpejtë edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Pra, edhe aty ku është premtuar diçka që ka qenë realisht politikë ose objektiv me të cilin kjo qeveri ka arritur në pushtet edhe aty nuk shohim asnjë ndryshim, shohim një trend qe sigurisht në fund tw këtij viti do të tejkalojë 400 milionë shumën e importeve nga Serbia. Pra, Serbia vazhdon të mbetet një ndër partnerët kryesor tregtar në kohë kur është menduar se do të ketë politika e veprime konkrete e reciproke e veprime të tjera që do të ndikonin në zbutjen e këtij hendeku deficitar që e kemi”, u shpreh Rukiqi.

    Rukiqi tregoi edhe disa nga politikat që duhet ndjekur ekzekutivi kosovar për të ulur deficitin tregtar.

    “Ne duhet të krijojmë klimë të uljes se barrierave, të nxitjes se projekteve zhvillimore në fusha të ndryshme, shembull mund të ishte pjesë e turizmit, një pjesë ku do të nxiste investime dhe kjo pastaj do të krijonte një cikël të zhvillimit të brendshëm ekonomik, pastaj do të duhej te kishte fokus në sektor të caktuar…. do të duhej të kishte më shumë fokus tek investitorët që tani janë duke shkuar nëpër vendet e rajonit e duke u zhvendosur nga vendet të cilat kanë rritje të kostove të shikojmë t’i sjellim këtu të shohin këtë potencialin të eksportit të shërbimeve të teknologjisë informative”, tha ai.

    Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka pasur kritika ndaj Qevrisë Kurti duke e quajtur të paaftë për të gjetur zgjidhje për krizat e njëpasnjëshme dhe që po vështirëson jetën e qytetarëve. /kp

  • Presidentja Osmani: Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë

    Presidentja Osmani: Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Agim Ramadani, në 24 vjetorin e rënies.

    Ajo ka thënë se 24-vjet më parë Agim Ramadani u përjetësua në hero, u bë lajmëtar i lirisë bashkë me luftëtarët e UÇK-së, vullneti dhe guximi i të cilëve theu kufirin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

    “Njeriu i penës, brushës e pushkës, është personifikim i lirisë, rrugës deri te ajo, por edhe lavdisë së përhershme. Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë, të cilët e përmbushën idealin e brezave, mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën dhe përcaktuan rrugëtimin e shtetit të Kosovës. Përkulemi me respekt para heroizmit të Agimit me bashkëluftëtarë, do t`i kujtojmë përherë dhe do ta përmbushim çdo ditë testamentin e tyre për Republikën!”, ka thënë Osmani, sipas komunikatës për media.

  • Gjakovë, një burrë raporton se është zhdukur bashkëshortja bashkë me dy fëmijët

    Gjakovë, një burrë raporton se është zhdukur bashkëshortja bashkë me dy fëmijët

    Një burrë nga Gjakova ka raportuar në polici se bashkëshortja e tij së bashku me dy fëmijët janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tyre.

    Policia njofton se rasti ka ndodhur më 27 mars, në rrugën “Ali Ibra”.

    Tutje bëhet e ditur se ankuesi ka raportuar se djalin dhe vajzën të moshës 11 dhe 12-vjeç bashkëshortja e tij i kishte nga martesa e mëhershme.

    “Rr. Ali Ibra, Gjakovë 27.03.2023 – 22:30. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se me datën e cekur bashkëshortja e tij kosovare së bashku me dy fëmijët e saj djalë dhe vajzë të moshës 11 dhe 12 vjeç që i kishte pas nga martesa e mëhershme janë larguar nga shtëpia e tij dhe nuk duhet vend ndodhja e tyre”, thuhet në raportin policor.

    Njësitë policore janë duke e hetuar rastin, për të cilin është njoftuar edhe prokurori.

  • Përafërsisht katër ditë pritet të zgjasë dëgjimi i dëshmitares së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së

    Përafërsisht katër ditë pritet të zgjasë dëgjimi i dëshmitares së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hagë ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në gjykimin e sotëm fillon procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve.

    Me këtë rast, është paraqitur dëshmitarja e parë – grua dhe ajo është shfaqur me masa të rrepta mbrojtëse si: duke iu fshehur identitetit, me ndryshim të zërit dhe pa u shfaqur asnjë informacion tjetër.

    Gjatë kësaj seance u bë e ditur se përafërsisht katër ditë pritet të zgjasë procesi i dëshmisë së dëshmitares së parë.

    Ndërkohë, Prokurori ka kërkuar që seanca të mbyllet për publikun.

    Kujtojmë se javën e kaluar ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, pas më shumë se dy vjetësh.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme./atvlive.tv/

  • Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjohen dëshmitarët e parë (LIVE)

    Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjohen dëshmitarët e parë (LIVE)

    Ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në gjykimin e sotëm fillon procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve.

    Seanca të tilla pritet të ketë më 12 dhe 13 prill. Seanca pritet të ketë më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill.

    KLIKO KËTU për ta parë drejtpërdrejt seancën

    Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

    Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

    Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

    Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

    Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

    Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill.

    140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.

  • Metri katror i banesave në Prishtinë, deri në 2 mijë euro

    Metri katror i banesave në Prishtinë, deri në 2 mijë euro

    Numri i ndërtimeve në Prishtinë është rritur. E bashkë me to edhe çmimet e banesave.

    Metra katrore e një banese në kryeqytet po shkon mbi 2 mijë euro. E kjo sipas Nokë Paloka, i cili është agjent në njërën nga agjencionet për patundshmëri në Prishtinë, varion nga lagjja në lagje.

    Kjo rritje ka shkuar deri në 35% përqind më shumë krahasuar me vitet paraprake.

    E sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në ngritjen e çmimit për metër katror, ka ndikuar edhe shtrenjtimi i materialeve ndërtimore.

    Megjithatë Krasniqi shprehet optimist që së shpejti të bien këto çmime.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.

    Derisa sipas të njëjtave të dhëna, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kostoja e ndërtimit ka rënë për 0.6 për qind.

  • Escobar do të vizitojë sot Tiranën, takohet me Begajn dhe Ramën

    Escobar do të vizitojë sot Tiranën, takohet me Begajn dhe Ramën

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të mbërrijë sot në Tiranë, për një vizitë zyrtare.

    Në kryeqytetin shqiptar, Escobar pritet të takohet me zyrtarë të lartë e përfaqësues të opozitës.

    Sipas mediave, Escobar do të vizitojë Tiranën në datat 11-13 prill, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

    Nga opozita, ai pritet që të takohet me kreun e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabakun.

    Hera e fundit që Escobar vizitoi Tiranën ishte në prillin e vitit të kaluar kur ai shoqëronte ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

  • Zgjedhjet në veri, mblidhet KQZ-ja

    Zgjedhjet në veri, mblidhet KQZ-ja

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku do të diskutojë për zgjedhjet në veri.

    Në rend dite në mbledhjen e sotme është edhe njoftimi me vlerësimi e rrezikut për QV-të për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Rendi i ditës:

    1. Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së

    2. Raportet e Këshillave të KQZ-së

    Këshilli për Operacione Zgjedhore

    – Raport nga KKZ-të në komunat Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan për Qendrat e Votimit

    -Njoftim me vlerësimi e rrezikut për QV-të për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveqan dhe Zubin Potok.

    -Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin

    Potok, si dhe numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e parakohshme për kuvende në Komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit

    -Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok,

    Leposaviq dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e Komunave: Zveçan dhe Leposaviq,

    -Shqyrtimi dhe miratimi i propozimeve të KVV-të për zgjedhjet e jashtëzakonshme për

    Kryetar Komune në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan,

    -Shqyrtimi dhe miratimi i Analizës se bazës së shenimeve të departamentit të pensioneve,

    Ministria e Financave, Punes dhe Transfereve

    Këshilli Mbiqkyrës për Informim Publik

    -Shqyrtimi dhe miratimi i Llogos dhe dizajnit të produkteve të IP per zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe

    Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e Komunave: Zveçan dhe Leposaviq

    3. Të ndryshme