ATV

Category: Lajme

  • Deri në një orë pritjet tek Dheu i Bardhë, gjysmë ore në Kullë

    Deri në një orë pritjet tek Dheu i Bardhë, gjysmë ore në Kullë

    Pritjet për të hyrë nga pika kufitare te Dheu i Bardhë po zgjasin deri në një orë, ndërsa në Kullë deri në 30 minuta.

    Ndërsa për të dalë nga Kulla, duhet pritur deri në 20 minuta, kurse te Dheu i Bardhë pesë minuta.

    Kolona te Dheu i Bardhë është 500 metra, njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

  • Haxhiu: Përveç ndryshimit të lok-ut ministrja e Drejtësisë s’ka bërë asgjë, duhet të jap dorëheqje

    Haxhiu: Përveç ndryshimit të lok-ut ministrja e Drejtësisë s’ka bërë asgjë, duhet të jap dorëheqje

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se ministra e Drejtësisë Albulena Haxhiu duhet të jap dorëheqje, pasi që sipas tij, ka dështuar dhe nuk ka ndërruar asgjë përveç lok-ut të saj.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Haxhiu ka thënë se ministra e Drejtësisë duhet të jap menjëherë dorëheqje, sepse sipas tij, ka dështuar në punën e saj në hartimin e ligjeve të cilat kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe janë rrëzuar nga kjo gjykatë.

    “Jo vetëm që do të duhet të jap dorëheqje por mendoj që as nuk do të duhej të ishte fare e emëruar si ministre e Drejtësisë duke e pasur parasysh që qysh nga fillimi i mandatit të saj ata paradite e kishim në seancat gjyqësorë për veprat të cilat akuzohej, dhe pasdite në Ministrinë e Drejtësisë, është ministre e dështuar edhe në aspektin e punës së saj në hartimin e ligjeve të cilat kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe janë rrëzuar nga kjo gjykatë”, ka thënë Haxhiu.

    Sipas Haxhiut, nuk mjafton vetëm dorëheqja e ministres por duhet të jap përgjegjësi për deklarimet e saj “të pa matura që kanë shkaktuar një kaos në opinionin publik”.

    Me papërgjegjësinë e saj në përpjeke për të krijuar familjarëve të saj lehtësira në burgje ka shkaktuar një kaos në sistemin e burgjeve duke i krijuar mundësi të tjerëve që ikin nga burgjet ose të ikin organeve të drejtësisë. Sigurisht që për këtë nuk mjafton vetëm dorëheqja por duhet edhe përgjegjësia morale dhe penale për deklarimet e saj të pa matura të cilat me të vërtetë kanë shkaktuar një kaos në opinionin publik”, shtoi Haxhiu.

    Krahas kësaj, deputeti i PDK-së, ka theksuar se në aspektin e riformimit të sistemit të drejtësisë, Haxhiu ka dështuar totalisht.

    Dhe për këtë, Haxhiu ka thënë se duhet të jap llogari për shpenzimet e bëra të buxhetit në hartimin e projektligjeve dhe të Gjykatës Kushtetuese.

    “Në aspektin e riformimit të sistemit të drejtësisë është dështim total, në vazhdimësi ka sjellë në Kuvend ligje të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe për këtë do të duhej të jepte llogari edhe për shpenzimet të cilat ja ka bërë buxhetit në hartimin e projektligjeve, por edhe shpenzime që janë krijuar në Gjykatën Kushtetuese të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Përpjekja e saj ka qenë për ta kapur në kontroll sistemin e drejtësisë, dhe jo për ta riformuar atë dhe kjo është dështimi tjetër i ministres. Kjo është një arsye shtesë për të jap dorëheqje, një ministër i ndërgjegjshëm i drejtësisë në momentin që Gjykata Kushtetuese ia rrëzon vetëm një ligj jep dorëheqje. Për Haxhiun kjo është bërë disa herë. Nuk po jep dorëheqje sepse i pëlqen pozita krejt çka ka ndryshuar është vetëm loku i saj asgjë më shumë për të mirën e qytetarëve”, theksoi deputeti.

  • Moti sot me diell, temperatura deri në 33 gradë Celsius

    Moti sot me diell, temperatura deri në 33 gradë Celsius

    Të dielen parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, të cilat më të fokusuara mund të jenë rreth relievit malor.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale

    do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës

    parashihen të lëvizin ndërmjet 29-33 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga veriperendimi e lehtë deri mesatare.

    “Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj këshillohet respektimi i udhëzimeve

    të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thuhet në njoftimin e IHK-së.

    Temperaturat maksimale do të arrijnë në Gjakove dhe Prizren, ndërsa ajo minimale në Dragash.

  • Sadiku del sonte në ring, Osmani i jep kurajo: E gjithë Kosova është me ty

    Sadiku del sonte në ring, Osmani i jep kurajo: E gjithë Kosova është me ty

    Donjeta Sadiku do të jetë sportistja e parë kosovare që do të nisë sonte garat në Lojërat Olimpike Paris 2024, raporton Sinjali Sporti.

    Boksierja kosovare garon sonte përballë, Thamanya Somnuek nga Tajlanda, në raundin e parë të kategorisë -60 kg.

    E përpara këtij dueli, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thurur lavde për boksieren, duke i dhënë kurajo.

    “Në çdo goditje ajo i tregoi botës fuqinë e qëndresës dhe guximit. Jam e bindur se kështu do të vazhdojë edhe sonte, teksa Donjeta Sadiku fillon garat në lojërat olimpike në Paris. Forca Donjetë! E gjithë Kosova është me ty!”, ka shkruar Osmani.

    Meçi nis prej orës 21:05 dhe transmetohet në RTK. Transmetimi bëhet edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po zhvillohet Festivali Olimpik.

  • PDK-ja merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja për të caktuar datën e zgjedhjeve të rregullta

    PDK-ja merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja për të caktuar datën e zgjedhjeve të rregullta

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta.

    Në një konferencë për medie, Çitaku ka thënë se kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

    Ajo ka thënë se kjo ftesë ndërlidhet me zgjedhjet e rregullta.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, ka thënë Çitaku.

  • Situata me zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra ende aktive

    Situata me zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra ende aktive

    Situata me zjarret në Shqipëri vijon të jetë shqetësuese, teksa aktive janë ende 5 vatra.

    Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, 19 prej të cilave janë vënë nënë kontroll.

    Vijon të jetë aktive vatra në vendgrumbullimet e mbetjeve në Vlorë, për të cilin, sipas Ministrisë, janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror dhe subjekte private.

    Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarreve në fshatin Malecaj të Lezhës, në fshatin Torovicë, në fshatin Kameras të Durrësit dhe në Zogaj të Tropojës.

    “Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri. Janë izoluar 19 vatra. 633 forca operacionale të angazhuara për shuarjen e zjarreve. Vijojnë aktive zjarret në vendgrumbullimet  e mbetjeve të bashkisë Vlorë, në fshatin Malecaj Lezhë që vazhdon me intensitet të ulët. Po në këtë bashki, zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes totale. Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras bashkia Durrës. Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë”, njofton ministria.

  • Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga zona humanitare në Gaza

    Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga zona humanitare në Gaza

    Ushtria izraelite urdhëroi më 27 korrik evakuimin e zonave të mbipopulluara të Gazës, të shpallura zona humanitare.

    Ushtria tha se po planifikon një operacion kundër luftëtarëve të Hamasit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Han Junis, përfshirë në pjesë të Muvasit, një kamp i improvizuar me tenda ku janë strehuar mijëra persona.

    Urdhri u lëshua në përgjigje të gjuajtjes së një rakete, që Izraeli tha se u lëshua nga kjo zonë. Ky është urdhri i dytë për evakuim i lëshuar gjatë kësaj jave për zonat e dedikuara për strehimin e palestinezëve, të cilët janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në pjesë të tjera të Gazës. Shumë palestinezë janë zhvendosur disa herë si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit.

    Të hënën, pas një urdhri për evakuim, disa sulme ajrore ruse u kryen përreth Han Junisit, duke vrarë të paktën 70 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila ka cituar të dhënat nga spitali Nasser.

    Kjo zonë është pjesë e “zonës humanitare” me sipërfaqe prej 60 kilometrash katrorë, ku Izraeli u ka thënë palestinezëve që të strehohen si pasojë e luftës.

    Shumica e zonës është e mbushur me kampe me tenda në të cilat ka mungesë të higjienës dhe të ndërtesave shëndetësore. Palestinezët e strehuar në këtë zonë po ashtu kanë qasje të kufizuar në ndihma, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe grupet e ndihmës.

    Afër 1.8 milion palestinezë strehohen në këtë zonë prej 60 kilometrash katrorë, sipas të dhënave të Izraelit. Kjo shifër përbën mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh sa kishte Gaza para luftës.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 39.100 palestinezë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi./REL

  • Konfirmohen 19 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

    Konfirmohen 19 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar se në vendin tonë nga 10 deri më 23 korrik kanë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19.

    IKSHPK njofton se rastet i takojnë grup-moshave nga 0-9 deri 70-79 vjeç, ku grupmosha 30-39 vjeç kishte 4 raste, si grupmosha më e prekur.

    Më tej, IKSHPK thotë se COVID-19 më 5 maj ishte deklaruar si emergjencë globale shëndetësore nga OBSH, por që në disa vende ka pasur raste të reja, duke përfshirë edhe vendin tonë.

    “Më 5 maj 2023, OBSH e ka deklaruar fundin e COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore. Megjithatë, vende të ndryshme të botës dhe kontinentit evropian kanë regjistruar së fundi raste të reja të COVID-19, ndonëse intensiteti i tyre nuk ka reflektuar me rritje të shtrimeve në spitale apo ngarkesa të tjera të theksuara shëndetësore”.

    “Autoritetet shëndetësore si masë kujdesi rekomandojnë praktikimin e masave parandaluese si mënyrën më të thjeshtë për të ulur rreziqet shëndetësore nga COVID-19, duke përfshirë infektimin, format e rënda të sëmundjes, shtrimin në spital apo edhe vdekjen”, thuhet në njoftim.

  • Hovenier për lojërat olimpike: Mezi pres të bëj tifo për Kosovën, sigurisht edhe për ShBA-në

    Hovenier për lojërat olimpike: Mezi pres të bëj tifo për Kosovën, sigurisht edhe për ShBA-në

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka bërë një postim në profilin e tij në “X” për lojërat olimpike që do të mbahen në Francë.

    Ambasadori amerikan ka thënë se mezi pret të bëj tifo për ekipin olimpik të Kosovës dhe sigurisht edhe për atë të SHBA-së.

    Mezi pres të bëj tifo për ekipin olimpik të Kosovës dhe sigurisht ekipit të SHBA. Ju uroj fat të gjithëve!”, ka shkruar Hovenier.

  • Osmani takohet me Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut, flasin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Osmani takohet me Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut, flasin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se sot në mëngjes është takuar me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa.

    Temë bisede mes tyre ishte mbështetja për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe bashkimi i zërave për këtë kauzë.

    “Fuqizimi dhe mbështetja e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës ishte në fokus të diskutimeve tona në një mëngjes të përzemërt sot në Paris me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa. Bashkimi i forcave dhe zërave tanë për të fuqizuar zërin e të mbijetuarve, do të fuqizojë edhe kauzën tonë të përbashkët për drejtësi”, tha ajo.

    Osmani po qëndron në Paris për Lojërat Olimpike e ftuar nga presidenti i Francës.