ATV

Category: Lajme

  • “As s’na troket kush në derë, as s’do ta hapim”, Serbët në veri hezitojnë të regjistrohen

    “As s’na troket kush në derë, as s’do ta hapim”, Serbët në veri hezitojnë të regjistrohen

    Regjistruesit nuk kanë trokitur ende në derën e familjes 6-anëtarëshe Milletiq në Leposaviq, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri javë që nga nisja e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

    Kjo familje thotë se nuk është e sigurt se do të përgjigjet në pyetjet nga pyetësori, edhe nëse dikush do t’i trokiste në derë gjatë dy javëve të ardhshme, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Kjo është bërë më shumë çështje politike”, thotë Dallibor Milletiq për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.

    Ai shton se askush nuk ua ka shpjeguar detajet e këtij procesi dhe se mesazhe kontradiktore po dëgjohen si nga Prishtina, ashtu edhe nga përfaqësuesit politikë të serbëve.

    Edhe pse beson se do të ishte mirë të dihej numri i saktë i pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, ai thotë se “ky nuk është moment i favorshëm për regjistrim”.

    “Nuk e di ende se çfarë do të bëj [sa i përket regjistrimit]”, thotë ky banor i Leposaviqit – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Regjistruesit nuk e kanë vizituar ende as pensionistin nga Mitrovica e Veriut, Dragan Illiq.

    Në këtë komunë, të banuar po ashtu me shumicë serbe, ai jeton vetëm me gruan e tij, por thotë se nuk do të marrë pjesë në regjistrim, edhe nëse dikush u troket në derë dhe u kërkon t’iu përgjigjen disa pyetjeve.

    “Populli nuk është budalla, populli sheh, populli kupton. Ky regjistrim do të thotë shkatërrim për të. Thjesht, kjo është situata në Kosovë tani”, thotë Illiq për Radion Evropa e Lirë.

    Familjet Milletiq dhe Illiq nuk janë të vetmet që hezitojnë ose refuzojnë të regjistrohen.

    Shumica e serbëve në katër komunat në veri të Kosovës refuzojnë të regjistrohen, thanë zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të hënën.

    Drejtori i kësaj agjencie, Avni Kastrati, tha se bojkotimi i regjistrimit nuk është gjë e mirë për komunitetin serb dhe nëse vazhdon, shtoi ai, aje do të bëhet vetëm vlerësimi i popullsisë.

    Në “thirrjen” për bojkotim ka marrë pjesë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Para fillimit të regjistrimit, ajo ka thënë se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, për shkak të “represionit” nga autoritetet e Kosovës.

    Numri i regjistruesve në komunat me shumicë serbe në Kosovë

    Në disa prej komunave me shumicë serbe në Kosovë, numri i regjistruesve të trajnuar për të punuar në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë është më i ulët sesa që ishte planifikuar.

    Në komunat me shumicë serbe në veri, tensionet janë të larta tash e sa kohë. Krizat kanë vazhduar që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe, në nëntor të vitit 2022.

    Pas tërheqjes së tyre, udhëheqjen e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – e kanë marrë kryetarët shqiptarë, gjë që i ka rritur tensionet edhe më shumë.

    Serbët në veri të Kosovës nuk kanë marrë pjesë as në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, ndërsa pjesëtarët e komunitetit serb në jug të Ibrit, në përgjithësi, e kanë bojkotuar atë, me ftesë të Beogradit zyrtar.

    Sipas atij regjistrimi, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion – prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, janë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

    Si është situata në jug të Ibrit?

    Radio Evropa e Lirë e pyeti Agjencinë e Statistikave të Kosovës se sa pjesëtarë të komunitetit serb i janë përgjigjur regjistrimit deri më tani, por nuk mori përgjigje.

    Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media të hënën se serbët në jug të Ibrit po “regjistrohen në mënyrë masive”, por nuk dha ndonjë shifër.

    Nebojsha Vesiq jeton me familjen e tij 4-anëtarëshe në Kllokot, që është njëra nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se i është përgjigjur regjistrimit, sepse, siç thotë, është e nevojshme të dihet se sa pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

    “Të dihet se kush jemi, ku jemi. I vetmi problem është se zgjat pak shumë, kërkon kohë”, thotë ai.

    Një prej pasojave të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë mund të jetë zvogëlimi i buxhetit për komunat, sepse fondet ndahen në bazë të numrit të banorëve në një vetëqeverisje lokale.

    Në Kosovë janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe.

    Bekim Salihu, nga Instituti Kosovar për Studime të Avancuara GAP, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se bojkotimi i regjistrimit të popullsisë mund të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik lokal.

    Sipas tij, nëse në një komunë nuk dihet numri i saktë i banorëve, atëherë është e pamundur të vlerësohet potenciali njerëzor dhe ekonomik – gjë që mund të çojë, sipas tij, në mungesë strategjish apo planifikimi.

    Boban Simiq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA), thotë se procesi i regjistrimit në komunat në veri “pothuajse nuk zhvillohet fare” dhe kjo, sipas tij, është pasojë e “organizimit të dobët dhe mungesës së fushatës” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Ai thekson se ky nuk është procesi i vetëm që organizohet nga institucionet e Kosovës në veri e që bojkotohet nga pjesëtarët e komunitetit serb, dhe kujton këtu votimet që u zhvilluan këtë muaj për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Serbët i bojkotuan këto votime me ftesë të Listës Serbe.

    “Nëse marrim parasysh se regjistrimi përfundon më 17 maj dhe, ndërkohë, janë festat e 1 Majit dhe të Pashkëve – kur shumë njerëz do të jenë jashtë Kosovës – është vështirë të pritet që të ketë ndonjë ndryshim të dukshëm në trendin e regjistrimit në veri”, thotë Simiq për Radion Evropa e Lirë.

    Regjistruesit janë të obliguar që të njëjtën amvisëri ta vizitojnë tri herë, në rast se në dy herët e para nuk gjejnë dikë, nga i cili do t’i merrnin të dhënat.

    Gjatë vizitës në amvisëri, regjistruesit janë të detyruar ta lënë një njoftim se kanë qenë dhe nuk kanë gjetur askënd.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë aktivë dhe t’u drejtohen komunave të tyre nëse regjistruesit nuk shkojnë te ta në pesë-gjashtë ditët e ardhshme.

    Ata që vendosin të mos regjistrohen, mund të përballen edhe me gjoba që i parasheh ligji: nga 30 deri në 2.000 euro.

    Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

    Gjatë 24 ditëve të para të procesit janë regjistruar rreth 891.000 banorë.

    Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen në gjysmën e dytë të qershorit.

  • Aksident në LLuzhan të Podujevës, një person në gjendje të rëndë

    Aksident në LLuzhan të Podujevës, një person në gjendje të rëndë

    Në fshatin Lluzhan të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku si pasojë një person është në gjendje të rëndë.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.

    Ai shtoi se rasti ka ndodhur si pasojë e një aksidneti dhe ‘gjendja e të lënduarit është e rëndë’.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia e Kosovës, ndonëse policia ende nuk ka konfirmuar rastin për KosovaPress, ani pse janë kontaktuar.

    Për këtë rast raportojnë edhe mediat lokale në Podujevë, se dyshohet se një i moshuar është shkelur nga një veturë në Lluzhan.

    Syla nuk ka treguar se si ka ndodhur aksidenti, përveç që theksoi se i lënduari është si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor. Rasti ka ndodhur të hënën në orët e mbrëmjes.

    Si pasojë e këtij aksidenti, janë krijuar edhe kolona të gjata në aksin rrugor Prishtinë-Podujevë.

  • Gjendet shëndosh e mirë 12-vjeçari nga Shtimja

    Gjendet shëndosh e mirë 12-vjeçari nga Shtimja

    Një 12 vjeçar që u raportua mbrëmjen e sotme si zhdukur në fshatin Petrovë, komuna e Shtimes, është gjetur shëndosh e mirë.

    Njoftimin e ka dhënë Arbër Rexhaj, i cili përmes një postimi në facebook, ka falënderuar të gjithë për mbështetjen e madhe e aq të shpejtë në gjetjen e Melosit./atvlive.tv

    Kujtojmë se familjarët njoftuan sot se ai ishte zhdukur që nga ora 13:00.

  • ​Michel: Ballkani Perëndimor duhet të futet sa më parë në BE

    ​Michel: Ballkani Perëndimor duhet të futet sa më parë në BE

    Bashkimi Evropian duhet të pranojë anëtarë të rinj nga krahu i tij lindor dhe Ballkani Perëndimor, ndryshe do të përballet me një “Perde Hekuri”.

    Kështu ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili ka folur për ENW teksa blloku feston 20 vjet që nga zgjerimi i madh i vitit 2004, kur 10 vendeve iu garantua anëtarësimi.

    “Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së sepse pa zgjerim rrezikojmë një “Perde të re Hekuri” dhe kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, sidomos nëse kemi një fqinj ku mungojnë prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik. Këto janë interesa të përbashkëta të vendeve kandidate dhe BE duhet të bëjë progres në përshpejtimin e procesit. Jam besimplotë sepse e ndjej, se liderët evropianë, ose shumica e tyre, janë të bindur se kjo është e rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Charles Michel.
    Nëntë vende po presin t’i bashkohen Bashkimit Evropian, përfshirë Ukrainën e gërryer nga lufta. Por procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kompleks, pa harruar se anëtarësimi i plotë kërkon një aprovim unanim nga shtetet anëtare.

    Hungaria ka kërcënuar tashmë se do të përdorë fuqinë e vetos për të penguar anëtarësimin e Ukrainës, por Michel është besimplotë se kjo nuk do ta ndalë bllokun në shqyrtimin e kandidaturave.

    “Për shembull, ne kemi përdorur abstenimin, gjë që i jep mundësinë një vendi që pavarësisht rezervave që mund të ketë ndaj një vendimi, ta bëjë publik opinionin e tij, por pa bllokuar shumicën dërrmuese të shteteve anëtare, që do të donin të bënin progres në fusha të caktuara”, tha Michel.

    Më herët, Michal ka deklaruar se BE duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj pas 2030-s. Por këtë javë ai tha se vendet që kanë bërë progres të mjaftueshëm mund të bashkohen me bllokun brenda kësaj dekade.

  • “Ndëshkimet e buta” për armët ilegale nxisin vrasësit potencialë

    “Ndëshkimet e buta” për armët ilegale nxisin vrasësit potencialë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për rreth një dekadë, numri 260 mijë mbetet referencë zyrtare për armët pa leje në posedim nga qytetarët e Kosovës.

    Derisa fushata e vitit 2019 – në të cilën u legalizuan më pak se 2000 armë të vogla, vlerësohet e dështuar, shteti nuk ka bërë një skanim të ri të gjendjes.

    Policia çdo vit konfiskon mesatarisht 1500 deri në 2000 armë, por nuk ka një vlerësim për ato që shtohen në duart e qytetarëve përmes rrugëve ilegale.

    Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i armëve me leje sillet rreth 40 mijë.

    Referuar monitorimit të rasteve gjyqësore për armëmbajtje pa leje, në Institutin Kosovës për Drejtësi një pjesë të madhe të përgjegjësisë ia hedhin shtetit – përkatësisht ndëshkimeve të buta.

    “Parasheh dënueshmërinë me gjobë dhe në 10 vjet burgim për këtë vepër penale, varësisht rrethanave. Por, nga monitorimi sistematik, kjo vepër penale në të shumtën e rasteve, mos të themi të gjitha, sepse mund të ketë raste që jepet burgim, por në të shumtën e rasteve përfundojnë me gjobë dhe atë gjobat parashihen deri në 7 mijë e 500 euro, por gjobat jepen 500-1000 euro”, tha Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Ndëshkimet më të ashpra – në përputhje me ligjin – sipas hulumtuesit Flamur Kabashi do të mund të parandalonin rastet e vrasjeve.

    “Rastet e vrasjeve kohëve të fundit, të gjitha këto raste dalin që personat në fjalë të kenë pasur armën pa leje, kanë poseduar një armë pa leje. D.m.th, një politikë jo-adekuate ndëshkimore në të tilla raste, po bjen edhe rastet e vrasjeve”, tha Kabashi.

    Për të rritur nivelin e sigurisë publike dhe kontrollin institucional mbi armët, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e vlerësoi të domosdoshme një nismë të re për legalizimin me lehtësime procedurale dhe financiare.

    “Njëkohësisht duke mundësuar që këto armë në kohë rekorde, në kohë të shpejtë duke i shkurtuar procedurat administrative të bëhet procesi i legalizimit të tyre, duke ua mundësuar që në shkëmbim të armës ilegale një subvencionim të mundshëm nga ana e shtetit, dhe kështu të futen në kontroll armët ilegale të cilat rrezikojnë sigurinë publike dhe nacionale”, tha Shala.

    Përkundër pritjes për gati dy javë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk treguan nëse kanë ndonjë plan konkret për përmirësimin e gjendjes.

    Vitin e kaluar u regjistruan rreth 30 vrasje – shumica me armë pa leje.

  • ASK: Serbët në komunat veriore hezitojnë të regjistrohen

    ASK: Serbët në komunat veriore hezitojnë të regjistrohen

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Fillimisht, tha se banorët serbë në veri kanë presion. E më pas, se po regjistrohen vullnetarisht.

    Mirëpo, tash, në javën e katërt, kryeshefi i Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati, e pranon se ka hezitim masiv të serbëve të veriut, për t’iu nënshtruar këtij procesi.

    Sipas tij, vetëm një numër i vogël po pranojnë të regjistrohen.

    “Komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive, ka një regjistrim të disa ekonomive familjare, individëve, por është numri i vogël në bazë të atyre që ne pretendojmë. Ne kemi pasë diskutim me disa institucione ndërkombëtare dhe sigurisht ata do t’i transmetojnë atë që ne u kemi transmetuar komunitetit serb në veri. Është një e mirë edhe për ata për të ditur numrin e tyre që jetojnë në ato komuna”, tha Kastrati.

    Sipas Kastratit, tek ata ndikoi thirrja e Listës Serbe, gjë për të cilën vetë ai tha se do të ndërmarrin hapa ligjorë, duke mos thënë se çka saktësisht do të bëjnë.

    “Lista serbe ka bërë një thirrje të jashtëligjshme dhe ne do të ndërmarrim hapa. Thirrja ka pasur ndikim te pjesa veriore, por në jug komuniteti serb është duke u regjistruar…”, tha Kastrati

    Kryeshefi u përgjigj edhe në pyetjet rreth ankesave për formularin e regjistrimit, ku veçoi atë për abortin.

    “Natyrisht secilën pyetje e kemi përpiluar mirë e mirë, secila ka peshën e vet, është mirë ta dimë se ku qëndron populli ynë në raport me këtë”, tha Kastrati.
    Për 24 ditë, zyrtarët e Agjencisë së Statistikave i kanë regjistruar rreth 900 mijë banorë rezidentë në Kosovë.

    Ndërsa, pritet që të dhënat preliminare të regjistrimit të popullsisë të publikohen në pjesën e dytë të muajit qershor.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

  • Dardan Krivaqa dënohet me 4 vjet burgim për grabitjen më 2012

    Dardan Krivaqa dënohet me 4 vjet burgim për grabitjen më 2012

    Përgatiti: Nora Luta

    Një tjetër aktgjykim fajësues e ka shpallur Gjykata e Ferizajt të hënën ndaj Dardan Krivaqës.

    Krivaqa, i cili në seancën e kaluar kishte thënë që nuk dëshiron të jetë prezent në shpalljen e vendimit, u dënua me katër vjet burgim për një grabitje që, sipas Prokurorisë, e kreu në bashkëkryerje në vitin 2012.

    Por, nga akuza është liruar Arbnor Lika, pasi Gjykata tha se gjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar se ai ka kryer veprën për të cilën e ngarkonte Prokuroria.

    Krivaqa aktualisht është në paraburgim, pasi u dënua në gusht të 2022-s me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Apeli rastin e ktheu në rigjykim në shkurt të këtij viti, dhe shqyrtimi ende nuk ka filluar.

    Ndërkohë, ky rast për të cilin u dënua të hënën nga shkalla e parë, mori epilog gati dhjetë vjet nga ngritja e aktakuzës më 9 dhjetor të 2014-s.

    Për një grabitje në kazinonë “Kajot”, Prokuroria e akuzonte edhe Anton Belulin, por rasti u veçua ndaj tij për shkaqe shëndetësore.

    Sipas aktakuzës, 14 dhjetor 2012 rreth orës 04:50, në kazinonë “Kajot”, në Ferizaj me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, në bashkëkryerje me përdorimin e kanosjes serioze kundër personit tjetër, njëri me revole në dorë, kurse tjetri me një thikë, kanë hyrë brenda në kazino, kanë marrë 1.500 € dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

  • Kuvendi të enjten diskuton për raportin e DASH-it

    Kuvendi të enjten diskuton për raportin e DASH-it

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Deputetët e opozitës po kërkojnë shpjegim nga Qeveria, për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Andaj thirrën seancë të veçantë për të enjten e 2 majit.

    Krahas kësaj nuk munguan kritikat ndaj pushtetit, duke thënë se po pengon punën e komisioneve hetimore.

    Pa kritika nuk shpëtuan as deputetët opozitarë, të cilët siç tha deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, po ia humbin shtetit rreth 400 milionë euro me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Votimi i tyre do të tentohet përsëri në seancën e së enjtes, pas debatit për raportin e DASH-it.

    Veçse krejt në fillim, do të mbahet edhe një seancë solemne.

    Opozita kërkoi llogari nga kryeministri Kurti edhe për mosparaqitjen e tij nëpër seancat plenare.

  • Për BE-në, fajin për mungesën e rezultateve në dialog e kanë Kosova dhe Serbia

    Për BE-në, fajin për mungesën e rezultateve në dialog e kanë Kosova dhe Serbia

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për Bashkimin Evropian përfaqësuesi i saj i posaçëm, Miroslav lajcak, nuk është fajtor për mungesën e rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi.

    Pavarësisht se blloku 27-anëtarësh nuk do të heqë dorë nga roli në këtë proces, zëdhënësi Peter Stano theksoi se dy shtetet ballkanike do të “ndihmohen vetëm aq sa pranojnë të ndihmohen.”

    “Ka një mësim shumë të qartë që, derisa palët nuk kanë vullnet të lëvizin sigurisht që askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë. Roli ynë në dialogun Beograd-Prishtinë është të lehtësojmë procesin, t’i ndihmojmë ata të bëhen evropianë, t’u ndihmojmë të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që ata nuk ishin në gjendje ta bëjnë këtë dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të perceptuar ose supozuar të BE-së si lehtësues, është shkak i dështimit të tyre për të përmbushur zotimet”, tha Stano.

    Ai nuk tregoi se kur do të nisë procesi për caktimin e përfaqësuesit të ri special për dialogun e as se kush do të mund ta marrë këtë detyrë.

    Ndërsa, këmbënguli se Lajcaku e ka kryer dhe po kryen detyrën e tij.

    “Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim për të arritur diçka, për arsye se palët nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen e Ohrit. Pa numër herë e kemi sqaruar që nënshkrimi nuk ka qenë kurrë çështje për ne. Marrëveshja është ligjërisht obliguese dhe nuk ka shprehje më të mirë të kësaj sesa fakti që ajo u bë pjesë e rrugës së anëtarësimit për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Kështu që nëse ato nuk lëvizin për zbatim dëmtojnë të veten, të ardhmen e tyre evropiane dhe benefitet që qytetarët e tyre do t’i përfitonin nga avancimi”, tha Stano.

    Mandati i Miroslav Lajcakut si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, do të përfundojë në fund të muajit Gusht.

    Në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme te komuniteti serb, përkatësisht çështjen e dinarit, më 13 Maj ai do të presë kryenegociatorët në një rund të ri bisedimesh.

  • Projekt kodi civil, ende nuk dihet kur procedohet në kuvend

    Projekt kodi civil, ende nuk dihet kur procedohet në kuvend

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Të zgjedhurit e popullit nuk po merren vesh mes vete që ta kalojnë projekt-kodin civil. Andaj përgjegjësinë për t’i bërë numrat në Kuvend, e mori kryeministri Albin Kurti, i cili tha se do të angazhohet personalisht që kjo nismë të miratohet. Këtë zotim e bëri gjatë vizitës në Gjermani, javën e kaluar.

    Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të procedohet drafti për votim.

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se fillimisht duhet të sigurohen votat.

    “Ka kohë që është duke u punuar në sigurimin e votave, sepse duhet të sigurohet fillimisht kuorumi dhe pastaj dhe votat pro, duhet të ketë minimalisht 61 deputetë që të marrin pjesë në kuvend dhe e dyta që të votohet pro. Është evidente që ka diversitet të vendimeve, por ka nevojë që fillimisht të ketë kuorum”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Kësisoj, projekt-kodi civil zor që mund të miratohet para votimit të Kosovës për në Këshill të Evropës, që pritet të mbahet në javën e tretë të majit.

    Sipas analistit Bekim Kabashi, miratimi i kësaj nisme do ta ndihmonte Kosovën në anëtarësimin e saj në KiE.

    “Dihet që Këshilli i Evropës trajton kryesisht tema të ngjashme dhe është e rëndësishme edhe për Këshillin e Evropës, që shtetet anëtare të saj ta kenë kodin civil me rregullativën e saj. Kosova duke pasur parasysh që nuk e ka të sigurt anëtarësimin në KE shkaku edhe i disa temave tjera, sigurisht që do të ishte pozitive për Kosovën që kur të shkojë për t’u votuar për pranim në KE të paktën ta ketë kodin civil të miratuar”, tha Kabashi.

    Andaj ky thotë se, në tema me interes shtetëror, do të duhej të kishte harmonizim të veprimeve nga pushteti e opozita.

    “Opozita sidomos për kodin civil një pjesë e saj ka qenë e gatshme me votu, por kanë qenë kushtëzimet për tema tjera ku qeveria është dashur të bëjë kompromis me opozitën dhe meqë është një projektligj i rëndësishëm është dashur të bëjë kompromise të caktuara që me e çu përpara këtë proces”, tha Kabashi.

    Projekt-kodi civil ka dështuar të miratohet në kuvend më 2022 dhe që atëherë, nuk ka pajtueshmëri mes deputetëve për rikthimin e tij për votim.

    Një pjesë e deputetëve, përfshirë edhe ata të partisë në pushtet, janë kundër këtij projektligji, specifikisht nenit 1138, i cili lejon regjistrimin e bashkësive të personave të gjinisë së njëjtë.