ATV

Author: Samir Dalipi

  • Trump merr kontrollin e NBA, Kushner blen Lakers për 12,5 miliardë dollarë

    Trump merr kontrollin e NBA, Kushner blen Lakers për 12,5 miliardë dollarë

    Në një zhvillim befasues, ish-drejtuesi ekzekutiv i Disney-t, Bob Iger, dhe investitori amerikan, Josh Kushner, po blejnë një nga asetet më prestigjioze në sportin amerikan: Los Angeles Lakers.

    Iger dhe Kushner, ky i fundit vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump, po paguajnë një shumë rekord prej 12,5 miliardë dollarësh për ekipin e basketbollit, sipas një burimi të informuar mbi çështjen që foli për CNN.

    Ky transaksion vjen më pak se një vit pasi NBA miratoi miliarderin Mark Walter si pronarin shumicë të kësaj skuadre legjendare

    Iger dhe Kushner e konfirmuan marrëveshjen, për të cilën fillimisht raportoi ESPN, përmes një deklarate të mërkurën.

    “Si tifozë të përjetshëm të NBA-së, ndihemi thellësisht të nderuar për mundësinë që të bëhemi kujdestarë të Los Angeles Lakers, një prej ekskluziviteteve sportive më ikonike në botë,” thanë Iger dhe Kushner në deklaratë.

    “Angazhimi ynë afatgjatë është të ndërtojmë mbi atë themel, të garojmë në nivelin më të lartë dhe t’i shërbejmë këtij ekipi të jashtëzakonshëm, tifozëve të tij dhe qytetit të Los Anxhelosit”, shtuan ata.

    Marrëveshja ka nevojë për miratimin e Bordit Qeverisës të NBA për t’u finalizuar.

    Me 17 tituj kampionë, Lakers janë një nga ekipet më të suksesshme në historinë e basketbollit. Ata e fituan titullin së fundmi në sezonin 2019-20.

    Mark Walter, kompania e të cilit “Guggenheim Investments” zotëron ekipin e bejsbollit “Los Angeles Dodgers”, bleu një pjesë kontrolluese të aksioneve të “Lakers” në një marrëveshje të njoftuar pak më shumë se një vit më parë.

    Ajo marrëveshje e vlerësoi ekipin në 10 miliardë dollarë, ndonëse Walter nuk bleu pronësinë e plotë (100%). Ai e ka drejtuar ekipin që nga tetori i kaluar.

    Megjithatë, shitja e shpejtë e ekipit përbën një kthesë befasuese ngjarjesh në një fushë biznesi ku ekipet zakonisht qëndrojnë për dekada të tëra nën të njëjtën pronësi.

    “Askush nuk shet një françizë sportive premierë në më pak se një vit. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha për CNN një bankier i përfshirë në marrëveshje sportive.

    Lajmi për shitjen vjen ndërsa biznesi financiar i Walter është i zhytur në probleme ligjore.

    Në fund të muajit të kaluar, The Wall Street Journal raportoi se një ankesë e brendshme e një informatori në lidhje me Guggenheim Investments të Walter shkaktoi një hetim federal.

  • Kanosje dhe sulm me thikë në Mitrovicë, shoqërohet në polici e dyshuara

    Kanosje dhe sulm me thikë në Mitrovicë, shoqërohet në polici e dyshuara

    Një incident me thikë ka ndodhur të mërkurën në Mitrovicë të Jugut, ku një grua dyshohet se ka kanosur me thikë një burrë dhe më pas e ka hedhur thikën, duke goditur një grua tjetër.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 12 gusht, rreth orës 13:40. E dyshuara është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, të përfshirët janë liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

    “Mitrovicë jug / 12.08.2026 – 13:40. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që kishte kanosur me thikë viktimën mashkull kosovar, ndërsa më pas kishte hedhur thikë dhe me këtë rast kishte goditur viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”.

  • Adnan Rrustemi mohon lidhjet familjare me Skender Llugiqin

    Adnan Rrustemi mohon lidhjet familjare me Skender Llugiqin

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas tij, kanë për qëllim ta lidhin atë me një person të arrestuar, duke i cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe si përpjekje për goditje politike.

    Rrustemi ka dënuar fillimisht gjuhën e përdorur ndaj Ramush Haradinajt, duke thënë se ajo është e papranueshme dhe nuk mund të arsyetohet pavarësisht se nga kush vjen.

    “Së pari, gjuha e personit në fjalë ndaj Ramush Haradinajt është gjuhë e papranueshme e kësisoj e dënueshme. Ajo gjuhë nuk mund të justifikohet pavarësisht nga kush vjen.”

    Sipas tij, përplasjet politike nuk duhet të kalojnë në gjuhë fyese apo kërcënuese.

    “Sfera publike ka nevojë më shumë se kurrë për racionalitet. Dallimet në bindje politike nuk mund të rrëshqasin në gjuhë kërcënuese e fyese si kjo ndaj Ramush Haradinajt e ndaj askujt tjetër.”

    Ndërkohë, Rrustemi ka mohuar kategorikisht çdo lidhje familjare me personin për të cilin, sipas tij, janë bërë aludime.

    “Së dyti, aludimet për lidhje familjare me të arrestuarin janë krejtësisht të pabazuara.”

    Ai ka sqaruar se ka prejardhje familjare nga Dobraja e Madhe, por ka theksuar se personat e apostrofuar nuk janë pjesë e familjes së tij.

    “Nëna ime ka vetëm dy vllëzër, babai i nënës sime ka qenë djal i vetëm. Asnjëri nga të apostrofuarit nuk janë këta.”

    Rrustemi ka thënë se tentativat për ta lidhur emrin e tij me këta persona janë të motivuara politikisht.

    “Prandaj çfarëdo tendence për të lidhur emrin tim me këta emra, është veç një përpjekje për goditje politike, të cilat nuk e ndikojnë veprimtarinë time politike.”

    Në fund, deputeti i Vetëvendosjes ka kërkuar tërheqjen e pretendimeve dhe ka paralajmëruar padi.

    “Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi.”

  • PDK i shkruan sërish letër Deharit, i kërkojnë ta thërrasë vazhdimin e seancës nesër në ora 11:00

    PDK i shkruan sërish letër Deharit, i kërkojnë ta thërrasë vazhdimin e seancës nesër në ora 11:00

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Çitaku, i ka shkruar sërish letër kryesuesit Astrit Dehari për t’i kërkuar që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për nesër në orën 11:00.

    PDK-ja kërkoi që Dehari ta përmbushë “obligimin kushtetues dhe procedural”.

    “I nderuar z. Dehari, Po ju shkruaj sërish, në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

    Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, “tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan PDK-ja në letër. “Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, shtohet aty.

    PDK-ja thotë se Dehari duhet të ketë parasysh se “sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”.

    “Prandaj, duke e thirrur nesër vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të rëndë dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në letër.

    Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike, shkruan PDK-ja në letër, duke shtuar se “ato mund dhe duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”.

    “Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni për nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 vazhdimin e seancës konstituive dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të letrës.

  • Deliu: Kuvendi është marrë peng nga LVV-ja, komunikata e djeshme ishte skandaloze

    Deliu: Kuvendi është marrë peng nga LVV-ja, komunikata e djeshme ishte skandaloze

    Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës thanë se do t’i adresohen sekretares së Kuvendit, pasi nga institucioni më i lartë ligjvënës doli dje një komunikatë, ku, ndër tjerash, shkruhej se “në ditën e tretë vizita e sallës plenare u ndërpre për disa minuta, pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë”.

    Kjo komunikatë ishte “skandaloze”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

    “Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike e cila provon përmes diktatit ta nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit”, tha ajo.

    Deliu tha se “Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike”.

    “Nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, tha ajo.

    Deputeti tjetër i PDK-së, Artan Behrami, tha se para zyrës së mediave të Kuvendit të gjitha grupet parlamentare duhet të jenë të njëjtë.

  • Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar sërish çmimet maksimale të derivateve për datën 13 gusht.

    Sipas njoftimit, çmimi i naftës edhe për sot është 1.70 euro për litër, tre centë më shtrenjtë se të mërkurën.

    Po ashtu është shtrenjtuar edhe benzina. Sot çmimi i benzinës është 1.48 euro për litër, një cent më shtrenjtë se të mërkurën.

    Gazi vazhdon të jetë me të njëjtin çmim, 0.60 euro për litër.

    Çmimet e derivateve hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë.

  • Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, është nisur drejt sekretarit të Kuvendit për të paraqitur një kërkesë lidhur me mbajtjen e seancës konstituive.

    “Po shkojmë të deponojmë një kërkesë të re për Avni Deharin, kryesuesin sipas moshës, që ta mbajë seancën nesër, siç e kërkon Rregullorja e Punës. Avni Dehari është kryesues i seancës jo pse është burrë i mirë, apo pse është intelektual i dalluar, as politikan i përgjegjshëm. Është kryesues i seancës vetëm për një cilësi, për shkak të moshës.Dhe kërkoj të mos abuzohet me këtë përparësi teknike që e ka dhe të mos mbahet Kuvendi i bllokuar.Por po e dorëzojmë kërkesën dhe do të kemi një adresim për ju”, tha ai para mediave.

  • Hoxhaj: Rendi kushtetues ka rënë, PDK do të kërkojë seancën pas 48 orësh

    Hoxhaj: Rendi kushtetues ka rënë, PDK do të kërkojë seancën pas 48 orësh

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se rendi kushtetues i Kosovës ka rënë, duke kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit sipas moshës, Avni Dehari, që të caktojë seancën e re konstituive.

    Hoxhaj e ka cilësuar si absurde situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se institucionet, sipas tij, janë bllokuar për një periudhë të paprecedentë.

    “Çka po ndodhë në këtë vend është absurde dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Ne kemi pasur zgjedhje në shkurt, në dhjetor, në qershor. Kemi pasë tri palë zgjedhje nacionale. Asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush 18 muaj e 5 ditë t’i bllokojë institucionet”, tha Hoxhaj.

    Ai ka bërë të ditur se PDK do t’i drejtojë sërish kërkesë Avni Deharit për mbajtjen e seancës konstituive brenda 48 orësh.

    Hoxhaj paralajmëroi gjithashtu se PDK do ta zhvendosë aktivitetin e saj edhe jashtë Kuvendit, përmes formave më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.

  • Lushtaku para qeverisë: Ku je kryeministër? Me gjasë paska pi mbrëme

    Lushtaku para qeverisë: Ku je kryeministër? Me gjasë paska pi mbrëme

    Deputetët e PDK-së kanë bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës në shenjë proteste ndaj, siç e kanë cilësuar, “hallakamës politike”.

    Deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, i cili iu bashkua kolegëve të tij në orët e hershme të mëngjesit, ka reaguar edhe përmes një postimi në Facebook, duke pyetur: “Ku je, kryeministër?”.

    “Ora është 8:16 dhe me gjasë kryeministri paska pirë mbrëmë dhe nuk qenka zgjuar për të ardhur në punë. Ku je, kryeministër? REPUBLIKË – KUSHTETUTË”, ka shkruar Lushtaku.

    Ndërkohë, PDK-ja ka paralajmëruar një sërë veprimesh, për shkak të asaj që kjo parti e konsideron shkelje të Kushtetutës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

  • Ngjarjet në Kuvend, Blerta Deliu: Po e mbyllim për sot, do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë

    Ngjarjet në Kuvend, Blerta Deliu: Po e mbyllim për sot, do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë

    Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu, ka thënë se kjo parti s’do i ndalë veprimet për ta ruajtur rendin Kushtetues.

    Deliu nga Kuvendi ka thënë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa kthimi tek rendi Kushtetues.

    ‘’Thirrja jonë është që të kthehet rendi Kushtetues. Asgjë nuk ka më të rëndësishme sot se kthimi në rendin kushtetues. Ne po e mbyllium këtu sot, por do të vazhdojmë të jemi në kuvend. Nuk do t’i ndalim veprimet tona politike, institucionale, demokratike por edhe veprime të tjera, për ta ruajtur rendin Kushtetues’’, ka thënë Deliu.

    ‘’Sjelljet që sot i keni parë, inskenimet, përpjekjet për ta shndërruar këtë seancë në normalitet, janë thirrje kaotike, sot kuvendi ka nevojë për konstituim. Po shkunden themelet e shtetit të Kosovës. Nuk guxon askush ta mbyllë parlamentin, nuk guxojnë që dyertë të mbyllen, ne do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë, aksionet tona ligjore kushtetuese, politike nuk do të mungojnë për ta kthyer Kosovën në binarë të saj, dhe stabilitetin në vend’’, ka deklaruar Deliu.