ATV

Category: Lajme

  • Gjykimi në Hagë, Serwer: Jam penduar që kam mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara

    Gjykimi në Hagë, Serwer: Jam penduar që kam mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara

    Profesori amerikan, Daniel Serwer ka folur lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai u shpreh se është penduar që ka mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara, pasi që sipas tij mbajtja në paraburgim e katërshes së UÇK-së, si para fillimit të gjykimit ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor për kohë të gjatë është e pajustifikuar.

    Ai përmendi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në.

    “Sigurisht që nuk e kam idenë se çfarë vendimi do të marrin. Ajo që do të thosha është se pendohem që e kam mbështetur krijimin e këtyre Dhomave të Specializuara, sepse mendoj se paraburgimi i gjatë, si para fillimit të gjykimit ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor, ka qenë i pajustifikuar sipas mendimit tim. Nuk di ndonjë rrethanë që do ta justifikonte këtë, por nuk jam jurist dhe do të më duhet të pranoj çfarëdo vendimi që ata të marrin. Ndjenja ime e fortë, veçanërisht sa i përket Hashim Thaçit, sepse e njoh atë dhe e njoh më mirë rolin e tij sesa të të tjerëve, është se ai nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në. Prandaj, mbajtja e tij përgjegjës mbi këtë bazë do të ishte një gabim i rëndë”, tha Serwer për EO.

    I pyetur se a pret lirimin e tyre, Serwer u përgjigj shkurt.

    “Nuk pres asgjë”, tha ai.

    Por, shtoi se duhet të respektohet çfarëdo vendimi që merr gjykata.

    “Mendoj se duhet të respektohet çfarëdo vendimi që merr gjykata, por kjo nuk e ndryshon pikëpamjen time nëse një dënim është i justifikuar apo jo. Të tjerët nuk i njoh mirë, por Hashimin e njoh dhe e kam takuar menjëherë pas luftës. E pyeta për rolin e tij në UÇK dhe e di se ai rol nuk përfshinte autoritet komandues”, u shpreh ai.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

  • Ministria e Drejtësisë publikon listën e kandidatëve që kaluan provimin me shkrim të Jurisprudencës

    Ministria e Drejtësisë publikon listën e kandidatëve që kaluan provimin me shkrim të Jurisprudencës

    Ministria e Drejtësisë ka publikuar listën e kandidatëve që kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës me shkrim, i cili është mbajtur më 13 dhe 14 qershor 2026.

    Sipas njoftimit të ministrisë, kandidatët që kanë mbetur në riprovim do t’i nënshtrohen provimit me gojë më 4 korrik 2026, duke filluar nga ora 08:00. Provimi do të mbahet në Amfiteatrin e objektit të ish-Rilindjes në Prishtinë.

    Ndërkaq, kandidatët që kanë kaluar provimin me shkrim do t’i nënshtrohen provimit me gojë më 5, 6, 7, 8 dhe 9 korrik 2026, gjithashtu duke filluar nga ora 08:00, në të njëjtin lokacion.

    Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se lista e kandidatëve që kanë kaluar provimin me shkrim është publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit.

    Kliko këtu për ta parë listën

  • Sot varrosen babë e bir që vdiqën tragjikisht në Deçan

    Sot varrosen babë e bir që vdiqën tragjikisht në Deçan

    Babë e bir që vdiqën tragjikisht pasi u goditën nga rryma, do të varrosen sot në fshatin Maznik të Deçanit.

    Ceremonia mortore për Xhemajl e Hasan Mustafaj, do të mbahet në ora 14:00.

    Ngjarja e rëndë ndodhi derisa ata po e pastronin veturën e tyre.

    Fillimisht nga rryma u godit babai, e më pas edhe i biri i cili ishte munduar t’i ndihmonte atij.

    Ata fillimisht u dërguan në QKMF-në e Deçanit e më pas edhe në spitalin e Pejës, ku edhe u konstatua vdekja e tyre.

  • Ambasada Amerikan në Kosovë organizon pritje për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

    Ambasada Amerikan në Kosovë organizon pritje për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

    E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, do të organizojë një pritje me rastin e shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

    Pritja organizohet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ditë më parë, në prag të shënimit të 250 vjetorit të lindjes së shtetit amerikan, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka vendosur një flamur të madh të Amerikës në një prej hapësirave të objektit të ambasadës.

    Vendosja e flamurit ishte pjesë e aktiviteteve simbolike që i paraprijnë kremtimit të këtij jubileu të rëndësishëm për shtetin amerikan.

    Do të ketë edhe aktivitete të tjera në Prishtinë.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar se më 2 korrik, nën patronatin e Kryeqytetit, do të organizohet ngjarja “America and Kosova – A Freedom Story for the Next 250 Years”.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama ka njoftuar se aktiviteti do të mbahet në nder të 250-vjetorit të pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe synon të vërë në pah partneritetin e veçantë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.

    Sipas tij, ngjarja do të zhvillohet më 2 korrik, duke filluar nga ora 10:00, në Emerald në Prishtinë, dhe do t’i kushtohet historisë së lirisë dhe miqësisë mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimit që, sipas Ramës, vazhdon të frymëzojë dhe të ndërtojë të ardhmen.

  • OKB pret mbi 10 mijë vdekje në Venezuelë: Numri i viktimave po rritet çdo ditë

    OKB pret mbi 10 mijë vdekje në Venezuelë: Numri i viktimave po rritet çdo ditë

    Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë bërë të ditur se po sigurojnë rreth 10,000 qese për trupat e viktimave, si pjesë e operacionit të gjerë të shpëtimit në Venezuelë, pas tërmeteve të fuqishme që kanë goditur vendin.

    Koordinatori rezident humanitar i OKB-së, Gianluca Rampolla Del Tindaro, në një konferencë për media ka deklaruar se, sipas përditësimit të fundit deri të dielën mbrëma, numri i viktimave ka arritur në 1,450, por pritet që ky shifër “të rritet në mënyrë të pashmangshme dhe të trishtueshme” me vazhdimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, raporton BBC.

    Ai ka theksuar se OKB-ja, në koordinim me autoritetet lokale, po punon mbi supozimin se nevojiten rreth 10 mijë qese për trupat e pajetë, duke e cilësuar situatën si shumë të rëndë dhe të dhimbshme.

    “Shpresojmë që numri të jetë më i ulët, prandaj jemi të përqendruar aktualisht në operacionet e shpëtimit”, ka deklaruar Del Tindaro.

    Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) kishte vlerësuar në orët pas tërmeteve se ekziston një mundësi prej 44% që numri i viktimave të arrijë deri në 10,000, si dhe 30% mundësi që ai të shkojë deri në 100,000.

  • Nesër varrosen babë e bir që vdiqën tragjikisht në Deçan

    Nesër varrosen babë e bir që vdiqën tragjikisht në Deçan

    Babë e bir që vdiqën tragjikisht pasi u goditën nga rryma, do të varrosen nesër në fshatin Maznik të Deçanit.

    Ceremonia mortore për Xhemajl e Hasan Mustafaj, do të mbahet në ora 14:00.

    Ngjarja e rëndë ndodhi derisa ata po e pastronin veturën e tyre.

    Fillimisht nga rryma u godit babai, e më pas edhe i biri i cili ishte munduar t’i ndihmonte atij.

    Ata fillimisht u dërguan në QKMF-në e Deçanit e më pas edhe në spitalin e Pejës, ku edhe u konstatua vdekja e tyre.

  • Vuçiq i del në mbrojtje Radoiçiqit dhe Veselinoviqit pasi u panë në Beograd

    Vuçiq i del në mbrojtje Radoiçiqit dhe Veselinoviqit pasi u panë në Beograd

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë sërish në mbrojtje të Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, duke minimizuar akuzat ndaj tyre dhe duke vënë në dyshim bazën e ndjekjes penale ndaj tyre.

    I pyetur për pretendimet se dy pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë serbe po ofrojnë siguri për Radoiçiqin dhe Veselinoviqin, Vuçiq tha se nuk ka informacione për një gjë të tillë, por njëkohësisht mbrojti Radoiçiqin, duke pretenduar se ai nuk ndiqet penalisht për vepra kriminale.

    “Nuk kam asnjë informacion të tillë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Milan Radoiçiq ndodhet në listën e kuqe të Interpolit “jo për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”.

    “Dikush po e ndjek penalisht për shkak të Kosovës, jo për shkak të asaj që thoni ju”, deklaroi presidenti serb, duke hedhur poshtë pretendimet se Radoiçiq kërkohet për aktivitete kriminale.

    Edhe kur u pyet për Zvonko Veselinoviqin, Vuçiq zgjodhi ta relativizojë çështjen, duke pyetur: “Për çfarë u ndoq penalisht Veselinoviq?”, pa komentuar akuzat dhe raportimet që e lidhin atë me krimin e organizuar.

    Megjithatë, Vuçiq përsëriti se pjesëtarët aktivë të Xhandarmërisë nuk duhet të ushtrojnë një punë të dytë si sigurim privat.

    “Nëse më pyesni nëse anëtarët aktivë të Xhandarmërisë mund të bëjnë dy punë, unë do të bëj çmos që kjo të mos ndodhë. Ke një rrogë të mirë në Xhandarmëri, bëje atë punë. Nëse nuk do të punosh, puno për një kompani private”, deklaroi ai.

    Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e terrorist që kreu sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërsa autoritetet në Beograd kanë refuzuar ta ekstradojnë në Kosovë.

    Në të njëjtën kohë, Zvonko Veselinoviq vazhdon të jetë një nga figurat më të përfolura të veriut të Kosovës, i përmendur prej vitesh në raportime dhe sanksione ndërkombëtare për dyshime mbi lidhje me krimin e organizuar.

  • E dyshuara për vrasjen në Ferizaj erdhi nga Franca për qëndrim të përkohshëm, dalin detaje

    E dyshuara për vrasjen në Ferizaj erdhi nga Franca për qëndrim të përkohshëm, dalin detaje

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Ferizaj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen në Ferizaj më 28 qershor 2026.

    Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi” më 28 qershor 2026, rreth orës 22:40, në Ferizaj, rruga “Sejdi Sejdiu”, përkatësisht në objektin banesor, të marrë me qira nga babai i të pandehurës M.B., e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H.

    Tutje, në kërkesë thuhet se tani i ndjeri kishte shkuar në banesën në të cilën ndodhej e pandehura, dhe gjatë qëndrimit në banesë, pas një mosmarrëveshje dhe përleshjeje fizike në mes tyre, e pandehura merr armën e zjarrit nga tani i ndjeri dhe shtie një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vend ngjarje

    Me këto veprime, ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Prokuroria ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar, përfshirë raportin mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, i datës 29.06.2026, me anë të së cilit është sekuestruar arma e zjarrit, e cila është përdorur në kryerjen e veprës penale. Si dhe deklarata e dëshmitarëve H.R., dhe M.N. ,të cilët vërtetojnë në tërësi gjendjen faktike të paraqitur në dispozitiv të kësaj kërkese.

    Sipas Prokurorisë, rezulton se e pandehura jeton dhe vepron në Francë, ndërsa në Republikën e Kosovës ka ardhur për qëndrim të përkohshëm, rrethanë kjo që tregon se ekziston rreziku real dhe serioz se po që se lihet në liri, mund të arratiset për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e që me këtë rast do të pengohet zhvillimi i suksesshëm i procedurës penale.

    Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku që e pandehura nëse lihet në liri, mund të ndikojnë tek të dëshmitarët, me qëllim të ndryshimit të deklarimeve të tyre në favor të saj.

    Prokuroria vlerëson se paraburgimi duhet të caktohet duke marrë për bazë peshën e rëndë të veprës penale, si dhe dënueshmërinë e veprës penale, po ashtu rrethanat në të cilat është kryer vepra penale.

    “…fakti se pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike me tani të ndjerin F.H., e pandehura ka marr armën e zjarrit nga tani i ndjeri, dhe ka shtënë njëherë në drejtim të tij, duke e privuar nga jeta, mënyra e kryerjes së veprës penale, përdorimi i armës së zjarri dhe pasoja e shkaktuar, respektivisht humbja e jetës së një personi, tregojnë shkallë të lartë të rrezikshmërisë shoqërore”, thuhet në kërkesë.

    Andaj, Prokuroria vlerëson se masat alternative janë të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

  • Themelorja do të vendosë më 1 korrik për të ndalurit në Gazimestan

    Themelorja do të vendosë më 1 korrik për të ndalurit në Gazimestan

    Para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit për veprën “shkaktim i trazirave dhe rrezikim i rendit dhe qetësisë publike” u deklaruan të pafajshëm, ndërsa vendimi në rastin e tyre do të merret më 1 korrik.

    Gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor, Policia e Kosovës ndaloi 37 persona, me arsyetimin se ata “provokuan masën duke brohoritur parulla provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes”.

    Një personi iu shqiptua gjobë, ndërsa 36 të tjerët u proceduan para gjykatës, por nuk u mbajtën në paraburgim.

    Avokati Nikolla Todoroviq tha se të akuzuarve u janë konfiskuar dokumentet personale të identifikimit, si dhe se në mesin e të ndaluarve ka kryesisht serbë nga Serbia dhe vendet e rajonit.

    “Ka mjaft shtetas të huaj që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe njerëzit janë në vështirësi. Ata duhet të presin shpalljen e vendimit”, tha ai.

    Serbët nga Kosova, nga Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht mblidhen çdo 28 qershor në Gazimestan, për të përkujtuar Betejën e Kosovës, përkatësisht betejën kundër osmanëve më 1389.

    Në hyrje të Gazimestanit, Policia e Kosovës u shpërndau vizitorëve një njoftim ku thuhej se nuk do të tolerohet “mbajtja dhe shfaqja e simboleve të ndryshme që përfaqësojnë ose nxisin urrejtje ndëretnike, fetare apo politike”.

    Disa nga të pranishmit brohoritën “Kosova është Serbi” dhe kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.

    Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe deklaroi se nuk e arsyeton dhe as nuk do ta arsyetojë kurrë çfarëdo thirrjeje për urrejtje, dhunë apo cenim të rendit publik, por se “këngët popullore, kujtimi i të parëve, veshja tradicionale dhe shprehja paqësore e identitetit fetar dhe kombëtar nuk mund të trajtohen, në vetvete, si rrezik për rendin publik”.

    Kisha shprehu gjithashtu shqetësim për, siç tha, pretendimet se disa nga të ndaluarit ishin ekspozuar ndaj “keqtrajtimit fizik dhe psikologjik, shuplakave, goditjeve, fyerjeve, kërcënimeve, poshtërimit, si dhe pretendimeve se atyre u ishte kërkuar të brohorisnin ‘Kosova Republikë’, nën kërcënimin e rrahjes”.

    “Këto pretendime duhet të hetohen dhe të verifikohen seriozisht. Edhe më shqetësuese janë pretendimet se një pjesë e veshjes tradicionale të njërit prej të ndaluarve ishte përdhosur dhe se disa personave u është ofruar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.

    Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet për keqtrajtim fizik dhe psikologjik të të ndaluarve. REL-i i është drejtuar Inspektoratit Policor të Kosovës me pyetje nëse ka pasur ankesa ndaj policisë gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan dhe nëse është iniciuar ndonjë hetim, por nga ky institucion ende nuk kanë kthyer përgjigje.

    Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

    Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

    Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë dënoi ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke vlerësuar se bëhet fjalë për “një akt të turpshëm dhe të padenjë represioni”.

    Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, njoftoi se ndalimet i konsideron si një përpjekje për frikësim dhe si dëshmi të “represionit të regjimit në Prishtinë”, duke shtuar se për rastin është njoftuar bashkësia ndërkombëtare./Radio Evropa e Lirë

  • Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin

    Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin

    Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka folur pas mbledhjes që kryesia e kësaj partie e ka mbajtur me kryetarët e degëve.

    Ai para mediave u shpreh se nuk ka pasur asnjë takim me liderin e VV-së njëherësh kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    “Më lejoni ta konfirmoi edhe njëherë. As nuk kemi pasur ftesë as nuk iu kemi ofruar askujt. Parimet gjithëpërfshirëse sipas rezultatit të fundit e njohin të drejtën e partisë së parë dhe i njohin të drejtat tona lidhur me peshën që na e kanë dhënë qytetarët. Takime nuk ka pasur deri në momentin që po flasim sepse nuk ka pasur asnjë ftesë”, u shpreh Haziri.

    Haziri dha edhe detaje lidhur me atë se çka është diskutuar në mbledhje e LDK-së.

    “Debati i brendshëm i LDK-së në situata paszgjedhore ka filluar sot. Natyrisht që disa degë dhe kolegë tonë kanë bërë veprime paszgjedhore që kanë shkaktuar edhe procese. Por, sot në kolegjiumin e degëve, diskutuam çështjet, analizuam numrat, vlerësimet e para që dalin nga rezultati zgjedhor. Numrat janë ata që LDK-së i kanë dhënë këtë peshë politike, ne jemi në një grup parlamentar prej 18 deputetësh. Pak a shumë në një situatë paszgjedhore në të cilën besojmë shumë që do të arrijmë ta mbyllim këtë proces pas certifikimit të rezultateve zgjedhore”, u shpreh Haziri.