ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme

    Osmani: Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën në burgun e Dubravës, duke thënë se “mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    Osmani ka thënë se sot, kujtojmë me dhimbje Masakrën e burgut të Dubravës, njërën prej masakrave më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

    “Në majin e vitit 1999, brenda mureve të burgut të Dubravës ndodhi krimi makabër: për pesë ditë rresht, regjimi gjenocidal i Serbisë, vrau mizorisht 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik si dhe plagosi 300 të tjerë”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, ata u vranë vetëm pse u angazhuan për të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre. Në vend që të mbroheshin, u bënë cak i një krimi sistematik, një krimi që sot, 26 vjet më vonë, ende kërkon drejtësi.

    Ndryshe, Njëzet e gjashtë vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.

    Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

  • Vrasja e Liridonës, caktohet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Vrasja e Liridonës, caktohet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës për 4 qershor 2025. Kështu konfirmoi zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Ajo ishte duke u kthyer në shtëpinë e saj, e shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy fëmijët, teksa u qëllua për vdekje me plumb në qafë.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

     

  • Fatmir Limaj thërret konferencë për media

    Fatmir Limaj thërret konferencë për media

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ftuar konferencë për media.

    Ajo do të mbahet në ora 16:00.

    Konferenca mbahet pak ditë pas intervistës së Kurtit në RTK, ku tha se Limaj ia ka kërkuar kryetarin e Kuvendit.

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë për posedim të substancave narkotike

    Arrestohen dy persona në Prishtinë për posedim të substancave narkotike

    Janë arrestuar dy persona në kryeqytet për posedim të substancave narkotike.

    Sipas Policisë së Kosovës, Rasti ka ndodhur dje në orën nëntëmbëdhjetë e pesëdhjetë e pesë, raporton KP.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë kontrollit tek njëri nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë me peshë rreth 0.2 gram, një telefon një palë çelësa të banesës dhe para të gatshme të valutave të ndryshme rreth 825 euro”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Ndërsa, tek i dyshuari tjetër janë gjetur dhe sekuestruar dy qese të vogla të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth dy pikë një gram.

    “Tek i dyshuari tjetër janë gjetur dhe sekuestruar dy qese të vogla të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 2.1 gram. Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja e banesës së të dyshuarit ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 643.7 gram, dy peshore digjitale”, thuhet në raport.

    Më tej thuhet se vlera e përgjithshme e substancës së dyshuar arrin vlerën rreth dymbëdhjetëmijë euro. Sipas raportit, pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Gjendet pa shenja jete një person në shtëpinë e tij në Ferizaj

    Gjendet pa shenja jete një person në shtëpinë e tij në Ferizaj

    Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën në shtëpinë e tij në Ferizaj.

    Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policor dhe Ekipi i Emergjencës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Netanyahu e bën planin e Trumpit për zhvendosjen e popullsisë së Gazës kusht të ri për përfundimin e luftës

    Netanyahu e bën planin e Trumpit për zhvendosjen e popullsisë së Gazës kusht të ri për përfundimin e luftës

    Gjatë konferencës së tij të parë për gazetarë pas pesë muajve, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën e përmendi zbatimin e planit “revolucionar” të presidentit amerikan, Donald Trump, për zhvendosjen e popullsisë civile të Gazës si kusht për përfundimin e luftës.

    Kjo është hera e parë që Netanyahu bën një kërkesë të tillë. Ai e quajti “të shkëlqyeshëm” planin e Trumpit dhe tha se projekti ka potencial për ta ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme, raporton gazeta “The Times of Israel”.

    Me operacionin e ri e të zgjeruar ushtarak tokësor në Gaza, i cili filloi në fundjavë, synohet “përfundimi i luftës, puna” në enklavë, tha kryeministri izraelit para gazetarëve dhe kamerave në Zyrën e Kryeministrit në Jerusalem.

    Izraeli ka një plan “shumë të organizuar” për t’i arritur qëllimet e luftës në Gaza, këmbëngul ai, duke thënë se objektivat janë “që të mposhtet Hamasi, i cili i kreu mizoritë e 7 tetorit (2023), të kthehen të gjitha pengjet tona dhe të sigurohemi që Gaza nuk do të përbëjë kërcënim ndaj Izraelit”.

    “Forcat tona po japin goditje të fuqishme që do të bëhen më të forta kundër bastioneve të Hamasit që ende ekzistojnë në Gaza” – shtoi Netanyahu, duke premtuar se deri në fundin e operacionit, “tërë territori i Gazës do të jetë nën kontrollin e sigurisë të Izraelit dhe Hamasi do të mposhtet tërësisht”.

    Edhe pse tha se është “i gatshëm për t’i dhënë fund luftës”, kryeministri izraelit tha se do të pajtohet për ta bërë këtë vetëm “në kushte të qarta që do ta garantojnë sigurinë e Izraelit: Të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi, Hamasi t’i ulë armët, të tërhiqet nga pushteti, udhëheqësia e tij të shkojë në ekzil… Gaza të çarmatoset tërësisht dhe ne ta kryejmë planin e Trumpit, një plan që është aq korrekt e aq revolucionar”.

    Sipas Netanyahut, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë të vendosura për t’u siguruar që Irani të mos mund të prodhojë armë bërthamore dhe Hamasi të dëbohet nga Gaza.

    “Ne duam që të sigurohemi që plani i Trumpit” për Gazën të bëhet realitet, shtoi ai. “Është një plan i mrekullueshëm që vërtet mund të sjellë ndryshim jo vetëm këtu… por mund ta ndryshojë fytyrën e Lindjes së Mesme. Mund ta ndryshojë një herë e përgjithmonë tërë atë nëpër të cilën ne kemi kaluar nga Gaza me dekada” – tha më tej kryeministri izraelit.

    Netanyahu tha, gjithashtu, se nëse ekziston mundësia për një “armëpushim të përkohshëm” që do ta mundësonte kthimin e pengjeve, ai do të pajtohej, por theksoi se kjo do të ishte vetëm e përkohshme./Nacionale

  • Komuna për grevën e punëtorëve të “Pastrimit”: Po keqpërdoren për qëllime politike nga menaxhmenti

    Komuna për grevën e punëtorëve të “Pastrimit”: Po keqpërdoren për qëllime politike nga menaxhmenti

    Komuna e Prishtinës ka reaguar pas nisjes së grevës nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi” para ndërtesës së komunës.

    Siç thuhet në njoftim, “grumbullimi i i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm” dhe se sipas tyre, të njëjtit po keqpërdoren për qëllime politike nga menaxhmenti.

    “Të nderuar qytetarë, Ka kohë që Kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm.

    Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

  • Organizata për dëme të luftës “Ngritja e zërit” dorëzoi dosjet – lëndët në Kushtetuese

    Organizata për dëme të luftës “Ngritja e zërit” dorëzoi dosjet – lëndët në Kushtetuese

    Organizata për dëme të luftës “Ngritja e zërit” dorëzoi për të 13-tën herë dosjet- lëndët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, raporton EO.

    “Ngritja e zërit” nga viti 2008 ka ushtruar padi për kompensimin e dëmeve të luftës, përfshirë dëmin në njerëz dhe pronë.

    Kujtojmë se rreth 1 mijë kërkesëpadi janë hartuar nga kjo organizatë dhe janë dorëzuar nëpër gjykata, pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, por të gjitha janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se nuk mund të paditet një shtet tjetër.

  • ​Policia e Kosovës kryen operacion të suksesshëm anti-terrorizëm

    ​Policia e Kosovës kryen operacion të suksesshëm anti-terrorizëm

    Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm anti-terrorizëm në orët e para të së enjtes. Bëhet fjalë për dy raste të ndara – Malishevë dhe Fushë Kosovë – ku janë kryer kontrolle.

    Janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari që lidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit si dhe për shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale.

    Policia njoftoi të enjten se operacioni është zhvilluar nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    “Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara, që kanë rezultuar me tri kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishevë, si dhe dy arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale”, thuhet në njoftim e Policisë së Kosovës.

    Sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë./KP

  • ​Vriten dy punonjës të ambasadës izraelite në Uashington

    ​Vriten dy punonjës të ambasadës izraelite në Uashington

    Dy punonjës të Ambasadës izraelite janë qëlluar për vdekje jashtë një muzeu hebre në qendër të Uashington, thanë zyrtarët.

    Burri dhe gruaja ishin një çift dhe u vranë ndërsa po largoheshin nga një ngjarje e fokusuar në ndihmën e banorëve të Gazës në Muzeun Jewish Capital, shkruan BBC.

    I dyshuari është ndaluar dhe identifikuar nga policia si 30-vjeçari Elias Rodriguez.

    Policia tha se ai bërtiti “Palestina e lirë” pasi u arrestua dhe oficerët “do të shqyrtojnë lidhjet me terrorizmin e mundshëm”.

    Ambasada e Izraelit tha se dy anëtarët e stafit u qëlluan “nga një distancë e afërt” ndërsa ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar tha se është një “sulm terrorist tronditës”.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se sulmi është “aq i trishtuar” dhe “i bazuar qartë në antisemitizëm”.