ATV

Category: Lajme

  • Gjilan, dhunohet gruaja, i rrahet djali

    Gjilan, dhunohet gruaja, i rrahet djali

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nënë e bir po ecnin kësaj rruge në Gjilan, natën mes të premtes e të shtunës, kur u ndaluan nga dy persona të maskuar.

    Në këtë zonë urbane, dyshohet se u kryen tri vepra penale.

    Përveç dhunimit, sipas raportit të policisë, personat e maskuar i morën viktimës stoli ari dhe një shumë parash.

    Drejtori i spitalit rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, tregoi se gruaja erdhi me plagë si dhe në gjendje të rëndë emocionale. Ndërsa edhe djali i saj mori trajtim mjekësor në emergjencë.

    “Pacientet kane qene te shqetësuar, frikësuar, me gërvishtje dhe hematoma neper trup kurse te njeri pacient (nena) pas ekzaminimit gjinekologjik është vërejtur edhe gjakderdhje e vogël dhe gërvishtje ne regjionin e te dy kofshëve. Pas ekzaminimit gjinekologjik, pacientja N.R është proceduar me tej për ekzaminim mjeko-ligjor ne Prishtine kurse pacienti D.R pas ekzaminimit nga mjeket kujdestarë dhe trajtimit ne emergjence është lëshuar në shtëpi me udhëzimet për trajtim në çdo kohe sipas nevojës në emergjencën e spitalit”, tha Emini.

    Prokuroria Themelore në Gjilan tashmë ka nisur hetimet për këtë rast.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime në mënyrë që të identifikohen kryerësit e këtyre veprave. Nga prokurori kujdestar rasti është kualifikuar si “Dhunim”, “Grabitje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, tha Liridona Xheladini, zëdhënëse në Prokurorinë e Gjilanit.

    Banorët e kësaj lagjeje thonë se nuk kanë dëgjuar asnjëherë se kanë ndodhur raste të tilla më parë.

    “Është shumë shqetësuese. Që 50 vjet jetoj qetu në këtë lagje, nuk kam dëgjuar asnjëherë deri më tash nuk ka pas kësi raste”, tha një qytetar.

    Më shumë detaje i gjeni ën Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Serbia përpiqet ta pengojë Kosovën: I kërkon NATO-s të mos ia avancojë statusin, duke përmendur Asociacionin

    Serbia përpiqet ta pengojë Kosovën: I kërkon NATO-s të mos ia avancojë statusin, duke përmendur Asociacionin

    Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.
    Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

    Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.

    Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

    Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

    Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

    Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

    Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

    Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

    Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

    Ndërkaq, në njoftimin e Parlamentit serb u tha se dhënia e një statusi i tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

    Siç thuhet në njoftim, zëvendëskryetarja e delegacionit serb, Natasha Jovanoviq, ia rikujtoi Asamblesë Parlamentare të NATO-s kompeksitetin e çështjes duke pasur për bazë situatën në Kosovë “pasi bëhet fjalë për shkëputje të një anshme të një pjese të territorit, të një shteti të njohur ndërkombëtarisht”. Sipas Jovanoviqit, çështjet territoriale duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje.

    Serbia po ashtu akuzoi Kosovën se po refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe, sipas Beogradit, 11 vjet pas marrëveshjes së arritur nuk po e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa që të formojë Asociacionin.

    Kosova humbi rastin që në mes të majit të bëhej anëtare e organizatës të Këshillit të Evropës për shkak se Asociacioni u vendos si kusht. Kosova përmes një letre dërguar kësaj organizate tha se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim një draft-statut për Asociacionin, në këmbim të pranimit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

    Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se draft-statuti do të frymëzohej nga ai që ka paraqitur organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

    Por, Kosova nuk u fut në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt më 16 dhe 17 maj në Strasburg. Megjithatë, Këshilli i Evropës ka thënë se po e shqyrton mënyrën se si të procedojë me rastin e Kosovës./REL

  • Hamasi lëshon sulm me raketa drejt zonës së Tel Avivit

    Hamasi lëshon sulm me raketa drejt zonës së Tel Avivit

    Hamasi thotë se ka lëshuar raketa drejt zonës së Tel Avivit në Izraelin qendror për herë të parë në gati katër muaj.

    Të paktën tetë raketa u lëshuan nga zona Rafah në Gazën jugore dhe disa u kapën, thotë ushtria izraelite.

    Ushtria izraelite po kryen një operacion ushtarak në Rafah. Nuk raportohet për të lënduar.

    Sirenat e raketave u dëgjuan në qytete dhe qyteza të tjera, duke përfshirë Herzliya dhe Petah Tikva.

  • Kostoja e kultivimit: Bujqit e Kosovës ndiejnë peshën e taksës

    Kostoja e kultivimit: Bujqit e Kosovës ndiejnë peshën e taksës

    “Është e papërballueshme. Na duhen lehtësira e jo ngarkesa të tilla financiare”, thotë bujku Valon Vehapi.

    Prej vitesh, ai kultivon mbi 150 hektarë tokë me prodhime të ndryshme bujqësore në komunën e Lipjanit – pjesa qendrore e Kosovës.

    Por, nisur nga ky vit, ka edhe kosto shtesë: pagesën e tatimit për tokën bujqësore.

    Kjo taksë ka nisur të aplikohet në bazë të Ligjit për Tatim në Pronën e Paluajtshme, i cili është ndryshuar dhe plotësuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2023.

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës siguron se disa bujq do të kenë lehtësime, por nga organizatat që i mbështesin bujqit, thonë se taksa do t’i dëmtojë dhe do t’i demotivojë ata për të punuar tokat.

    E pyetur nga REL-i se si është duke shkuar procesi i pagesës – afati për të cilën përfundon më 30 shtator – kjo ministri nuk u përgjigj.

    Me ligj, ata që nuk e paguajnë tatimin, ndëshkohen me gjobë prej 10% të vlerës së tatimit të papaguar.

    Sa është tatimi për tokat bujqësore?

    Tatimi për tokat bujqësore përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës – përkatësisht çmimi për metër katror – me normën tatimore.

    Në përgjigjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhënë Radios Evropa e Lirë, thuhet se “norma tatimore për vitin 2024 ndryshon nëpër komuna nga 0.10% deri në 0.15% – varësisht zonës, kategorisë së tokës dhe vlerës së tregut”.

    Vehapi, mbi 140 hektarë të tokave që i shfrytëzon, i ka me qira dhe për ta paguan nga 80 deri në 300 euro për hektar, varësisht vlerës së pronës.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se pronarët e tokave ia kanë dorëzuar atij faturat e tatimit.

    “Nga një faturë i kam paguar 70 euro për një hektar. Faturat e tjera kanë qenë me vlera më të ulëta”, thotë Vehapi.

    Tatimi i demotivon bujqit

    Bashkim Zejnullahu, udhëheqës i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, thotë se hapësira e tokës së punueshme në Kosovë edhe ashtu është e pamjaftueshme – taksa, sipas tij, do t’i shtyjë buqit të heqin dorë nga punimi i tokës.

    Nga kulmi i inflacionit në vitin 2022 e këndej, bujqit janë përballur me sfida të vazhdueshme, që kanë nisur me shtrenjtimin e naftës dhe të produkteve të tjera për prodhim dhe kanë vazhduar me mungesën gjithnjë e më të madhe të punëtorëve.

    Në veprimtarinë e tyre shpesh kanë luajtur rol edhe kushtet klimatike, që i kanë zvogëluar të korrat.

    Qeveria e Kosovës, nga viti 2022, ndan subvencione për bujqit, por ata, prapëseprapë, nuk arrijnë t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve të Kosovës, sidomos për grurë.

    Zejnullahu pret që, sivjet, të ketë edhe më pak prodhime të grurit dhe çmimet e këtij produkti të jenë më të larta.

    Ai nuk është kundër tatimit, por thotë se “nuk është dashur të ngarkohet bujku që e punon tokën, por ai që nuk e punon”.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vendi ka mbi 512 mijë hektarë tokë të përshtatshme për bujqësi, por për qëllime të ndryshme shfrytëzohen mbi 420 mijë hektarë.

    Sipas ASK-së, rreth 189 mijë hektarë shfrytëzohen për rritjen e kulturave bujqësore, mbi 217 mijë hektarë hyjnë në kategorinë e livadheve dhe kullotave, ndërsa sipërfaqet e tjera janë plantacione për pemë, perime dhe kopshte.

    Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton, përfshirë këtu edhe prodhime bujqësore.

    Vendi nuk i plotëson as nevojat e popullatës për grurë dhe importon nga fqinjët ose vendet e Bashkimit Evropian.

    Prodhimi vendor i grurit, ndër vite, është rreth 300 mijë tonë, kurse nevojiten mbi 410 mijë tonë.

    Saktësisht një vit më parë, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për reduktim të sipërfaqes së tokës së punuar në Rahovec – komunë ku, sipas të dhënave zyrtare, afro 65 për qind e popullatës e sigurojnë ekzistencën nga aktivitetet bujqësore.

    Afrim Limani, drejtor për buxhet dhe financa në Komunën e Rahovecit, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se tatimi në toka bujqësore ka nisur të paguhet, por “jo në masë”.

    Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, thotë se tatimi për tokat bujqësore është dashur të shtyhet derisa të ketë një qëndrueshmëri në këtë sektor.

    “…sepse kjo më pas ndikon me import marramendës, pasi fermerët përballen me konkurrencë të fuqishme, nëse nuk i mbështet dikasteri përkatës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës konfirmon se ka nisur të pranojë tashmë disa ankesa nga bujqit.

    “Kjo nuk është në rregull”, thotë udhëheqësi i kësaj shoqate, Tahir Tahiri, duke shtuar se, së shpejti, do të mbahet mbledhja e kryesisë së sindikatave dhe ankesat e bujqve do të adresohen tek autoritetet përgjegjëse.

    Duke e paraqitur si një lloj lehtësimi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se tokat bujqësore në vlerë deri në 50 mijë euro, nuk do t’i nënshtrohen tatimit në pronë.

    “Fermeri vendos vetë se cilën njësi bujqësore që arrin vlerën deri në 50 mijë euro, dëshiron ta lirojë nga tatimi. Kërkesa për lirim bëhet në komunën përkatëse, ku gjendet parcela”, sqaron ministria.

    Vehapi, i cili kultivon kryesisht grurë, thotë se kjo është e pamjaftueshme, pasi, siç shprehet, çdo hektar toke që e punon në komunën e tij, llogaritet mbi 50 mijë euro.

    Derisa fushata e korrje-shirjeve pritet të nisë në më pak se dy muaj, Vehapi thotë se është duke u hamendur nëse, vitin e ardhshëm, do të vazhdojë ta mbjellë sipërfaqen e njëjtë të tokës, apo do ta zvogëlojë atë. /Radio Evropa e Lirë

  • 26 vjet nga Beteja e Pashtrikut, Bulliqi: Kujtojmë me krenari djemtë dhe vajzat mbi të cilët qëndrojnë themelet e lirisë

    26 vjet nga Beteja e Pashtrikut, Bulliqi: Kujtojmë me krenari djemtë dhe vajzat mbi të cilët qëndrojnë themelet e lirisë

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka përkujtuar Betejën e Pashtrikut, në 26-vjetorin e shënimit të saj.

    Bulliqi u shpreh se përkujtohen me krenari 36 të rënët, që mbi ta qëndrojnë fuqishëm themelet e lirisë.

    “Sot në 26 vjetorin e Betejës së Pashtrikut, isha në vendngjarje për të nderuar dëshmorët dhe luftëtarët e kësaj beteje”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

    “Në betejën e Pashtrikut kanë rënë dëshmorë 36 ushtarë të UÇK-së, kjo betejë është edhe njëra prej betejave më të përgjakshme njëkohësisht më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    “Përkujtojmë me krenari heroizmin e djemve dhe vajzave mbi të cilët qëndrojnë fuqishëm themelet e lirisë e shtetësisë sonë”.

    “Lavdi dëshmorëve të Betejës së Pashtrikut! Lavdi dhe nderime të përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit!”.

  • U dyshua për kanosje, arrestohet dhe suspendohet nga puna një polic në Gjakovë

    U dyshua për kanosje, arrestohet dhe suspendohet nga puna një polic në Gjakovë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një polic në Gjakovë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “kanosje”.

    Sipas njoftimit të Inspektoriatit policor arrestimi i tij ka ndodhur të shtunën.

    “Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar dje rreth orës 19:00 nga Policia e Kosovës në Gjakovë se një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) është i përfshirë si i dyshuar në një rast të kanosjes.

    Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    IPK shton se pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.

    “Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

  • Një vit nga marrja e detyrës nga kryetarët e komunave në veri, LVV lavdëron arritjet dhe kritikon analistët

    Një vit nga marrja e detyrës nga kryetarët e komunave në veri, LVV lavdëron arritjet dhe kritikon analistët

    Sot është bërë një vit prej kur kryetarët në katër komunat në veri morën detyrat.

    Lëvizja Vetëvendosje përmes një video thekson se pavarësisht sulmeve të grupeve të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi, institucionet e Kosovës ngadhënjyen.

    “Sot bëhen një vit prej kur kryetarët në katër komunat në veri morën detyrat. Grupe të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi bën sulme të përditshme ndaj Policisë, gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it me qëllim pengimin e punës së kryetarëve në këto komuna dhe luftimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Por, institucionet e Republikës të vendosura ngadhënjyen”, thuhet në reagim.

    LVV gjithashtu ka kritikuar edhe analistët, të cilët kishin bërë disa komente në atë kohë.

    “Në anën tjetër, asokohe në shumë studio televizive, nga shumë zëra ngjallej frikë, panik e dorëzim. Por, fotografia e sotme në veri të vendit është përgjigja më e mirë për ata zëra”,theksohet në postimin e bërë nga LVV.

  • Rama takohet sot me shqiptarët e Italisë: Po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë

    Rama takohet sot me shqiptarët e Italisë: Po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë

    Kryeministri Edi Rama është nisur mëngjesin e sotëm në drejtim të Italisë, në kuadër të turit në diasporë.

    Takimin e parë me shqiptarët e diasporës Rama e bëri disa ditë më parë me shqiptarët e Athinës, ndërsa sot radhën e kanë shqiptarët e Italisë.

    Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, kryeministri thotë se po niset nga Rinasi për në Itali “për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë.”

    “MIRËMËNGJES dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

  • Në Sofje vazhdon mbledhja e AP-së të NATO-s, Kosova nesër në agjendë

    Në Sofje vazhdon mbledhja e AP-së të NATO-s, Kosova nesër në agjendë

    Në Sofje të Bullgarisë edhe sot, për të dytën ditë më radhë, vazhdon mbledhja e Asamblesë Parlamentare e NATO-s, ku në agjendë është edhe Kosova. Të hënën në rend të ditës pritet të jetë edhe avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

    Zyrtarisht Asambleja e Përgjithshme të NATO-s ka nisur punimet të shtunën me tri komisione.

    Në Komisionin për Mbrojtje e Siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-së është diskutuar edhe rreth situatës së përgjithshme në Kosovë, e në veçanti lidhur me sulmin terrorist të grupeve paramilitare të udhëhequra nga Milan Radoiçiq.

    Në raportin e gjerë të paraqitur nga ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lancaster, i cili është raportues për Ballkanin Perëndimor është përfshirë edhe raportimi i organizatës joqeveritare “International Crisis Group”, në të cilën theksohet se KFOR-i e negociojë tërheqjen e grupit paramilitarë serbë.

  • Presidenti i Tajvanit, i hapur të punojë me Kinën për “paqe”

    Presidenti i Tajvanit, i hapur të punojë me Kinën për “paqe”

    Presidenti i Tajvanit tha se ai ende është i hapur që të punojë me Kinën për të ndërtuar “mirëkuptim të ndërsjellë dhe pajtim”. Këto deklarata, Lai Ching-te i bëri më 26 maj, disa ditë pasi Pekini kreu stërvitje ushtarake përreth ishullit vetëqeverisës në përgjigje të fjalimit të Lai gjatë ceremonisë së inaugurimit të tij si president.

    Lai u betua si president të hënën dhe Kina – që pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe e konsideron Lain si “separatistë të rrezikshëm” – kreu stërvitje ushtarake përreth ishullit tri ditë më vonë.

    Avionët luftarakë, anijet detare dhe ato të rojeve bregdetare rrethuan Tajvanin deri të premten në mbrëmje dhe analistët ushtarakë të Kinës thanë se Pekini po përgatitet për ta marrë kontrollin e ishullit vetëqeverisës.

    Të dielën, Lai tha se gjatë fjalimit të tij inaugurues më 20 maj ai theksoi se “paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit është element i nevojshëm për sigurinë botërore dhe prosperitetin”.

    “Po ashtu i bëj thirrje po ashtu Kinës që së bashku me Tajvanin të marrë përgjegjësinë e rëndësishme të stabilitetit rajonal”, tha ai gjatë një ngjarjeje të organizuar nga partia e tij, Partia Demokratike Progresive.

    “Po ashtu mirëpres forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pajtimit përmes këmbimeve dhe bashkëpunimit me Kinën… dhe të lëvizim përpara drejt një pozicioni të paqes dhe prosperitetit të përbashkët”.

    Të dielën, dy ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit raportoi se shtatë avionë luftarakë të Kinës, 14 anije të marinës dhe katër anije të rojeve bregdetare “kanë operuar” përreth ishullit gjatë 24 orëve të fundit. /REL/