ATV

Category: Lajme

  • Përparim Rama merr vendim për ndryshimin e qarkullimit të mjeteve në Dardani

    Përparim Rama merr vendim për ndryshimin e qarkullimit të mjeteve në Dardani

    Bazuar në vendimin e Kryetarit të Kryeqytetit të Prishtinës, nga sot është bërë ndryshimi i qarkullimit të mjeteve motorike në rrugën “Ilaz Kodra”, në lagjen Dardania, duke e kthyer këtë rrugë në gjendjen e mëparshme të qarkullimit pas përfundimit të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në këtë zonë.

    Rruga “Ilaz Kodra” do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Sali Çeku”, në drejtim të rrugëve “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini”. Rrugët “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini” vazhdojnë të jenë me dy kahje të qarkullimit.

    Këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut dhe rritjes së sigurisë në këtë zonë, si dhe pas përfundimit të punimeve infrastrukturore.

  • Mësimdhënësi dyshohet për ngacmim seksual ndaj nxënëses në Klinë, pritet masa e paraburgimit

    Mësimdhënësi dyshohet për ngacmim seksual ndaj nxënëses në Klinë, pritet masa e paraburgimit

    Një mësimdhënës është ndaluar për 48-orë nën dyshimin se ka ngacmuar përmes mesazheve me përmbajtje seksuale një nxënëse në qytetin e Klinës.

    Siç mëson Klankosova, ndaj tij pritet të caktohet masa e paraburgimit.

    Sakaq, në raportin 24-orësh, thuhet se rasti dyshohet se ka ndodhur më 30 prill të këtij viti, ndërsa viktima e ka raportuar në polici më 3 maj.

  • Gati dy mijë gjoba për 24 orë ndaj shoferëve që s’respektuan rregullat në trafik

    Gati dy mijë gjoba për 24 orë ndaj shoferëve që s’respektuan rregullat në trafik

    Gjatë 24-orëve të fundit, siguria në trafik dhe rendi publik në vend vazhdojnë të mbeten sfidë, pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës në zbatimin e ligjit dhe parandalimin e incidenteve. Statistikat e publikuara tregojnë për dhjetëra aksidente trafiku dhe një numër të lartë gjobash të shqiptuara ndaj shkelësve

    Gjatë 24-orëve të fundit, sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, në vend janë regjistruar gjithsej 41 aksidente trafiku.

    Prej tyre, 25 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 16 të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Nuk është raportuar asnjë aksident me fatalitet.

    Në kuadër të aktiviteteve të sigurisë në trafik, policia ka shqiptuar 1929 tiketa trafiku ndaj shkelësve të rregullave.

    Ndërkohë, 9 persona janë arrestuar për vepra të ndryshme, ndërsa 8 prej tyre janë dërguar në mbajtje.

  • Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit në zgjedhje

    Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit në zgjedhje

    Fahrije Hoti do t’i bashkohet politikës, duke kandiduar për deputete në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit. Lajmi është bërë i ditur nga ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi në Facebook.

    Sipas Osmanit, Hoti do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, duke përfaqësuar një figurë të fuqishme të grave dhe një histori të njohur të qëndresës dhe punës në Kosovë.

    “Nëse një grua vendos të ngrihet, ajo e bën këtë për të gjithë”, është shprehur Osmani, duke e cilësuar Hotin si një grua “të fortë si guri, të pastër si loti dhe punëtore si askush tjetër”.

  • Aksidenti tragjik, pezullohen nga detyra krerët e Policisë së Durrësit

    Aksidenti tragjik, pezullohen nga detyra krerët e Policisë së Durrësit

    Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra tre drejtues të lartë të Policisë në Durrës, pas aksidentit të rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër.

    Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i cili, në zbatim të rregullores, ka argumentuar pezullimet me “performancë të dobët në përmbushjen e detyrave”.

    Të pezulluarit janë: drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Afrim Tafa; zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj; si dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.

    “Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.

  • 8-vjeçari i lënduar në aksidentin në Durrës ndodhet jashtë rrezikut për jetë

    8-vjeçari i lënduar në aksidentin në Durrës ndodhet jashtë rrezikut për jetë

    Një lajm i mirë vjen pas tronditjes që përjetoi qyteti i Durrësit një ditë më parë, ku sipas burimeve nga bluzat e bardha, 8-vjeçari i plagosur në aksidentin e ndodhur në zonën e ish-Kënetës ka kaluar momentalisht gjendjen e rëndë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

    Ai pritet të kalojë në pavion por do të vijojë të ndiqet nga mjekët e Spitalit të Traumës për trajtimin e dëmtimeve të marra nga aksidenti.

    Kujtojmë se pasditen e së dielës, një aksident tragjik i mori jetën dy fëmijëve, Kles Nikolli, 9 vjeç dhe Enea Muçaj, 12 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti shoku i tyre 8-vjeçar.

    Ata u përplasën nga automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes./euronews/

  • Trump i çon mesazh Iranit me letra ‘Uno’: Të gjitha kartat i kam unë

    Trump i çon mesazh Iranit me letra ‘Uno’: Të gjitha kartat i kam unë

    Shtëpia e Bardhë ka publikuar një imazh të Donald Trump duke mbajtur karta Uno, të shoqëruar me mesazhin “Unë i kam të gjitha kartat”, një veprim që po interpretohet si demonstrim force ndaj Iran në mes të tensioneve të vazhdueshme për programin bërthamor dhe situatën në Ngushtica e Hormuzit.

    Pak orë më herët, Trump njoftoi në platformën Truth Social se Shtetet e Bashkuara do të nisnin një mision për shoqërimin e anijeve në rajon, të cilin e quajti një operacion humanitar me emrin “Projekti Liria”. Ai shtoi se ka zhvilluar “biseda shumë pozitive” me Teheranin, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Në deklaratat e tij të fundit publike, Trump ka theksuar se objektet bërthamore iraniane janë dëmtuar rëndë nga sulmet amerikane, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për rifillimin e aktivitetit do të përballet me reagim të fortë ushtarak.

    “Ne i kemi të gjitha kartat, ata nuk kanë asnjë”, u shpreh presidenti amerikan, duke nënvizuar se negociatat po zhvillohen nga një pozicion force.

  • Amsterdami ndalon reklamat publike për mishin dhe karburantet fosile

    Amsterdami ndalon reklamat publike për mishin dhe karburantet fosile

    Amsterdami është bërë kryeqyteti i parë në botë që ndalon reklamat publike për mishin dhe produktet e karburanteve fosile.

    Që nga 1 maji, reklamat për hamburgerë, vetura me benzinë dhe linja ajrore janë hequr nga billboard-et, stacionet e tramvajit dhe metrotë.

    Në një nga ndalesat më të frekuentuara të tramvajit në qytet, pranë një rrethrrotullimi të gjelbëruar me daffodilë të verdhë dhe tulipanë portokalli, peizazhi i reklamave ka ndryshuar dukshëm.

    Tani aty promovohen Rijksmuseum, muzeu kombëtar i Holandës, dhe një koncert pianoje. Deri javën e kaluar, në të njëjtat hapësira reklamoheshin nuggets pule, SUV dhe pushime me kosto të ulët, shkruan BBC.

    Politikanët e qytetit thonë se kjo lëvizje synon të harmonizojë hapësirat publike të Amsterdamit me objektivat mjedisore të qeverisjes lokale.

    Këto synime parashohin që kryeqyteti holandez të bëhet neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050, si dhe që banorët të përgjysmojnë konsumin e mishit gjatë kësaj periudhe.

    “Kriza klimatike është shumë urgjente,” tha Anneke Veenhoff nga Partia GreenLeft. “Nëse dëshironi të jeni lider në politikat klimatike dhe në të njëjtën kohë jepni me qira hapësirat publike për reklama që promovojnë të kundërtën, atëherë çfarë po bëni?

    “Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë pse komuna duhet të fitojë para duke dhënë me qira hapësirat tona publike për diçka që ne po përpiqemi ta luftojmë me politika,” shtoi ajo.

  • Lansohet shërbimi digjital për regjistrimin e lindjes së fëmijës

    Lansohet shërbimi digjital për regjistrimin e lindjes së fëmijës

    Një shërbim i ri digjital që lidhet me regjistrimin e lindjes së fëmijëve pritet të prezantohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Gjinekologjisë.

    Iniciativa, sipas komunikatës për media, synon të lehtësojë procedurat për qytetarët, duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe më efikase për regjistrimin e lindjeve.

    Në ceremoninë e lansimit do të jenë të pranishëm ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.

    Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, me fillim nga ora 13:30.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për sot.

    Sipas vendimit të MINTI-t çmimi maksimal i naftës (dizel) është përcaktuar në 1.69 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.49 euro për litër.

    Çmimi i gazit është vendosur në 0.84 euro për litër.

    Këto çmime do të jenë në fuqi për sot, ndërsa do të fillojnë të zbatohen nga ora 10:00.