ATV

Category: Lajme

  • Gjermania goditet nga temperatura rekord

    Gjermania goditet nga temperatura rekord

    në tubave spërpatëse të ujit për t’u freskuar gjatë nxehtësisë së verës në Këln, Gjermania perëndimore, më 25 qershor 2026.
    Gjermanët janë përgatitur për mot përvëlues të shtunën, pasi një valë e të nxehtit, e lidhur me dhjetëra vdekje në Evropën Perëndimore, pritet të zhvendoset drejt lindjes, pasi temperaturat thyen rekord duke kaluar mbi 40 gradë Celsius.

    Britania, Franca, Zvicra dhe Gjermania kanë përjetuar temperatura rekord gjatë muajit qershor, ndërsa sistemi i motit mund të vendosë rekorde të tjera teksa kalon nga Gjermania drejt Polonisë.

    Të premten, pranë qytetit Zarbruken, afër kufirit me Francën, u regjistrua një rekord i ri kombëtar prej 41.3 gradë Celsius, tha një zëdhënës i Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Gjermanisë, duke theksuar se matja ishte fillestare.

    Shërbimi meteorologjik lëshoi paralajmërime për nxehtësi ekstreme pothuajse në gjithë Gjermaninë të shtunën, ndërsa autoritetet u kërkuan qytetarëve ta kursejnë ujin.

    Në Francë, dhjetëra persona, të rinj e të moshuar, kanë humbur jetën gjatë valës së të nxehtit.

    Temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor dhe prodhimin e energjisë elektrike, kanë çuar në ndalimin e konsumit të alkoolit në disa zona, pezullimin e mësimit në shkolla dhe shtyrjen e aktiviteteve në natyrë.

    “Vala e të nxehtit do të arrijë kulmin gjatë fundjavës, me temperatura shumë mbi 40 gradë në disa pjesë të Gjermanisë”, tha Karsten Brandt, meteorolog në faqen e parashikimeve të motit Donnerwetter.de.

    Organizatorët e Kampionatit Evropian Ironman në Frankfurt njoftuan se garat e çiklizmit dhe vrapimit, që zhvillohen të dielën, do të shkurtohen për shkak të temperaturave të larta.

    Përballë rrezikut të dëmtimeve në infrastrukturë, si deformimi i rrugëve dhe zgjerimi i shinave të trenit, disa ofrues të mëdhenj të shërbimeve publike kanë ndërmarrë masa për ta kufizuar trafikun.

    Andre Berghegger, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Gjermane të Qyteteve dhe Komunave, u bëri thirrje qytetarëve ta përdorin ujin me kursim për shkak të valës së të nxehtit.

    “Duhet të mbështetemi sa më gjatë të jetë e mundur te bashkëpunimi vullnetar; autoritetet lokale duhet të vendosin ndalime vetëm nëse kjo nuk funksionon”, tha ai për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung.

    Parashikohet që temperaturat më ekstreme të fillojnë të bien gjatë fundjavës, ndërsa të dielën priten stuhi të forta.

    Në mbarë Evropën, monumente kulturore janë detyruar të mbyllen, bujqësia ka pësuar dëme dhe disa spitale kanë hasur në vështirësi për ta përballuar fluksin e pacientëve.

    Sipas Reuters Climate Monitor, vala e të nxehtit ka rritur temperaturat deri në 18 gradë mbi mesataren sezonale dhe po nxitet nga një fenomen atmosferik i njohur si “Omega block”.

    Ky model atmosferik bllokon një masë të madhe ajri të nxehtë mbi një rajon për periudha të gjata, ndërsa ajri më i freskët mbetet në skajet e saj.

    Kërkesat për freskuese elektrike është rritur ndjeshëm dhe prodhuesit aziatikë të pajisjeve të ajrit të kondicionuar kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve në Evropë.

    Shumica e banesave në Evropën Veriore janë ndërtuar për të ruajtur nxehtësinë gjatë dimrit, dhe jo për të mbajtur ambientet të freskëta gjatë verës.

    Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se kjo valë e të nxehtit do të fillojë të zhvendoset në fund të muajit, duke prekur Evropën Qendrore dhe Ballkanin.

    Shkencëtarët thonë se kjo valë e të nxehtit do të kishte qenë praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut./REL

  • ShBA-ja e godet Iranin në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    ShBA-ja e godet Iranin në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer sulme kundër shënjestrave në Iran të premten, në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Këto zhvillime të reja përbëjnë kërcënim për armëpushimin e brishtë të arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit ditë më parë.

    “Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) kryen sulme kundër Iranit më 26 qershor, si përgjigje e fuqishme ndaj sulmit të djeshëm mbi një anije tregtare që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit”, tha ushtria amerikane në rrjetet sociale.

    Sulmet ndodhën pak pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tha gazetarëve: “Do ta zbuloni”, kur u pyet nëse SHBA-ja do t’i përgjigjej sulmeve të raportuara me dronë nga Irani më 25 qershor kundër anijeve të mallrave në ngushticë.

    Në një postim në rrjetet sociale para se të njoftohej për sulmet, Trump shkroi se Irani kishte lëshuar katër dronë kundër anijeve tregtare në ngushticë.

    “Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transporti mallrash. U shkaktuan dëme, por anija ishte në gjendje të vazhdonte rrugën e saj. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë”, shkroi Trump.

    Në një postim në X, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se “dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë”.

    “Irani nënshkroi një marrëveshje armëpushimi. Ne e kemi nderuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për mënyrën se si po zbatohet Memorandumi i Mirëkuptimit (MOU), mund të telefonojnë. Por, dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë”, shkroi ai.

    Irani dhe SHBA-ja pritet të rifillojnë negociatat teknike në Zvicër pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi (MOU), i cili synon t’i japë fund luftës në Iran dhe në gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin.

    Armëpushimi vazhdon të jetë i brishtë, ndërsa të gjitha palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e tij.

    Mediat shtetërore iraniane thanë se një predhë goditi zonën pranë një moli në Sirik, në jug të Iranit, një rajon që goditet rregullisht nga forcat amerikane.

    Në përgjigje, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), thanë se marina e tyre ka sulmuar objektiva ushtarake amerikane në rajon, raportuan mediat shtetërore, megjithëse ky informacion nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

    Ngushtica e Hormuzit ishte bllokuar më herët nga Irani, por ishte rihapur rishtazi pasi Teherani dhe Uashingtoni po përpiqen ta negociojnë një marrëveshje përfundimtare paqeje.

    CENTCOM tha se avionët luftarakë amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh iranianë, si dhe stacione radari bregdetare, pasi Teherani goditi më 25 qershor anijen e mallrave M/V Ever Lovely, me flamur të Singaporit, me një dron vetëvrasës.

    “Agresioni i pajustifikuar kundër anijeve tregtare nga forcat iraniane përbënte shkelje të qartë të armëpushimit. Për më tepër, sjellja e rrezikshme e Iranit minoi lirinë e lundrimit, ndërkohë që tregtia po kalon gjithnjë e më shumë përmes këtij korridori jetik të tregtisë ndërkombëtare”, thuhej në deklaratë.

    CENTCOM tha se forcat e saj “vazhdojnë të ofrojnë koordinim për kalim të sigurt dhe mbështetje për anijet tregtare që kalojnë nëpër ngushticë”.

    Një zyrtar i lartë amerikan i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se gjashtë avionë amerikanë kryen sulme ndaj katër objektivave brenda Iranit, përfshirë instalime radarësh dhe depo raketash e dronësh në zonën bregdetare të Sirikut.

    Zyrtari tha se objektivat ndodheshin përgjatë bregdetit jugor të Iranit pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në ishullin Qeshm.

    Më 26 qershor, Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk mund të garantohet pa koordinim me Teheranin.

    Liria e lundrimit nëpër ngushticë është bërë një nga çështjet qendrore në përpjekjet për të siguruar një marrëveshje afatgjatë mes SHBA-së dhe Iranit, pasi Teherani e mbylli këtë rrugë ujore pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite më herët gjatë këtij viti.

    Para luftës, rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalonte përmes kësaj ngushtice.

    Disa incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë gjatë periudhës së armëpushimit, por palët janë zotuar ta ruajnë armëpushimin e përgjithshëm./REL

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur të premten në rrugën “Nazim Gafurri”, të premten.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare, është gjetur pa shenja jete nga familjarët. Njësit relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

  • Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

    Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate për media thekson se po përcjellë me vëmendje deklaratat e fundit publike të anëtarëve të Kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike të vendit.

    Oda Amerikane shpreh besimin se prioritetet e paraqitura nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit.

    “Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje. Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”, thuhet në reagim.

    Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar.

    Tutje thuhet se është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë.

    “Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit.

    Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj. Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.OEAK thekson se kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse shumë shtete evropiane kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane.

    “Përtej aspektit ekonomik, këto vendime janë udhëhequr nga objektiva strategjike për diversifikimin e burimeve të furnizimit, zvogëlimin e varësisë nga një numër i kufizuar furnizuesish dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Në realitetin e ri gjeopolitik, energjia nuk trajtohet më vetëm si mall tregtar, por si komponentë kyçe e politikës së sigurisë dhe i partneriteteve strategjike. Prandaj, Kosova nuk guxon të mbetet jashtë këtij transformimi.

    Pikërisht për këtë arsye, Oda Amerikane beson fuqishëm se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit duhet të mbetet ndër objektivat kryesore strategjike të Kosovës”.

    Oda amerikane thekson më tej se në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

    “Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.

    Kapacitetet gjeneruese me bazë LNG janë ndër teknologjitë komercialisht të gatshme që mund të ndërtohen brenda një periudhe prej vetëm dy deri në tre vitesh. Për më tepër, projekte të tilla kanë mundësi dukshëm më të mëdha të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa ndërtimi i kapaciteteve të reja me bazë qymyri. Po aq e rëndësishme është të kuptohet se LNG-ja nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Përkundrazi, ajo është teknologjia që mundëson integrimin e një sasie shumë më të madhe të energjisë nga era dhe dielli, duke siguruar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e një sistemi modern elektroenergjetik”.

    Sipas OEAK-ut, në anën tjetër, gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet si pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por ai nuk mund të adresojë nevojat urgjente të Kosovës për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për realizim, ndërsa mundësia e sigurimit të financimit mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim.

    “Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron se Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitetet e reja gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të saj vendore.

    Politikat energjetike nuk duhet të maten vetëm me koston fillestare të investimit, por me aftësinë e tyre për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të parashikueshme dhe prodhim vendor të energjisë elektrike. Përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do t’i mundësonte vendit ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në afatin më të shkurtër të mundshëm, do të rriste ndjeshëm sigurinë energjetike, do të forconte konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe do ta thellonte më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Duke u bazuar në atë që u tha më sipër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ripërsërit qëndrimin e saj se në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende evropiane po e shohin LNG-në amerikane si një investim strategjik në sigurinë e tyre energjetike dhe kombëtare, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”. /Telegrafi/

     

  • Zhduket një vajzë në Prishtinë

    Zhduket një vajzë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të zhdukjes në Prishtinë.

    Policia në raportin 24-orësh bën të ditur se rasti po hetohet.

    “Rr. Ismet Krasniqi, Prishtinë 16.06.2026 – NN. Një mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vendndodhjen e saj”, thuhet në raport. /Telegrafi/

     

  • Grabiten tri shtetase të Kolumbisë në Prishtinë, iu merren katër telefona dhe 300 euro

    Grabiten tri shtetase të Kolumbisë në Prishtinë, iu merren katër telefona dhe 300 euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të grabitjes në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani”, më 17 qershor, në ora 22:00.

    “Më 26.06.2026 tri viktimat femra shtetase të Kolumbisë, kanë raportuar se gjashtë persona të dyshuar meshkuj i kishin përcjell viktimat deri tek banesa e tyre dhe të njëjtit i kishin futur viktimat në një dhomë dhe nën kërcënimin e thikës u kanë grabitur 4 telefona dhe 300 euro”, thuhet në raport.

    Të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur, ndërkaq rasti po hetohet. /Telegrafi/

     

  • Deponuan para të falsifikuara në bankomat, Policia heton rastin në Prishtinë

    Deponuan para të falsifikuara në bankomat, Policia heton rastin në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një zyrtar i një banke ka raportuar se persona të panjohur kanë deponuar në bankomatin e bankës monedha dhe kartëmonedha në vlerë 664 euro të cilat dyshohet që janë të falsifikuara.

    Rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë.

    “Rr. Nënë Terezë, Fushë Kosovë 10.02.2026 – 23.06.2026. Ankuesi mashkull kosovar zyrtar në një bankë, ka raportuar se persona të panjohur kanë deponuar në bankomatin e bankës monedha dhe kartëmonedha në vlerë 664 euro të cilat dyshohet që janë të falsifikuara”, bëhet e ditur në raport.

    Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

  • MINT njofton për çmimet e derivateve sot

    MINT njofton për çmimet e derivateve sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit zyrtar, nafta është caktuar me çmim maksimal prej 1.37 euro për litër, benzina 1.34 euro për litër, ndërsa gazi 0.67 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në njoftimin e radhës, respektivisht deri ditën e nesërme.

  • Tentoi të përplaste me veturë vjehrrën, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

    Tentoi të përplaste me veturë vjehrrën, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

    Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë nënën e bashkëjetueses së tij duke e goditur me automjet.

    Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05 të së shtunës, në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë. I riu, i identifikuar me inicialet C. B., banues në Tiranë, dyshohet se fillimisht ka shkuar për të marrë bashkëjetuesen e tij, por në atë moment kanë dalë familjarët e saj. Për motive që lidhen me konfliktet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e saj, K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Lezhës dhe operacionit të koduar “Reagimi”, i dyshuari është lokalizuar, kapur dhe arrestuar.

    E dëmtuara është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor.

    Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur në ngjarje si provë materiale, ndërsa ndaj 28-vjeçarit rëndon akuza për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.

    Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë për veprime të mëtejshme.

  • Hoxha takohet me Konjufcën, diskutohet ‘koordinimi i ngushtë’ për integrimin në BE

    Hoxha takohet me Konjufcën, diskutohet ‘koordinimi i ngushtë’ për integrimin në BE

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut në Kroaci.

    Hoxha ka bërë të ditur për takimin përmes një postimi në platformën “X”, ku tha se me Konjufcën kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë dhe rajon, si dhe për dinamikat evropiane me interes të përbashkët.

    Ai theksoi se, ndërsa Kosova ndodhet në proces të analizimit të rezultateve zgjedhore dhe formimit të institucioneve të reja, Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kjo kërkon koordinim dhe shkëmbim të vazhdueshëm idesh ndërmjet dy vendeve.

    “Shkëmbimi i ideve, analizave dhe qasjeve, si dhe koordinimi i ngushtë me synim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, mbeten çelësi për avancimin e interesave tona reciproke e të përbashkëta”, ka shkruar Hoxha.

    Ai shtoi se veprimi i përbashkët dhe vizioni i qartë për të ardhmen do të ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimit të Kosovës, si dhe perspektivën euroatlantike të rajonit.