ATV

Author: N.T.

  • Prishtina sjell përvojë evropiane në mbrojtje – prezanton holandezin Christopher Mamengi

    Prishtina sjell përvojë evropiane në mbrojtje – prezanton holandezin Christopher Mamengi

    FC Prishtina ka bërë goditjen e radhës në merkato, duke arritur marrëveshje me mbrojtësin holandez Christopher Mamengi, i cili pritet t’i sjellë siguri dhe cilësi prapavijës bardh e kaltër.

    24-vjeçari vjen nga një sistem shumë serioz zhvillimi – akademia e famshme e FC Utrecht – ndërsa përvojën si profesionist e ka nisur te Jong Utrecht në Eerste Divisie. Aventura e tij u pasurua edhe më shumë në sezonin 2023/24 me Almere City në Eredivisie, kampionatin elitar të Holandës, ku u vlerësua për qetësinë, leximin e lojës dhe aftësinë për të ndërtuar aksionet që nga mbrojtja.

    Mamengi gjithashtu ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Holandës (U15 deri në U19), ku kulmoi me triumfin në Kampionatin Evropian U17, duke u konsideruar si një ndër talentet e brezit të tij.

    Me këtë përforcim, Prishtina synon ta forcojë repartin defansiv për sfidat e sezonit që po vjen, me ambicie të qarta për titull dhe garë evropiane. Mbrojtësi holandez pritet të debutojë që në fundjavë para tifozëve të zjarrtë “Plisat”, të cilët me padurim presin ta shohin në fushë blerjen më të re të klubit nga kryeqyteti.

  • Dani Carvajal rikthehet në Bernabeu pas 318 ditësh dhe premton një sezon të madh me Realin

    Dani Carvajal rikthehet në Bernabeu pas 318 ditësh dhe premton një sezon të madh me Realin

    Pas plot 318 ditësh jashtë fushave për shkak të një lëndimi, Dani Carvajal bëri rikthimin e shumëpritur në “Santiago Bernabeu”, duke u aktivizuar në minutën e 68-të të fitores së Real Madridit ndaj Osasunës në ndeshjen hapëse të La Ligas.

    Kapiteni madrilen zëvendësoi Trent Alexander-Arnold dhe menjëherë solli siguri në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke u përshëndetur me duartrokitje të mëdha nga tifozët.
    “Ishte shumë e rëndësishme ta nisnim kampionatin me fitore. Nuk kemi pasur shumë kohë për t’u përgatitur, por skuadra reagoi mirë dhe dominoi ndeshjen”, u shpreh Carvajal, i cili dukej tejet i emocionuar për rikthimin e tij.

    Ai pranoi se të riktheheshe pas kaq muajsh nuk është e lehtë, por falënderoi mbështetjen e madhe të tifozëve: “Nga momenti i nxehjes kam ndjerë dashurinë e tyre. Tani dua të kthehem në formën time më të mirë dhe të ndihmoj skuadrën të luftojë për trofetë”.

    Sa i përket përgjegjësisë si kapiten, ai theksoi se do ta mbajë shiritin me krenari, ndërsa konkurrencën me Alexander-Arnold e sheh si motivim për të dhënë më të mirën.
    Rikthimi i tij përforcon edhe më tej një Real Madrid që synon titullin në Spanjë dhe Champions League, me Carvajalin që tashmë ka sytë nga sfidat e radhës për t’i rikthyer lavdinë klubit mbretëror.

  • Meriton Korenica pjesë e formacionit të javës në Rumani

    Meriton Korenica pjesë e formacionit të javës në Rumani

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Meriton Korenica, po vazhdon të shkëlqejë në kampionatin rumun, ku këtë javë është përfshirë në formacionin ideal të javës në Liga 1.

    25-vjeçari pati paraqitje fantastike në ndeshjen e fundit të CFR Cluj, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur në fitoren e skuadrës së tij. Ai realizoi një gol të bukur dhe kontribuoi me një asist, duke qenë vendimtar në suksesin e klubit rumun.

    Performanca e tij u shpërblye duke u futur në 11-shen më të mirë të javës nga faqja prestigjioze statistikore “Sofascore”, ku gjithashtu u vlerësua me notë shumë të lartë – 9.4, një ndër më të mirat në kampionat për këtë xhiro.

    Korenica iu bashkua Clujit verën e kaluar nga Ballkani dhe ka arritur të fitojë menjëherë zemrat e tifozëve rumunë falë stilit të tij energjik dhe lojës kreative në mesfushë. Ai po ashtu është bërë pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës, me selektorin Franco Foda që vazhdimisht i beson atij.

    CFR Cluj aktualisht ndodhet në krye të renditjes në kampionatin rumun dhe synon titullin kampion, ndërsa Korenica po luan një rol kyç në këtë mision. Forma e tij e lartë padyshim se është lajm i mirë edhe për “Dardanët”, të cilët në shtator i presin dy sfidat e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

  • Kombëtarja e Kosovës ka ftuar Baton Zabërgjen për dy ndeshjet e shtatorit

    Kombëtarja e Kosovës ka ftuar Baton Zabërgjen për dy ndeshjet e shtatorit

    Klubi ukrainas Metalist 1925 ka bërë të ditur se përforcimi i tyre i ri, Baton Zabërgja, është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e muajit shtator në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Zabërgja u prezantua zyrtarisht të martën te klubi ukrainas, pasi u transferua nga Dinamo City. Vetëm një ditë më pas, Metalist njoftoi se sulmuesi nga Vushtrria ka marrë thirrjen nga Kosova për dy sfidat e radhës eliminatore.

    “Futbollisti i sapoardhur në Metalist 1925, Baton Zabërgja, është ftuar në ekipin kombëtar të Kosovës për ndeshjet e shtatorit drejt Kupës së Botës 2026”, thuhej në njoftimin e klubit ukrainas.
    Kosova do ta nisë muajin me sfidën në udhëtim ndaj Zvicrës më 5 shtator, ndërkohë që tri ditë më vonë do të presë Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Kjo është hera e gjashtë që 24-vjeçari grumbullohet nga Dardanët, megjithatë deri tash ka luajtur vetëm në miqësoren ndaj Armenisë, ku regjistroi 82 minuta.

  • Zymer Bytyqi largohet zyrtarisht nga CSKA Sofia

    Zymer Bytyqi largohet zyrtarisht nga CSKA Sofia

    CSKA Sofia ka konfirmuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me futbollistin e Kosovës, Zymer Bytyqi. Klubi bullgar njoftoi se palët kanë arritur një marrëveshje të përbashkët për prishjen e kontratës, duke i dhënë fund aventurës së 27-vjeçarit në Superligën bullgare.

    Në deklaratën e publikuar në platformat zyrtare, CSKA thekson:

    “Futbollisti ofensiv Zymer Bytyqi nuk është më pjesë e skuadrës së parë. Sot klubi dhe lojtari ndërprenë marrëdhënien kontraktuale me dakordësi të ndërsjellë. Me fanellën e kuqe, ai zhvilloi 20 ndeshje dhe realizoi 5 gola. CSKA i uron sukses në të ardhmen.”

    Bytyqi iu bashkua gjigantit bullgar në vitin 2023, ndërsa tashmë mbetet lojtar i lirë në pritje të sfidës së radhës në karrierën e tij.

  • Sonte nisin sfidat e playoff-it të Champions League 2025/26 – të vlefshme për shtatë biletat e fundit në fazën e grupeve

    Sonte nisin sfidat e playoff-it të Champions League 2025/26 – të vlefshme për shtatë biletat e fundit në fazën e grupeve

    Mbrëmja e sotme shënon nisjen zyrtare të fazës së playoff-it në UEFA Champions League, ku 14 skuadra do të luftojnë në dy takime për të siguruar shtatë vendet e mbetura në turneun më prestigjioz të klubeve në Evropë.

    Fituesit e çifteve do t’i bashkohen 29 ekipeve tashmë të kualifikuara në fazën e grupeve, ndërsa shorti është planifikuar për 28 gusht në Monaco.

    Në program për mbrëmjen e sotme janë tre përballjet e para: Ferencváros – Qarabağ, Crvena Zvezda – Pafos dhe Rangers – Club Brugge.
    Takimet e kthimit do të luhen më 26 gusht. Edhe këtë sezon, Champions League do të zhvillohet sipas formulës së re “të ligës së vetme”, ku çdo skuadër luan tetë ndeshje nga 16 shtatori deri më 28 janar.

    Tetë ekipet e para kalojnë direkt në 1/8 e finales, ndërsa skuadrat nga vendi i 9-të deri në të 24-in do të kenë një raund shtesë playoff-i për të siguruar kalimin në fazën me eliminim direkt.

  • Roma “rrëmben” Leon Bailey-n – refuzon Arabinë dhe Turqinë për t’u bashkuar me Gasperinin

    Roma “rrëmben” Leon Bailey-n – refuzon Arabinë dhe Turqinë për t’u bashkuar me Gasperinin

    AS Roma ka gjetur gjuhën e përbashkët me Aston Villën për transferimin e Leon Bailey, raportojnë mediat italiane.

    Sulmuesi 26-vjeçar pritet të transferohet në “Olimpico” në formë huazimi, me romanët që do të paguajnë 2-3 milionë euro tani dhe do të kenë të drejtë ta blejnë kartonin e tij për 22 milionë euro në fund të sezonit.

    Bailey – autor i 144 paraqitjeve me fanellën e Aston Villës – ka zgjedhur Romën si destinacionin ideal për të vijuar karrierën, duke refuzuar propozimet financiare më të mëdha nga klubet turke dhe ato të Ligës së Arabisë Saudite.

    Në orët në vijim, xhamajkani pritet t’i nënshtrohet vizitave të detajuara mjekësore, përpara se të prezantohet zyrtarisht si përforcimi i radhës i verdhekuqve.

    Drejtuesit e Romës janë futur fuqishëm në tregun e transferimeve, me synimin që t’i ofrojnë trajnerit Gian Piero Gasperini një ekip të formatuar sipas ideve të tij taktike.
    Sen

  • Sancho larg Romës, Højlund synon largimin përfundimtar nga United

    Sancho larg Romës, Højlund synon largimin përfundimtar nga United

    Jadon Sancho nuk pritet të transferohet tek Roma, pavarësisht ofertës prej 20 milionë funte nga klubi italian. Sulmuesi i Manchester United ka vendosur të shikojë mundësi të tjera, ndërsa për të vijojnë të interesohen edhe klube si Borussia Dortmund.

    Ndërkohë, edhe Rasmus Højlund është në listën e lojtarëve që United është i gatshëm t’i largojë. Danezi pëlqehet nga Milan, por dëshiron një largim të përhershëm, jo huazim. United po ashtu këmbëngul që marrëveshja të përfshijë shitjen e plotë.

    Højlund nuk u përfshi fare në ndeshjen ndaj Arsenalit fundjavën që lamë pas, por trajneri Ruben Amorim deklaroi se lojtari ende mund të qëndrojë në klub dhe se duhet të luftojë për vendin e tij.

  • Marash Kumbulla mbërrin në Spanjë – gati të nis aventurën në La Liga me Mallorcan

    Marash Kumbulla mbërrin në Spanjë – gati të nis aventurën në La Liga me Mallorcan

    Marash Kumbulla është shumë pranë nisjes së një kapitulli të ri në karrierën e tij, këtë herë në elitën e futbollit spanjoll. Mbrojtësi shqiptar ka mbërritur mbrëmë në ishullin e Mallorcës, ku sot pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore para firmosjes së kontratës njëvjeçare me klubin e La Ligës.

    Edhe pse prezantimi i tij zyrtar përpara mediave do të zhvillohet në ditët në vijim, 24-vjeçari foli shkurtimisht për gazetarët në aeroport:
    “Jam gati të nis stërvitjen, të martën fillojmë gjithçka,” tha ai, duke nënvizuar se roli i trajnerit Jagoba Arrasate ka qenë kyç në zgjedhjen e tij. “Kam biseduar me trajnerin dhe ai më ka bindur,” shtoi Kumbulla, i vendosur ta rifitojë formën e tij më të mirë pasi vuajti dëmtime dhe mungesë aktivizimi te Roma.

    Reprezentuesi kuqezi bëhet afrimi i katërt i Mallorcas në këtë merkato verore, pas transferimeve të portierit Bergstrom nga Chelsea, mesfushorit Pablo Torre nga Barcelona dhe sulmuesit Mateo Joseph nga Leeds United.

    Në Mallorcë, Kumbulla do të bashkohet edhe me sulmuesin nga Kosova, Vedat Muriqi, duke rritur dukshëm prezencën shqiptare në skuadrën ishullore, e cila synon të bëjë një sezon të fortë në La Liga.