ATV

Category: Lajme

  • ​Tre policët e rrëmbyer nga Serbia mbërrijnë në shtabin qendror të PK-së

    ​Tre policët e rrëmbyer nga Serbia mbërrijnë në shtabin qendror të PK-së

    Tre policët e rrëmbyer nga Serbia, kanë arritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

    Ata janë liruar sot pas një vendimi të Gjykatës së Kralevës për mbrojtje në liri.

    Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, arritën në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare.

    Të njëjtit janë rrëmbyer më 14 qershor brenda territorit të vendit.

  • Zv.kryeministrja Rexhepi e ministri Krasniqi marrin pjesë në varrimin e nënës e djalit që vdiqën nga vërshimet në Pejë

    Zv.kryeministrja Rexhepi e ministri Krasniqi marrin pjesë në varrimin e nënës e djalit që vdiqën nga vërshimet në Pejë

    Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ishin të pranishëm në varrimin e Mirsada dhe Dion Ademaj, që vdiqën nga vërshimet në Pejë, raporton EO.

    E hëna ishte ditë zie në Pejë. Ky vendim është marrë nga kryetari Gazmend Muhaxheri.

    Qyteti i Pejës është stabilizuar pas vërshimeve të mëdha që ndodhën të shtunën, kështu deklaroi Gëzim Gashi, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë. Ai theksoi se do të nisin edhe me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut.

    “Gjendja është stabile. Niveli i ujit është i përballueshëm. Të reshurat janë ndalur. Ne e kemi formuar një komision prej 12 anëtarëve. Do t’i formojmë edhe disa komisione të tjera në mënyrë që ta përfundojmë vlerësimin sa më shpejtë dhe t’i drejtohemi ministrisë, në mënyrë që t’i dalin në ndihmë qytetarëve. Ende nuk e dimë vlerën e saktë të dëmeve”.

  • Familjarët hapin të pamet për nënën e djalin e vdekur nga vërshimet në Pejë

    Familjarët hapin të pamet për nënën e djalin e vdekur nga vërshimet në Pejë

    Familjarët kanë hapur të pamet për vdekjen e 26 vjeçes së bashku me djalin e saj, 5 vjeçar, pas vështrimeve në Pejë, raporton EO.

    Familjarët kanë treguar prapa kamerave se kufomat po qëndrojnë ende në shtëpi dhe se varrimi do të bëhet në ora 15:00.

  • Pamjet nga pika kufitare në Merdare: Tre policët priten nga kolegët e tyre, por jo nga politikanët

    Pamjet nga pika kufitare në Merdare: Tre policët priten nga kolegët e tyre, por jo nga politikanët

    Tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat policore të Serbisë, të cilët u liruan sot, kanë mbërritur në pikën kufitare në Merdare.

    Siç shihet edhe në videon e siguruar nga ATV, gjatë momentit të kalimit të tyrë në këtë pikë kufitare, ata janë pritur nga kolegët e tyre, ndërsa nuk është parë ndonjë politikan.

  • Idrizi i ndërpret punimet e një rruge pas punës jo cilësore: Nuk lejoj punë shkel e shko

    Idrizi i ndërpret punimet e një rruge pas punës jo cilësore: Nuk lejoj punë shkel e shko

    Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se ka ndërpre punimet në rrugën “Ahmet Delia” në Novolan, e cila ishte planifikuar që të asfaltohen dhe se kamionët me asfalt janë kthyer mbrapa.

    Sipas tij arsyeja e ndërprerjes është bërë pasi aty është bërë puna jo cilësore dhe ka pasur mungesë të trashësisë së zhavorit dhe ngjeshjes.

    Ai është zotur se nuk do të lejoj punët shkel e shko ne këtë komunë.

    Njoftimi i plotë:

    NUK LEJOJ PUNË SHKEL E SHKO! ✋🛑
    Sot gjatë mbikëqyrjes së punimeve në rrugën “Ahmet Delia” në Novolan, e cila ishte planifikuar të asfaltohet, i ndërpreva punimet dhe kamionët me asfalt u kthyen mbrapa. Arsyeja e ndërprerjes ishte puna jo cilësore dhe shmangia nga paramasa (mungesa e trashësisë së zhavorit dhe ngjeshja). Ju bëj thirrje të gjithë operatorëve që marrin punë në Komunën e Vushtrrisë, të punojnë sipas projektit dhe me cilësi, ndryshe do ta marrin të njëjtën përgjigje.
    Stop punës shkel e shko!

  • Mbrojtja e Shalës me ankesa pasi ZPS takoi dëshmitarin një ditë para dëshmisë

    Mbrojtja e Shalës me ankesa pasi ZPS takoi dëshmitarin një ditë para dëshmisë

    Në Gjykatën Speciale po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (UÇK), Pjetër Shala. Në cilësinë e ekspertit, Marek Gasior, dëshmitar i prokurorisë, do të dëshmojë para trupit gjykues pa masa mbrojtëse.

    Gjatë ditës së djeshme ai ka zhvilluar një takim me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

    Avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka thënë se janë të habitur që dje pas dreke janë informuar dhe kanë marr një kopje të shënimit zyrtar për këtë takim.

    Sipas tij ky shënim e ka edhe një deklaratë të re e cila nuk është e përfshirë në listën e materialeve që ZPS i ka ofruar mbrojtjes më 23 qershor 2023.

    Mbrojtësi i Shalës ka thënë se dhënia e materialeve të reja nga një dëshmitar ekspert në prag të dëshmisë së tij është shkelje e të drejtave të të akuzuarit.

    Sipas, avokatit, nuk kanë pasur kohë që të marrin udhëzimet nga klienti i tyre, Pjetër Shala, lidhur me elementet e reja, prandaj këtë e konsiderojnë të papranueshme.

    “Ne u habitën shumë se dje pas dreke u informuar dhe morën një kopje të një shënimit zyrtar të një takimi me zotërinë Gasior lidhur me një takim të zhvilluar dje midis këtij dëshmitari në cilësinë e ekspertit dhe ZPS-së. I ashtuquajtur shënim ka të bëjë me një intervistë apo deklaratë të re me këtë dëshmitarë, kjo intervistë nuk ishte e listës e materialeve që i është dhënë mbrojtjes nga ZPS të premten 23 qershor 2023. Mbrojtja vëren rëndësinë e kërkimit dhe gjetjes të së vërtetës, mbrojtja vëren edhe gjetjet përkatëse për familjarizimin e dëshmitarëve që trupi gjykues e ka nxjerr më 24 shkurt 2023. Megjithatë, dhënia e materialeve të reja nga një dëshmitar ekspert në prag të dëshmisë së tij është shkelje e të drejtave të të akuzuarit. Edhe njëherë mbrojtja gjendet përpara një fakti të kryer, ne sot fillojmë me dëshminë e dëshmitarit kështu që mbrojtjes nuk i është dhënë kohë që të shqyrtoj siç duhet elementet e dëshmisë së këtij dëshmitari si ekspert”, ka thënë ai.

    Mbrojtja e Shalës ka shpalosur disa nga informacionet e reja që përfshijnë dokumenti i ri i cili u është dorëzuar të premten e kaluar, ndërsa ka kërkuar kohë të mjaftueshme për t’i përgatitur kundër pyetjet e tyre karshi këtij dëshmitari, që sipas tij u duhen 40 orë.

    “Sipas mendimit tonë ka informacione të reja disa hollësi të shënuar në këtë shënim të ashtuquajtur shënime faqja 1 pika katër ku flitet për dënimin e shkaktuar nga 3 plumba dhe deri tani eksperti fliste për 2 plumba, mbase 3, por kemi edhe renditjen kohore të të shtënave me armë që janë koha e lëndimit dhe shkaku i vdekjes është diçka shumë e re për ne dhe nëse mbase ne këtë mund ta trajtojmë me këshillin e ekspertëve tanë. Mbrojtjes i duhet akt ekspertiza plotësuese në mënyrë që të trajtojmë këto elemente të reja”, ka theksuar ai.

    Edhe Pjetër Shala ka thënë se nuk është i informuar për shkresën e re derisa ka shtuar se është e drejta e tij të njoftohet për ndryshime.

    Ndërsa sipas prokurores Pergolo, në takimin e djeshëm me ekspertin kanë kërkuar sqarime me qëllim që dëshmia të jetë efikase dhe e qartë.

    “Diskutimet ndërmjet palës thirrëse dhe dëshmitarit si ekspert mund të zhvillohet në çdo moment para thirrjes së këtij dëshmitari. Ndryshe, nga dëshmitarët e faktit nuk ka kufizime të vendosura nga ZPS si subjekt thirrës që të takohet me ekspertin e vetë para thirrjes së dëshmisë. Gjatë takimit të djeshëm ne thjesht kemi kërkuar sqarime, sa i takon takimeve të bëra me akt ekspertizë të cilët akt ekspertizë mbrojtja e ka pasur prej kohësh dhe ne nuk diskutuam çështje të reja, diskutuam çështje që nuk janë të reja, ideja të ishte që dëshmia të ishte më efikase dhe më e qartë. Sigurisht janë trajtuar se kanë dal nga provat dhe dëshmitë e paraqitur deri më tani”, ka thënë prokurorja.

    Ndërsa sipas mbrojtësit të viktimave, Simon Laës, një takim i tillë nuk ka pse të kundërshtohet.

    Në anën tjetër, avokati i Pjetër Shala ka deklaruar se të premten e kaluar janë njoftuar po ashtu se nuk t’u lejohen kundër-pyetje për dëshmitarin e radhës së ZPS-së.

    Ai këtë vendin e ka konsideruar cenues për mbrojtjen.

    “Mbrojtja u njoftua të premten që nuk do t’i lejohet që të bëjë kundër pyetjet dëshmitarit të prokurorisë së tetë përpara këtij trupi gjykues. Ne mendojmë se kjo është cenuese për ne, njoftimi i vonuar i këtyre ndryshimeve po ashtu ka ndikim mbi mënyrën se si ka zgjedhur mbrojtja të konfrontoj dëshmitarin e ardhshëm dhe mendojmë se kjo është cenueshme për mbrojtjen dhe mendojmë se ndryshimi i prokurorisë në momentin e fundit mbrojtjes i mohohet koha e vlefshme që asaj i duket absolutisht i nevojshme në mënyrë të tillë që të shtoj element të prezantimit të vetë….Kërkesa jonë është që çështja e prokurorisë mund të shqyrtohet vetëm nëse ka element të ri sigurisht pasi është marr vendimi përkatës për autorizim të apelit dhe sipas nesh parashtrojmë para trupit gjykues se deri tek lëshimi i këtij vendimi do të duhet kohë“, ka thënë ai.

    Trupi gjykues mori vendim që ZPS të fillojë marrjen në pyetje të dëshmitarit të radhës në cilësinë e ekspertit, Marek Gasior, dhe mbrojtja gjatë ditës së sotme të kontaktojë ekspertin ndërsa nesër të vazhdoj me kundër-pyetjet e saj.

    “Do të nisim sot me marrjen e pyetjeve nga Prokuroria dhe me marrjen nga pyetja nga mbrojtësi i viktimave nëse do të ketë pyetje, sigurisht nuk është detyra e trupit gjykues të ndërhyjmë me organizimet e brendshme të mbrojtjes por trupi gjykues sugjeron që të kontaktoni sot në momentin më të parë të mundur me ekspertin një prej mbrojtjes të mund ë kontaktoj dhe pastaj do të filloj me marrjen e pyetje të mbrojtjes pas ditës në orën 13:30 pasdite dhe do të organizojmë dy seanca”, ka thënë kryegjykatësja, Mappie Veldt Foglia.

    Në këtë seancë, Pjetër Shala ka thënë se nuk është i informuar asgjë për dokumentin e ri.

    “Unë nuk e kam kuptuar as çka është bërë ndryshimi, por unë mendoj sipas ligjit që më takon ta kupton se çka është bërë çfarë ndryshimi është bërë dhe duhet të më vije mua dhe të kuptoj se çka është, as nuk kam konsultim me avokat as nuk jam konsultuar dhe as nuk më është sqaruar se çfarë ndryshimi ka deklarata e dëshmitarit të sotëm dje nuk jam në rrjedhja, mendoj se është e drejt e imja që së paku të jemi i njoftuar lidhur me çka se jeta ime është në pyetje këtu”, ka theksuar ai.

    Pas kësaj, mbrojtja e Shalës më pas ka kërkuar që dhënia e dëshmisë së dëshmitarit të shtyhet deri në pjesën e pasdites së seancës së sotme, me qëllim që të takojnë me Shalën.

    “Sipas mendimit tim përpara se të dëgjojmë dëshminë e dëshmitarit sot është e nevojshme të flasim me zotërinë Shala, unë kërkoj që sot të shtyjmë deklarimin e deklaratës së dëshmitarit për seancën e pasdites në mënyrë që të shkojmë në qendrën e ndalimit në burg aty ku është zotëri Shala mendoj se është me vend të shtyhet seanca”, ka thënë ai.

    Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka kundërshtuar shtyrjen e marrjes në pyetje të dëshmitarit të tyre.

    E më pas trupi gjykues mori vendim që të fillojë marrja në pyetje e dëshmitarit të sotëm të ZPS-së nga prokuroria dhe gjatë pushimit të kenë mundësi mbrojtja të kontaktojë Pjetër Shalën për ta njoftuar për çështjet e reja.

    E për shkak të një problemi teknik pasi dëshminë e dëshmitarit nuk arrinte ta dëgjonte Pjetër Shala, seanca vazhdoi me pauzë.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se kanë planifikuar rreth 3 orë pyetje për dëshmitarin e ekspertit ndërkombëtar, Marek Gasior.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Shalës, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • MPJD: Rrëmbimi i policëve është akt agresioni i Serbisë, akuzat ndaj tyre të paqëndrueshme dhe me motive politike

    MPJD: Rrëmbimi i policëve është akt agresioni i Serbisë, akuzat ndaj tyre të paqëndrueshme dhe me motive politike

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer më 14 qershor në territorin e Kosovës.

    Përmes një njoftimi për media, MPJD thotë se rrëmbimi i tre policëve është akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare, dhe se akuzat e autoriteteve serbe janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht.

    “Theksojmë edhe njëherë se rrëmbimi i policëve tanë në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare, dhe se akuzat e autoriteteve serbe janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht. Sic edhe është dëshmuar me prova të qarta, policët kanë qenë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke kryer detyrën e tyre”, thuhet mes tjerash në reagim.

    Njoftimi i plotë i MPJD-së:

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se tre oficerët policorë të rrëmbyer në Republikën e Kosovës më datë 14 qershor, z. Rifat Zeka, z. Beqir Sefi dhe z. Mustafë Shemi, janë liruar sot pas seancës të mbajtur në Gjykatën e Lartë të Kralevës.

    Ambasadori Jetish Jashari dhe stafi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, të cilët kanë qenë të angazhuar intensivisht në këtë proces, tashmë janë duke finalizuar procedurat formale për të mundësuar kthimin e tyre në Republikën e Kosovës tek familjet e tyre.

    Sipas avokatëve mbrojtës, në këtë seancë, Gjykata e Lartë e Kralevës ka konfirmuar Aktakuzën e Prokurorisë së Lartë të Kralevës ndaj tre oficerëve policorë, ku ngarkohen për kryerjen e veprës penale “prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese,” sipas nenit 348, paragrafi 4, të lidhur me paragrafin 2 dhe 1 të Kodi Penal të Serbisë.

    Prokurori nuk ka kërkuar që oficerëve policorë t’u vazhdohet paraburgimi, që Gjykata e ka pranuar, ku si rrjedhojë, u është lejuar të mbrohen në liri, respektivisht të kthehen në Republikën e Kosovës.

    Theksojmë edhe njëherë se rrëmbimi i policëve tanë në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare, dhe se akuzat e autoriteteve serbe janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht. Sic edhe është dëshmuar me prova të qarta, policët kanë qenë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke kryer detyrën e tyre.

  • Demolohet minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas një ditë pas përurimit të saj

    Demolohet minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas një ditë pas përurimit të saj

    Minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas është demoluar një ditë pas përurimit të saj, raporton ATV.

    Në foton e më poshtme të siguruar nga ATV, shihet se minibibliotekës i janë thyer xhamat, ndërsa ende nuk dihet nëse mungon ndonjë nga materialet që gjendeshin aty.

    Kështu dukej dje minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas pas përurimit të saj.

  • Kryesia vendos për interpelancën e Kurtit, për rastin e ambasadorit Martin Berishaj

    Kryesia vendos për interpelancën e Kurtit, për rastin e ambasadorit Martin Berishaj

    Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e radhë do të marrë vendim për caktimin e seancës ku në rend dite janë një varg pikash nga seancat e pa përfunduara.

    Në Kryesi do të shqyrtohet edhe kërkesa për interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti në lidhje me çështjen: ”Përgjegjësia e tij në raport me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

  • Sveçla: Përndjekja e tre policëve nga Serbia do të vazhdojë edhe në liri

    Sveçla: Përndjekja e tre policëve nga Serbia do të vazhdojë edhe në liri

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla pas lirimit të policëve ka thënë se Serbia vazhdon me lojërat e saj.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se policët sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës.

    Ka shtuar se ata do të bashkohen me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ka shtuar se policët kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës.

    Sipas tij, ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.