ATV

Category: Lajme

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e këtij personi, ja për çfarë dyshohet

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e këtij personi, ja për çfarë dyshohet

    Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një personi në Prishtinë, i cili dyshohet për veprën penale “Zjarrvënia”.

    Policia ka publikuar fotografinë e të njëjtit, i cili dyshohet se veprën e ka kryer me datë 24.08.2023, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë.

    “Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, në hetimin që po zhvillohet për rastin “Zjarrvënie” të ndodhur më 24.08.2023, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë në drejtim të identifikimit të personit të dyshuar sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit të shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Remitancat shënojnë rritje vjetore më 2023 prej 10 për qind

    ​Remitancat shënojnë rritje vjetore më 2023 prej 10 për qind

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat për institucionet tjera financiare për muajin dhjetor 2023, si dhe statistikat e remitancave për nëntor dhe ato preliminare për dhjetor 2023.

    Asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të dhjetorit 2023 janë rritur për 14.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke arritur 513.5 milionë euro.

    Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 70.4 % të gjithsej aseteve.

    Kreditë bruto të ndërmjetëseve tjerë financiarë në dhjetor 2023 arritën vlerën 361.6 milionë euro ose 7.1 milionë më shumë krahasuar me periudhën paraprake. Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 61% totalin e kredive të sektorit mikrofinanciar.

    Vlera e kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiarë në muajin dhjetor ishte 41.4 milionë.

    Sipas BQK-së, asetet e kompanive të sigurimit në fund të dhjetorit arritën vlerën 304.1 milionë euro ose 3.5 milionë më shumë krahasuar me muajin paraprak.

    Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale që përbëjnë 45.8%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 29.4 % dhe risigurimet me pjesëmarrje 14.2 %.

    Asetet e fondeve pensionale në fund të dhjetorit janë rritur për 62.9 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke shënuar vlerën rreth 2.71 miliardë euro.

    Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbejnë 74.5% të gjithsej aseteve.

    Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për dhjetor ishin rreth 129.1 milionë euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes IFJB 49.9%, kanalet tjera 36.7%, ndërsa përmes bankave komerciale 13.3%.

    Remitancat deri në fund të dhjetorit 2023 arritën vlerën rreth 1,344.5 milionë euro, e cila paraqet rritje vjetore prej 10 për qind.

  • ​Stoltenberg e Spajiq: Siguria në Kosovë ka rëndësi strategjike për rajonin

    ​Stoltenberg e Spajiq: Siguria në Kosovë ka rëndësi strategjike për rajonin

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur Kosovën dhe Bosnjën, si dy pika ku potenciali për tensione akoma ekziston.

    Ai këto komente i bëri pasi priti në takim kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq në Bruksel.

    Ai ka thënë se NATO-ja është e gatshme të kryejë mandatin e saj në Kosovë për të garantuar stabilitet, ashtu sikurse në Bosnje e Hercegovinë.

    Në fjalën e tij, Stoltenberg ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në frenimin e agresionit rus, teksa shtoi se Mali i Zi luan rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, rajon ky me rëndësi strategjike për NATO-n.

    Ai tha se shpërthimi i dhunës në Kosovë në vitin e kaluar është i papranueshëm, ku si pasojë e tensioneve NATO kishte dërguar 1000 trupa shtesë.

    “Mali i Zi është një aleat shumë i vlerësuar i NATO-s. Ju keni dislokuar trupa në grupet tona luftarake në Bullgari dhe Letoni, duke ndihmuar në frenimin e agresionit rus. Në Irak, Mali i Zi po kontribuon në ndërtimin e forcave më efektive dhe gjithëpërfshirëse të sigurisë, si pjesë e misionit të trajnimit të NATO-s.Mali i Zi gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, të cilin e vizitova vjeshtën e kaluar. Pra, kryeministër, mirëpres angazhimin tuaj të fortë për reformat dhe rrugën e Malit të Zi drejt integrimit të plotë euroatlantik. Kjo është edhe më e rëndësishme pasi stabiliteti në rajonin më të gjerë mbetet i brishtë. Shpërthimet e dhunës së vitit të kaluar në Kosovë ishin të papranueshme. Dhe NATO u përgjigj me shpejtësi, duke dislokuar 1000 trupa shtesë dhe mjete të blinduara të rënda. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që KFOR-i të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së.”, tha kreu i NATO-s.

    Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

    Stoltenberg gjithashtu falënderoi kryeministrin malazez për mbështetjen e Malit të Zi ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Ai tha se duhet të ndihmohet Kievi edhe më tutje, pasi sipas tij, nëse Putin fiton në Ukrainë, ekzsiton rreziku që ai të përdorë përsëri forcën.

    “Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po bën gati 2 vjet që nga nisja. Dhe unë mirëpres mbështetjen e Malit të Zi për Ukrainën, duke përfshirë edhe paketën e ndihmës gjithëpërfshirëse të NATO-s. Por aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian duhet të rriten dhe të ofrojnë edhe më shumë fonde për Ukrainën në këtë kohë kritike. Sepse nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, ekziston rreziku real që ai të përdorë sërish forcën”, tha ai.

    Në anën tjetër, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, u zotua se vendi i tij do të luaj rol konstruktiv për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shtoi se me kreun e NATO-s biseduan për tema të mbrojtjes, mbështetjen ndaj Ukrainës, duke shtuar se tani ka ardhur momenti për ta mirëpritur Suedinë si anëtare të re të aleancës.

    “Si një aleat i besueshëm, Mali i Zi do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe të kontribuojë në Përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Në takimin e sotëm nënvizova dhe prezantova në detaje vendimet e marra në dy muajt e fundit për avancimin e planit malazez të BE-së. Siç jemi të gjithë të vetëdijshëm, ka shumë sfida sigurie që vijnë nga fusha dhe drejtime të ndryshme strategjike. Sot, me Sekretarin e Përgjithshëm, pata mundësinë të diskutoja progresin e bërë në zbatimin e vendimeve që NATO ka marrë për t’iu përgjigjur zhvillimeve në dhe rreth zonës Euro-Atlantike. Ne patëm gjithashtu mundësinë për të shkëmbyer mendime mbi objektivat kryesore përpara Samitit të Uashingtonit. Ne rishikuam temat e mbrojtjes, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, zhvillimet në jug dhe pikat e nxehta aktuale, investimet në mbrojtje dhe forcimin e aleancës sonë. Ne të dy ramë dakord se është koha për të mirëpritur Suedinë sa më shpejt të jetë e mundur si anëtare e ardhshme e aleancës dhe jemi shumë të lumtur që dëgjojmë lajmet e mira që vijnë nga Turqia dhe Hungaria.

    Kurse i pyetur nga gazetarët për situatën e sigurisë në rajon pas ngjarjeve të fundit në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegoginë, Stoltenberg tha se dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja rrugë përpara për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme mes dy vendeve.

    “Paqja dhe stabiliteti në rajon kanë rëndësi për të gjithë NATO-n. Prandaj, u shqetësuam shumë kur pamë një optikë të dhunës dhe tensioneve gjatë vitit të kaluar me disa incidente shumë të rënda, veçanërisht në Kosovë. Dhe kjo çoi në vendimin e komandantëve tanë ushtarakë për të përforcuar KFOR-in, misionin paqeruajtës në Kosovë me 1000 trupa shtesë, sepse NATO duhet të jetë në gjendje të sigurojë që ne po e mbajmë mandatin tonë të OKB-së për të garantuar stabilitetin dhe lëvizjen e lirisë për të gjitha komunitetet në Kosovë. Dhe ky ishte mesazhi im kryesor edhe kur vizitova Kosovën dhe rajonin vjeshtën e kaluar, dhe ne vazhdimisht po vlerësojmë çdo nevojë për përshtatje të mëtejshme apo prani. Në Bosnje dhe Hercegovinë, mesazhi është se të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse, dhe integriteti territorial dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarë të Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të respektohen. Ne kemi punuar ngushtë me Bashkimin Evropian, si në Bosnje dhe Hercegovinë, në fakt po punojmë së bashku në terren, por gjithashtu ne mbështesim me praninë tonë ushtarake në Kosovë dialogun e lehtësuar nga BE-ja, dhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është e vetmja rrugë përpara për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, tha ai.

    Ndërkaq, Spajiq tha se situata në Kosovë është qetësuar së fundit, por që sipas tij shteti malazez është i gatshëm të ndihmojë në ruajtjen e paqes, pasi sipas tij, është në interesin e Malit të Zi të ruhet paqja në Kosovë.

    “Sipas angazhimit tonë, ne jemi vërtet shumë të pranishëm në Kosovë. Ne jemi të gatshëm të forcojmë pozitën tonë në Kosovë, mendojmë se situata është qetësuar kohët e fundit, por siç e kemi diskutuar, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë dhe është në interesin tonë të thellë kombëtar, siç thashë, të ruajmë paqen në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, angazhimet tona të palëkundura për integritetin territorial dhe paqen e Bosnjës janë me rëndësi të madhe për Malin e Zi, siç them unë, ne ndajmë kufirin e madh me Bosnjën dhe Hercegovinën. Ne kemi ofruar ndihmën tonë për sa i përket ekspertëve dhe trajnimeve për njerëzit në Bosnje, ndaj jemi patjetër të gatshëm të jemi aleat të besueshëm të NATO-s në çdo formë dhe mënyrë”, tha ai. /KP

  • Mbyllen katër komuna paralele serbe në Dragash, Krasniqi: Objekte të tilla nuk kanë vend në Kosovë

    Mbyllen katër komuna paralele serbe në Dragash, Krasniqi: Objekte të tilla nuk kanë vend në Kosovë

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë njoftuar se sot në Vranisht të Dragashit janë mbyllur katër komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për shumë vite.

    Krasniqi tha se këto komuna kanë qenë përgjegjëse edhe për komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit.

    “Aktiviteti ilegal i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të ekzistojnë, funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin”.

    “Kosova ka komuna që janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të të gjithë qytetarëve. Ky objekt sikurse edhe objektet tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, tha Krasniqi.

    Ndërsa, Sveçla u shpreh se kriminaliteti do të luftohet në çdo cep të Kosovës, kurse sipas tij, në Kosovë s’ka vend për Serbinë, përveç ambasadës së saj në Prishtinë.

    “Ashtu siç edhe jemi zotuar, në çdo cep të Kosovës do të luftohet kriminaliteti, ilegaliteti dhe cfarëdo shkelje e ligjit”.

    “Në Kosovë do të ketë organe legjitime që do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Nuk ka vend për Serbinë përveç ambasadës së saj në Prishtinë”, tha Sveçla.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për posedim e shitblerje të narkotikëve në Prizren

    Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për posedim e shitblerje të narkotikëve në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj personave me inicialet E.Sh., Z.K., F.Sh., dhe V.Z., për shkak se kanë kryer veprat penale për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, në Prizren, në lokalin me inicialet “L.B”, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, dhe, të njëjtën e shpërndan te të tjerët.

    Gjatë kontrollit, në trupin e tij janë gjetur 16 qese plastike me substancë të dyshuar kokainë, ndërsa në lokal janë gjetur 70 qese plastike me kokainë në peshë neto 29.46 gramë dhe një dozë e substancës së njëjtë në peshë 0.31 gramë ia kishte shpërndarë dhe dorëzuar të pandehurit Z.K.

    Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në Hoqë e Qytetit, në dhomën e fjetjes është gjetur një peshore digjitale për matjen e substancës narkotike dhe 4.050 euro që dyshohet se janë fituara nga shitja e substancave narkotike.

    Me këtë, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Po ashtu, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023 në lokalin “L.B”, lejon dhe toleron përdorimin e narkotikëve në atë mënyrë që të pandehurve F.Sh., Z.K. dhe V.Z., në cilësinë e konsumatorëve, u lejon përdorimin e marihuanës dhe kokainës, me çka kryen veprën penale “Lehtësimi i sigurimit apo përdorimit të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

    Të pandehurit F.Sh., Z.K., dhe V.Z., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, derisa kanë qenë në cilësinë e konsumatorëve në lokalin “L.B” në Prizren, pa autorizim kanë poseduar narkotikë në atë mënyrë që gjatë kontrollit nga ana e policisë, tek i pandehuri F.Sh. ka gjetur gjysmë joint (cigare e përdorur marihuanë) e dyshuar për lëndë narkotike marihuanë, me peshë prej 0.12 gram.

    Tek i pandehuri Z.K., policia ka gjetur katër foli alumini, me sasi të dyshuar narkotikë marihuanë, me peshë neto 1.6 gram dhe një qese plastike me substancë narkotike kokainë, me peshë 0.31 gram.

    Ndërsa, tek i pandehuri V.Z., policia me rastin e kontrollit ka gjetur mbetje të substancës narkotike të dyshuar për marihuanë, me peshë 0.26 gram, një peshore digjitale dhe një mulli së bashku me një paketim rizlla, mjete këto për përgatitjen e substancës narkotike për konsumim.

    Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor katër të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • BE denoncon Alabamën për ekzekutimin e të burgosurit me azot: Torturë, metodë brutale

    BE denoncon Alabamën për ekzekutimin e të burgosurit me azot: Torturë, metodë brutale

    Ekzekutimi i parë në botë me azot në Alabama është brutal, ka thënë shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk.

    “Më vjen thellësisht keq për ekzekutimin e Kenneth Eugene Smith në Alabama, pavarësisht shqetësimeve serioze se kjo metodë e paprovuar e azotit mund të përbëjë torturë ose trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues,” tha Volker Turk.

    Bashkimi Europian denoncon ekzekutimin me azot në SHBA, tha në një deklaratë zëdhënësi i Komisionit Europian.

    “Bashkimi Europian shpreh keqardhjen e tij të thellë për ekzekutimin e Kenneth Eugene Smith në Alabama dhe denoncon metodën veçanërisht brutale të ekzekutimit, e cila është edhe më e dhimbshme nga fakti se i burgosuri ishte tashmë subjekt i një tentative ekzekutimi në nëntor 2022, thuhet në njoftimin e Komisionit.

    BE theksoi gjithashtu është kundër dënimit me vdekje në çdo rrethanë.

  • ​BERZH investoi 1.63 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor më 2023, prej tyre 81 milionë në Kosovë

    ​BERZH investoi 1.63 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor më 2023, prej tyre 81 milionë në Kosovë

    Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënvizoi angazhimin e saj të fortë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2023 me investime rekord prej më shumë se 1.63 miliardë euro në 100 projekte. Kjo pason një total prej 1.28 miliardë eurosh në 2022.

    BERZH ka financuar në Kosovë 81 milionë euro përmes 16 projekteve, ku pjesa më e madhe i drejtohet sektorit privat dhe pothuajse gjysma e totalit të financimit për projektet e gjelbra.

    BERZH nënshkroi projekte me vlerë 51 milionë euro për institucionet financiare, kryesisht për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përfshinin një instrument inovativ të Garancisë për Rritje me vlerë 20 milionë euro.

    Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve është zotuar për të adresuar nevojat e sektorit publik në Kosovë, me 20 milionë euro për ndërtimin e një impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Ferizajt, për parandalimin e ndotjes dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë.

    Në Shqipëri, BERZH investoi 146 milionë euro financime të reja nëpërmjet 23 projekteve, me theks të veçantë në sektorin privat dhe energjinë e rinovueshme. Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë, BERZH nënshkroi një total prej 218 milionë euro investime të reja nëpërmjet 15 projekteve në 2023.

    BERZH financoi 80 milionë euro në Mal të Zi dhe mobilizoi 25 milionë euro për të mbështetur investimet publike dhe private, për të cilat financat e gjelbra përbënin 79 për qind.

    Në Maqedoninë e Veriut, BERZH investoi 259 milionë euro përmes 17 projekteve në vitin 2023, shumica e të cilave ishin në ekonominë e gjelbër. Përtej investimeve, BERZH ndihmoi Maqedoninë e Veriut të hartojë dhe lansojë Platformën e Investimeve të Tranzicionit të Drejtë Energjisë në COP28, një moment historik për vendin historikisht të varur nga qymyri, për të ndihmuar në heqjen e qymyrit dhe instalimin e 1.7 GW energji të rinovuar deri në vitin 2030.

    Serbia mori financim rekord prej 846 milionë euro, duke e bërë atë tregun e pestë më të madh të BERZH-it vitin e kaluar. Energjia ishte në qendër të vëmendjes, me një paketë financiare prej 300 milionë eurosh.

    Ndryshe, deri më sot, BERZH ka investuar më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, shumica e të cilave ka mbështetur sektorin privat. Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in, ku mbetet investitori më i madh institucional.

  • “Burgosi” gruan dhe fëmijët e mitur në shtëpi, zbardhet dëshmia e 35-vjeçarit

    “Burgosi” gruan dhe fëmijët e mitur në shtëpi, zbardhet dëshmia e 35-vjeçarit

    35-vjeçari Jetnor Zhaboli, ka deklaruar se e “burgosi” gruan dhe fëmijët e tij, 5 dhe 9 vjeç, në shtëpi për t’i mbrojtur.

    Sipas gazetares Dorjana Bezat, Zhaboli ka dëshmuar se ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke folur me persona të tjerë, kështu që ka instaluar kamera në çdo cep të shtëpisë, të cilat i kishte lidhur me aparatin celular, për t’i mbrojtur ata.

    35-vjeçari gjithashtu kishte instaluar pajisje për bllokimin e valëve dhe madje ndërpriste edhe energjinë elektrike. Sipas informacioneve, Zhaboli gjithashtu terrorizonte fëmijët.

    Sa herë që ai largohej, ju ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes./TCh/

  • Përdoret aparatura e re në QKUK, kryhen dy operacione për herë të parë në Kosovë

    Përdoret aparatura e re në QKUK, kryhen dy operacione për herë të parë në Kosovë

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se që nga dita e djeshme është lëshuar për përdorim aparatura e re Nuss-Procedurë, e cila realizohet me Vats (intervenim kirurgjik në gjoks).

    Në njoftimin e publikuar nga ShSKUK, thuhet se përmes kësaj aparature për herë të parë në Kosovë janë realizuar dy operacione, duke i kursyer buxhetit të shtetit mijëra euro.

    “Për procedurën Nuss, pacientët deri ditën e djeshme, janë referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Aparatura e re moderne, e lëshuar në punë ditën e djeshme, i plotëson të gjitha kushtet për intervenime kirurgjike në gjok”, thuhet tutje në komunikatë.

    Me këtë rast, QKUK, e falenderon Dr. Xhevdet Ademaj, i cili punon dhe vepron jashtë vendit, e që ka ndihmuar të realizohen këto operacione. /kp

  • Kryeministri i Malit të Zi: Jemi të gatshëm të forcojmë pozicionin tonë në Kosovë

    Kryeministri i Malit të Zi: Jemi të gatshëm të forcojmë pozicionin tonë në Kosovë

    Mali i zi është i gatshëm që ta forcojë pozitën në Kosovë. Kështu ka thënë sot kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq gjatë një konferencë të përbashkët, pas takimit që pati me me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Spajiq u pyet për mundësinë e forcimit të pranisë së Malit të Zi në misionet në rajon dhe në krahun lindor të Aleancës dhe tha se stabiliteti i Ballkanit është i një rëndësie më të madhe për Malin e Zi.
    Duke folur për prezencën në Kosovë, Spajiq thotë se tashmë Mali i zi është shumë i pranishëm në Kosovë.

    “Ne jemi të gatshëm të forcojmë pozitën tonë në Kosovë. Mendojmë se situata është qetësuar kohëve të fundit, por siç diskutuam, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë dhe është në interesin tonë të thellë kombëtar që të ruajmë paqen në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë dhe Hercegovinën. Angazhimi ynë i palëkundur për integritetin territorial dhe paqen e Bosnje dhe Hercegovinës është i një rëndësie të madhe për Malin e Zi. Ne ndajmë një kufi të madh me Bosnjën dhe Hercegovinën, kështu që ne jemi patjetër të gatshëm të jemi një aleat i besueshëm në NATO në çdo formë”, tha ai.

    “Së bashku arritëm në përfundimin se Mali i Zi kontribuon në mënyrë aktive në detyrat kyçe të NATO-s dhe të mbrojtjes kolektive në përgjithësi. Ne konfirmuam praninë tonë në Lindje, në Letoni, Bullgari, Irak dhe Kosovë. Rikonfirmova gjithashtu angazhimin tonë të vendosur për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa është e nevojshme në luftën e saj për sovranitet dhe zbatimin e reformave të rëndësishme si për rrugën drejt BE-së ashtu edhe për NATO-n”, tha kryeministri malazez.

    Ballkani Perëndimor, forcimi i NATO-s, dhe përgatitjet për samitin e Uashingtonit, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.

    “Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltemberg.

    Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

    Stoltenberg e ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.