ATV

Category: Lajme

  • Hoxha: Nga viti 2000 e deri më sot kemi humbur mbi 3,000 njerëz në trafik

    Hoxha: Nga viti 2000 e deri më sot kemi humbur mbi 3,000 njerëz në trafik

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në prezantimin e punës vjetore të Policisë rajonale të Prishtinës, ka thënë se nga viti 2000 e deri më sot në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën mbi 3 mijë njerëz.

    “Problemet që kanë shënuar rritje janë rastet të fatalitetet dhe jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës kemi pasë rritje të rasteve në trafik, ku kemi pasë diku mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 sa kemi pasë në 2024-tën. Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve, pastaj deri te marrja e patentë shoferëve, kontrolli i shtuar në rrugë”, tha ai.

    Ai ka numëruar disa nga faktorët që kanë ndikuar që të ketë më shumë problemë në trafik, e ku një nga to e nënvizon të jetë një numër i madh i njerëzve që kanë vizituar Kosovën. Këtu ai përmend edhe statistikat për patentë shoferë.

    “Disa prej faktorëve që kanë ndiku të kemi më shumë probleme në trafik gjatë viti që shkoj ka qenë numri i madh i njerëzve që kanë qarkulluar në rrugët tona, dhe po ashtu numri i madh i njerëzve që kanë hy në kufijtë e Kosovës, kemi pasë një rritje me milionë njerëz. Kemi pasë 2-3 milionë që janë fut në territorin tonë. Po ashtu është rritur numri i veturave të regjistruara dhe i patentë shfoerëve. Në vitin 2011-të, Kosova ka pasë diku rreth 400 mijë patentë shoferë, sot i kemi 900 mijë”, tha Hoxha.

    E rënie të rasteve në Prishtinë u vlerësua të ketë pasë në vrasje, grabitje dhe vjedhje të rënda, e dhunën në familje./EO

  • Rritet në 15 numri i viktimave pas përplasjes mes gomones së emigrantëve dhe anijes së Rojes Bregdetare greke

    Rritet në 15 numri i viktimave pas përplasjes mes gomones së emigrantëve dhe anijes së Rojes Bregdetare greke

    Numri i personave që humbën jetën pas përplasjes së një anijeje të Rojes Bregdetare greke me një gomone që transportonte emigrantë pranë ishullit Çios ka shkuar në 15, njoftuan autoritetet. Dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

    Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi të martën vonë, kur gomonia, e dyshuar se operohej nga kontrabandistë emigrantësh, përpiqej të afrohej në zonën Myrsinidi për të zbarkuar pasagjerët. Anija transportonte rreth 30 persona dhe kishte motor të fuqishëm, kur u vu re nga një mjet patrullimi i Rojes Bregdetare nga ishujt e afërt Oinousses.

    Pas një ndjekjeje, të dy mjetet u përplasën, sipas zyrtarëve të Rojes Bregdetare. Autoritetet konfirmuan se viktimat përfshinin 11 burra dhe katër gra, ndërsa paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet.

    U nis menjëherë një operacion i madh kërkimi dhe shpëtimi, që përfshinte disa anije të Rojes Bregdetare dhe një gomone private me zhytës civilë. Të mbijetuarit e plagosur u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm Skylitseio të Çios. Mes tyre ishin 24 emigrantë, përfshirë dy gra shtatzëna, si dhe dy oficerë të Rojes Bregdetare me lëndime të lehta. Fatkeqësisht, fetuset e dy grave shtatzëna nuk mbijetuan, ndërsa tre emigrantë të tjerë iu nënshtruan operacioneve për dëmtime të rënda në organe jetësore.

    Zyrtarët grekë e konsiderojnë incidentin si një nga më seriozët në vitet e fundit, edhe pse ndjekje të shpejta me gomone emigrantësh janë regjistruar më parë pranë ishujve të Detit Egje si Kos, Symi, Rodos, Samos dhe Agathonisi.

    Në muajt e fundit, mbërritjet e emigrantëve në ishujt e Egjeut kanë rënë ndjeshëm. Në dhjetor, rreth 220 persona mbërritën në Çios, ndërsa në fillim të shkurtit u regjistruan 33 mbërritje, sipas Ministrisë së Migracionit. Në përgjithësi, flukset e emigrantëve drejt ishujve të Egjeut ranë me rreth 40% gjatë vitit 2025.

    Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, njoftoi se qeveria do të krijojë dy qendra pritjeje për emigrantët në Kretë, të financuara nga Bashkimi Evropian, të cilat pritet të jenë funksionale deri për festën e Pashkëve. Ligji përfshin gjithashtu masa kompensuese për komunitetet lokale, të ngjashme me ato që tashmë zbatohen në ishujt e Egjeut që presin qendra pritjeje afatgjata.

  • Deklarata e papritur e Trumpit për Bill dhe Hillary Clinton para gazetarëve në Zyrën Ovale

    Deklarata e papritur e Trumpit për Bill dhe Hillary Clinton para gazetarëve në Zyrën Ovale

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se mendon që “tani është koha” që kombi të përqendrohet në një temë tjetër, pasi Departamenti i Drejtësisë publikoi dokumente të reja në lidhje me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein disa ditë më parë .

    “Mendoj se është koha që vendi të përqendrohet në diçka tjetër, ndoshta në sistemin e kujdesit shëndetësor ose në diçka që është e rëndësishme për njerëzit”, u tha presidenti amerikan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton AFP.

    Kur publikoi dokumentet e reja më 30 janar, Departamenti i Drejtësisë tha se po përmbushte një detyrim të vendosur nga Kongresi ndaj administratës Trump për të qenë plotësisht transparent në lidhje me këtë çështje politikisht të ndjeshme.

    Trump tha gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 se donte të publikonte të gjitha dokumentet në lidhje me Epstein. Por ngurrimi i tij i dukshëm për ta mbajtur atë premtim i ka sjellë akuza për mungesë transparence dhe madje edhe për mbulim të të vërtetës, madje edhe brenda lëvizjes së tij MAGA.

    “Tani që asgjë nuk ka dalë në dritë rreth meje, përveçse ishte fjalë për fjalë një komplot nga Epstein dhe njerëz të tjerë kundër meje, mendoj se është koha që vendi ndoshta të përqendrohet në diçka tjetër”, tha Trump të martën, raportoi CNN.

    Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi së fundmi miliona dokumente të brendshme që lidhen me Epstein, duke zbuluar lidhjet e tij me shumë figura të shquara në politikë, financë, akademi dhe biznes – si para ashtu edhe pasi ai u deklarua fajtor për akuzat që lidhen me prostitucionin në vitin 2008.

    Emrat e miliarderit Elon Musk dhe Ministrit të Tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick, u shfaqën në dokumentet e publikuara .

    “Jam i sigurt se janë mirë. Përndryshe do të ishin lajme kryesore”, tha presidenti i SHBA-së të martën.

    Trump tha gjithashtu se i vinte keq për Bill Clinton dhe Hillary Clinton , të cilat pranuan të dëshmonin në hetimin e Kongresit ndaj Epstein.

    “Mendoj se është për të ardhur keq, sinqerisht. Gjithmonë më ka pëlqyer. Ajo, është një grua shumë e aftë. Ishte më e mirë në debat sesa disa njerëz të tjerë. Do t’ju them se ishte më e zgjuar – një grua e zgjuar”, tha Trump.

    “Nuk duhet të ndihem kështu, por ndihem keq që ata duhet të kalojnë nëpër këtë. Por pastaj mendoj me vete – ata bënë shumë më keq se unë. Ata donin të më fusin në burg”, tha Trump.

    Clinton fluturoi disa herë me aeroplanin e Epstein në fillim të viteve 2000, pasi ai u largua nga detyra. Ai ka shprehur keqardhje për marrëdhënien dhe ka thënë se nuk dinte asgjë për aktivitetin kriminal të Epstein.

    Hillary Clinton është planifikuar të dëshmojë më 26 shkurt, dhe Clinton më 27 shkurt.

  • MSH për Ditën botërore të luftës kundër kancerit: Duhanpirja është faktori më i madh i rrezikut për kancerin e mushkërive

    MSH për Ditën botërore të luftës kundër kancerit: Duhanpirja është faktori më i madh i rrezikut për kancerin e mushkërive

    Me rastin e Ditës Botërore të Luftës kundër Kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik rikujtojnë se duhanpirja përfaqëson një faktor të rëndësishëm rreziku për sëmundjet malinje, veçanërisht për kancerin e mushkërive.

    Siç thonë nga MSH, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë neoplazitë malinje të bronkeve dhe mushkërive.

    “Përdorimi i duhanit është shkaku kryesor i kancerit, i cili mund të parandalohet. Të dhënat statistikore tregojnë se numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga neoplazitë malinje të bronkeve dhe mushkërive në vitin 2024 është 860, ku numri i meshkujve është më i lartë krahasuar me atë të femrave. Heqja dorë nga duhanpirja e zgjat ndjeshëm jetëgjatësinë dhe përmirëson cilësinë e jetës. Pikërisht në Ditën Botërore të Luftës kundër Kancerit, apelojmë edhe një herë për rëndësinë e miratimit të ligjit të ri për mbrojtje nga duhani, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve”, shpjegoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

    Përveç përdorimit të duhanit, faktorë të tjerë rreziku për sëmundjet malinje janë edhe mbipesha, konsumimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja jo e shëndetshme.

    Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga neoplazitë malinje në vitin 2024 është 3.958, prej të cilëve 2.325 janë meshkuj dhe 1.633 femra. Në të njëjtin vit, numri i të vdekurve nga neoplazitë në moshë mbi 65 vjeç është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me ata deri në moshën 64 vjeç.

  • Gazmend Muhaxheri mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Gazmend Muhaxheri mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Përfaqësuesit e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë vizituar sot Komunën e Pejës, ku janë pritur në takim nga kryetari Gazmend Muhaxheri, i cili shprehu mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës prezantuan aktivitetet dhe angazhimin e tyre në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar, duke shprehur mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Pejës,

    Muhaxheri, sipas njoftimit zyrtar, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe u zotua për angazhim në mobilizimin e qytetarëve.

    “Kjo është një thirrje që meriton mbështetje të gjerë qytetare. I ftoj qytetarët e Pejës dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për të kërkuar drejtësi”, ka thënë Muhaxheri.

  • Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në UP pranohet në rrjetin evropian të gjuhëve

    Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në UP pranohet në rrjetin evropian të gjuhëve

    Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në Universitetin e Prishtinës është pranuar si anëtar institucional me të drejta të plota në Këshillin Evropian për Gjuhët (CEL/ELC), një rrjet i njohur evropian që bashkon universitete dhe institucione të specializuara në fushën e studimeve gjuhësore.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila e cilësoi këtë anëtarësim si një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë.

    Sipas Nagavcit, Këshilli Evropian për Gjuhët ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë për zhvillimin dhe avancimin e studimeve gjuhësore. Ajo theksoi se ky anëtarësim rrit vizibilitetin ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës dhe krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, projekte të përbashkëta dhe zhvillim profesional për studentët dhe stafin akademik.

    Ministrja shtoi se përfshirja në këtë rrjet përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit akademik evropian dhe dëshmon përkushtimin për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

    Nagavci nënvizoi gjithashtu se Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa dhe projekte që synojnë avancimin e arsimit në Kosovë, duke theksuar rolin kyç të gjuhëve në zhvillimin akademik dhe integrimin ndërkombëtar.

    Universiteti i Prishtinës është uruar për këtë arritje, e cila konsiderohet një tjetër sukses në forcimin e bashkëpunimit me institucionet akademike evropiane.

  • Tre të arrestuar për krim të organizuar, konfiskohen mbi 11 mijë euro

    Tre të arrestuar për krim të organizuar, konfiskohen mbi 11 mijë euro

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar tre persona nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë telefona, laptopë dhe para të gatshme në vlerë prej 11 mijë e 756 euro.

    Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet F.M., V.M. dhe A.D., po hetohen për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Hyrja në sistemet kompjuterike”, sipas nenit 327, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas hetimeve që po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës, rasti ka edhe elemente ndërkombëtare. Dyshohet se nga viti 2021 e tutje, të pandehurit, në bashkëkryerje me persona të tjerë, janë paraqitur rrejshëm si punëtorë bankash.

    Dyshimet përfshijnë vepra penale si mashtrimi, prezantimi i rremë, vjedhja e identitetit dhe kredencialeve, si dhe shpëlarja e parave, me qëllim përfitimi të drejtpërdrejtë financiar.

    Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë pajisje elektronike dhe para të gatshme në vlerë prej 11.756 euro, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

  • Anëtari i LDK-së flet për zgjedhje të reja në prill: Vetëm ato e ndalin Albin Kurtin

    Anëtari i LDK-së flet për zgjedhje të reja në prill: Vetëm ato e ndalin Albin Kurtin

    Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Bajram Gecaj beson se autonomia për veriun e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, është e paevitueshme.

    Për këtë shkak, ai thotë se Kurti duhet të hiqet nga pushteti dhe se zgjedhjet e mundshme në muajin prill të këtij viti janë e vetmja rrugë për të arritur këtë qëllim.

    Sipas Gecajt, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të vendit.

    “Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut”, ka shkruar Gecaj në një postim në Facebook të mërkurën.

    Tutje, ai ka thënë se “vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.”

    Postimi i plotë:

    AUTONOMI E SIGURT PËR VERIUN …

    Qeveria Mustafa trashëgoi Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar nga ish Kryeministri Thaçi në vitin 2013. Megjithatë, ajo marrëveshje u zbut maksimalisht, brenda kufijve të së mundshmes, me marrëveshjen e vitit 2015. Në atë proces u vendosën filtra të fuqishëm mbrojtës për Kosovën: letra e Përfaqësueses së Lartë Mogherini, kontrolli i Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesa eksplicite që çdo zbatim të bëhej në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, ne ishim të bindur se marrëveshja e riformuluar nuk e dëmtonte shtetin, dhe ishim të gatshëm të fillonim zbatimin. Por pala serbe ishte ajo që e refuzonte, sepse nuk u konvenonte.

    Kjo ndodhi sepse në ekip kishte profesionistë të vërtetë, njerëz që nuk mashtroheshin lehtë dhe që kishin përvojë të gjatë në ligj, diplomaci dhe dialog ndërkombëtar.

    Profesori Enver Hasani, eksperti më i shquar kushtetues që ka Kosova, paralajmëron qartë: “Marrëveshja e Ohrit me planin e zbatimit do të prodhojë një rend paralel kushtetues. Ne i themi ‘Kushtetutë materiale’, e cila rregullon materien kushtetuese njësoj si Kushtetuta Formale e votuar në Kuvend, por pa ndjekur procedurat kushtetuese.”

    Ky është thelbi i rrezikut.

    Pse po ndodh kjo? Sepse populistët joprofesionistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë besuar se mund ta mashtrojnë komunitetin ndërkombëtar, ashtu siç e mashtruan elektoratin e vet, duke e lënë kështu Kosovën pa mburojë e me “kopil te dera.”

    Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut.

    Edhe Lulzim Peci, tashmë një analist i dëshmuar ndër vite, ka plotësisht të drejtë kur thotë se “Marrëveshja e Brukselit, deshëm apo nuk deshëm ne ta pranojmë, aty është një pikë që kryeministri ynë e ka pranuar: vetëqeverisja e komunitetit serb në Kosovë.”

    Ironia është tronditëse. Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj dikur e “kallën” Kosovën për një marrëveshje që nuk do ta dëmtonte as për një milimetër rendin kushtetues dhe integritetin territorial të shtetit.

    Ndërsa sot? Çfarë kemi bërë ne për të kundërshtuar një marrëveshje që e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të Kosovës?

    Asgjë. Heshtje. Dorëzim. Dhe rrezik historik.

    Vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.

  • Peci tallet keq me degën e LDK-së në Mitrovicë: Me 3% nuk punon as iPhone

    Peci tallet keq me degën e LDK-së në Mitrovicë: Me 3% nuk punon as iPhone

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut është prishur.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Ai në reagimin e tij ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që siç ka thënë është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

    Në anën tjerër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka bërë një reagim tallës në lidhje me këtë çështje.

    “Me 3% nuk punon as iPhone-i”, ka shkruar ai.

  • LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut është prishur.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Ai në reagimin e tij ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që siç ka thënë është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë.

    Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, ka shkruar Plakolli.