ATV

Category: Lajme

  • Aksident i rëndë në Fier, vdes një 21-vjeçar

    Aksident i rëndë në Fier, vdes një 21-vjeçar

    Një aksident i rëndë ndodhi mesditën e së shtunës në, në aksin rrugor “Fier-Vajkan”, midis një motori dhe një automjeti.

    Si pasojë e përplasjes, 21-vjeçari është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në kryeqytet ku për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë disa orë më vonë,

    Drejtuesi i automjetit, shtetasi M. Ç., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ka raportuar Euronews albania.

  • PDK e LDK e konsiderojnë Kurtin si “koka e korrupsionit”: Aferat e skandalet e kanë përcjellë Qeverinë

    PDK e LDK e konsiderojnë Kurtin si “koka e korrupsionit”: Aferat e skandalet e kanë përcjellë Qeverinë

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë akuzuar partinë në pushtet për keqpërdorime dhe afera korruptive. Theks të veçantë i kanë dhënë gjendjes në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

    PDK e LDK akuzojnë Qeverinë Kurti edhe për numrin e madh të kontratave njëburimore, të cilën e konsiderojnë si burim të korrupsionit.

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë për Ekonomia Online se aferat e skandalet e kanë përcjellë katërvjeçarin e kësaj Qeverie. Ka thënë se vetëm për dy vite, 106 milionë euro kanë qenë vlerat e kontratave njëburimore në KEK.

    “Nëse e shohim prej kësaj perspektivë të Kuvendit, pra si deputetë ky është numri më i madh i seancave të jashtëzakonshme dhe debateve parlamentare të cilat i kemi thirr pikërisht për keqpërdorime që kanë ndodhur në dikastere ministrore të Republikës së Kosovës, numri i keqpërdorimeve dhe numri i aferave duket të jetë jashtëzakonisht i madh, prej çështjet se ambalazhuesve të ujit, ku është një mega skandal dhe një aferë jashtëzakonisht e madhe. Flasim për kontratat një burimore mjafton me pa vetëm Korporatën Energjetike të Kosovës, ku e sheh që për dy vite kanë bërë kontrata një burimore rreth 106 milionë eurove”, ka thënë Tahiri, teksa përmend dy dikastere me numrin e madh të kontratave njëburimore. Ka thënë se çmimi i këtyre kontratave negociohet në tavolinë dhe përjashtohet ligji i prokurimit.

    “Kjo nuk ka ndodhur më herët në historinë e Republikës së Kosovës, dhe nuk guxon të përsëritet ndërsa kur e sheh qoftë Infrastrukturën apo Ministrinë e Kulturës që numrin e kontratave një burimore që për qytetarët me pasur qartësi janë kontratat të cilat negociohen në tavolinë dhe është çmim që i vendoset në tavolinë, çmimi duhet të vendoset si rezultat i një konkurueshmërie, këtu nuk flasin për diçka të tillë, mirëpo flasin për vendosjen e çmimeve në tavolinë. Pa dyshim që kontrata të tilla në vete ngërthejnë skandale korruptive sepse ato janë të kundërligjshme sepse ligji e cakton qartë se kur duhet të jetë një kontratë një burimore apo kur duhet të jetë një kontratë sekrete ku përjashtohet ligji i prokurimit”, ka thënë tutje Tahiri.

    Shefi i deputetëve të PDK-së ka thënë se kanë thirrur disa herë seancë të jashtëzakonshme për këto keqpërdorime.

    Krahas kontratave njëburimore, Tahiri ka thënë se kanë thirru disa herë seancë edhe për siç i quan skandale tjera. Përmend çështjen e rezervave shtetërore dhe ushqimin në FSK. Shpreh bindjen në qeverisjen e ardhshme, kryeministër do të jetë kandidati i tyre, Bedri Hamza.

    “Muajt e fundit kemi ftuar katër seanca të jashtëzakonshme për keqpërdorime duke filluar nga ushtria e Kosovës, çështjen e rezervave shtetërore, aferat janë të mëdha, këtu vetëm një gjë është pozitive që jemi në prag të zgjedhjeve, dhe në mandatin e ardhshëm do të kemi një Qeveri të re që do të jetë kryeministri i ardhshëm Bedri Hamza. Numri i kontratave sekrete dhe një burimore tregon diçka të tillë, pra në anën tjetër ne po shohim pak punë, cili është progresi në arsim, në infrastrukturë, a janë shpenzuar mjete një burimore për me rregulluar spitalet tona. Ne nuk po shohim rregullim a janë shpenzuar mjete burimore për të rregulluar gjendjen e arsimit tonë. Janë diku 14 miliardë euro të shpenzuar për këtë mandat qeverisës të kësaj Qeverisë”, u shpreh Tahiri.

    E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Albin Kurti, jo që nuk i shkarkon zyrtarët qeveritar të korruptuar por edhe i mbron ata.

    Sipas tij, fakti që nuk shkarkohen tregon bashkëpunimin e kryeministrit Albin Kurti me zyrtarët e akuzuar për korrupsion.

    “Kjo parti ka 15 vite që kur ishte në opozitë tentonte që të bindte qytetarët e Kosovës që të gjitha qeveritë para tyre ishin të korruptuar dhe kriminel e deri tek tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë, mirëpo në këto katër vite që ishin në pushtet të vetëm, kanë treguar që janë totalisht të korruptuar. Është e paimagjinueshme që një parti e cila menaxhohet ngushtë nga një njeri i vetëm nga Kurti kaq shumë ministra të jenë të korruptuar dhe Kurti të mos jetë i vetëdijshëm. Vetë fakti që asnjëri nga ministrat nuk ka tentuar që ta shkarkojë por në fakt secili prej tyre dhe ambasadorët si Berishaj dhe secilin funksionuar të kësaj partie e cila është duke u hetuar për korrupsion, Kurti ka dalë dhe e ka mbrojtur se beson në pafajësinë e tyre”, u shpreh Mustafa, duke thënë se “koka e korrupsionit” është vetë kryeministri Albin Kurti.

    “Është e qartë që koka e këtij korrupsioni është vetë Kurti, në të kundërtën nuk do t’i mbronte këta të korruptuar dhe do t’i shkarkonte. Fakti që i mbron do të thotë që është i njoftuar dhe është në bashkëpunim dhe në koordinim ose në monitorim ose nën urdhrin e vet zotrit Kurti bëhet i gjithë ky korrupsion në Qeverinë e tij në këto katër vitet e fundit. Shihet qartazi në ato incizime që Kusari-Lila nuk i ka mohuar shihet qartazi që Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka qenë vazhdimisht në koordinim me Listën Serbe për ligjet më vitale të këtij vendi, kanë tentuar të bëjnë një lojë kinse po koordinohet për Ligjin për Pagën Minimale, por ajo ka prekur drejtpërdrejtë të gjithë veteranët e luftës, dhe njëkohësisht sa herë që Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si jo kushtetuese veprimet e ligjet e kësaj Qeverie ata e kanë sulmuar si gjykatë të kapur”, ka deklaruar Mustafa.

  • Moti sot, diell dhe vranësira, temperaturat shkojnë deri në 15 gradë Celsius

    Moti sot, diell dhe vranësira, temperaturat shkojnë deri në 15 gradë Celsius

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 15 gradë Celsius.

    “Në mëngjes parashihet të krijohet mjegull e radiacionit. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Serbia nis hetime pas shembjes së strehës në Novi Sad që la 14 të vdekur

    Serbia nis hetime pas shembjes së strehës në Novi Sad që la 14 të vdekur

    Serbia ka nisur të shtunën hetime për shembjen e një strehe betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, që ka rezultuar me vdekjen e 14 personave.

    Për shembjen është raportuar të premten, ndonëse moti ka qenë i mirë, me diell.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar përgjatë natës për t’i nxjerrë të vdekurit dhe të lënduarit nga rrënojat prej betoni.

    Në stacionin në Novi Sad, qytet rreth 70 kilometra në veriperëndim të Beogradit, janë kryer punime për rinovimin e tij.

    Ministri i Transportit, Goran Vesiq ka thënë se hetimet që kanë nisur në Novi Sad, do të përfshijnë edhe Institutin shtetëror të Trafikut, kompani shtetërore për hekurudha, dhe një konsorcium kinez, që ka kryer punimet për renovim.

    “Hetimet do të vërtetojnë kush i ka marrë vendimet dhe kush ka vënë nënshkrimet, kush ka qenë i angazhuar për të kontrolluar cilësinë e punimeve”, ka thënë Vesiq për televizionin shtetëror.

    Vesiq, kompania shtetërore hekurudhore, Instituti shtetëror i Trafikut dhe konsorciumi kinez, kanë thënë se pjesa e shembur e ndërtesës nuk ka qenë pjesë e rinovimeve.

    Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se 20 persona do të intervistohen të shtunën lidhur me këtë katastrofë, përfshirë zyrtarë të ministrisë që janë të ngarkuar për këto çështje.

    “Do të sigurohet edhe dokumentacioni për ndërtesën… kush i ka marrë vendimet”, ka thënë Daçiq.

    Autoritetet e kanë shpallur të shtunën ditë zie.

    Njerëzit janë parë duke dërguar lule dhe duke ndezur qirinj afër zonës së incidentit.

    Opozita serbe, e cila akuzon autoritetet besnike ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për korrupsion enorm dhe nepotizëm, ka bërë thirrje për protesta në Novi Sad, më vonë gjatë ditës, raporton REL.

    Vuçiq dhe aleatët e tij, hedhin poshtë këto pretendime.

    Vetë Vuçiq është zotuar të premten se do të ketë drejtësi dhe ka kërkuar ndëshkime të ashpra për përgjegjësit.

  • HERONJTË QË SFIDUAN VDEKJEN

    HERONJTË QË SFIDUAN VDEKJEN

    Shkruan: Demir Reshiti

    Prishtinë, 2. 10. 2024 – 35 vjet më parë, më 2 nëntor 1989, uturima e mjeteve të blinduara dhe e makinerisë së luftës bashkë me aradhen e bashkuar të policisë speciale të shoqëruara edhe me helikopterë kishin mësyrë dhe e kishin vënë rrethimin për t’i kapur ilegalët Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Ata u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë, dhe pas një lufte të madhe që bënë, ranë si bien trimat në fushën e nderit. Qëndresa e tyre jepte porosinë që kumbonte fuqishëm dhe tregonte qartë, se akti i trimërisë është vepra që ngre peshë zemrat e liridashësve deri në heroizëm të pashoq. E si mund të dorëzoheshin trimat, kur i priste beteja për ta mundur vdekjen?

    2 nëntori është treguesi më i mirë dhe amaneti që lanë Fahriu dhe Afrimi për të gjallët, për forcat ilegale të cilat vepronin kundër pushtuesit. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, mbyllën sytë duke e kryer obligimin kombëtar ashtu siç dinë vetëm pasardhësit e denjë të Vojo Kushit e Perlat Rexhepit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Prandaj heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, proklamonte fillimin e një epoke të re, ku do të fuqizoheshin përpjekjet për organizimin cilësor të luftës sonë për çlirim, ku do të niste seriozisht organizimi i popullit në luftë të armatosur.

    Afrimi e shndërroi burgun në shkollë të përgatitjes për rezistencë të armatosur

    Afrim Zhitia lindi në vitin 1965 në fshatin Llugë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Afrimi rrjedh nga një familje e cila që herët i kishte kundërshtuar pushtuesit. Ngjarjet e mëdha të vitit 1981 Afrimin e gjetën nxënës të vitit të dytë të shkollës së mesme në Prishtinë. Më 1 dhe 2 prill të ‘81- demonstratat u përhapën në të katër anët e Kosovës. Në ballë të këtyre ngjarjeve qëndronte Afrimi i cili nga pozitat e një atdhetari të mirëfilltë, nuk mund të qëndronte i qetë e indiferent para gjithë kësaj që po ndodhte dhe sidomos para faktit të moszgjidhjes së çështjes sonë kombëtare.

    Afrimi i kishte vënë vetes për detyrë që të luftonte deri në fund për çlirimin e tokave shqiptare. I përgatitur mirë ngaqë kishte lexuar shumë dhe me afërsinë e dashurinë që tregonte ndaj të tjerëve Afrimi u bë frymëzues për të tjerët që edhe ata të nisin rrugën e vështirë por që s’kishte tjetër – rrugën plot sakrifica të lirisë.

    Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Ndërsa, më 1984 arrestohet bashkë me shumë shokë, dhe dënohet me katër vjet burg. Pas arrestimit që ia bën organet e sigurimit të pushtuesit dhe dënimit që ia dhanë ata, ai qëndroi stoikisht. Burgun e mbajti në Pozharevc. Burgu që vuajti ai qe në të vërtetë ndryshe ngaqë mendonin pushtuesit. Ai burgun e shndërroi në shkollë të përgatitjes së vet e të të tjerëve. Afrimi nuk u dorëzua; ai nuk u thye e as nuk u ligështua për asnjë moment, por nga burgu doli edhe më i përgatitur se ç’ishte më parë.

    Pas daljes nga burgu ai u inkuadrua në radhët e LPRK-së. Afrimi nuk rrinte. Ai me të gjitha mundësitë i kontribuonte në çdo moment zgjidhjes së çështjes sonë. Në kuadrin e kontakteve të shumta me të rinj shqiptarë që merreshin me punë ilegale vetë koha dhe përpjekjet e përbashkëta, rruga që kishin zgjedhur ata të dy i takoi Afrimin e Fahriun për t’i lidhur ata fort me njëri-tjetrin. Afrimi ishte vërtet një shok çfarë e kishte dëshiruar Fahriu dhe anasjelltas. Ata bashkë mund të bënin çdo gjë duke qenë të bindur se deri në fund do të vazhdojnë ecjen në po këtë rrugë.

    Zaten edhe Afrimin e Fahriun dhe Fadil Vatën dhe veprimtarët tjerë të kohës vetë koha i nxori në ballë të rrjedhave që po shënonin një kthesë të madhe historike. Kosova ziente nga protestat, demonstratat e grevat, dhe edhe Afrimi, Fahriu e shokët tjerë ashtu siç kudo ngjanin këto vlime ashtu edhe ata ishin kudo. Koha u kishte ngarkuar një detyrë tepër të vështirë. Në njërën nga demonstratat e pranverës së vitit 1989, Afrimi, demonstruesve që zienin përbrenda nga urrejtja për pushtuesit u drejtohet me një fjalim.

     

    Thirrja e organeve të pushtuesit, në qershor të vitit 1989, që Afrimi të shkojë në shërbim ushtarak të pushtuesit, nuk e ndau nga përpjekjet e mëdha që kishte bërë e synonte t’i bënte. Ai nuk mundi të durojë sjelljet e organeve të pushtuesit ndaj tij dhe duke e parë se Kosova dhe çështja kombëtare kishte nevojë për kontributin e tij ai u arratis nga radhët e ushtrisë pushtuese dhe nisi jetën e rëndë dhe të vështirë të ilegalit. Këto vështirësi nuk e lëkundën e nuk e hamendën për asnjë çast Afrimin.

    Afrim Zhitia me punën e vet të palodhshme me vetëmohimin prej një atdhetari të shquar hyri dhe u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, pjesës më të ndritshme të saj. Ata shkuan edhe drejt vdekjes pa iu trembur syri, duke përsëritur vetëm pesë vite më vonë epopenë e lavdishme të rënies së dy trimave të tjerë shqiptarë, rënien heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.

    Edhe në fund të jetës së tyre u gjenden në ballë të përpjekjeve, ashtu siç nuk pushuan asnjë çast. Më 2 nëntor të dy bashkë, shokë ideali Afrimi me Fahriun u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit dhe pas një lufte të madhe që bën ata të dy u vranë nga dora e gjakatarëve për të mos vdekur kurrë. Krisma e pushkëve të tyre theri kupën e qiellit mbi Prishtinë, dhe kjo jehonë u ndje edhe më larg, gjer atje ku jeton shqiptari. Kjo luftë zhvillohej në Kodër të Diellit, në Prishtinë, në zemër të Kosovës. Ai gjak që u derdh e iu bashkua lumit të gjakut të të rënëve tjerë, nxjerr para nesh porosinë e qartë të tyre. Jeta e secilit prej nesh është asgjë kur është në pyetje atdheu. Krisma e pushkëve të tyre e qau qiellin, dielli hapi lirisht rrezet e tij mbi atdheun tonë të robëruar.

    Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut

    Fahri Fazliu – Fatmiri lindi në vitin 1963 në Llaushë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Demonstratat e përgjithshme popullore të vitit 1981 Fahriun e gjetën në shkollën e mesme. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i tyre ku u shqua për vendosmëri dhe guxim. Këto ngjarje do ta kalisin atë si patriot dhe revolucionar.

    Pas kryerjes së shkollës së mesme shkon në shërbim ushtarak në vitin ’81-’82. Gjatë kësaj periudhe ai iu nënshtrua presioneve e provokimeve nga më të ndryshmet, por nuk u thye për asnjë moment. Të gjitha këto provokime iu bënë vetëm pse Fahriu reagonte ndaj padrejtësive që iu bëheshin atij dhe shokëve të tij vetëm pse ishin shqiptarë.

    Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, Fahriu u lidh më tepër me hallet e popullit duke u bërë shembull i veprimit revolucionar. Krahas punës ilegale, pasi u punësua si dispeçer i trenave në Organizatën Hekurudhore “Prishtina”, ai do të jetë i pari që urdhëresat do t’i shkruajë në gjuhën amtare, me çka u thoshte pushtuesve dhe veglave të tyre se gjuhë e këtij vendi është gjuha shqipe. Për qëndrim të këtillë u suspendua disa herë nga puna, por duke iu falënderuar shokëve të tij të punës do ta kthejnë prapë. Në vendin ku punonte pati rast të takohej me shumë nga ata që shkonin t’i vizitonin të afërmit e tyre nëpër kazamatet jugosllave. Ai iu ndihmonte atyre me aq sa kishte mundësi.

    Fahriu ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Ndërtimtarisë, ndërsa kishte edhe tre provime për të diplomuar në Shkollën e Lartë të Komunikacionit në Zagreb. Në valën e protestave, grevave, demonstratave të vitit ’88-’89, ai ishte pjesëmarrës aktiv dhe njëri nga organizatorët e tyre. Në këtë kohë kur minatorët gjendeshin në zgafelle ai ishte në sallë, në mesin e studentëve të cilëve u jepte zemër të qëndrojnë deri sa të jetë e nevojshme.

    Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – komponentë këto që aq bukur gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut, patjetër do të japin efektet e tyre. Në ngjarjet e marsit dhe të majit të vitit 1989 atë e gjeje kudo: ishte në Prishtinë, në Ferizaj, në Besianë etj.

    Vrasjet e shumta, plagosjet, arrestimet e keqtrajtimet do ta pikëllojnë Fahriun, por nuk do ta thyejnë asnjëherë sepse ishte i bindur se vetëm populli shqiptar mund dhe do ta detyrojë pushtuesin të tërhiqet përgjithmonë nga këto troje, pra se vetëm përpjekjet e pandërprera, lufta e pandërprerë me të gjitha mjetet dhe pasurimi i kësaj lufte me forma të reja e më të larta organizimi, janë garanci se mund të fitohet liria.

    Flaka e luftës për çlirim do ta lidhë ngushtë me Afrim Zhitinë dhe Fadil Vatën, lidhje këto që do të këputen vetëm pas vdekjes (me Afrimin edhe vdekjen e bënë së bashku, kurse Fadili do të vdesë pas disa muajsh). Në tetor Fahriu me shokë do të konstatojnë: “Situata është eksplozive, mjafton një xixë që ajo të shpërthejë në tërë Kosovën”. Veprimtaria e dendur e tij organizative do të hetohet nga UDB-ja, por edhe ai shumë shpejt e hetoi përcjelljen që i bëhej dhe si revolucionar dhe militant do të thoshte: “I gjallë nuk bie në dorë të armikut”.

    Më 2 nëntor 1989, Fahriut i vihen pas dhe atë së bashku me Afrim Zhitinë i rrethojnë në banesën e babait të tij. Të betuar njëherë se nuk i bien të gjallë në dorë armikut, kërcyen nga dritarja dhe tentuan ta çajnë rrethimin. Duke çarë rrethimin Afrimi plagoset rëndë, kështu që të dy detyrohen të barrikadohen në Hyrjen e VII-të. Nga ajo se si ishte përgatitur armiku dukej se bëhej luftë përmasash të mëdha. Inspektorë, policë, ushtarë me armë më moderne dhe autoblindë luftonin kundër dy të rinjve me vetëm dy armë, por me dy zemra të guximshme trimash, të brumosura me patriotizmin revolucionar të popullit tonë dhe idealin e madh për lirinë e Kosovës. Që nga ora 12 e 45 minuta deri në ora 19 nuk ndalen të shtënat. Shovinistët serbomëdhenj dhe sahanlëpirësit e tyre duke parë heroizmin e këtyre dy trimave, nuk mundën t’i pranonin vetes se ata ishin vetëm dy, prandaj me mjetet e informimit në TV e Radio gjatë tërë ditës manipulohej me numrin e të barrikaduarve: thuhej se janë barrikaduar 6 pastaj 4 etj.

    Kjo luftë e pabarabartë përfundoi atëherë vetëm kur UDB-ja kriminale vuri në dispozicion të gjitha mjetet, madje përdori edhe helme kimike. Fahri Fazliu me një plumb në ballë edhe një në këmbë dhe Afrim Zhitia me shtatë plumba në trup dhe një në ballë ranë heroikisht në luftën e nderit, ranë që të fitojnë përjetësinë.

    LAVDI!

    Autori i shkrimit pranë varrit të Afrim Zhitisë
  • Kurti e Konjufca në përvjetorin e 35-të rënies së Afrim Zhitia e Fahri Fazliu: Heronjtë do të kujtohen përherë

    Kurti e Konjufca në përvjetorin e 35-të rënies së Afrim Zhitia e Fahri Fazliu: Heronjtë do të kujtohen përherë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në nderim të 35-vjetorit të rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Kurti e Konjufca thanë se heronjtë do të kujtohen përherë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se një ditë para se të bien heroikisht, Zhitia e Fazliu kishin marrë pjesë në demonstratat e një nëntorit në vitin 1989.

    “Saktësisht para 35 vjetëve, në lagjen ‘Bregu i Diellit’ tek hyrja e tretë e bllokut të tretë ku luftuan, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, deri sa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për debimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu ynë. Afrimi edhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jasht sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstrative dhe shumë të fuqishme, dhe shume të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht kanë marrë pjesë në demonstratat e një nëntorit në vitin 1989 me ç’rast masës së demonstruesve I është drejtuar Afrim Zhitia. Në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë luftëtarët më të pa epur dhe heronjët e popullit tonë që janë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe shumë e shumë të tjerë”, tha Kurti.

    E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se porosia e tyre atë kohë ishte që “më mirë të vdiset me armë në dorë kundër serbisë, kundër okupatorit se sa të jetojmë në robëri”.

    “Liria e Kosovës erdhi sepse kishte çlirimtarë si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, porosia e tyre ishte e qartë ‘më mirë të vdiset me armë në dorë kundër serbisë, kundër okupatorit se sa të jetojmë në robëri’. Ata jo vetëm se ishin luftëtar e çlirimtar por ishin edhe intelektual të mëdhenjë, veprat e tyre shkrimet e tyre mendimi I tyre politik na frymëzon sot e kësaj dite”, tha Konjufca.

  • Haradinaj për nder të 35-vjetorit të rënies Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu: Pa sakrificën e heronjve, nuk do të kishte mbërri liria

    Haradinaj për nder të 35-vjetorit të rënies Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu: Pa sakrificën e heronjve, nuk do të kishte mbërri liria

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe me rastin e 35-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.

    Haradinaj tha se pa sakrificën e heronjve, nuk do ta kishte mbërri liria.

    “Në përvjetorin e rënies heroike të heronjve tanë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, nderojmë këtu ku pushojnë e po ashtu, nderojmë edhe tek vendi i rënies. Nuk ndalemi asnjëherë me i kujtu e nderu, vitet kalojnë por e vërteta mbetet e njëjtë. Pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur për liri, nuk do ta kishim mbërri lirinë”, tha Haradinaj.

  • Përfshihet nga zjarri kati i dytë i një shtëpie në Ferizaj, nënë e bijë kërcejnë nga dritarja – dërgohen për trajtim në QKUK

    Përfshihet nga zjarri kati i dytë i një shtëpie në Ferizaj, nënë e bijë kërcejnë nga dritarja – dërgohen për trajtim në QKUK

    Një grua bashkë me vajzën e saj të mitur ka kërcyer nga dritarja, meqë kati i dytë i shtëpisë së tyre ishte përfshirë nga zjarri. Si pasojë e kërcimit, kanë pësuar lëndime trupore.

    Policia ka bërë me dije se viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

    Rasti ka ndodhur në Ferizaj.

    “Ferizaj 01.11.2024-17:45. Raportohet se është përfshi nga zjarri kati i dyti i një shtëpie. Si pasojë e zjarrit, viktima femër kosovare, së bashku me vajzën e saj të mitur, ka kërcyer nga dritarja dhe kanë pësuar lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar zjarrin. Për shkak të lëndimeve, viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

  • Amerika do e ndihmojë Ukrainën edhe me afro 400 milionë euro ndihmë ushtarake

    Amerika do e ndihmojë Ukrainën edhe me afro 400 milionë euro ndihmë ushtarake

    Pentagoni ka njoftuar se do të dërgojë një ndihmë ushtarake shtesë prej 425 milionë dollarësh (392 milionë euro) për Ukrainën, ndërsa Kievi përgatitet të përballet me forcat ruse të përforcuara nga më shumë se 10 mijë ushtarë koreanë të Veriut.

    Paketa e re e ndihmës, e shpallur nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, përfshin armë që do të nxirren nga depot ekzistuese të SHBA-së, duke përfshirë interceptors për sistemet e mbrojtjes ajrore, municione për Sistemet e Raketimeve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, si dhe artileri 155 mm, mjete të blinduara dhe armë kundër tankeve.

    Kjo paketë ndihme e shpallur nga Pentagoni e çon totalin e ndihmës ushtarake që SHBA ka ofruar për Ukrainën që nga fillimi i luftës ruse në shkurt 2022 në 60.4 miliardë dollarë (55 miliardë euro).

    Në qytetet lindore të Ukrainës vazhdojnë sulmet nga raketat ruse, përfshirë një sulm në Kharkiv me një bombë 500 kilogramëshe, e cila goditi një kompleks apartamentesh, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.

    Rusia ka filluar të përdorë gjithnjë e më shumë bomba të fuqishme për të goditur pozitat ukrainase përgjatë vijës së kontaktit prej 1 mijë kilometrash dhe për të sulmuar qytete që ndodhen dhjetëra kilometra nga fronti.

    Ukraina po përballet gjithashtu me pasiguri të reja, pasi valë ushtarësh koreanë të Veriut të dërguar në Rusi kanë arritur pranë kufirit të Ukrainës dhe janë duke u përgatitur të bashkohen në luftë kundër trupave ukrainase në ditët në vijim.

  • Disa lagje në Prishtinë kanë mbetur pa ujë, KRU “Prishtina” del me sqarim

    Disa lagje në Prishtinë kanë mbetur pa ujë, KRU “Prishtina” del me sqarim

    Që nga dita enjte, banorët në rrugën “Rrustem Statovci”, afër Parkut të Qytetit në Prishtinë nuk kanë fare ujë.

    Situata më mirë nuk duket të jetë edhe në lagje të tjera. Edhe banorët e lagjes së Spitalit kanë mbetur pa ujë që nga dita e premte.

    Ndërkaq nga KRU “Prishtina”, ka dal me njoftim ku thuhet se janë në identifikim të problemve.

    “E kuptojmë shqetësimin tuaj kur nuk ka ujë. Kur kemi punime të planifikuara e kemi obligim ligjor që të njoftojmë 24 orë më herët. Por, duhet ta keni parasysh që kur ka punime të paplanifikuara por defekte që ndodhin aty për aty është krejt diçka tjetër. Kohët e fundit, probleme me furnizim me ujë kanë pasë pjesa që furnizohet nga Badovci, por jo edhe nga Batllava apo Shkabaj. Në pjesën që furnizohet nga Badoci, sidomos rruga B, rruga C apo edhe një pjesë e lagjes Bregu i Diellit problemet shpesh nuk kanë ardhë nga ne, por nga prekja e paautorizuar e valvolave të ujit, andaj jemi në identifikim të problemeve“, thuhet në njoftim.