ATV

Category: Lajme

  • Komunat nuk kanë vend për zyrtarët e institucioneve qendrore

    Komunat nuk kanë vend për zyrtarët e institucioneve qendrore

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komuna e Vushtrrisë nuk ka hapësirë për ta akomoduar personelin e Drejtorisë së Diasporës, të themeluar së fundmi.

    “Ende nuk kam gjetur ndonjë zyrë adekuate për ta vendosur fillimisht drejtoreshën e pastaj edhe stafin”, tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
    Edhe zyrtarët e Komunës së Rahovecit, sipas kryetarit Smajl Latifi, detyrohen të punojnë në zyrë të ngushta.

    “Në zyrat tona kemi katër deri në pesë zyrtarë, që punojnë në një zyrë”, tha Latifi.

    Prandaj kryetarët Idrizi e Latifi nuk duan t’u shtohet edhe barra e disa zyrtarëve të institucioneve qendrore, që po planifikohet të punojnë nëpër objektet komunale.

    Prandaj thonë se nuk mund të krijojnë hapësira të reja për ta, siç parashihet në një udhëzim të ri administrativ, të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    “Kemi autonominë tonë edhe në vendimmarrje dhe ne nuk mund të pranojmë staf shtesë, përderisa nuk kemi hapësirë për personelin ekzistues”, tha Latifi.

    “Nuk ka hapësirë, bash për asnjë institucion tjetër… neve na ka kërkuar edhe Agjencioni i Pyjeve për t’i siguruar hapësirë shtesë por nuk kemi pasur. Jo se nuk kemi dashur t’u dalim në ndihmë por nuk kemi”, tha Idrizi.

    Sikur Vushtrria e Rahoveci, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave thotë se ka shumë institucione lokale që nuk kanë hapësira të bollshme.

    Prandaj tregon se AKK-ja e ka kundërshtuar këtë Udhëzim Administrativ.

    “Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës, kemi qenë pjesë e grupit punues që e ka hartuar këtë Udhëzim Administrativ, dhe kategorikisht e kemi kundërshtuar… kemi konsideruar dhe konstatojmë që nuk ka asnjë bazë ligjore se si mund të merret një Udhëzim Administrativ në kurriz të komunave”, tha Ibrahimi.

    Mirëpo, Komuna e Klinës nuk e ka këtë problem.

    “Me kapacitetet tona ne mund të sigurojmë objekte apo hapësira publike jashtë objektit të komunës, jashtë administratës komunale në momentin që ne do të kuptojmë numrin e zyrtarëve të përcaktuar për komunën tonë”, tha zëdhënësja e Komunës së Klinës, Vlora Tafili.

    Referuar Udhëzimit Administrativ, shpenzimet shtesë të rrymës, ujit, mbeturinave si dhe shpenzimet për mirëmbajtje të objektit të komunës i mbulon institucioni qendror, që ka kërkuar hapësirat publike për ofrim të shërbimeve.

  • Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Përgatiti: Nora Luta

    Rreth 30 minuta ishte maltretuar fizikisht Agron Ramadani deri në alivanosje në qershorin e 1998-s, para se të futej në qelinë numër një në burgun e Prishtinës.

    Por keqtrajtimet fizike dhe psikike, sipas Ramadanit, kishin zgjatur pothuajse gjatë tërë periudhës sa qëndroi i burgosur nën akuzat për terrorizëm, fillimisht në këtë burg, e pastaj në atë të Lipjanit.

    Në mesin e atyre që e kishin rrahur, ish-shefi i sigurisë së Adem Demaçit, ka thënë se ishte edhe Dragisha Millenkoviq, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon për krime lufte.

    Ai u pyet rreth maltretimeve konkrete që i ka pasur nga i akuzuari.

    Dëshmitari rrëfeu para trupit gjykues se edhe atë pak ushqim që e kishin e ndanin me të burgosurit e tjerë.

    Me pyetje rreth mungesës së ushqimit dhe keqtrajtimeve, ai u ballafaqua edhe nga Dragisha Millenkoviq.

    E për rrethanat e identifikimit të Millenkoviqit dhe mundësisë së ngatërrimit me një të dyshuar tjetër, Ramadani përveç mbrojtjes u sfidua me pyetje edhe nga trupi gjykues.

    Gjykimi për Millenkoviqin, i cili akuzohet se keqtrajtoi e rrahu edhe me kabllo elektrike të burgosurit shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, do të vazhdojë në fund të këtij muaji.

    Ramadani që ishte në mesin e tyre, tregoi se ishte arrestuar nga sigurimi shtetëror i Serbisë nën arsyetimin se ishe themelues i UÇK-së, dhe ishte dënuar me tri vjet burgim për terrorizëm.

    Në mesin e viktimave në këtë rast, të cilët pritet të dëshmojnë, janë edhe kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, e deputeti Isak Shabani, i cili mungoi në këtë seancë.

  • Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Më shumë se tri orë ka zgjatur seanca dëgjimore në rastin ndaj të dyshuarve për spiunazh, të cilët u arrestuan të mërkurën në Ferizaj.

    Ndaj B.SH dhe M.Q, Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e sigurisë prej një muaji paraburgim.

    Sipas avokatit të B.SH., Prokuroria Speciale nuk e ka argumentuar se ata kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe, të njohur si BIA.

    “Jam i lumtur që ajo sot që dëgjuam e lexuam nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunu në Serbi. Nuk pati mundësi Prokurori për ta zbuluar një transkript të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm. Prandaj si qytetar, si profesionist, më duhet të them se po që se të shqyrtohen provat e që nuk i kemi pa, e ky spektakël është gabim”, tha Besnik Berisha, avokat i B.Sh..

    Sipas Besnik Berishës, i cili në momentet e fundit zëvendësoi avokaten e caktuar sipas detyrës zyrtare, arrestimi i klientit të tij lidhet me Gjykatën Speciale.

    “I mbrojturi im është dëshmitar në procesin në Hagë, andaj dyshon se me këtë rast lidhet edhe arrestimi i tij…”, tha Berisha.

    Kryerja e veprave të tilla penale, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, e cenojnë sigurinë e shtetit.

    “Kemi një rast ku janë arrestu dy persona, të cilët kanë qenë juridik, e tani fizikë… por kemi dyshim të bazuar se kanë dhënë informata për një shërbim të huaj. Nisur nga fakti se ekzistojnë shërbime të tilla, duhet të kemi kujdes të gjithë, se me kë takohemi, me kë komunikojmë e çka komunikojmë…”, tha Mensut Ademi, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Andaj, dënimi eventual në rast se ata shpallen fajtorë, sipas njohësve të çështjeve juridike, mund të jetë i konsiderueshëm.

    “Kjo vepër nuk mund të kryhet nga secili. Kodi ka paraparë dënimin prej 5 deri në 12 vite burgim. Por nëse ka të bëjë me vdekjen APO RREZIKIMIN e jetës të dikujt, Kodi ka paraparë dënimin jo më pak se 10 vjet burgim…”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Gjatë bastisjet në shtëpitë e të dyshuarve pas arrestimit, ndër të tjera janë gjetur armë, municion, gaz-maska ushtarake, DVR, si dhe videokaseta.

  • PDK-ja vazhdon kundërshtimin e planit për “Kalabrinë”

    PDK-ja vazhdon kundërshtimin e planit për “Kalabrinë”

    Përgatiti: Sara Shehu

    Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon ta kundërshtojë planin rregullues për lagjen “Kalabria”, edhe pas miratimit në Kuvendin komunal të Prishtinës.

    Propozimi i Kryetarit Përparim Rama të hënën mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe tri partive të vogla, por jo edhe të Partisë Demokratike të Kosovës e as të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Në një konferencë për media, Asamblisti i PDK-së, Leutrim Ratkoceri, akuzoi Ramën se në koordinim me Lëvizjen Vetëvendosjen, 15 hektarë të pronës publike përreth Stacionit të Autobusëve i dhanë për ndërtim të lartë.

    “Fatkeqësisht nuk u arrit të adresohet shqetësimi ynë kryesor, tjetërsimi i pronës publike të Stacionit të Autobusëve. Pra, pavarësisht përpjekjeve tona, Përparim Rama e kaloi planin e ‘Kalabrisë’, ku 15 hektarë të pronës publike të Stacionit të Autobusëve i ktheu në ndërtim të lartë. Kjo u arrit falë bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, njësoj siç kishte arritur ta votonte edhe shkëmbimin e pronave të Badovcit”, tha Ratkoceri.

    Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Besiana Musmurati, theksoi se edhe më shqetësues është fakti se Përparim Rama nuk do të ndalet vetëm me planin e “Kalabrisë”. Por ajo u zotua se do t’i mbrojë pronat publike, siç ndodhi me Badocin.

    “Të bëhemi bashkë që të mos lejojmë degradimin e mëtutjeshëm të qytetit. Dua t’i siguroj qytetarët e Prishtinës që ne do të jemi këtu për të mbrojtë pronën publike, sikurse në Badoc e Kalabri, në çdo lagje tjetër të Prishtinës. Prandaj ju ftojmë që në këtë betejë publike me ndërtimin e lartë e betonizimin në kurriz të pronës publike, të bëhemi bashkë për Prishtinën”, u shpreh ajo.

    Plani për Kalabrinë arriti të miratohet vetëm pas disa ndryshimeve, përfshirë kërkesën e banorëve që protestuan disa ditë me radhë para komunës, që koeficienti i pronave private të rritet nga 1.5, në 2.4. Po ashtu, edhe vlera e koeficientit në pronën publike te Stacioni i Autobusëve u ul nga 7 në 3.

  • Përfundon dëshminë e Nuhi Bytyçi, përplaset me gjykatësin në Hagë

    Përfundon dëshminë e Nuhi Bytyçi, përplaset me gjykatësin në Hagë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Gazetari Nuhi Bytyçi ka vazhduar dëshminë e tij, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

    Ai sërish insistoi që kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze.

    “Qëllimi ynë ishte që ta prezantojmë në mënyrë sa më serioze Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para opinionit shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar. Ne provuam që ta bëjmë një xhirim në Luzhnicë të betimit. E bëmë një xhirim por ne nuk ishim të kënaqur me atë xhirim, për këtë arsye e kemi organizuar xhirimin në Kleçkë më 26 qershor të viti 1998, duke i sjellë shumë ushtarë edhe nga zonat e tjera, edhe nga Drenica edhe nga brigadat e tjera të Zonës së Pashtrikut dhe Drenicës”, ka deklaruar Bytyçi.

    Ndërkaq, në përfundim të dëshmisë së tij, Bytyci kërkoi që libri i tij të mos merret si bazë që të dënohen ish-krerët e UÇK-së.

    “Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate”, ka deklaruar më tej Bytyçi.

    I ashpër në kundërpërgjigje ishte kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili mes tjerash ia ndërpreu fjalën Bytyçit duke i kërkuar disa herë edhe të ndalonte e të dalë nga salla, në të kundërtën e kërcënoi se do ta nxirrte jashtë me trupa të sigurimit.

    Gjykatësi: Të lutem, të lutem…po futeni në materialet të cilat i keni shtjelluar gjatë dëshmisë tuaj, faleminderit, mund të largoheni nga salla.

    Nuhi Bytyqi: Faleminderit për mundësinë që ma dhatë. Doja të shprehja opinionin tim se si gazetar që kam pas.

    Gjykatësi: E keni thënë këtë…. dëshmitar… dëshmitar të kam fikur mikrofonin. Të lutem largohuni nga salla tani.

    Nuhi Bytyqi: Duke përcjellë si gazetar i pavarur dy procese gjyqësore, të Limajt dhe Haradinajt.

    Gjykatësi: Dëshmitar, në qoftë se nuk do të dalësh tani, do t’i them sigurimit t’ju nxjerrë nga salla.

    Përveç Bytyçit, gjatë të enjtes dëshmoi edhe dëshmitari i 72-të, serbi Zoran Stankoviq. Gjatë dëshmisë, Stankoviq tha se gjatë luftës ai së bashku me vëllain e tij janë arrestuar nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së.

  • Azemi: Rritje të pagës përfitojnë 326 punëtorë teknikë në sektorin privat, njëjtë do të bëhet edhe me punëtorët e sigurimit fizik

    Azemi: Rritje të pagës përfitojnë 326 punëtorë teknikë në sektorin privat, njëjtë do të bëhet edhe me punëtorët e sigurimit fizik

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë punëtoret teknik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nga muaji qershor do ti marrin pagat me rritje deri në 402 euro.

    Ai ka thënë se për rritjen e kësaj page janë dakorduar me ministrin e Shëndetësi, Arben Vitia, në shkurt të viti 2023, por që vonesat që këto paga të dalin me rritje që nga ajo kohë, sipas tij, janë bërë si shkak i procedurave burokratike.

    Ai ka shtuar se këtë rritje e gëzojnë rreth 326 punëtor të cilët marrin pagë me rritje prej 100 euro më shumë se sa pagë që kanë marr deri tani.

    “Për rritjen e kësaj page është filluar qysh në vitin e kaluar dhe me 21 shkurt të viti 2023 në takimin që kemi pasur me ministrin Arben Vitia jemi marr vesh që pagat e këtyre punëtorëve të jetë 402 euro. Realisht që nga atëherë një periudhe kohore ka shkuar deri sa të skadojë kontrata e vjetër për të hyrë në fuqi kontrata e re nëse nuk gaboj që nga muaji nëntor është dashur që të jetë 402 euro, por megjithatë me procedurat burokratike që i kemi ne në Kosovë që nga nëntori i viti të kaluara e deri me një qershor duke u shtyre në mesë veti se cila ta fitoj tenderin ka bërë që ne të vonohemi për shtat muaj dhe tani më zyrtarisht e konfirmoj se punëtorët teknik të QKUK-së pagat e tyre në fund të qershorit do të dalin me rritje, ose 402 euro bruto. Këtë rritje e gëzojnë 326 punëtorë, që do të thotë rritja është për 100 euro më shumë se sa pagat që i kanë marr më herët dhe tani jemi shumë afër edhe konfirmim se edhe punëtorët e sigurimit fizik, që numri i tyre është diku rreth 300 në QKUK, do të pasoj po e njëjta rritje”, ka thënë ai.

    Ai ka theksuar se edhe me këtë pagë këta punëtor nuk mund të ja dalin, me rritjen e çmimeve që është duke ndodhur.

    Ai ka thënë se pas pese-gjashte muajve do të fillojnë sërish të kërkojnë rritje pagash.

    “Është një kohë shumë e rëndë, një inflacion shumë i madh, ne me këtë pagë sigurisht se për nja pesë, gjashtë muaj do të jemi të qetë, përndryshe do të fillojmë prapë të kërkojmë rritje normale gjithherë konform ligjit, çka neve na lejon ligji. Edhe kjo pagë 400 euro është diçka që nuk i mbulon kërkesat tona”, ka thënë ai.

    Ai në këtë prononcim ka folur edhe në lidhje me kërkesat e punëtoreve teknik të shkollave.

    “Kemi bërë greva edhe për punëtoret teknik të shkollave fillore dhe të mesëm, cak definitivisht shumë shpejt jemi marr vesh brenda tri dite dhe jemi dakorduar që edhe paga e këtyre punëtoreve duhet të jetë 400 euro. Tenderët që tani kanë dalur nga komuna e Prishtinës të gjithë janë 400 euro dhe normale duhet pritur këto procedurat për të cilat deri sot përfundon procesi i prokurimit dhe të dihet. Përndryshe pagat e këtyre punëtoreve tani e tutje do të jenë 400 euro”, ka thënë ai .

  • KQZ-së i kërkohet që video-spotet të jenë edhe në gjuhën turke

    KQZ-së i kërkohet që video-spotet të jenë edhe në gjuhën turke

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar të enjten për projektet e ndryshme zgjedhore të cilat duhet të realizohen gjatë procesit të ardhshëm zgjedhor, raporton Ekonomia Online.

    Në mesin e këtyre projekteve bënë pjesë edhe projekti për transparencë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në 38 Qendrat Komunale të Numërimit.

    Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së thotë që përqindja realizimit të punës së KQZ periudhën janar- mars 2024 është realizuar 19.72 për qind të realizuar për ketë periudhë dhe 5 aktivitete.

    “KQZ Ka shqyrtuar për planin mujorin e parë është dokument i shqyrtuar dy here dhe janë dhënë komentet nga këshilli operacional zgjedhor për përgatitjet e këtyre raporteve, ku përqindja realizimit të punës së KQZ-së për periudhën janar-mars 2024, pra të realizuar është 19.72 për qind të realizuar për ketë periudhë 5 aktivitete. Konsiderojmë që ky raport shpërfaq realitetin e punës që është bërë në KQZ”, u shpreh Elshani.

    Ndërsa Alban Krasniqi anëtar i KQZ-së tha që fokusi është kërkuar të jepet prokurimit me ç’rast tha se mund të rrezikohen proceset tenderuese.

    “Po e ceki nevojën e sekretariatit që përgjithësisht të fokusohet te plani i aktivitetit në mënyrë që përjashtimisht procesi që kemi pasur i votimit të aktivitit janë në fokus të punëve të përditshme që njësitet përkatëse i kanë të parapare, në mënyrë që fund të vitit mos te kemi aktivitete të parealizuara. Fokus kemi kërkuar të jepet prokurimit sepse mund të rrezikohemi në proceset tenderuese të punuara pastaj edhe reflektojnë në organizimin tonë në përgjithësi”.

    Gjatë kësaj mbledhje u miratua edhe rishikimi i planit e të prokurimit dhe miratimi i videospoteve për të rinj dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit.

    Mufera Sinik, përfaqësuese e komunitetit turk në KQZ, kërkoi që video informuese për votuesit e rinj të realizohen edhe ne gjuhen turke, përveç asaj shqipe dhe serbe.

    “Gjuha informimit dhe edukimit është e barabartë me gjuhen shqipe dhe serbe. Unë pres prej juve mirëkuptim siç është me ligj dhe kushtetutën me qenë edhe në gjuhën turke”.

    Ndërsa kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u zotua se videospotet do të jenë edhe në gjuhën turke.

    “Vendimin qe kemi me marr kemi me marr edhe në gjuhen turke edhe krejt informacioni ka mu plasu në gjuhën turke asgjë s’ka me mbet mangu”, u shpreh ai.

  • ​Bullgaria investon 400 milionë levë në infrastrukturën shkencore

    ​Bullgaria investon 400 milionë levë në infrastrukturën shkencore

    Gati 400 milionë leva bullgare (rreth 250 milionë euro) janë investuar në infrastrukturën shkencore në Bullgari me fonde nga Programi Operacional i Shkencës dhe Arsimit për Rritje Inteligjente dhe bashkëfinancim shtetëror, tha zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës Natalia Miteva gjatë një prezantimi të 16 Qendrave të Ekselencës dhe Qendrave.

    Qendrat janë në rajone të ndryshme të vendit dhe kanë qindra laboratorë me pajisje moderne. Qendrat kryejnë kërkime shkencore në fusha të ndryshme – mekatronikë dhe teknologji të pastra, informatikë dhe TIK, teknologji të reja në industritë krijuese dhe të kohës së lirë dhe industri të jetesës së shëndetshme dhe bioteknologjisë. Qëllimi është të punohet së bashku me bizneset dhe komunat, duke kontribuar kështu në zhvillimin e industrisë dhe jetës publike.

    Gjithsej 646 studiues të rinj u emëruan në qendra. Shkencëtarët në qendrat e sapondërtuara kanë tashmë afro 2500 botime, 50 prej të cilave janë në 10% të parë të më të cituarve në fushën përkatëse shkencore. Ata kanë krijuar gjithashtu 80 patenta, si dhe 53 modele të përdorimit, theksoi Ministria e Arsimit.

    Në këtë ngjarje morën pjesë edhe zëvendësministri i Inovacionit dhe Rritjes Prof. Georgi Angelov; Shefja e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Bullgari, Yordanka Chobanova; Agnes Montfret, drejtuese e departamentit të Bullgarisë, Kroacisë dhe Sllovenisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Rajonale dhe Urbane të Komisionit Evropian; Georgi Vaisilov, udhëheqës i Programit të Agjencisë Ekzekutive për Arsim; Prorektori i Universitetit të Sofjes Tony Spassov, si dhe përfaqësues të komunitetit shkencor dhe shkollave të larta. /BTA

  • Haradinaj, Kurtit: Rriti pagat e kategorive të lirisë

    Haradinaj, Kurtit: Rriti pagat e kategorive të lirisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kategoritë e lirisë përgjatë këtij mandati, janë poshtëruar vazhdimisht.

    Ish-kryeministri Haradinaj ka shkruar nw Facebook se Vetëvendosje kur është bërë fjalë për veteranët, i ka bashkuar votat me Listën Serbe.

    “Katër vjet pushtet të Kurtit, e kategoritë e lirisë vazhdimisht janë poshtëruar nga qeveria. Vetëvendosje nuk ka hezituar që për të mos i përfshirë kategoritë e lirisë në pagën minimale, të bashkojë votat edhe me Listën Serbe”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se nëse Kurti pretendon se vartësit e tij ia kanë pi tinëz duhanin, le t’i rritë pagat për këto kategori.

    “Nëse Kurti pretendon që vartësit e tij ‘ia kanë pirë duhanin tinez’, atëherë le t’i rritë sot pagat e familjeve të Dëshmorëve e Martirëve, Invalidëve, Veteranëve, Viktimave të dhunës seksuale. Mundësinë dhe buxhetin e mjaftueshëm e ka. Fatkeqësisht, kjo nuk pritet të ndodh, sepse është vetë Kurti ai që qëndron pas marrëveshjeve me ‘vendasin’ dhe Listën Serbe”, është shprehur Haradinaj.

  • ​Angazhohen tre ekspertë në Komisioni Hetimor për punësimet në MPJD

    ​Angazhohen tre ekspertë në Komisioni Hetimor për punësimet në MPJD

    Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë angazhuar tre ekspertë të pavarur.

    Përundër pakënaqësive u arrit ky dakordim me kërkesën e partisë në pushtet.

    Arbëreshë Kryeziu Hyseni, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar që të votohen 3 ekspertë duke u arsyetuar se grupi i LVV përbëhet edhe nga Guxo dhe komunitetet pakicë.

    “Mendoj që ashtu siç jemi dakorduar që të shkojmë me 3 propozime, duhet të shkojmë edhe sot me tri propozime. Mu më vjen mirë që keni arrit si opozitë me shku me një emër që është kandidati që është propozu nga ana juaj. Grupi jonë parlamentar përbëhet nga deputetë të LVV, deputetë të Guxo dhe deputetë të komunitetit pakicë. Ne mund ta propozojmë një emër të një eksperti por duam të krijojmë hapësirë që edhe deputetët e tjerë të propozojnë emra tjerë të ekspertëve që konsiderojnë se janë të pa anshëm dhe që mund ta bëjnë në plotni punën e tyre si ekspert në kuadër të këtij komisioni. Mendoj se duhet të mbesim me numrin 3 të anëtarëve të propozuar”, tha ajo.

    Deputetja e PDK-së Ariana Musliu Shoshi, vlerësoi se secili nga ekspertet e propozuar janë ekspertë për lëvdatë. Derisa sipas saj nësë kërkohen ekspertë të pavarur që nuk kanë lidhje me parti politike duhet të ketë konkurs të hapur.

    “Sa i përket përkatësive politike, nëse ne dojmë ekspertë të pavarur duhet të ketë konkurs të hapur nga Kuvendi ku aplikojnë dhe pranohen si ekspertë të pavarur. Përderisa ne propozojmë si grupe parlamentare automatikisht janë persona që në një mënyrë ose tjetër kanë lidhje me një parti politike”, tha Musliu Shoshi.

    Kundër këtij deklarimi ka reaguar deputetja e partisë në pushtet LVV, Fitore Pacolli, duke thënë se ekspertët e propozuar nga PDK janë puro PDK.

    “Po më pengon kjo mendësi. Ekspertet janë njerëz të pavarur s’do me thënë me qenë në parti politike. Emrat që i kemi sjell nuk janë as aktivistë të Guxo, as aktivistë të LVV janë ekspert të pavarur që janë angazhuar për punë të pavarur dhe profesionale. Eksperti i propozuar nga LDK mund të themi se është ekspert i pavarur. Por ekspert që i ke sjell t’i janë puro PDK. Ata flasin me gjuhën e PDK-së”, shtoi ajo.

    Për ekspertët reagoi edhe kryetarja e komisionit Time Kadrijaj, e cila kërkoin angazhimin e vetëm dy ekspertëve.

    “Ju Vetëvendosja jeni me ruajt buxhetin nuk di pse po insistoni me i pas tre ekspertë gjithmonë jeni thirr me kursyer buxhetin. Tash po bini ndesh me këtë. Lëne me dy ekspert mendoj se është mjaftueshëm”, shtoi Kadrijaj.

    Derisa Pacoilli iu kundërpërgjigj duke thënë se për tre propozime janë duke iu referuar rregullores.

    Ekspertët e angazhuar sipas kryetares Kaadrijaj janë Gzim Kolgeici, Shpend Shabani dhe Shkëlqim Jakupi.

    Kjo mbledhje nuk kaloi pa u përmendur edhe përgjimet telefonike ndërmjet shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radojiçiqin.

    Deputetja Pacolli ka cituar disa fjalë të deputetes Ariana Musliu Shoshi që sipas saj nuk u dëgjuan nga mediat.

    “Deputetja e PDK-së e tha një fjali që duhet me ndi edhe mediat. Tha kurrgjo nuk iu ka dal çka ka me ju dal. Po i bien që PDK bashkë me Radojiçiqin e me Simiqin keni incizu e përgju pra e keni planifiku. Kur ti po e din qa ka me dal e din PDK qa ka bo kështu që duhet me dhanë përgjegjësi publike”, shtoi ajo.

    Derisa diskutimin e ndërpriti kryetarja e komisionit duke kërkuar që të vazhdohet me pikat e rendit të ditës. /kp