ATV

Category: Lajme

  • Ukraina vazhdon sulmet ajrore në Kursk

    Ukraina vazhdon sulmet ajrore në Kursk

    Ukraina ka kryer sulme të reja me dronë në rajonin kufitar rus të Kurskut më 13 gusht, një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kritikoi Perëndimin për mbështetjen e inkursionit të befasishëm të Kievit në territorin rus.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 12 dronë mbi rajonin e Kurskut.

    Ukraina ka nisur sulmet në Kursk një javë më parë dhe të hënën pretendoi se ka marrë nën kontroll 1.000 kilometra katrorë në këtë rajon.

    Putin tha një ditë më parë se inkursioni i Ukrainës – më i madhi që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022 – synon të përmirësojë pozicionin negociues të Kievit në bisedimet e mundshme të paqes.

    Duke folur për sulmin, ai tha se Kievi, “me ndihmën e padronëve të tij perëndimorë” po tenton të ngadalësojë përparimin e forcave ruse, në atë që Kremlini i quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.

    Po të hënën, komandanti kryesor i ushtrisë ukrainas, Oleksandr Syrkysi, i tha presidentit Volodymyr Zelensky, se trupat ukrainase po vazhdojnë avancimin e tyre në territorin rus.

    “Ne po vazhdojmë të kryejmë një operacion sulmues në rajonin e Kurskut. Aktualisht, ne kemi nën kontroll rreth 1.000 kilometra katrorë të territorit të Federatës Ruse”, tha ai, sipas një video të publikuar në llogarinë e Zelenskyt në Telegram.

    Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

    Guvernatori në detyrë i Kurskut, Aleksei Smirnov, ka deklaruar se forcat ukrainase kanë hyrë 12 kilometra në rajonin e Kurskut përgjatë një fronti prej 40 kilometrash dhe aktualisht kanë nën kontroll 28 vendbanime ruse.

    Në Kursk si pasojë e luftimeve, 121.000 persona janë evakuuar dhe 59.000 të tjerë janë në proces të evakuimit, thanë zyrtarët lokalë. Ndërkaq, në rajonin rus të Belgorodit, që është ngjitur me Kurskun, 11.000 civilë po ashtu janë evakuuar.

    Forcat ukrainase në Kursk po tentojnë të rrethojnë Sudzhan, ku gazi natyror rus kalon për në Ukrainë, ndërkaq një betejë e madhe po zhvillohet afër Korenevos, rreth 22 kilometra larg kufirit dhe në Martinovka, sipas blogerëve rusë të luftës.

    Forcat ajrore ukrainase thanë më 13 gusht se Rusia gjatë natës ka kryer 38 sulme me dronë dhe me dy raketa balistike, të llojit Iskander-M.

    Sipas ushtrisë, 30 dronë u shkatërruan mbi tetë rajone ukrainase.

    Ndërkaq, autoritetet në rajonin ukrainas të Sumit raportuan për një person të plagosur dhe për dëmtime në një linjë të furnizimit me energji elektrike dhe në një tubacion të gazit.

    Sulmi po ashtu ka shkaktuar dëme në një spital, thanë autoritetet.

    Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonet veriore ukrainase që kur forcat e Kievit kanë nisur inkursionin e tyre në rajonin e Kurskut./rel/

  • Gjendja në pikëkalimet kufitare, pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova momentalisht në Merdarë

    Gjendja në pikëkalimet kufitare, pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova momentalisht në Merdarë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë një përditësim të ri mëngjesin e së martës mbi gjendjen aktuale në pikëkalimet kufitare për hyrje-dalje nga Kosova.

    Sipas përditësimit të ri, pritjet më të gjata për dalje nga Kosova janë në Merdarë me rreth 30-40 minuta pritje, teksa te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 10 minuta e kolonat deri në 100 metra.

    Më poshtë gjendja momentale e të gjitha pikëkalimeve kufitare.

  • MPB: Konfiskuam 46 armë nëpër ahengje vetëm gjatë korrikut

    MPB: Konfiskuam 46 armë nëpër ahengje vetëm gjatë korrikut

    Ministria e Punëve të Brendshme ka ndarë statistikat për incidentet e të shtënave me armë në ahengje gjatë muajit korrik.

    Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ka pranuar 53 raportime nga qytetarët, ka hapur 55 raste, ka konfiskuar 46 armë, ka konfiskuar 472 municione, ka arrestuar 42 persona dhe raporton se 1 person është plagosur.

    “Bashkëpunimi është thelbësor në parandalimin e tragjedive që mund të shkaktohen nga gjuajtjet me armë zjarri.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

  • Jashari dekoron personelin e Gardës Kombëtare të Ajovës për kontributin e jashtëzakonshëm

    Jashari dekoron personelin e Gardës Kombëtare të Ajovës për kontributin e jashtëzakonshëm

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dekoroi personelin mjekësor të Gardës Kombëtare të Ajovës.

    Kjo si në shenjë mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të mjekësisë ushtarake.

    Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes një postimi në Facebook, bën me dije se personeli i Gardës Kombëtare të Ajovës i ka ofruar mbështetje të vazhdueshme Regjimentit të Mjekësisë së FSK-së, përmes ofrimit të trajnimeve për personelin mjekësor, po ashtu edhe duke ofruar ekspertizë dhe mbështetje profesionale për Regjimentin e Mjekësisë. Ata kanë qenë gjithashtu thelbësor gjatë gjithë procesit të ngritjes se kapaciteteve mjekësore, deri në validimin e këtyre kapaciteteve për Role 1.

    “KOMFSK vlerësoi lartë kontributin dhe ndihmën që Garda Kombëtare të Ajovës kanë dhënë në funksion të ngritjes së kapaciteteve mjekësore në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu së bashku u dakorduan për bashkëpunim të mëtutjeshëm në zhvillim të mëtutjeshëm të këtyre kapaciteteve”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Presidentja emëron Edona Malokun ambasadore të Kosovës në Portugali

    Presidentja emëron Edona Malokun ambasadore të Kosovës në Portugali

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se e ka emëruar Edona Malokun, ambasadore të Kosovës në Portugali.

    Në platformën X, Osmani ka thënë se është e kënaqur me emërimin që e ka bërë duke e quajtur Malokun një akademike dhe profesioniste e dalluar.

    “Jam e bindur se njohurit dhe angazhimi i saj do të jenë të paçmueshme, ndërsa punojmë drejt thellimit të lidhjeve të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe aleatit tonë Portugalisë”, ka thënë Osmani.

  • Temperaturat e larta, MSh-ja paralajmëron se mund të marrë masa për kufizimin e orarit të punës

    Temperaturat e larta, MSh-ja paralajmëron se mund të marrë masa për kufizimin e orarit të punës

    Ministria e Shëndetësisë ka apeluar qytetarët që gjatë ditëve kur temperaturat janë të larta, të ndjekin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

    Në një postim në faqen zyrtare, MSh-ja thotë se kjo thirrje bëhet për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

    Po ashtu, kanë paralajmëruar se varësisht nga situata meteorologjike, nëse është e nevojshme MSh-ja do të ndërmarrë masa për kufizimin e orarit të punës.

    “Të dashur qytetarë, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë, ju lutemi të ndiqni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për të mbrojtur shëndetin tuaj.

    Në varësi të zhvillimit të situatës meteorologjike, nëse është e nevojshme, Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë masa për kufizimin e orarit të punës”, thuhet në njoftim.

  • Bislimi mbështet protestën në Bujanoc: Fqinji ynë verior në vazhdimësi shkel të drejtat e shqiptarëve

    Bislimi mbështet protestën në Bujanoc: Fqinji ynë verior në vazhdimësi shkel të drejtat e shqiptarëve

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se Qeveria mbështet shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët sipas tij, vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore.

    Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se kërkesa e tyrë për respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, ka thënë Bislimi.

    Sipas tij, zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e cila mungon nga fqinji ynë verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar.

  • Shuhen 36 vatra zjarri në Shqipëri, 11 mbeten aktive

    Shuhen 36 vatra zjarri në Shqipëri, 11 mbeten aktive

    Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka njoftuar se në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 47 vatra zjarri.

    Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.

    Në raportimin mbi situatën e zjarreve në vend, kjo ministri bëri të ditur se, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit.

    Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë, shkruan ATSH.

    Kjo ministri njoftoi gjithashtu se nën bashkërendimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura Shqiptare kanë përforcuar përpjekjet e ekipeve të pushtetit vendor, dhe kanë izoluar vatra të rrezikshme në terrene të vështira.

  • 10 shtetet me më së shumti medalje në Olimpiadën e Parisit

    10 shtetet me më së shumti medalje në Olimpiadën e Parisit

    Të dielën mori fund edicioni i sivjetmë i Lojërave Olimpike, Parisi 2024.

    Në ditën e fundit amerikanët arritën të dalin në krye të tabelës me 40 medalje të arta, po aq sa patën kinezët të cilët kishin udhëhequr pothuajse gjatë gjithë kohës.

    Mirëpo, numri i medaljeve të argjendta, 44, bëri që ShBA-ja ta kalonte Kinën në renditje.

    Ata gjithsej patën 126 medalje (përfshirë 42 të bronzit), teksa kinezët gjithsej 91, 27 të argjendta dhe 24 të bronzta.

    Në vendin e tretë erdhi Japonia me 20 të arta, 12 të argjendta, 13 të bronzta, dhe 45 gjithsej.

    Australia doli e katërta me 18 të arta, 19 të argjendta dhe 16 të bronzta – 53 gjithsej.

    Nikoqirja, Franca, mblodhi 16 të arta, 26 të argjendta, 22 të bronzta – gjithsej 64.

    Holanda pati 15 medalje të arta, shtatë të argjendta dhe 12 të bronzta – gjithsej 34.

    Britania e Madhe numëroi 14 medalje të arta, 22 t argjendta dhe 29 të bronzta – gjithsej 65.

    Koreja e Jugut fitoi 13 të arta, nëntë të argjendta dhe dhjet të bronzta – gjithsej 32.

    Italia shkoi në shtëpi me 12 të arta e 132 të argjendta, e 215 ë bronzta – gjithsej 40.

    Top dhjetëshen e mbylli Gjermania me 12 të arta, 13 të argjendta dhe tetë të bronzta – gjithsej 33.

  • Arrestohet një burrë në Han të Elezit, dyshohet se sulmoi fizikisht dy zyrtarë policorë

    Arrestohet një burrë në Han të Elezit, dyshohet se sulmoi fizikisht dy zyrtarë policorë

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një burrë në Han të Elezit nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.

    Sipas raportit 24-orësh të PK-së, rasti ka ndodhur të shtunën.

    “Rr. UÇK, Hani i Elezit / 11.08.2024 – 19:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarët policor meshkuj kosovarë të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e plotë të Policisë.