ATV

Category: Lajme

  • Hajdari: Ambulancat specialistike me orar të zgjatur – zvogëlohet koha e pritjes dhe evitohen tollovitë

    Hajdari: Ambulancat specialistike me orar të zgjatur – zvogëlohet koha e pritjes dhe evitohen tollovitë

    Pacientët që kërkojnë shërbime në ambulancat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, së shpejti do ta kenë një lehtësi, pasi aty do të punohet me orar të zgjatur. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari.

    Drejtori i QKUK-së, ka thënë se brenda ditës ambulancat specialistike e vizitojnë rreth 2 mijë njerëz, andaj e konsiderojnë të nevojshme zgjatjen e orarit të punës.

    Në kuadër të kësaj, Osmani ka thënë se janë proces të krijimit të sistemit për termine online, e cila zvogëlon kohën e pritjes dhe eviton tollovinë.

    “Realisht edhe çështjen e Ambulancave e kemi bërë një fizibilitet në kuadër të disa objektivave, si në infrastrukturë, çështjen e pajisjeve, e digjitalizimit mirëpo një poentë shumë e rëndësishme është e ambulancat specialistike ku në pjesën e dytë të tetorit do të jetë sistemi i radhës i vendosur në ambulancat specialistike, ku së paku e krijon një lloj barazie sa i përket çështjes së marrjes së terminit për kontrolle që ndodhin në ambulancat specialistike”.

    “Atje, aktualisht digjitalizimi i asaj pjese është një program i cili nuk e ngritë në sistem çështjen e terminëve online, jemi duke bërë përpjekje në këtë drejtim që shumë shpejtë kalohet edhe në terminët online që thjesht ata qytetarë të cilët mund të mos me qenë fizikisht për ta bërë terminin, kështu që do ta shfrytëzojnë natyrisht aplikacionet e ndryshme qoftë përmes telefonave të mençur apo edhe thirrjeve telefonike, ku thjesht terminët do të jenë online edhe përmes telefonit, në mënyrë që të organizohemi sa më efektiv. Natyrisht orari i punës do të jetë objekti tjetër që do të respektohet maksimalisht dhe natyrisht që planifikojmë me zgjat (orarin e punës) dhe njëkohësisht programi i ambulancave do t’i shkurtojmë disa burokraci teknike të cilat ndodhin”, ka thënë Hajdari.

    Osmani ka thënë se në ambulancat specialistike shpesh herë krijohet tollovi e panevojshme, pasi funksionon me dy sektorë, atë të pranimit dhe pagesës. Andaj, e ka menduar edhe një zgjidhje.

    “Çështja e pagesës dhe çështja e terminit. Aktaualisht janë dy sektorë: sektori i pranimit dhe sektori i pagesës dhe qytetari mjafton të humb të të dyja sportelet për shërbimin e njëjtë. Do të jetë një qendër e integruar me një ndalesë, ku qytetari e bën terminin, vizitohet direkt te mjeku dhe raporti gjenerohet në deskun e informacionit dhe pacienti lëviz dhe e kryen shërbimin”, u shpreh Hajdari.

    Si problematikë tjetër për QKUK-në janë edhe referencat e pacientëve nga Qendrat e Mjekësisë Familjare, për shkak të mungesës së Spitalit të Prishtinës. Si zgjidhje, është menduar krijimi i programit për të zgjedhur mjekun, ku fillimisht duhet t’i nënshtrohet mjekësisë familjare.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës për shkak të mungesës së një spitali rajonal të Prishtinës, shpesh herë kemi referime nga Qendrat e Mjekësisë Familjare por ka edhe shumë qytetarë referohen direkt. Thjesht vjen dhe shpesh herë kuadri mjekësor për të mos e kthyer e trajton, kështu që krijohet edhe një fluks i njerëzve. Konsideroj që Ministria e Shëndetësisë përmes programit për ta zgjedhur mjekun, edhe kjo do të trajtohet me seriozitet ku secili pacientë do t’i nënshtrohet mjekësisë familjare, shpesh herë disa shërbime të cilat iu ofrojnë njësitë e shërbimit familjar në nivel komunal, kanë edhe sistem të radiologjisë, kanë sistem edhe diagnostik dhe shpesh herë shumë qytetarë ato shërbime i bëjnë në QKUK duke na ngarkuar në kuptimin e pacientëve. Natyrisht që është një fluks i madh, ashtu siç është e potencova ku ka një lëvizshmëri rreth 6-7 mijë njerëz brenda ditës në QKUK, rreth 2 mijë njerëz lëvizin në ambulancat specialistike. Kështu që është një fluks i jashtëzakonshëm”, u shpreh Hajdari.

  • Kontingjenti i 31-të hungarez i KFOR-it nis shërbimin në Kosovë

    Kontingjenti i 31-të hungarez i KFOR-it nis shërbimin në Kosovë

    Kontingjenti i 31-të i Forcave të Mbrojtjes Hungareze ka filluar shërbimin e tij gjashtëmujor në KFOR.

    Ceremonia e dorëzimit të komandës u mbajt më 28 shtator në kampin Novo Selo – e kryesuar nga gjeneralmajor Ozkan Ulutash, komandanti në largim i KFOR-it.

    Ndër të tjera, në këtë aktivitet mori pjesë edhe Bela Bozsik, ambasadore e Hungarisë në Kosovë.

    Nënkolonel David Szent-Imrey, komandant i kontingjentit të 30-të të modulit hungarez të KFOR-it ia dorëzoi udhëheqjen e kontingjentit hungarez nënkolonelit Tibor Dancs.

    Gjeneralmajor Ozkan Ulutash falënderoi nënkolonelin Szent-Imrey “për udhëheqjen dhe shërbimin e shkëlqyer”, ndërsa i uroi mirëseardhjen nënkolonelit Dancs dhe i uroi atij shërbim të suksesshëm.

    Paqeruajtësit hungarezë kanë shërbyer në Ballkanin Perëndimor që nga viti 1995 dhe kanë marrë pjesë në KFOR që nga viti 1999. Aktualisht, kontributi hungarez në KFOR vjen nga dy skuadrilje manovrash, njësi zbulimi dhe ushtarë të dislokuar në shtabin, logjistikën dhe detyrat mbështetëse.

  • Sulmet e qenve endacakë në QKUK, Ramës i bëhet thirrje të ndërmarrë masa të menjëhershme

    Sulmet e qenve endacakë në QKUK, Ramës i bëhet thirrje të ndërmarrë masa të menjëhershme

    Një neurolog i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është sulmuar dhe kafshuar nga qen endacakë gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

    Lidhur me këtë, ka reaguar anesteziologia, Kumrije Shabani.

    Ajo i ka kërkuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, që të ndërmarr masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe.

    “Është e papranueshme që profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët të jetojnë në frikë për jetën dhe sigurinë e tyre për shkak të dështimit të menaxhimit të këtij problemi.  Z. Rama, kërkoj nga ju që të ndërmerrni masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe. Kafshimet nga qentë endacakë nuk mund të jenë më një ngjarje e zakonshme në qytetin tonë. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve është prioriteti kryesor. Ftoj urgjentisht që të adresoni këtë situatë dhe të jepni llogari për vonesat e zgjidhjes së saj”, ka shkruar Shabani në Facebook.

  • Erdogan të enjten në Shqipëri, të premten në Serbi

    Erdogan të enjten në Shqipëri, të premten në Serbi

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të vizitojë kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën javën e ardhshme.

    Ai do të jetë në Shqipëri me 10 tetor dhe do të qëndrojë për disa orë, ndërsa më 11 tetor do të jetë në Serbi.

    Në Tiranë, presidenti Erdogan do të pritet nga kryeministri Edi Rama, me të cilin do të zhvillojë një takim bashkë me kabinetet përkatëse, si vijueshmëri e zbatimit te marrëveshjeve.

  • Të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë, dyshohet për një person të plagosur

    Të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë, dyshohet për një person të plagosur

    Një incident ka ndodhur para pak minutash në Mitrovicë, ku ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast një person është plagosur.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë të Jugut, teksa raportohet se viktima është plagosur me armë në këmbë dhe sipas policisë, i njëjti është duke marrë trajtim mjekësor në spital.

    Akoma nuk dihen shkaqet që kanë çuar te ky incident.

    Lajmi në përditësim…

     

  • Haradinaj i reagon Kurtit: 211.789 persona e braktisën Kosovën në 4 vjetët e fundit – ky s’është migrim, por dyndje

    Haradinaj i reagon Kurtit: 211.789 persona e braktisën Kosovën në 4 vjetët e fundit – ky s’është migrim, por dyndje

    “Pikërisht ashtu siç e patëm paraparë, liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin. Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen”.

    Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Pas kësaj deklarate të kryeministrit ka reaguar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    “211.789 persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Mashtrimi i ndryshimit të madh të pushtetit shumë shpejt doli në pah dhe kjo i shtyri njerëzit që në masë të madhe dhe heshturazi zgjidhjen e problemeve ekonomike ta kërkojnë në rrugët e botës”.

    Haradinaj kërkoi të mos keqkuptohet meqë, sipas tij, është e drejtë njerëzore lëvizja, por thotë se ikja në Kosovë është “fenomen që po merr karakter të dyndjes”.

    “Të mos keqkuptohemi, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë migrim nga vendet e Ballkanit, pra edhe nga Kosova për në vendet perëndimore. Është e drejtë njerëzore e drejta për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo çka po ndodhë në Kosovë në këto katër vite nuk është më vetëm migrim, por ky fenomen po merr karakter të dyndjes. Kosova nuk ka problem migrimi por ka problem dyndjeje të popullatës”.

    Haradinaj thotë se “qe katër vjet Kosova ka regres ekonomik e assesi progres”.

    “Pagat e njëjta, çmimet e larta, perspektiva zero. Qeveria vazhdon sjelljen e papërgjegjshme. Nuk e pranon problemin por e vazhdon mashtrimin se më shumë po kthehen se sa që po shkojnë e të gjithë e dimë se askush nuk po kthehet. Kjo qasje urgjent duhet të ndryshojë!”.

  • Ministrja e Drejtësisë thotë se në Prokurori ka përmendur emra të prokurorëve si pjesë të grupeve të interesit

    Ministrja e Drejtësisë thotë se në Prokurori ka përmendur emra të prokurorëve si pjesë të grupeve të interesit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kur ishte ftuar për intervistim në Prokurori ka përmendur emra prokurorësh si pjesë të grupeve të interesit.

    Ajo ka thënë se për dy ditë ‘ishte mbajtur në prokurori” vetëm pse kishte deklaruar se prokurorë e gjyqtarë kanë tentuar të funksionojnë sikurse me qeveritë e kaluara duke i krijuar favore njëri-tjetrit.

    “Unë ju kam thënë jo. Unë kam përmendur emra të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në fakt të prokurorëve, por duket se tani nuk i kanë ftuar në intervistë prokurorët. Më kanë ftuar veç mua. Sepse emrat e prokurorëve që kam përmend janë pjesë e grupeve të interesit aty”, ka thënë ministrja e Drejtësisë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

    Haxhiu ka thënë se mund të ftohet sërish për këtë deklaratë.

    “Por, s’ka lidhje, le të më ftojnë edhe pas këtij takimi…”, ka thënë ai.

    Më 22 korrik, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar është intervistuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për t’i sqaruar deklaratat në një emision televiziv dhe postimin në Facebook rreth arratisjeve nga burgjet e Kosovës. Një ditë më vonë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas intervistimit nga Prokuroria, kishte thënë se dikujt po i pengon puna e Qeverisë për reformën në drejtësi.

     

  • Izraeli kryen sulme ajrore në Bejrut dhe në veri të Libanit

    Izraeli kryen sulme ajrore në Bejrut dhe në veri të Libanit

    Izraeli ka zgjeruar bombardimet në Liban më 5 tetor, duke goditur periferitë në jug të Bejrutit përmes 12 sulmeve ajrore dhe duke sulmuar një kamp të refugjatëve palestinezë në veri të Libanit.

    Kjo është hera e parë që Izraeli ka sulmuar veriun e Libanit. Sulmi në kampin Bedavi, afër Tripolit në veri, la të vrarë një komandant të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – si dhe gruan dhe dy vajzat e tij, njoftoi grupi palestinez.

    Tripoli gjendet në veri dhe është shumë larg nga shumica e sulmeve të kryera nga Izraeli, që kryesisht janë përqendruar në jug të Libanit dhe Bejrut.

    Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të Hamasit në Liban që kur nisi mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në tetor të vitit të kaluar. Izraeli po ashtu ka vrarë udhëheqës të lartë të Hezbollahut, që është grup militant dhe parti politike që kontrollin shumicën e jugut të Libanit.

    Të paktë gjashtë persona janë vrarë në dhjetëra sulme ajrore që Izraeli kreu gjatë natës dhe të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Liban.

    Ushtria izraelite tha se forcat speciale kanë kryer bastisje të shënjestruara tokësore kundër infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit, duke shkatërruar raketa, raketahedhës, kulla vrojtimi dhe depo të armëve. Ushtria tha po ashtu se ka shkatërruar tunele që Hezbollahu, sipas saj, i ka përdorur për t’iu afruar kufirit izraelit.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, e cila ka ulëse në Parlamentin libanez.

    Afër 1.400 libanezë, përfshirë luftëtarë të Hezbollahut dhe civilë, janë vrarë dhe rreth 1.2 milion të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në fund të shtatorit, me qëllim që të dëmtojë grupin e Hezbollahut dhe ta dëbojë atë nga kufiri. Më herët gjatë javës, Izraeli nisi ofensivë tokësore në jug të Libanit. Në ditët e fundit, nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë betejave me Hezbollahun në jug të Libanit, ka thënë ushtria.

    Në dy javët e fundit, pothuajse 375.000 persona janë larguar nga Libani për në Siri për shkak të luftimeve, sipas të dhënave të Qeverisë libaneze.

    Teksa po vazhdojnë luftimet në Liban, Izraeli po ashtu është duke vazhduar luftën në Gazë kundër Hamasit. Më 5 tetor, në veri të Gazës dhe në pjesën qendrore të enklavës janë vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, gjatë sulmeve izraelite, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

    Hamasi sulmoi veriun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë, sulm që nxiti luftën në Gazë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë pothuajse 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë./REL

  • Rritja e manganit në Badoc, KRU “Prishtina” shpërndan ujë të pijshëm përmes autobotëve në disa lagje

    Rritja e manganit në Badoc, KRU “Prishtina” shpërndan ujë të pijshëm përmes autobotëve në disa lagje

    Pasi që niveli i manganit është rritur në Liqenin e Badocit, me ç’rast është apeluar që uji të mos pihet por vetëm të përdoret për pastrim, uji i pijshëm ka filluar të shpërndahet përmes cisternave në Prishtinë.

    Ujë u shpërnda në rrugën “Muharrem Fejza” pika 1 dhe 2, në Graçanicë, te Xhamia, rruga” Romska”. në rrugën” Shaqir Igrishta” në lagjen Bregu i Diellit, në rrugën ” Ndue Përleshi”, në Hajvali, në rrugën “C” pika 1 dhe në disa lokacione të tjera.

    Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, ka shpërndarë fotot në Facebook ku shihet duke u mundësuar qytetarëve të marrin ujë përmes cisternave.

  • Zelensky do t’ua prezantojë aleatëve “planin e fitores”

    Zelensky do t’ua prezantojë aleatëve “planin e fitores”

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të prezantojë “planin e fitores” të Kievit, gjatë takimit të radhës me aleatët perëndimorë, që do të mbahet në Gjermani.

    “Ne do të prezantojmë planin e fitores, hapa të qartë dhe specifikë për përfundimin e drejtë të luftës”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale më 5 tetor, duke iu referuar pushtimit të Ukrainës që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

    Takimi i 25-të i mbi 50 aleatëve dhe partnerëve, që njihet si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, do të mbahet në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermani më 12 tetor.

    Duke iu referuar strategjisë si “paqe përmes forcës”, Zelensky tha se “plani i fitores parasheh forcimin e nevojshëm të Ukrainës”.

    Presidenti ukrainas tha se Kievi veçse ka nisur diskutimet me Shtetet e Bashkuara, mbështetësin kryesor të Ukrainës gjatë luftës, dhe shtoi se “ne do të përfshijmë të gjithë partnerët”.

    Zelensky nisi të përmendte “planin për paqe” të Ukrainës në gusht dhe më pas njoftoi se ai ishte pothuajse gati dhe përmbante “katër pika kyçe dhe një që duhet të zbatohet pas luftës”.

    Gjatë vizitës në Uashington muajin e kaluar, ai ia prezantoi planin presidentit amerikan, Joe Biden, si dhe dy kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit: nënpresidentes demokrate, Kamala Harris, dhe ish-presidentit republikan, Donald Trump.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha atëbotë se plani përmbante “një numër hapash produktivë”.

    Shumë pak dihet për planin. The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë anonimë amerikanë ka raportuar se ata kanë thënë se plani në thelb është një kërkesë e ripërtërirë për më shumë armë dhe kërkesa që shtetet që i kanë dhuruar Kievit armë me rreze të gjatë, ta lejojnë Ukrainën që t’i përdorë ato për të sulmuar thellë brenda territorit rus.

    Gjatë takimit të aleatëve të Ukrainës në Gjermani, Zelensky pritet të takohet me Bidenin./REL