ATV

Category: Lajme

  • ‘‘Mashtrim i madh’’, PSD me aksion, Molliqaj: Osmani s’është kthyer në LDK, po e përdor për naj pozitë

    ‘‘Mashtrim i madh’’, PSD me aksion, Molliqaj: Osmani s’është kthyer në LDK, po e përdor për naj pozitë

    PSD ka realizuar një aksion në sheshin e Prishtinës, afër objektit të qeverisë dhe kuvendit të Kosovës.

    Aty ka folur edhe lideri i kësaj partie, Dardan Molliqaj, i cili është deklaruar për bashkimin e Vjosa Osmanit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    ‘’Po garojnë për pak më shumë deputetë, me pas pak ma shumë hise në qeverinë e ardhshme. Kthimi që u trumbetua me të madhe i Vjosa Osmanit në LDK, i ka dy probleme të mëdha. Është një mashtrim i madh publik, Osmani nuk është kthyer fare në LDK, ajo po e përdor LDK si trampolinë për potencialisht naj pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës’’, ka thënë Molliqaj.

  • KQZ: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional

    KQZ: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante, përfshirë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, listat e kandidatëve për verifikim para certifikimit për zgjedhje.

    Sipas tij, verifikimi bëhet në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon kandidimin e personave të dënuar me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim gjatë tri viteve të fundit.

    Elezi tha se KQZ ka vepruar njësoj edhe në proceset e kaluara zgjedhore, duke kërkuar nga institucionet përkatëse konfirmimin nëse ndonjë kandidat bie ndesh me këtë kufizim ligjor.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim së bashku me listat e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme. Në këtë mënyrë KQZ ka vepruar edhe në proceset e kaluara zgjedhore. Në mesin e institucioneve që KQZ do të dërgojë është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat nuk mund të jenë një person që në tri vitet e ufndit është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale një ose më shumë vjet burgim, andaj KQZ do të kërkojë nga KGJK verifikimin e listës së kandidatëve për të konmstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.

  • Ja kur planifikohet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Ja kur planifikohet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, pritet të mbahet të shtunën, më 16 maj.

    Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se kjo datë është caktuar nga KQZ me miratimin e planit të të gjitha aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

    “Tërheqja e shortit për caktimin e numrave rendorë të subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor, është planifkuar të zhvillohet më 16 maj”, tha Elezi.

    Tërheqja e numrave për renditje në fletëvotim, pritet të bëhet nga 27 subjekte politike.

    “Pas periudhës zgjedhore për njoftim të pjesëmarrjes në zgjedhje nga partitë politike dhe për formim të koalicioneve (1 – 7 maj), si dhe periudhës për aplikim për certifikim nga subjektet e reja politike (2 – 10 maj), numri i përgjithshëm i subjekteve politike që mund të jenë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme, është: 27, prej tyre 22 parti politike; 3 koalicione; 1 nismë qytetare; dhe 1 kandidat i pavarur”, tha Elezi.

    Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, e cila do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, nuk do të fillojë menjëherë pas tërheqjes së shortit për numrat rendorë në fletëvotim.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar të fillojë më 28 maj dhe të përfundojë në orën 06:59 të mëngjesit të datës 7 qershor 2026”, tregoi ai.

  • U helmuan 56 studentë, AKU bllokon mensën e Akademisë së Sigurisë

    U helmuan 56 studentë, AKU bllokon mensën e Akademisë së Sigurisë

    Pas skandalit ku u helmuan 56 studentë, AKU ka bllokuar mensën e Akademisë së Sigurisë. Pas analizave ka rezultuar se mensa është jashtë kushteve normale higjienike. AKU i ka vendosur shiritin.

    Akademia e Sigurisë e merr ushqimin me katering te kompania “Sori Al” dhe më pas studentët ushqehen në mensën e akademisë, mensë e cila pas analizave ka rezultuar jashtë çdo standardi higjenik.

    Burime bëjnë me dije se tani që është bllokuar mensa, kursantët e Akademisë do t’i nxjerrin në praktikë të cilën e bëjnë jashtë institucionit, pasi aty tani nuk kanë ku të ushqehen. (A2 Televizion)

  • Qeveria miraton rreth 11 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

    Qeveria miraton rreth 11 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

    Qeveria në detyrë ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10,887,186.45 euro.

    Këto mjete janë destinuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Mjetet do të përdoren për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të procesit zgjedhor të muajit të ardhshëm.

    Zgjedhjet e parakohshme vijnë në një periudhë të zhvillimeve të reja politike në vend, ndërsa institucionet kanë nisur përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Numri i përgjithshëm i subjekteve politike që janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    KQZ-ja ka bërë thirrje që partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur të dorëzojnë sa më shpejt listat e kandidatëve për të siguruar certifikim dhe përgatitjen e procesin zgjedhor në kohë.

  • Labi tregon se si dështoi të futej në garë për deputet

    Labi tregon se si dështoi të futej në garë për deputet

    Këngëtari i njohur, Labinot Tahiri ka treguar se dëshira e tij ka qenë që të kandidoj si deputet i pavarur për zgjedhjet e 7 qershorit, por afati është mbyllur një ditë më parë.

    Ai ka thënë se pati shumë kërkesa nga qytetarët që të kandidonte për deputet në Kuvendin të Kosovës.

    Labi ka përmendur disa tema që do t’i adresonte në Kuvendin e Kosovës, duke përmendur luftën kundër drogës, dhe dukurive negative dhe çështjen e barnave shëndetësore.

    Postimi i Labit:

    I dashur popull dhe votues i Kosovës dhe gjithandej si shqiptar ju lutem ta lexoni këtë shkrim ku doja te dale DEPUTET PËR JU SI SHERBETOR I PA NDALSHEM.

    Deshta me dalë deputet i pavarur në këto zgjedhje, por fatkeqësisht afati u mbyll dje.

    Kisha planifikuar kandidimin pas shumë kërkesave nga qytetarët, por ja që ende ka njerëz që i frikësohen konkurrencës dhe harrojnë se politika nuk është garë personale. Kur je pjesë e një partie apo gare politike, duhet me qenë aty për me i shërby popullit dhe vendit, jo vetvetes.

    Unë nuk kam nevojë për karrierë politike, ate e kam me shumë se sa politika, sepse falë Zotit e kam ndërtuar jetën dhe emrin tim me punë e djersë. Unë kam pasur dhe kam guxim ta sfidoj veten dhe karrieren time gjithmonë sepse aate e ndertova me Zotin dhe juve. Por zemra më ka thënë gjithmonë me i shërby këtij vendi si një shërbëtor i popullit, i nënshtruar vetëm qytetarit dhe Kosovës, e jo interesave personale !!

    Labi nuk i ka shërby vetëm një njeriu, nje qyteti apo një kategorie, por të gjithëve pa dallim, ndoshta nuk keni harruar!!! Ju kam qëndruar pranë në kauza për leukemi, kancer, shëndetësi, ushtri, Hagë për çlirimtarët, mjekë, profesorë, rini, polici dhe shumë kategori tjera të këtij vendi. Këtë e kam bërë sepse e ndjej veten shërbëtor të vendit tim, asgjë më shumë, ani pse Zoti më ka dhënë famë dhe respekt nga populli.

    Mos harroni, unë qarkulloj mbi 1 milion euro në vit dhe jam ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të estradës shqiptare. Nga ajo që kam fituar, jam munduar gjithmonë me dhënë për njerëzit dhe për vendin tim. Por shpirti më dhemb që nuk pata fatin me qenë ushtar në kohën e luftës për liri, prandaj ndjej obligim moral me kontribu gjithë jetën për Kosovën.

    Deshta me dalë kandidat i pavarur që me ju shërby në barna, spitale, në luftë kundër drogës dhe dukurive negative që po na e shkatërrojnë rininë. Nuk e di sa do ta kishit dashur Labin në Parlament, por një ditë do të jem aty dhe do ta shihni që deputeti mundet me bë shumë për popullin, vetëm nëse e don sinqerisht qytetarin si familjen e vet.

    Unë ju uroj sukses të gjithë kandidatëve dhe lutem që të fitojnë ata që punojnë për interesin e popullit dhe të Kosovës.

    Zoti e bekoftë Kosovën, trojet tona shqiptare dhe diasporën tonë kudo në botë.

  • IKD: 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë në Kuvend

    IKD: 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë në Kuvend

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se analiza e aktivitetit parlamentar në Legjislaturën e X-të tregon nivel shqetësues të mosangazhimit të deputetëve.

    Sipas tij, debati parlamentar është përqendruar kryesisht në ekonomi dhe procedurë, ndërsa tema të rëndësishme kanë mbetur pothuajse jashtë vëmendjes.

    “…tema të rëndësishme si integrimet evropiane, të drejtat e komuniteteve, mjedisi apo dialogu Kosovë-Serbi janë lënë pothuajse jashtë vëmendjes, për më tepër, 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë, duke reflektuar një nivel shqetësues të mosangazhimit të tyre”, ka deklaruar Jakaj.

    Ai tha se mungesa e angazhimit parlamentar dëmton funksionin përfaqësues të Kuvendit.

    Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund, të martën publikoi raportin monitorues për Legjislaturën e X-të të Kuvendit të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Hoxha: Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e migrantëve me Italinë pas vitit 2030

    Hoxha: Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e migrantëve me Italinë pas vitit 2030

    Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e saj për migracionin me Italinë përtej vitit 2030, tha ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, në një intervistë ekskluzive për Euractiv.

    Qeveria e Giorgia Meloni po përdor dy objektet në Gjadër dhe Shëngjin si qendra ndalimi për migrantët që nuk kanë arritur të fitojnë azil në Itali.

    Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të qeverive evropiane për ta zhvendosur praninë fizike të migrantëve jashtë kufijve të tyre.

    Marrëveshja pesëvjeçare u ratifikua në fillim të vitit 2024 dhe është përballur me polemika politike dhe probleme ligjore.

    Për të vazhduar pas vitit 2029, do të kërkohej një zgjatje vetëm disa muaj para afatit që vetë Shqipëria ka vendosur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    “Para së gjithash, marrëveshja është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt se do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje,” tha Hoxha, duke iu referuar synimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në vitin 2030.

    “Sapo Shqipëria të hyjë në BE, kjo nuk do të jetë më territor ekstraterritorial, por territor i Bashkimit Evropian,” shtoi ai.

    Sfidat ligjore në Itali e shtynë qeverinë e Melonit t’i ripërdorë këto objekte nga qendra fillestare për përpunimin e migrantëve në qendra ndalimi për migrantët me kërkesa të refuzuara, në pritje të riatdhesimit.

    Por në prill, marrëveshja mori një shtysë pas një opinioni jo-detyrues nga një avokat i përgjithshëm në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, i cili tha se skema është në përputhje me ligjin e BE-së. Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është tërhequr nga detajet e marrëveshjes pavarësisht sfidave ligjore.

    Hoxha, i cili ndodhej në Bruksel për të marrë pjesë në një takim me ministrat e Jashtëm të BE-së, e paraqiti Shqipërinë si një partnere të besueshme për Italinë.

    Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, e ka përshkruar partneritetin si “ekskluziv”, duke përmendur lidhjet e ngushta mes dy vendeve.

    Hoxha hodhi poshtë sugjerimet se kjo mund ta nxisë qeverinë italiane – e cila mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE – të mos e lejojë hyrjen e Shqipërisë, me qëllim mbajtjen në funksion të kampeve. “Italia kishte nevojë për ndihmë. Ne ndihmuam. Dhe kjo nuk mund të harrohet,” tha Hoxha.

  • Ndalohet autobusi i linjës Turqi – Prishtinë, kapen 27 fustane dhe dy vello të padeklaruara

    Ndalohet autobusi i linjës Turqi – Prishtinë, kapen 27 fustane dhe dy vello të padeklaruara

    Dogana e Kosovës, në pikëkalimin kufitar të Hanit të Elezit ka zbuluar mall të padeklaruar të fshehur brenda një autobusi.

    Sipas njoftimit zyrtar, malli përbëhej nga 27 fustane solemn dhe dy fustane vello.

    Ndërsa autobusi ishte i linjës Turqi–Prishtinë, me targa te huaja.

    Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës dhe po ndiqen procedurat e mëtejshme administrative dhe ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Serwer godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën

    Serwer godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën

    Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka ngritur kritika të forta ndaj Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se kjo gjykatë nuk ka arritur të përmbushë standardet e drejtësisë që presin qytetarët e Kosovës.

    Reagimi i Serwer vjen pas publikimit të raportit të përgatitur nga Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit, i cili evidenton një sërë shkeljesh dhe problemesh serioze në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale.

    Sipas Serwer, raporti nxjerr në pah shqetësime të mëdha lidhur me moslirimin nga paraburgimi, pranueshmërinë e provave dhe mungesën e barazisë së armëve mes palëve në proces gjyqësor. Ai paralajmëroi se vendimet e kësaj gjykate mund të kenë ndikim edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon.

    “Ajo që nuk thotë raporti është se një gjykatë që i kushton bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro nuk ka arritur të ofrojë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Dënimi dhe burgosja e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveç në Serbi”, ka deklaruar Serwer.

    Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mohuar gjetjet e raportit të ekspertëve britanikë.

    Raporti rreth 100-faqësh është hartuar me kërkesë të Avokati i Popullit i Kosovës dhe trajton mënyrën e funksionimit të proceseve gjyqësore në Hagë, duke evidentuar një numër të madh dilemash juridike dhe shkeljesh procedurale.

    Në dokument theksohet se mandati i Gjykatës Speciale ka pësuar ndryshime të mëdha ndër vite. Sipas raportit, fillimisht fokusi ishte te pretendimet për trafikim organesh dhe krim të organizuar, ndërsa më pas proceset janë përqendruar te akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    Ekspertët britanikë vlerësojnë se, megjithëse juridikisht gjykata ka mandat të ndjekë edhe persona të tjerë, fokusi pothuajse ekskluziv ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka krijuar polemika të vazhdueshme politike dhe juridike.