ATV

Category: Lajme

  • Policia shqipton afro 2000 mijë gjoba brenda 24 orëve

    Policia shqipton afro 2000 mijë gjoba brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1996 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 24 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 49 me dëme materiale.

  • Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë, flet për takimin para nënshkrimit të marrëveshje së Rambujesë

    Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë, flet për takimin para nënshkrimit të marrëveshje së Rambujesë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të tretën ditë me radhë po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Bislim Zyrapi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Bislim Zyrapi tha se ishte mbajtur një takim në mes delegacionit dhe Shtabit të Përgjithshëm të vendosej nëse do të firmoset marrëveshja e Rambujesë ose jo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Po, një takim. Delegacioni ka qenë në Rambuje dhe është kthyer dhe është diskutu në Shtab dhe janë kthyer pastaj dhe kanë nënshkru në Rambuje”, tha ai.

    Zyrapi tregoi se edhe ku është mbajtur ky takim si dhe se për çfarë është diskutuar.

    “Takimi është mbajtur në Bjeshkët e Berishës. Ka marrë pjesë delegacioni, Shtabi i Përgjithshëm dhe komandantët e zonave. Në këtë takim, e ka formuar për ecurinë në Rambuje, e ka shpalosur komplet Hashim Thaçi, pastaj janë kyçur edhe anëtarë të tjerë të delegacionit dhe Shtabit. Është diskutu për nënshkrimin e marrëveshjes, cilat janë dobitë pozitive dhe negative, por më shumë pozitive dhe çka ka prej asaj ku do të shkruhet marrëveshja”, tha Zyrapi.

    Zyrapi shtoi se sipas situatës që ka parë në terren, ka qenë e nevojshme të nënshkruhet kjo marrëveshje.

    Duke iu referuar zhvillimeve në UÇK gjatë periudhës së shkurtit të ’99-ës, dëshmitari tregoi se ka refuzuar të nënshkruante ndryshimet që ishin propozuar për Zonën e Pashtrikut.

    Sipas tij, një ndër arsyet ishte se nuk kishte kompetenca për ndryshime në këtë zonë dhe se një gjë të tillë do të duhej ta bënte komandanti i zonës.

    Dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që sipas prokurores Clare Lawson mbante datën 22 mars 1999. Për këtë dokument, dëshmitari tha se është leje qarkullimi në territorin e Kosovës e që i jepet një ushtari apo eprorit për të qarkulluar nga zona në zonë.

    Dëshmitari tha se kjo leje ishte për Xhizair Samedinin dhe se dokumenti mbante vulën e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe nënshkrimi i Zyrapit.

    Duke folur për kompetencën për lëshimin e dokumenteve të tilla, dëshmitari tha se në disa raste e kishte ai, por mundësinë e ka pasur edhe komandanti i zonës për zonën e vet të përgjegjësisë, e po ashtu ngjashëm edhe ai i brigadës.

    Më pas, dëshmitari pohoi se më 1999, UÇK-ja kishte një njësi në Greme të Komunës së Ferizajt.

    “Mendoni në fshatin Greme, po. Ka qenë njësia e UÇK-së, më duket Brigadës 161. Njësia e kësaj brigade. E di për arsye se në prill 1999 kam kaluar në këtë fshat. Nuk më kujtohet se kush ka qenë komandant i njësisë, po më kujtohet se ka qenë zëvendëskomandanti i zonës me të cilin jam takuar dhe kemi biseduar. Ka qenë zotëri Imri Ilazi. ‘Inxhinieri’ ka qenë komandant aty po tani nuk më kujtohet emri si ka qenë”, tha Zyrapi.

    Ai gjithashtu tregoi edhe për proceset e evakuimit të të plagosurve në prill të 1999-ës nga zona në zonë, ku foli konkretisht edhe për Zonën e Drenicës e që sipas tij pjesëmarrës në këtë proces ishin edhe Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    “Po në kohën e prillit, kemi pas shumë evakuime në shumë zona, po konkretisht në prill më kujtohet mirë evakuimi i të plagosurve nga zona e Drenicës në zonën e Pashtrikut. Kanë qenë Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nga Shtabi i Përgjithshëm kur janë evakuuar këta të plagosur”, tha ai.

    Zyrapi shtoi se në prill të 1999-ës Shtabi i Përgjithshëm një pjesë të tij e kishte të vendosur në Divjakë, kurse një tjetër në Devetakë, që është një fshat në zonën e Noredimes.

    Bislim Zyrapi tregoi edhe për lëvizjet e tij pas fillimit të bombardimeve në mars të vitit 1999 e tutje. Ai tha se në fillimet e bombardimeve ka qenë në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm në Divakë e më pas është transferuar në fshatin Nishor për t’i ndihmuar komandantit të zonës pasi kishte sulme nga forcat serbe e po ashtu edhe në tërheqjen e popullatës.

    Dëshmitari tregoi edhe për disa takime që kishte pasur me Hashim Thaçin dhe Agim Çekun gjatë prillit të 1999-ës, e që në njërin prej tyre tha se i kishte njoftuar ata për fillimet e operacionit ‘Shigjeta’.

    Sipas dëshmitarit, operacioni ‘Shigjeta’ ka filluar më 9 prill nga Kosharja për t’u zgjeruar tutje.

    Bislim Zyrapi tha se me Thaçin dhe Çekun kishte ndodhur edhe një takim tjetër në Jezerc.

    “Takimi që është mbajtur në Jezerc, kanë qenë pjesë nga Qeveria e përkohshme dhe nga Shtabi i Përgjithshëm. Në takim ishte edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, ka qenë Adem Grabovci, ka qenë Agim Çeku. Më kujtohet se ka qenë Sylejman Selimi dhe disa anëtarë të tjerë se nuk më kujtohet mirë. Aty është bërë ndryshimi në mes meje dhe Agim Çeku, unë ia kam dorzu detyrën Agim Çekut dhe kam marrë detyrën tjetër në Mistrinë e Mbrojtjes ta ndihmoj ministrin e Mbrojtjes dhe t’i ndihmojë atij në Shqipëri në mobilizimin e atyre që kishin ardhë nga jashtë për t’u mobilizuar në operacionin ‘Shigjeta’”, tha dëshmitari.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ​Kraja: Vepra letrare e Kadaresë ka luajtur rol emancipues për Kosovën

    ​Kraja: Vepra letrare e Kadaresë ka luajtur rol emancipues për Kosovën

    Vepra letrare e shkrimtarit Ismail Kadare ka luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët.

    Kështu tha kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në mbledhjen komemorative për shkrimtarin Ismail Kadare.

    Kraja u shpreh se Kadare ka bërë më shumë se institucionet.

    “Zëri i Kaderesë në mbështetje të Kosovës ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, për një masë të gjerë të njerëzve në Kosovë. Në këtë pikë Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte ka diskursi publik, ka qenë zë frymëzues. Bashkësisë ndërkombëtare i ka folur me gjuhë të qartë. Shqetësimet e Kadaresë kanë pasur jehonë të madhe në opinionin kosovar. Veprat letrare të Kadaresë, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët”, tha Kraja.

    Në akademinë përkujtimore të organizuar nga AShAK, akademik Sabri Hamiti tha se me përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë, ai ka fituar statusin e shkrimtarit të madh.

  • ​Meta: Kadare ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore

    ​Meta: Kadare ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore

    Shqiptarët i japin sot lamtumirën e fundit shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare, mëngjesin e 1 korrikut.

    Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë.

    Në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë po mbahen homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqipe.

    Krerët e shteteve nga Shqipëria dhe Kosova ndodhen në Tiranë për të përcjellë me nderime të larta shkrimtarin në banesën e fundit.

    I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha se Ismail Kadare ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore kur vendi ishte më e izoluar se kurrë.

    “Për t’i dhënë lamtumirën gjeniut të kombit që me penën e tij e ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majat e letërsisë botërore atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificë i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm”, deklaroi Meta në një prononcim të shkurtër për media. /Euronews.al/

  • Biden pritet ta takojë Netanyahun në fund të korrikut

    Biden pritet ta takojë Netanyahun në fund të korrikut

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohen në Uashington në fund të korrikut, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

    Në atë kohë, përkatësisht më 24 korrik, Netanyahu pritet t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së në lidhje me luftën e ushtrisë së tij në Gazë.

    Pavarësisht luftës, SHBA-ja ka vazhduar mbështetjen për Izraelin, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në sigurimin e armëve, por Biden ka shprehur disa herë shqetësime për sjelljen e Izraelit.

    Në një rast, ai e ka cilësuar atë si “ekstreme”.

    Gjatë një bisede telefonike me Netanyahun në prill, Biden i ka kërkuar atij që të ndërmarrë më shumë hapa për t’i mbrojtur civilët në Gazë, duke thënë se politika e SHBA-së mund të ndryshojë.

    Lufta në Gazë ka shpërthyer në tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

    Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme masive në Gazë – enklavën që kontrollon Hamasi.

    Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se afro 38.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta./REL

  • ​Ylli i Zvicrës: Goli i Shaqirit ishte më i mirë se ai i Bellingham

    ​Ylli i Zvicrës: Goli i Shaqirit ishte më i mirë se ai i Bellingham

    Kwadwo Duah ishte jo vetëm golashënuesi i parë zviceran në këtë Kampionat Evropian, por edhe i pari që ka lindur në Angli.

    Sulmuesi i Zvicrës është i vetëdijshëm për këtë para përballjes çerekfinale ndaj Anglisë, por nuk merr shumë nga ky fakt: “Kam lindur në Angli, por nuk kemi më familje atje”, raporton KosovaPress.

    Sa i përket ndeshjes së shtunës, Duah pret “një ekip shumë të mirë” me shumë emra të mëdhenj në të.

    “Nuk mendoj se na nënvlerësojnë. Ata e panë edhe ndeshjen e Italisë. Zvicra nuk ka nevojë të fshihet. Unë mendoj se është pak e çuditshme”, tha Duah.

    I pyetur se kush do luajë në qendër të sulmit, ai u përgjigj: “Është në fakt shumë e thjeshtë: Ose Embolo ose unë. Ne njihemi prej kohësh, kemi një lidhje të veçantë me njëri-tjetrin”.aa

    Fakti që ai aktualisht është vetëm zgjedhja e dytë është një situatë e re për të, por ai mund të jetojë me të.

    “Unë jam gjithmonë gati kur trajneri ka nevojë për mua. Të gjithë në ekip e dinë rolin e tyre dhe duhet të sigurohen që të qëndrojnë të motivuar. Nëse keni ende nevojë për motivim për të luajtur për kombin tuaj, kjo është paksa e çuditshme për mua”, thotë 27-vjeçari.

    Duah, i cili tregon se do të preferonte të luante në Itali është pyetur nga përfaqësuesit e mediave për superyllin anglez Jude Bellingham. “Ai është i klasit botëror. Ai merr përsipër lojën dhe përpiqet të vendosë shenjën e tij në lojë.”

    Megjithatë, sulmuesi i Ludogorets Razgrad ka një por: “Goli i Shaqirit kundër Skocisë ishte më i mirë se ai i Bellinghamit”.

  • BE dhe SHBA, presion Serbisë: Marrëdhëniet me Rusinë “nuk janë normale”

    BE dhe SHBA, presion Serbisë: Marrëdhëniet me Rusinë “nuk janë normale”

    Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të vendosë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, pasi Serbia priti zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

    Më 2 korrik, Grushko u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë qëndrimit në Beograd kishte takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë serbë.

    “Bashkimi Evropian ka qenë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zëdhënësi i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shtoi se Këshilli i BE-së është në dijeni për ndihmat humanitare dhe të tjera të Serbisë për Ukrainën, por se, gjithashtu, pret që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të përafrohet me politikën e jashtme evropiane dhe të sigurisë.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i japë Rusisë platformë për të promovuar luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”.

    “Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë një interes të madh në rrjedhën e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është e një rëndësie vendimtare të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha Departamenti i Shtetit.

    Ai vlerësoi, po ashtu, mbështetjen që Serbia i ka dhënë Ukrainës deri më tani.

    Me kë u takua Grushko në Beograd?

    Grushko kishte një“bisedë të mirë” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur vetë Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, më 2 korrik.

    “I kemi shqyrtuar marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, shkroi Vuçiq në postimin e tij.

    Një ditë më parë, zëvendësi i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Policisë të Serbisë, Ivica Daçiq.

    Ai zhvilloi takim edhe me zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin, dhe ministrin Nenad Popoviq. Të dy ata janë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Kremlinin.

    Në listën e zyrtarëve serbë me të cilët u takua Grushko, është edhe Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.

    Lidhja me Rusinë

    Pushtimi rus i Ukrainës është në vitin e tretë dhe gjatë kësaj kohe Serbia nuk ka hequr dorë nga lidhjet e saj me Rusinë.

    Zyrtarisht, Beogradi mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të vendosë sanksione kundër Moskës.

    Ai e arsyeton refuzimin e tij me lidhjet miqësore me Rusinë, por edhe me mbështetjen që merr prej saj në nivel ndërkombëtar.

    Kjo nuk është vizita e parë e zëvendësit të Lavrovit në Serbi që nga fillimi i luftës.
    Grushko ka qëndruar në Beograd edhe në tetor të vitit 2022, por, atëkohë, publiku serb ka mësuar për vizitën nga zyrtarët dhe mediat në Rusi.

    Bëhet fjalë për një performancë pa thelb – kështu e vlerëson vizitën e zyrtarit rus për Radion Evropa e Lirë Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Beograd.

    “Bashkëpunimi mes Serbisë dhe Rusisë aktualisht është shndërruar në një aktivitet propagandistik mediatik, që, në fakt, nuk do të japë ndonjë rezultat thelbësor”, thotë Obradoviq.

    Një vlerësim të tillë ai e mbështet në argumentet se “Rusia nuk ka më asgjë për t’i ofruar Serbisë në fushën e sigurisë”.

    Vizita e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë në Serbi u zhvillua dy javë pasi Serbia mbështeti deklaratën në Samitin për Paqe në Ukrainë, i cili u mbajt në Zvicër, duke shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.

    Ajo është një prej disa deklaratave të Bashkimit Evropian dhe rezolutave të OKB-së që Serbia i ka mbështetur, e që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

    Megjithatë, ajo nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, tek e cila mbështetet, para së gjithash, për çështjen e Kosovës.

    Vizita e Grushkos kësaj radhe u pasqyrua në media

    Ndryshe nga vizita e mëparshme e Grushkos në Beograd, e fundit është raportuar nga zyrtarët përmes komunikatave për media.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndarë një fotografi me Grushkon në llogarinë e tij në Instagram.

    Kur ai është takuar me të në Beograd në tetor të vitit 2022, Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka publikuar informacionin, por jo edhe Zyra e Presidentit të Serbisë.

    Në serinë e kontakteve të Grushkos me zyrtarët serbë hyn edhe takimi me zëvendëskryeministrin Aleksandër Vulin në Moskë.

    Ata u takuan në mes të qershorit, menjëherë pasi Vulin u emërua në një nga pozitat udhëheqëse në Qeverinë e re të Serbisë.

    Mesazhet e Grushkos dhe Vulinit atëkohë kanë përçuar synimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Vulin, nga lista e zezë amerikane, ka diskutuar me zyrtarët rusë për “rezistencën e përbashkët ndaj Perëndimit”, kanë raportuar mediat ruse.

    Si e raportuan mediat ruse vizitën e Grushkos?

    “Nivel i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve me Federatën Ruse” dhe “bashkëpunim i ngushtë” përmes Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

    Kështu u raportua për vizitën e Grushkos në Serbi më 1 dhe 2 korrik në mediat ruse.
    Në raportet e tyre, agjencitë shtetërore ruse, TASS dhe Ria Novosti, iu referuan njoftimeve të Qeverisë së Serbisë dhe postimit të Vuçiqit në Instagram.

    Ato raportuan edhe për deklaratat e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Vulin, për “miqësinë dhe respektin reciprok” të dy vendeve.

    TASS njoftoi gjithashtu se Grushko, gjatë vizitës së tij në Beograd, vendosi kurora lulesh në Memorialin e Çlirimtarëve të Beogradit, te Flaka e Përjetshme dhe te Monumenti i Ushtrisë së Kuqe.

    Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Beograd, e sheh këtë si “një lojë që Rusia dhe Serbia e kanë pranuar”.

    “Në të ardhmen do të jemi dëshmitarë të aktiviteteve të tilla, por nuk do të ketë realizime thelbësore. Kjo është vetëm një mënyrë e lehtë për të mos thyer ‘vëllazërinë’ shekullore”, thotë Obradoviq.

    Serbia dhe Rusia, përndryshe, kanë një bashkëpunim të zhvilluar ushtarako-teknik, ndërsa nga viti 2016, kur ka filluar modernizimin e ushtrisë, Serbia ka siguruar armë nga Rusia, pavarësisht kritikave nga Brukseli. /REL

  • Eyal Waldmani emërohet konsull nderi i Kosovës në Izrael

    Eyal Waldmani emërohet konsull nderi i Kosovës në Izrael

    Sipërmarrësi i njohur, Eyal Waldman, është emëruar konsull nderi i Republikës së Kosovës në Izrael.

    Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Kosovës në shtetin izraelit, Ines Demiri, shkruan Indeksonline.

    Përmes një njoftimi në rrjetin social X, Demiri bëri të ditur se emërimi i Waldmanit u bë në një ceremoni zyrtare.

    Në po të njëjtën ceremoni mori pjesë edhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv.

    “Ekspertiza e thelle e zotit Waldman në zhvillimin ekonomik do të forcojë ndjeshëm marrëdhëniet Kosovë-Izrael”, shkroi Demiri.

  • Një grua raporton se është rrahur e dhunuar nga dy persona në Suharekë

    Një grua raporton se është rrahur e dhunuar nga dy persona në Suharekë

    Një grua ka raportuar në Polici se është rrahur dhe dhunuar nga dy persona në Suharekë.

    Sipas raportit 24 orësh, lidhur me këtë rast policia ka arrestuar tre persona, ku dy prej tyre janë dërguar në mbajtje dhe një tjetër është lirurar.

    Ndërsa, viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor.

    Raporti i plotë:

    DHUNIM

    Suharekë 02.07.2024 – 09:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe dhunuar nga dy persona të panjohur. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor, ndërsa lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar.

  • Nisin homazhet për gjeniun e letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë

    Nisin homazhet për gjeniun e letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë

    Në sallën e TKOB kanë nisur homazhet publike dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare.

    Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.

    Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës në vendin e homazheve.

    Ceremonia e nderimeve për kolosin Kadare është organizuar me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë.

    Homazhet nisën në ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në 12:30 për të vazhduar me nisjen drejt varrezave të Tufinës. Ashtu si dje, edhe dita e sotme është ditë zie kombëtare.

    Gjithashtu ditë zie kombëtare ka shpallur edhe Kosova.

    Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.

    Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Evropës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.