ATV

Author: N.T.

  • Ramadani dominon statistikën e Serie A, lë pas yjet e mëdhenj

    Ramadani dominon statistikën e Serie A, lë pas yjet e mëdhenj

    Ylber Ramadani po vazhdon të tërheqë vëmendje në Serie A me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme, duke konfirmuar sezonin më të mirë të karrierës së tij në futbollin italian.

    Mesfushori shqiptar i Lecces ka lënë pas disa prej emrave më të njohur të kampionatit elitar italian, duke u renditur në krye të statistikës për distancën e përshkuar gjatë sezonit 2025/26.

    Sipas të dhënave zyrtare, Ramadani ka përshkuar plot 421.58 kilometra, duke u bërë lojtari më “punëtor” i Serie A për këtë edicion. Pas tij renditen Bryan Cristante i Romës me 412.44 kilometra dhe Morten Frendrup i Genoas me 403.62 kilometra.

    Ky rekord është një tjetër dëshmi e rolit të madh që 28-vjeçari ka në skuadrën e Lecces. Me intensitetin, disiplinën dhe energjinë e tij të pandalshme në mesfushë, Ramadani është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të ekipit, duke kontribuar si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në ndërtimin e lojës.

    Në një kampionat ku luajnë yje të mëdhenj dhe futbollistë me vlera të larta në treg, fakti që një lojtar shqiptar kryeson një statistikë të tillë ka marrë jehonë të madhe edhe në mediat italiane.

    Ramadani po e konfirmon veten si një prej mesfushorëve më të rëndësishëm të Lecces, ndërsa për skuadrën e tij ai është kthyer në një “motor” të vërtetë që nuk ndalet gjatë gjithë 90 minutave.

  • Knicks rikthehen në finalen e NBA-së pas 27 vitesh, shkatërrojnë Cavaliers

    Knicks rikthehen në finalen e NBA-së pas 27 vitesh, shkatërrojnë Cavaliers

    New York Knicks kanë shkruar histori në NBA, duke siguruar rikthimin në finalen e madhe pas plot 27 vitesh mungesë. Skuadra nga “Madison Square Garden” dominoi Cleveland Cavaliers me rezultat bindës 130:93, duke vulosur serinë finale të Konferencës Lindore me rezultat të përgjithshëm 4-0.

    Për herë të parë që nga viti 1999, Knicks do të luftojnë për titullin kampion të NBA-së, ndërsa synojnë trofeun e tretë në historinë e klubit pas triumfeve të viteve 1970 dhe 1973.

    Ndeshja ishte plotësisht nën kontrollin e ekipit nga New Yorku. Knicks e mbyllën çerekun e parë me avantazh 38:26 dhe më pas shpërthyen në periudhën e dytë me një seri të jashtëzakonshme 20-0, duke krijuar diferencë të madhe që në pjesën e parë të takimit.

    Dominimi vazhdoi edhe pas pushimit, me Knicks që fituan çdo çerek dhe e çuan epërsinë deri në rezultatin përfundimtar 130:93, duke regjistruar fitoren e 11-të në “play-off”.

    Karl-Anthony Towns ishte një nga figurat kryesore të sfidës me 19 pikë dhe 14 kërcime, ndërsa OG Anunoby kontribuoi me 17 pikë. Një paraqitje të shkëlqyer nga stoli pati edhe Landry Shamet, i cili shtoi 16 pikë në triumfin spektakolar të skuadrës së New Yorkut.

    Tani Knicks presin kundërshtarin në finalen e NBA-së, i cili do të dalë nga seria mes Oklahoma City Thunder dhe San Antonio Spurs. Dueli i Konferencës Perëndimore aktualisht është i barabartë 2-2 dhe pritet të ofrojë një fund dramatik.

  • Messi drejt rikuperimit, pritet të jetë gati për Kupën e Botës 2026

    Messi drejt rikuperimit, pritet të jetë gati për Kupën e Botës 2026

    Inter Miami ka qetësuar tifozët dhe gjithë opinionin sportiv lidhur me gjendjen e Lionel Messit, pasi ylli argjentinas pësoi një shqetësim fizik në sfidën spektakolare ndaj Philadelphia Union.

    Messi ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren dramatike 6-4 të skuadrës amerikane, duke kontribuar me dy asistime, por shqetësimi për një dëmtim ngriti menjëherë dyshime mbi gatishmërinë e tij për ndeshjet e ardhshme me Argjentinën.

    Megjithatë, lajmet që vijnë nga SHBA janë pozitive. Sipas raportimeve të fundit, problemi fizik i 38-vjeçarit nuk konsiderohet serioz dhe ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm për angazhimet me kombëtaren argjentinase në Kupën e Botës 2026.

    Përmes një deklarate zyrtare, Inter Miami dha detaje mbi gjendjen e kampionit të botës.

    “Pas ekzaminimeve shtesë mjekësore të kryera të hënën, diagnoza fillestare ka konfirmuar një mbingarkesë të shkaktuar nga lodhja muskulore në kofshën e majtë”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Klubi amerikan shtoi se rikthimi i Messit në stërvitje dhe ndeshje do të varet nga progresi i tij fizik gjatë ditëve në vazhdim.

    Argjentina, kampione në fuqi e botës, do ta nisë rrugëtimin në Kupën e Botës 2026 më 17 qershor ndaj Algjerisë, ndërsa gjithçka tregon se Messi do të jetë i gatshëm për të udhëhequr edhe një herë “Albicelestët”.

  • Harry Kane shkëlqen me “hat-trick”, por flet me dilema për të ardhmen te Bayerni

    Harry Kane shkëlqen me “hat-trick”, por flet me dilema për të ardhmen te Bayerni

    Harry Kane shkëlqeu në finalen e DFB-Pokal, duke udhëhequr Bayern Munich drejt një triumfi të pastër 3-0 ndaj Stuttgartit me një paraqitje magjike dhe tre gola të realizuar. Sulmuesi anglez ishte figura kryesore e finales, ndërsa bavarezët kompletuam dopietën vendore pas suksesit të arritur edhe në Bundesliga.

    Pas festës së trofeut, vëmendja u zhvendos te e ardhmja e kapitenit të Anglisë në “Allianz Arena”. Kontrata aktuale e Kane me Bayernin është e vlefshme deri në vitin 2027, por klubi gjerman tashmë dëshiron ta zgjasë bashkëpunimin me bomberin anglez.

    Megjithatë, vetë Kane la të kuptohet se vendimi për kontratën e re nuk do të merret me nxitim.

    “Në këtë moment të karrierës dua të shfrytëzoj maksimalisht çdo kontratë që firmos. Ka shumë mundësi që kjo të jetë një nga marrëveshjet e fundit të mëdha në karrierën time”, deklaroi 32-vjeçari.

    Sulmuesi anglez shtoi se aktualisht fokusi i tij mbetet te futbolli dhe objektivat sportive, duke lënë negociatat për më vonë.

    “Nuk është koha e duhur për të diskutuar tani. Jemi shumë të qetë me situatën dhe kemi rënë dakord që fillimisht të mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, e më pas të mendojmë për të ardhmen”, tha Kane.

    Pavarësisht spekulimeve, raportet mes palëve mbeten shumë pozitive dhe gjithçka sugjeron se aventura e Kane te Bayern Munich është larg fundit.

    “Të dyja palët janë të kënaqura me bashkëpunimin dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, përfundoi ylli anglez.

  • Milot Rashica drejt largimit nga Besiktasi, klube nga Italia dhe Franca në garë

    Milot Rashica drejt largimit nga Besiktasi, klube nga Italia dhe Franca në garë

    E ardhmja e Milot Rashicës te Besiktasi duket gjithnjë e më e pasigurt, me sulmuesin kosovar që pritet të largohet nga gjiganti turk gjatë afatit kalimtar të verës.

    29-vjeçari nga Vushtrria ka ende edhe një vit kontratë me klubin nga Stambolli, por sezoni i fundit nuk ka qenë ndër më të mirët për të, pasi nuk arriti të sigurojë vazhdimisht vendin e titullarit në formacionin bardhezi.

    Megjithatë, interesimi për reprezentuesin e Kosovës mbetet i madh. Sipas mediave turke, disa klube nga Serie A dhe Ligue 1 po monitorojnë situatën e Rashicës dhe janë të gatshme të bëjnë lëvizje konkrete në muajt e ardhshëm.

    Gazeta turke “Takvim” raporton se emri i Rashicës vazhdon të ketë vlerë të lartë në tregun evropian, ndërsa largimi i tij nga Besiktasi mund të varet edhe nga planet e trajnerit të ri të skuadrës për sezonin e ardhshëm.

    Pavarësisht minutazhit jo të qëndrueshëm, Rashica kontribuoi me paraqitje solide këtë edicion. Ai zhvilloi 33 ndeshje me fanellën e Besiktasit, duke realizuar dy gola dhe gjashtë asistime.

    Nëse transferimi realizohet, Rashica mund të rikthehet sërish në një nga pesë kampionatet më të forta të Evropës, aty ku më parë ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij në Bundesliga dhe Premier League.

  • Revolucion te Milani: Allegri, Tare dhe drejtuesit largohen, klubi rrezikon humbje milionëshe

    Revolucion te Milani: Allegri, Tare dhe drejtuesit largohen, klubi rrezikon humbje milionëshe

    Milani ka hyrë në një fazë të re revolucioni, duke marrë vendimin drastik për të shkarkuar trajnerin Massimiliano Allegri, si dhe drejtuesit kryesorë Giorgio Furlani, Igli Tare dhe Geoffrey Moncada. Një lëvizje e bujshme që, sipas mediave italiane, mund t’i kushtojë klubit deri në 22 milionë euro.

    Pas një sezoni zhgënjyes në Serie A, ku “Rossonerët” e mbyllën kampionatin vetëm në vendin e pestë dhe mbetën jashtë Ligës së Kampionëve, drejtuesit e klubit kanë vendosur të nisin gjithçka nga e para në verën e vitit 2026.

    Sipas “La Gazzetta dello Sport”, shkarkimet do të kenë ndikim të madh financiar në bilancin e klubit. Gazeta italiane raporton se këto shpenzime do të regjistrohen si kosto të jashtëzakonshme në pasqyrat financiare që mbyllen më 30 qershor 2026.

    Pesha më e madhe financiare lidhet me largimin e drejtorit ekzekutiv Giorgio Furlani dhe trajnerit Massimiliano Allegri.

    Furlani kishte kontratë deri në vitin 2028 dhe përfitonte rreth 3 milionë euro në sezon, pa llogaritur bonuset. Kjo e çon koston totale të largimit të tij në afro 10 milionë euro bruto.

    Nga ana tjetër, Allegri është ende nën kontratë deri në qershor të vitit 2027, me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, ose rreth 9 milionë euro bruto në total.

    Edhe Igli Tare do t’i kushtojë klubit një shumë të konsiderueshme. Ish-drejtori sportiv kishte marrëveshje deri në vitin 2028 dhe paga e tij prej 800 mijë eurosh në vit e çon vlerën e mbetur të kontratës në rreth 3 milionë euro bruto.

    Ndërkohë, Geoffrey Moncada ndodhet në një situatë tjetër. Francezi kishte arritur marrëveshje për rinovim me Milanin, por kontrata e re ende nuk ishte firmosur, çka do të thotë se klubi ka vetëm një muaj detyrime financiare ndaj tij.

    Megjithatë, raporti thekson se këto kosto mund të reduktohen në të ardhmen nëse Allegri, Tare apo Furlani arrijnë marrëveshje të reja me klube ose kompani të tjera.

    Sa i përket Allegrit, emri i tij tashmë përmendet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Napolit, në rast se Antonio Conte largohet nga kampionët e Italisë.

  • Trabzonspori blen përfundimisht Ernest Muçin, Besiktasi konfirmon largimin e shqiptarit

    Trabzonspori blen përfundimisht Ernest Muçin, Besiktasi konfirmon largimin e shqiptarit

    Ernest Muçi do të vazhdojë karrierën te Trabzonspori, pasi klubi turk ka aktivizuar zyrtarisht opsionin e blerjes së futbollistit shqiptar nga Besiktasi.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë Besiktasi përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, ku bëhet e ditur se marrëveshja e huazimit është kthyer në transferim të përhershëm.

    “Sa i përket transferimit përfundimtar të futbollistit profesionist Ernest Muçi, e drejta e opsionit të blerjes e paraparë në kontratën e huazimit është përdorur nga Trabzonspor”, thuhet në deklaratën e klubit nga Stambolli.

    Sipas raportimeve, Trabzonspori do t’i paguajë BesiktaTrabzonspori blen përfundimisht Ernest Muçin, Besiktasi konfirmon largimin e shqiptaritsit 8.5 milionë euro për kartonin e lojtarit, duke e bërë Muçin zyrtarisht pjesë të skuadrës për sezonet e ardhshme.

    Besiktasi gjithashtu ka falënderuar reprezentuesin shqiptar për kontributin e tij gjatë periudhës në klub, duke i uruar sukses në vazhdim të karrierës.

    “E falënderojmë Ernest Muçin për kontributin e dhënë për klubin tonë dhe i dëshirojmë shumë suksese në të ardhmen”, thuhet më tej në reagimin e klubit.

    Edhe Trabzonspori ka zyrtarizuar marrëveshjen përmes rrjeteve sociale, duke konfirmuar se Muçi tashmë është pjesë e projektit afatgjatë të skuadrës.

    Futbollisti shqiptar iu bashkua Trabzonsporit në formë huazimi në fillim të sezonit dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, falë paraqitjeve mbresëlënëse dhe rolit kyç në repartin ofensiv.

  • Çiklistët kosovarë lënë gjurmë në Turit Çiklistik të Shqipërisë me paraqitje solide në etapën malore

    Çiklistët kosovarë lënë gjurmë në Turit Çiklistik të Shqipërisë me paraqitje solide në etapën malore

    Çiklistët e Kosovës kanë vazhduar paraqitjet pozitive në edicionin e 83-të të Turit Çiklistik të Shqipërisë, duke treguar qëndrueshmëri dhe konkurrencë të fortë në një nga etapat më sfiduese të garës.

    Në etapën e tretë, që përfshinte itinerarin Elbasan–Vlorë me gjatësi prej 149 kilometrash dhe profil të theksuar malor, Agon Ahmeti u rendit në pozitën e 25-të, ndërsa Blerton Nuha përfundoi në vendin e 28-të në klasifikimin e përgjithshëm të etapës.

    Kjo etapë u konsiderua shumë më e vështirë krahasuar me dy garat paraprake, për shkak të terrenit malor dhe ritmit të lartë që karakterizoi konkurrencën gjatë gjithë rrugës.

    Në Turin Çiklistik të Shqipërisë po marrin pjesë mbi 20 ekipe elitare dhe më shumë se 95 çiklistë nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të ndryshme të Evropës. Nga të gjithë pjesëmarrësit, vetëm 85 garues arritën ta përfundojnë me sukses etapën e tretë.

    Paraqitjet e çiklistëve kosovarë po vlerësohen si tregues i progresit të vazhdueshëm të këtij sporti në vend, duke dëshmuar se Kosova po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në arenën ndërkombëtare të çiklizmit.

    Etapa e katërt e garës do të zhvillohet nesër në itinerarin Vlorë–Vlorë.

  • Fermín López humb Kupën e Botës pas operimit, Barcelonës i shtohet shqetësimi në mesfushë

    Fermín López humb Kupën e Botës pas operimit, Barcelonës i shtohet shqetësimi në mesfushë

    Fermín López nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës, pasi mesfushori i Barcelonës ka konfirmuar se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke i dhënë fund shpresave për pjesëmarrje në turneun më të madh ndërkombëtar.

    Sipas raportimeve, lojtari spanjoll pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy muaj, ndërsa procesi i rikuperimit mund të zgjatet edhe më shumë, me qëllim që ai të rikthehet plotësisht i gatshëm për sezonin e ri.

    Kjo mungesë përbën një goditje të rëndësishme si për Barcelonën, ashtu edhe për përfaqësuesen e Spanjës, pasi Fermín konsiderohej një nga elementët kyç në mesfushë dhe një lojtar me rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skuadër.

  • Ferizaj dhe Dukagjini përballen në finalen e Kupës së Kosovës në “Fadil Vokrri”

    Ferizaj dhe Dukagjini përballen në finalen e Kupës së Kosovës në “Fadil Vokrri”

    Finalja e madhe e Kupës së Kosovës do të zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Ferizaj dhe Dukagjini do të kërkojnë të shkruajnë histori duke fituar trofeun e tyre të parë në këtë garë.

    Ndeshja finale pritet të nisë në ora 20:00 dhe sjell përballë dy skuadra që kanë kaluar me sukses të gjitha sfidat deri në aktin përfundimtar.

    Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë tashmë edhe caktimin e gjyqtarëve që do të ndajnë drejtësinë në këtë ndeshje të rëndësishme.

    Gjyqtari kryesor i finales do të jetë Genc Nuza, i ndihmuar nga Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Bardh Ajeti.

    Në sistemin VAR do të jetë Burim Jahmurataj, ndërsa AVAR është caktuar Besnik Morina, duke garantuar mbikëqyrje të plotë të situatave vendimtare të ndeshjes.