ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot do të mbajë mot me vranësira të shpërndara dhe me intervale kohore me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-22 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-8m/s.

    Të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht me diell. Në orët e para të ditës parashihet të ketë mjegull në ultësira dhe në vende rrëzë maleve. Vranësira të pakta mund të ketë për rreth relievit malor.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 19-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-5m/s, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • Del nga rruga një veturë e KFOR-it në Deçan, flasin nga Policia

    Del nga rruga një veturë e KFOR-it në Deçan, flasin nga Policia

    Të premten në Lëbushë të Deçanit është aksidentuar një veturë e KFOR-it.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Ai tha se vetura devijoi nga rruga por se nuk ka pasur të lënduar nga ky rast.

    “Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:50 në fshatin Lebushë të Deçanit. Ekipet kanë dalë në vend të ngjarjes dhe kanë parë se bëhet fjalë për një veturë të KFOR-it që ka devijuar nga rruga, por nuk ka pasur të lënduar”, ka thënë Gashi.

    Kujtojmë se një tjetër veturë e KFOR-it u aksidentua disa ditë më parë në magjistralen Pejë-Prishtinë, aksident ky që përfundoi me fatalitet. Si pasojë humbi jetën një ushtar i kontingjentit italian.

  • Hoti: Për të mbetur në pushtet, VV pranon propozimin për ‘Zajednicën’

    Hoti: Për të mbetur në pushtet, VV pranon propozimin për ‘Zajednicën’

    Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka dalë me kritika karshi kryeministrit Albin Kurti sa i përket formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ai në një postim në Facebook ka përkujtuar se Lëvizja Vetëvendosje me protesta të dhunshme kundër ‘Zajednicës’ ia humbën Kosovës 10 vjet pa viza e pa progres në integrim euro-atlantik, kërkuan vota në zgjedhjet e fundit, dhe i morën ato, për të mos bërë kurrfarë zajednice, ‘as asi, as ksi’.

    “Sapo e morën pushtetin, në foltore të Kuvendit u betuan ‘Zajednica’ nuk bëhet, sepse Kosova ka kryeministër tjetër. Mandej u zbutën pak, i vendosën disa kushte për ‘Zajednicë’, të cilat i harruan plotësisht”, ka shkruar ai.

    “Nuk e bën ‘Zajednicën’ kur aleatët u kërkonin ta bënin sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, ku kjo e fundit e thotë qartë se asociacioni bëhet kur Gjykata Kushtetuese thotë se “statuti i asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës””, ka shtuar ai.

    Për më tepër, Hoti thotë se Lëvizja Vetëvendosje tani për të mbetur në pushtet, pranon propozimin për ‘Zajednicën’ që u vihet në tavolinë me stilin “merre ose lëre”.

    “Tani i kthehen marrëveshjes së vitit 2015, ku kërkohet opinioni i Gjykatës Kushtetuese. Këto nuk janë veprime shtetërore. Këto janë veprime të politikanëve demagogë e mashtrues, që bëjnë gjithçka për të mbijetuar politikisht e për të mbajtur pushtetin”, shkruan tutje Hoti.

    Sipas Hotit, gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse do të kishte një marrëveshje tjetër për ‘Zajednicën’, e cila do të ishte më e favorshme për Kosovën.

    “Por jo, këta e kanë pranuar Marrëveshja e Ohrit, e cila përfshinë edhe ‘Zajednicën’ edhe autonominë. Gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse Marrëveshja e Ohrit do të përfshinte njohjen reciproke. Por jo, këta e pranuan Marrëveshjen e Ohrit, e cila thekson qartë: “… pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit””, përfundon Hoti.

  • Kurti uron Turqinë me rastin e 100-vjetorit të themelimit

    Kurti uron Turqinë me rastin e 100-vjetorit të themelimit

    Me ftesë të Ambasadës turke në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në pritjen për nder të 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.

    Ai me këtë rast u shprehu urimet e tij ambasadorit Sabri Tunç Angili, presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe popullit të Turqisë, teksa festojnë një shekull të jashtëzakonshëm përparimi, rritjeje dhe vendosmërie të palëkundur.

    Në këtë ditë të veçantë, ai tha se duhet t’i kushtojmë një nderim të veçantë figurës së Mustafa Kemal Ataturk, udhëheqja vizionare e të cilit dhe përkushtimi ndaj modernizimit dhe demokratizimit kanë lënë një gjurmë të përhershme në historinë e Turqisë.

    “Trashëgimia e Ataturkut është ajo e modernitetit, sekularizmit dhe përparimit”, shtoi Kurti.

    Kurti u shpreh se Kosova dhe Turqia kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm, ndërsa komuniteti shqiptar në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e shkëmbimit kulturor.

    “Ky shkëmbim i thellë idesh, traditash dhe përvojash, përgjatë shumë brezave, vazhdon edhe sot të ushqejë marrëdhënien tonë, duke krijuar lidhje të pathyeshme miqësie”, tha ai.

    Kurti veçoi se mbështetja e palëkundur e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë vlerësohet thellësisht nga populli i Kosovës.

    “Në një kohë kur siguria e vendit tonë përballet me kërcënimin e agresionit serb, bashkëpunimi ynë me Turqinë në fushën e mbrojtjes ka marrë një rëndësi të re. Në veçanti, ne jemi mirënjohës për gatishmërinë e Turqisë për të furnizuar ushtrinë tonë me dronët Bayraktar. Ushtria jonë ka bërë të më mirën e mundshme për t’i ardhur në ndihmë gjithashtu popullit turk, duke dërguar menjëherë një mision kërkim-shpëtim në Hatay pas tërmetit shkatërrues atje në fillim të këtij viti”, shtoi ai.

    Në shënim të këtij përvjetori historik për Turqinë, Kurti rikonfirmoi përkushtimin për të forcuar e thelluar marrëdhëniet dypalëshe në të ardhmen.

  • ​Qeveria emëron drejtorin e ri të Shërbimit Korrektues të Kosovës

    ​Qeveria emëron drejtorin e ri të Shërbimit Korrektues të Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka emëruar drejtorin e ri të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

    Ismail Dibrani do të jetë drejtor i burgjeve të Kosovës, me mandat katër-vjeçar.

    Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se për këtë pozitë kanë aplikuar shtatë kandidatë, ndërkaq katër prej tyre kanë hyrë në listë të ngushtë.

    “Pas vlerësimit profesional nga Komisioni Shtetëror i Pranimit përmes testit me shkrim dhe intervistës, kandidatët fitues që janë vlerësuar mbi pragun 70 për qind të pikave janë: Ismail Dibrani dhe Ridvan Hoti. Në pajtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zyrtarët Publik dhe pas përzgjedhjes nga Ministria e Drejtësisë, propozojë emërimin e Ismail Dibrani, për pozitën drejtor i përgjithshëm në Shërbimin Korrektues, për një mandat katër-vjeçar”, deklaroi Sveçla.

  • Këshilli Evropian del me konkluzione pas takimeve me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

    Këshilli Evropian del me konkluzione pas takimeve me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

    Këshilli Evropian ka dalë me konkluzione pas ditës së dytë të samitit ku është folur edhe mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

    Këshilli është shprehur i shqetësuar me situatën e sigurisë ne veri të vendit, ndërkohë ka kërkuar bashkëpunim nga Serbia për sulmin në Banjskë.

    “Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Dënon ashpër sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. BE-ja prej që autorët të kapen dhe të sillen para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht e të marrë të gjithë hapat e nevojshëm lidhur me këtë”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

    Në konkluzione thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin përpjekje të qëndrueshme depërshkallëzimi, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.

    “Dështimi për të depërshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja. Këshilli Evropian shpreh keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe zbatimin e Aneksit si dhe marrëveshjet e tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

    Këshilli u ka bërë thirrje palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesa dhe pa kushte.

    “Kjo përfshin krijimin e Asociacionit. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën drejt Evropës për të dyja dhe të dyja rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”.

    Dokumentin e plotë të Këshillit mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

  • 9 milionë euro për komunat që janë prekur nga vërshimet

    9 milionë euro për komunat që janë prekur nga vërshimet

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të subvencionuar komunat që janë prekur gjatë vërshimeve në shtator të 2022-ës dhe janar 2023, raporton EO.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kanë ndarë 9 milionë euro për të mbuluar 90% të vlerës investive.

    “Nga tri kategoritë që janë të ndara, që janë ekonomit familjare, bujqësia dhe bizneset. Kemi portretizuar që me urgjencë ta mbështesim kategorinë e ekonomive familjare. Për këtë qëllim kërkojmë që të ndahen 9 milion euro”, tha ai.

  • Rriten çmimet e naftës për shkak të frikës për mungesë të furnizimeve

    Rriten çmimet e naftës për shkak të frikës për mungesë të furnizimeve

    Çmimet e naftës u rritën të premten pasi investitorët shqetësoheshin për përkeqësimin e mungesës së furnizimit për pjesën e mbetur të vitit.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare ‘Brent’ u tregtua me 89,32 dollarë për fuçi në orën 10:03 të mëngjesit sipas orës lokale (0703 GMT), një rritje prej 1,58% nga çmimi i mbylljes prej 87,93 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të enjten.

    Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 84,58 dollarë për fuçi, 1,65% më shumë nga mbyllja e së enjtes prej 83,21 dollarë për fuçi, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Mungesa e furnizimeve mbetet fokusi në tregjet e naftës. Konflikti i vazhdueshëm midis Palestinës dhe Izraelit po krijon frikë për mundësinë e një përhapjeje rajonale, duke rrezikuar dëmtimin e infrastrukturës dhe rrjedhimisht duke thelluar deficitin e furnizimit të parashikuar për pjesën tjetër të vitit.

    Ushtria amerikane nisi sulme ajrore në dy objekte të përdorura nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupet e lidhura në Sirinë lindore, tha të enjten Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

    Zëdhënësi i Pentagonit Pat Ryder tha të enjten se midis 17 dhe 26 tetorit, forcat e SHBA-së dhe të koalicionit janë sulmuar të paktën 12 herë në Irak dhe katër herë në Siri.

    “Ne e dimë se këto grupe janë të lidhura me Iranin”, tha Ryder pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Ai gjithashtu konfirmoi se “afërsisht 900 trupa janë vendosur ose janë në proces të vendosjes” në Lindjen e Mesme.

  • Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll kampin rinor për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës

    Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll kampin rinor për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës

    Është përmbyllur sot kampi pesëditor i të rinjve për restaurimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, për 10 studentë të arkitekturës dhe antropologjisë.

    Synimi i kampit ishte zgjerimi i njohurive dhe vetëdijes së studentëve për vlerat e trashëgimisë kulturore, së bashku me dobitë e saj kulturore, sociale dhe ekonomike. Kampi gjithashtu shërbeu për të kuptuar më mirë Planin e Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore, të hartuar bashkërisht nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komuna e Pejës, si vegël për të avancuar mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

    Përgjatë programit, studentët u fokusuan në dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore brenda Çarshisë së Vjetër, ansambël urban i mbrojtur që pësoi shkatërrim në shkallë të madhe gjatë konfliktit të vitit 1999, e që më vonë u rindërtua për të pasqyruar vlerat unike të trashëgimisë kulturore. Studentët gjithashtu mësuan nga ekspertë të trashëgimisë kulturore për kornizën normative dhe institucionale, duke përfshirë standardet më të larta ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, me theks në shfrytëzimin e qëndrueshëm të vlerave të trashëgimisë kulturore për të nxitur zhvillimin socio-ekonomik.

    Arlinda Shatri, studente e antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, tha se nga ky kamp kuptoi se ka një aspekt shumë më të madh rreth Çarshisë së Vjetër. “Ekziston një traditë më e madhe nga sa mendoja, vetë Çarshia e Vjetër ofron një stimulim të shoqërisë kolektive, nuk është vetëm një pjesë për të blerë gjëra, por edhe një vend takimi për njerëzit. Për më tepër, tani jam në gjendje të kuptoj më mirë rastet urgjente, kur asetet kulturore janë në rrezik dhe çfarë mund të bëhet në këtë drejtim”, tha ajo.

    Kampi përfshinte edhe takime me pronarë dyqanesh, përmes të cilëve studentët mblodhën të dhëna që do të mbështesin grupin punues në finalizimin e Planit të Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore për Çarshinë e Vjetër. Kampi përfundoi me një vizitë në disa nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Çarshinë e Madhe në Gjakovë, Qendrën Historike të Prizrenit dhe Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

    Misioni i OSBE-së është i mandatuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni vazhdimisht mbështet përpjekjet për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë. Kampi i të rinjve në Pejë është vazhdimësi e programeve të ngjashme të organizuara gjatë pesë viteve të fundit nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

  • Këto janë zonat që furnizohen me ujë nga Badoci

    Këto janë zonat që furnizohen me ujë nga Badoci

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tashmë 10 ditë ka apeluar qytetarët të mos pinë ujë nga liqeni i Badocit, si dhe për mospërdorim të tij në amvisëri për shkak të vlerave të rritura të manganit.

    Kjo pasi konsiderohet se mund të shkaktojë probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël, duke ndikuar negativisht në rritjen e tyre.

    IKSHPK ka publikuar hartat e vendeve që furnizohen me ujë nga Badoci:

    Kujtojmë se më 19 tetor, sasia e madhe e detektuar e elementit kimik, mangan, bëri që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të kërkojë nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit e këtij liqeni, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim.

    Qytetarët i janë përgjigjur këtij rekomandimi dhe tashmë po furnizohen me ujë të ofruar nga KRU-ja me autobot.