ATV

Category: Lajme

  • BE hap kapitullin e parë të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës

    BE hap kapitullin e parë të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës

    Bashkimi Evropian ka hapur zyrtarisht grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës, një hap i rëndësishëm në procesin e saj drejt integrimit evropian.

    Ursula von der Leyen e cilësoi këtë zhvillim si një përparim të madh, duke theksuar se Ukraina ka bërë progres të dukshëm në reformat e brendshme.

    “Sot po hapim grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE. Ky është një hap i madh përpara,” deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.

    Ajo shtoi se Ukraina ka përmbushur pjesën e saj të detyrimeve në procesin e reformave dhe tani është radha e Bashkimit Evropian të veprojë në të njëjtën mënyrë.

    “Ukraina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në reforma. Ata kanë përmbushur detyrimet e tyre, prandaj tani edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë,” u shpreh ajo.

    Ky zhvillim shihet si një sinjal i fortë politik për mbështetjen e BE-së ndaj aspiratave evropiane të Ukrainës, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me luftën dhe sfida të mëdha të sigurisë dhe rindërtimit.

  • Gjykata Supreme pezullon gradimet në Policinë e Kosovës

    Gjykata Supreme pezullon gradimet në Policinë e Kosovës

    Gjykata Supreme njofton se ka aprovuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit dhe pezullon procedurën e gradimit në Policinë e Kosovës

    “Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit dhe padisë së parashtruar nga paditësja V.Z. nga Vitia, kundër të paditurës Policia e Kosovës, pas seancës së kolegjit të mbajtur më 15 qershor 2026, ka aprovuar si të themeltë kërkesën për caktimin e masës së posaçme të sigurimit”, thuhet në komunikatën e Gjykatë Supreme.

    Supremja njofton se me aktvendimin PA.nr.16/2026, ndalohet ekzekutimi i zbatimit të nenit 7 paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policor, të nxjerrë nga Policia e Kosovës. Po ashtu, Gjykata Supreme njofton se pezullohet procedura e gradimit sipas Konkursit për Gradim të datës 28 maj 2026, e shpallur mbi bazën e dispozitave të kontestuara, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Supreme lidhur me këtë çështje juridike administrative.

    “Paditësja V.Z., nga Vitia, më 10 qershor 2026, ka paraqitur në Gjykatën Supreme padi për shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht të nenit 7 paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policor, duke kërkuar njëkohësisht caktimin e masës së posaçme/të përkohshme të sigurimit. Paditësja ka pretenduar se dispozitat e kontestuara cenojnë parimin e meritokracisë dhe trajtimit të barabartë në procesin e gradimit, pasi mundësojnë që zyrtarët policorë me së paku dhjetë (10) vite përvojë aktive në Policinë e Kosovës, të cilët nuk kanë përfituar gradim gjatë kësaj periudhe, t’i nënshtrohen një procedure të veçantë gradimi dhe të aplikojnë për fitimin e dy gradave më të larta njëherazi, pa iu nënshtruar kufizimeve që lidhen me kohëzgjatjen minimale të qëndrimit në gradën paraprake. Sipas saj, një rregullim i tillë krijon avantazh për një kategori të caktuar zyrtarësh policorë në raport me ata që kanë kaluar nëpër procedurat e rregullta të gradimit dhe kanë ushtruar detyrat, përgjegjësitë dhe përvojën profesionale të lidhura me gradat përkatëse. Po ashtu, paditësja ka pretenduar se dispozitat e kontestuara mund të cenojnë strukturën hierarkike dhe zinxhirin komandues brenda Policisë së Kosovës, pasi u mundësojnë zyrtarëve policorë që nuk kanë ushtruar funksione mbikëqyrëse dhe udhëheqëse në gradën e Rreshterit të konkurrojnë drejtpërdrejt për gradën toger, në të njëjtën procedurë me zyrtarët që kanë kaluar proceset paraprake të gradimit dhe kanë fituar përvojën përkatëse në pozita mbikëqyrëse. Sipas pretendimeve të paditëses, kjo mund të ndikojë në funksionimin e sistemit të gradimit, disiplinës organizative dhe menaxhimit të personelit policor”, thuhet në komunikatën e Gjykatë Supreme.

    Pas shqyrtimit të kërkesës, pretendimeve të palës paditëse, provave të paraqitura dhe dispozitave ligjore të zbatueshme, Gjykata Supreme vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore të parapara me nenin 100 të Ligjit nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative për caktimin e masës së posaçme të sigurimit.

    Gjykata konstatoi se paditësja ka ngritur pretendime serioze lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara, duke përfshirë pretendimet për tejkalim të autorizimit ligjor, cenim të parimit të meritokracisë, ndikim në hierarkinë dhe zinxhirin komandues, si dhe mungesë proporcionaliteti dhe arsyetimi.

    Në vlerësimin paraprak të kërkesës, Gjykata arriti në përfundimin se ekziston rreziku real i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm në rast të vazhdimit të zbatimit të dispozitave të kontestuara dhe procedurave të gradimit të bazuara në to. Gjykata vlerësoi gjithashtu se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të këtyre dispozitave nuk cenon rëndë interesin publik, ndërsa është në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

    Duke pasur parasysh se procedura e gradimit është iniciuar mbi bazën e dispozitave që janë objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe se përfundimi i saj para vendosjes meritore do të mund të krijonte pasoja të pakthyeshme, Gjykata konsideroi se ruajtja e gjendjes ekzistuese përmes masës së posaçme të sigurimit është e nevojshme deri në vendimin përfundimtar.

    “Gjykata Supreme thekson se vendimi për caktimin e masës së posaçme të sigurimit është marrë në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon vendimmarrjen përfundimtare lidhur me themelësinë e padisë për shfuqizimin e pjesshëm të dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026. Vendimi përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara do të merret pas shqyrtimit të plotë të çështjes në procedurën gjyqësore përkatëse”, thuhet në komunikatën e Gjykatë Supreme.

  • Elezi sqaron pse mandatet mund të kalojnë nga një subjekt te tjetri gjatë numërimit

    Elezi sqaron pse mandatet mund të kalojnë nga një subjekt te tjetri gjatë numërimit

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka sqaruar mënyrën e publikimit të rezultateve zgjedhore, duke theksuar se procesi i shfaqjes së tyre është dinamik dhe përditësohet në kohë reale me numërimin e çdo kutie votimi.

    Sipas tij, diferencat mes subjekteve politike për mandatet e fundit janë shpesh shumë të vogla, çka bën që edhe disa dhjetëra apo qindra vota të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen e koeficientëve dhe në ndarjen përfundimtare të mandateve.

    Elezi ka shpjeguar se në disa raste një subjekt politik mund të arrijë përkohësisht koeficientin e nevojshëm për të fituar mandat, i cili më pas mund të ndryshojë me përfshirjen e kutive të reja të votimit.

    “Mund të ndodh që në një moment të caktuar të procesimit të rezultateve, subjekti të arrijë koeficientin e nevojshëm dhe mandati shfaqet në rezultatet e publikuara. Mirëpo, me përfshirjen e rezultateve nga kuti të tjera votimi, raporti i koeficientëve mund të ndryshojë dhe përparësia e mëparshme të humbasë, duke bërë që mandati të kalojë te një subjekt tjetër politik”, ka deklaruar Elezi.

    Ai ka theksuar se kjo është një rrjedhë normale e procesit zgjedhor, pasi rezultatet përditësohen vazhdimisht dhe çdo kuti e numëruar mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.

  • Rritet interesimi i të rinjve për FSK, 234 aplikime për 44 vende

    Rritet interesimi i të rinjve për FSK, 234 aplikime për 44 vende

    Interesimi për karrierë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të rritet. Në konkursin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, 234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende kadetësh, duke e bërë garën një nga më konkurrueset e viteve të fundit dhe duke reflektuar rritjen e besimit ndaj institucioneve të sigurisë së vendit.

    234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende të hapura për kadetë në Forcën e Sigurisë së Kosovës nga 1 qershori deri më sot, kur ka përfunduar edhe afati për aplikim. Konkursi i hapur nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja përfshin pranimin e kadetëve për studime në Qendrën e Studimeve Universitare, si dhe në akademitë ushtarake të Turqisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me mbi pesë kandidatë që konkurrojnë për një vend, interesimi konsiderohet ndër më të lartit në vitet e fundit.

    Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë se ky interesim i madh dëshmon besimin e të rinjve në institucionet e sigurisë dhe atraktivitetin në rritje të profesionit ushtarak. Për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, ky është tregues i qartë i përkushtimit të gjeneratave të reja për t’i shërbyer vendit dhe për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.

    Ndërkohë, njohës të çështjeve të sigurisë e vlerësojnë interesimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si një zhvillim pozitiv për sigurinë dhe të ardhmen e vendit. Profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku, tha se rritja e interesimit për t’iu bashkuar FSK-së tregon ngritje të vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e këtij institucioni.

    “Kjo është një tregues i ngritjes së vetëdijes së qytetarëve të Kosovës për të aderuar, gjegjësisht për të aplikuar në radhët e ushtarëve të FSK-së, si një subjekt i rëndësishëm, premtues dhe garantues për sigurinë e Kosovës, si dhe një institucion ku puna, përkushtimi dhe disiplina janë vlerat kryesore”, tha Fatmir Çollaku, profesor i sigurisë.

    Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, tha se interesimi i të rinjve për t’u bërë kadetë të FSK-së është një përfitim i madh si për shtetin, ashtu edhe për oficerët e ardhshëm.

    “Është një plus shumë i madh. Të rinjtë tanë duhet të interesohen që të bëhen kadetë të FSK-së, sepse benefitet janë të mëdha si për Republikën e Kosovës, ashtu edhe për oficerët e ardhshëm. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në shkollim në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni ose Mbretërinë e Bashkuar, pasi janë plotësuar kushtet dhe janë shkolluar shumë oficerë”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Rritja e numrit të ushtarëve të rinj në Forcën e Kosovës jo vetëm që forcon kapacitetet mbrojtëse të vendit, por edhe krijon mundësi profesionale dhe akademike për të rinjtë, duke kontribuar në zhvillimin e një force më të përgatitur dhe më profesionale për të ardhmen e Kosovës./RTK

  • VV për pak i arrin 52 mandate bie përsëri në 51, PDK që humbi një, rikthehet në 23

    VV për pak i arrin 52 mandate bie përsëri në 51, PDK që humbi një, rikthehet në 23

    Partia Demokratike e Kosovës ka rikthyer mandatin e 23-të në Kuvendin e Kosovës, pas përditësimit të fundit të rezultateve zgjedhore, ku janë numëruar 92.58 për qind e votave.

    Ndryshimi vjen pas një lëvizjeje të mëhershme në rezultat, ku me numërimin e 92.51 për qind të votave, Lëvizjes Vetëvendosje i ishte shtuar mandati i 52-të, duke e marrë një ulëse nga PDK-ja.

    Aktualisht, procesi i numërimit të votave me postë është ende në zhvillim, ndërsa sipas të dhënave të fundit, ndarja e mandateve është, Vetëvendosje 51 ulëse, PDK me 23, LDK ka 19 ulëse dhe AAK me 7 ulëse.

  • Humbi bashkëshorten në aksidentin në autostradë, kjo është gjendja e burrit të lënduar

    Humbi bashkëshorten në aksidentin në autostradë, kjo është gjendja e burrit të lënduar

    Një grua e humbi jetën dhe një burrë u lëndua rëndë dje në një vetaksident në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Si pasojë e lëndimeve të rënda, burri u dërgua për trajtim në QKUK ku edhe iu nënshtrua një operimi.

    Ai më pas u dërgua në Mjekimin Intensiv Qendror.

    E lidhur me gjendjen e tij shëndetësore u deklaruan nga MIQ.

    Shaqir Uka, shef në Mjekimin Intensiv tha për Klankosova se gjendja e pacientit në fjalë është stabilizuar.

    “Pacienti që ju i referoheni është sjell për trajtim në Mjekimin intensiv, është stabilizuar gjendja e tij dhe sot është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Klinikën e Maksillofaciales”, deklaroi Uka.

    Derisa kjo ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra, ku dyshohet se ky vetaksident ka ndodhur si pasojë e rrëshqitjes së dheut në atë pjesë.

  • Behrami i reagon Mihalit që e quajti përdorues të narkotikëve Ramën: Inskenim i ngjarjeve kundër oponentëve politike

    Behrami i reagon Mihalit që e quajti përdorues të narkotikëve Ramën: Inskenim i ngjarjeve kundër oponentëve politike

    Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka përdorë gjuhë të rëndë ndaj kryetarit të Prishtinës, duke thënë “Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat?”.

    Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar kandidati i PDK-së, Artan Behrami, i cili tha se Mihali po bën “100% propagandë të pastër”.

    Postimi i tij i plotë:

    Hajde që halucinacionet e Dejones qenkan të vërteta! E unë mendoj që janë 100% propagandë e pastër!

    Ku i ka marrë ato informacione?

    Këto dezinformata janë pjesë e planit për inskenim të ngjarjeve kundër oponentëve politikë.

    Dejona, përveç që kontrollon grupin parlamentar, ajo kontrollon edhe organet vitale të sigurisë.

    Albin Kurti parpolitiken e ka institucionalizuar!

    Keqpërdorimi i organeve të sigurisë për qëllime politike, për përndjekjen e oponentëve politikë, është kërcënim i sigurisë kombëtare!

  • “Kush je ti, Dejona Mihajlli?” – Rrezarta Krasniqi me reagim të ashpër pas sulmit ndaj Ramës

    “Kush je ti, Dejona Mihajlli?” – Rrezarta Krasniqi me reagim të ashpër pas sulmit ndaj Ramës

    Deputetja e Rrezarta Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj postimit të zyrtares së Lëvizja Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila kishte sulmuar kryetarin e Prishtina, Përparim Rama.

    Përmes një reagimi publik, Krasniqi ka akuzuar Mihalin dhe kryeministrin Albin Kurti për mungesë përgjegjësie në garantimin e sigurisë së qytetarëve.

    “Kush je ti Dejona Mihajlli? Qytetarët e Prishtinës për dy mandate e kanë zgjedhur Përparim Ramën para ‘kukullave’ të propozuara nga ti”, ka shkruar Rasniqi.

    Ajo ka thënë se sulmet ndaj Ramës janë tregues i, sipas saj, shqetësimit që ka pushteti nga përballjet politike me Lidhja Demokratike e Kosovës në kryeqytet.

    “Kur një figurë pa identitet sikur Dejona e sulmon kryetarin e Prishtinës, tregon sa shumë janë traumatizuar nga humbjet që kanë përballë LDK-së dhe kryetarit Përparim Rama në Prishtinë”, ka deklaruar deputetja.

    Në fund të reagimit, Krasniqi ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj Mihalit dhe Kurtit, duke i bërë përgjegjës për çështjet e sigurisë në vend.

    “Ti Dejona dhe Kryeministri Kurti keni përgjegjësi që të ofroni siguri për qytetarët e vendit dhe turp ju qoftë për papërgjegjësinë e treguar”, ka përfunduar ajo.

  • Gërvalla: Nuk flasim për koalicione e as për vija të kuqe pa u certifikuar rezultatet

    Gërvalla: Nuk flasim për koalicione e as për vija të kuqe pa u certifikuar rezultatet

    Kryetarja e partisë Guxo, parti kjo në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, Donika Gërvalla deklaroi se bisedimet me partitë e tjera për koalicion të mundshëm do të zhvillohen pas certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet e 7 qershorit, raporton KosovaPress.

    Zëvendëskryeministrja Gërvalla është optimiste që vendi nuk do të ballafaqohet përsëri me bllokada për formimin e institucioneve të reja.

    Ajo tha se duhet të respektohet mesazhi i qytetarëve.

    “Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare, kur ti kemi rezultatet e certifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Unë shpresoj që nuk do të ballafaqohemi edhe njëherë me bllokadat e pakuptimta dhe me bllokim të institucioneve të shtetit, por siç e keni parë edhe para zgjedhjeve të fundit nuk ka qenë në dorën tonë, sepse ofertat kanë qenë më shumë se gjeneroze, mirëpo janë refuzuar. Shpresoj që mandati i fuqishëm i qytetarëve këtë herë të respektohet”, tha Gërvalla.

    Më tej Gërvalla tha se nuk është diskutuar as për vija të kuqe e koalicione.

    “Nuk diskutojmë ne as për vija të kuqe, e as për koalicione të cilat do ti shohim pasi të kemi marrë rezultatin përfundimtarë të certifikuar, me qëllim që ta dimë cili është mesazhi i qytetarëve. Ne përsëri kemi fituar zgjedhjet bindshëm, përsëri kemi më shumë vota se të gjitha partitë shqiptare tjera, prandaj nuk shoh asnjë arsyeje. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e vogël, ky është një mesazh të cilin duhet ta analizojmë dhe kuptojmë drejtë të gjithë ne që jemi aktiv në skenën politike”, tha ajo.

    Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka arrit 45.25 për qind ose 339,348 vota (51 mandate).

    PDK-ja është renditur e dyta, me 21% ose 151,595 vota (23 mandate). E treta LDK-ja me 17.19% ose 128,891 vota (19 mandate) dhe AAK e katërta me 6.94% ose 52,086 vota (7 mandate).

  • Arrestohet edhe nëna e 16-vjeçarit në Prizren, dyshohet për “Shtytje në vrasje”

    Arrestohet edhe nëna e 16-vjeçarit në Prizren, dyshohet për “Shtytje në vrasje”

    Lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit ditën e djeshme në Kobaj të Prizrenit, tashmë policia ka ndaluar edhe nënën e të dyshuarit.

    Ajo po dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje”.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë se e dyshuara është ndaluar për 48 orë.

    “Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, në prezencë të Prokurorit kujdestar, rreth orës 15:00 kanë realizuar bastisje fillimisht në shtëpinë e të dyshuarve dhe më pas edhe në shtëpinë e viktimës. Gjatë bastisjeve nuk është gjetur asnjë send apo provë e kundërligjshme. Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar disa dëshmitarë. Më pas, me urdhër të Prokurorit kujdestar, është intervistuar edhe nëna e të dyshuarve në cilësinë e të dyshuarës, në prezencë të mbrojtëses së saj, nën dyshimin për veprën penale “Shtytje në vrasje”. Me vendim të Prokurorit kujdestar, e dyshuara është ndaluar për 48 orë”, tha Bytyqi.