ATV

Category: Lajme

  • OBSh: Sëmundjet infektive në Gaza po përhapen pa kontroll

    OBSh: Sëmundjet infektive në Gaza po përhapen pa kontroll

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se sëmundjet infektive po “dalin jashtë kontrollit”, me vetëm 13 nga 36 spitalet që funksionojnë pjesërisht në Gaza.

    “Qoftë meningjit… diarre, sëmundje të frymëmarrjes, po flasim për sasi jashtëzakonisht të madhe të punës”, ka thënë drejtoresha e OBSH-së për rajonin, Hanan Balkhy.

    Ndërkohë, stafi i organizatës që gjendet në territorit palestinez ka thënë se ka rritur dërgesat me pajisje mjekësore në objektet shëndetësore që kur armëpushimi hyri në fuqi.

    Që nga fillimi i armëpushimit, sipas agjencisë së OKB-së për ushqimin në Gazë janë futur 560 tonë ushqim në ditë, por ka vlerësuar se kjo është pak.

  • Përkujtohet Dita e Unitetit Gjerman, prezantohet ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

    Përkujtohet Dita e Unitetit Gjerman, prezantohet ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se dje është festuar Dita e Unitetit Gjerman, një ngjarje që kujton fuqinë e unitetit, guximin dhe ndjenjën e përbashkët të qëllimit.

    Në ceremoninë e këtij viti, përveç shënimit të 35-vjetorit të Unitetit Gjerman, u prezantua edhe ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Si e ftuar nderi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi lidhjen e veçantë që ekziston midis Gjermanisë dhe Kosovës, një marrëdhënie që ndikon në jetën e qytetarëve të të dy vendeve dhe që ambasadori Rudolph synon ta forcojë edhe më tej gjatë mandatit të tij.

    Në këtë ceremoni morën pjesë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve, miq dhe partnerë ndërkombëtarë.

    Në deklaratën e saj, Ambasada Gjermane ka falënderuar të gjithë të pranishmit që kontribuuan për ta bërë këtë festim kaq të veçantë.

  • Mijëra qytetarë nga Kosova ndalen tek pompa e derivateve ku zakonisht bëjnë ndalesa, këtë herë të gjithë së bashku në protestën në Tiranë 🇦🇱

    Mijëra qytetarë nga Kosova ndalen tek pompa e derivateve ku zakonisht bëjnë ndalesa, këtë herë të gjithë së bashku në protestën në Tiranë 🇦🇱

    Mijëra qytetarë nga Kosova janë nisur sot drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare që po mbahet në kryeqytetin shqiptar, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

    Kolona të gjata automjetesh janë parë përgjatë “Rrugës së Kombit”, ndërsa shumë qytetarë janë ndalur në pikat e zakonshme të karburanteve për t’u bashkuar dhe organizuar për rrugëtimin drejt Tiranës 🇦🇱.

    Protesta po mbahet për të kërkuar drejtësi dhe trajtim të barabartë për ish-udhëheqësit e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte në Gjykatën Speciale të Hagës.

    Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve nga Kosova e Shqipëria po shihet si një shenjë e unitetit mbarëkombëtar dhe e mbështetjes së fortë për luftën çlirimtare dhe figurat e saj kryesore.

    https://www.facebook.com/share/v/1MvBXDdrMH/?mibextid=wwXIfr

  • Ali Ahmeti mbërrin në Tiranë për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, pritet nga Begaj

    Ali Ahmeti mbërrin në Tiranë për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, pritet nga Begaj

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka mbërritur sot në Tiranë për t’u bashkuar me protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, e cila synon të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

    Para fillimit të protestës, Ahmeti u prit nga presidenti shqiptar Bajram Begaj në një takim që ai e përshkroi si të ngrohtë dhe vëllazëror.

    Sipas Ahmetit, në bisedë u fokusuan zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërfqinjor.

    “E përgëzova Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.

    Rruga drejt Brukselit është rrugëtim strategjik kombëtar, që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

    Në takim theksuam gjithashtu rëndësinë e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku, të cilët në Evropën e bashkuar duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt,” shkroi Ahmeti në Facebook.

  • I riu me të kaluar kriminale kapet në Aeroport, ishte dënuar për 7 vepra

    I riu me të kaluar kriminale kapet në Aeroport, ishte dënuar për 7 vepra

    Sot në Aeroportin e Prishtinës është arrestuar një person i kërkuar për disa vepra penale.

    Policia ka bërë të ditur 33 vjeçari ishte i dënuar me mbi tri vite burgim për veprat penale “Mashtrim, Vjedhje, Prezantim i rremë si person zyrtar dhe Vjedhje të rëndë”.

    “I njëjti pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga ana e policisë, është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Përfundon numërimi i votave në Fushë Kosovë – Prebreza dhe Osmani në balotazh

    Përfundon numërimi i votave në Fushë Kosovë – Prebreza dhe Osmani në balotazh

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet përfundimtare nga Komuna e Fushë Kosovës, ku është përmbyllur procesi i numërimit të votave.

    Në garën për kryetar komune, më së shumti vota ka marrë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza, me 45.12% të votave, ndërsa pas tij renditet kandidati i LDK-së, Besnik Osmani, me 36.62%. Të dy kandidatët pritet të përballen në raundin e balotazhit.

    Ndërkohë, janë publikuar edhe rezultatet për Kuvendin Komunal, ku kandidatët më të votuar nga partitë kryesore janë:

    Lëvizja Vetëvendosje:

    • Shpend Bardiqi – 6,719 vota
    • Festim Pllana – 535 vota
    • Durim Hajra – 527 vota
    • Daut Krasniqi – 453 vota
    • Kushtrim Mirena – 412 vota

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

    • Mirlinda Krasniqi – 5,755 vota
    • Afrim Dumani – 549 vota
    • Laureat Gojnovci – 495 vota
    • Jetmir Berisha – 306 vota
    • Burim Berisha – 289 vota
    • Ali Topalli

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK):

    • Rrahim Tërnava – 3,957 vota
    • Valon Murseli – 425 vota
    • Aida Alimi – 290 vota
    • Ermal Dumani – 297 vota
    • Migjen Kolshi – 240 vota

    Zyrtarizimi i balotazhit pritet të bëhet nga KQZ pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.

  • Tronditëse: Në Prizren burri ther me thikë gruan dhe vajzën e mitur – të dyja në gjendje të rëndë

    Tronditëse: Në Prizren burri ther me thikë gruan dhe vajzën e mitur – të dyja në gjendje të rëndë

    Një burrë nga Prizreni ka therur me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur mbrëmë pas mesnatës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë në Prizren të dy viktimat janë në gjendje të rëndë.

    Prokuroria ka njoftuar se në vendngjarje e kanë arrestuar të dyshuarin.

    Për rastin Policia është njoftuar të premten rreth orës 00:20 minuta.

    “Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë vajza e mitur thuhet se është gjetur në katin e fundit të ndërtesës.

    “Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, thuhet tutje në njoftim.

    Në njoftim thuhet se në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.

    “Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, thuhet në njoftim.

  • Atentat ndaj biznesmenit pranë shtëpisë: Vritet presidenti i klubit të futbollit, i biri aksidentohet duke e dërguar në spital!

    Atentat ndaj biznesmenit pranë shtëpisë: Vritet presidenti i klubit të futbollit, i biri aksidentohet duke e dërguar në spital!

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku biznesmenit qipriot, njëkohësisht president i ekipit të futbollit Karmiotissa, Stavros Demosthenous, është qëlluar me armë zjarri mëngjesin e sotëm.

    Atentatorët duket se ishin në dijeni të lëvizjeve të biznesmenit, pasi kishin bërë pritë jashtë shtëpisë së tij.

    Sipas informacioneve nga policia qipriote, autorët e krimit ishin dy persona dhe po udhëtonin me një furgon të vjedhur.

    Sapo Stavros Demosthenous doli nga dera, ata e qëlluan. Ndërkohë djali i biznesmenit e futi në makinë të atin dhe u përpoq ta dërgonte në spital.

    Megjithatë, gjatë rrugës Stavros Demosthenous vdiq dhe makina ku udhëtonte u përplas me automjete të tjera në autostradë.

    Autorët e vrasjes u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa kilometra më larg dogjën furgonin, me të cilin udhëtonin.

    Policia ka nisur kërkimet për të identifikuar autorët, ndërsa dyshohet të kenë qenë vrasës profesionistë me pagesë.

    Po shqyrtohet mundësia që vrasja të ketë lidhje me aktivitetin e basteve në ndeshjet e futbollit, pasi “Karmiotissa” ka qenë nën hetim disa herë për trukim ndeshjesh me transmetimin e dosjeve të kuqe nga UEFA.

  • Turqia angazhon ekipe për gjetjen e trupave në rrënojat e Gazës

    Turqia angazhon ekipe për gjetjen e trupave në rrënojat e Gazës

    Turqia ka dërguar dhjetëra specialistë të kërkim-shpëtimit për të ndihmuar në kërkimin e trupave nën rrënojat në Gaza.

    Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza ka thënë se trupat e rreth 10,000 njerëzve kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Puna e ekipeve do të jetë jashtëzakonisht e gjatë dhe e lodhshme marrë parasysh masën e madhe të rrënojave nëpër gjithë territorin.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Hamasin pas vrasjeve të fundit të cilat u publikuan e që duken si ekzekutime të disa palestinezëve. Trumpi i cilësoi si shkelje të armëpushimit, raportoi Guardian.

    Pjesë e marrëveshjes së armëpushimit është rikthimi i pengjeve. Hamasi ka thënë se ka kthyer trupat e të gjithë pengjeve që ka mundur t’i marrë, por se 19 të tjerë nuk dihet ku janë, përveç se besohet se kanë mbetur nën rrënoja.

    Hamasi theksoi se është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe se do t’i rikthejë trupat e mbetur. Por, ka shtuar se ky proces do kohë për shkak të rrënojave.

  • Zelensky para takimit me Trumpin: Dronët dhe raketat ruse ende po e terrorizojnë Ukrainën

    Zelensky para takimit me Trumpin: Dronët dhe raketat ruse ende po e terrorizojnë Ukrainën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se dronët rusë sulmuan qytetin e tij të lindjes në Ukrainë në prag të takimit të tij me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

    Zelensky tha se sulmi në Krivij Ri, në juglindje të Ukrainës, në orët e vona të 16 tetorit, ishte një shembull se si Rusia “ende po e terrorizon Ukrainën”, dhe shtoi se kishte “dhjetëra dronë të tjerë sulmues në qiellin tonë” dhe po ashtu ishin parë edhe raketa.

    “Në fakt, në javët e fundit nuk ka kaluar asnjë natë pa sulme ruse në Ukrainë” dhe shumica kishin për shënjestër infrastrukturën, shkroi Zelensky në X pasi arriti në Uashington për takimin me Trumpin.

    Zelensky tha se Rusia do të detyrohet ta ndalë luftën vetëm kur të mos jetë në gjendje ta vazhdojë atë dhe mënyra se si Rusia mund të shfaqë gatishmërinë e vërtetë për paqe nuk qëndron te fjalët, por te ndalja e sulmeve dhe vrasjeve.

    “Prandaj, çdo sistem i mbrojtjes ajrore për Ukrainë ka rëndësi. Çdo vendim që mund të forcojë ne, e sjellë më afër përfundimin e luftës. Siguria mund të garantohet nëse gjithçka për të cilën ne jemi pajtuar, përfshirë këtu në Uashington, zbatohet”, tha ai.

    Bisedimet mes Trumpit dhe Zelenskyt pritet të përfshijnë diskutime për mbrojtjet ajrore të Ukrainës dhe kapacitetet për sulme me rreze të gjatë veprimi, përfshirë mundësinë që SHBA-ja t’i japë Ukrainës raketa Tomahawk.

    Trump njoftoi më 16 tetor se ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilluan një bisedë telefonike dhe u pajtuan që të takohen në Budapest.

    Trump shkroi në rrjetet sociale se do të ketë një takim të nivelit të lartë të këshilltarëve javën e ardhshme, para se ai dhe Putini të takohen “për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë të ‘palavdishme’ mes Rusisë dhe Ukrainës”.

    Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha ai. Lokacioni i takimit të këshilltarëve ende nuk është përcaktuar.

    Presidenti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai pret që të takohet me Putinin “brenda dy javësh”, duke shtuar se mikpritës i takimit do të jetë kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ka mbajtur raporte të mira me Rusinë, teksa ka vënë në dyshim dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    “Takimi i planifikuar mes presidentit amerikan dhe atij rus është një lajm i shkëlqyer për njerëzit paqedashës në botë”, shkroi Orban në X. “Ne jemi gati”.

    Si Kremlini, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë e vlerësuan bisedën telefonike Trump-Putin, duke e quajtur “të mirë” dhe “produktive”.

    Këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se biseda ishte “jashtëzakonisht e hapur”, duke shtuar se detajet do të diskutohen gjatë një bisede telefonike mes sekretarit Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që do të zhvillohet në ditët në vijim.

    Ushakov deklaroi se Putin i tha Trumpit që furnizimi i Ukrainës me raketa Tomahawk nuk do të ndryshonte situatën në fushëbetejë, por të do të dëmtonte përpjekjet për paqe dhe raportet mes Rusisë dhe SHBA-së.

    Zelensky tha përmes një postimi në Telegram pasi arriti në Uashington se duket që Rusia dëshiron të rinisë dialogun, pas mundësisë që SHBA-ja të dërgojë raketa Tomahawk.

    “Veçse e kemi parë që Moska po ngarendë që të rinisë dialogun sa më shpejt që të jetë e mundur pasi ka dëgjuar për raketat Tomahawk”, shkroi ai.

    Trump dhe Zelenskyy biseduan dy herë gjatë fundjavës, në mes të diskutimeve që janë intensifikuar për një vendim të mundshëm të SHBA-së për t’i dhënë Ukrainës raketa Tomahawk. Trump nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, por më 16 tetor tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të “shterojnë” rezervat e tyre të Tomahawk-ëve.

    Këto armë kanë një rreze deri në 2.500 kilometra – mjaftueshëm për të arritur deri në Moskë nga Ukraina – dhe mund të pajisen me koka bërthamore. Trump i përshkroi ato si një “armë të pamëshirshme, sulmuese dhe jashtëzakonisht shkatërruese” duke shtuar: “Askush nuk do që të sulmohet me Tomahawk”.

    Trump tha se e ka përmendur çështjen e Tomahawk-ëve gjatë bisedës me Putinin, dhe se udhëheqësit rus “nuk i pëlqeu ideja”./REL