ATV

Category: Lajme

  • SHBA ngre akuza ndaj oligarkëve rusë

    SHBA ngre akuza ndaj oligarkëve rusë

    Departamenti amerikan i Drejtësisë më 22 shkurt bëri të ditur për ndërmarrjen e veprimeve ligjore në pesë raste të ndara federale kundër oligarkëve të sanksionuar rusë dhe rrjeteve që mbështesin Rusinë.

    Veprimet, që përkojnë me dyvjetorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, përfshijnë ngritjen e akuzave kundër kreut të bankës shtetërore ruse VTB, Andrei Kostin, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij me seli në SHBA, tha Departamenti.

    Akuzat u ngritën në Nju Jork kundër Kostin dhe bashkëpunëtorëve të tij, Vadim Wolfson dhe Gannon Bond, të cilët u arrestuan.

    Kostin, që është nën sanksione të SHBA-së, për një kohë të gjatë është president i Bankës VTB, që është banka e dytë më e madhe në Rusi. Ai po akuzohet se është përfshirë në një skemë për shmangie të sanksioneve dhe pastrim të parave për të mbështetur dy superjahte. Kostin dhe dy bashkëpunëtorët e tij po ashtu akuzohen se kanë tentuar të shmangin sanksionet e lidhura me një shtëpi luksoze në shtetin amerikan të Kolorados.

    Michael Khoo nga Departamenti i Drejtësisë, i tha gazetarëve se ky njoftim nënkupton dërgimin e mesazhit të presidenti rus, Vladimir Putin, se “ne nuk do të largohemi” dhe ne “po ashtu mund të luajmë lojën e gjatë” për aq kohë sa lufta të vazhdojë.

    Veprimet e tjera të ndërmarra më 22 shkurt po ashtu përfshijnë ngritjen e një aktakuze në Floridë ndaj një oligarku ukrainas pro-rus, Serhiy Kurchenko, për shkak të dyshimeve se ai është i lidhur me një skemë të shkeljeve dhe shmangieve të sanksioneve amerikane.

    Po ashtu në Floridë, agjentët federalë kanë ngritur një kërkesë civile për konfiskimin e dy ndërtesave luksoze që i përkasin biznesmenit të sanksionuar rus, Viktor Perevalov, i cili është bashkëpronar në një kompani ndërtimore në Rusi.

    Departamenti amerikan i Drejtësisë po ashtu njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Vladislav Osipov, i cili akuzohet për mashtrime bankare në lidhje me operimin e një jahti të oligarkut të sanksionuar rus, Viktor Vekselberg. Osipov, me shtetësi ruse, jeton në Zvicër.

    Në aktakuzë thuhet se bëhet fjalë për superjahtin Tango, që i takonte oligarkut të sanksionuar i cili kishte lidhje të ngushta me Kremlinin. Jahti u konfiskua me kërkesë të Qeverisë amerikane pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

    Departamenti i Drejtësisë tha po ashtu se Feliks Medvedev është deklaruar fajtor më herët gjatë këtij muaji për ndihmën që kishte dhënë për pastrimin e mbi 150 milionë dollarëve përmes llogarive bankare që ai kontrollonte. Mevedev, shtetas rus, jeton në shtetin amerikan të Xhorxhias.

    Përmes një deklarate, prokurori i Përgjithshëm, Merrick B. Garland, tha se Departamenti i Drejtësisë “është më i përkushtuar se kurrë për të ndalur rrjedhjen e fondeve ilegale që po financojnë luftën e Putinit dhe për të mbajtur përgjegjës të gjithë ata që vazhdojnë të ndihmojnë Putinin”.

  • ​Nga Agjencia e Anti-dopingut tregojnë nëse ka sportistë kosovar që po vuajnë dënime për shkelje të këtij ligji

    ​Nga Agjencia e Anti-dopingut tregojnë nëse ka sportistë kosovar që po vuajnë dënime për shkelje të këtij ligji

    Ditëve të fundit u raportua se basketbollisti kanadez, Jordy Tshimanga është përfshirë në testet pozitive për doping, por deri më tani asgjë nuk është e konfirmuar.

    Në lidhje me këtë çështje, për KosovaPress ka folur Bernard Tahirbegolli nga Agjencia Kosovare e Anti-Dopingut (KosADA). Ai ka thënë se kjo agjenci deri më tani marr asnjë vendim për suspendimin e ndonjë lojtari në Kosovë.

    “Çështja është se ne nuk kemi asnjë vendim për suspendim të atij lojtari, lojtarit në fjalë që jeni duke pyetur dhe ai nuk është i suspenduar. Nëse është testuar ndoshta është në proces të ndonjë analize të tij, mirëpo për këtë nuk mund të jap asnjë informatë sepse janë konfidenciale të laboratorit. Ne si KosADA, ose komisioni disiplinor që është nuk e kemi marr asnjë vendim, jo për këtë, por për asnjë prej kur kemi filluar në vitin 2021 të testojmë deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për të thënë është suspenduar ky apo ai tjetri”, ka thënë Tahirbegolli.

    Tutje, Tahirbegolli ka bërë të ditur se deri pak muaj më parë ka pasur lojtar kosovar që kanë vuajtur dënime për shkak se kanë rezultuar pozitivë në testet anti-doping.

    Tahirbegolli: Ka pasur lojtar kosovar që janë dënuar për shkelje të anti-dopingut

    “Ne kemi lojtar edhe kosovar por edhe të huaj që kanë dal pozitiv në vende të tjera edhe e kanë vuajtur dënimin. Aktualisht nuk kemi në Kosovë asnjë lojtar që është duke e vuajtur dënimin, mirëpo kemi pasur deri para pak muajve kemi pasur lojtar të Kosovës që janë duke e vuajtur një dënim por janë testuar diku tjetër, nuk e kemi testuar ne, mirëpo e kemi monitoruar që ai nuk po vie të luajë ose e kemi bërë të ditur me federatën që një lojtar i caktuar nuk mund të luaj

    Ndryshe, KosADA, është organizatë e përcaktuar nga vendi si autoriteti kryesor në nivel kombëtar për programet anti-doping në nivel vendi.

  • ​Lajçak: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, nevojë urgjente

    ​Lajçak: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, nevojë urgjente

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron në Romë të Italisë, prej nga ka njoftuar që çështja e negociatave Kosovë-Serbi, ishte pjesë e diskutimit në disa takime.

    Duke dhënë sinjale sinjale paralajmëruese për hapat që do të bëhen në këtë proces, Lajçak ka bërë të ditur se me zyrtarët italianë, kanë theksuar nevojën urgjente të normalizimit të raporteve mes të dyja vendeve.

    “Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çështjet më të gjera rajonale dhe hapat e tjerë në muajt në vijim”, ka shkruar ai në Facebook.

    Emisari evropian nuk la pa përmendur as Konferencën e Sigurisë që u mbajt në Munih javën që shkoi.

    “Kam marrë pjesë në ngjarje të shumta të fokusuara në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë një panel diskutimi publik për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku theksova nevojën urgjente për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

    Sipas Miroslav Lajçakut, ky normalizim është thelbësor për stabilitetin e rajonit, zhvillimin ekonomik dhe përparimin drejt Bashkimit Evropian.

  • Zelensky në Tiranë më 28-29 shkurt

    Zelensky në Tiranë më 28-29 shkurt

    50 imazhe fotografike nga fronti i luftës, që përçojnë dramën dhe përpjekjet e popullit të Ukrainës për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë u ekspozuan sot në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog.

    I pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së kësaj ekspozite në Tiranë, Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, shkruan atsh, transmeton KosovaPress.

    “Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë ambasadorin e Ukrainës i cili është këtu bashkë me ne dhe patjetër dua të falënderoj ata që e morën përsipër këtë iniciativë dhe arritën që në një moment si ky t’i japin jetë”, u shpreh Rama në fillim të fjalës së tij.

    Rama vlerësoi faktin se ekspozita vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, një vizitë e cila është nga njëra anë një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është edhe një vizitë e cila do të kulmojë me një samit të vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën.

    “Në këtë samit do të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Europës dhe ku presidenti Zelensky është bashkë me ne si bashkëorganizator së bashku me mua për këtë aktivitet, që në kontekstin e sotëm ka sipas meje një rëndësi të posaçme”, bëri të ditur Rama.

    Fjalët dhe përshkrimet për atë që ndodh në Ukrainë, për të konsiderohen të tepërta sot, pasi ekspozita e përcjell përmes emocioneve të fotografive që ngjanë si foto filmash.

    “Por në fakt janë foto të çdo ore dhe dite e nate të popullit ukrainas nën furinë e agresionit rus, një agresion tërësisht i padrejtë, i pajustifikuar dhe i pajustifikueshëm. Siç dihet botërisht Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë së bashku të ardhmen ku çdo vend popull, çdo individ ka të drejtën e lirisë, të drejtën e të jetuarit si i barabartë nën ombrellën e ligjit dhe të Kushtetutës demokratike”, tha Rama.

    Ndërkohë, Rama theksoi se agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është si përpjekja për të imponuar të drejtën për të jetuar në të shkuarën dhe është një përplasje mes dy botësh, dy mënyrash krejtësisht të ndryshme për ta parë botën.

    “Shpreh edhe sot solidaritetin tonë të patundshëm për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Këto imazhe vijnë nga një front ku luftohet, humbasin jetë njerëzish e shkatërrohen pasuri të patundshme të ngritura me mundim e ku jetohet ditë-natë nën represionin e sirenave që paralajmërojnë bombardimin e radhës”, u shpreh ai.

    Libri “Ukraina, një krim lufte” është dokumentimi historik i vitit të parë të luftës ruso-ukrainase. me histori reale të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive. Libri në vetvete përfshin mbi 360 fotografi dhe 30 dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendesh të ndryshme nga e gjithë bota. Imazhet dhe reportazhet sjellin për shikuesin momentet e konfliktit, katastrofën humanitare dhe hetimet e krimeve të luftës.

  • 4374 punëkërkues zyrtarë në veri, skepticizëm për masat qeveritare

    4374 punëkërkues zyrtarë në veri, skepticizëm për masat qeveritare

    Përgatiti: Haris Ademi

    Që nga marrja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, qeveria i ka shtuar masat që mundësojnë punësimin e qytetarëve të kësaj zone të dominuar nga etnia serbe.

    Dy ministra nga Prishtina i shkuan Lulzim Hetemit në Leposaviq, për të treguar se do t’i mbështesin dy mijë të punësuar nga i gjithë veriu, me subvencionim të 70% të pagës për gjashtë muaj.

    Aktivitetin e ka shtuar edhe Agjencia e Punësimit. Në përgjigjen dhënë ATV-së, APRK-ja tregoi se i ka në listë 4374 punëkërkues nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku. Në këto dy të fundit, nuk janë aktive Zyrat e Punësimit, pasi kryetarët funksionojnë në objekte alternative.

    Për këto masa është skeptik ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.

    “Çdo çështje ekonomike është politizuar, a i përgjigjen serbët kësaj, a ka biznes mjaft për 2000 vende pune, qeveria po e përdor si manovër politike…”, tha Gërxhaliu.

    Përveç masave për sektorin privat, ka nevojë edhe për staf në institucionet veriore.

    Të mërkurën, Ministria e Punëve të Brendshme hapi konkurs për 35 vende pune, për Zyrtar të Regjistrimit Civil dhe të Automjeteve.

  • Anëtari i LV-së emërohet ushtrues detyre i kryeshefit në KEK

    Anëtari i LV-së emërohet ushtrues detyre i kryeshefit në KEK

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Dhjetë muaj pas arrestimit dhe pezullimit të Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv, bordi i drejtorëve i KEK-ut emëroi një ushtrues detyre të ri.

    Detyrën e kryeshefit në këtë ndërmarrje publike do ta ushtrojë Bekir Gërguri, ndërsa Përparim Kabashi, i cili ishte caktuar në këtë detyrë më 25 Prill të vitit të kaluar, është kthyer në pozitën e tij të mëparshme.

    “Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a njofton se në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energjetike të Kosovës është emëruar z. Bekir Gërguri. Sot, gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, z. Gërguri ka pranuar detyrat dhe autorizimet e plota për udhëheqjen e të gjitha operacioneve të KEK sh.a” , thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    Në pozitën e zëvendëskryeshefit u emërua Ramadan Budakova.

    Megjithatë, KEK-u nuk sqaroi nëse ka ndryshim në marrëdhënien e punës me Nagip Krasniqin.

    KEK-u nuk sqaroi as nëse Gërguri do ta ushtrojë detyrën deri në shpalljen e konkursit për kryeshef të ri apo krijimin e rrethanave eventuale për kthimin e Krasniqit në pozitë.

    Bekir Gërguri ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist, ndërsa Ramadan Budakova njihet si përkrahës i kryeministrit Albin Kurti.

    Nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, Nagip Krasniqi u arrestua më 19 Prill 2023, u suspendua nga detyra disa ditë më vonë. Ai është liruar nga paraburgimi dhe ndaj tij është caktuar masa që i ndalon t’i afrohet KEK-ut.

  • Dështon miratimi i projektligjit për fertilizim të asistuar mjekësor

    Dështon miratimi i projektligjit për fertilizim të asistuar mjekësor

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Nga 30 pika sa ishin në rend dite në Kuvend, rreth 20 ishin shqyrtime në lexim të parë e të dytë të projektligjeve.

    Projektligji që solli përçarje edhe në mesin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ishte ai për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Për këtë projektligj ishin propozuar 42 amendamente prej tyre, 20 vetëm të deputetit Visar Korenica.

    “Pasi po flasim te dhurimi i qelizave riprodhuese për aplikim te njerëzit, që nuk kufizohet te çifti, por i jepet hapësirë edhe individit. Në versionin e parë ka qenë e specifikuar që edhe gruaja e pamartuar të ketë të drejtë të pranojë qeliza për riprodhim, tash i jepet mundësi edhe individit, gjinisë mashkullore. Kjo i jep më shumë problem, pasi individ mundet të jenë edhe të gjinisë së njëjtë, jo vetëm gjinisë së kundërt”, tha Korenica.

    Megjithatë, as për amendamentin e parë të Korenicës, nuk pati përkrahje të mjaftueshme. Votimi u përsërit tri herë, derisa as deputeti tjetër nga Vetëvendosja, Eman Rrahmani, nuk votoi.

    “Me qëllim që të pamundësohet që të procedohet më tej projektligji njëri nga deputetët nuk po voton”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

    Për këtë reagoi deputeti Rrahmani.

    “S’kam nevojë me ta përmend emrin. Kjo është për të kuptuar teknikisht pse s’po ndodh. Deputetët e kanë shpjeguar pozicionin e vet”, tha Konjufca.

    Në votimin e tij në herën e tretë, 12 deputetë votuan për, 32 kundër dhe 14 abstenuan, duke shtyrë shqyrtimin e projektligjin për ndonjë seancë tjetër.

    Ndërkohë, debat pati edhe për projektligjin për noterinë, të cilin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për prezantim e kishte ngarkuar ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku.

    Ndërkaq, ndryshe nga Haxhiu, si rrallëherë në Kuvend për prezantimin e disa prej projektligjeve të Ministrisë që ai drejton, ishte i pranishëm ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Deputetët me shumicë votash arritën të miratojnë Projektligjin për letërnjoftimin, atë për kontrollin e kufirit shtetëror, ndërkaq për projektligjin për gjendjen civile nuk pati kuorum.

  • Në Podujevë nxënëset nga 11 deri në 16 vjeç, morën vaksinën “Human Papilloma Virus”

    Në Podujevë nxënëset nga 11 deri në 16 vjeç, morën vaksinën “Human Papilloma Virus”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Detyra jo, por një pyetje që përmban përgjigje me rëndësi, u shkrua në dërrasën e zezë të një klase, në shkollën fillore “Hyzriu e Samiu”, në fshatin Letanc të Podujevës.

    Mesazhi i shkruar ka për qëllim vetëdijesimin e nxënësve për të marrë vaksinën Human Papilloma Virus”.

    Po fillojmë vaksinimin e vajzave të klasave të gjashta me vaksinën HPV, e cila parandalon kancerin e qafës së mitrës. Kosova edhe në shekullin e kaluar ka vuajtur nga sëmundjet ngjitëse dhe ka pasë vdekje të panumërta të qytetarëve tanë gjatë shekullit të kaluar, si pasojë e këtyre sëmundjeve. Unë mora vesh që dje ka filluar në Komunën e Podujevës, përmbi 80 për qind e vajzave të klasave të gjashta në vendin ku është bërë vaksinimi e kanë marr këtë vaksinë që është jashtëzakonisht lajm i mirë dhe për fund apeloj të gjithë prindërit pa përjashtim, t’i stimulojnë vajzat ta marrin këtë vaksinë”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Se mosha 11-vjeçare është idealja për marrjen e kësaj vaksine e tha edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

    “Nuk ka asnjë dyshim dhe nuk do të ketë sepse është paraparë në shumicën e rasteve në hulumtimet e gjithëmbarshme në botë se kjo është mosha ideale kur mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës përmes kësaj vaksine”, tha Ramadani.

    Që procesi i vaksinimit ka filluar në këtë komunë, i lumtur u shpreh edhe i pari i kësaj komune.

    “Jemi shumë të lumtur që ky proces po vazhdon edhe në komunën tonë. Nga ajo që kemi informacion deri tani, vërej që është një përgjigje në shkallë të lartë në këtë proces të vaksinimit”, tha kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    Vaksinimi me vaksinën “Human Papilloma Virus”, që nga e marta ka filluar edhe në shkollat e Prishtinës. Nxënësit e shkollës Model “Qamil Batalli”, ishin të parët që i morën këto vaksina.

    Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, të enjten, në Podujevë, tha se këtë vit MSH-ja ka investuar rreth 5 milionë euro, përfshirë sigurimin e vaksinave e po ashtu edhe investimin që po bëhet në Klinikën e Onkologjisë.

  • Pension varësisht nga Trusti, opozita e kundërshton propozimin

    Pension varësisht nga Trusti, opozita e kundërshton propozimin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Të palogjikshme e kanë vlerësuar deputetët e opozitës idenë e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, në lidhje me reformat ne skemën pensionale.

    Sipas tyre, propozimi që pensionistët ta marrin pensionin bazë, varësisht nga shuma e mjeteve që kanë në Fondin e Kursimeve Pensionale, as nuk duhet të shkojë për votim në Kuvend.

    “Qysh me ja prek njerit paret në Trust, një gjë e tillë nuk guxon me ndodh në Kuvend e as nuk kemi me leju me ndodh. Ky është diskriminim…”, tha anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.

    Duke thënë se propozimi përbën shkelje të të drejtave të pensionistëve, ish-ministri Armend Zemaj ka thënë se si parti këtë propozim nuk do ta përkrahin.

    “Kjo është pabarazi dhe e padrejtë, këto ide janë amatoreske…”, tha Zemaj.

    Kjo reformë, sipas deputetit Bekim Haxhiut, do t’i revoltonte pensionistët.

    Reforma në skemën pensionale, si dhe sociale është duke u bërë me Bankën Botërore nëpërmes një kredie në vlerë prej 47 milionë eurosh.

  • Rryma në veri para verës s’ka fatura bazuar në matje të konsumit

    Rryma në veri para verës s’ka fatura bazuar në matje të konsumit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Së paku deri në verë, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok nuk pritet të nisë faturimi i energjisë elektrike bazuar në matjen e konsumit.

    Deri në realizimin e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian për vendosjen e matësve inteligjentë, konsumatorëve do t’u kërkohet pagesë paushall.

    “Për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes së Dialogut Prishtinë – Beograd për udhërrëfyesin e energjisë dhe marrëveshjen komerciale ndërmjet operatorit të shpërndarjes së Kosovës – KEDS dhe furnizuesit – Elektrosever, më 16 shkurt, BE-ja publikoi tenderin për furnizim me njehsorë të mençur të energjisë elektrike për komunat veriore të Kosovës. Tenderi përfshin furnizim me katër lloje të pajisjeve matëse, një koncentrator të dhënash dhe transformatorë të rrymës/tensionit. Afati i fundit për pranimin e ofertave është 15 Prill 2024”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Punët në terren për vendosjen e matësve apo njehsorëve nuk pritet të nisin para majit ose qershorit.

    Në draft-kontratën të cilën e ka parë ATV-ja, afati për realizimin e punëve të parapara në tender është 365 ditë, që nënkupton se finalizimi i procesit të faturimit bazuar në sasinë e konsumit mund të vonohet edhe më shumë.

    Në total, në katër komunat me shumicë serbe në veri, parashihet të vendosen rreth 25 mijë matës të mençur, por vlera e kontratës nuk është përcaktuar ende.
    Matësit e konsumit do t’i dorëzohen KEDS-it dhe në pajtim marrëveshjen me Elektroseverin, do të vijohet me vendosjen e tyre.

    Megjithëse, nga 1 Janari ka nisur nominimin e energjisë për katër komunat në veri, Elekstrosever ende nuk u ka dërguar konsumatorëve fatura, duke i njoftuar ata se përkohësisht do të paguajnë paushall ndërmjet 25 dhe 30 euro në muaj.

    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në këtë pjesë të vendit llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.