ATV

Category: Lajme

  • Tensione edhe sot para Parlamentit në Shqipëri, arrestohen pesë persona

    Tensione edhe sot para Parlamentit në Shqipëri, arrestohen pesë persona

    Sot në orën 10:00 është zhvilluar organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

    Qytetarët janë mbledhur para Parlamentit, aty ku pritet të mbahet edhe seanca e radhës plenare njëkohësisht.

    Siç raportohet edhe ditën e sotme ndodhen incidente duke qëlluar më vezë. Ndërkohë, janë shoqëruar 5 persona.

    Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.

    Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.

    Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.

    Siç raporton Euronews, deputeti i PS-së, Ramion Kurti është qëlluar me vezë.

  • Besnik Osmani jep dorëheqje nga dega e LDK-së në Fushë Kosovë

    Besnik Osmani jep dorëheqje nga dega e LDK-së në Fushë Kosovë

    Besnik Osmani ka dhënë dorëheqje nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Fushë Kosovë.

    Këtë vendim e ka konfirmuar asamblisti i LDK-së në Kuvendin e kësaj komune, Ali Topalli.

    Osmani, i cili ishte edhe kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës në zgjedhjet lokale të mbajtura në fund të vitit të kaluar, nuk arriti që ta mbajë komunën që ishte konsideruar si bastion i kësaj partie.

    Topalli ka konfirmuar dorëheqjen e Osmanit, duke bërë të ditur se arsyeja lidhet me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026 dhe nevojën për reforma të brendshme në parti.

    “Është e vërtetë që ka dhënë dorëheqje z. Osmani. Arsyet janë rezultatet jo të mira zgjedhore në LDK dhe nevoja për zgjedhje të përgjithshme në LDK”, ka deklaruar ai.

    Deri më tani, Besnik Osmani nuk ka bërë një deklarim publik lidhur me dorëheqjen e tij.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin e vrasjes së imamit në Dragash

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin e vrasjes së imamit në Dragash

    Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit B.H. për vrasjen e imamit në Dragash, si dhe një muaj paraburgim ndaj babait të tij, I.H.

    Derisa për të parin gjykata tha se dyshohet për veprën penale “vrasja e rëndë”, duke e përshkruar si privim nga jeta personin tjetër në “mënyrë mizore apo dinake”, për të dytin tha se ai dyshohet për veprën penale “mosdhënia e ndihmës”.

    Gjykata tha se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

    I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

    “Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thotë gjykata.

    Gjyqtarja e procedurës paraprake, në bazë të provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, duke gjetur si të bazuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale nga të pandehurit, vlerëson se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.

    “Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale të dyshohet se janë kryer, mënyrën dhe rrethanat ashtu që i dyshuari B.H., në mënyrë mizore apo dinake dyshohet të ketë goditur me thikë në shpinë dhe qafë viktimën ndjerin G.T., po ashtu duke shtuar faktin se i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur dhe arrestuar nga Policia, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme”.

    Masa e paraburgimit është e arsyeshme dhe ligjore, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës hetimore, nxjerrjen e provave materiale, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve, dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve para institucioneve të drejtësisë me qëllim të zbardhjes së ngjarjes, si dhe parandalimit të arratisjes së të dyshuarve, Gjyqtarja ka vlerësuar se masa tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarve dhe rrjedhën e papenguar të fazës hetimore, përfundon gjykata.

  • Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë

    Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë

    Të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur, përfshirë fëmijë, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë gjatë natës ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, njoftuan autoritetet e qytetit të enjten.

    “Pati disa goditje të drejtpërdrejta shkatërruese ndaj ndërtesave të banimit”, tha të enjten kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po nxjerrin nga rrënojat të mbijetuar dhe trupa të viktimave.

    “Nëntë viktima janë konfirmuar deri tani, ndërsa raportimet për disa viktima të tjera të mundshme ende po verifikohen, ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë,” shtoi ai.

    Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi mëngjesin e së enjtes se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe dronë, ndërsa shpërthime dëgjoheshin në gjithë qytetin.

    Ai u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në disa lagje të qytetit u raportuan zjarre dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit.

    “Në zonat e prekura janë angazhuar 570 shpëtimtarë dhe mbi 125 mjete të specializuara të shpëtimit”, thuhet në një njoftim të shërbimit në Telegram.

    Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendngjarja, duke treguar pasojat e sulmit të kryer gjatë natës ndaj një ndërtese banimi në lagjen Shuliavka të Kievit.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i ka dënuar ashpër sulmet ruse, duke i cilësuar ato si “krime të rënda lufte” dhe u ka bërë thirrje partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare për “përgjigje të fuqishme”.

    “Krimineli i luftës, Putin, është në gjendje të zhvillojë vetëm luftë të ulët dhe terroriste kundër civilëve, grave dhe fëmijëve”, shkroi Sybiha në një postim në X.

    Në mbrëmje para sulmit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për “një tjetër sulm masiv rus”, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës.

    Ai tha se po kthehej “menjëherë” në Ukrainë nga Irlanda, ku ndodhej për një vizitë zyrtare.

    Në rajonin e Kievit, të paktën tre njerëz u plagosën nga një tjetër sulm rus me dronë dhe raketa, njoftuan autoritetet rajonale të enjten.

    Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë të enjten se kreu sulm në shkallë të gjerë, duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi dhe dronë, në përgjigje të sulmeve të supozuara ukrainase ndaj infrastrukturës civile në Rusi, duke shënjestruar objektet e industrisë ushtarake, infrastrukturën energjetike në Kiev dhe rajonin e Kievit, si dhe infrastrukturën e aeroporteve ushtarake në disa rajone ukrainase.

    Ajo theksoi gjithashtu se forcat e mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe rrëzuar 327 dronë ukrainas mbi territorin e Rusisë, përfshirë edhe mbi rajonet e Moskës dhe Leningradit.

    Ukraina mohon vazhdimisht se synon civilë apo infrastrukturë civile në Rusi, duke thënë se operacionet e saj ushtarake drejtohen vetëm kundër objektivave legjitime ushtarake, rrjeteve logjistike dhe infrastrukturës energjetike që furnizon makinerinë ushtarake ruse./REL

  • Ryshfet dhe keqpërdorim detyre, ATK suspendon dy zyrtarë

    Ryshfet dhe keqpërdorim detyre, ATK suspendon dy zyrtarë

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë ndaj dy zyrtarëve tatimore, të cilët akuzohen për veprat penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjen e ryshfetit, ka ndërmarrë veprimet e parapara sipas legjislacionit në fuqi.

    ATK ka marrë vendim për suspendimin e përkohshëm nga detyra të këtyre dy zyrtarëve.

    “Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë marrëdhënien e punës dhe statusin e zyrtarëve tatimore, ATK ka marrë vendim për suspendimin e përkohshëm nga detyra të këtyre dy zyrtarëve, me efekt të menjëhershëm, deri në përfundimin e procedurës gjyqësore dhe marrjen e një vendimi përfundimtar. ATK nuk toleron asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo veprim që cenon integritetin institucional dhe do të vazhdojë të zbatojë me përpikëri dispozitat ligjore në çdo rast të tillë”, thuhet në njoftim.

  • MINT-i publikon çmimet e derivateve, ja sa do të kushtojë nafta sot

    MINT-i publikon çmimet e derivateve, ja sa do të kushtojë nafta sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës, të cilat hynë në fuqi sot, më 2 korrik 2026, nga ora 10:00.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimet maksimale janë:

    Nafta (dizel): 1.39 euro/litër
    Benzina: 1.36 euro/litër
    Gazi: 0.68 euro/litër
    Këto çmime janë përcaktuar në bazë të vendimit të ministrisë të datës 4 qershor 2026 dhe vlejnë në të gjitha pikat e shitjes së derivateve në Kosovë.

  • Dorëzohet në polici, serbi i dyshuari për tentim-vrasjen e ndodhur para pesë vjetësh në Shillovë

    Dorëzohet në polici, serbi i dyshuari për tentim-vrasjen e ndodhur para pesë vjetësh në Shillovë

    Një person i dyshuar, shtetas i Serbisë, është vetëdorëzuar lidhur me një rast të tentim-vrasjes që kishte ndodhur në fshatin Shillovë të Gjilanit më 7 mars 2021.

    Sipas raportit shtesë të Policisë së Kosovës, i dyshuari është vetëdorëzuar më 1 korrik 2026.

    Pas intervistimit nga organet kompetente, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

    Fsh. Shillovë, Gjilan / 07.03.2021 – 18:35. Lidhur me rastin, më 01.07.2026 është vet dorëzuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Përfshihet nga zjarri një shtëpi në Mitrovicë, nuk ka të lënduar

    Përfshihet nga zjarri një shtëpi në Mitrovicë, nuk ka të lënduar

    Një shtëpi është përfshirë nga zjarri të mërkurën rreth orës 22:45, në Mitrocvicë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në vendin e ngjarja kanë dal ekipet e zjarrfikësve dhe kanë lokalizuar zjarrin.

    Tutje në raport thuhet se përveç dëmëve materiale nuk raportohet për të lënduar, ndërsa rasti është nën hetime.

    “Mitrovicë Jugu / 01.07.2026 – 22:45. Është raportuar se një shtëpi është kapluar nga zjarri. Lidhur me rastin ekipi i zjarrfikësve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka lokalizuar zjarrin dhe përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Shtetësia amerikane: Çfarë do të thotë humbja e Trumpit në Gjykatën Supreme?

    Shtetësia amerikane: Çfarë do të thotë humbja e Trumpit në Gjykatën Supreme?

    Gjykata Supreme e SHBA-së bllokoi përpjekjen e Donald Trump për t’i dhënë fund shtetësisë sipas të drejtës së lindjes. Por pse ishte kaq e rëndësishme kjo çështje për Donald Trumpin?

    Një nga veprimet e para në mandatin e dytë të Donald Trumpit ishte një përpjekje për të ripërcaktuar Amendamentin e 14-të të Kushtetutës së SHBA-së. Mes një sërë urdhrash ekzekutivë, Presidenti amerikan bëri edhe thirrje për t’i dhënë fund konceptit të shtetësisë së lindur, e cila ka ekziston në SHBA që nga viti 1868.

    Por dëshira e tij u refuzua të martën. Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi kundër vendimit të qeverisë. “Është një nga deklaratat më të qarta se kush jemi si vend”, tha Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) në një deklaratë. “Pavarësisht se kush janë prindërit tuaj, nëse lindni këtu, ju i përkisni këtij vendi”.

    Trump e kishte quajtur politikën ekzistuese “një turp”. Ndërsa Zëvendëspresidenti i tij JD Vance që e kishte përshkruar më parë atë si “politika më budallaqe e imigracionitnë botë”.

    Urdhri ekzekutiv i Trumpit kishte kaluar nëpër një numër kthesash ligjore në gjykata të ndryshme, përfshirë edhe Gjykatën Supreme. Megjithëse vendimi i së martës do të thotë se statusi ligjor nuk ndryshon, ai do të lërë gjurmë, thotë Kim Lane Scheppele.

    “Fakti që çështja është tani e hapur në një mënyrë që nuk ka qenë kurrë e ka bërë shtetësinë më të pasigurt, përfshirë edhe për ata që kanë jetuar gjithë jetën e tyre në SHBA”, tha profesori i Sociologjisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Princeton, ekspert i sociologjisë dhe ligjit, për DW pak para se të shpallej vendimi.

    “Mos harroni se shtetësia është nën sulm në shumë mënyra. Administrata e tij ka hapur një zyrë denatyralizimi brenda Departamentit të Drejtësisë dhe po bëjnë presion për të kërkuar prova të shtetësisë. Dhe pak prej nesh kanë prova të tilla.”

    Cili është ligji aktual?

    Amendamenti i 14-të thotë se: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë”.

    Kjo është interpretuar vazhdimisht nga gjykatat dhe qeveritë, se fëmijët e lindur në SHBA, pavarësisht statusit të prindërve të tyre, bëhen qytetarë amerikanë automatikisht. Ka disa përjashtime specifike nga ligji i përgjithshëm, duke përfshirë fëmijët e lindur nga diplomatë të huaj ose forca pushtuese armike.

    Sa njerëz do të prekeshin nga ndryshimet?

    Grupi i ekspertëve të Institutit të Politikave të Migracionit vlerëson se 255,000 fëmijë lindin në SHBA çdo vit nga prindër jo-shtetas të këtij vendi. Ndryshimi nuk mund të veprojë në mënyrë retroaktive, që do të thotë se kushdo që më parë kualifikohej për shtetësi, sipas të drejtës së lindjes, do të mbetej i paprekur. Sipas një hulumtimi nga Qendra Kërkimore Pew, kjo shifër është deri në 4.4 milionë amerikanë vetëm midis 2006 deri 2023, megjithëse disa janë larguar nga vendi ose kanë vdekur.

    Një numër amerikanësh të shquar iu dha shtetësia amerikane sipas lindjes, pavarësisht se prindërit e tyre nuk ishin shtetas amerikanë në atë kohë. Ndër ta janë edhe shumë anëtarë të rrethit të ngushtë të Trumpit. Kjo përfshin edhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, Drejtorin e FBI-së Kash Patel dhe Zonjën e Dytë, Usha Vance.

    Çfarë ndikimesh mund të ketë ndryshimi?

    Ndërsa Gjykata tani ka vendosur se nuk do të hyjnë në fuqi ndryshime në shtetësinë e bazuar në lindje, ndryshimet e propozuara të administratës Trump, nëse zbatohen, do të kishin ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si përcaktohet shtetësia në lindje.

    Është e vështirë të dihet me saktësi, por administrata Trump thotë se, me lindjen e një fëmije, statusi i prindërve të tij do të vlerësohej për të përcaktuar nëse fëmija është i kualifikuar për shtetësi dhe dokumentacionin tjetër që e shoqëron këtë status. Vetëm një certifikatë lindjeje nuk do të ishte e mjaftueshme për të marrë një pasaportë ose numër sigurimi.

    Çfarë do të ndodhte me shtetësinë e fëmijës do të varej kryesisht nga vendi nga janë prindërit e tij. Disa vende nuk japin automatikisht shtetësi të lindur nga shtetasit e tyre jashtë vendit, veçanërisht në Azinë Juglindore. Në një rast të tillë, duket se fëmija do të ishte pa shtetësi.

    “Diçka e rëndësishme për t’u kuptuar në lidhje me SHBA-në është se ne nuk kemi një mënyrë të gatshme për të vërtetuar shtetësinë, pikërisht sepse shumica prej nesh mbështeten në shtetësinë e bazuar në lindje”, tha Scheppele.

    “Pra, gratë që sapo kanë lindur – e lëre më baballarët e foshnjave – nuk do të kenë mënyra të gatshme për të vërtetuar shtetësinë e tyre. Imagjinoni nëse shtetësia dhe statusi i imigracionit të të gjithë prindërve të rinj do të duhej të regjistroheshin për çdo lindje në vend. Do të kishte një kaos administrativ.”

    Si funksionon shtetësia e lindjes në vende të tjera?

    Trump shpesh ka pretenduar në mënyrë të rreme se SHBA-të janë “i vetmi vend që e ka atë”. Në fakt, të dhënat e mbledhura nga Qendra Kërkimore Pew tregojnë se 32 vende të tjera, kryesisht në Amerikën e Veriut dhe Amerikën Latine, ofrojnë shtetësi sipas vendit të lindjes.

    Shumë vende, duke përfshirë Greqinë, Iranin, Francën dhe Marokun, ia ofrojnë atë çdo fëmije, prindërit e të cilit kanë lindur diku tjetër. Të tjera, si Australia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, i japin shtetësi çdo fëmije të lindur nga një banor i ligjshëm i atij vendi. Ndërsa vende si Izraeli, Haiti dhe Liberia ofrojnë shtetësi sipas lindjes vetëm për ata që plotësojnë kushte të caktuara.

    Çfarë mund të thotë kjo për Trumpin politikisht?

    Trump e ka përshkruar më parë shtetësinë sipas lindjes si “magnet për imigracionin e paligjshëm”. Dështimi i tij për të zbatuar një nga politikat e tij kryesore të imigracionit përmes gjykatave padyshim do të ketë pasoja.

    Aftësia për të imponuar politika të ashpra të imigracionit si kjo është çelësi për të përmbushur premtimet e tij. Trump ka bërë shumë për deportimin masiv të “të huajve të paligjshëm”, duke kufizuar edhe ardhjen e refugjatëve dhe suksesin e agjencisë së tij të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

    Ndërsa dështimi do të jetë frustrues për të dhe administratën e tij. Ai nuk do të heqë dorë nga strategjia e tij “Amerika e Para”. Megjithatë, ndërsa një fitore mund të kishte hapur derën për një politikë edhe më ekstreme ndaj atyre që janë tashmë shtetas amerikanë, vendimi i së martës do ta pengojë ate në këtë rrugë, të paktën për momentin. /DW

  • Sulmohet me thikë dhe grabitet një shtetase e huaj në Prishtinë

    Sulmohet me thikë dhe grabitet një shtetase e huaj në Prishtinë

    Një shtetase e huaj është sulmuar me thikë dhe më pas është grabitur në Prishtinë, mbrëmjen e 1 korrikut 2026, rreth orës 22:00.

    Sipas Policisë së Kosovës, një person ende i paidentifikuar dyshohet se e ka sulmuar viktimën dhe i ka marrë para të gatshme si dhe një telefon celular.

    Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa më pas është liruar.

    “Prishtinë / 01.07.2026 – 22:00. Është raportuar se një person i dyshuar i panjohur e ka sulmuar me thikë viktimën femër shtetase të huaj dhe nga e njëjta dyshohet se ka grabitur para të gatshme dhe një telefon. Si pasojë e sulmit viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar. Rasti nën hetime”.

    Policia ka nisur hetimet.