ATV

Author: N.T.

  • Noni Madueke shpallet “Lojtari i Javës” në Ligën e Kampionëve pas paraqitjes së jashtëzakonshme

    Noni Madueke shpallet “Lojtari i Javës” në Ligën e Kampionëve pas paraqitjes së jashtëzakonshme

    UEFA ka zyrtarizuar sot se Noni Madueke është shpallur Lojtari i Javës në Ligën e Kampionëve, pas paraqitjes së tij brilante në ndeshjen e fundit, ku arriti të shënojë dy gola për Arsenalin.

    Madueke ishte figura qendrore e takimit, duke udhëhequr ekipin e tij drejt një performance bindëse dhe duke treguar edhe një herë se është një nga lojtarët më në formë të momentit. Me shpejtësi, teknikë dhe vendosmëri para portës, ai bëri diferencën në një duel të rëndësishëm për “Topçinjtë”.

    Ky vlerësim nga UEFA vjen si konfirmim i rritjes së vazhdueshme të futbollistit anglez, i cili po e konsolidon gjithnjë e më shumë rolin e tij në ekip dhe në skenën evropiane.

    Arsenali e ka përgëzuar menjëherë lojtarin për këtë arritje, ndërsa tifozët janë shprehur entuziastë për nivelin e tij të lartë të lojës dhe ndikimin që po jep në momentet kyçe.

    Madueke jo vetëm që siguroi fitoren e ekipit, por tani merr edhe një nga çmimet individuale më prestigjioze të javës në futbollin evropian, një dëshmi e talentit dhe punës së tij të palodhur.

  • Del Piero analizoi fitoren e Juventusit: “Pesha e së kaluarës po i rëndon lojtarët, ambienti i klubit nuk është për këdo”

    Del Piero analizoi fitoren e Juventusit: “Pesha e së kaluarës po i rëndon lojtarët, ambienti i klubit nuk është për këdo”

    Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka komentuar fitoren 2-0 të “Bianconerëve” ndaj Pafosit, duke e cilësuar atë si një triumf të rëndësishëm, por të shoqëruar me shumë pasiguri. Sipas tij, skuadra e Massimiliano Allegrit po përballet me “peshën e së kaluarës” dhe një presion të madh psikologjik që vazhdon t’i ndikojë lojtarët.

    Juventusi siguroi tri pikë falë golave të Weston McKennie dhe Jonathan David në pjesën e dytë, por gjatë 45 minutave të para skuadra qipriote krijoi mundësi të rrezikshme dhe mund të kishte kaluar në epërsi. Edhe Fabio Capello, i pranishëm në panelin analitik, theksoi se Juventusi kishte “pak fat” në anën e tyre në këtë ndeshje të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.

    Duke folur për Sky Sport Italia, Del Piero u ndal tek ngarkesa psikologjike dhe transformimi i skuadrës pas sezonit të kaluar:

    “Pesha e së kaluarës, në aspektin e sukseseve, është gjithmonë aty. Por ekziston edhe pesha e së kaluarës së afërt. Kjo skuadër është krijuar mbi atë që ndodhi sezonin e kaluar, me disa ndryshime të mëdha te lojtarët kyç.”

    Ai shtoi se largimi i personaliteteve të forta në ekip dhe afrimi i lojtarëve më të rinj ka krijuar vështirësi të reja:

    “Ambienti i Juventusit nuk është për këdo. Është kompleks. Kemi parë lojtarë që në klube të tjera luajnë më të lirshëm, por këtu presioni është i përditshëm dhe ndikues.”

    Del Piero shprehu shqetësim edhe për mungesën e stabilitetit taktik dhe konkurrencën e brendshme që po përjeton skuadra:

    “Fitore e rëndësishme, por çdo ndeshje është në prag të rrezikut. Tani duhet të shkojnë në Bologna, mkush e di çfarë ndodh? Ka emergjencë në mbrojtje, ka ndryshime të shpeshta, mungon qartësia taktike. Përveç Yildizit, asgjë nuk është e garantuar.”

    Pas dy fitoreve radhazi në fazën e ligës së Champions League-s, Juventusi renditet në vendin e 17-të me 9 pikë, dhe i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin në fazën e play-off-it.

    Në janar 2026, “Bianconerët” i presin dy ndeshje kyçe: fillimisht ndaj Benficës, në Torino, e më pas udhëtimi vendimtar në Monaco, sfida që do të përcaktojë fatin e tyre në garën më prestigjioze evropiane për klube.

  • Xhiroja e 17-të në Superligën e Kosovës, sjell duele vendimtare dhe derbi të zjarrtë

    Xhiroja e 17-të në Superligën e Kosovës, sjell duele vendimtare dhe derbi të zjarrtë

    Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së 17-të, e cila pritet të sjellë emocion, rivalitet dhe përballje të rëndësishme për ecurinë e kampionatit. Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar orarin zyrtar, me dy ndeshje që zhvillohen të shtunën dhe tri të tjera të dielën.

    Të shtunën, futbolli nis në orën 13:00 me dy takime të rëndësishme për zonën e mbijetesës dhe të mesit të tabelës.

    Drenica – Ferizaj, në stadiumin “Bajram Aliu”, do të jetë një sfidë direkte për pikë të vlefshme, pasi të dy ekipet kërkojnë të ryshfaqen me rezultate pozitive dhe të largohen nga pjesa e poshtme e renditjes.

    Në të njëjtën kohë luhet edhe Prishtina e Re – Dukagjini, një duel ku Prishtina e Re synon surprizën, ndërsa Dukagjini kërkon të forcojë pozitat e tij dhe të mbetet në garë për vendet e para.

     

    E diela pritet të jetë dita më e nxehtë e kësaj jave futbollistike, pasi në program janë tre derbi me peshë të madhe sportive dhe emocionale.

    Vëmendja kryesore do të jetë në derbin e Anamoravës, ku Drita pret Gjilanin në një duel që tradicionalisht sjell spektakël dhe tension. Përtej rivalitetit lokal, të dy skuadrat kanë objektiva të mëdha këtë sezon dhe tre pikët mund të ndikojnë fuqishëm në garën për kreun e tabelës.

    Ndërkohë, një tjetër superpërballje zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani pret Prishtinën. Kampionët në fuqi kërkojnë të rikthehen te fitorja dhe të mbajnë ritmin e skuadrave pretendente, ndërsa Prishtina synon të tregojë forcën e saj në një nga stadiumet më të vështira të kampionatit.

    Në të njëjtën ditë, Llapi luan në shtëpi kundër Malishevës, një takim ku llapjanët duan të shfrytëzojnë terrenin vendas për të qëndruar në hap me rivalët e kreut, ndërsa Malisheva kërkon rezultat surprizues për të përmirësuar pozitën në tabelë.

    Xhiroja e 17-të pritet të sjellë shumë emocione, duele të forta dhe ndoshta edhe lëvizje të rëndësishme në renditje, duke e bërë këtë fundjavë një ndër më vendimtaret e deritanishme në Superligën e Kosovës.

  • Kryeministri Kurti pret ekipin e Dritës para përballjes historike ndaj AZ Alkmaar

    Kryeministri Kurti pret ekipin e Dritës para përballjes historike ndaj AZ Alkmaar

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij ekipin e Dritës, në prag të ndeshjes së rëndësishme që skuadra gjilanase do ta zhvillojë të enjten ndaj AZ Alkmaar në kuadër të Ligës së Konferencës.

    Gjatë takimit, Kurti i përgëzoi futbollistët, trajnerin dhe stafin për paraqitjet e deritanishme, duke theksuar se Drita po e përfaqëson Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm në arenën evropiane. Ai theksoi se bardhekaltërit po shfaqin nivel të lartë gare, duke u renditur aktualisht në vendin e 8-të nga 36 ekipe pjesëmarrëse në këtë kompeticion – një arritje historike për futbollin kosovar.

    “Shanset për kualifikim janë të mëdha. Ju falënderoj për përfaqësimin dinjitoz që po i bëni shtetit tonë”, tha Kurti, duke u uruar futbollistëve sukses në sfidën e radhës.

    Të enjten mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drita do të presë ekipin holandez të AZ Alkmaar. Një rezultat pozitiv do të shënonte një tjetër hap të madh për klubin, por edhe për futbollin kosovar në përgjithësi.

    “Forca Drita!”, përfundoi Kurti, duke i dhënë mbështetje të plotë skuadrës gjilanase para këtij takimi vendimtar.

  • Të enjten vendoset gurthemeli për tribunat dhe ndriçimin e ri në Stadiumin “Zahir Pajaziti”

    Të enjten vendoset gurthemeli për tribunat dhe ndriçimin e ri në Stadiumin “Zahir Pajaziti”

    Të enjten, më 11 dhjetor, do të nisin zyrtarisht punimet për ndërtimin e tribunave dhe instalimin e sistemit të ri të ndriçimit në Stadiumin “Zahir Pajaziti”, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën sportive të komunës.

    Gurthemeli do të vendoset në një ceremoni zyrtare ku pritet të marrin pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, si dhe Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

    Pas ceremonisë, drejtuesit do të zhvillojnë vizita edhe në dy projekte të tjera të rëndësishme infrastrukturore në komunë: Pishinën Gjysmëolimpike dhe Qendrën Multifunksionale, ku do të shikojnë nga afër ecurinë e punimeve.

    Agjenda e ditës së enjtes:

    11:00 – Vendosja e gurthemelit në Stadiumin “Zahir Pajaziti”

    11:30 – Vizitë punimeve në Pishinën Gjysmëolimpike

    11:45 – Vizitë punimeve në Qendrën Multifunksionale

    Projekti i ri synon t’i japë komunës një infrastrukturë më moderne sportive, duke përmirësuar kushtet për ekipet vendore, sportistët dhe tifozët.

  • Helmut Marko i jep fund epokës së tij te Red Bull pas më shumë se 20 vitesh!

    Helmut Marko i jep fund epokës së tij te Red Bull pas më shumë se 20 vitesh!

    Epoka e artë e Helmut Marko në Formula 1 duket se ka arritur në fund. Strategu dhe këshilltari historik austriak i ka thënë lamtumirë Red Bullit pas mbi dy dekadash bashkëpunimi, vetëm pak ditë pasi Max Verstappen humbi titullin botëror për vetëm dy pikë.

    Largimi u bë zyrtar pas një takimi me CEO-n Oliver Mintzlaff, duke e detyruar Markon të mbyllë bashkëpunimin një vit para përfundimit të kontratës. Lajmi u konfirmua nga gazeta holandeze De Limburger, e cila raporton se kjo ndarje është rezultat i një sërë vendimesh të njëanshme të marra nga Marko gjatë viteve të fundit, vendime që kanë cenuar marrëdhëniet e tij me skuderinë.

    Një nga këto vendime lidhet me shkarkimin e Christian Hornerit, një veprim i bërë pa miratimin e drejtuesve dhe që solli pasoja të mëdha ekonomike për ekipin. Një tjetër ishte promovimi i Arvid Lindblad te Racing Bulls, duke e zhvendosur Yuki Tsunodën, si dhe mosmarrëveshjet që lindën pas kalimit të Isak Haxhitar te Red Bull.

    Gjithashtu, gjatë verës Marko vendosi të nënshkruante kontratë me pilotin Alex Dan pas largimit të tij nga McLaren, një lëvizje që drejtuesit nuk e miratuan. Ata i kërkuan ta anulonte menjëherë marrëveshjen, gjë që i kushtoi Red Bullit qindra mijëra dollarë në pagesa kompensuese.

    Pavarësisht turbulencave të brendshme, një pikë e sigurt për skuderinë mbetet Max Verstappen. Kampioni holandez do të qëndrojë te Red Bull deri në fund të kontratës së tij në vitin 2028 dhe do të jetë në qendër të projekteve të reja të zhvillimit të makinës nga sezoni i ardhshëm, me synimin për të fituar titullin e tij të pestë botëror.

    Red Bull tashmë përballet me një nga momentet më të rëndësishme të tranzicionit në historinë e saj moderne, teksa përpiqet të ndërtojë një epokë të re pas largimit të Helmut Markos.

  • Van Basten kritikon Mohamed Salah: “Reagoi gabimisht ndaj Arne Slot”

    Van Basten kritikon Mohamed Salah: “Reagoi gabimisht ndaj Arne Slot”

    Legjenda e futbollit holandez, Marco van Basten, ka komentuar shpërthimin e sulmuesit Mohamed Salah ndaj trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, gjatë fundjavës, duke mos kursyer kritikat për yllin egjiptian.

    Sipas Van Basten, Salah ka reaguar në mënyrë të gabuar dhe nuk ka justifikim për sjelljen e tij. “Do të thoja: truri i një zogu të egër. Nëse reagon kështu… Ai luajti shumë mirë vitin e kaluar, por këtë sezon nuk po shfaq formën e duhur”, tha legjenda holandeze, duke shtuar se performanca e sulmuesit ka qenë zhgënjyese kohët e fundit.

    Ai theksoi gjithashtu se trajneri Slot është i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë, dhe se tensioni i fundit ka ardhur nga reagimi i Salahut: “Slot nuk i shmanget një sherri dhe nuk thotë asgjë të pamatur. Salah, nga ana tjetër, filloi ta sulmonte dhe të reagonte gabimisht”, shtoi Van Basten.

    Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes raportet e brendshme te Liverpooli, ndërsa debati mbi marrëdhënien mes yjeve të skuadrës dhe stafit teknik vazhdon të komentuar gjerësisht në media.

  • Kylian Mbappé i thirrur për ndeshjen Real Madrid – Manchester City

    Kylian Mbappé i thirrur për ndeshjen Real Madrid – Manchester City

    Ylli francez Kylian Mbappé është përfshirë në listën e lojtarëve të thirrur për ndeshjen e madhe ndërmjet Real Madrid dhe Manchester City, edhe pse po vuan nga një shqetësim muskulor.

    Megjithatë, Mbappé dëshiron të jetë i gatshëm për sfidën dhe tregon vendosmërinë e tij për të qenë pjesë e skuadrës në ditën e ndeshjes. Sipas mediave spanjolle, futbollisti francez ka treguar një mentalitet të fortë dhe ambicie për të kontribuar, pavarësisht shqetësimeve fizike.

    Ky lajm vjen si një motiv shtesë për tifozët e Real Madrid, të cilët shpresojnë që Mbappé të sjellë performancë të lartë kundër kampionëve anglezë.

  • Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Javës” në Premier League!

    Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Javës” në Premier League!

    Mesfushori portugez i Manchester United, Bruno Fernandes, është zgjedhur Lojtari i Javës në Premier League pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Wolverhampton Wanderers.

    Fernandes ishte protagonist absolut në këtë ndeshje, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar një asist që ndihmoi skuadrën e tij të arrijë fitore të rëndësishme. Performanca e tij nuk kaloi pa u vlerësuar, duke i siguruar kështu çmimin prestigjioz për këtë javë.

    Ky është një tjetër sukses për portugezin, i cili vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të besueshëm të Manchester United dhe të Premier League.

  • Hidhet shorti për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, dy super-derbi ndezin fazën pranverore!

    Hidhet shorti për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, dy super-derbi ndezin fazën pranverore!

    Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për fazën e 1/8-tës së Kupës së Kosovës, duke prodhuar përballje tepër interesante dhe disa duele të zjarrta që premtojnë spektakël.

    Dueli kryesor i kësaj faze është padyshim Prishtina – Ballkani. Kampionët në fuqi të Kupës përballen me Ballkanin, skuadër që synon rikthimin te trofeu i Kupës, të cilin e fitoi dy sezone më parë pikërisht kundër kryeqytetasve. Ky takim shihet gjerësisht si një finale e parakohshme, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë dhe formën e të dyja skuadrave.

    Një tjetër super-derbi është Drita – Llapi, një duel që gjithmonë sjell tension, emocione dhe rivalitet të madh. Drita synon trofetë prej vitesh, ndërsa Llapi ka treguar se në Kupë di të surprizojë, madje edhe të fitojë. Përballja konsiderohet e hapur dhe e paparashikueshme.

    Shorti është treguar disi më i favorshëm për Gjilanin, që ndeshet me Lirinë nga Liga e Parë, si dhe për Malishevën që përballet me Trepçën ’89.

    Po ashtu, janë caktuar edhe dy duele mes skuadrave të Superligës: Drenica – Ferizaj dhe Dukagjini – Prishtina e Re.

    Ndërkaq, dy ndeshje tjera do të luhen mes ekipeve të Ligës së Parë: Feronikeli 74’ – Dinamo dhe Vushtrria – Vëllaznimi.

    Faza e 1/8-tës pritet të zhvillohet në pjesën e parë të sezonit pranveror dhe sipas gjithçkaje që tregoi shorti, tifozët mund të presin shumë emocion dhe ndeshje me intensitet të lartë.