ATV

Category: Lajme

  • Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje lidhur me rastin e zjarrit në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike, ku një pacient ka mbetur i vdekur. Nga QKUK bëhet e ditur se të helmuar kanë mbetur edhe pesë përsona, një paciente dhe katër punonjës shëndetësor.

    Sipas njoftimit, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngufatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.

    Po ashtu bëhet e ditur se një paciente tjetër dhe ekipi kujdestar i përbërë nga dy mjekë dhe dy infermiere kanë pësuar shenja të helmimit nga tymi, dhe të njëjtit kanë marrë ndihmë mjekësore.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin. Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente”, thuhet në njoftim.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

  • Pse është ende e paqartë nëse Yevgeny Prigozhin ka vdekur?

    Pse është ende e paqartë nëse Yevgeny Prigozhin ka vdekur?

    10 persona kanë vdekur pas rrëzimit të një aeroplani në Rusi, ku raportohet se në mesin e pasagjerëve ka qenë edhe udhëheqësi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.

    Por, autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht se Prigozhin është në mesin e pasagjerëve të vdekur, shkruan Sky News.

    Keir Giles, ekspert i Rusisë, pjesë e grupit të ekspertëve për çështjet ndërkombëtare “Chatham House”, kërkoi të ketë kujdes në lidhje me raportet për vdekjen e Prigozhin.

    “Shumë individë kanë ndryshuar emrin e tyre në Yevgeniy Prigozhin, si pjesë e përpjekjeve të tij për të ‘errësuar’ udhëtimet e tij. Le të mos habitemi nëse ai shfaqet së shpejti në një video të re nga Afrika”, është shprehur ai.

  • Për çka po akuzohen 10 zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për korrupsion

    Për çka po akuzohen 10 zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për korrupsion

    Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, kurse Blerim Dina në cilësinë e kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), si dhe Nuhi Paçarizi e Goran Milenkoviq, në cilësinë e anëtarëve të OSHP-së, po ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Falsifikim të dokumentit zyrtar”.

    Nga informata të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, bëhet e ditur se duke filluar nga 10 maji 2019 deri më 4 shtator 2020 në Prishtinë, të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë ligjore.

    Të pandehurit, thuhet se me qëllim që disa operatorë ekonomikë të përfitonin dobi pasurore, fillimisht e ndryshuan vlerën e projektit nga 2,000,000.00 euro sa i dispononin sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2019, në 17,054,508,24 euro, pastaj me pjesëmarrjen në nënshkrim të personit jokompetent, respektivisht të pandehurit Zymer Abdullahu, i cili kishte nënshkruar në vend të njësisë kërkuese, e kishin aprovuar projektin në fjalë duke i përzgjedhur për t’i shpërblyer me kontratë operatorët ekonomikë të cilët ishin të papërgjegjshëm dhe më të shtrenjtë se operatorët ekonomikë tjerë për 2,121,909.91 euro.

    Ndërsa, në momentin e rikonfirmimit të mjeteve financiare, thuhet se falsifikuan nënshkrimin e zyrtarit kryesor financiar, i cili paraprakisht i kishte njoftuar të pandehurit saktësisht me gjendjen financiare të institucionit, kurse për t’i hapur rrugë nënshkrimit të kontratave me operatorët ekonomikë, nxorën vendime në kundërshtim me gjendjen faktike dhe të kundërligjshme, kinse kërkesa për rishqyrtim ishte paraqitur pa pretendime ankimore dhe në fund duke e ditur se operatorët ekonomikë nuk do të ishin në gjendje ta përmbushnin kontratën brenda afatit të paraparë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ndryshuan kushtet materiale të kontratës në dëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) dhe në favor të disa operatorëve duke nënshkruar kontratat me këta operatorë në vlerë të përgjithshme prej 14,493,583.97 euro, me ç’rast në vend të Ministrit duke tejkaluar kompetencat e tij ligjore nënshkruan zëvendësministri, i pandehuri Muhamet Gashi.

    Me veprimet e tyre, të pandehurit sipas Prokurorisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 12,493,583.97 euro, si dhe dëm material dhe jomaterial operatorëve ekonomikë tjerë të cilët në kushte të barabarta do të mund të aplikonin.

    Ndërkaq, e pandehura Valmira Bllaca thuhet se më 4 tetor 2019 në Prishtinë në dokumentin zyrtar, pra Deklaratën e nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve, duke e ditur se nuk kishte mjete të mjaftueshme për implementimin e këtij projekti pasi që nënshkruan në rubrikën që i dedikohej asaj “Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit”, po ashtu vendos një nënshkrim të ngjashëm me atë të zyrtarit kryesor financiar- Besnik Hajdari tek rubrika për nënshkrim që i dedikohej ZKF-së, në mënyrë që të dukej sikur se aty kishte nënshkruan Besnik Hajdari, me qëllim që t’i hapë rrugë avancimit dhe nënshkrimit të kontratave me operatorë ekonomikë në mungesë të mjeteve buxhetore prej 12,493.589.97 euro, duke u akuzuar se ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumentit zyrtar”.

  • Një pacient i vdekur nga zjarri në dhomë në Psikiatrinë e QKUK-së, dy infermiere dhe mjeku të asfiksuar

    Një pacient i vdekur nga zjarri në dhomë në Psikiatrinë e QKUK-së, dy infermiere dhe mjeku të asfiksuar

    Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ndërsa tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar por fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Një pacient i hospitalizuar në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK ka mbetur i vdekur nga zjarri në njërën nga dhomat e shërbimit emergjent të kësaj klinike, raporton Gazeta Shneta.

    Gazeta ka mësuar se pacienti me sëmundje psikiatrike ishte i hospitalizuar në klinikë. Ai kishte dal nga klinika në orët e vona të së mërkurës, ndërsa më vonë ishte sjellë nga Policia e Kosovës në emergjencën e Klinikës së Psikiatrisë.

    Pacienti ishte vendosur në një dhomë të izoluar në këtë shërbim. Rreth një orë më vonë ka rënë zjarr në dhomën e pacientit duke u djegur dysheku i shtratit, dhe si pasojë e flakëve pacienti ka ndërruar jetë.

    Ende nuk dihet se si është shkaktuar zjarri. Dyshimet e para janë se pacienti mund të ketë pasur shkrepsë me vete.

    Vdekjen e pacientit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Dr. Faton Kutllovci. Ai i ka thënë mediumit se pacienti ishte trajtuar edhe më parë në klinikë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet e Policisë së Kosovës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    I pranishëm ka qenë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar Elvir Azizi.

  • Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.

    “Policia e Kosovës ofron shërbime jetike për të gjitha komunitetet dhe qytetarët e Kosovës. Ne dënojmë çdo përpjekje për ta minuar diversitetin brenda radhëve të saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 23 gusht.

    Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u kthyer në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

    Së paku shtatë policë serbë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që nga java e kaluar, gjë për të cilën autoritetet kosovare e fajësuan Beogradin zyrtar.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 18 gusht se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.

    Beogradi zyrtar nuk i ka komentuar këto akuza.

    Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.

    Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

    Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb.

    Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL/

  • Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për dorëheqjen e nëntë policëve rinj serbë, ka thënë zëdhënësi Peter Stano, duke theksuar se BE i dënon kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë.

    Ai ka thënë se frikësimet dhe kërcënimet janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të ndalen menjëherë.

    “BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjen e nëntë serbëve të Kosovës të saporekrutuar nga Policia e Kosovës. Përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes policimit të orientuar drejt komunitetit. Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka thënë Stano për KosovaPress.

    Stano ka theksuar se çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe multietnike dhe BE-ja nënvizon se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.

  • Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se nafta e zbuluar në Shqipëri është “e një cilësie shumë të lartë, e ngjashme me atë premium të Arabisë Saudite”.

    Duke folur në një konferencë për media më 23 gusht, Rama tha se shpimi ka arritur në 6.000 metra në thellësi të tokës pas një pune 10-vjeçare në zonën e Shpiragut, rreth pesë kilometra larg qytetit qendror të Shqipërisë, Berat.

    “Rezerva është aty, në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik”, tha Rama.

    Kryeministri theksoi se ende nuk është ndeshur në ujë, çka do të thotë se, sipas tij, sasia e naftës do të jetë e madhe.

    Edhe pse e pasur me rezerva nafte, Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të saj. Nafta që nxirret përpunohet jashtë Shqipërisë dhe më pas importohet dhe shpërndahet në tregun vendas, me një çmim që rezulton të jetë më i shtrenjti në rajon.

  • Shqipëri: Vdes i moshuari pasi goditet nga rrufeja, ishte duke kullotur bagëtitë

    Shqipëri: Vdes i moshuari pasi goditet nga rrufeja, ishte duke kullotur bagëtitë

    Ka mbetur i vdekur një 70 vjeçar me iniciale R.K si pasojë e goditjes nga rrufeja.

    I moshuari po kulloste bagëtitë në momentin tragjik.

    Ngjarja ka ndodhur në bjeshkët e Gramës në Dibër, sot rreth orës 15:30.

    ”Rreth orës 15:30, në bjeshkët e Gramës në Dibër, shtetasi R.K., rreth 70 vjeç, duke kullotur bagëtitë, dyshohet se është goditur nga shkarkesa elektrike (rrufe) dhe për pasojë ka humbur jetën”, ka thënë policia.

    Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë thuhet se është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Shefi i Wagner në listën e pasagjerëve të aeroplanit të rrëzuar

    Shefi i Wagner në listën e pasagjerëve të aeroplanit të rrëzuar

    Shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte në listën e pasagjerëve të një avioni që u rrëzua duke vrarë të gjithë në bord, ka thënë autoriteti i aviacionit civil të Rusisë.

    Më herët, kanali Telegram i lidhur me Wagner, Gray Zone raportoi se avioni Embraer u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, në veri të Moskës.

    Avioni, i cili po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg, mbante shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.

    Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në qershor.

    Zona gri tha se banorët vendas dëgjuan dy zhurma para përplasjes dhe panë dy shtigje avulli.

    Agjencia e lajmeve Tass tha se avioni mori flakë duke u përplasur në tokë, duke shtuar se katër trupa ishin gjetur tashmë.

    Aeroplani kishte qenë në ajër për më pak se gjysmë ore, tha ai./BBC.

  • Tahiri: Qeveria Kurti, më e paafta në histori të Kosovës

    Tahiri: Qeveria Kurti, më e paafta në histori të Kosovës

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti është më e paafta në histori të Kosovës sa i përket udhëheqjes.

    Sipas Tahirit, Qeveria aktuale s’ka kryer asnjë punë të madhe e asnjë investim masiv që do t’ua ndryshonte jetën qytetarëve. Ai shtoi se me Qeverinë Kurti, Kosova po dëmtohet.

    “Në rrethanat që sot është Kosova, shihet se Kosova është dobësuar. Veprimet e Kurtit në vend që ta forcojnë sovranitetin, e kanë dobësuar këtë. Në aspektin ekonomik ka një rënie, s’ka asnjë veprim nga Qeveria për ta zbutur këtë. Asnjë investim kapital, asnjë fabrikë asnjë rrugë që do të ndihmonte Kosovën. Pjesa serioze e menaxhimit është gabim, e tash kanë filluar të dalin edhe skandale korruptive”, ka deklaruar Tahiri të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

    Deputeti i AAK-së theksoi se asnjëherë s’ka ndodhur që një kryeministër të mbrojë afera korruptive, derisa shtoi se ky subjekt politik e ka përkrahur Qeverinë në disa tema.

    “Punën tonë e kemi bërë, AAK-ja nëse e shihni kursin që e kemi pasur, do të thotë aty ku kemi menduar se Kurti po punon mirë, e kemi mbështetur. Në marrëveshje ndërkombëtare, AAK-ja e ka mbështetur edhe me marrëveshjet e Ohrit edhe të Brukselit. E kemi mbështetur edhe për mosmbajtjen e referendumit dhe të zgjedhjet lokale të Serbisë. E kemi mbështetur edhe për marrëveshjen për energjinë. Kur kemi menduar se diçka është mirë, kemi votuar, kur kemi menduar se është gabim kemi qenë shumë të zëshëm”, u shpreh ai.

    Tahiri theksoi se armiku kryesor i kryeministrit Albin Kurti është kabineti i tij qeveritar. Ministrat, sipas deputetit opozitar, janë të dobët dhe të papërvojë.

    “S’po shoh asgjë, është e papranueshme një ministër i financave, një djalë i ri që kurrë një veprim që ka përfituar diçka s’e ka bërë…Qeveria Kurti e ka mbiemrin paaftësi, kjo është qeveria më e paaftë në histori. A bën me m’tregu dikush cilat janë 10 punë që i ka kryer Qeveria Kurti për dy vjet e gjysmë. Nuk e di a do të mund t’i udhëhiqnin shtëpitë e tyre, e lërë më Kosovën”, u shpreh ai.