ATV

Category: Lajme

  • Ramadani: Qershori është vendimtar për shtetin, jo veç për pushtetin

    Ramadani: Qershori është vendimtar për shtetin, jo veç për pushtetin

    Ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani ka folur për zgjedhjet në Kosovë, duke thënë se qershori është vendimtar për shtetin, jo veç për pushtetin.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Ramadani ka shkruar se zgjedhjet e qershorit janë domosdoshmëri e aktivizimit të secilës e secilës për të vendosur Kosovën para logjikës së partisë-shtet.

    Postimi i tij i plotë:

    Qershori është vendimtar për shtetin, jo veç për pushtetin.

    Këto zgjedhje nuk janë një rutinë. Janë domosdoshmëri e aktivizimit të secilës e secilës për të vendosur Kosovën para logjikës së partisë-shtet.

    Mjaft është mjaft! Dy netët e fundit në Kuvend dëshmuan se këta po luajnë me shtetin. Po luajnë me popullin. Po luajnë me ndjersën e mundin e qytetarëve brenda e jashtë vendit.

    Aktivizohuni të gjithë!

    Ky nuk është moment për të qenë spektatorë!

  • LDK mohon marrëveshjen me PDK-në për bashkëqeverisje në Prishtinë

    LDK mohon marrëveshjen me PDK-në për bashkëqeverisje në Prishtinë

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas deklaratës së fundit të Uran Ismailit, duke mohuar se ekziston ndonjë marrëveshje me PDK-në apo me ndonjë subjekt tjetër politik për bashkëqeverisje në Prishtinë.

    Në një komunikatë të publikuar në Facebook, LDK ka thënë se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për arritjen e një marrëveshjeje të tillë.

    “LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, thuhet në reagim.

    Partia ka theksuar se ka struktura dhe organe të veta vendimmarrëse, të cilat, sipas saj, nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse.

    “LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, thuhet më tej.

    LDK ka shtuar se çdo marrëveshje që pretendohet se është arritur jashtë këtyre strukturave nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të partisë dhe, sipas saj, nuk krijon obligime politike për LDK-në.

    “Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj”, thuhet në komunikatë.

    Në reagim, LDK ka theksuar se marrëveshjet ndërpartiake me këtë parti, sipas saj, ndërtohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe vendimmarrjes institucionale.

    “Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, thuhet më tej.

    LDK ka bërë të ditur po ashtu se për çështjet lokale do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale, duke theksuar se aktualisht fokusi i saj është në procesin e ringritjes së brendshme.

    “Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”, përfundon komunikata.

  • Garda Revolucionare Iraniane publikon hartën e re të Gjirit Persik, ja kufijtë e ri në Hormuz

    Garda Revolucionare Iraniane publikon hartën e re të Gjirit Persik, ja kufijtë e ri në Hormuz

    Marina e Gardës Revolucionare të Iranit ka publikuar një hartë të re mjaft ambicioze. Irani tani po thotë se këto vija të reja dhe zona që ka shpallur do të kontrollohen dhe menaxhohen nga forcat e tij të armatosura.

    Këto vija i referohen një zone të gjerë gjeografike, e cila shtrihet nga lindja, me vijën që kalon midis malit Mubarak në Iran dhe jugut të Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Ndërsa nga perëndimi, vija shtrihet midis skajit të ishullit Kashmir në Iran dhe Umm Al Quwain në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Kjo nënkupton eliminimin e mundësisë që Emiratet e Bashkuara Arabe të anashkalojnë Ngushticën e Hormuzit për të shitur naftën e tyre, pasi kjo vijë tani shtrihet përtej Fujairah, të cilën Emiratet e përdornin si një pikë kyçe për të vazhduar eksportet e naftës në tregun global gjatë luftës.

    Irani tani po i zgjeron këto kufij përtej Fujairah. Kështu, deri në një farë mase, këto vija të reja po pengojnë edhe përdorimin e ujërave territoriale të vetë Emirateve.

    Kjo hartë padyshim ndryshon balancën e fuqisë në rajon. Nëse zbatohet, ajo do ta bënte Iranin fuqinë dominuese në këtë rend të ri rajonal dhe në këtë konfigurim të ri sigurie.

  • Fituesit dhe humbësit e luftës për Hormuzin

    Fituesit dhe humbësit e luftës për Hormuzin

    Nga Prof. Dr. Adrian Civici
    Rektor i Universitetit “Mesdhetar i Shqipërisë”

    Politikat e reja duhet të largohen nga modeli i një ekonomie që bazohet vetëm te shërbimet dhe konsumi i produkteve të huaja, drejt një modeli që vlerëson dhe mbron burimin vendas. Nëse nuk arrijmë të garantojmë energjinë dhe bukën përmes rrugëzgjidhjeve të brendshme, do të mbetemi gjithmonë peng të një ngushtice detare mijëra kilometra larg, që dikton se sa do të kushtojë jeta në Tiranë.

    Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, që nisi si një konflikt ushtarak në fund të shkurtit 2026, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), është shndërruar sot në “tronditjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut global të naftës”. Me rreth 20% të naftës botërore dhe një pjesë masive të gazit të lëngshëm (LNG) të bllokuar pas “portës” së Gjirit Persik, çmimi i naftës Brent ka thyer barrierën e 120 dollarëve për fuçi, me parashikime që shkojnë deri në 150 dollarë nëse mbyllja vazhdon. Në këtë peizazh të ri gjeopolitik, harta e pasurisë botërore po rishkruhet me shpejtësi.

    Fituesit: Renta e Pasigurisë dhe “Bypass”-i Strategjik

    Në çdo krizë furnizimi, ata që kontrollojnë burimet alternative dhe rrugët e sigurta tregtare dalin triumfues.

    Rusia dhe “Rilindja” e Naftës “Urals.

    Për Rusinë, kjo krizë ishte një dhuratë gjeopolitike. Përveç rritjes së të ardhurave buxhetore me rreth 8-11%, Moska ka parë zbehjen e efektit të sanksioneve. Nafta ruse, që dikur shitej me çmim të reduktuar, tani kërkohet nga rafinëritë evropiane dhe aziatike që nuk kanë akses te nafta e Gjirit.

    Prodhuesit e Amerikës dhe Norvegjisë.

    Kompanitë si Chevron dhe ExxonMobil po raportojnë fitime rekord. Me kosto nxjerrjeje që luhaten rreth 30 dollarë, marzhi i fitimit në 120 dollarë është shumë i lartë. Norvegjia, si furnizuesi kryesor i mbetur i Evropës, po përjeton një suficit buxhetor që tejkalon çdo parashikim të vitit 2025.

    Logjistika e Plehrave Kimike (Maroku dhe Egjipti).

    Një fitues i papritur është sektori i plehrave kimike jashtë Gjirit Persik. Me mbylljen e Hormuzit, u bllokua 36% e eksportit botëror të uresë, plehut kryesor azotik. Prodhuesit në Marok dhe Egjipt kanë rritur çmimet me mbi 28% në muajt e fundit, duke u bërë “Mbretërit e Rinj” të sigurisë ushqimore globale.

    Humbësit: “Burgu” i Gjirit dhe Paraliza Aziatike

    Në anën tjetër të ekuacionit, humbjet nuk janë vetëm financiare, por strukturore.

    Vendet e “Burgosura” të Gjirit.

    Kuvajti, Iraku dhe Katari janë humbësit më të mëdhenj. Iraku, i cili varet nga nafta për 90% të PPB-së, ka parë eksportet e tij të bien me mbi 60%. Katari, dikur lider i LNG-së, u detyrua të shpallte ndërprerje e kontratave për shkak të forcave madhore, pasi anijet e tij nuk mund të kalojnë zonën e konfliktit, duke i lënë tregjet aziatike në “blackout” energjetik.

    Gjigantët e Azisë (Kina dhe India)

    Ky konsiderohet si një “Pearl Harbor-i ekonomik” për Pekinin dhe Nju Delhin. Kina importon 75% të naftës që kalon në Hormuz. Kostot e larta të energjisë po ulin konkurrueshmërinë e fabrikave kineze, ndërsa India po përballet me një krizë të rezervave valutore për të paguar faturën e fryrë të energjisë.

    Konsumatori Evropian dhe Ballkani.

    Në Evropë, Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka pezulluar uljen e normave të interesit. Ballkani Perëndimor po ndjen goditjen e dyfishtë: naftën e shtrenjtë në pika karburanti dhe rritjen e çmimit të ushqimeve për shkak të plehrave kimike. Në Shqipëri, çmimi i naftës po shkon me nivele rekord, duke rritur premisat për një valë inflacioni që gërryen fuqinë blerëse të familjeve.

    III. Anatomia e një Stagflacioni Sistemik

    Ndryshe nga kriza e parë e naftës (1973), ku bota kishte rezerva të bollshme dhe një kërkesë më elastike, në vitin 2026, ekonomia globale është një “organizëm” shumë më i ndërvarur dhe me pak hapësirë për gabime. Mbyllja e ngushticës së Hormuzit (20% e naftës dhe 25% e LNG-së) krijon një deficit që asnjë prodhues tjetër nuk mund ta mbulojë brenda natës.

    Tronditja e Ofertave: “Muri” i Rezervave Strategjike

    Në krizat e kaluara, Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së dhe rezervat e IEA-së shërbenin si një amortizator.

    Ezaurimi i Amortizatorëve: Në fillim të vitit 2026, rezervat strategjike ishin në nivelet më të ulëta historike për shkak të përdorimit të tyre gjatë luhatjeve të viteve 2022-2024. Sot, hedhja e 1-2 milionë fuçive në ditë në treg është si “të fikësh zjarrin me pikatore”.

    Kriza e Rafinimit: Nuk mungon vetëm nafta bruto, por edhe një lloj specifik i saj që vjen nga Gjiri Persik. Rafineritë në Azi dhe Evropë nuk mund të kalojnë menjëherë te nafta e lehtë amerikane pa modifikime strukturore që zgjasin me muaj. Kjo po shkakton një mungesë kritike të diselit, pa të cilin transporti i mallrave ndalon.

    Kriza e “Shportës”: Nga Energjia te Kaloria

    Lidhja mes energjisë dhe ushqimit në vitin 2026 është bërë e vështirë për t’u zgjidhur. Kjo nuk është thjesht shtrenjtim karburanti, por është krizë e prodhimit bazë.

    Gazi si Lëndë e Parë: Pjesa dërrmuese e plehrave azotike prodhohen nga gazi natyror. Me bllokimin e LNG-së nga Katari, impiantet e plehrave në Evropë dhe Indi kanë mbyllur aktivitetin, sepse kostoja e gazit e bën prodhimin joekonomik. Pa plehra kimike të përballueshme, rendimenti i grurit në Ukrainë, Francë, SHBA, etj., parashikohet të bjerë me 15-20% për sezonin e ardhshëm. Kjo do të thotë se bllokimi i të Hormuzit përkthehet në drithra dhe jo vetëm, më të shtrenjta.

    Logjistika: Zinxhiri ushqimor i produkteve të freskëta varet nga transporti me temperaturë të kontrolluar. Rritja e çmimit të energjisë po bën që kostot e magazinimit frigoriferik të rriten me 40%, duke i detyruar supermarketet të rrisin çmimet për të shmangur falimentin.

    Mekanizmi i Stagflacionit: Paraliza e konsumit

    Stagflacioni ushqehet nga humbja e besimit. Kur një qytetar në Tiranë, Berlin, Paris apo Prishtinë paguan 40% më shumë për energji dhe ushqim, ai ndalon blerjen e produkteve të tjera.

    Recesioni i Industrisë: Industria e automobilave, ndërtimit dhe tekstilit po shohin një rënie të porosive. Kostot e larta të inputeve (çeliku, plastika, transporti) po i detyrojnë fabrikat të reduktojnë orët e punës ose të shpallin pushime të sforcuara.

    Erozioni i Kursimeve: Inflacioni i vitit 2026 po gërryen kursimet e shtresës së mesme më shpejt se në vitet ’70, sepse borxhi privat (kreditë) është shumë më i lartë. Rritja e normave të interesit nga Bankat Qendrore për të luftuar inflacionin po e bën këtë borxh të papagueshëm, duke krijuar rrezikun e një krizë financiare mbi krizën energjetike.

    Ngushtica si “Pikë Kthese” historike

    Ngushtica e Hormuzit ka pushuar së qeni një problem thjesht rajonal. Ajo është shndërruar në “çelësin e shpërndarjes së mirëqenies globale”. Nëse mbyllja vazhdon, pritet të ndodhë një rishpërndarje masive e pasurisë:

    Vendet e varura nga importi do të përballen me një ulje të standardit të jetesës. Rritja Ekonomike pritet të jetë mjaft e ulët, ndërsa Inflacioni pritet të ketë tendencë rritjeje, duke shtuar frikën e një stagflacioni.

    Pa një zgjidhje diplomatike të shpejtë dhe të qëndrueshme, bota rrezikon të hyjë në një “dimër Ekonomik” që mund të zgjasë me vite, ku siguria energjetike dhe ushqimore do të mbizotërojnë mbi çdo objektiv tjetër politik apo social.

    Për një ekonomi si ajo e Shqipërisë, e cila operon në periferi të tregjeve të mëdha kapitale dhe është e ekspozuar ndaj flukseve importuese, bllokimi i Hormuzit nuk është thjesht një lajm ndërkombëtar, por një thirrje për ripozicionim strukturor. “Fundi i epokës së lirë” kërkon kalimin nga një politikë reaktive menaxhimi krizash, në një politikë sovrane ndërtimi qëndrueshmërie.

    Ku duhet të mbështetet ky rishikim strukturor?

    Siguria Energjetike: Nga varësia te autonomia strategjike

    Shqipëria ka avantazhin e burimeve të rinovueshme, por dobësinë e varësisë nga importi i energjisë gjatë pikave të konsumit dhe varësinë totale nga karburantet fosile për transportin.

    Diversifikimi energjetik: Kthimi i Shqipërisë në një “bateri rajonale” përmes investimeve masive në energjinë diellore dhe të erës nuk opsion, por emergjencë. Kjo do të reduktonte nevojën për të importuar energji të shtrenjtë në bursat ndërkombëtare.

    Reforma e transportit dhe elektrifikimi: Kur nafta kalon 220 lekë/litër, kostoja e transportit të mallrave dhe njerëzve bëhet barrë e papërballueshme. Rishikimi i politikave duhet të nxisë me mjete fiskale kalimin drejt transportit elektrik dhe hekurudhor, duke shfrytëzuar prodhimin vendas të energjisë hidro.

    Rezervat strategjike të karburantit: Shqipëria duhet të rrisë kapacitetet e magazinimit shtetëror për të paktën 90-120 ditë, për të amortizuar goditjet e ofertës që vijnë nga pikat e nxehta gjeopolitike.

    Siguria ushqimore: Rikthimi te prodhimi vendas

    Bllokimi i Hormuzit ka vërtetuar se zinxhirët globalë të furnizimit janë “pre e lehtë” e gjeopolitikës. Kur plehrat kimike shtrenjtohen dhe drithërat bllokohen, siguria ushqimore kthehet në siguri kombëtare.

    Subvencionimi i inputeve bujqësore: Me rritjen e çmimit të uresë dhe plehrave azotike për shkak të mungesës së gazit, institucionet duhet të ndërhyjnë për të subvencionuar direkt këto inpute për fermerët vendas. Pa këtë, prodhimi vendas do të tkurret, duke rritur varësinë nga importi i ushqimeve që po shtrenjtohen në tregjet ndërkombëtare.

    Drithërat e bukës: Shqipëria duhet të ketë një plan konkret për rritjen e sipërfaqes së mbjellë me drithëra buke. Varësia nga importi i miellit në kohë stagflacioni është një rrezik social.

    Logjistika: Investimi në qendrat e grumbullimit dhe kapacitetet frigoriferike industriale do të minimizonin humbjet nga vështirësitë e ruajtjes dhe përpunimit dhe do të siguronin furnizim konstant me produkte vendase, duke ulur presionin mbi çmimet e importit.

    Sovraniteti teknologjik

    Siguria nuk është vetëm materiale, por edhe teknollogjike e intelektuale.

    IA në shërbim të burimeve: Shqipëria duhet të ndërtojë modelet e veta të vogla të IA (SLM) për të optimizuar rrjetin elektrik dhe përdorimin e ujit. Në një botë ku energjia është e shtrenjtë, efikasiteti i llogaritur nga algoritmet lokale është një armë rezistence.

    Edukimi për epokën e re: Universitetet duhet të përgatisin specialistë që dinë të menaxhojnë sisteme të izoluara dhe që kuptojnë gjeopolitikën e burimeve, jo thjesht operatorë që presin udhëzime nga jashtë.

    Paradigma e re

    Koha e “globalizimit të lumtur” ku çdo gjë gjendej lirë në tregun global ka përfunduar. Për Shqipërinë, kjo krizë është një thirrje për “Rilindjen e prodhimit”.

    Politikat e reja duhet të largohen nga modeli i një ekonomie që bazohet vetëm te shërbimet dhe konsumi i produkteve të huaja, drejt një modeli që vlerëson dhe mbron burimin vendas. Nëse nuk arrijmë të garantojmë energjinë dhe bukën përmes rrugëzgjidhjeve të brendshme, do të mbetemi gjithmonë peng të një ngushtice detare mijëra kilometra larg, që dikton se sa do të kushtojë jeta në Tiranë.

  • Indiani që e akuzoi shqiptaren se e kishte kthyer në skllav seksual, kishte gënjyer edhe për vdekjen e babait

    Indiani që e akuzoi shqiptaren se e kishte kthyer në skllav seksual, kishte gënjyer edhe për vdekjen e babait

    Lajmi se një drejtuese e bankës “JPMorgan Chase” me origjinë shqiptare kishte ngacmuar dhe detyruar një punonjës të saj të bëhej “skllavi i saj seksual”, bëri xhiron e rrjetit. Por duket se kjo nuk është e gjithë e vërteta.

    Ish-bankieri i JPMorgan Chase, duket se ka një histori mashtrimesh e gënjeshtrash. Ai gënjeu kompaninë se babai i tij po vdiste në mënyrë që të merrte gati tre muaj leje të paguar – dhe me sa duket e përdori këtë kohë të lirë për të përgatitur padinë tronditëse kundër Lorna Hajdinit dhe punëdhënësit të tij.

    Burime për New York Post bëjnë me dije se Chirayu Rana, 35 vjeç, i informoi mbikëqyrësit në mesin e dhjetorit 2024 për vdekjen e supozuar të babait të tij, Chaitanya, dhe se ai duhej të merrte pushim nga puna për të qenë me familjen e tij – duke bashkuar forma të ndryshme të lejes së paguar përveç pesë ditëve të zisë.

    Burimet thanë se financuesi, i cili tani është i papunë, iu lejua të punonte nga distanca që nga vjeshta e vitit 2024, kur ai i kishte raportuar për herë të parë drejtuesve të bankës se babai i tij ishte rëndë i sëmurë.

    Më pas, ai i shteroi një sërë lejesh midis fillimit të marsit dhe fundit të majit të vitit të kaluar, kur një draft-ankesë fillestare iu dërgua ekipit ligjor të bankës, thanë njerëzit e njohur me çështjen.

    Rana më në fund e paraqiti padinë e tij gati një vit më vonë, më 28 prill, në Gjykatën Supreme të Qarkut të Nju Jorkut nën pseudonimin “John Doe”, duke akuzuar drejtoreshën ekzekutive Lorna Hajdini, 37 vjeç, se e kishte droguar me Rohypnol dhe Viagra, e kishte detyruar të kryente akte seksuale degraduese dhe i kishte kërcënuar karrierën nëse ai refuzonte.

    Ndërkohë Lorna Hajdini kundërshton me forcë akuzat ndaj saj.

    “Lorna i mohon kategorikisht akuzat. Ajo nuk është përfshirë kurrë në ndonjë sjellje të papërshtatshme me këtë individ të asnjë lloji dhe nuk ka qenë kurrë në vendin ku supozohet se ka ndodhur sulmi seksual i dyshuar”, shprehen avokatët.

  • Hapet Gjykata Administrative, Haxhiu: Ditë e rëndësishme për drejtësinë

    Hapet Gjykata Administrative, Haxhiu: Ditë e rëndësishme për drejtësinë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative të Kosovës, duke e cilësuar fillimin e funksionimit të saj si një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.

    Në fjalën e saj, ajo theksoi se rëndësia e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin formal, por në ndikimin që do të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve.

    “Fillimi i punës së Gjykatës Administrative është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin”, tha Haxhiu.

    “Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një republikë demokrati,e, vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë. Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme”, deklaroi ajo.

  • I mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kosova të ketë datë zyrtare për dëshmorët e kombit

    I mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kosova të ketë datë zyrtare për dëshmorët e kombit

    I mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Bislim Zogaj, ka deklaruar se është i zhgënjyer me mënyrën se si po vlerësohen dëshmorët e kombit.

    Ai u nis pikërisht nga dita e sotme, 5 maji që llogaritet si Dita e Dëshmorëve, pavarësisht se nuk është datë zyrtare.

    “Unë personalisht jam i zhgënjyer me faktin apo me atë që bëhet për dëshmorët, apo formën se si mundohemi t’i vlerësojmë, duke filluar nga dita e sotme, që llogaritet si Ditë e Dëshmorëve, që ende nuk është datë zyrtare. Kjo do duhej të ishte zyrtare”, tha Zogaj në Klan Kosova.

    Sipas tij, Kosova do duhej të kishte një datë kur përkujtohen të gjithë dëshmorët.

    “Pa dashje, shpesh bëhet dallimi i dëshmorëve, dhe një jetë kanë pasur, atë e kanë dhen. Meritojnë respekt maksimal”, tha Zogaj.

  • Gazetarët luftojnë për të drejtat e të gjithëve, por të drejtat e tyre janë lënë anash

    Gazetarët luftojnë për të drejtat e të gjithëve, por të drejtat e tyre janë lënë anash

    Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, Kosova është renditur në vendin e 84-të, duke shënuar një përmirësim prej 15 pozitash krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2025, vendi kishte pësuar rënie, duke u pozicionuar në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete të përfshira në këtë raport global.

    Në kontekstin e këtij raporti dhe shënimit të 3 majit – Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit – në emisionin “LIBERO” u diskutua për gjendjen e mediave në Kosovë dhe rolin e tyre në një shoqëri demokratike.

    Profesori universitar Gëzim Qerimi vlerësoi punën e mediave në vend, duke theksuar sfidat e shumta me të cilat ato përballen. Ai u shpreh se, pavarësisht kushteve të vështira, “…Mediat në Kosovë janë duke e luajtur rolin e tyre jashtëzakonisht mirë…”, ndërsa shtoi se tregu i vogël dhe pagat e ulëta mbeten problem serioz. Sipas tij, gazetarët angazhohen për të drejtat e shoqërisë, por fatkeqësisht nuk i kanë të rregulluara të drejtat e tyre.

    Gazetari Florent Zeqaj theksoi se motivimi për gazetari në Kosovë rrallëherë lidhet me përfitime financiare. Ai potencoi se shumica e gazetarëve e kanë zgjedhur këtë profesion nga vullneti dhe pasioni, duke e cilësuar atë si një përkushtim të vështirë dhe sfidues. “…Shpesh, kur e analizon punën dhe përkushtimin në raport me pagesën, të vjen keq për atë që ke kaluar…”, tha ai.

    Ndërkohë, gazetari hulumtues, Kreshnik Gashi, e vendosi situatën në një kontekst më të gjerë global. Ai theksoi se raporti i Reporterëve pa Kufij tregon për një përkeqësim të përgjithshëm të kushteve të gazetarisë në mbarë botën. Sipas tij, “…degradimi dhe ambienti në të cilin gazetarët punojnë është duke shku drejt të keqes…”, duke shtuar se gazetarët po përballen me një realitet gjithnjë e më sfidues dhe me kufizime në ushtrimin e profesionit të tyre.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Nga janari deri në mars, 334 çifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës së tyre

    Nga janari deri në mars, 334 çifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës së tyre

    Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, nga janari deri në mars, 334 çifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), trendi i shkurorëzimeve ka qenë i theksuar që në fillim të vitit. Në muajin janar, 88 çifte vendosën t’i japin fund bashkëjetesës së tyre martesore.

    Ky numër pësoi rritje të ndjeshme në shkurt, ku 135 çifte u ndanë ligjërisht.

    Ndërsa në mars, edhe 111 çifte të tjera iu shtuan kësaj statistike, duke e çuar totalin në 334 ndarje për vetëm tre muaj.

  • Haradinaj nderon luftëtarët shqiptarë: Lavdi të rënëve për liri!

    Haradinaj nderon luftëtarët shqiptarë: Lavdi të rënëve për liri!

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka nderuar të rënët për liri si dhe luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave.

    Përmes një postimi në Facebook, në Ditët e Dëshmorëve dhe Martirëve, Haradinaj tha po ashtu: “Rroftë kombi shqiptar”.

    “Lavdi të rënëve për liri dhe nderim për luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave. Rroftë kombi shqiptar! Rroftë Kosova!”, ka shkruar ai.