ATV

Category: Lajme

  • ​Punësimi dhe edukimi i personave me aftësi të kufizuara, Balje e pakënaqur me zbatimin e ligjit

    ​Punësimi dhe edukimi i personave me aftësi të kufizuara, Balje e pakënaqur me zbatimin e ligjit

    Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka deklaruar se nuk po zbatohet ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Përkundër legjislacionit, shton ajo, nuk janë zgjidhur problemet kryesore me të cilat ballafaqohen kjo kategori e personave. Edhe pse Kushtetuta parasheh përfshirjen në edukim, Balje pohon se jo të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara po vijojnë mësimin. Megjithatë, ajo për KosovaPress thotë se nuk posedojnë të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve që shkojnë në shkollë.

    Deputetja Duda Balje, e cila udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut pohon se personat me aftësi të kufizuara po jetojnë në kushte jo të mira.

    “Jemi ende duke luftuar për udhëzimin administrativ për vlerësim, shumë takime kemi pasur me Handikos-in edhe me persona të cilët janë përgjegjës për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Me secilin prej atyre me të cilët kemi folur, si çështje e parë është komisioni mjekësor i cili është duke bërë vlerësimin Paraplegjik dhe Tetraplegjik edhe të tjerët, edhe brenda këto edhe për përcjellësin. Kemi thirr edhe përfaqësuesin e qeverisë, Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën Ligjore të cilët e kanë obligim për të nxjerrë këtë rregullore. Kemi pasur premtim se do të ndodhë shumë shpejtë por në fakt ka kaluar shumë kohë dhe ne ende nuk kemi marrë informata a kanë përfunduar me këtë udhëzim administrativ apo jo”, deklaron Balje.

    Personat me aftësi të kufizuara, siç shton Balje, po përballen me vështirësi edhe në rrugë e institucione.

    “Nuk kemi gjetur zgjidhje për top tri problemet që personi me aftësi të kufizuar sot ka. Brenda këtij grupi, gratë janë edhe më të diskriminuara, sepse ato kanë edhe më shumë nevoja më specifike edhe këtu duhet të koncentrohet e gjithë energjia. Kemi ligjin që secili institucion është i obliguar në çdo të 50-tin punëtor të jetë i punësuar një person me aftësi të kufizuara. Jemi duke bërë monitorimin se a e kanë respektuar mjaftueshëm këtë vendim a jo. Nuk jemi të kënaqur. Në Kuvend po, kemi tamam persona me aftësi të kufizuara i cili meriton me qenë punëtor brenda Kuvendit. Këtë duhet ta bëjë secila ministri, secili institucion, secila adresë shtetërore për të ndihmuar, motivuar. Sepse vërtetë ata janë një prej kategorive më të ndjeshme në Kosovë”, shton ajo për KosovaPress.

    Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut thotë se “pikë e zezë” për vendin është edhe ndërprerja e shkollimit të personave me aftësi të kufizuara.

    “Është një pikë e zezë. Sepse secili prej neve në bazë të Kushtetutës kemi të drejtë për edukim falas dhe në fakt Kushtetuta është akti më i lartë juridik në një shtet. Duhet bashkëpunimi me komisionin me qenë më i madh. Se pavarësisht sa jemi duke e përcjellur ne nuk kemi informata prej terrenit si duhet. Edhe kemi arsyetim prej personave përgjegjës një lloj mbrojtje që pastaj ne në Kuvend nuk mundemi ta kundërshtojmë sepse nuk kemi informata në terren. Pa marrë parasysh sa jemi ne nëpër shkolla, ose të vizitojmë institucionet, nuk është mjaftueshëm”, thekson ajo.

    Deputetja Duda Balje shpreson se me përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Kosovës, do të përmirësohet jeta e këtyre të fundit.

    “Ne kemi monitoruar ligjin dhe në këtë pjesë dhe kemi punuar shumë për këtë udhëzimin administrativ bashkë me ta. Tash jemi duke pritur përgjigjen e komisionit. Konventa Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara ka kaluar në komision, kemi kaluar edhe në kuvend, kemi punuar shumë që të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës si Konventa e Stambollit. Por në mungesë të votave brenda sallës nuk kemi vota të mjaftueshme sepse duhet 2/3 të votave të komuniteteve. Këtu është arsyeja kryesore pse Konventa nuk mund të jetë pjesë e Kushtetutës. Nëse ne e kalojmë Konventën, krejt këto gjëra do të rregullohen shumë shpejt dhe do të jetë pjesë e Kushtetutës dhe asnjë institucion nuk kanë të drejtë për të devijuar diçka”, thotë ajo mes tjerash.

    Kosova e ka miratuar që nga viti 2009 ligjin e veçantë, ku obligohet çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar.

  • Ministri Maqedonci ngre alarmin për stërvitjen e planifikuar ushtarake të Serbisë

    Ministri Maqedonci ngre alarmin për stërvitjen e planifikuar ushtarake të Serbisë

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se ka ngritur alarmin për stërvitjen ushtarake të planifikuar të Serbisë në kufirin me Kosovën të premten. Maqedonci tha të enjten se bllokimi i mbi 1500 shtetasve kosovarë në kufirin me Serbinë është urdhëruar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq për njësitet “Cobra”. Ai ngriti alarmin duke u bazuar në pretendimet e tij se “Serbia, me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive ndaj Kosovës, do të bëjë që tensionet të vazhdojnë”.

    “Serbia i ka kamufluar të gjitha veprimet e saj (ushtarake) deri më tani si përgatitje mbrojtëse dhe militarizim. Nesër (e premte), Serbia do të testojë pajisjet sulmuese, jo mbrojtjen… Edhe pse vendosi 48 baza në kufirin e Kosovës në jug të territorit të saj, ajo vazhdoi të deklarojë se i gjithë ky mobilizim ishte për të përgatitur mbrojtjen e rajonit”, tha Maqedonci për A2 CNN, transmeton KosovaPress.

    “Nesër do të jemi dëshmitarë të Serbisë duke testuar aftësitë e saj sulmuese, duke përfshirë mjetet kamikaze ajrore pa pilot të përdorura jo për qëllime mbrojtëse, por për të sulmuar të tjerët”, shtoi ai. Ai pohoi se stërvitja përbën një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

    “Mendoj se koha e stërvitjes dhe pajisjet dhe sistemet e armëve të përdorura në stërvitje përbëjnë kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Serbia do të testojë pajisjet sulmuese, jo pajisjet mbrojtëse. Serbia të premten do të zhvillojë stërvitjen taktike me gjuajtje luftarake të ushtrisë serbe, ‘Whirlwind 2024’, në terrenin e përkohshëm të stërvitjes “Pester”.

    Stërvitja do të udhëhiqet nga presidenti Aleksander Vuçiq, dhe komandanti turk i misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë është i ftuar edhe nga ushtria serbe në stërvitjen “Whirlwind 2024”. Gjeneral Major Ozkan Ulutas është ftuar në Ditën e Vizitorëve të Nderuar të organizuar me rastin e Forcave të Armatosura të Serbisë.

    Sipas mediave lokale, Ulutas do të marrë pjesë në stërvitje.

    “Whirlwind 2024” është një stërvitje vjetore e zhvilluar nga Forcat e Armatosura të Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët në mars ngriti alarmin me pamjet që ai shpërndau në X, duke treguar lëvizjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

    Kurti ka thënë se ushtria serbe është në pritje të mundësive më të mira të mundshme për të pushtuar Kosovën.Ai gjithashtu i tha të përditshmes britanike ‘The Telegraph’ se Britania duhet të dërgojë më shumë trupa në Kosovë për ta mbrojtur atë nga një pushtim nga Serbia.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është përgjegjës për sigurinë e vendit. Trupat turke që shërbejnë në mision vazhdojnë të patrullojnë rajonin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të garantuar sigurinë. Shumë shpesh, fotografitë e aktivitetit të tyre patrullues janë shpërndarë në llogarinë e KFOR-it në mediat sociale.

    Trupat e KFOR-it u vendosën në Kosovë më 12 qershor 1999 pas një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin. Misioni ka më shumë se 4,500 personel ushtarak nga 27 vende, duke përfshirë 21 anëtarë të NATO-s dhe gjashtë vende partnere jo-NATO. Turqia ka kontigjentin e dytë më të madh në KFOR, me të paktën 780 ushtarë.

    Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe u njoh nga shumë vende, përfshirë Turqinë. Por Beogradi nuk e ka njohur kurrë Kosovën dhe pretendon se ajo është pjesë e Serbisë fqinje./AA

  • Kurti: Ushtria serbe vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është duke zhvilluar ushtrime ushtarake

    Kurti: Ushtria serbe vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është duke zhvilluar ushtrime ushtarake

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ushtria serbe vetëm 30 kilometra larg kufirt të Kosovës është duke zhvilluar ushtrimit kryesore të tyre ushtarake, raporton Eo.

    Ai ka thënë se ata janë duke bërë ushtrime me dronë luftarak kamikaz.

    Ai ka thënë se këto ushtrime janë duke u zhvilluar vetëm 3 kilometra largë kufirit me Malin e Zi dhe se me këto sjellje Serbia po tregon që është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “30 kilometra larg kufirit të Kosovës në Pjeshtër të Sangjakut është duke u zhvilluar dita mbase kryesore e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur “Vihor 2024” ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarak kamikaz dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveq se është 30 km larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. Ushtrimi që po e behet në Peshtër të Sanxhakut, pra paraqet kërcënim, ndërkaq në anë tjetër, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak”, ka thënë ai.

    Kryeministri këto deklarime i bëri në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Kjevë-Dollc.

  • Abdixhiku kujton heroin Sali Çekaj: Në vend se t’i gëzohej triumfit të lirisë, ra në Koshare për të mos vdekur kurrë

    Abdixhiku kujton heroin Sali Çekaj: Në vend se t’i gëzohej triumfit të lirisë, ra në Koshare për të mos vdekur kurrë

    “Në prillin që nuk njihte pranverë më të vështirë; në vend se t’i gëzohej triumfit të lirisë; atje lart në majat e ashpra të Koshares ra për të mos vdekur kurrë, Komandant Sali Çekaj – VETERANI”.

    Kështu e ka përkujtuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, heroin Sali Çekaj, në 25 vjetorin e rënies së tij në Betejën e Kosharës.

    Ai tha se në këtë ditë e nderojnë figurën e madhe të historisë së Kosovës, figurën e luftës dhe rezistencës së armatosur, intelektualin, politikanin dhe ushtarakun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroin Sali Çekaj.

    “Ndonëse rreziqet e jetës e kishin shtyrë të ikte në mërgim, shtypjet që po i bëheshin popullit të tij e detyruan të kthehej në vendlindje veprimtarin e madh, Sali Çekaj për t’iu bashkuar shokëve, burrave e grave në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atje në Alpet Shqiptare, në Koshare”.

    LDK shkruan se Sali Çekaj, veprimtar i zellshëm politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jurist e ushtarak vizionar, u detyrua të largohej nga vendi, për shkak të presionit e të përndjekjes sistematike që i bënte regjimi okupues. Rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, ku bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, u bë dhe organizator i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për t’i ndihmuar ata materialisht e politikisht, për çlirimin e vendit. Megjithëse, fillet e angazhimit të Sali Çekajt për çështje kombëtare janë të hershme, ai qysh në fillim të viteve të 90-ta ia kishte vënë vetes objektiv çlirimin e Kosovës. Në vitin 1991 Sali Çekaj ishte përgjegjës për përgatitjen ushtarake të dy grupeve të para guerile në Shqipëri në mesin e të cilëve ishin Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra e shumë bashkëluftëtarë të tjerë.

    “Ai bashkë me Agim Ramadanin ishin po ashtu edhe ideatorët e fitores së madhe të UÇK-së, në shpartallimin e forcave serbe dhe thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar që kishte mbajtur padrejtësisht të ndarë një komb për vite të tëra. Sali Çekaj me punën dhe përkushtimin e tij, prej politikani e ushtaraku vizionar, do të mbetet përherë në piedestalin e historisë tonë, prandaj dhe Presidenti Historik Rugova e nderoi me urdhërin Hero i Kosovës. Sot, kujtojmë dhe nderojmë rolin, kontributin e sakrificën e tij sublime për liri e pavarësi. Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit, Sali Çekaj!”.

  • Banorët protestojnë gjatë fillimit të punimeve të rrugës Kijevë-Dollc

    Banorët protestojnë gjatë fillimit të punimeve të rrugës Kijevë-Dollc

    Një grup personash kanë dalë të enjten për të protestuar, duke dështuar fillimin e punimeve të projektit “Zgjerimi i rrugës nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc”, ngjarje kjo në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti , raporton EO.

    Protestuesit mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Mos i mbyllni bizneset tona”.

    Përfaqësuesi i protestuesve, Isuf Mehmetaj, tha se si shkak i zgjerimit të rrugës rrezikohet që të mbyllen mbi 60 biznese.

    “Kemi dalur për të protestuar për devijimin e rrugës. Këta po thonë që është vetëm zgjerimi i rrugës. Toka bukës po nxinet këndej janë dy anët e rrugës të shpronësuar, ka bizenese ne jemi dalur shkaku i bizneseve që ato tash vetëm duhet që ti mbyllim. Numri i bizneseve është 60-62”, ka thënë ai.

  • Deputeti ukrainas thirrje Serbisë të shkëputet nga Rusia: Do gjakderdhje në Ballkan

    Deputeti ukrainas thirrje Serbisë të shkëputet nga Rusia: Do gjakderdhje në Ballkan

    Një vendim historik e ka cilësuar deputeti ukrainas Oleksej Gonçarenko, votën e Asamblesë Parlamentare pro Kosovës në Këshillin e Evropës. Në një lidhje Skype me Ditarin e Bruna Çifligut në A2 CNN, ai tha se kjo do të thotë që nuk do të ketë më zona gri në Evropë dhe shpreson finalizimin e këtij vendimi në Këshillin e Ministrave.

    “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm historik. Po flasim për në vend të 47-të që do të bashkohet me Këshillin e Evropës dhe kjo do të thotë që nuk do të ketë më zona gri në Europë, që do të jenë të lumtur të jenë në bashkësinë e vendeve evropiane. Është një ndjesi reciproke që nuk e kemi parë në pjesën e politikanëve serbë, prandaj është e rëndësishme për Këshillin e Europës, që të ftojë Kosovën dhe ta ketë Kosovën si shtet anëtar në KiE dhe të ndalë këto situata të paqarta ku Kosova ka ngelur si zonë gri. Unë votova dhe shpresoj që në Këshillin e ministrave ky vendim të finalizohet”.

    Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Gonçarenko i bëri thirrje Serbisë të shkëpusë lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin.

    “Unë i adresova Serbisë jo vetëm për t’u distancuar nga Serbia por e rëndësishme është që të distancohen nga qëllimet imperialiste dhe nga e shkuara. Era e perandorive ka mbaruar, nuk ka vend për perandori ruse, serbe apo tjetër në Europë dhe pasi ta kenë pranuar këtë do kenë marrëdhënie shumë të mira me Kosovën dhe mund të jenë pjesë e botës së lirë. Por para se ta bëjnë do të jenë problem dhe iu bëra thirrje të harrojnë këtë pjesë të historisë dhe të ndërtojnë një vend demokratik, pjesë të botës së lirë se kjo është e vetmja mënyrë të zhvillohen përndryshe do të jenë në kurthin e varfërisë”.

    Sipas deputetit ukrainas Rusia kërkon luftë dhe gjakderdhje në Ballkan.

    “Rusia kërkon të ketë luftë në Ballkan dhe do ta shtyjë Serbinë ta bëjë këtë dhe mendoj që është e rrezikshme dhe prandaj Serbia duhet të kuptojë që Rusia kërkon kaos në botë dhe gjakderdhje në Ballkan dhe kjo është diçka që ne duhet ta parandalojmë”.

    I pyetur për bllokimin e shtetasve kosovarë në kufi nga Serbia, ai tha se anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ndihmojë për paqen në Ballkan dhe do të parandalojë çdo konflikt me Serbinë.

    “E di se çfarë ka për të ndodhur edhe në javët e ardhshme, por Kosova do të bëhet anëtare e KiE do të ndihmojë për paqen në Ballkan dhe Kosova do të njihet do të jetë vend anëtar i Asamblesë së Europës dhe do parandalojë çdo konflikt me Serbinë. NATO është forca që do ta bëjë Serbinë të mendohet dy herë përpara se të marrë një vendim jo të duhur”.

    Në lidhje me draft-rezolutën që Oleksej Gonçarenko ka dorëzuar në parlamentin ukrainas, ku bën thirrje për njohjen e Kosovës ai thotë që asgjë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë deri në përfundim të luftës.

    “Asgjë nuk ka ndodhur. Kjo nuk është votuar ende në parlamentin ukrainas, nuk është hedhur ende poshtë. Sot Ukraina ka sfida të mëdha dhe asgjë nuk ka për të ndodhur para se të mbyllet lufta në Ukrainë”.

  • Përleshen me armë 2 grupe nga veturat në kryeqytet, 3 të arrestuar

    Përleshen me armë 2 grupe nga veturat në kryeqytet, 3 të arrestuar

    Mbrëmë në kryeqytet janë dëgjuar krisma armësh ku të përfshirë në incident ishin dy grupe të njohura për organet e rendit.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 19 e 30 minuta mirëpo pavarësisht gjuajtjeve nuk ka pas persona të plagosur.

    Pas disa minutave, në stacionin policor në Prishtinë janë paraqitur tre të dyshuar, ku njëri prej tyre ka dorëzuar edhe armën e tij më të cilën dyshohet se është gjuajtur.

    Të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit të rastit të njëjtit janë dërguar në qendrën e mbajtës deri në një vendim të ri të organeve të drejtësisë.

    “Është pranuar informata për gjuajtje me armë zjarri ku dyshohet se nga dy vetura në lëvizje persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri. Lidhur me rastin në stacion policor janë paraqitur tre të dyshuar meshkuj kosovarë, ku njëri prej tyre ka dorëzuar armën e tij. Pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në qendër të mbajtjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Rasti është hapur për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

  • Arrestohet adoleshenti kosovar në Zvicër, dyshohet si bashkëpunëtor i ISIS-it

    Arrestohet adoleshenti kosovar në Zvicër, dyshohet si bashkëpunëtor i ISIS-it

    Një adoleshent me prejardhje nga Kosova u arrestua para disa ditësh në Zvicër, konkretisht në qytetin e Schaffhausenit.

    Ai bashkë edhe me një person tjetër dyshohet se janë bashkëpunëtor të grupit terrorist ISIS.

    Tani mediat zvicerane kanë dhënë detaje të reja rreth rastit.

    16-vjeçari (kosovar), i lindur dhe rritur në Itali bashkë edhe me një shtetas zviceran i moshës 15 vjeçar me prejardhje kurde, akuzohen se kishin planifikuar një sulm.

    Raportohet se italiani me rrënjë nga Kosova, kishte qenë goxha aktiv në rrjetet sociale, madje duke ia vënë vetës edhe një nofkë “Il Bomber di Instagram” në italisht apo “Bombarduesi i Instagramit”, shkruajnë mediat zvicerane.

    Ende nuk dihet se si e mori këtë nofkë adoleshenti kosovar.

    Por, siç njoftojnë mediat zvicerane, nofka ka mundësi që të vije nga hobi i tij i madh për lojërat kompjuterike dhe nuk lidhet me ndonjë aktivitet terrorist.

    Madje, sipas tyre thuhet se adoleshenti ka të ngarkuar edhe në Youtube lojëra.

    Fjala “Bomber” në italisht mund të ketë disa kuptime.

    Ndër të tjera, përdoret për të përshkruar një sulmues në futboll. Përdoret gjithashtu shpesh në zhargonin e të rinjve, ngjashëm me emërtimin e njohur “cool”.

  • Haradinaj kujton heroin Sali Çekaj me bashkëluftëtarë: Flijimi i tyre është frymëzim për brezat që vijnë

    Haradinaj kujton heroin Sali Çekaj me bashkëluftëtarë: Flijimi i tyre është frymëzim për brezat që vijnë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombit, Sali Çekaj në 25-vjetorin e rënies.

    Haradinaj po ashtu ka kujtuar edhe bashkëluftëtarët Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin.

    “Heroi i Kombit Sali Çekaj, luftëtar e atdhetar shumëdimensional, ra heroikisht 25 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët; Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se Batalioni “Atlantiku”, iu përgjigj kushtrimit për lirinë e atdheut.

    “Në këtë ditë, kujtojmë trimërinë dhe sakrificën e Batalionit “Atlantiku”, të cilët iu përgjigën kushtrimit për lirinë e atdheut. Flijimi i tyre është frymëzim për brezat që vijnë, për ta ruajtur lirinë me çdo çmim.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, është shprehur Haradinaj.

  • ​Bllokimi i qytetarëve të Kosovës në Serbi, Dimiq: Na kujton kohën e Millosheviqit

    ​Bllokimi i qytetarëve të Kosovës në Serbi, Dimiq: Na kujton kohën e Millosheviqit

    Bllokimi i qindra udhëtarëve të Kosovës nga Serbia në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë për hakmarrje pasi u votua në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, presidentit të Perspektivës Multietnike Evropiane të Kosovës, Radomir Dimiqit, i kujton kohën e Millosheviqit.

    Gazetari serb për KosovaPress thotë se vendimi i autoriteve serbe për ndalimin dhe mbajtjen e qytetarëve e të zëvendësdrejtorit të Policisë, dëshmon se Serbia nuk dëshiron normalizim me Kosovën.

    “Të martën pushteti në Serbi është munduar ta shfajësoj vetveten, kur në kufijtë e tyre në mes Hungarisë dhe Kroacisë kishte ndaluar dhe mbajtur qytetarët e Kosovës. Kishin bllokuar kalimin përmes Serbisë disa orë, njerëzve të pafajshëm, në mesin e të cilëve kishte edhe gra dhe fëmijë. Ishte një vendim i keq dhe i turpshëm i Beogradit, vendim që na kujton kohën e kaluar të Slobodan Millosheviqit. Kësi vendimi të papërgjegjshëm nuk mund të këtë asnjë justifikim”, thotë ai.

    Sipas tij, Serbia në këtë mënyrë ka dashur të manipulojë me qytetarët e saj pasi nuk pati çfarë të thoshte në KiE.

    “Mendoj se këtu është fjala për diçka krejt tjetër, është hidhërimi dhe pafuqia e anës serbe, vetëm një ditë pas votimit në KiE. Kryeministri Kurti me të drejtë e ka karakterizuar këtë vendim si shkelje e të drejtave themelore të njerëzimit dhe lirisë së njeriut për të lëvizë lirshëm që bazohen në aktet ndërkombëtare, dhe askush nuk ka të drejtë të mohojë lëvizjen e rreth 300 qytetarëve. E gjitha kjo ishte një fiasko politike e Serbisë për t’u larë para publikut dhe asaj që thonin se ‘Serbia ka çka të thotë në KiE’. Në këtë kuptim për të mashtruar publikun është formuar tandemi ‘Daçiq-Gjuriq’ kinse Serbia është vetëm një hap prapa fitores finale”, thotë ai në shkrimin e tij për KosovaPress.

    Ndonëse Serbia po e luan rolin e viktimës, Dimiq thekson se Serbia duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për ndalimin që iu ka bërë në kufij.

    “Megjithatë, Kurti është treguar një arrë e fortë dhe politika e tij lehtë po kalon, pa marrë parasysh se Beogradi po e luan viktimën politike, në kuptimin se si është shkelur e drejta ndërkombëtare, se si Evropa është në anën e Kosovës, për të cilin shtet Daçiq thotë se nuk është shtet. Ndoshta edhe është presedan, por askush nuk mund ta kundërshtojë politikën që Kurti po e bënë në interes të qytetarëve të Kosovës. Ndërsa famozi Daçiq paralajmëron luftën dhe shton se Serbia nuk do të ndalet në këtë kontekst, dhe premton se me të gjitha forcat do të pengon që ky vendim mos të miratohet në komitetin e ministrave me 16 Maj. Kjo qasje nuk është asgjë tjetër vetëm se të krijohet një iluzion në atë se si Aleksandar Vuçiqi po lufton për Kosovën, edhe pse të gjithë e dinë se me Marrëveshjen e Ohrit Serbisë i është dhënë detyrimi në rrugën drejtë BE-së. Bëhet fjalë për detyrimin e normalizimit të raporteve me Prishtinën, e cila është edhe pjesë e Kapitullit 35. Kështu që, teza e presidentit serb ‘asgjë nuk kam nënshkruar dhe asgjë nuk është e detyrueshme’ ka rënë në ujë. Pushteti në Serbi duhet tu kërkoj falje qytetareve të Kosovës që i kanë ndaluar në kufi, duke besuar se një ditë Serbia dhe Kosova do të jenë bashkë pjesë e BE dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, thotë ai.

    Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë që Serbia dhe Kosova do të ndalen së konsideruari njëra-tjetrën si armike.