ATV

Author: N.T.

  • Arsenali konfirmon paradën e madhe të titullit në Londër më 31 maj

    Arsenali konfirmon paradën e madhe të titullit në Londër më 31 maj

    Arsenali ka zyrtarizuar organizimin e paradës së titullit të Ligës Premier, e cila do të mbahet të dielën, më 31 maj, ku skuadra kampione do të festojë së bashku me tifozët e saj në Londër.

    Edhe pse ende nuk janë bërë publike detajet e sakta të itinerarit, pritet që parada të nisë dhe të përfundojë në stadiumin “Emirates”, duke sjellë festën e madhe direkt në zemër të klubit.

    Klubi londinez e ka konfirmuar lajmin përmes faqes së tij zyrtare, duke njoftuar një event të veçantë për tifozët dhe komunitetin.

    “Jemi të kënaqur të njoftojmë se do të bashkohemi me mbështetësit dhe komunitetin tonë për një paradë të veçantë, duke filluar nga ora 14:00 të dielën, më 31 maj”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Parada është planifikuar vetëm një ditë pas finales së Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, që luhet më 30 maj, duke rritur mundësinë që Arsenali të mbyllë sezonin historik me dy trofe të mëdhenj nëse gjithçka shkon sipas planit në Budapest.

  • Guardiola reagon pas humbjes së titullit: Arsenali e meritoi, do të vendos për të ardhmen në fund të sezonit

    Guardiola reagon pas humbjes së titullit: Arsenali e meritoi, do të vendos për të ardhmen në fund të sezonit

    Manchester City ka humbur garën për titullin e Ligës Premier, pas barazimit 1:1 në transfertë ndaj Bournemouthit, rezultat që i dha fund edhe matematikisht shpresave për kampionat, ndërsa Arsenali u shpall kampion pas 22 vitesh pritje.

    Pas ndeshjes, atmosfera në konferencën për shtyp ishte e ngarkuar, sidomos pas raportimeve mediatike që sugjeronin një largim të mundshëm të Pep Guardiolës nga klubi në fund të sezonit, pavarësisht rezultateve të Cityt.

    Trajneri spanjoll reagoi duke theksuar se ka ende kontratë me klubin dhe se çdo vendim për të ardhmen do të merret pas përfundimit të sezonit.

    “Mund të them vetëm se kam edhe një vit në kontratë. Nga përvoja ime, kur gjëra të tilla dalin gjatë sezonit, ato nuk ndihmojnë dhe mund të ndikojnë në rezultate,” u shpreh Guardiola.

    Ai mohoi se ka marrë një vendim përfundimtar për largim dhe konfirmoi se fillimisht do të bisedojë me drejtuesit e klubit.

    “Personi i parë me të cilin do të flas është presidenti i klubit. Kemi vendosur më herët që në fund të sezonit do të ulemi dhe do të vendosim së bashku. Nuk do të flas për vendimin tim para se të diskutoj me klubin, lojtarët dhe stafin,” shtoi ai.

    Në fund, Guardiola nuk kurseu fjalët e respektit për rivalët, duke e uruar Arsenalin për titullin kampion dhe punën e Mikel Artetës.

    “Në emër të Manchester Cityt, i përgëzoj Arsenalin dhe Mikel Artetën. E merituan plotësisht titullin. Arteta ka bërë një punë të jashtëzakonshme,” deklaroi trajneri i Cityt.

  • Alberto Ruiz Rubio i bashkohet stafit teknik të Kombëtares së Kosovës në volejboll për femra

    Alberto Ruiz Rubio i bashkohet stafit teknik të Kombëtares së Kosovës në volejboll për femra

    Stafi teknik i Kombëtares së Kosovës në volejboll për femra është kompletuar me emërimin e trajnerit spanjoll Alberto Ruiz Rubio, i cili i është bashkuar përfaqësueses në kuadër të përgatitjeve për garat ndërkombëtare.

    Rubio vjen me një përvojë të rëndësishme në volejbollin evropian, duke qenë pjesë e klubit gjerman VfB Suhl LOTTO Thüringen gjatë sezonit të fundit. Me këtë skuadër, ai ka arritur suksese të mëdha, përfshirë titullin e Bundesligës gjermane dhe triumfin në Kupën e Gjermanisë.

    Me ardhjen e tij, shtabi teknik i Kombëtares së Kosovës në volejboll për femra tashmë është i plotësuar, me synimin për rritje të nivelit të përgatitjeve dhe paraqitjeve në arenën ndërkombëtare.

    Ekipi kombëtar udhëhiqet nga përzgjedhësi Lorik Ilazi, i cili tashmë do të ketë në dispozicion edhe bashkëpunëtorët vendorë Ylli Kadriu dhe Vlora Berisha, si dhe trajnerin spanjoll Rubio, që pritet të sjellë eksperiencë shtesë në punën e ekipit.

  • Freiburg dhe Aston Villa përballen në finalen historike të Ligës së Evropës në Stamboll

    Freiburg dhe Aston Villa përballen në finalen historike të Ligës së Evropës në Stamboll

    Sytë e dashamirëve të futbollit janë të drejtuar nga Stambolli, ku sonte zhvillohet finalja e Ligës së Evropës, gara e dytë më prestigjioze në nivel klubesh në Evropë.

    Në “Beşiktaş Park”, Freiburg dhe Aston Villa do të përballen në një duel vendimtar, me të dyja skuadrat që synojnë të shkruajnë histori duke fituar trofeun për herë të parë.

    Freiburg ka siguruar finalen pas një kualifikimi të vështirë ndaj portugezëve të Bragës, ku pas dy ndeshjeve triumfoi me rezultat të përgjithshëm 4:3.

    Në anën tjetër, Aston Villa ka kaluar me shumë më pak probleme deri në finale, duke u përballur me Nottingham Forest. Anglezet humbën ndeshjen e parë 1:0, por reaguan fuqishëm në takimin e kthimit me një fitore bindëse 4:0.

    Të dy klubet vijnë në këtë finale pa asnjë trofe të mëparshëm në këtë garë, duke e bërë përballjen e sotme edhe më të veçantë dhe historike. Ndeshja nis në orën 21:00 dhe pritet të sjellë një spektakël të madh futbolli në Stamboll.

  • Xhaka reagon pas titullit të Arsenalit: Arteta e riktheu klubin aty ku e ka vendin

    Xhaka reagon pas titullit të Arsenalit: Arteta e riktheu klubin aty ku e ka vendin

    Granit Xhaka ka reaguar menjëherë pas shpalljes së Arsenalit kampion në Ligën Premier, duke ndarë një mesazh emocional për ish-klubin e tij dhe trajnerin Mikel Arteta, njeriun që sipas tij e riktheu skuadrën në majën e futbollit anglez pas më shumë se dy dekadash pritje.

    Mesfushori shqiptar publikoi në rrjetet sociale një fotografi ku shihet duke përqafuar Artetën, ndërsa fjalët e tij u kthyen shpejt në qendër të vëmendjes te tifozët e “Topçinjve”.

    Xhaka vlerësoi punën e trajnerit spanjoll, duke theksuar se suksesi i Arsenalit është rezultat i vizionit, durimit dhe besimit që Arteta ka ndërtuar ndër vite te skuadra londineze.

    “Një ekip i veçantë, lojtarë të shkëlqyer dhe një klub që nuk ndaloi kurrë së besuari. Por kjo është për shkakun tënd, Mikel. Të gjithë ata që dyshuan, jepjani këtij njeriu respektin që meriton. Urime gjithë familjes së Arsenalit”, ka shkruar Xhaka.

    Ish-kapiteni i Arsenalit ishte një nga figurat më të rëndësishme të klubit gjatë viteve të fundit dhe një nga lojtarët që përjetoi periudhat më të vështira para rikthimit të ekipit në elitën e futbollit anglez. Edhe pse gjatë kohës së tij në Londër fitoi disa trofe, titulli i Premier League mbeti ëndrra e parealizuar.

    Megjithatë, lidhja e Xhakës me Arsenalin vazhdon të mbetet e fortë. Reagimi i tij pas triumfit është pritur me shumë emocione nga tifozët, të cilët e kanë përshëndetur mesazhin si dëshmi të respektit dhe dashurisë që ai ende ruan për klubin.

    Arsenali siguroi titullin kampion pas një sezoni të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Artetës, duke i dhënë fund pritjes së gjatë për trofeun më të madh në futbollin anglez.

  • Knicks bëjnë rikthim epik ndaj Cavaliers, fitojnë pas vazhdimeve në ndeshjen e pare

    Knicks bëjnë rikthim epik ndaj Cavaliers, fitojnë pas vazhdimeve në ndeshjen e pare

    New York Knicks kanë dhuruar një nga rikthimet më spektakolare të këtij sezoni në NBA, duke mposhtur Cleveland Cavaliers me rezultat 115:104 pas kohës shtesë në ndeshjen e parë të finaleve të Konferencës Lindore.

    Skuadra nga New Yorku dukej e dorëzuar në çerekun e katërt, kur Cavaliers krijuan epërsi prej 22 pikësh dhe kontrollonin plotësisht takimin në “Madison Square Garden”. Megjithatë, vendasit reaguan në mënyrë të jashtëzakonshme dhe realizuan një përmbysje dramatike që elektrizoi tifozët.

    Heroi i mbrëmjes ishte Jalen Brunson, i cili shkëlqeu me 38 pikë dhe udhëhoqi rikthimin historik të Knicks. Tetë minuta para fundit, rezultati ishte 93:71 për Clevelandin, por Knicks ndezën motorët dhe realizuan një seri fantastike 18:1 për t’u rikthyer në lojë. Brunson më pas shënoi 19 sekonda para sirenës finale për ta barazuar sfidën në 101:101 dhe për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.

    Në kohën shtesë, Knicks dominuan totalisht, duke e nisur me një seri 9:0 dhe duke vulosur fitoren e tetë radhazi në playoff. New Yorku tani ndodhet vetëm tri fitore larg rikthimit në finalet e NBA-së për herë të parë që nga viti 1999.

    Mikal Bridges kontribuoi me 18 pikë, ndërsa OG Anunoby u rikthye pas mungesës në dy ndeshje dhe ishte një ndihmë e rëndësishme për ekipin. Tre lojtarë të Knicks e mbyllën sfidën me nga 13 pikë secili.

    Te Cavaliers, Donovan Mitchell ishte më efikasi me 29 pikë, ndërsa Evan Mobley regjistroi “double-double” me 15 pikë dhe 14 kërcime. James Harden shtoi gjithashtu 15 pikë, por pati një mbrëmje të vështirë nga distanca me vetëm një treshe të realizuar nga tetë tentime dhe gjashtë humbje topi.

    Ndeshja e dytë e serisë do të zhvillohet të enjten, sërish në New York.

  • Arsenali kampion i Anglisë pas 21 vitesh, Arteta rikthen lavdinë në Londër

    Arsenali kampion i Anglisë pas 21 vitesh, Arteta rikthen lavdinë në Londër

    Arsenali është shpallur kampion i Ligës Premier për herë të parë që prej epokës së artë të Arsene Wengerit në vitin 2004, pasi Manchester City ndali me barazim 1-1 në transfertë ndaj Bournemouthit.

    Triumfi i “Topçinjve” përfaqëson kulmin e një projekti të ndërtuar me durim dhe vizion nga Mikel Arteta. Në punën e tij të parë si trajner, spanjolli ka transformuar Arsenalin nga një skuadër në krizë në forcën dominuese të futbollit anglez, që nga momenti kur mori drejtimin e ekipit në dhjetor të vitit 2019.

    Pas tri sezoneve të mbyllura si nënkampion, Arsenali më në fund arriti ta thyejë “mallkimin” dhe ta rikthejë titullin në Londër. Edhe pse City e ngushtoi diferencën prej nëntë pikësh pas fitores në “Etihad” gjatë muajit prill, skuadra e Artetës tregoi karakter kampioni në momentet vendimtare.

    Në fazën finale të sezonit, gara për titull mori formën e një “playoff-i” dramatik mes dy rivalëve. City humbi terren me barazimin ndaj Evertonit, ndërsa Arsenali reagoi në mënyrë perfekte duke regjistruar katër fitore radhazi pa pësuar asnjë gol, përfshirë suksesin minimal 1-0 ndaj Burnleyt.

    Festimet zyrtare të titullit do të zhvillohen të dielën në “Selhurst Park”, pas sfidës së fundit sezonale kundër Crystal Palace.

    Ndërkohë, Arteta pritet të bëhet trajneri me qëndrimin më të gjatë në katër divizionet kryesore të futbollit anglez, në rast se konfirmohet largimi i Pep Guardiolës nga Manchester City pas një dekade.

    Por sezoni historik i Arsenalit mund të bëhet edhe më i madh. “Topçinjtë” kanë mundësinë të kompletojnë një edicion të paharrueshëm, teksa më 30 maj do të përballen me Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve.

    Vetëm pesë skuadra angleze në histori kanë arritur ta fitojnë kampionatin dhe Ligën e Kampionëve brenda të njëjtit sezon, me Manchester Cityn që ishte i fundit që e realizoi këtë sukses në vitin 2023.

  • Pikëpyetje për Wimbledonin, Alcaraz ende larg rikthimit të plotë

    Pikëpyetje për Wimbledonin, Alcaraz ende larg rikthimit të plotë

    E ardhmja e Carlos Alcaraz për sezonin në bar vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa shqetësimet për gjendjen fizike të tenistit spanjoll po shtohen dita-ditës.

    Pas dëmtimit në kyçin e dorës së djathtë që pësoi gjatë turneut “Barcelona Open Banc Sabadell”, ylli nga Murcia është detyruar të mungojë në disa prej kompeticioneve më të rëndësishme të sezonit, përfshirë “Mutua Madrid Open”, “Italian Open” dhe “Roland Garros”.

    Tani, vëmendja është përqendruar te “Wimbledon”, Grand Slami prestigjioz që nis më 29 qershor në Londër. Edhe pse objektivi kryesor i Alcarazit dhe stafit të tij mbetet rikthimi në kohë për turneun britanik, situata ende nuk ofron garanci të plota.

    Procesi i rikuperimit po vazhdon me kujdes maksimal dhe ekipi mjekësor nuk dëshiron të marrë asnjë rrezik që mund ta përkeqësojë gjendjen e 21-vjeçarit.

    Sipas mediave spanjolle, nuk përjashtohet mundësia që Alcaraz të heqë dorë plotësisht nga sezoni në fushat me bar, për t’u fokusuar në rikthimin e plotë fizik për sezonin e fushave të forta në Shtetet e Bashkuara.

    Për momentin, gjithçka mbetet e hapur, ndërsa tifozët e tenisit presin me ankth lajme pozitive për rikthimin e njërit prej emrave më të mëdhenj të gjeneratës së re.

  • Igball Jashari “ndez” tregun, Drita, Ballkani dhe Gjilani në garë për talentin e Drenicës

    Igball Jashari “ndez” tregun, Drita, Ballkani dhe Gjilani në garë për talentin e Drenicës

    Paraqitjet mbresëlënëse të Igball Jasharit këtë sezon nuk kanë kaluar pa u vënë re. Sulmuesi i krahut i FC Drenicës dhe reprezentuesi i Kosovës U21 është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në futbollin kosovar, pasi disa klube të mëdha kanë shfaqur interes serioz për transferimin e tij.

    20-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Drenicës gjatë këtij edicioni, duke kontribuar me pesë gola dhe katër asistime, statistika që kanë konfirmuar potencialin e tij të madh. Përveç formës së mirë në klub, Jashari ka shkëlqyer edhe me fanellën e Kosovës U21, ku ka treguar pjekuri dhe cilësi të lartë në lojë.

    Kampionia aktuale e Kosovës, Drita, është një nga klubet që po e ndjek nga afër talentin drenicas. Sipas burimeve të Telegrafit, kontaktet mes palëve tashmë kanë nisur dhe gjilanasit e shohin Jasharin si një përforcim ideal për sezonin e ardhshëm.

    Megjithatë, gara për shërbimet e tij pritet të jetë e fortë. Edhe Ballkani dhe Gjilani kanë hyrë seriozisht në bisedime për anësorin e shpejtë nga Prekazi, duke i paraqitur tashmë ofertat dhe kushtet e tyre lojtarit.

    Interesimi për Jasharin nuk kufizohet vetëm në Kosovë. Futbollisti i ri ka zgjuar vëmendje edhe në Shqipëri, ku Elbasani, skuadër që po lufton për titullin kampion, e ka përfshirë në listën e objektivave për afatin kalimtar të verës.

    Pavarësisht interesimit të madh, Jashari mbetet i fokusuar te Drenica. Ai synon fillimisht ta ndihmojë skuadrën në dy xhirot e fundit të kampionatit për të siguruar mbijetesën, përpara se të marrë vendimin për hapin e radhës në karrierën e tij.

  • Kriza godet Liverpoolin, humbja ndaj Aston Villas vë në dyshim të ardhmen e Arne Slot

    Kriza godet Liverpoolin, humbja ndaj Aston Villas vë në dyshim të ardhmen e Arne Slot

    Liverpooli po përjeton një nga periudhat më të tensionuara të sezonit, pas disfatës së rëndë 4-2 ndaj Aston Villas, rezultat që ka tronditur ambientin në “Anfield” dhe ka shtuar dyshimet rreth të ardhmes së trajnerit Arne Slot.

    Humbja e së premtes ishte e 20-ta për “The Reds” në të gjitha garat këtë edicion, një statistikë që ka alarmuar drejtuesit e klubit dhe ka hapur debate të forta për vazhdimësinë e projektit të teknikut holandez.

    Sipas mediave britanike, brenda hierarkisë së Liverpoolit nuk ekziston më një qëndrim unik për Slotin. Disa figura kyçe të klubit vazhdojnë ta mbështesin, ndërsa të tjerë po dyshojnë nëse ai është njeriu i duhur për ta udhëhequr skuadrën në sezonin e ardhshëm.

    Gazetari i TEAMtalk, Graeme Bailey, raportoi se drejtuesit Michael Edwards dhe Richard Hughes pritet të zhvillojnë takime vendimtare në ditët në vijim, përpara sfidës së fundit të kampionatit ndaj Brentfordit.

    Situata është bërë edhe më delikate pas reagimit kritik të Mohamed Salah në rrjetet sociale, një veprim që ka nxitur spekulime për pakënaqësi dhe tensione të brendshme në dhomat e zhveshjes.

    Në të njëjtën kohë, mediat angleze kanë nisur të përmendin edhe emra potencialë për stolin e Liverpoolit. Favoriti kryesor për të zëvendësuar Slotin raportohet të jetë trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique.

    Megjithatë, pavarësisht krizës së momentit, Arne Slot kishte arritur të fitonte besimin e tifozëve në sezonin e tij të parë, duke e udhëhequr Liverpoolin drejt titullit kampion në Ligën Premier sezonin e kaluar.

    Tani, drejtuesit e klubit përballen me një vendim të madh: të vazhdojnë t’i besojnë projektit të holandezit apo të nisin një tjetër epokë të re në pankinën e “Anfield”.