ATV

Category: Lajme

  • Peci njofton aksionin e AUV në dy lokacione: U asgjësuan mbi tre mijë çokollata

    Peci njofton aksionin e AUV në dy lokacione: U asgjësuan mbi tre mijë çokollata

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar mbrëmë se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, ka zhvilluar një aksion në dy lokacione për të cilat dyshohej se vendosnin në treg produkte ushqimore me afat të skaduar dhe me data skadence të manipuluara.

    Ai tregoi se zyrtarët e AUV-së, bashkë me mbështetjen e Policisë së Kosovës kanë ndaluar dhe bllokuar këto produkte ushqimore të dyshimta si dhe njëherët kemi nxjerrë urdhrin për tërheqjen e produkteve të njëjta nga tregu.

  • ​Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit

    ​Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, e ka dorëzuar dosjen e apelit kundër aktgjykimit të shpallur më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Me një vendim të shkallës së parë, Gjykata Speciale e kishte shpallur atë fajtor për krime të pretenduara të luftës duke e dënuar më 26 vjet burgim.

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të gjykatës, bëhet e ditur se dosjet e përgjigjeve do të dorëzohen në qershor.

    “Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit kundër aktgjykimit të shpallur më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Versionin e redaktuar publik të dosjes së korrigjuar të apelit, të dorëzuar më 2 maj, mund ta gjeni këtu. Më 5 maj 2023, paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e ZPS-së dhe të mbrojtësit të viktimave për zgjatjen e afatit dhe i autorizoi që të dorëzonin dosjet e përgjigjeve ndaj dosjes së apelit të Mbrojtjes deri më 5 qershor 2023”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Salih Mustafa është dënuar më 26 vjet heqje lirie, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, që është nga shtatori i vitit 2020.

    Prokuroria pretendon se i njëjti ka kryer krime lufte dhe akuzat që rëndojnë mbi të janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme, ndërsa ai është shpallur fajtor për pikën 1, 3 dhe 4.

    Gjykimi ndaj Mustafës kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe janë mbajtur seanca në 52 ditë.

    Tetë persona janë pranuar si viktima në këtë proces gjyqësor, dhe trupi gjykues e ka caktuar shumën prej 207 mijë euro për dëmshpërblimin të tyre.

    Në gjykimin kundër Mustafës janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

    Shumë nga dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Në fillim të këtij procesi, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

    Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

  • Rreziku nga shtylla elektrike në qendër të kryeqytetit

    Rreziku nga shtylla elektrike në qendër të kryeqytetit

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Një shtyllë elektrike në rrugën “Sylejman Vokshi”, në qendër të Prishtinës, është kthyer në rrezik serioz për banorët. Sipas tyre, ka një kohë të gjatë që mbahet nga disa kabllo dhe mund të bjerë mbi qytetarët, të cilët lëvizin në atë pjesë. Ndërkohë, KEDS-i ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të intervenojë për rregullimin e saj.

    Gjithë çfarë po e mban këtë shtyllë të vjetër elektrike janë këto kabllo. Në fakt do të duhej të ishte e kundërta.

    “Qytetarët të cilët frekuentojnë rrugën ‘Sylejman Vokshi’ këtu në kryeqytet ankohen për vjetrimin e shtyllës elektrike, e cila sipas tyre mund edhe të rrëzohet.”

    Si pasojë e gjendjes jostabile të shtyllës, qytetarët kalimin në këtë zonë e bëjnë me shumë kujdes.

    “Te them realitetin, ne e frekuentojmë çdo ditë këtë rrugë, pe shihni vetë gjendjen qysh është, nuk po e dimë kush po e sheh të arsyeshme ta lë në këtë pozicion shtyllën”.

    “Po ndihemi të rrezikuar se kjo shtyllë është e drurit, mundet me ra në tokë, me pasë probleme, kishte qenë mirë me marr masa ma shpejt me rregullu”.

    Më të rrezikuarit janë fëmijët.

    “Është shqetësuese se këtu kalojnë fëmijët që shkojnë në shkollë, kalojnë edhe banorët. Çdo moment kemi frikë që mundet me ra edhe dikush me pësu prej saj”.

    Për këtë është në dijeni edhe KEDS-i, i cili premton se do të intervenojë për evitimin e rrezikut.

    “Ekipet e KEDS-it në terren tashmë janë në dijeni për këtë. Gjatë javës do të dalin në vend për të vlerësuar gjendjen e shtyllës elektrike. Varësisht prej vlerësimit, KEDS-i do të veprojë me qëllim të eliminimit të çfarëdo rreziku të mundshëm që mund të vijë nga ajo shtyllë”.

    Ndryshe, kjo shtyllë sipas banorëve ka së paku 8 vjet që është në këtë gjendje, por deri më tani ata thonë se interesimi për probleme të tilla në këtë lagje, ishte i vogël.

  • Pesë autoambulanca të QKMF-së në Drenas, jashtë funksionit

    Pesë autoambulanca të QKMF-së në Drenas, jashtë funksionit

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI   

    Pesë autoambulanca të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Drenas janë jashtë funksionit, për shkak të disa defekteve. Në marrëveshjen e komunës me operatorin e ri ekonomik, nuk është paraparë rregullimi i tyre. Kjo QKMF tani funksionon me vetëm dy autoambulanca për rreth 60 mijë banorë sa llogaritet se ka kjo komunë.

    “Për shkak të disa defekteve këto pesë autoambulanca prapa meje kanë mbetur jashtë funksionit, e kjo për shkak që operatorit që merret me rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre i ka skaduar afati i kontratës”.

    Aktualisht funksionale e kanë vetëm një, por as ajo sipas punëtorëve nuk i plotëson kushtet për bartje të pacientëve.

    Për këtë problem, drejtori Ismet Bogiqi fajëson komunën, pasi që, sipas tij, e gjithë puna ka ngecur te procedurat e tenderimit të një operatori të ri ekonomik.

    “Procesi është në procedurë të prokurimit, ka qenë më herët. Mjetet janë ndarë po diçka nuk ka rrjedhë mirë, njëherë u shpall e prapë u rishpall, se dikush u anku prej operatorëve. Kontrata ende nuk është bërë. Mjetet janë, po tash për tash e kemi marrë edhe një autoambulancë e po presim veç me i regjistrua”.

    Por në komunën e Drenasit, thonë të kundërtën. Sipas tyre, rregullimi i autoambulancave nuk u bë për shkak se nuk ishte paraparë në kushtet e tenderimit.

    “Autoambulancat kanë qenë tri në funksion deri para dy javëve. Ambulancat e tjera janë në defekt në motor, rregullimi i tyre nga operatori ekonomik nuk ka qenë i mundur, sepse defektet nuk kanë qenë në paramasë të tenderit. Gjithashtu, kemi premtim nga Ministria e Shëndetësisë edhe për një autoambulancë”.

    Nga komuna kanë bërë të ditur për ATV-në se tashmë e kanë blerë një autoambulancë të re, e cila është në procedurë të regjistrimit dhe e cila ka kushtuar 58 mijë euro.

     

     

     

     

  • Serbët në veri duan paqe dhe qetësi

    Serbët në veri duan paqe dhe qetësi

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    Qytetarët nga komuniteti serb në Mitrovicë të veriut shprehen të lodhur nga kërcënimet se situata në veri mund të eskalojë. Ata thonë se duan të jetojnë të qetë dhe palët në dialog të arrijnë marrëveshje paqësore.

    Edhe nga këshilli i shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut kërkojnë më shumë siguri pas deklarimeve të fundit rreth rrezikut për tensione.

    Edhe ata nga komuniteti serb thonë se duan paqe dhe të jetojnë të lirë, e liderët e të dyja vendeve të gjejnë zgjidhje paqësore.

    “Duhet një takim serbët edhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë, tjetër jo, as Amerika, as Evropa e as Rusia, as askush, serbët dhe shqiptarët, unë mendoj luftë nuk është mirë”.

    “Nuk jam politikan, punoj për familjen time, më e mira do të ishte që njerëzit të arrinin marrëveshje e të bisedonin dhe si për ne, edhe për ju të bëhet diçka, pa luftë e pa dhunë, kjo do të ishte më e mira.”

    “Jemi mësuar me frikë e tensione, por çfarë të them, nuk do të ishte mirë që të ndodhin përsëri.”

    Por edhe shqiptarët, nuk është se ndihen fortë të sigurt, duke marrë parasysh edhe faktin se për një eskalim të mundshëm të gjendjes atje, u dha paralajmërim edhe nga ndërkombëtarët. Andaj nga këshilli i shqiptarëve në veri, për çdo lloj tensioni, i mbajnë përgjegjës vetë ndërkombëtarët.

    “Deklaratat e tij të bëjnë me u shqetësu, sepse këta vetë po duan me nxitë një konflikt shqiptaro-serb, me vetë faktin se zgjedhjet kur u mbajtën nuk pati asnjë incident, sepse ke bashkësia ndërkombëtare dhe NATO-ja që i bëri Serbisë presion dhe kaluan zgjedhjet siç është më së miri”.

    Megjithatë, sipas gazetarit serb që vepron në Mitrovicë të veriut, Branislav Krstic, situata në veri është duke u monitoruar, andaj edhe nuk ka vend për panik.

    “Brukseli zyrtar dhe administrata amerikane janë duke e monitoruar situatën dhe jam shumë i sigurt se as Kurti e as Vucic nuk duan ta humbin kredibilitetin me provoku incidente serioze në veri. Nuk ka nevojë që asnjë qytetar të frikësohet edhe sipas informatave që i kemi nga terreni, do të kalojmë edhe këtë pjesë pa incidente serioze”.

    Pas vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të veturave, lista serbe paralajmëroi rezistencë, nëse një gjë e tillë ndodh. Se situata në veri mund të eskalojë, e tha ditë më parë edhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borell, pasi palët në dialog përsëri nuk gjetën pajtim.

  • Kërkesa e Enver Dugollit për Masakrën e Dubravës, jashtë juridiksionit të Gjykatës Speciale

    Kërkesa e Enver Dugollit për Masakrën e Dubravës, jashtë juridiksionit të Gjykatës Speciale

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Me hetimet për masakrën në burgun e Dubravës është duke u marrë Prokuroria Speciale e Kosovës, ajo me seli në Hagë, ndaj së cilës deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës, Enver Dugolli, ka kërkuar të iniciojë hetime.

    Por, sipas juristëve, ajo nuk do të mundë të veprojë. Avokatët e akredituar të Speciales thonë se juridiksioni i Dhomave të Specializuara është raporti i ish-senatorit Dick Marty.

    Avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se kërkesa e Dugollit është e vonuar.

    Juristët thonë se raporti i Dick Marty-t është në juridiksion i ZPS-së.

    “Kërkesa është legjitime, do të gjente më shumë zbatim nëse më herët institucionet e Kosovës ishin marrë dhe do të ishte bërë presion për zgjerimin e fushëveprimtarisë e mandatit të Speciales. Rregullohet me ligj, i cili shumë lehtë mund të interpretohet, por edhe të zgjerohet. ZPS-ja i heton vetëm krimet e pretenduara të ndërlidhura me raportin e Dick Martit”, ka thënë Hodaj.

    “Juridiksioni lëndor i Dhomave të Specializuara dhe ZPS-ja mbështetet në raportin e Dick Martit, i cili në pjesën dërrmuese merret me krimet e kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, por aty flitet edhe për krimet që janë kryer nga forcat serbe“, shtoi avokati Artan Qerkini.

     Megjithatë, sipas Qerkinit, do të varet nga ZPS-ja se si do ta interpretojë raportin e Dick Marty, në të cilin përmenden edhe krimet e pretenduara të kryera nga forcat serbe.

    “Në raport me pjesëtarët e UÇK-së raporti i d.m. është interpretuar në mënyrë të zgjeruar. Po të kishte interpretim të zgjeruar, edhe me forcat serbe mund të gjendej baza juridike që ZPS-ja të merret edhe me krimet tjera të luftës, të kryera nga forcat serbe”, tha Qerkini.

    ZPS-ja nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës nëse do të trajtohet kërkesa e Dugollit, i cili të shtunën e kaluar nga holli i Kuvendit tha se prokurorisë i dorëzoi edhe prova.

    Ndërkohë, masakrën në burgun e Dubravës është duke e hetuar edhe Prokuroria Speciale në Prishtinë.

  • KEK-u u gjobit 3.2 milionë euro për tetë shkelje rregullash e legjislacioni

    KEK-u u gjobit 3.2 milionë euro për tetë shkelje rregullash e legjislacioni

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Zyra e Rregullatorit për Energji konstatoi tetë shkelje rregullash dhe legjislacioni nga KEK-u, në raportin që arsyeton gjobën në vlerë 3.2 milionë euro.

    Dokumenti konfirmon raportimin e ATV-së se KEK-u tregtoi me kompaninë sllovene HSE, e cila nuk është e licencuar në Kosovë.

    Po ashtu, raporti konstaton se KEK-u mori energji nga marrëveshja me KESH-in edhe kur s’kishte nevojë dhe e shiti atë në tregun e lirë.

    Vitin e kaluar ATV-ja kishte raportuar për kontratat në vlerë milionëshe të KEK-ut dhe KESCO-s për blerje të energjisë nga HSE-ja, me mjetet nga subvencioni i Qeverisë.

    Vetëm në periudhën dhjetor 2021-janar 2022, KEK-u kishte nënshkruar 22 kontrata për blerjen e energjisë nga HSE-ja, në vlerë të përgjithshme 2.4 milionë euro.

    Raporti përfshin raste të shitjes së energjisë nga KEK-u në drejtim të HSE-së.

    Në monitorimin e saj, ZRRE-ja ka gjetur se KEK-u kishte marrë energji elektrike nga marrëveshja për shkëmbim dhe depozitim me Shqipërinë, edhe kur nuk ka pasur nevoja të brendshme, dhe e ka shitur atë në tregun e lirë.

    Veprim ky që përbën shkelje të marrëveshjes KEK-KESH.

    Raporti konstaton se gjatë tregtimit, KEK-u ka përzgjedhur oferta fituese në kundërshtim me procedurat e tregtimit, duke mos pasur kriter çmimin më të favorshëm, por sasinë e energjisë.

    Po ashtu, në kundërshtim me procedurat e tregtimit të energjisë, KEK-u në disa raste, pavarësisht ofertave valide, ka përsëritur procesin e shitjes së energjisë.

    ZRRE-ja konstaton se KEK-u, gjenerimi dhe furnizimi, kanë nënshkruar marrëveshje të brendshme në kundërshtim me Ligjin për Energjinë, në kontestin e  obligimeve të licencës si Furnizues i Mundësisë së Fundit – për të furnizuar përkohësisht ndërmarrjen Ferronikeli.

  • Policia e Dogana arrestojnë një person të dyshuar

    Policia e Dogana arrestojnë një person të dyshuar

    Policia e Kosovës, respektivisht njësitë nga Policia Kufitare, Njësia K9 dhe Njësia Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës në kuadër të implementimit të planit të përbashkët operacional ” EU4FOCAL-ACTION DAYS” pas kryerjes së procedurave për regjistrimin e personit L.H (1987) nga Prishtina në automjetin e tij me targa vendore, është selektuar për kontrollë në vijën e dytë.

    Pas selektimit për kontroll më të detajuar, gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit të lartcekur është gjetur substancë narkotike e llojit Kokainë, po ashtu është kryer kontrolli trupor i të dyshuarit me ç‘rast i është gjetur në trup një sasi e vogël e substancës së njëjte të cilat pas peshimit së bashku kanë rezultuar gjithsej 101.82 gram.

    Lidhur me rastin është njoftuar njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prizren dhe Forenzikës të cilët pasi kanë dal në vendin e ngjarjes, me ç’rast nga i dyshuari janë sekuestruar si prova materiale dëshmitë si në vijim:

    – Një (1) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 101 gram,

    – Një (1) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 0.82 gram,

    – Një (1) telefon mobil,

    – Vetura me targa vendore.

    Pas njoftimit të prokurorit të shtetit janë pranuar udhëzime që të bëhet bastisje tek shtëpia e të dyshuarit

    me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë :
    – Tri (3) peshore digjitale,
    – Tri (3) pako me foli.

    Me aktvendim mbi ndalim të lëshuar nga prokurori kujdestar i dyshuar është ndaluar për 48 ore, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

  • Kryetari i Kuvendit të Austrisë në Qeveri, pritet në takim nga Kurti

    Kryetari i Kuvendit të Austrisë në Qeveri, pritet në takim nga Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim Kryetarin e Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, raporton Ekonomia Online.

    Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje.

    Sobota paradite është pritur në takim nga homologu kosovar, Glauk Konjufca. Pas takimit ai ka thënë se marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe duhet zbatuar dhe se luftimi i korrupsionit është hap drejt BE-së.

    Përderisa Konjufca i është ankuar se me Serbia po kërkon Republikë serbe brenda Kosovës, por që e ka falënderuar atë për ndihëm në vazhdueshme.

  • ​Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, atëherë mirupafshim

    ​Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, atëherë mirupafshim

    Pikënisja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Ai ka theksuar se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog. E nëse procesi i dialogut e ka si çmim shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, sipas tij është më mirë të thuhet “mirupafshim nga ky proces”.

    Pas takimit me homologun e tij austriak, Konjufca, tha se draft-statuti i Asociacionit, i hartuar nga ish-ekipi menaxhues krijon një republikë serbe në Kosovë.

    Në konferencën e përbashkët për medie, kryeparlamentari Konjufca akuzoi Serbinë se po tenton të destabilizojë veriun e Kosovës, përmes strukturave paralele kriminale atje.

    “Kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Unë këtë mendim e kam. S’ka logjik që me u nis prej një pozicioni që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mbërri tek Kushtetuta e Kosovës. Ashtu nuk mundesh me mbërri kurrë te Kushtetuta e Kosovës. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës. Bile, bile mendoj se nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar, Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, Kosova nuk ka çka të kërkojë në dialog më. Kurrfarë interesi nuk e ka Kosova në atë dialog. Çka kemi ne në interes ne shkatërru kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon vetëm në dëm të interesave tona nëse është ashtu. Kosova është në dialog sepse beson në dy principe shumë. Principin e parë që dialogu është për njohje të ndërsjellët dhe tjetra se çfarëdo rregullimi dhe vetëmenaxhimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Pasi nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimin e shtetit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë me thënë mirupafshim. S’ka interes këtu”, tha ai.

    Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, tha se Kosova dhe Serbia duhet të kenë interpretim të njëjtë për marrëveshjen bazë të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj në Ohër.

    Ai tha se përkundër deklaratave dhe votimit kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, marrëveshja e fasilituar nga Bashkimi Evropian nuk po zbehet, por duhet të ketë durim pasi nevojitet më shumë kohë për zbatimin e plotë të saj.

    “Me sa di unë marrëveshja e Ohrit thotë se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Unë mendoj se posaçërisht, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vendimtar për Kosovën, pasi aty janë të përfaqësuara më shumë shtete që janë në BE. Në situata të ndërlikuara dhe të ndjeshme, Këshilli i Evropës merr vendime dhe qenësore që kanë ndikim afatgjatë. Nuk mendoj se marrëveshja po zbehet, por në politikën ndërkombëtare duhet të kemi pak më shumë kohë. Ajo nuk bëhet çdo herë në hapësirat publike. Duhet të ketë dialog me besim të dyanshëm”, tha ai.

    Megjithatë, Sobotka përmendi si zgjidhje për Asociacionin edhe Tirolin Jugor, i cili sipas tij ka treguar se mund të arrihet një zgjidhje kompromisi.

    “Austria mund të jetë një shembull për Kosovën, nëse mendoni edhe për historinë e shekullit tonë të 20. Nëse e marrim shembullin e Triolit të Jugut, i cili ka treguar se si edhe këtu përmes rrugës së dialogut mund të arrihet një rezultat i mirë. Këtë mund të vlejë edhe për komunat të cilat janë të banuara nga serbët. Nuk ka alternativë që ata mos të hynë ata në zgjedhje. Zgjedhjet shërbejnë për të marrë pjesë dhe është një drejtë themelore në demokraci”, theksoi Sobotka.

    Krahas kësaj, dy kryeparlamentarët Konjufca dhe Sobotka morën pjesë edhe në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti”, ku bashkëbiseduan me nxënës filloristë, në hollin e Kuvendit./KosovaPress/