ATV

Category: Lajme

  • MPJD: Arrestohet dhe lirohet ish-polici i Kosovës, Nexhat Pireva, në pikën kufitare me Serbinë

    MPJD: Arrestohet dhe lirohet ish-polici i Kosovës, Nexhat Pireva, në pikën kufitare me Serbinë

    Ish pjesëtari i Policisë së Kosovës, Nexhat Pireva, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Sipas njoftimit, Pireva, shtetas i Republikës së Kosovës nga Kamenica dhe pjesëtar i policisë për rreth 14 vite, po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët.

    “Gjatë kalimit kufitar, z. Pireva është ndaluar nga autoritetet serbe dhe është marrë në pyetje për afro katër orë,” konfirmoi MPJD. Pas procedurave, ai është liruar dhe “aktualisht ndodhet në liri”.

    Në deklaratë, ministria dënoi ashpër veprimet e Serbisë. “Praktika të tilla përbëjnë keqtrajtim të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe bien ndesh me marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve,” thuhet në komunikatë.

    MPJD u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë “deri në një njoftim të radhës”, me arsyetimin se një masë e tillë është e nevojshme “për të garantuar sigurinë e tyre”.

  • Sot mbyllet afati për koalicionet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Sot mbyllet afati për koalicionet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Sot skadon afati ligjor për partitë politike të regjistruara që të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) marrëveshjet për koalicionet zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

    Sipas KQZ-së, deri më tani janë regjistruar dy koalicione, të formuara nga partitë e komuniteteve jo-shumicë, ndërsa subjektet e mëdha politike shqiptare nuk kanë paraqitur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi.

    “Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: ‘PAI-PDAK-LPB’, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB); dhe Koalicioni VAKAT, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV)”, ka bërë të ditur KQZ-ja.

    KQZ ka rikujtuar se një koalicion mund të përbëhet nga të paktën dy parti politike, ndërsa pas certifikimit, asnjë parti nuk mund të tërhiqet deri në certifikimin përfundimtar të rezultatit zgjedhor.

    Po ashtu, një parti që është pjesë e një koalicioni nuk mund të paraqitet në një koalicion tjetër, as të garojë e vetme në të njëjtat zgjedhje.

  • Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt drejt fundit – epilogu pritet në dhjetor

    Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt drejt fundit – epilogu pritet në dhjetor

    Sot janë bërë dy vjet nga vrasja e Liridona Ademajt në një fshat të Prishtinës. Ajo u vra më 29 nëntor të vitit 2023, derisa bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshortin Naim Murseli po ktheheshin në shtëpi, pasi kishin ngrënë darkë në një restorant. Për këtë rast është akoma duke u zhvilluar gjykimi, ku në mesin të akuzuarve për vrasjen është edhe vet Murseli.

    Në përvjetorin e dytë të vrasjes, familja e Liridona Ademajt është në pritje të drejtësisë.Kanë kaluar dy vjet qëkur Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    Për vrasjen e saj po gjykohet bashkëshorti Naim Murseli, i cili akuzohet se e ka planifikuar vrasjen e saj me qëllim hakmarrjeje e përfitim financiar, konkretisht, nga një sigurim jetësor në Suedi që arrinte vlerën rreth 260 mijë eurosh.

    Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet të ketë planifikuar vrasjen me Kushtrim Kokallën, i akuzuar se ka njoftuar Murselin me dorasin Granit Plava, duke iu premtuar të dyve 30 mijë euro.

    E ky përvjetor i dytë i vrasjes së Ademajt e gjen familjen e saj ende duke pritur drejtësinë.

    “Këto 2 vite nuk kanë qenë të lehta për ne si familje. Nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin që ti nuk je më në mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për praninë tënde; asgjë nuk është më e njëjtë. Vitet po ecin shpejt dhe ne ende po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty, motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Leonard Ademaj – vëllai i Liridona Ademajt.

    Rasti në gjykatë monitorohet në vazhdimësi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, nga i cili thonë se rasti mund të marrë epilog në dhjetor.

    “Kemi disa seanca gjatë dhjetorit dhe normalisht, sipas planit, mund të kemi edhe epilogun e rastit por gjithmonë duke pasur parasysh, gjithmonë prej mbrojtjes së të akuzuarve se a do deklarohen apo mbrohen në heshtje. Mund të kemi edhe datën më të saktë të përfundimit të gjykimit në këtë rast. Pa përfundu kjo fazë, nuk mund ta dimë saktë epilogun dhe kohën kur përfundon”, ka thënë Flamur Kabashi – hulumtues në IKD për Tv Dukagjini.

    Sipas Kabashit, ka një element konkret që e ka karakterizuar rastin.

    “Gjatë gjykimit deri më tash, mund të themi se është karakterizu me dëgjimin e dëshmitarëve dhe leximin e provave konkretisht me dëgjimin e dëshmitarëve, konkretisht, baba i të akuzuarit. Normalisht këto prova do vlerësohen nga ana e gjykatës në ndërlidhshmëri mes vete duke sqarua se çka kanë provu. Duhet me pas parasysh që gjatë gjykimit një rol jashtëzakonisht aktiv në marrjen në pyetje e ka pas i akuzuari ku ka parashtru pyetje në drejtim të dëshmitarëve që është e drejtë e garantuar me legjislacionin tonë në fuqi në krahasim me rastet e tjera kur të akuzuarit shumicën e rasteve, pyetjet për ta i bëjnë mbrojtësit”, ka shtuar Kabashi.

    Sipas ekspertit mjeko-ligjor që dha dëshmi në gjykatë, e ndjera ishte vrarë nga një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.

    Nga viti 2010 deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra.

  • Gjykata në Beograd ia cakton një muaj paraburgim ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj

    Gjykata në Beograd ia cakton një muaj paraburgim ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj

    Gjykata në Beograd i ka caktuar një muaj paraburgim ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, njëherësh shtetas i Republikës së Kosovës, pa paraqitur asnjë provë konkrete ndaj tij.

    Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, përmes një shkrimi në Facebook.

    “Ish pjestarit te UÇK-se shtetasit te Republikes se Kosoves Avni Qenaj pa asnje prove te vetme Gjykata ne Beograd dje ia ka caktuar 30 dite paraburgimin ne vend qe ai te lirohej nen presionin diplomatik efektiv te Qeverise normale e serioze qe na mungon”.

    Sipas Smakiqit, familja Qenaj po kalon ditë të rënda, ndërsa pretendon se institucionet e Kosovës nuk po ofrojnë mbështetjen e nevojshme.

    “Familja Qenaj është lënë e vetme në këtë betejë ligjore. Në këto ditë feste kombëtare, ata po përballen me ankth dhe me mungesë të plotë të mbështetjes shtetërore. Pafajësia e Avni Qenaj do të triumfojë, por çfarë kuptimi ka ekzistenca e shtetit kur dështon në secilën fushë? Liri për Avni Qenaj, i cili po kalon 28 Nëntorin në qelinë e Beogradit, ku po mbahet në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”, ka shkruar Smakiqi në Facebook.

    Ai ka akuzuar autoritetet e Kosovës, pasi sipas tij, po ia lehtësojnë Serbisë shkeljet e marrëveshjes së Brukselit.

    “Ne mungesë te një Qeverie serioze te Kosoves vazhdojnë kindnapimet e ish pjestarëve te UÇK-se sepse Qeveria duke u sjellur ne menyren me jo serioze qe 5 vite ne negociatat ne Bruksel Serbia lehtesishte shkel marrveshjet e Brukselit ku garantohet liria e levizjes dhe kapitalit si e drejte themelore njerzore dhe parime themelore te BE-se, por qe kjo e drejte nuk po zbatohet per ish pjestaret e UÇK-se”, tha mes tjerash Smakiqi.

  • Gazetari kroat: Vuçiq ishte organizatori i vrasjeve me snajper në Sarajevë

    Gazetari kroat: Vuçiq ishte organizatori i vrasjeve me snajper në Sarajevë

    Gazetari Domagoj Margetiq ka folur, mbi shkrimin investigativ për përfshirjen e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në një grup snajperistësh gjatë viteve të luftës në Bosnje e Hercegovinë.

    Ai në Euronews Albania ka dhënë detaje dhe dëshmi nga hetimi, që tregojnë lidhjen e Vuçiq me këtë grup.

    “Në afërsi të Sarajevës, udhëhiqeshin nga njerëz të një njësie paraushtarake, të cilët kishin leje kalimi nga institucionet serbe. Dhe ajo që dimë tani, dhe çfarë zbulova është se Vuçiq ishte një nga ata që shoqëronte të ashtuquajturit ‘klientë’, dhe Vuçiq mbante një stemë të shërbimeve sekrete serbe, ndërsa vazhdonte kalimin. Mirko Blagojeviq ishte kreu i kësaj njësie paraushtarake dhe ai ka thënë se Vuçiq ishte ai që shoqëronte njerëzit dhe mundësonte lëvizjen e tyre.

    Ata shkonin nga lokaliteti Ipale tek varrezat hibraike, deri sa kalonin turistët. Shumica e dëshmive të mia mbi këtë hetim janë nga pala paraushtarake serbe, kam folur me eksponentë dhe ish-ekspozentë të Bosnjës, që po ashtu kanë konfirmuar se Vuçiq ka qenë aty. Kam takuar njerëz të njësisë paraushtarake serbe që më konfirmuan se ky ‘safari’ drejtohej nga Sllavko Aleksic dhe Vuçiç ishte pjesë e kësaj njësie. Pra, shumica e informacioneve vijnë nga ushtarët. Nëse e keni parë artikullin tim, unë nuk kam përmendur Serbinë dhe qytetarët serbë, por ata që kanë marrë pjesë.”, ka deklaruar Margetiq.

  • Moldavia njofton se dronët rusë hynë në hapësirën e saj ajrore, duke paraqitur rrezik për aviacionin

    Moldavia njofton se dronët rusë hynë në hapësirën e saj ajrore, duke paraqitur rrezik për aviacionin

    Autoritetet moldave raportuan se dy dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Moldavisë, duke shkaktuar një kërcënim për sigurinë e aviacionit. Ky është incidenti i tretë i tillë brenda nëntë ditëve, duke rritur shqetësimet për sigurinë ajrore në rajon.

    Pasi dronët rusë kaluan në hapësirën ajrore të Moldavisë, autoritetet vendase mbyllën përkohësisht hapësirën ajrore të vendit për një orë dhe 10 minuta. Sipas Ministrisë së Brendshme të Moldavisë, dy dronët që fluturonin mbi territorin moldav u identifikuan si rusë, dhe më vonë ata vazhduan fluturimin mbi territorin ukrainas, shkruan Reuters, transmeton Sinjali.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Moldavisë njoftoi gjithashtu se kishte thirrur ambasadorin rus në Kishinau, Oleg Ozerov, për të diskutuar incidentin dhe për t’i prezantuar atij një nga dronët rusë që ishte gjetur në territorin moldav. Kjo ndodhi më 26 nëntor, dhe incidenti u pasua nga një video e shpërndarë nga autoritetet moldave, ku ambasadori rus shihej pranë dronit të zbuluar.

    Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka reaguar ashpër ndaj agresionit rus, duke e akuzuar Moskën për përpjekje për të destabilizuar shtetin e vogël të Ballkanit, që ndodhet midis Ukrainës dhe anëtares së BE-së, Rumanisë. Sandu, e cila ka shprehur dëshirën për ta parë Moldavinë anëtare të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, ka kritikuar ashpër luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka theksuar rrezikun që përbën për sigurinë rajonale.

    Sipas Ministrisë së Brendshme të Moldavisë, mbyllja e hapësirës ajrore ishte e domosdoshme për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm ndaj fluturimeve të zakonshme. “Gjatë këtij incidenti, që përbënte një kërcënim serioz për sigurinë e fluturimit, hapësira ajrore e Moldavisë u mbyll për një orë e 10 minuta, nga ora 22:43 deri në ora 23:53,” tha Ministria e Brendshme e Moldavisë në një njoftim për shtyp.

    Ky incident i fundit është pjesë e një seri të ngjarjeve të ngjashme që kanë ndodhur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ku Moldavia ka pasur shqetësime të vazhdueshme për sigurinë e saj ajrore, duke iu druajtur mundësisë që ndonjë aktivitet i tillë të shkaktojë ndonjë aksident të mundshëm në hapësirën ajrore të saj ose në ato të vendeve të tjera fqinjë.

  • Mandati i Peter Sorensenit zgjatet për dy vjet shtesë

    Mandati i Peter Sorensenit zgjatet për dy vjet shtesë

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar zgjatjen e mandatit të emisarit për dialog, Peter Sorensen, për dy vjet shtesë, në përputhje me rekomandimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.

    Burime diplomatike në Bruksel konfirmuan se mandati i Sorensenit, i cili skadon në fund të shkurtit, do të vazhdojë për dy vjet. Edhe pse mandati i tij i parë, 13-mujor, nuk ka sjellë përparim të dukshëm në procesin e dialogut, BE-ja thekson se mungesa e lëvizjeve është e lidhur me zhvillimet politike të brendshme në Kosovë dhe Serbi.

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kaja Kallas synon organizimin e një takimi në nivel liderësh, por vetëm kur të krijohen kushtet e nevojshme. BE-ja vazhdon të theksojë se progresi në rrugën evropiane për të dyja vendet varet nga avancimi në dialog.

    Ministrat evropianë do të rikujtojnë në dhjetor se, në mungesë të përparimit, palët mund të humbasin mundësi të rëndësishme. BE-ja kërkon gjithashtu përmbushjen e detyrimeve të dala nga dialogu dhe zbatimin e marrëveshjes së vitit 2023, të arritur në Ohër.

  • Incident i armatosur në rrugën “Dardania”, plagosje pas një zënke në trafik në Fushë Kosovë

    Incident i armatosur në rrugën “Dardania”, plagosje pas një zënke në trafik në Fushë Kosovë

    Një mosmarrëveshje e çastit në trafik dyshohet se u bë shkaktare e një plagosjeje me armë zjarri pasditen e sotme në Fushë Kosovë.

    Incidenti u regjistrua rreth orës 15:50 në rrugën “Dardania”, pranë shkollës “Mihal Grameno”, ku nga të shtënat mbeti i plagosur një 40-vjeçar.

    Ky i fundit u paraqit vetë në stacionin policor me plagë në këmbë, ndërsa mjekët konfirmojnë se është jashtë rrezikut për jetë. Sipas deklaratës së viktimës, gjithçka nisi pas një konflikti verbal në komunikacion me drejtuesin e një veture Audi A3, të cilin nuk e njihte.

    I dyshuari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia, me autorizim të prokurorit, ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

  • Delegacioni ukrainas niset drejt ShBA-së për bisedime të paqes

    Delegacioni ukrainas niset drejt ShBA-së për bisedime të paqes

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se një delegacion i shtetit të tij, i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për të vazhduar bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

    Umerov u vu në krye të delegacionit ukrainas pasi kryenegociatori paraprak, shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dha dorëheqje një ditë më parë pasi hetuesit kundër korrupsionit bastisën zyrën dhe shtëpinë e tij.

    Zelensky tha se pret që rezultatet e takimeve të mëhershme me SHBA-në në Gjenevë, që u zhvilluan fundjavën e kaluar, tani të “konkretizohen” në bisedimet e së dielës.

    Këto takime i mundësuan Ukrainës që të paraqiste propozimet e saj, pasi sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll, paraqiti propozimet amerikane tek udhëheqësit në Kiev pothuajse dy javë më parë.

    “Rustem dorëzoi sot një raport dhe detyra është e qartë: të punojmë shpejt dhe me substancë për hapat e nevojshëm për të përfunduar luftën”, shkroi Zelensky në X.

    Yermak i tha New York Post disa orë pas dorëheqjes se po “shkon në front”.

    “Jam një njeri i ndershëm dhe i respektueshëm”, tha ai.

    Ukraina po përballet me presion nga Uashingtoni për të pranuar kushtet e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Zelensky gjendet në situatën më të vështirë politike dhe ushtarake që nga ditët e para të pushtimit rus më 2022./REL

  • KFOR dhe EULEX përmirësojnë aftësitë e ndërveprimit në stërvitjen e përbashkët

    KFOR dhe EULEX përmirësojnë aftësitë e ndërveprimit në stërvitjen e përbashkët

    KFOR ka njoftuar se trupat hungareze, në bashkëpunim me personelin e EULEX-it, kanë realizuar një stërvitje të përbashkët që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy misioneve ndërkombëtare. Aktiviteti kishte për qëllim përmirësimin e koordinimit dhe përgatitjen e ekipeve për të reaguar më efektivisht në situata të ndërlikuara të sigurisë.

    Stërvitja u fokua në rritjen e qëndrueshmërisë dhe aftësisë për të marrë vendime nën presion, duke mundësuar që ekipet të rafinojnë taktikat dhe të përmirësojnë ndërveprimin mes njësive të ndryshme.

    KFOR theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla, duke e quajtur këtë stërvitje thelbësore për të siguruar reagime të shpejta dhe të sinkronizuara në situata emergjente.

    “Këto stërvitje janë të domosdoshme për të mbështetur gatishmërinë e misioneve dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt për qytetarët e Kosovës,” u shprehën zyrtarët e KFOR.