ATV

Category: Lajme

  • Inflacioni global pritet të qëndrojë i lartë deri në vitin 2028

    Inflacioni global pritet të qëndrojë i lartë deri në vitin 2028

    Ekonomistët presin që norma globale e inflacionit të mbetet e lartë deri në vitin 2028, sipas një sondazhi të ri të publikuar të martën.

    Sondazhi i kryer nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) dhe Instituti Ekonomik Zviceran (KOF), parashikon se në vitin 2025, norma mesatare e inflacionit në mbarë botën do të ishte 3.9%, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Inflacioni global parashikohet të bjerë në 3.5% në vitin 2026, thanë ekonomistët, duke shtuar se në terma afatgjatë deri në vitin 2028, pritjet e inflacionit janë gjithashtu në 3.5%.

    Për më tepër, ekonomistët parashikojnë se variacionet rajonale në normat e inflacionit do të jenë të rëndësishme.

    Inflacioni në vitin 2024 ishte më i ulët se mesatarja globale në Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe Azinë Juglindore, përkatësisht 2.1%, 2.6% dhe 2.9%.

    Me 7.4% për Azinë Jugore, 33.6% për Amerikën e Jugut, 37.2% për Afrikën e Veriut dhe 27.6% për Afrikën Lindore, parashikimet e inflacionit për vitin 2025, megjithatë, janë më të larta se mesatarja globale.

    Rreth 1,398 ekonomistë nga 125 vende të ndryshme morën pjesë në anketë.

  • ​Përpjekje masive për të ndihmuar të mbijetuarit e zjarreve në Los Anxhelos

    ​Përpjekje masive për të ndihmuar të mbijetuarit e zjarreve në Los Anxhelos

    Në qytetin Los Anxhelos vazhdojnë përpjekjet e ndihmave masive për dhjetëra mijëra banorë që kanë humbur shtëpitë e tyre ose janë evakuuar nga zjarret që kanë shkatërruar këtë zonë që nga java e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, njofton nga selia e konventave në Pasadena, e cila është shndërruar në një strehë për të evakuuarit.

    Banorja e qytezës Altadena, Danielle Williams thotë se humbi gjithçka nga zjarri, përveç rrobave që kishte në trup dhe macet e saj. Apartamenti i motrës së saj është shkrumbuar. Por nuk dihet nëse shtëpia e të atit të saj ende qëndron, shkruan VOA, transmeton KosovaPress.

    “Oborri pas shtëpisë është përpirë nga zjarri. Ende po luftojnë me flakët. Organet e rendit janë kudo. Fatkeqësisht, në lagjen e tij po ndodhin plaçkitje në masë. Ky është një shqetësim tjetër”, thotë zonja Williams për Zërin e Amerikës.

    Të gjithë njerëzit në radhë kanë humbur shtëpitë e tyre. Ata po presin për një ndihmë të vogël me para në dorë nga fondacioni jofitimprurës “California Fire”.

    19-vjeçari Hank Donovan thotë se i gjithë blloku i shtëpive ku ai jetonte është djegur.

    “Jam rritur aty që nga mosha shtatë vjeçare me bashkëmoshatarët e lagjes. Të gjithë kemi pothuajse të njëjtën moshë dhe e konsiderojmë njëri-tjetrin si pjesëtar të familjes. Lagja ku jemi rritur është shkrumbuar. Shkolla e mesme dhe kolegji nuk na largoi nga njëri-tjetri, duket që zjarri është i vetmi që mundi ta shpërbëjë bllokun”.

    Zjarrfikësit ndihmuan Josh Erdman-in dhe Armen Sark-in të gjenin unazat e martesës pasi shtëpia e tyre u dogj.

    “Ata çanë murin e shtëpisë dhe krijuan një hapësirë për të ndihmuar në gjetjen e unazave. Rrëmuam nëpër hi dhe rrënoja dhe pas rreth 40 minutash gjetëm dy unazat tona origjinale”.

    Agjencitë qeveritare, bizneset private dhe organizatat jofitimprurëse po punojnë për të ndihmuar të evakuuarit, me veshje apo për të gjetur dokumentet bazë që u duhen.

    Një qendër për strehimin e kafshëve në Pasadena po kujdeset për më shumë se 350 kafshë shtëpiake, pronarët e të cilave nuk mund t’i merrnin me vete në qendrat e evakuimit, thotë Kevin McManus, zëdhënës i organizatës jofitimprurëse “Pasadena Humane”.

    “Ata nuk pranuan të shkonin në qendrat e evakuimit pa siguruar një strehë për kafshët e tyre. Ndaj ne hapëm dyert për ta, dhe u thamë se do të kujdesemi për to. Ata nuk duhet të shqetësohen për kafshët në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”.

    Ritchie Ramos, banor i lagjes Los Feliz, dhuroi ushqime dhe sende të tjera për kujdesjen e kafshëve.

    “Më bën të ndihem mirë kur ndihmoj, kur shikon përreth gjithë këta njerëz të mirë dhe bujarë. Duhet të dhurojmë, të mbështesim dhe frymëzojmë njëri-tjetrin sa të mundemi”.

    Mbështetja ka qenë aq e madhe për strehimoret dhe stacionet e zjarrfikësve sa autoritetet po u kërkojnë njerëzve të mos sjellin më ushqime apo sende që prishen, por të bëjnë donacione monetare.

  • Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për vrasje në tentativë, e theri me thikë një person në Gjilan

    Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për vrasje në tentativë, e theri me thikë një person në Gjilan

    Prokuroria në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të dyshuari për “tentim vrasje”.

    E.H. dyshohet se më 13 nëntor të vitit të kaluar ka tentuar ta privojë nga jeta L.H. duke e goditur me thikë.

    Viktima fillimisht ishte dërguar në emergjencën e spitalit rajonal në Gjilan e më pas është transferuar në QKUK.

    I dyshuari ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale.

    “Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se më datën 13 nëntor 2024, në Gjilan, i pandehuri E.H., ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin L.H., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake verbale, me thikë e godet të dëmtuarin një herë në pjesën e shpatullës së majtë, ku pasi ndërhyjnë dëshmitarët dhe e largojnë i njëjti ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa, i dëmtuari si pasojë e plagës së marrë fillimisht dërgohet në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, pastaj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore transferohet në QKUK.”

    Policia sot njoftoi se i dyshuari është arrestuar dje.

    “VRASJE NË TENTATIVË- Rr. Isa Boletini, Gjilan / 13.11.2024-20:21. Lidhur me rastin me 13.01.2025 është arrestuar i dyshuari kosovar, dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Ministri britanik: Kosova e Serbia të jenë konstruktive në dialog

    Ministri britanik: Kosova e Serbia të jenë konstruktive në dialog

    Ministri britanik për Evropë, Stephen Doughty, nga parlamenti i Britanisë së Madhe i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

    Ky reagim i tij vjen pas pyetjes që deputeti britanik, Paul Foster, i cili është anëtar në grupin “Miqtë Laburistë të Kosovës”, lidhur me marrëveshjen e sigurisë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    “Derisa isha në Kosovë u takova me presidenten dhe kryeministrin që ishin seriozisht të shqetësuar për hyrjet në kufirin e tyre verior, ku janë të stacionuar trupat e KFOR-it midis tyre dhe Serbisë.A mund të ofrojnë ministrat tanë ndonjë përditësim në lidhje me marrëveshjen dypalëshe të sigurisë midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar? Ajo paqe u fitua me shumë mund dhe duhet të mbahet”, tha Foster.

    Ndërsa, Doughy tha se Britania e Madhe ka një rol historik në lidhje me Kosovën dhe sipas tij dhe sipas tij, KFOR-i ka një kontribut thelbësor në mbajtjen e një mjedisi të sigurt në vend, ku sipas tij, trupat britanikë luajnë rol kyç në këtë.

    “Ne angazhohemi për së afërmi me partnerët tanë në Kosovë dhe në të vërtetë anë e mbanë rajonit dhe vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

  • Ecuria e fushatës zgjedhore, një delegacion i KiE-së do të vizitojë Kosovën

    Ecuria e fushatës zgjedhore, një delegacion i KiE-së do të vizitojë Kosovën

    Më 16 dhe 17 janar, në Kosovë do të qëndrojë një delegacion prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    Delegacioni në fjalë pritet të vlerësojë fushatën zgjedhore dhe klimën politike para Zgjedhjeve Parlamentare të 9 shkurtit.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmanin, kryeministrin, Albin Kurtin e kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

    Delegacioni i Këshillit të Evropës pritet të takojë edhe liderët e partive politike në Kosovë dhe takime të tjera.

  • Kritikon opozitën për pengim të reformës në drejtësi, Haxhiu dërgon komente në Kushtetuese mbi ligjin për Byronë

    Kritikon opozitën për pengim të reformës në drejtësi, Haxhiu dërgon komente në Kushtetuese mbi ligjin për Byronë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet mbi pretendimet e partive opozitare kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Ajo ka shkruar në Facebook se opozita po vazhdon të ndalojë “konceptin e konfiskimit civil në Kosovë”, derisa ka thënë se ata që e kanë keqpërdorur detyrën dhe janë bërë milionerë nga politika s’do të amnistohen.

    “Duke qenë që për herë të dytë radhazi ky Ligj po kontestohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe kur tashmë kemi adresuar secilën kërkesë të Gjykatës në raport me të njëjtin, urojmë që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë Aktgjykim. Siç e kemi thënë, ata që e kanë keqpërdorur detyrën e janë bërë milioner nga politika nuk do të amnistohen”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

    Në 2024-n, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Në vendim, Kushtetuesja i kishte vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji.

    Vendimin, Haxhiu e kishte cilësuar “sabotim në reformën për drejtësi”.

  • ZPS-ja për dëshmitarin e radhës: Ka qenë i ndaluar dhe është rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së

    ZPS-ja për dëshmitarin e radhës: Ka qenë i ndaluar dhe është rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 113 i ZPS-së i cili mban kodin W04500 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është nën masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes.

    Pyetje për të është duke i parashtruar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori, Cezary Mihailzcuk.

    “Më 1999-ën, dëshmitari W04500 u arresua nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Atje është mbajtur i ndaluar me disa persona të tjerë dhe më pas është zhvendosur me disa prej tyre në një vend të dytë ndalimi.

    Dëshmitari W04500 u lirua pas rreth një muaji nga ambientet e ndalimit”, tha prokurori duke shtuar se për këtë përmbledhje kishte kundërshtime nga ana e palëve.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Prokuroria ka parashtruar se i duhen 40 minuta për pyetjet e tyre, mbrojtësi i viktimave 15 minuta dhe ekipet e mbrojtjes me pak se dy orë për kundërpytjet e tyre ndaj dëshmitarit.

    Megjithatë, pasi lexoi përmbledhjen, prokurori tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.

    Me pyetje vazhdoi mbrojtësja e viktimave e përfaqësuar nga avokatja Maria Radziejowska e cila kërkoi seancë private për ta pyetur dëshmitarin lidhur me pasojat që kishte pasur sa i takon ndalimit. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues.

    Avokati i Thaçit, Luka Misheiq njoftoi se pyetjet e tyre do të parashtrohen nga avokatja, Fëllënëza Limani.

    Në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët duke përfshirë edhe materialet përcjellëse të cilat u klasifikuan si konfidenciale./Betimi për Drejtësi

  • Kurti mirëpriti ambasadorin William Walker, bisedojnë për rëndësinë e librit të tij për masakrën e Reçakut

    Kurti mirëpriti ambasadorin William Walker, bisedojnë për rëndësinë e librit të tij për masakrën e Reçakut

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, për të diskutuar një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje.

    Në këtë takim, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Theksoi rolin domethënës dhe proaktiv të Qeverisë së Kosovës në përpjekjet për ta bërë të mundur botimin e librit të memoarëve të Ambasadorit Walker, i cili dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut.

    Kryeministri Kurti shtoi se ky libër dhe këto dëshmi të Ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë. Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme si masakra e Reçakut.

    Në vijim, u vlerësua angazhimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti gjersa më 11 janar 2023, Qeveria kishte miratuar vendimin për financimin e hulumtimit, shkrimit, editimit, përkthimit, shtypit dhe promovimit të librit të Ambasadorit Walker, me një mbështetje financiare prej 70,000 eurove për këtë iniciativë të rëndësishme. Ky financim do të sigurojë që ky libër të arrijë deri te audienca më të gjera dhe të kontribuojë në edukimin e brezave të rinj për historinë e Kosovës dhe luftën e saj për liri.

    Ky libër pasqyron perspektivën e Ambasadorit Walker si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së dhe është një pasqyrë e vërtetë dhe e pazëvendësueshme e ngjarjeve që ndodhën më 15 janar 1999 në fshatin Reçak. Ai është një akt i rëndësishëm që kontribuon në dokumentimin dhe shpërndarjen e dëshmive autentike për krimet e kryera nga regjimi i Serbisë në Kosovë, duke çuar përpara njohjen ndërkombëtare të gjenocidit që ka ndodhur në vendin tonë gjatë periudhës së luftës. Libri kujton viktimat e masakrës së Reçakut dhe nderon të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Pavarësisht 26 viteve të kaluara, Qeveria e Kosovës dhe populli ynë mbeten të angazhuar për të siguruar që e vërteta të mos harrohet kurrë dhe që përgjegjësit për gjenocidin të përballen me drejtësinë.

  • Shkup: Punonjësit e administratës publike protestojnë për rritje pagash

    Shkup: Punonjësit e administratës publike protestojnë për rritje pagash

    Nëpunësit e disa ministrive dhe institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ato të Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entit Shtetëror të Statistikave, protestuan më 14 janar për shkak të mosmiratimit të rritjes së shtesave në paga, një kërkesë kjo e përsëritur ndër vite.

    Ata kërkuan nënshkrimin e kontratave kolektive dhe miratimin e shtesave për pagat në masën 30 për qind.

    Protestuesit akuzuan Ministrinë e Financave për mosmarrje të masave të nevojshme dhe theksuan se, që nga formimi i Qeverisë së re, kanë zhvilluar takime me shumicën e ministrave përkatës dhe kanë paraqitur propozimet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes kolektive.

    “Më pas, me mbështetjen e ministrave, janë dorëzuar në Ministrinë e Financave. Edhe pse këto propozime për marrëveshje kolektive janë dorëzuar në Ministrinë e Financave, para miratimit të buxhetit shtetëror për vitin 2025, por për arsye të pakuptueshme për ne Ministria e Financave nuk i ka miratuar mjete për nënshkrimin e tyre”, deklaroi Trpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës.

    Aktualisht, paga mesatare në këto institucione ku po protestojnë nëpunësit, siç theksoi Deanoski, është rreth 29,000 denarë (471 euro), ndërsa paga mesatare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut është 42,124 denarë (684 euro).

    “Shtesa prej 30 për qind që po kërkojmë do të thotë se punëtorët do të kenë rritje të pagave prej 6.000 denarëve [100 euro], por përkundër kësaj, të gjithë të punësuarit sërish do të jenë nën pagën mesatare të shtetit. Kjo kërkesë e jona është më shumë se katër vjet e vjetër”, shtoi ai.

    Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, në një dalje televizive më 13 janar deklaroi se problemi me rritjen e pagave qëndron në marrëveshjet kolektive individuale të disa institucioneve, që kanë rritur pagat për disa punëtorë, ndërsa pjesa tjetër e administratës ka mbetur me paga të pandryshuara. Ai theksoi se zgjidhja ideale do të ishte një sistem i unifikuar pagash që garanton barazi për punonjësit me kompetenca të njëjta.

    Në anën tjetër, opozita maqedonase dha mbështetje për protestuesit. Ata nënvizuan se Qeveria e ka për detyrë të sigurojë kushte për nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive dhe rritjen e pagave.

    “Ne e kuptojmë zemërimin e nëpunësve në sektorin publik dhe mbështesim kërkesat e tyre për rritje të pagave, të cilat janë plotësisht të justifikuara”, deklaruan nga Lidhja Socialdemokarte (LSDM).

    Protestat, siç potencuan nëpunësit e ministrive, do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave, çdo ditë, nga ora 11:00 deri 11:30, ndërsa të premten, do të zhvendosen përballë Ministrisë së Financave, ku do të shprehin pakënaqësitë për mosnënshkrimin e kontratave kolektive.

    Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH) i ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski që të ulet dhe të dakordësojë një marrëveshje, me qëllim që të mos ketë largim shtesë të punëtorëve nga sektori publik.

    Ndërkohë, nga Qeveria ditë më parë bënë të ditur se nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë nga sindikatat, por edhe shtuan se një rritje prej 30 për qind në këtë moment, “është përtej mundësive të buxhetit shtetëror”.

    Në buxhetin e shtetit për vitin 2025 janë planifikuar të hyra totale në nivelin prej 358.8 miliardë denarë (5.83 miliardë euro), një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin 2024, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në nivel të 400 miliardë denarëve (6.50 miliardë euro), duke shënuar një rritje prej 10 për qind krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar./REL/

     

  • Haradinaj takohet me Hargraeves: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i domosdoshëm

    Haradinaj takohet me Hargraeves: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i domosdoshëm

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargraeves, me të cilin tha se kanë diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

    Haradinaj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm për sigurinë rajonale.

    “Ambasadorin ndamë vizionin e përbashkët për një Kosovë të integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike. Rruga jonë drejt NATO-s është e pakthyeshme dhe strategjikisht e domosdoshme për sigurinë rajonale. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë një nga aleatët tanë më të fuqishëm në fushën e shtetndërtimit. Partneriteti ynë bilateral do të forcohet edhe më tej në funksion të objektivave tona të përbashkëta për një Kosovë e rajon të sigurt”, ka shkruar Haradinaj.