ATV

Category: Lajme

  • Borrell: Lindja e Mesme në cep të luftës rajonale

    Borrell: Lindja e Mesme në cep të luftës rajonale

    Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrel, ka deklaruar se Lindja e Mesme është shumë pranë luftës rajonale.

    Sipas tij krerët evropianë duhet t’i kërkojnë “përgjigje të përmbajtur” te Irani pas sulmeve ajrore të fundjavës, raporton CNN.

    “Nuk mund të eskalohet. Nuk mund të shkohet hap pas hapi për të ju përgjigjur secilës situatë që shkon më përpara, te lufta rajonale”, është shprehur Borrell me të arritur në Itali për takimin e ministrave të Jashtëm të G7-ës.

    “Jemi në cep të një lufte rajonale me Lindjen e Mesme që do të dërgojë lëkundje mbarë botë, veçanërisht në Evropë”.

    Komentet e tij vijnë pasi që Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, u bëri thirrje ekonomive më të mëdha globale që të koordinohen për të vendosur sanksione ndaj Iranit.

  • Hovenier: Jam i shqetësuar me ndalimin e zv.drejtorit të Policisë – Serbia shkeli marrëveshjen

    Hovenier: Jam i shqetësuar me ndalimin e zv.drejtorit të Policisë – Serbia shkeli marrëveshjen

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

    Temë e diskutimit ishte edhe ndalimit të qindra qytetarëve kosovarë nga Serbia, në kufirin me Kroacinë përfshirë këtu edhe mbajtjen e zëvendësdrejtorit të policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    Hovenier u shpreh shumë i shqetësuar lidhur me këtë fakt.

    “Jam shumë i shqetësuar, veçanërisht për dikë që e njohim që disa vite, i cili ka ndihmuar shumë në integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës”, tha Hovenier para mediave.

    Tutje ai tha se pajtohen me deklaratën e djeshme të Bashkimit Europian ku tha se Serbia ka shkelë marrëveshjen për liri të lëvizjes me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare.

    “Ishte një deklaratë nga BE dje. Ne punojmë për të mbështetur BE-në në negociatat e dialogut..zotëri Stano e bëri shumë të qartë këtë dhe ne nuk kemi si të mos dakordohemi se si BE i sheh këto gjëra. SHBA kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog të implementohen plotësisht dhe ne vazhdojmë të punojmë së bashku”.

    Gjatë së mërkurës shumë qytetarë nga Kosova u bllokuan nga Serbia në pikën kufitare me Kroacinë.

    Pos kësaj 10 zyrtarë policorë, përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e policisë Dejan Jankoviq u ndaluan nga autoritetet serbe.

    Dje pesë nga ta u liruan, ndërkaq sot u liruan edhe katër të tjerë, ndërkaq Jankoviq po mbahet ende nga Serbia.

  • Haradinaj – krerëve të shtetit: Jepni ultimatum Serbisë për lirimin e policëve ose veproni me reciprocitet

    Haradinaj – krerëve të shtetit: Jepni ultimatum Serbisë për lirimin e policëve ose veproni me reciprocitet

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga krerët e institucioneve shtetërore që t’i japin ultimatum Serbisë, për lirimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, në të kundërtën, ai ka kërkuar që Kosova të veprojë me reciprocitet ndaj zyrtarëve serbë kur të hyjnë në territorin kosovar.

    Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, derisa reagimin e krerëve të shtetit për këtë rast e ka konsideruar si inert.

    “Reagimi inert dhe vetëm deklarativ shtetëror i Kosovës për arrestimin e Zv. Drejtorit Jankoviç dhe policëve të Kosovës në Serbi, shpërfaq mungesën e mbështetjes serioze dhe pasigurinë për pjesëtarët e komunitetit serb në institucionet e sigurisë së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

    Qeveria, Presidenca, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ka theksuar kreu i AAK-së, “do duhej të japin ultimatum të prerë për lirimin e menjëhershëm të tyre, në të kundërtën edhe Kosova do të veprojë me reciprocitet ndaj pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë të Serbisë, kurdo që hyjnë në territorin e Kosovës”.

  • ​Szunyog: Kosova nuk ka marrë parasysh komentet e BE-së për disa ligje

    ​Szunyog: Kosova nuk ka marrë parasysh komentet e BE-së për disa ligje

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog sërish ka kritikuar ekzekutivin për Ligjin për Paga dhe për Zyrtarët Publikë. Ai deklaroi se nëse këto nisma legjislative nuk ndryshohen, atëherë shërbimi civil do të jetë i cenueshëm nga politizimi.

    Kështu u shpreh ai në konferencën me temën “Reforma në Administratën Publike në Kosovë, sfidat, progresi dhe rruga përpara” nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

    Szunyog deklaroi se reforma në administratën publike është shtylla kryesore për anëtarësim në BE.

    “Kosova ka bërë po ashtu progres në racionalizimin e agjencive të pavarura, por nevojiten përpjekje të metejme për përshpejtimin e procesit. Sa i përket kornizës ligjore, fatkeqësisht, Kosova nuk ka marrë parasysh komentet e BE-së dhe SIGMA-s në disa veprime kyçe ligjore dhe me duhet ta shfrytëzoj mundësinë e sodit që edhe njëherë t’i ngrisim shqetësimet tona. Ligji i ri për Zyrtarët Publik, Ligji për Pagat në sektorin publik dhe Ligji për bordin mbikëqyrës në shërbimin publik janë kyçe për reformat e suksesshme të administratës publike. Në rast se këto ligje nuk ndryshohen, rezultate të pritshme negative mund ta bëjnë shërbimin civil të cenueshëm ndaj një rreziku më të madh të politizimit dhe korrupsionit”, deklaroi ai.

    Kurse, drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha Stublla tha se reforma është thelbësore për çdo shtet.

    “Konsultimi i shoqërisë civile dhe i akterëve relevantë në procesin e hartimit të këtyre dy ligjeve nuk ka qenë i kënaqshëm dhe gjithashtu jo gjithëpërfshirës dhe kuptim plot që përtej faktit që shumë shpesh nuk jemi përfshirë, siç është rasti në rishikimin e fundit të Ligjit për Zyrtarët Publik, ndonëse jemi përfshirë në faza më të hershme, imputet tona nuk janë trajtuar apo nuk janë marrë parasysh. Edhe vlerësoj dhe po e përçoj si mesazh që është tejet e rëndësishme, sidomos për procese të tilla reformuese, siç është reforma e administratës publike, përfshirja kuptim plot e në faza të hershme të shoqërisë civile dhe hisedarëve të tjerë dhe mbetet qenësore”, përfundoi ajo.

    Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se janë të përkushtuar për një administratë efikase dhe llogaridhënëse.

    “Ne përmes politikës sonë me Ligjin për Zyrtarët Publik synojmë pikërisht depolizitimin e administratës. Pra, jemi të përkushtuar për të ndërtuar një administratë që funksionon mbi parimet e meritokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit. Zbatimi i Ligjit për Zyrtarët Publik ka filluar qysh në shtator të vitit 2023, kur ligji ka hyrë në fuqi dhe zbatimi i ligjit është duke vazhduar kur ne si ministri jemi në proces të hartimit të të gjitha akteve nënligjore që derivojnë nga ky ligj. Gjithashtu, muajin e kaluar qeveria ka miratuar ligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, me qëllim që ndër të tjera të adresohen kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të muajit shkurt 2023”, tha ai.

  • ​Rohde kërkon nga Serbia de përshkallëzim

    ​Rohde kërkon nga Serbia de përshkallëzim

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka kërkuar nga Serbia shtensionim të menjëhershëm të situatës pas ndalesës së qytetarëve dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

    Ambasadori Rohde tha se ndalimi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit të Kosovës, nga autoritetet serbe i papranueshëm.

    “De përshkallëzim tani! Paraburgimi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit në Kosovë, përfshirë serbët e Kosovës, nga autoritetet serbe është i papranueshëm dhe sigurisht nuk mund të pritet nga një vend kandidat i BE-së. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që edhe politikanët serbë të Kosovës të flasin për bashkëqytetarët e tyre!”, ka shkruar ai në Twitter.

  • ​Haxhiu për vrasjen e grave: Duhet dënime rigoroze për dhunuesit

    ​Haxhiu për vrasjen e grave: Duhet dënime rigoroze për dhunuesit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se institucionet e vendit duhet të angazhohen më shumë në parandalimin e vrasjeve të grave në Kosovë.

    Ajo në mbledhjen e Qeverisë, përmendi disa masa, ku theksoi nevojën e rishikimit të Kodit Penal dhe Procedurës Penale.

    Sipas saj, duhet më shumë efikasitet dhe dënime rigoroze për dhunuesit nga sistemit gjyqësor.

    Ajo shtoi se në bazë të dhënave, mbi 200 raste të dhunës në familje ndodhin brenda muajit në Kosovë.

  • 25-vjetori i rënies së dëshmorëve dhe martirëve të Lipjanit – Ahmeti: Varrezat e dëshmorëve janë vende të shenjta

    25-vjetori i rënies së dëshmorëve dhe martirëve të Lipjanit – Ahmeti: Varrezat e dëshmorëve janë vende të shenjta

    Komuna e Lipjanit, ka mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të kësaj komune, me ç’rast u ndanë mirënjohje disa familjarëve të martirëve dhe të mbijetuarve të kësaj masakre, raporton EO.

    Kryetari i kësaj Komune, Imri Ahmeti, tha se nderimi për martirët është njohje e vet faktit për ekzistencën e shtetit tonë. Ai tha se varrezat e dëshmorëve janë vende të shenjta.

    “Varrezat e Komunës janë vende të shenjta, varrezat e dëshmorëve janë obligim dhe frymëzim për të nderuar vendin dhe shtetin tonë. Varrezat e martirëve janë thirrje për të dashur vendin tonë dhe për të nderuar shtetin”, tha Ahmeti.

    “Varrezat në Blinajë, Hallaq e kudo janë vend i zotimit dhe betimit për të gjithë ne që do punojmë për të nderuar shtetin tonë. Ne sot e gëzojmë këtë lirinë që e kemi obligim të përjetshëm të kujdesemi fort të punojmë pastër sepse pavarësia jonë qëndron mbi gjakun e martirëve tanë. Sot pas 25 viteve ndonëse është shënuar progres Kosova jonë po përballet me sfida dhe shumë tjera që na presin”, tha i pari i Lipjanit.

    “Qytetarët tanë rinia jonë nuk joshen me storie patriotike që nuk e përmirësojnë standardin e tyre, heshtja e gjithë neve ka pasoja për vendin përgjegjësi e politikbërjes për të nderuar vendin. Sot edhe pas 25 vitesh shteti ynë është përgjegjës që të shtojë kujdesin. Është obligim i përhershëm i shtetit. Ju thërrasë që të punojmë së bashku për një Kosovë më të mirë”, shtoi ai.

    Ndërsa, Albulena Ismajli-Zejnullahu, kujtoi martirët e Komunës nga fshati Koshare e Gllogjan, dhe intervenimin ushtarak të NATO-s “që ndali dhunën barbare serbe në Kosovë”.

    “Intervenimi ushtarak i NATO-së dëbojë nga toka ndali dhunën. Do përulemi me krenari ndaj martirëve të kombit, ata do jenë krenaria e kësaj toke të djegur dhe këtij populli të djegur. Jemi mbledhur sot me përkujtimin e 25 vjetorit të rënieve të martirëve të Komunës sonë. Në 98-99 nga okupuesit serb ranë shumë dëshmorë, gjatë ofensivës serbe u plagosën 71. Flaka serbe i përfshiu trevat komunale në kërcënimin e dhunës u dëbuan shqiptarët”, tha Zejnullahu.

    E njëjta, kujtoi vrasjet e shumta nga xhandarmëria serbe, derisa veçon rastin e një të moshuari i cili thotë se ishte vrarë dhe pastaj ishte djegur trupi i tij. Po ashtu, Zejnullahu tha se në fshatin Hallaq të Vogël, prej 49 të tubuarve nga ushtria serbe, 13 ishin pushkatuar, ndërsa 2 prej tyre kishin shpëtuar.

    “Në trevën komunale të Lipjanit u përqendruan në tri vendbanime. Në Sllovi ranë 4 dëshmorë, me 15 prill kallën mbi 80 për qind të shtëpive dhe vranë një shqiptarë. 33 familja pësuan humbje ku më shumë pësoi familja Gashi, babain e vrarë me dy djem dhe, familja Bytyqi, Kryeziu me nga dy të vrarë. Plaku Xhevat u dogj dhe u vra. Nga të vrarët në Riborë 8 ishin meshkuj, në Hallaq të vogël vranë dhe masakruan 24, 40 të tubuar 13 i ndanë për pushkatim 11 u pushkatuan 2 shpëtuan”, tha ajo.

    “Këto ditë tmerri na kujtojnë të kaluarën spastrimin etnik, vetëm se kërkonin të jenë të lirë. Në Sllovi e Riborë kudo në Kosovë i kujtojmë martirët, vrasjeve nuk i shpëtuan edhe krahinat e tjera në Blinajë 8, Kleçkë, Mirenë, Zllakuçan, Toprajë, Jeta e re, Gadime, Pletkoviç. Këto ditë tmerri ma kujtojnë të kaluarën spastrimin etnik, vetëm se kërkonin të jenë të lirë. Të rënët kujtohen për të kujtuar fisnikërinë e së tashmes me drejtësi ligjore krimi ndëshkohet, sot institucionet angazhohen përpiqen që në Republikën e Kosovës të jetojmë dhe punojmë për të jetuar jetën e lirë”, tha ajo.

  • Hovenier në takim me presidenten Osmani, pas pak pritet deklarim për media

    Hovenier në takim me presidenten Osmani, pas pak pritet deklarim për media

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është takuar të enjten me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin dhe pas pak pritet të dalë në konferencë për media.

    Temë diskutimi e takimit mes presidentes Osmani dhe Hovenier, bëhet e ditur se është arsyeja e ndalimit të udhëtarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në pikat kufitare, raporton EO.

  • ​Abdixhiku prezanton planin e LDK-së në fushën e mbrojtjes

    ​Abdixhiku prezanton planin e LDK-së në fushën e mbrojtjes

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka filluar ciklin e ri të takimeve me ekspertët e 21 departamenteve të themeluara në fillim të këtij viti në mbledhjen e mbajtur të Kryesisë.

    Ky cikël filloi me departamentin e Mbrojtjes, ku u diskutua për gjendjen e sigurisë në vend dhe projektet e LDK-së në programin “Rruga e Re”.

    Nënkryetari Anton Quni, i cili do të udhëheqë departamentin e Mbrojtjes deklaroi se temat e diskutimit ishin çështjet e sigurisë në veçanti çështjet e mbrojtjes.

    “Temat e diskutimit ishin çështjet e sigurisë në veçanti çështjet e mbrojtjes. Ambienti i sigurisë jo vetëm në rajon por edhe në nivel global është i ndryshueshëm, i varur nga shumë faktorë të cilët e determinojnë. Përderisa faktorët janë të ndryshëm atëherë edhe janë të thirrur personalitete dhe ekspert të fushave të ndryshme, jo vetëm të mbrojtjes por edhe të çështjeve sociale, mjekësisë, emergjencave, IT-së, inteligjencës artificiale etj, me të cilët ne i shkëmbyem njohuritë, informatat për të ardhur deri tek konkludimet sa më relevante të cilat pastaj shndërrohen në politika të mbrojtjes të Lidhjes Demokratike të Kosovës’’, tha Quni.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, me anë të programit politik “Rruga e Re”, ka zbërthyer detajisht projektet për programin qeverisës. Në fushën e Mbrojtjes LDK-ja synon zhvillimin e Forcave të Armatosura përmes zhvillimit të personelit, menaxhimit të burimeve njerëzore, zhvillimit të komponentës së inteligjencës dhe sigurisë, fushës së operacioneve ushtarake, fushës së mbështetjes logjistike, planifikimit, komunikimit dhe trajnimit.

    Përderisa angazhimet kryesore të Lidhjes Demokratike në fushën e Mbrojtjes janë partneriteti për paqe dhe integrimi në NATO, rritje të buxhetit në plot 2% të vlerës së ekonomisë; në proporcion me vendet anëtare të NATO-s, përkatësisht buxhet vjetor 200 deri 300 milion euro secilin vit; koeficient 135-150, që nënkupton rritje të pagës për ushtarët e thjeshtë nga 616 euro sa është sot në 840 euro; ristrukturim të Forcës, nëpërmjet rritjes së ushtarëve aktiv nga 4000 sa janë sot në 6000; 3000 rezervë aktive dhe 20 mijë rezervë passive; ndërtim të 4 kazermave ushtarake në Kosovë, përkatësisht në Prizren, Gjakovë, Podujevë e Suharekë; ndërtim të lagjeve ushtarake, në investime kapitale plot 50 milionë euro gjithsejt; me qëllim të ofrimit të kushteve bazike për personelin ushtarak në vend.

    Ky cikël i takimeve të departamenteve të LDK-së do të vazhdojë ditëve në vijim.

  • ​Sigal Prishtina apo Vëllaznimi në gjysmëfinale

    ​Sigal Prishtina apo Vëllaznimi në gjysmëfinale

    Ndeshja e sotme mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit do të përcaktojë skuadrën e katërt gjysmëfinaliste të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë.

    Sfidën e parë e fituan bardhekaltrit 72:64, derisa në takimin e dytë fituan kuqezinjtë me rezultat 66:65.

    Përballja e sotme, që nis nga ora 20:00 është vendimtare se kush do të kualifikohet tutje, raporton KosovaPress.

    Fituesi i kësaj ndeshje në gjysmëfinale do të ndeshet me Trepçën, që përfundoi garat e para me 25 fitore e tri humbje, duke pasur edhe epërsinë e terrenit vendas, kurse sfida tjetër gjysmëfinale është Peja-Golden Eagle Ylli.

    Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale, derisa në finale, skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione e Kosovës.