ATV

Category: Lajme

  • Ushtarët e KFOR-it stërviten me helikopterë në Prishtinë

    Ushtarët e KFOR-it stërviten me helikopterë në Prishtinë

    KFOR ka njoftuar se pjesëtarë të Karabinierëve italianë dhe ushtarë çekë, të caktuar në Njësinë Shumëkombëshe të Specializuar (MSU), kanë zhvilluar stërvitje me helikopterë në Kampin Film City në Prishtinë, me qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërmjet ekuipazheve ajrore dhe personelit në terren.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, stërvitja ka përfshirë aktivitete të fokusuara në transportin e personelit, evakuimin e trupave dhe menaxhimin e skenarëve emergjentë.

    Këto aktivitete synojnë të ruajnë nivelin e lartë të përgatitjes operacionale dhe ndërgjegjësimit situacional të personelit të misionit.

    KFOR thekson se këto ushtrime pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të misionit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

  • Shqiptarët, ndër popujt më të stresuar në botë

    Shqiptarët, ndër popujt më të stresuar në botë

    Vendet e Mesdheut janë të njohur për stilin e relaksuar të jetesës.

    Mirëpo një studim i kryer së fundmi ka gjetur se Greqia është vendi që ka popullin më të stresuar në botë.

    Sondazhi “Gallup 2019 Global Emotions” ka gjetur se 59 për qind e grekëve kishin përjetuar stres gjatë 24 orëve të fundit, nivel ky më i larti në botë.

    “Shqipëria (55 për qind), Qiproja (51 për qind), Italia (48 për qind) dhe Portugalia (45 për qind), janë këta popujt me nivelin më të lartë të stresit në Evropë”, thuhet ndër të tjera në studim.

  • Kush janë tre djemtë e Khameneit që morën pjesë në funeralin e babait të tyre?

    Kush janë tre djemtë e Khameneit që morën pjesë në funeralin e babait të tyre?

    Tre nga fëmijët e liderit të ndjerë iranian, Ajatollah Ali Khamenei, u lutën sot mbi trupin e babait të tyre – por jo Mojtaba, i cili e pasoi atë si Udhëheqës Suprem, shkruan CNN.

    Mostafa, Masoud dhe Meysam Khamenei u panë të tre duke mbajtur zi për babanë e tyre, si edhe për katër anëtarët e tjerë të familjes që u vranë, ndërsa arkivolet e tyre ndodheshin në Grand Mosalla Imam Khomeini në Teheran.

    Mostafa, 64 vjeç, është klerik shiit dhe djali më i madh i Udhëheqësit Suprem të ndjerë. Ai ka pasur aktivitet të kufizuar politik dhe aktualisht nuk mban ndonjë post në qeverinë iraniane. Megjithatë, ai përshkruhet si me ndikim në qarqet fetare.

    Masoud, 52 vjeç, është gjithashtu klerik dhe djali i tretë i Khameneit të ndjerë. Ai drejton Zyrën për Ruajtjen dhe Publikimin e Veprave të Khameneit, e cila është përgjegjëse për ruajtjen dhe promovimin e fjalimeve të Udhëheqësit Suprem. Sipas mediumit aktivist pro-reformist IranWire, ai kontrollon një aparat të madh propagandistik me lidhje me disa media.

    Meysam, 48 vjeç, është fëmija më i vogël i Khameneit dhe mban një profil publik relativisht të ulët krahasuar me vëllezërit e tij. Ai gjithashtu ka punuar në Zyrën për Ruajtjen dhe Publikimin e Veprave të Udhëheqësit Suprem.

    Ndër të tjerët që u shfaqën të dielën ishin edhe vjehrri i Mojtabës, Gholam-Ali Haddad-Adel, si dhe dhëndri i Khameneit, Mohammad Mohammadi Golpayegani, vajza 4-vjeçare e të cilit, Zahra, u varros në arkivolin e vogël.

  • Vazhdojnë kërkimet për 78-vjeçarin e zhdukur në Prishtinë, nga e enjtja asnjë gjumë

    Vazhdojnë kërkimet për 78-vjeçarin e zhdukur në Prishtinë, nga e enjtja asnjë gjumë

    Po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 78-vjeçarit Xhafer Raqi, i cili është zhdukur që nga e enjtja e kësaj jave në Prishtinë.

    Nga Shoqata e Kosovës për kërkim-shpëtim është bërë e ditur për Klankosova.tv se kërkimet kanë vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 03:30, me angazhimin e ekipeve në terren, dronëve dhe motorëve.

    78-vjeçari, banor i lagjes “Bregu i Diellit”, vuan nga demenca dhe është parë për herë të fundit rreth orës 08:00 të së enjtes.

    Familjarët kanë bërë thirrje për ndihmë, duke kërkuar që çdo person që ka informacion për vendndodhjen e tij të kontaktojë në numrin +383 44 737 900.

  • Haradinaj: 4 korriku është edhe festë e Kosovës, do të jemi gjithmonë përkrah Amerikës

    Haradinaj: 4 korriku është edhe festë e Kosovës, do të jemi gjithmonë përkrah Amerikës

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar SHBA-në me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë.

    Haradinaj ka shkruar se Kosova do të jetë gjithmonë me Amerikën, një shembull që ndiqet me krenari.

    AI ka thënë se 4 korriku është edhe festë e Kosovës.

    “Urime Dita e Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

    Kosova do të jetë gjithmonë përkrah Amerikës, e cila është shembull që ne me krenari e ndjekim. Andaj 4 korriku është edhe festë e jona.

    Happy Independence Day!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Zeka paralajmëron rrezikun e zhvendosjes së bizneseve: Pa reforma ekonomike, Kosova mund të humbë prodhuesit

    Zeka paralajmëron rrezikun e zhvendosjes së bizneseve: Pa reforma ekonomike, Kosova mund të humbë prodhuesit

    Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka ngritur shqetësimin se mungesa e investimeve infrastrukturore dhe vonesat në reformat ekonomike mund të çojnë në zhvendosjen e bizneseve prodhuese nga Kosova drejt vendeve të rajonit, me pasoja për ekonominë dhe punësimin.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Zeka tha se, ndonëse Oda Ekonomike Amerikane nuk ka informata për largim të bizneseve nga Kosova, shqetësimet e komunitetit të biznesit janë të mëdha dhe lidhen me mungesën e investimeve që do të nxisnin zhvillimin ekonomik.

    Ai tha se në vend të investimeve infrastrukturore me efekt afatgjatë, po vazhdohet me politika që fokusohen në asistencën sociale.

    “Nuk është që kemi marrë informata për largim të bizneseve të Kosovës, për hir të së vërtetës. Megjithatë, ka shqetësime të mëdha, të cilat ndahen nga ana e anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane, por edhe komunitetit më të gjerë të biznesit në vend. Siç e kemi thënë edhe në deklaratat tona, nuk ka investime të mjaftueshme infrastrukturore, të cilat do të kishin efekt më të gjerë multiplikativ në zinxhirin ekonomik të vendit. Po e shohim se gati secilën herë ose dy-tri herë brenda vitit ka shpërndarje të asistencës sociale. E kuptojmë që kjo mund të jetë në linjë me politikat dhe vlerat që i promovon partia në pushtet, por megjithatë duhet të shihet efekti i tyre në ekonominë e vendit”, tha Zeka.

    Sipas tij, efektet e këtyre politikave janë negative dhe mund të ndikojnë në largimin e bizneseve prodhuese nga vendi.

    “Ne besojmë që efekti në masë të madhe është negativ, është gërryes dhe rrjedhimisht kjo i lë bizneset në gjendje më të vështirë, e pse jo në një të ardhme jo shumë të largët edhe të nisim të shohim largimin e tyre, ashtu siç ka paralajmëruar një pjesë e madhe e tyre. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke qenë vende të vogla me ekonomi të brishta, janë në mesin e vendeve më të varfra në Evropë dhe rrjedhimisht jemi në konkurrencë me njëra-tjetrën për tërheqjen e bizneseve”, tha ai.

    Zeka tha se tashmë ka biznese kosovare që janë shtrirë në vendet fqinje dhe paralajmëroi se prodhuesit mund të zhvendosen në Shkup ose Kukës.

    “Në dy-tri vitet e fundit ka pasur shtrirje të bizneseve kosovare në këto vende. Mos të çuditemi që një ditë një pjesë e madhe e bizneseve prodhuese të vendit do të zhvendosen në vende si Shkupi apo Kukësi, meqenëse janë në distancë shumë të afërt gjeografike me Kosovën. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tregtojnë pa doganë me njëra-tjetrën, që do të thotë se mallrat që dikur prodhoheshin në Kosovë mund të prodhohen në Kukës apo në Shkup dhe të futen në tregun e Kosovës pa iu nënshtruar detyrimeve doganore. Por ajo që humbet Kosova është shumë më e madhe. Do të mbylleshin vendet e punës, një pjesë e madhe e tatimit në fitim që sot gjenerohet nga këto kompani prodhuese nuk do të vazhdonte t’i paguhej buxhetit të vendit dhe kjo do të çonte në përkeqësim të aspektit socio-ekonomik”, tha ai për Ekonomia Online.

    Ai shprehu shpresën që vendi të ketë sa më shpejt institucione funksionale, të cilat do të shtyjnë përpara reformat ekonomike dhe projektet infrastrukturore.

    “Prandaj uroj që shumë shpejt të kemi institucione funksionale, të kemi një Kuvend që do të arrijë të shtyjë përpara reformat ekonomike dhe një qeverisje pak më pak populiste, e cila kupton se cilat janë aspektet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe që nuk bazohen vetëm në shpërndarjen e ndihmës sociale. Ka një numër të madh të projekteve infrastrukturore të cilat nuk po arrijnë të përfundohen në këtë pesë-gjashtëvjeçarin e fundit dhe besoj që aty duhet të jetë fokusi më i madh”, tha Zeka.

    Ai shtoi se përgjegjësia për krijimin e institucioneve funksionale bie mbi partinë me numrin më të madh të votave, duke theksuar se nevojitet kompromis politik.

    “Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në periudhën prej çlirimit e tutje, në këto 27 vite si shtet i lirë, dhe një pjesë e mësimeve të mira të gjeneruara gjatë këtyre viteve duhet të replikohen edhe në periudhën në vijim. Uroj të kemi qeveri funksionale dhe institucione me mandat të plotë, jo ushtrues detyre. Këtu nevojitet konsensus dhe gatishmëri për kompromis. Përgjegjësia rëndon mbi partinë që ka numrin më të madh të votave, sepse sa më e madhe fuqia, aq më e madhe është edhe përgjegjësia, përfshirë edhe përgjegjësinë për bashkëpunim”, tha Zeka.

  • Kurti ia uron SHBA-së 250 vjetorin e pavarësisë, liston një varg të dhënash historike për shtetin amerikan

    Kurti ia uron SHBA-së 250 vjetorin e pavarësisë, liston një varg të dhënash historike për shtetin amerikan

    Kreu i Qeverisës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar SHBA’në me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë. Në postimin e tij, Kurti ka rendtiur një varg me të dhëna historike për krijimin e shtetit amerikan, nisur nga viti 1776.

    “Me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan, gëzuar 4 Korrikun, gëzuar përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar Kurti.

    Postimi i plotë:

    Një deklaratë pavarësie, shikuar si ngjarje historike, ndodh në një kohë dhe vend të caktuar. Sot, pra, festojmë përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive të Britanisë së Madhe, pas kuvendimeve në Dhomën e Asamblesë të Parlamentit Shtetëror të Pensilvanisë në qytetin e Filadelfisë, nënshkroi përfundimisht Deklaratën e Pavarësisë. Kështu, me atë datë të famshme, lindi një shtet i ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Mirëpo, Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, në përmbajtjen e saj, ka një rëndësi dhe domethënie të veçantë, e cila shkon përtej datës dhe vendit ku u miratua. “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Duke u thirrur në këto vlera dhe të drejta universale, të pakufizuara në kohë dhe hapësirë, ajo që sot quhet “Fryma e ’76-ës” ka mundur jo vetëm të mbijetojë, por edhe të jetojë, fuqishëm, në mendjet dhe zemrat e patriotëve të çdo epoke dhe çdo populli.

    Kjo vlen sidomos për popullin shqiptar. Më 4 korrik 1918, këtu e 108 vite më parë, në 142-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si përfaqësues i federatës shqiptare “Vatra” Fan Noli do shkëmbente nja dy-tri fjalë me Presidentin Woodrow Wilson. Në jahtin presidencial U.S.S. Mayflower, në kthim e sipër për në Washington DC nga Mount Vernon, ku kishin bërë nderimet festive te varri i George Washington-it, Noli gjeti rastin t’i thoshte presidentit të njëzetetetë amerikan që zbatimi i parimeve të tij për vetëvendosjen do t’i garantonte Shqipërisë të drejtat e saj. Presidenti Wilson iu gjegj rilindasit tonë erudit duke e siguruar atë se ato parime do të mbretëronin meqë ShBA-ja do të luftonte për to. Ajo që ne shqiptarët e quajmë Shqipëria londineze vërtet shpëtoi pas Luftës së Parë Botërore edhe në saje të parimeve të mishëruara në planin e paqes të njohur si “14 pikat e Wilsonit”.

    Më pak se një shekull më pas, të njëjtave parime, që Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 i mbron me aq elokuencë, do t’i apelonte edhe lëvizja jonë për pavarësi. E drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje, që në fillim të shekullit XX ishte sakrifikuar në lojërat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, në fund të po atij shekulli dhe fillimit të atij vijues do të merrte mbështetjen më domethënëse pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë, “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese. Pra brenda një harku kohor prej gati një shekulli, nga Shqipëria londineze te Kosova e pavarur, betejat shqiptare për vetëvendosje marrin dy herë mbështetje kritike nga kombi amerikan, i cili këtu e 250 vite më parë shpalli themelimin e tij duke u thirrur në të drejtat e patjetërsueshme në jetë, liri dhe kërkim të lumturisë.

    Teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, i nënshkruar më 4 korrik 1776, vuloste vullnetin e shprehur dy ditë më parë (2 korrik) nga delegatët e Parlamentit Shtetëror në Filadelfia. Ndonëse i shkruar (kryesisht nga Thomas Jefferson) me ngut e nën trysninë e ngjarjeve të asaj kohe, ai u bë simbol i një epoke të re në historinë e mendimit politik. Koncepti i të drejtave të patjetërsueshme që është në themel të kësaj deklarate vazhdon të mbetet radikal sot e kësaj dite. Me të drejta të patjetërsueshme, etërit themelues të kombit amerikan nënkuptonin ato të drejta që nuk mund të tjetërsoheshin as dhe me pëlqimin e bartësit të tyre. Sot e kësaj dite, garantimi i këtyre të drejtave për të gjithë njerëzit pa dallim mbetet një detyrë qytetëruese për njerëzimin.

    Me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan, gëzuar 4 Korrikun, gëzuar përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

  • AUV: Komisioni konstatoi se “Vita” ka shkelur vendimin për ndalimin e përdorimit të qumështit pluhur dhe vajit të palmës

    AUV: Komisioni konstatoi se “Vita” ka shkelur vendimin për ndalimin e përdorimit të qumështit pluhur dhe vajit të palmës

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bëri të ditur se komisioni inspektues ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit “Vita” në Istog ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Zyrtarët e AUV-së thanë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike, raporton Ekonomia Online.

    Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, tha se inspektimi në fabrikën “Vita” është kryer më 2 korrik, në bashkëpunim me njësitë e tjera inspektuese dhe në zbatim të vendimit të ministrit.

    “Së pari, në bazë të kontrolleve gjatë datës 2 korrik në subjektin, ose fabrikën e përpunimit të qumështit ‘Vita’ në Istog, është bërë procesi i inspektimit të përbashkët me njësitë tjera inspektuese në subjekt. Inspektimi është bërë sipas kërkesës së vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, domethënë gjatë orarit. Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar gjithmonë shumë transparent. Këtë herë të gjithë kohën i kemi pasur kamerat rreth vetes dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, tha Shehu, raporton Ekonomia Online.

    Udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, tha se komisioni, bazuar në gjetjet e inspektorëve në terren, ka konstatuar shkelje të vendimit të ministrit nga ana e subjektit.

    “Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha Zyrapi.

    Ai mohoi raportimet se të gjithë anëtarët e komisionit kanë marrë pjesë në inspektim, duke sqaruar se një pjesë e zyrtarëve nuk kanë qenë të pranishëm brenda objektit gjatë kontrollit.

    “Sa i përket korrektësisë së opinionit dhe disa portaleve që po shkruajnë se kemi qenë të gjithë prezent në inspektim, kjo nuk është e vërtetë. Unë personalisht, edhe pse jam kryesues i komisionit të monitorimit, nuk kam qenë në inspektim faktikisht brenda, kam qenë jashtë zyrave. Edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk kanë qenë pjesë e këtij zhvillimi. Të tjerët që kanë qenë kompetentë dhe që vijnë nga fushat përkatëse kanë kryer inspektimin dhe na kanë paraqitur konstatimet e tyre”, tha Zyrapi.

  • Aksidenti në autostradë, 7 të lënduar u dërguan në emergjencë – kjo është gjendja e tyre

    Aksidenti në autostradë, 7 të lënduar u dërguan në emergjencë – kjo është gjendja e tyre

    Në një aksident të rëndë trafiku të ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, mbetën të lënduar tetë persona.

    Shtatë të lënduar janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor.

    Shefi i emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, se shtatë nga të lënduarit janë pranuar në emergjencë, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

    Ai bëri të ditur se në gjendje të përmirësuar, të njëjtit janë liruar në shtëpi.

    “Sot rreth ora 8:30 në Emergjencë janë sjellë 7 të lënduar në aksident trafiku që ka ndodhur në autostradë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, janë konsultuar specialistët sipas lëndimeve që kanë pasur. Në gjendje të përmirësuar janë liruar në shtëpi”, ka deklaruar Veçgishti.

  • OVL-UÇK uron ShBA-në për 4 Korrikun: Në orën më të errët të Kosovës, zëri dhe fuqia e Amerikës u rreshtuan krah popullit tonë

    OVL-UÇK uron ShBA-në për 4 Korrikun: Në orën më të errët të Kosovës, zëri dhe fuqia e Amerikës u rreshtuan krah popullit tonë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e dhënë Kosovës në rrugën drejt lirisë.

    OVL-UÇK i ka përcjellë urime popullit amerikan, Qeverisë së SHBA-së, si dhe ushtarëve e diplomatëve amerikanë që shërbejnë jashtë vendit.

    “Për Kosovën dhe për ata që luftuan për çlirimin e saj, kjo ditë mbart peshë të vërtetë. Ajo flet për vlerat që mbajtën gjallë një luftë të drejtë dhe siguruan lirinë mbi të cilën ngrihet shtetësia jonë. Në orën më të errët të Kosovës, zëri dhe fuqia e Amerikës u rreshtuan krah popullit tonë. Kjo e vërtetë nuk zbehet”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK ka shprehur gjithashtu respekt të veçantë për ushtarët amerikanë të dislokuar në Kosovë, duke theksuar se prania e tyre është garanci e fortë e paqes dhe stabilitetit.

    Në fund të mesazhit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka uruar që miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të jetë e përhershme.