ATV

Author: N.T.

  • Kepi i Gjelbër ndal Spanjën, kampionët e Evropës zhgënjejnë në debutimin e tyre në Botëror

    Kepi i Gjelbër ndal Spanjën, kampionët e Evropës zhgënjejnë në debutimin e tyre në Botëror

    Spanja e nisi me hapa fals aventurën në Kupën e Botës 2026, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Kepit të Gjelbër, në një ndeshje ku favoritët evropianë u përballën me një kundërshtar tejet të organizuar dhe një portier në formë të jashtëzakonshme.

    Skuadra e Luis de la Fuente kontrolloi lojën për pjesën më të madhe të takimit dhe krijoi rastet më të rrezikshme, por hasi në një mur të pakalueshëm të quajtur Vozinha. Gardiani i Kepit të Gjelbër ishte protagonisti absolut i mbrëmjes, duke mohuar vazhdimisht përpjekjet e spanjollëve.

    Rasti më i mirë për “La Rojan” erdhi në minutën e 39-të, kur Ferran Torres goditi traversën nga afërsia. Në vazhdim të aksionit, Mikel Oyarzabal provoi me kokë, por Vozinha reagoi në mënyrë spektakolare për të mbajtur portën të paprekur.

    Torres pati edhe një mundësi tjetër të artë pak minuta më vonë, por sërish nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, duke simbolizuar vështirësitë e Spanjës në finalizim.

    Në pjesën e dytë, De la Fuente aktivizoi yjet si Lamine Yamal, Nico Williams dhe Dani Olmo për t’i dhënë më shumë ritëm sulmit, por mbrojtja e disiplinuar e Kepit të Gjelbër vazhdoi të rezistonte me sukses.

    Madje, afrikanët ishin vetëm pak centimetra larg një fitoreje historike në kohën shtesë. Diney Borges kërcënoi seriozisht portën spanjolle me një goditje të fuqishme me kokë, por Unai Simón realizoi një pritje vendimtare që shpëtoi kampionët e Evropës nga humbja.

    Në fund, Spanja u detyrua të kënaqej me vetëm një pikë, ndërsa Kepi i Gjelbër fitoi admirimin e tifozëve me një paraqitje plot karakter, disiplinë dhe guxim në debutimin e tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.

  • Zyrtare: Real Madridi siguron shërbimet e Marc Cucurellas nga Chelsea

    Zyrtare: Real Madridi siguron shërbimet e Marc Cucurellas nga Chelsea

    Real Madridi ka finalizuar një tjetër lëvizje të rëndësishme në merkato, duke konfirmuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit spanjoll Marc Cucurella nga Chelsea.

    Klubi madrilen ka arritur marrëveshje me londinezët për një shumë prej 55 milionë eurosh, ndërsa marrëveshja parashikon edhe 5 milionë euro shtesë në formë bonusesh, në varësi të objektivave të arritura.

    Përmes një njoftimi zyrtar, kampionët e Spanjës bënë të ditur se 27-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës pas përfundimit të Kupës së Botës, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.

    “Real Madridi dhe Chelsea kanë arritur marrëveshje për transferimin e Marc Cucurellas. Lojtari do të jetë pjesë e klubit tonë për gjashtë sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2032”, thuhet në deklaratën e publikuar nga klubi madrilen.

    Cucurella vjen në “Santiago Bernabéu” pas një periudhe të rëndësishme në futbollin anglez, ku spikati me paraqitjet e tij si një nga mbrojtësit më të qëndrueshëm dhe energjikë në krahun e majtë.

    Megjithatë, merkatoja e Real Madridit nuk pritet të mbyllet me kaq. Drejtuesit e klubit po vazhdojnë punën për të forcuar më tej repartin defensiv, me emra si Josko Gvardiol dhe Ruben Dias që mbeten objektiva të rëndësishëm për muajt në vijim.

  • Van Dijk kritikon rregullin e ri të FIFA-s: Ndërprerjet për hidratim po dëmtojnë ritmin e lojës

    Van Dijk kritikon rregullin e ri të FIFA-s: Ndërprerjet për hidratim po dëmtojnë ritmin e lojës

    Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, është bërë një nga figurat më të njohura të futbollit që ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj rregullit të ri të FIFA-s për pushimet e detyrueshme të hidratimit në Kupën e Botës 2026.

    Sipas rregullores së re, çdo pjesë e ndeshjes përfshin një ndërprerje të detyrueshme treminutëshe për hidratim, pavarësisht kushteve atmosferike. Ky mekanizëm ishte përdorur më parë vetëm në ndeshjet e zhvilluara në temperatura ekstreme, por tashmë është bërë pjesë e çdo takimi të turneut.

    Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në botën e futbollit, veçanërisht për faktin se gjatë këtyre ndërprerjeve transmetuesit televizivë kanë mundësi të transmetojnë reklama. Kjo ka shtuar shqetësimet se futbolli po i afrohet gjithnjë e më shumë modelit komercial të sporteve amerikane, si NFL dhe NBA, ku ndalesat e shpeshta janë pjesë e strukturës së lojës.

    Van Dijk ishte protagonist në barazimin 2-2 të Holandës ndaj Japonisë në Dallas, ku pushimet e hidratimit u aplikuan në të dy pjesët e takimit, edhe pse ndeshja u zhvillua në stadiumin AT&T me çati të mbyllur dhe temperaturë të kontrolluar.

    Pas sfidës, mbrojtësi i Liverpoolit nuk i kurseu kritikat.

    “Pushimet për hidratim janë një çështje interesante. Kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e turneut dhe ajo që më shqetëson është fakti se çdo ndërprerje shoqërohet menjëherë me reklama. Nuk mendoj se kjo është pozitive, as për tifozët që e ndjekin futbollin nga stadiumi dhe as për ata para ekranit”, deklaroi ai.

    Sipas holandezit, ndërprerje të tilla janë të arsyeshme vetëm kur kushtet klimatike e kërkojnë.

    “Nëse temperaturat janë vërtet të larta, atëherë këto pushime kanë kuptim. Por mendoj se çdo ndeshje duhet të vlerësohet individualisht dhe jo të zbatohet i njëjti rregull në çdo rast”, shtoi Van Dijk.

    Ai e mbylli komentin me një buzëqeshje, duke lënë të kuptohet se nuk dëshironte të hynte më thellë në debat: “Besoj se kam thënë mjaftueshëm për këtë temë”.

    Deklaratat e kapitenit holandez i shtohen zërave kritikë ndaj formatit të ri të FIFA-s, ndërsa tifozë dhe analistë të shumtë argumentojnë se ndërprerjet e shpeshta po ndikojnë negativisht në ritmin e lojës dhe po e bëjnë përvojën e shikimit më pak tërheqëse.

  • Casillas përballet me Porton në gjykatë, kërkon milionat pas sulmit në zemër që i dha fund karrierës

    Casillas përballet me Porton në gjykatë, kërkon milionat pas sulmit në zemër që i dha fund karrierës

    Legjenda e futbollit spanjoll, Iker Casillas, ka nisur një betejë ligjore kundër Portos, duke kërkuar kompensim milionësh për problemet shëndetësore që, sipas tij, i dhanë fund para kohe karrierës së tij si futbollist profesionist.

    Ish-portieri i Real Madridit pretendon se sulmi në zemër që pësoi gjatë një seance stërvitore në maj të vitit 2019 ishte pasojë e mbingarkesës fizike dhe duhet të konsiderohet si aksident në vendin e punës. Për këtë arsye, ai ka depozituar padi në gjykatën e Portos, duke kërkuar dëmshpërblim për paaftësinë e përhershme që thotë se e shoqëron edhe sot.

    Shtatë vjet pas incidentit që tronditi botën e futbollit, Casillas ka treguar se jeta e tij ka ndryshuar ndjeshëm dhe se nuk është më në gjendje të kryejë aktivitete fizike si më parë.

    “Mund të ushtrohem në palestër dhe të luaj padel, por nuk mund të vrapoj. Arrij të përballoj vetëm 20 deri në 50 metra dhe më pas duhet të ndalem. Për dikë që ka qenë sportist profesionist në nivelin më të lartë, kjo është një ndryshim i madh”, deklaroi ai gjatë seancës gjyqësore.

    Nga ana tjetër, Porto dhe kompania e sigurimeve kundërshtojnë pretendimet e ish-kapitenit të Spanjës. Mjeku i klubit në atë kohë, Nelson Puga, ka deklaruar se problemi shëndetësor ishte trajtuar me sukses dhe se nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes stërvitjes dhe atakut kardiak që pësoi portieri.

    Sipas klubit portugez, Casillas ka marrë të gjitha pagesat që i takonin gjatë periudhës së rikuperimit, ndërsa kompania e sigurimeve Fidelidade ka paguar tashmë 1.5 milion euro, që konsiderohet shuma maksimale e parashikuar për raste të tilla.

    Megjithatë, ish-portieri spanjoll kërkon kompensim shtesë për paaftësinë e plotë dhe të përhershme për të ushtruar profesionin e tij. Shuma që po shqyrtohet në procesin gjyqësor arrin në rreth 2.5 milionë euro, ekuivalente me 70 për qind të pagës që ai do të kishte përfituar deri në përfundimin e kontratës me Porton në vitin 2021.

    Casillas mbetet një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit. Ai zhvilloi 725 ndeshje me Real Madridin dhe fitoi gjithçka me klubin spanjoll, ndërsa nga viti 2015 deri në vitin 2020 mbrojti portën e Portos në 156 takime.

    Tashmë vendimi i gjykatës portugeze pritet të përcaktojë nëse ish-gardiani legjendar do të përfitojë kompensimin që kërkon apo nëse pretendimet e tij do të refuzohen.

  • Tuchel ul entuziazmin: Anglia nuk është favorite për Kupën e Botës 2026

    Tuchel ul entuziazmin: Anglia nuk është favorite për Kupën e Botës 2026

    Pavarësisht se konsiderohet ndër pretendentët kryesorë për triumfin në Kupën e Botës 2026, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, nuk e sheh skuadrën e tij si favorite për të ngritur trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.

    Turneu që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë po afron, ndërsa shumë analistë e rendisin Anglinë mes skuadrave me shanset më të mëdha për sukses. Megjithatë, tekniku gjerman beson se historia e viteve të fundit nuk e lejon kombëtaren angleze të konsiderohet në të njëjtin nivel me fituesit e provuar.

    “Nuk mund ta quajmë veten favoritë. Për të qenë favorit duhet të kesh fituar trofe të mëdhenj dhe ne nuk e kemi bërë këtë prej shumë kohësh. Favoritë janë skuadrat që kanë treguar se dinë të fitojnë në skenën më të madhe”, deklaroi Tuchel.

    Megjithatë, ai theksoi se Anglia ka cilësinë dhe potencialin për të luftuar deri në fund për titullin botëror.

    “Ne jemi konkurrentë seriozë dhe besojmë se mund të garojmë për trofeun. Ëndërrojmë të fitojmë Kupën e Botës, por për ta arritur këtë duhet disiplinë, punë e madhe dhe përqendrim maksimal në çdo hap”, shtoi ai.

    Sipas parashikimeve të kompanisë së statistikave Opta, kampionia aktuale e Evropës, Spanja, konsiderohet favoritja kryesore për triumfin me 15.9 për qind mundësi. Pas saj renditet Franca me 13.2 për qind, ndërsa Anglia pozicionohet e treta me 10.9 për qind. Kampionia në fuqi e botës, Argjentina, vjen menjëherë pas me 10.5 për qind shanse për ta mbrojtur titullin.

    Tuchel insistoi se skuadra e tij nuk duhet të mendojë për finalen që tani, por të fokusohet te çdo sfidë veç e veç.

    “Nëse dëshiron të ngjitesh në majën e malit, nuk mund të mendosh menjëherë për majën. Duhet të ecësh hap pas hapi. Vetëm kështu mund të ruash qetësinë dhe përqendrimin”, u shpreh ai.

    Trajneri gjerman kujtoi se Anglia ka qenë shumë pranë suksesit në vitet e fundit. “Tre Luanët” arritën në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar, ku u eliminuan nga Franca, ndërsa në dy Kampionatet Evropiane të fundit luajtën në finale, por u mposhtën nga Italia dhe Spanja.

    “Kur arrin vazhdimisht në fazat vendimtare, tregon se ke potencial për të fituar. Por futbolli nuk varet vetëm nga cilësia. Duhet edhe pak fat, sidomos sa i përket dëmtimeve dhe momenteve vendimtare të ndeshjeve”, tha Tuchel.

    Në fund, ai dërgoi një mesazh optimist për tifozët anglezë, duke theksuar se skuadra është në rrugën e duhur.

    “Kemi besim te vetja, por ky besim duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe sakrificë. Jemi aty ku duhet të jemi në këtë moment dhe do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë realitet ëndrrën tonë”, përfundoi përzgjedhësi i Anglisë.

  • Barcelona merr vendimin për Rashfordin, klauzola prej 30 milionë eurosh nuk do të aktivizohet

    Barcelona merr vendimin për Rashfordin, klauzola prej 30 milionë eurosh nuk do të aktivizohet

    E ardhmja e Marcus Rashford vazhdon të mbetet e paqartë. Sipas raportimeve të fundit, Barcelona ka vendosur të mos aktivizojë klauzolën e blerjes prej 30 milionë eurosh për sulmuesin anglez, duke e bërë të pamundur transferimin e tij të përhershëm në këtë fazë.

    Vendimi i klubit katalanas vjen pas afrimit të Anthony Gordon, transferim që ka ndryshuar prioritetet e Barcelonës në repartin ofensiv. Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk e kanë mbyllur plotësisht derën për Rashfordin dhe mbeten të hapur për alternativa të tjera.

    Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Barcelona do të shqyrtonte mundësinë e një tjetër huazimi nëse Manchester United do të ishte i gatshëm të negocionte një marrëveshje të re për sezonin e ardhshëm.

    Klauzola e blerjes skadon pas pesë ditësh dhe, në mungesë të aktivizimit të saj, Rashford do të rikthehet zyrtarisht te Manchester United, klub me të cilin vazhdon të ketë kontratë të vlefshme.

    Tashmë drejtuesit e “Djajve të Kuq” do të marrin në dorë fatin e sulmuesit 28-vjeçar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të përfshihet në planet e skuadrës apo do të kërkohet një zgjidhje e re në merkato.

    Me Barcelonën që nuk është e gatshme të investojë 30 milionë euro për kartonin e tij, e ardhmja e Rashfordit duket se do të jetë një nga temat më të nxehta të javëve të ardhshme.

    A do të ketë një tjetër huazim në “Camp Nou” apo anglezi do të rikthehet përfundimisht në “Old Trafford”? Përgjigjja pritet të vijë shumë shpejt.

  • Zidane sinjalizon rikthimin e madh në futboll: Dua të kthehem sa më shpejt

    Zidane sinjalizon rikthimin e madh në futboll: Dua të kthehem sa më shpejt

    Pas pesë vitesh larg bankinës, Zinedine Zidane ka konfirmuar se është gati të rikthehet në futbollin elitar, duke lënë të kuptohet se kthimi i tij si trajner mund të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt.

    Legjenda e futbollit francez dhe e Real Madridit nuk ka drejtuar asnjë skuadër që nga largimi nga klubi madrilen në vitin 2021. Megjithatë, emri i tij ka qenë vazhdimisht pjesë e spekulimeve që e lidhnin me disa nga klubet dhe kombëtaret më prestigjioze në botë.

    Sipas mediave franceze, destinacioni më i mundshëm për 53-vjeçarin vazhdon të mbetet Kombëtarja e Francës. Me Didier Deschamps që pritet të largohet pas Kupës së Botës 2026, federata franceze shihet si e gatshme t’ia besojë drejtimin një prej figurave më ikonike të futbollit të vendit.

    Vetë Zidane ka ndezur edhe më shumë zërat për rikthimin e tij me deklaratat e fundit, ku theksoi se ende ka ambicie të mëdha në karrierën e trajnerit.

    “Nuk jam më në fazën e ëndrrave. Futbolli më ka dhënë shumë dhe jam mirënjohës për gjithçka kam arritur. Megjithatë, mbetem një njeri konkurrues dhe kam ende objektiva për të realizuar. Dua të rikthehem si trajner dhe shpresoj që kjo të ndodhë shumë shpejt”, u shpreh Zidane.

    Edhe pse karriera e tij si trajner nuk ka qenë e gjatë, ajo ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në historinë e futbollit modern. Në dy periudhat e tij në krye të Real Madridit, nga viti 2016 deri në 2018 dhe më pas nga 2019 deri në 2021, francezi ndërtoi një epokë suksesi që vështirë se mund të përsëritet.

    Nën drejtimin e tij, “Los Blancos” fituan 11 trofe, përfshirë tre tituj radhazi në Ligën e Kampionëve, një arritje historike që e vendosi Zidane mes trajnerëve më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Bilanci i tij përfshin gjithashtu dy tituj të La Ligës, dy Superkupa të Spanjës, dy Superkupa të UEFA-s dhe dy Kupa të Botës për Klube.

    Tashmë, teksa pritja për rikthimin e tij po i afrohet fundit, mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës për një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit botëro

  • Mourinho i jep lamtumirën Benficas, gati për aventurën e re te Real Madridi

    Mourinho i jep lamtumirën Benficas, gati për aventurën e re te Real Madridi

    Jose Mourinho ka mbyllur zyrtarisht kapitullin e tij te Benfica, duke u përshëndetur me klubin portugez përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, menjëherë pasi u konfirmua largimi i tij drejt Real Madridit.

    Trajneri portugez pritet të prezantohet së shpejti në krye të gjigantit spanjoll, në një marrëveshje që raportohet se kap vlerën e 15 milionë eurove. Para nisjes së sfidës së re në “Santiago Bernabeu”, Mourinho ka zgjedhur të falënderojë të gjithë ata që e shoqëruan gjatë qëndrimit të tij te Benfica.

    “Dua t’i shpreh mirënjohjen time presidentit Rui Costa për besimin dhe mundësinë që më dha për të drejtuar Benficën. Të përfaqësosh këtë klub ka qenë një nder i madh dhe një privilegj i veçantë”, shkroi Mourinho.

    Tekniku 63-vjeçar rezervoi fjalë vlerësimi edhe për stafin e klubit, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre gjatë bashkëpunimit.

    “Falënderoj çdo anëtar të stafit për punën e jashtëzakonshme, përkushtimin dhe profesionalizmin që treguan në çdo moment. Bashkëpunimi me ta ishte një kënaqësi e vërtetë”.

    Mourinho nuk harroi as futbollistët, me të cilët tha se krijoi një raport të veçantë në një kohë relativisht të shkurtër.

    “Jam thellësisht mirënjohës për lojtarët me të cilët punova dhe uroj që secili prej tyre të arrijë sukseset më të mëdha në karrierë dhe në jetë. Jam i bindur se kemi ndërtuar një lidhje të fortë dhe të sinqertë. Një herë lojtari im, gjithmonë lojtari im”, përfundoi ai.

    Me këtë mesazh, Mourinho mbyll një kapitull të rëndësishëm në Portugali dhe tashmë përgatitet për rikthimin e madh në Madrid, aty ku e pret një tjetër sfidë në karrierën e tij të pasur.

  • Manchester United ndahet me tre lojtarë të ekipit të parë, klubi konfirmon largimet

    Manchester United ndahet me tre lojtarë të ekipit të parë, klubi konfirmon largimet

    Manchester United ka zyrtarizuar largimin e tre futbollistëve të ekipit të parë pas përfundimit të kontratave të tyre me klubin. Jadon Sancho, Casemiro dhe Tyrell Malacia nuk do të jenë më pjesë e “Djajve të Kuq” nga sezoni i ardhshëm.

    Sancho iu bashkua skuadrës nga Borussia Dortmund në vitin 2021, ndërsa Casemiro dhe Malacia mbërritën në “Old Trafford” gjatë verës së vitit 2022. Të tre futbollistët kanë mbyllur kapitullin e tyre me klubin anglez pas disa sezoneve në fanellën e Unitedit.

    Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare të publikuar nga Manchester United, ku klubi falënderoi lojtarët për kontributin e tyre dhe u uroi suksese në sfidat e ardhshme.

    “Të gjithë në klub dëshirojnë të falënderojnë Casemiron, Tyrell Malacian dhe Jadon Sanchon për kontributin e tyre te Manchester United dhe t’u urojnë atyre çdo të mirë për të ardhmen”, thuhej në deklaratën e klubit.

    Mesazhi u shoqërua edhe me sloganin tradicional të Unitedit: “Një herë i kuq, gjithmonë i kuq”, së bashku me fotografitë e tre futbollistëve.

    Përveç ndryshimeve në ekipin e parë, Manchester United konfirmoi edhe largimin e disa lojtarëve nga akademia, përfshirë Sonny Aljofree, James Nolan dhe Malachi Sharpe, të cilëve gjithashtu u kanë përfunduar kontratat.

  • Vinicius Junior vendos të qëndrojë te Real Madridi, rinovimi mbetet çështje kohe

    Vinicius Junior vendos të qëndrojë te Real Madridi, rinovimi mbetet çështje kohe

    E ardhmja e Vinicius Junior duket se do të vazhdojë të jetë e lidhur me Real Madridin. Sulmuesi brazilian nuk ka në plan të largohet gjatë afatit kalimtar të verës dhe pritet të mbetet një nga figurat kryesore të skuadrës edhe në sezonin e ardhshëm.

    Sipas raportimeve të Diario AS, 25-vjeçari ka vendosur të vazhdojë aventurën në “Santiago Bernabeu”, duke lënë mënjanë zërat që e lidhnin me një largim të mundshëm. Kjo vjen pavarësisht interesimit të madrilenëve për përforcime të reja në repartin ofensiv.

    Kontrata aktuale e Viniciusit me klubin spanjoll është e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Megjithatë, negociatat për një marrëveshje të re po vazhdojnë prej disa muajsh, pa një dakordim përfundimtar deri më tani. Pengesa kryesore mbeten kërkesat financiare të futbollistit brazilian.

    Me Florentino Perezin që vazhdon të udhëheqë projektin e Real Madridit, drejtuesit e klubit synojnë të intensifikojnë bisedimet për rinovimin pas përfundimit të Kupës së Botës 2026. Presidenti i “Los Blancos” e konsideron Viniciusin si një nga elementët më të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës.

    Edhe vetë lojtari ka shprehur në disa raste dëshirën për të vazhduar karrierën në Madrid. Megjithatë, mbetet të shihet nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët për aspektin ekonomik të kontratës së re.

    Një paraqitje e shkëlqyer me Kombëtaren e Brazilit në Kupën e Botës 2026 mund t’i japë Viniciusit edhe më shumë peshë në negociatat me Real Madridin, duke e forcuar pozicionin e tij për një marrëveshje të re afatgjatë.